Në një shkrim të mëparshëm në librin “Parisi letrar” kisha shkruar kalimthi për vdekjen e Sartrit dhe atë natë kur Simone de Beauvoir dhe i dashuri i saj i dikurshëm, Claude Lanzmann, më 16 prill të vitit 1980 kishin kaluar me orë të tëra gjer në natën e vonë duke pirë whisky pranë kufomës së tij. Bisedoja për këtë me një miken time dhe të duket diçka e habitshme, ekstravagante, e papranueshme, gati perverse, e megjithatë në gjithë këtë mjegull tundimesh e dyshimesh ti thua: ja diçka njerëzore, ja dy njerëz që e deshën aq shumë mikun dhe të dashurin e tyre aq sa dhimbjen donin ta shuanin me alkool, ashtu siç i shuante dhimbjet një Baudelaire, një Rimbaud, një Verlaine…përse kështu? Çfarë kishte ndodhur? Çfarë kishin folur ata? Énigmë. Askush nuk e di: Sartre vdiq në Hôpital Broussais, në spitalin pranë shtëpisë sime, e pas tij Simone dhe këtë vit kineasti Claude Lanzmann, autori i filmit të famshëm “Shoah” mbi krimet e nazistëve kundër hebrenjve në kampet e përqëndrimit.Të jesh pranë të vdekurit dhe të pish whisky… Ndoshta duhej një dhimbje fatale për të mundur të flisnin për dashurinë, jetën dhe vdekjen, të flisnin sërrish për Hiçin, për atë çka u thoshte shpirti, jo arësyeja. Ndoshta kjo ishte përshendetja e tyre më e sinqertë, ndoshta proverbiale. Të dehesh që të flasësh me vdekjen, të dehesh që të lësh shpirtin të gulçojë, pasi dhe Sartri vitet e fundit jo pak kishte menduar për vdekjen e tij dhe të njeriut në tërësi, siç kishte shkruar dhe në librin e tij «Muri» mbi historinë e tre republikanëve spanjollë që në agun e të nesërmes prisnin ekzekutimin e tyre.Vallë ç’ishte vdekja për ta? Ç’ishte vdekja për Sartrin filozof?A nuk kishte shkruar ai në hyrjen e librit që kishte botuar për Gustave Faubert: «Ne shkojmë drejt vdekjes si drejt një mulliri»?… «Ideja e idesë së vdekjes është tronditëse për gjithë jetën tonë, – shkruante Sartre, – dhe kjo kur të tjerët jetojnë. Të jesh i vdekur, do të thotë të bëhesh prehë e të gjallëve. Kjo do të thotë se ai, i cili tenton të rrokë kuptimin e vdekjes së ardhme të tij, duhet ta kuptojë nëkohësisht se do të jetë një prehë e ardhme e të tjerëve…» Ja pra Sartri, i cfilitur nga kjo vdekje e afërme dhe atë se si do ta sulmonin kundërshtarët e tij… Megjithatë, ajo që e paqtonte shpirtin e tij ishin miqtë e tij, e në rradhë të parë e dashura e tij e përjetshme Simone de Beauvoir… Përpiqem të imagjinoj atë dhomë spitali, të vdekurin Sartre të mbuluar me një çarçaf të bardhë dhe kokën zbuluar, sytë mbyllur në atë gjumë të përjetshëm. Sartre kishte ikur nga kjo botë e megjithatë ai ekzistonte ende aty ringjallur për ta pirë whisky-n sëbashku si dikur në baret e Montparnasse, në La Coupole apo Café de Flore për të folur për thelbin njerëzor dhe dashurinë. Një i vdekur dhe e dashuria e tij e përjetëshme, i dashuri i saj dhe miku besnik i Sartre… Ata kthenin shishen e whisky-t, spërkateshin me të dhe belbëzonin mes historive gazmore dhe lotëve, fjalët e fundit të dashurisë. – Shko tani, është vonë!- i tha Simone mikut Lanzmann. Dhe ai shkoi si nëpër mjegull me dhimbjen në gjoks. Më pas infermierja kishte hyrë që Simone të largohej se askush nuk mund të qëndronte me të vdekurin, por ajo u shtri krah tij në atë shtrat të vogël që mbante të dashurin e saj: Duhet të fle sonte me të! – kishte pëshpëritur ajo…
