(Nga libri «Poezi dashurie në kohë të vonë») Ilustrimet: STEFAN TACI
Mësimi i artit të dashurisë
————————
Një ditë atin e Rumit e ndaluan në portat e Bagdadit:
– Nga vjen ti, ku shkon? – i thanë rojet.
– Unë vij nga Zoti dhe shkoj tek Zoti,
vij nga askund dhe shkoj asgjëkundi!”
Dhe hapat e tij kapërcyen portën e madhe
harqet e luftës dhe të dashurisë.
Ishte ashiku i verës dhe i poezisë,
ati i mësoi Rumit artin e dashurisë
sepse nuk mund ti besosh qiellit dhe fjalës së Shenjtë
nuk mund ti besosh yllit të mëngjesit
eklipsit dhe fshehtësisë
pa u dehur me frutin dhe lëngun e dashurisë,
trupat njerëzorë janë kërleshur që me krijimin e botës…
Dhe kështu, poeti shkoi e humbi
në kopshtin e frutave të të dashurës së tij
dehur nga lëngu e nektari
duke hyrë në portën e dëshirës dhe të ngjizmës,
fluturat krahëarta vallzonin në errësirën e natës,
ngjyer në argjend,
dhe Rumi nisi të vallzonte nën ehon e muzikës «ney»
rrotullohej i vetmuar nën kupolën qiellore
dhe fluturat i vinin rrotull
dehej dhe përgjërohej poeti
me krahët hapur dhe tunikun e bardhë gjer në ag,
ah ti flutura e argjendë…
Nga oazi në oaz
ashikët e stepës dhe pluhurit
pëshpërisin gjithnjë fjalët e Rumit
ne vijmë nga askund dhe shkojmë asgjëkundi,
pasi dashurinë e kemi në sy.
Rumi ka kohë që flë
dhe unë dua të fle tani krah tij
në të zezën mistike dhe magjike të kësaj nate
ku Vijon, Rembo e Apoliner flenë gjithashtu
nën dheun e ngrohtë e të murmë…

Shëëët… ajo po flë!
Treni shkon
ndërsa ajo ballë meje flë,
një këmbë pak e ngritur
si skenë e një modeli
pështetur lehtë pas sediljes së saj,
treni shkon, xhamat piklojnë,
retë rendin me vrap
duke braktisur tutje
një pemë të harruar, xhveshur, fillikat
dhe qullur në shi,
ndërsa ajo, symbyllur,
shket tutje bashkë me endrrën e saj.
Ku shkon kjo vajzë, ku?
Në çkrahë, në ç’brigje?…
Lë librin mënjanë dhe shikoj sërrish,
këmba gjithnjë ngritur
dhe buzët e pulpta, të kuq,
gishtërinj të gjatë me manykyr nderur në ajër,
veç gjoksi i saj dihat
me frymëmarrjen e botës
dhe gjithë grave të dashuruara,
puthur, në ekstazë, si në gjumin e vonë,
poshtë një shekulli gri,
ajo lëviz kruspull
gati për ta mbajtur në krahë
për t’ia çuar orakullit të Delfit,
pallto e zezë,
flokë të zeza,
buzë të kuqe kramoizi,
dhe meqë s’kam kalem,
meqë s’jam piktor
filloj ta skicoj me sytë e mi
vizatoj vetullat, qerpikët,
zbres poshtë mbi faqet rozë,
prehem pak në mjekrën ovale të saj
dhe vazhdoj të vizatoj hiret
si të isha Man Ray
në dritën e atelierit të tij,
të vizatoj linjat e një të panjohure
në moshën e saj të artë,
si një Fornarina e Rafaelos,
një e Silmonetta e Boticelli-it
apo si një Hendricke e Rembrandt,
me fytyrën e dashurisë së parë,
atje në sedilje
ku gjithë gratë e botës flinin atë çast,
në sytë e saj,
me këmbën pak të ngritur
një model arti pashë, një frut dashurie
që s’duhet kafshuar…
Shëëët, ajo po flë,
por papritur ajo u zgjua,
kthyer nga unë.
Buzët u hapen si petale trëndafili,
ajo më pa,
unë e pashë,
ajo qeshi miqësisht
por atëherë i ndrojtur mbylla sytë,
të flija në një tjetër botë,
te një tjetër grua…
Në tren, Paris-Dauville, 11 janar 2016

Shenjat e pikësimit…
S’ka nevojë të vini
u thashë shenjave të pikësimit
mos ejani këtë natë
nuk dua as pikë e as presje
është një letër dashurie
një letër shpirti fryme nate
që pret agun e nesërm
vargjet shkojnë si kalorës që s’ndalen
mbi këtë letër të shenjtë përkushtimi
fjalë liturgjike
që nuk ka as pikëpyetje e as pikëçuditëse
pasi është veçse një vërshim gjaku
që rrjedh brenda dy qeniesh njerëzore
ti unë ne
gishtërinj që zgjaten
këmbë që pleksen
sy që njomen nga dëshira
një dashuri pa shenja pikësimi
si në një rrugë pa tabela dhe gurë kilometrikë
pasi s’ka nevojë të ndalesh kthehesh të marrësh frymë
gjithçka është kantikë e filluar në mijra vjet
bota jonë shenja pikësimi…

Vetëm sonte mos fli!
—————–
Mos fli e dashur, vetëm sonte mos fli,
nesër shkoj dhe dua ta jetojmë çdo çast
si ditët e netët që përjetuam bashkë,
në rrugëtim, në ditë shiu dhe stuhie,
me dëshirën e madhe mbi sy,
me gjinjtë e tu të lagur,
vështromë, puthmë dhe dehu me mua,
pastaj klith që gjumin ta largosh nga qerpikët e tu
dhe natën ta zgjatësh,
yjet në qiell t’i mbash sa më gjatë,
zgjati duart dhe foli me zërin tënd të ëmbël,
që dritë shpirti tu japësh ende
që asnjë nga ato të mos shuhet,
po munde tregohu një përrallë,
atë të bijës së hënës,
apo vajzës që iu premtua diellit,
Arusha e Madhe dhe Kashta e Kumtrit do të dëgjojnë
se dhe vetë ato janë pjella të dashurisë hyjnore,
pra ndali të gjitha orët, dhe ato të galaksisë,
puthmë dhe dehmë me buzët e tua,
që dehja tënde të më zërë e të kërcej një «sirtaqi»
të më dehë si një verë e rëndë, musht Dionisi,
që nesër të mos e kuptoj se po iki nga pragu yt
dhe hapin mos ta ndjej plumb të rëndë
në marshin e largimit tim, në jerm,
dehmë me frymën dhe lëngun e gojës tënde,
sepse ajo gojë më ka bërë të lumtur
t’i harroj të gjitha plagët e kësaj jete,
ajo gojë më ka treguar mitin më të vjetër të botës,
atë të dashurisë,
puthmi sytë përsëri, vetëm sonte mos fli,
dhe natën mbaje mbi gjinjtë e tu të bukur,
larë në dritë hëne,
gjinj që dihasin me këngët tona të hershme që s’i kemi harruar,
asgjë s’mund të harrohet nga streha e diellit tonë,
puthmë përsëri, gjakose buzën time
sepse nesër do shkoj që në ag,
e di që bota do më rrëmbejë dhe do më hedhë në rrugën e madhe,
stuhitë do më çojnë tepër larg
dhe nuk di se ç’hyjni do të më sjellë sërrish tek ti,
ndoshta vetë të çmendurat Eumenide,
pra puthmë e dashur sërrish,
puthma gjoksin që mban zinë e ndarjes,
sytë e njomësht puthmi dhe prehu aty,
vetëm sonte mos fli!…
Si dikur Jean Cocteau
—————–
Për të shkruar një poezi dashurie
Jean Cocteau imagjinoi prerjen e gishtit
dhe ndodhi që në rrjedhën e gjakut,
një rrëkezë të shndërrohej në përrua
një lumë të derdhej në detin e një shpirti
që përplasej në thepisje brigjesh
plot shkumë…
Dhe unë,
në ditët e para të rinisë
për të shkruar një poezi dashurie
nuk di pse një zë më foli:
«Preje dorën dhe shkruaj tani me gjakun tënd!»
Dhe unë i shkrova të dashurës time: “Për ty gjaku im!”
Pastaj ndoqa rrjedhën e gjakut
si dikur në ëndrrën e poetit Cocteau
aromë gjaku, hiri e zjarri,
udhëtoja kështu në atë lumë
për të shkuar në pragun e saj
për tu dehur dhe zbritur poshtë
në gjenezën e botës…