Jo rrallë, në shumë takime, kafeneja poshtë shtëpisë së Volterit, buzë Senës në Paris, në Quai Voltaire, më është bërë intime. Një vend i rastësishëm pikëtakimi shqiptarësh e ku i përhershëm është dhe piktori Zamir Mati. Sipër kokave tona qëndron një pllakë e vjetër mermeri që informon publikun kalimtar dhe këdo tjetër që ecën buzë Senës ballë bukinistëve, se aty, më 30 maj të vitit 1778, ka vdekur filozofi dhe letrari i madh francez, François-Marie Arouet, i mbiquajtur Volter. Duke vështruar lart mbi dritaret e katit të dytë, jo pak njerëz kanë pyetur apo imagjinuar sesi i ka kaluar ditët e fundit gjeniu i madh Si ka vdekur filozofi dhe në ç’kohë tronditëse? Por ishte botimi i Traktatit të Tolerancës në Tiranë që më bëri të shfletoj diçka mbi historinë dhe biografinë e shkrimtarit që imagjinata ime të plotësohej me diçka të jashtëzakonshme dhe të paimagjinueshme: vdekja e veçantë e Volterit dhe zhdukja klandestine e tij nga familjarët për t’u varrosur diku larg Parisit. Ç’kishte ndodhur me të dhe përse ajo ikje e fshehtë e trupit të të vdekurit?
Lexuesi i thjeshtë mund të bëjë një mijë pyetje, duke ditur njëherësh se filozofi dhe letrari ishte përzënë në kohën e Louis XIV, i detyruar të ikë në mërgim në fillim në Prusinë e mikut të tij mbreti Frederiku II. Më vonë Louis XIV e lejoi atë të kthehej në Francë por me kusht që të mos e shkelte Parisin të cilën ai e ëndërronte gjithnjë. Për 28 vjet ai kishte jetuar larg Parisit të tij të dashur, vendit ku krijoi veprat e mëdha dhe ku përjetoi dashuritë e mëdha, larg kryeqytetit që së fundi e kishte pranuar dhe anëtar të Akademisë Franceze. Përse vallë ky mërgim i gjatë, përse kjo ikje e të vdekurit Volter, pikërisht kur ai vinte më së fundi në Paris, në Parisin e arteve dhe letêrsisë që e priti krahëhapur? Duke hulumtuar mbi jetën e tij, e kupton sesa i madh ishte çmimi që ai pagoi për idetë e tij, në një shoqëri që ende nuk po gjente rrugën e lirisë, të së drejtës dhe të emancipimit shoqëror.

Pas mërgimit të gjatë, Volteri erdhi në Paris më 12 shkurt të vitit 1778. Ai nuk e dinte se si do ta priste Parisi, njerëzit shkencës apo njerëzit e thjeshtë; nuk e dinte nëse mbreti do ta lejonte vallë ardhjen e tij përfundimisht e veçanërisht prelatët e kishës te të cilët emri Volter përbënte një blasfemi më vete. Meqë s’kishte shtëpi, ai shkoi drejt e te shtëpia e mikut të tij, markezit Villette, por për habinë e madhe, shumë shpejt dhoma e tij u përmbyt nga qindra njerëz që kishin marrë vesh ardhjen e tij. Një lajm ishte shpërndarë nëpër Paris: ka ardhur Volteri! Artistë, akademikë, kompozitorë e njerëz të teatrit nxituan me një frymë ta përgëzonin për ardhjen e tij: ndër të parët ishin kompozitori Gluck, miku i tij Piccini, pastaj ambasadori i Anglisë, dramaturgu i shquar Carlo Goldoni që ato kohë jetonte në Paris, disa miq akademikë, mes të cilëve dhe Descartes dhe padyshim të afërmit e tij të dikurshëm të para tridhjetë viteve. Sa i lumtur ndihej Volteri, po aq i lodhur ndihej njëkohësisht, pasi trupi i tij tashmë ishte drobitur shumë sa mezi mbahej në këmbë.
I prekur rëndë nga kanceri, herë pas here ai villte gjak. Të çoroditur nga ardhja e tij, prelatët e kishës donin të shfrytëzonin rastin që më së fundi, filozofi i madh me një këmbë në varr, njeriu i shquar i Akademisë, të konvertohej dhe të futej në “udhën” e Zotit, ndaj të cilit nuk kishte treguar “respektin e duhur”. Por Volteri në fakt nuk ishte kundër Zotit, edhe pse nuk e duronte dogmën e fesë dhe i kishte kritikuar me forcë priftërinjtë. Ai ishte një panteist, siç ishin dhe Xhordano Bruno apo Spinoza. A nuk shkruante ai se “edhe nëse Zoti nuk ekziston, ai duhet krijuar; a nuk pohonte ai se unë e shoh veprën hyjnore, por nuk e shoh krijuesin e vet dhe se është e pamundur ta njoh atë?” Ç’dilemë për njeriun që i shpalli luftë fanatizmit, dogmës, urrejtjes fetare! Ai e kuptonte se njeriu ende nuk arrinte të kuptonte thelbin dhe enigmat e shumta të natyrës, por ai nuk kishte nevojë të konvertohej. Dhe kur priftërinjtë vazhdonin të ngulmonin çdo ditë e më shumë që t’i jepnin sakrementet, meqë pështynte gjak, ai më së fundi e gjeti argumentin e shpëtimit, duke u thënë prelatëve se si mund ta njolloste bukën e Zotit ndërkohë që pështynte gjak.
Ato ditë që shkeli Parisin dhe shkoi në Akademinë Franceze, e cila mblidhej në mjediset e Louvre-it, gëzimi i tij ishte në kulm, pasi të gjithë akademikët u ngritën në këmbë dhe e pritën me duartrokitje. Në Teatrin Francez, apo Komedinë Franceze, turma e ndiqte nga pas duke thirrur: “Rroftë mbrojtësi i familjes Calas!…”. Kishte tri dekada që nuk e kishte parë Parisin. Kaq vjet përndjekje e persekutime. Meqë s’kishte shtëpi, ai vendosi të blinte një shtëpi në Rue Richelieu, jo larg teatrit, ku tragjedia e tij «Irene» kishte filluar të shfaqej dhe të tjera pjesë teatrale shkruar më parë prej tij do të viheshin shumê shpejt në skenë. Të gjithë përshëndesnin “Sofokliun francez”, autorin e madh të «Kandidit». Por tani, meqë ai nuk kishte pranuar të konvertohej në fenë katolike dhe të përqafonte fenë, prelatët e kishës prisnin veç vdekjen e tij që të mund të hakmerreshin. Dhe kjo vdekje nuk do të vononte. Ajo do të vinte shumë shpejt. Veç dy muaj e gjysmë pas ardhjes në Paris, Volteri tashmë jetonte orët e fundit. Katër ditët e fundit ai mezi fliste dhe së fundi ra në agoni deri sa vdiq. Por njeriu që kishte guxuar të kritikonte prelatët e kishës, më së fundi duhej të paguante haraçin e shkrimeve të tij. Dhe dënimi i tij ishte që të mos varrosej në Paris dhe veprat e tij të ndaloheshin. Dhe kështu do të ndodhte. Por ç’ndodhi vallë me trupin e tij? …
Udhëtimi i të vdekurit Volter do të jetë një nga historitê më rokamboleskët në historinë franceze. Ditën që vdiq, duke pritur mbrëmjen e vonë, në orën 23:00 të natës, nipi i tij, abati Mignot, organizoi largimin e fshehtë të trupit të Volterit që ta varroste me një ceremoni fetare, meqë arkipeshkvi i Parisit s’do të pranonte kurrë një ceremoni për të, që të mund të varrosej në tokën e kishës. Atë e veshën me kostumin e zi si një zotëri (disa historianë thonë me rrobdëshambrin e tij dhe një kapuç) dhe ashtu, e vendosën në një karrocë, bashkë me një nga shërbyesit në krah që ta mbante ulur. Një tjetër karrocë vinte më pas me kushërinjtë e tij, duke marrë për nga Place d’Hornoy dhe duke dalë nga Parisi. Një i vdekur udhëtonte ulur me një të gjallë. Kujtdo mund t’i dukej e pabesueshme një ikje e tillë, e fshehtë, që Volteri të mund të varrosej si gjithë njerëzit e asaj bote. Jo, ata nuk do të shkonin në Ferney, ku për disa vite ai kishte jetuar pa guxuar të shkelte Parisin, por në Troyes, në një abaci gati të rrënuar “cisterciene” të Scechère, ku do të mbërrinin një ditë më vonë. Duke siguruar letrën e një abati se gjoja ishte “rrëfyer”, të nesërmen, disa koristë fshati i kënduan para arkivolit dhe pas meshës së abatit atë e varrosën në tokën e abacisë. Një ditë më vonë, i informuar se ç’kishte ndodhur me udhëtimin e Volterit të vdekur, peshkopi i Troyes nxitoi që të ndalonte varrosjen e tij, por gjithçka tashmë kishte mbaruar dhe askush nuk mund ta zhvarroste më atë të “pafé” apo “impie”, siç e konsideronte kisha. Sipas traditës, kur një nga anëtarët e Akademisë Franceze vdiste, Akademia mbante një meshë në shapelën e Louvre-it për vdekjen e akademikut, por kjo kërkesë e Alambert nuk u pranua nga arkipeshkvi i Parisit, kardinali De Rohan. Në «Gazette de France» u botua vetëm një njoftim me dy rreshta për vdekjen e tij. Veprat e tij në teatër u ndaluan të shfaqen e po kështu dhe botimi i tyre. Madje një fushatë e tmerrshme shpifjesh filloi kundër tij. Në shkrime e artikuj të ndryshëm shkruhej se “Volteri ishte një i çmendur …” se “në fundin e jetës së tij ai kafshonte duart dhe hante jashtëqitjet e tij”, se “ai klithte se përse Zoti dhe njerëzit e kishin braktisur” … Më kot u munduan kundërshtarët e tij të shkatërronin imazhin e iluministit të madh. Atë që s’bëri Franca mbretërore, e bëri Frederiku II i Prusisë, i cili organizoi një meshë të madhe në kishën katolike të Berlinit. E megjithatë, shpejt, Franca iluministe do të luftonte për të vënë në vend figurën dhe veprën e Volterit … Më së fundi, eshtrat e tij të braktisura në një abaci të mjerë, do të silleshin në Panteon. Parisi përkujtonte përfundimisht lavdinë e tij. I tillë kishte qenë çmimi i madh që Volteri pagoi për kurajën e veprës së tij, ashtu si shumë gjeni të tjerë të mëdhenj, duke filluar nga Sokrati, të cilët idetë i paguan me jetën e tyre …

Sa herë që kaloja nga Quai Voltaire ishte e pamundur të mos ngrija sytë drejt asaj dritareje ku shpesh filozofi dhe letrari i madh shikonte rrjedhjen e Senës. Kur para disa vitesh në Tiranë u botua «Traktati i Tolerancës», do të kisha dëshirë t’i thosha se ai traktat ishte botuar dhe në shqip e madje duhej botuar në të gjitha gjuhët e botës, pasi «Traktati i Tolerancës» do të zgjonte shpirtrat njerëzorë në këto kohë urrejtjesh, intolerancash, luftërash që kanë mbërthyer botën, në këtë epokë që lufta midis qytetërimeve dhe religjioneve bëhet gjithnjë e më e dramatike e tragjike …