Ju shkruaj në errësirë – është një roman. Një roman i shkruar në revoltë. Jean-Luc Seigle, ky skenarist, dramaturg dhe shkrimtar, nuk donte që historia e asaj adoleshenteje, vajze dhe gruaje që u bë të mbetej në analet e proçeseve gjyqsore si një histori krimi. Ai deshi të tregonte të kundërtën dhe këtë përmes shkrimit, letërsisë, shpirtit të letrarit që mbetet gjithnjë i revoltuar dhe që do ta ndryshojë botën, ta shtyjë drejt së mirës. Ai deshi të tregonte se kërkimi i dashurisë, dëshira e madhe për ta jetuar atë kur ti je poshtëruar dhe flakur tutje në humnerë nga shoqëria të çon drejt krimit. Një roman padyshim tronditës që nuk do ta heqësh nga duart, për më tepër një temë e panjohur nga ne shqiptarët, sikur të jetë harruar dhe nga vete historia moderne e shekullit XX, një roman prej të cilit nuk ndjen kënaqësi, nuk joshesh, nuk rrëmbehesh nga entusiazmi dhe romantika e jetës por ku ndjen veçse dhimbje, duke vuajtur fatin e një vajze që portat e jetës iu përplasen me forcë në fytyrë duke i rrënuar të gjitha iluzionet e saj, duke e rrëzuar atë përfundimisht dhe dëshpërimisht. Çfarë do të bëjë ajo për t’i shpëtuar dhimbjes së gjatë vuajtjes së përjetshme, përjashtimit pa mëshirë nga shoqëria të cilës i përket dhe kjo, nga një dashuri njerëzore që guxoi të përjetojë. E ç’kuptim ka atëherë jeta kur dashuria troket në dritaren e saj dhe ajo nuk mund ta shijojë për shkak të kodeve sociale, për shkak të asaj që kanë vuajtur dhe më parë gjithë gratë e botës ?

Pauline Dubuisson (Polin Dybyison) të cilës autori i ka kushtuar këtë roman biografik, ka guxuar të ngrihet kundër atij linçimi, si reagim ndaj asaj që i bëri shoqëria në veri të Francës pas luftës së dytë botërore, fill pas çlirimit ku një « gjueti shtrigash » u ndërmor kundër atyre femrave që kishin shkuar me gjermanët pushtues apo i kishin dashuruar (të mos harrojmë këtu dhe aktoren Arlety apo të famshmen Edith Piaff, etj. Eshtë një histori analoge me atë që kemi parë në filmin e Alain Resnais me skenar të shkrimtares së njohur Marguerite Duras, « Hiroshima mon amour » («Hiroshima, dashuria ime ») ku protagonistja, një vajzë e re në thellësi të Francës, në Nevers, u dashurua me një ushtar gjerman dhe që ditën e fundit të luftës, ata kishin lënë të takoheshin dhe të iknin bashkë drejt Gjermanisë, por kur ajo shkon në vendin e takimit e gjen të vrarë. Atëherë, asaj vajze i qethin flokët në ditët e para të çlirimit, një qethje në sheshin publik, ashtu siç u qethën mijra të tjera nëpër gjithë Francën brenda disa ditëve. Një spektakël i tmerrshëm për ato që e pësuan dhe ata që e bënë, pasi ata “burra të nderit” duhet ta kenë ndjerë fajin e madh në shkatërrimin e shumë jetëve të pambrojtura. Ky spektakël i mijra kokave të qethura në sheshet publike, në rrugë, nën brohorimat e turmës, në podiume provizore, mbetën stigmate që u ngjizën në shpirtrat dhe jetët e atyre vajzave. Ishte nga shprehjet më të mëdha të intolerancës dhe dhunës mashkullore ndaj gruas. Ishte një “bombë” si ato të Hiroshimës që ra në shpirtrat e tyre duke lënë plagë të hapura e përvëluese apo duke i çuar ato drejt vetvrasjes.
Ja çfarë shkruan autyori Seigle : « Pasi vizatuan me bojë kryqet gjermane mbi gjinjtë që dukeshin nga fustani i grisur, ata filluan të më qethnin. Edhe sot më ndodh ndonjëherë ta kaloj dorën mbi kokë, për t’u siguruar se më janë zgjatur flokët, e frikësuar mos mbetem tullace gjithë jetën. Më kujtohen ende goditjet e gërshërëve që më plagosnin kokën, ndjekur nga zhurma e makinës që më qethte flokët, të cilat më rrëshqisnin mbi supe dhe mbi kofshë. Ajri ishte mbytës dhe kishte aromën e vdekjes. Gjithë ata njerëz kërkonin vdekjen time. Edhe pse më shanin “kurva e ndyrë e gjermanëve”, nuk e kuptoja se për çfarë më akuzonin, pasi nuk bëja dot lidhjen mes torturës që po vuaja dhe Domnikut. Kjo derisa berberi mbaroi së më qethuri dhe më urdhëroi të ngrihem në këmbë. Isha në këmbë, e mbuluar me të nxira, me kokën gjysmë të qethur, me fustanin e shqyer deri te kofshët, për të treguar kryqet e thyera vizatuar mbi gjoksin tim. Ai që më qethte, më kërkoi të ngrija fustanin dhe të hapja këmbët. Iu binda dhe qëndrova e ngrirë në pozicionin e balerinave të “french cancan”, pozicion i neveritshëm e pa muzikë, kur papritur m’i grisi të mbathurat dhe me makinën e pamprehur nisi të më qethë qimet e pubisit. Nuk mund t’i gjej fjalët për të përshkruar turpin që ndjeva teksa fshihja fytyrën me fustanin e ngritur lart, ndërsa turma shihte seksin tim. Kur mbaroi qethjen, seksi im ishte një plagë që digjte. Një çast heshtje më dha shpresë. Mendova se duhet t’u kishte ardhur turp për poshtërimin që më kishin bërë aq dhunshëm, se kishin mbaruar e do të më linin të kthehesha në shtëpi, kur një grua ia dha britmës:
– Ja, tani u bë vajzë e pastër me p…. të bukur !
Kaq mjaftoi që sehirxhinjtë të rimerrnin forca dhe të shpërthenin sërish në të qeshura. Nuk kisha më asnjë lloj shansi të dilja nga kjo ngjarje e ndyrë. Pastaj një tjetër grua thirri:
– Na e hiqni sysh këtë kurvë! Qërojeni!... »
Por pas « Hiroshimës » që ndodhi me vajzën 19 vjeçare Dybyison, një tjetër bombë i ra mbi trup dhe mbi shpirt, ajo e përdhunimit kolektiv të «fitimtarëve» siç i quajti ajo mbi «prostitutën e shitur tek armiku» siç e cilësonin ata. E ç’rëndësi kishte për ta një jetë njeriu, jeta e një vajze, të cilën mund ta përdhunoin dhe të bënin ç’të donin me të. Dhe Dybyison, e vrarë në trup dhe në shpirt u kthye në një lloj fantome të vetvetes që jetonte ende, që merrte frymë ende, me të gjitha ëndrrat e thyera të një vajze në kulmin e rinisë.
« I pari nga ata që më mori në duar ishte më i madhi në moshë, ndoshta rreth të dyzetave, ndërkohë që dy të tjerët, më të rinjtë, më mbanin nga trupi pa lëvizur. Nuk kisha përshtypjen se po më depërtonte, por dukej sikur ma godiste barkun me thikë, duke përsëritur:
– Hë, moj kurvë, të pëlqen? Thuaj që të pëlqen!
Nuk qaja. Qeni skërmiste dhëmbët. Isha po aq e terrorizuar sa dhe ajo kafshë e shkretë. Nuk mund të klithja, sepse ma kishin mbyllur gojën, përpiqesha e vetme si krimb toke mbi atë tavolinë. Nuk isha veçse një copë mishi mbi të cilin mizat do të lëshonin menjëherë vezët e tyre. Përpiqesha vetëm ta mbaja gojën mbyllur, që të mos më pështynin brenda në gojë, edhe pse ma kishin mbuluar fytyrën me pështyma. Atëherë ai më qëlloi disa herë me shuplaka aq të forta, sa m’u duk se koka do më shkëputej nga trupi. Më në fund u shkund nga orgazma, nëse mund të flitet për orgazëm gjatë një përdhunimi. Megjithëse u prish, ai vazhdonte ta mbante brenda meje e të lëkundej, edhe pse rënkimet dhe klithmat që lëshonte ishin më të forta se ç’lëshojnë meshkujt në të vërtetë, gjë që tradhtonte simulimin e tij. Unë e njihja ekstazën e meshkujve, atë çast të shkurtër që ua squll trupin, kurse ai vazhdonte për t’i treguar shokëve të tij se sa i zgjaste orgazma. Në të vërtetë, shurronte brenda meje duke klithur:
– Shikoni, çuna, nuk është kurvë, është shurraqe!
Pastaj i erdhi radha më të riut prej tyre, i cili luante me gjinjtë e mi dhe u tregonte me krenari shokëve se si i ishte ngrehur. Kjo e ngacmoi të tretin, i cili me ndihmën e shokut të tij arriti të ma hapë gojën për të ma futur brenda, ndërkohë që më i riu ma bënte duke u zgërdhirë. Po mbytesha nga sulmet e këtyre burrave që qelbeshin era djersë, të shpërfytyruar nga vulgariteti i tyre. Fillova të villja, por asgjë nuk i ndalonte. Tavolina ku më kishin përplasur ma vriste kurrizin, ciflat e ashpra të drurit më nguleshin në mish në çdo lëvizje dhe nga goditjet e pareshtura mbi trup ndieja veç thika. S’po arrija t’i humbja ndjenjat, t’ua braktisja kufomën time që ta përdornin si të donin e pastaj t’ia hidhnin ta shqyente qenit që lehte pa pushim. Njëri nga ata i futi një shqelm në turi, që të heshttë. E dëgjova kur nisi të kuiste në vendin tim… »
Polina Dybyison pati forcën ta kapërcente këtë «vdekje klinike», të kapej me ngulm pas jetës, ta pushtonte atë me forcë dhe të ndjente përsëri ekzistencën e ndjenjave, dëshirës. Dhe ajo dashuroi, ndjeu, ëndërroi për dashurinë e madhe dhe delirin e ekstazës femërore, me dëshirën që kjo do t’ia mbyllte plagën, por efekti i «Hiroshimës» do të vazhdonte mbi të. Dhe presioni shoqëror e detyroi që të rrëmbejë një armë nën ethet e një trallisje të madhe. Dhe shoqëria, ligji, drejtësia e ftohtë dhe e pashpirt do ta dënonin jo thjesht me burgun por me përjashtimin përfundimtar nga një shoqëri që aspironte demokracinë dhe liritë e njeriut. Kjo shoqëri nuk ndjeu asnjë përgjegjësi ndaj vetes, ndaj saj, se ishte pikërisht ajo që shkaktoi tragjedinë e një jete apo shumë jetëve njerëzore.
Duke shkruar për këtë protagoniste, mëndja ë shkon tek ato gra shqiptare të mbyllura në burgje pse kanë vrarë burrat e tyre që i kanë dhunuar dhe masakruar shpirtërisht, ato gra që kanë përjetuar tmerrësisht poshtërimin mashkullor çka vetëm vrasja i ka bërë që t’i japin fund vuajtjes së tyre. Dhe burgjet shqiptare, gjatë kësaj kohe tranzicioni, kur gratë ek uptuan se duhej të luftonin përl iritë e tyre, janë plot. Analet e proçeseve gjyqësore janë njëm inierë faktesh e asaj çka po ndodh në shoqërinë shqiptare pasi kjo është koha më e dhunshme për një grua që kërkon të fitojël irinë e saj, koha kur vajzat shqiptare, i detyrojnë të prostituohen dhe i detyrojnë të shkojnë në tregjet e bordelleve të Europës, të destinuara të mbeten robina dhe që në çastin më të parë që kanë parë dritën e lirisë ato kanë ngritur dorën kundër barbarisë. A nuk na shkruan Polina përmes dorës së shkrimtarit që ka hyrë në «lëkurën» e saj se « Nuk kërkoj më të më duan. Dua t’i jap fund kinemasë së jetës. Le të kem si imazh të fundit të fotografuar në sytë e mi veç tavanin e bardhë të shtëpisë me qepenat e kaltër. Një optogramë e përsosur. Pastaj një fluturim drejt heshtjes dhe erës, përballë oqeanit të tërbuar. Dhe më në fund, hiçi. Mosekzistenca. Duke shpresuar diçka të fundit: të dëgjoja sërish këngën e zogjve…»
« Polina Dybyison, – shkruan në epilogun e vet rreth këtij romani shkrimtari Jean-Luc Seigle, i cili është nderuar me çmime të kritikës letrare franceze për këtë roman dhe të tjerat që ka shkruar, – vdiq më 22 shtator të vitit 1963, në Esauira. Ajo nuk tentoi t’i priste përsëri venat, nga frika se mos dështonte për të katërtën herë. Ajo piu ilaçe qetësuese, të cilat, si mjeke që ishte, ua dinte dozën e saktë për të mos dështuar edhe një herë në përpjekjen e saj për t’i dhënë fund jetës. Dëshirat e saj të fundit u plotësuan: ajo u hodh në një varr, drejt e në tokë, pa gur varri dhe pa emër, në varrezën myslimane të Esauiras, përballë oqeanit. Ishte Rekuiemi i Moxartit që përsëritej pa mbarim në gramafonin e saj, që i alarmoi fqinjat e saj marokene. Pranë iu gjendën rreth njëqind fletë të shkruara nga dora e saj nëpër fletore, me germa të ngjitura me njëra-tjetrën, pothuajse të palexueshme. Janë këto fletore që i imagjinova për të shkruar këtë libër… »
Ja, jeta që përfundon me një Requiem të Moxart, jeta e pamëshirshme, pasi ky requiem nuk i përket vetem Moxartit por një bote të tërë. Iu përket dhe atyre grave fatale që kanë vuajtur nga gjykimet bastarde dhe të prapambetura të një shoqërie ku gruaja ishte një «fermë pjellore» dhe një «shfrim epshesh», se ajo i përkiste kategorisë së dytë njerëzore, të nënshtruarve, të detyruara të pranonin urdhërat e shoqërisë mashkullore, e asaj figure të hekurt të trashëguar nga historia dhe luftrat barbare, i cili di të përdorë vetëm shpatën dhe armët dhe që nuk tutet nga gjaku. Romani « Ju shkruaj në errësirë » nuk është thjeshtë tregimi i një jete personale dhe as thjeshtë një histori krimi që dënon shoqërinë franceze deri ditën e revolucionit feminist, çka hapi rrugën e çlirimit përfundimtar të gruas. Ky roman është njëkohësisht dhe një referencë e fortë për shoqërinë shqiptare e sapo dalë nga portat kanunore, për një shoqëri ku femra ende dhunohet dhe shihet thjesht si objekt seksi, si një grua vetëm për të siguruar mbijetesën e farës, fisit. Hija e Dybyison vërtitet tashmë si një fantazëm jo vetëm në burgjet e grave shqiptare po dhe në gjithë spektrin tonë shoqëror ku burrat tentojnë të bëjnë ç’të duan me femrën, se ata kanë në dorë jetën e tyre, lumturinë e tyre…
I dashur Luan te falenderoj per kete shkrim ku vlereson kete roman mesimdhenes per shoqerite dhe individet e prapambetur, patriarkale. Vecse ne fund mendoj se e ke tepruar me kritiken ndaj shoqerise sone te sotme, e cila mendoj se nuk eshte si e pergjithesoni ju. Midis shqiptareve ka njerez qe tentojne te bejne me femren c’ te duan, qe mendojne se ata e kane ne dore jeten e femres, lumturine e saj, por keta jane nje pakice zyrtaaresh e pasanikesh te korruptuar. Populli yne ne pergjithesi e ka nderuar femren. Kjo eshte pasqyruar qe heret ne kenget popullore erotike, ne kenget e dasmes, ne vaje, etj ku i eshte kenduar femres me respekt dhe vleresim te larte. Ne jemi nje popull i ushqyer me Iliaden dhe Odisene, me ciklin e Kreshnikeve, ku femra eshte vleresuar si e barabarte me burrin…
Faleminderit Thanas, mund te kesh te drejte, do ta shoh me kete sy shkrimin. Teme e fuqishme dhe aktuale mendoj. Kisha nisur te perktheja nje trilogji te nje shkrimtareje franceze Marguerite Duras, tre romane te shkurtra, njeren e kam perkthyer, por nderkohe me futen plot detyrime te tjera dhe s’po merrem dot me perkthimin. Sot me njoftuan se kam marre çmimin e pare te nje konkursi te Qendres Kombetare te Librit ne Tirane per letersine per femije. Ne fakt u habit pasi nuk e kisha çuar une por ajo qe do ta botoje, ALBAS… eshte nje histori femijesh dhe me boten e yjeve, nje udhetim imagjinar, pasi sivjet ne janar, ne harten qiellore te Njerezimit eshte caktuar emri i nje planeti “Arber” qe sillet rreth nje ylli “Illyrian”… çka me ngaccmoi ta shkruaj kete roman…Pershendetje!