«Engjëlli im, jam aty në kambanën tënde të dashurisë…»
Cocteau
Një përkushtim homoseksual
Parathënie e botimit Lettres à Jean Marais, i Jean Cocteau -së
Më 11 tetor të vitit 1963, Jean Cocteau-ja nuk e kapërceu përfundimisht pasqyrën. Shpirti i tij, zemra dhe fryma e tij, gjenia dhe vepra e tij do të jetojnë akoma më me forcë se sa një trup që ishte veç një lloj mjeti gjenerues i kësaj amalgame dhuntish, virtutesh e ndjesish të jashtëzakonëshme.
Sot ai shfaqet si një gjenerues i veçantë dhe i padukshëm. Padyshim ai do të qeshë që po flet përmes meje, përmes jush dhe mediave. Çdo ditë e dëgjoj në radio, e shoh në televizion. Ai e di mirë këtë se deri ku mund të shkojmë dhe besoj se duhet të qeshë kur një shkrimtar nuk e kupton se ai ka hyrë në shkrimet e tij.
Si mund të flitet për vdekjen, kur një shpirt jeton, një shpirt i ri, i fortë, i fuqishëm e i pasur me dhëmshuri, me dashuri dhe vërtetësi.
Jean Cocteau-ja ka shkruar: «Jam një gënjeshtër që thotë gjithnjë të vërtetën.» Por çfarë nuk tha ai?
Mosbesimi, keqdashja, surrealistët në veçanti, shkruajtën menjëherë, sapo ai tha se ishte një «gënjeshtër». Moskuptim i hatashëm që ekziston ende.
Dhe kjo sepse kritizerët e tij shpikën, duke thënë se ai ishte një gënjeshtër… që thotë gjithnjë të vërtetën.
Miqësia jonë zgjati 25 vjet. Kurrë nuk e pashë atë të gënjente. Por kur tregonte ndonjë anekdotë që ne e kishim përjetuar sëbashku, ai e tregonte atë në një mënyrë aq zbavitëse, të lezetçme dhe të papritur, saqë dëgjuesit klithnin me të qeshura, duke imagjinuar se ai po e sajonte atë. Isha i detyruar të ndërhyja dhe të pohoja se gjithçka ishte e vërtetë. Ishte padyshim talenti i tij tregimtar, pra i poetit që i jepte ngjyra më të vërteta, sesa ishte vetë e vërteta, (shkruaj për këto fakte të kaluara pasi ato kanë ndodhur shumë vite më parë, por shpesh për Jean Cocteau-në flas në të tashmen).

Para disa vitesh krijova një spektakël mbi jetën e poetit. Doja që në të të thuheshin vetëm fjalë që ishin thënë nga Cocteau-ja dhe që gjithë teksti të merrej nga vepra e tij. Producentët dhe miqtë e mij donin që titulli të ishte Cocteau-Marais. Kjo më dukej një lloj sakrilegji që të bashkoja emrin tim me atë të Jean Cocteau-së.
Endërroja të gjeja motivin.
Vizita, një poezi në prozë, ku ai i lajmëronte vdekjen e tij një miku, ishte frut i një pune të madhe. Dhe shpesh imagjinoja në krijimin e këtyre dy figurave: Jean Cocteau dhe Jean Marais.
Pas një përzgjedhje të parë të teksteve, unë u ndihmova në këtë ndërmarrje nga njerëz të mrekullueshëm si Jean Luc Tardieu. Pra rilexova gjithë veprën e Jean Cocteau-së. Edhe më parë unë e lexoja veprën e tij, në kohën kur ai i krijonte ato. Tashmë ishte hera e parë që e lexoja tërë veprën e tij njëherësh. U mrekullova, duke zbuluar veç poetit njëkohësisht dhe një filozof. Le të themi një poet-filozof.
Nga veprat e tij buron një moral i veçantë, veç dhe mbi të gjitha moralet. Lexova gjithashtu letrat e poezitë që më kishte dërguar. Përsëri u trondita.
Më kujtohet që një aktor i ri më tregoi se një mik i tij, aktor dhe shkrimtar, i kishte dërguar letra. Ky njeri tregohej krenar dhe më shfaqte admirimin e tij. Duke mos dashur që ta lëndoja, unë nuk i thashë se çfarë mendoja në të vërtetë. Letrat e mikut të tij ishin pjesëza letrare. Personi që ia kishte shkruar, kur i shkruante ato, mendonte për veten, duke kërkuar ta mahniste atë. Pra rëndësi merrte pena e shkrimtarit, duke kërkuar stilin e tij. Në letrat e tij, Jean Cocteau nuk kërkon për asnjë çast të shkruajë një frazë të bukur.
Në letrat e tij nuk ka letërsi. Ai shkruan thelbësoren, duke e lënë veten të drejtohet nga zemra. Po, zemra. Ja dhe një tjetër keqkuptim rreth tij. Për shumë vite u fol rreth inteligjencës se tij, dinakërisë, iluzionizmit, magjisë, makinacioneve të tij, madje dhe makiavelizmit të tij. Kjo ishte e gabuar. Po, e gabuar. Gjithçka, në mënyrë absolute, drejtohej nga zemra e tij. Ai urrente veçse urrejtjen, përbuzte zënkat, harronte të keqen që i shkaktonin të tjerët.
Nëse sot botoj këto letra që më ka dërguar, e bëj këtë për të provuar atë që shkrojta pak më sipër.
Në disa biografi janë shkruar shumë gjëra të gabuara nga njerëz që e hiqnin veten si miq të tij, duke i huazuar poetit reaksionet e tyre, duke i huazuar Jean Cocteau-së qëndrime dhe motive që sigurisht kishin qënë të tyret dhe që Jean Cocteau-ja do t’i qortonte, madje do t’i përbuzte ata.
Padyshim që unë e kam pyetur veten: A duhet t’i botoj këto letra?
U përgjigja se duhej thënë gjithçka, madje dhe ajo që dukej e pamundur për tu thënë.
Jean Cocteau-ja ka shkruar: «Të vendosësh natën në mes të ditës dhe misterin në mes të dritës.» Mospasja turp është humanizmi ynë dhe vepra e një njeriu duhet të jetë aq e fortë që të mund të ngremë siparin mbi kulisat.» Kurajo nuk është vetëm një çështje fizike. Kurajo morale, sipas meje është më e vështirë, më e rëndësishme dhe më e nevojshme. Ajo që ka ekzistuar, ka ekzistuar. Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur.
Dëshiroj që këto letra të botohen dhe të njihen sa jam gjallë. Pas vdekjes time ato mund të komentoheshin dhe të mos ishin të sakta.
Këto letra janë gjithashtu histori e një epoke, nga viti 1938 deri më 1963, gjatë një çerek shekulli, pra në një të tretën e jetës së Jean Cocteau-së. Është historia e një miqësie që asgjë nuk mundi ta prishë, madje dhe pasqyra.
Nëse unë nuk po i botoj letrat e mia dërguar Jean Cocteau-së, kjo për arësye se nuk i kam gjetur të gjitha. Por mos t’ju mbetet merak, sepse ato ishin tepër të thjeshta, naive dhe pa ndonjë interes. Ju siguroj që ato të Jean Cocteau-së mjaftojnë të tregojnë historinë tonë dhe të bëjnë të besueshme që korrespondenti i tyre ishte i denjë për ato.
E vetmja e metë që munda të zbuloj te Jean Cocteau-ja ishte se ai me shikonte të pajisur me shumë cilësi që unë nuk i kisha.
Jean Marais
Jeannot[2]
Nuk të doja siç duhej, ishte një dashuri e zvarrët
Një diell flokësh që ngroh zemrën
E doja ndershmërinë, krenarinë dhe rininë tënde
Dhe kur ndonjëherë bëje shaka.
Pastaj besova se ky thesar duhej të ishte për të gjithë
Se unë luaja kopracin dhe nuk duhej të ndodhte kështu;
Që të shpërndaje forcën tënde të kuqe, bjonde,
Duhej që hapat e tua t’i linin gjurmët e hapave të mia.
Gabohesha. Dhe atëherë akoma më shumë gënjeja
Dashuria më mbulonte me një shtresë gjethesh flake
Takimi me ty ishte drama dhe dashuria ime.
Më parë shumë pak kisha dashuruar!
Të jap shpirtin, zemrën dhe gjithçka timen që kam.
Fantomat e borës së ngjeshur mbi çatinë time.
Fati im do t’i bindet veç shenjës tënde
Vdekja ime nuk jeton veçse me ty.

19, Sheshi i Madeleine 1939
Shumë i dashuri Jeannot-i im,[3]
Të flas aq mbrapsht saqë tani dua të shpjegohem për broçkullat e mia. Për asgjë në botë nuk do doja t’u përngjisja të „tjerëve“ e të mendoj se jam „xheloz“ për ty.
Zhanushi im, nuk e dija se mund të adhuroja një qënie si ty. Imagjino çfarë ëndrre: të adhurosh pa asnjë lloj hije dhe rezerve, pa asnjë lloj stonimi. Por kjo mjerisht është e pamundur. Meqë djem apo vajza të tjera më duan me ngulm, unë besoja se do të mund të çlirohesha nga ty dhe secili nga ne do të shkonte në udhë të vet.
Por në shpirtin dhe trupin tim nuk ka rrugëza të ngushta. Idea se mund të prek një tjetër veç teje dhe t’i flas atij me dashuri, më errëson sytë. Jo, nuk mund ta bëj. Mos beso se të qortoj për këtë. Ti je i lirë dhe meqë shansi i keq na pengon të jetojmë këtë ëndërr, do të isha i çmëndur të të pengoja në rininë tënde dhe në vrullin tënd. Revoltat dhe vuajtjet e mia nuk vijnë veçse nga një refleks shtazarak. Idea se ti mund të jesh në krahët e një tjetri, apo të kesh në krahun tënd një tjetër, më torturon. Më duhet veçse të mësohem dhe të di që mirësia tënde e pakufishme ka veç mirënjohje.
Dua veçanërisht që të mos bezdisesh dhe të mos detyrohesh për asgjë; gënjeshtrat dhe fshehtësitë do të më vrisnin më shumë. Të lutem kuptoje dhimbjen time dhe duroje. Një gjest, një fjalë, një vështrimi yt më mjafton. Nuk jam «xheloz» për atë që do ti e që sigurisht e kam zili. Dhimbja ime është se ndoshta nuk jam i denjë për këtë gëzim kaq të madh… Shkurt, meqë më kanë ndaluar të drejtën e dashurisë e pothuaj edhe nga ajri që marr frymë, do të doja të bëhesha një lloj shenjti. Sepse ajo çka më mbetet do të ishte vesi dhe këtë s’do t’a doja kurrë. Engjëlli im i bukur, po ta përsëris që të adhuroj. Dua veç lumturinë tënde.
Jean-i yt

19, Sheshi i Madeleine 1939
Jeannot-i im,
Të dua. Të gjitha veprimet e tua tregojnë fisnikëri shpirti e zemre. Të falenderoj për të gjithë lumurinë që më jep dhe për atë çka ti privohesh.
Ti je ëngjëlli im. Pa ty do ta humbisja fillin mes gjithë këtyre punëve për teatrin dhe filmin. Do të jepja gjithçka që ti të jesh i dashuruar pas meje, por meqë qielli nuk deshi, më ruaj në një vënd të fshehtë të zemrës tënde. Duamë!
Jean
1939
Jeannot,
Në këtë botë nuk kam njeri tjetër veç teje. Madje dhe unë ekzistoj përmes teje. Ky kthim ishte tepër i trishtë. Fshehurazi do të doja që në hije dhe në baltë të zija vëndin tënd dhe të dija që dielli yt ndriçon në vëndin tim të kotë. Ti mund ta imagjinoje se çfarë ndjeja për ty dhe pse këmbëngulja të bëja aty konen tënde. Ty të duhet kjo ngrohtësi e nevojshme, kjo përkëdhelje e lehtë dhe ato ankime të këndshme. Si mund të punoja dhe të mendoja për dramat për sa kohë jam i lidhur me ty, me një fill që më mundon dhe më bën me ankth. Puna ime e vetme do të jetë ajo që të fola dhe që ka të bëjë me ne të dy. Sot në mëngjes kujtoja kohën time të kolezhit si dhe luftën e vitit 1914, kohë të cilat dyzoheshin me njëra tjetrën, me një erë benzine dhe kënete njerëzore. Sa shumë e admiroj kurajon dhe ndershmërinë tënde, luftën tënde kundër elementëve të padukshëm. Je ti ai ai që ke të drejtë dhe që duhet të më shërbesh si shëmbull. Ti duhet të më detyrosh që të fitoj mbi atë gjëndje të vagët dhe përgjumje që kam.
Jeannot-i im, mos u lodh të më shkruash në këtë fshat të humbur. Thuam dhe përsërite atë që më thotë zemra tënde, që të dëgjoj dhe frazën më të vogël që ajo më pëshpërit. Bëj diçka që t’i japësh formë kaosit dhe të gjesh diçka që të rigjejmë njëri tjetrin. Nuk na ndaluan në rrugë. Dhe kjo është shumë. Të ngroh, duke të mbajtur në zemrën time.
Jean
Hotel Ritz, ora 8 e mbrëmjes.
Jeannot, ëngjëlli im.
Vizita tënde më ngriti në qiell dhe pothuaj i shoh të qarta të fshehtat e vitit 1939. Ti je një forcë më e fortë se vetë forca. Ti je një diell shpirti e zemre. Në thjeshtësinë e qënies tënde dhe pa vuajtje, ti mund ta ndryshosh rrjedhën e gjërave. Ne i kemi dhënë provat, a nuk është kjo e vërtetë? Unë flë pranë teje, ngjitur me ty, i sigurt se kam të drejtë (siç e shpreh këtë edhe në pjesën time dramatike). Mendoj dhe besoj se pleksem në ngjizmën tënde të shtrenjtë. Ti je unë. Të adhuroj.
Jean
Nëntor,1939.
Jeannot-i im,
Çfarë Krishtlindjesh të mrekullueshme kalova në sajën tënde. Kisha turp për pemën që vura pranë radios, pasi për mua veçse ti je pema e Krishtlindjes, pema ku janë varur aq gjëra të shenjta. Të jesh pranë teje, ngjitur me ty, të vdesësh në përgjumjen tënde, kjo do të ishte gjëja më e ëmbël e botës. Ti e di Jeannot se unë punoj për ty, se nga gjithë bota veç ty të pres. Pra mos u shqetëso për të ardhmen tënde. Projekti i dramës Britanicus më pëlqen jashtëzakonisht. Eshtë lufta që duhet t’ia nxjerrësh në krye. Kjo do të ndihmojë që ta durosh pritjen tonë.
Engjëlli im, po shtrihem të flë. Fola me Bebé-në për dekoret tona. Jam i lodhur tmerrsisht. Nesër do t’i telefonoj Lherbier-it.
Jam i yti
Dhjetor, 1939
Engjëlli im i mirë,
Imagjino, sot desh harrova të të shkruaj, aq shumë mendoja për ty, jetoja me ty, flisja aq ëmbël me ty, sa harrova se posta ekziston…Sot kalova drekën me Colette-n dhe folëm për ty. Bije borë dhe Palais Royal duket si një mrekulli më vete. Marcel do të shkojë të qëndrojë tek e ëma për dhjetë ditë, pasi ajo është në Nice dhe ai e ka të vështirë ta sjellë.
Engjëlli im i mirë, ç’gëzim që vitet me ty shkojnë njëri pas tjetrit. Të përgjërohem nga thellësia e shpirtit.
Jean
E premte në mbrëmje.
Engjëlli im,
Telegrami yt ishte një gëzim tepër i madh. E prisja. Isha lutur kaq shumë për të dhe besoj edhe në fatin tënd dhe tonin. Ajo që është më e admirueshme në gjërat e shpirtit është se asgjë s’mund të më cënojë: dhimbja e kokës, i ftohtit, njëmijë hallet… asgjë! Gjithë bota përmblidhej në atë telegram. Kështu që unë punova për Mbretërit në emisionin e Radios, kalova darkën me Charles Trenet-në dhe shkova ta dëgjoja në cirk, ku këndonte. Bisedova që të mund të interpretosh disa role për Radion shtetërore, që të fitosh ca para. Besoj se kjo do të gëzojë. Zoti të na ruajë e të na ndihmojë. Të adhuroj.
Jean
1940
Jeannot-i im,
Le të lusim qiellin dhe yllin tonë e t’i rrëfehemi Zotit. Nuk jetoj veçse duke menduar për ata avionë që fluturojnë mbi ty dhe për atë çka përgatitet të ndodhë. Nuk kisha asnjë shans tjetër veç të kërkoja te T. por lejet nuk jepen më. I kërkova dje Dubois-së, por është e pamundur… Ende nuk më ke dërguar një rresht që nga shtërngata që kaloi. Dua të mësoj se ç’ndodh me ty dhe kam frikë se posta nuk funksionon mirë.
Në mbrëmje, m’u desh të interpretoja përballë një salle me njerëz të sjellshëm, por imagjino se në ç’gjëndje isha. Besoj, o ëngjëlli im, se një dramë e vërtetë po fillon dhe ne ndoshta mund të ndahemi nga heshtja. Dije që të shkruaj çdo mbrëmje dhe letrën e lë poshtë në holl që ta nisin që në mëngjes. Bébé[4] është shumë i zymtë dhe më ka futur ankthin ngaqë dëgjon veç lajme të këqia. Ndërsa unë nuk ekzistoj veçse për ty. Më ndodh të qëndroj vetëm dhe të harroj se me kë duhet të flas, me kë duhet të kaloj drekën apo darkën. Pa ty jam fillikat në këtë botë. Thuaj qiellit që këta njerëz të urryer të mos e prishin apartamentin tonë të vogël dhe as kujtimet tona të Madeleine. E ardhmja jonë nuk duhet të kërcënohet, pasi është shkruar në legjendë dhe legjenda gjithnjë është më e fortë se çdo gjë tjetër.
Engjëlli im, jam aty në këmbanën tënde të dashurisë.
Jean
Jeannot-i im,[5]
A i imagjinon orët që kalojmë këtu?… është e tmerrshme, por mbahem nga letrat e tua, nga kurajo tënde, nga shpresa jonë në të ardhmen. Duhet fituar dhe besuar. Eshtë e tmerrshme që në këtë pranverë të mbjellësh dramën. Mos ki frikë nga bombat. Ylli ynë, ylli yt, më ruan. Ndërsa unë, si një hije e mjerë bredh midis hotelit dhe shtëpizës sonë. Kam filluar të mendoj për të nesërmen tonë, pasi kam gjetur një sekretar që do më ndihmojë për punët e mërzitshme. Them se është qielli i këmbanës tënde dhe vështroj nga ai që të mund të përcjellë vështrimin tim. Zhanushi im! Sot na e mbyllën teatrin. Ishte e pamundur të luanim në një situatë të tillë. Të gjithë qanin. Të betohem që do të jem i fortë. Nuk jetoj veçse për ty dhe për hirin tënd.
Jean
Jeannot-i im,
Po të shkruaj në një kohë stuhie, rrebeshi e bubullimash topi, sa nuk arrij ta kuptoj. Nëse kjo letër të vjen, dëgjomë mua: një ushtar i kujdesshëm rrezikon pak, ndërsa një tjetër i pakujdesshëm rrezikon gjithçka. E kam njohur kurajon dhe moskokëçarjen tënde si dhe besimin që ke në yllin tënd. Por për mua, për ne, betohu që do të jesh i kujdesshëm dhe që asnjëherë nuk do tregosh pakujdesi të panevojshme. Mendo që unë jetoj vetëm për ty dhe se jashtë teje, asgjë tjetër nuk ekziston, mendo se do të doja rreth meje veç boshllëk, që të mund të mendoja vetëm për ty dhe të mos lija për asnjë çast. (Nëna tënde erdhi të më takonte këtë mëngjes dhe të them se vërtet doja që ajo të ikte sa më shpejt, pasi ne të duam në mënyra të ndryshme).
Engjëlli im, zemra më është dërmuar nga gjithçka që dëgjoj përreth. Të përbetohem se nuk do t’ia shtoj këtë ankth shpirtit tënd të pamikluar dhe mos-kokëçarjes tënde. Nëse rreziku të afrohet, të përgjërohem që ta shmangësh aq sa mundesh. Të lutem, në emër të dashurisë sonë të mrekullueshme, ëngjëlli im, të lutem!
Jean
Qershor 1940, te Dr. Nicoleau, Rruga e Postës, Perpignan.
Fëmija im i shtrenjtë,
Jam pa asnjë lajm nga ty. Përpiqem të jetoj me imazhin tënd dhe sigurinë se është ylli im që e mbron yllin tënd.
Nëse për një fat të keq të pabesueshëm kjo letër nuk mbërrin te ty, dëgjomë: në më të voglin ngacmim, në më të voglin telash, largohu drejt Perpignan-it, ku doktori do të marrë me ekipin e tij. Unë nuk do të lëviz që këndej në mënyrë që të kemi një piklidhje. Ti e ke adresën tonë dhe për mua s’ka asnjë rrezik.
Të bekoj i dashur.
Jean
Jeannot-i im,
Ja minuta më e tmerrshme se gjithë të tjerat. Më duhet të iki e të mos di se ku gjëndesh ti. Të imagjinoj tani me këmbët e zbathura në rrugën me bar. Por në R. duke pritur autobuzin, mendova se do të ishte akoma më keq dhe ja ku të ripashë. Kurajon dhe shpresën time do t’i ruaj. Borisi sapo është nisur në Fouques. Jam vetëm me ty në këtë dhomë hoteli, ku do të lë gjithçka, sikur të kthehesha të nesërmen. Engjëlli im, nuk mendoj veç për ty. Të lutem, mendo për ankthin tim dhe rri i qetë, madje edhe kokën ule, nëse sillen ashpër me ty. E rëndësishme është që të jemi nën yllin tonë, të lutemi dhe të presim. Zoti na ndihmoftë.
Këtë mbrëmje ne nisemi drejt Amboise për në Perpignan. Refuzova të ikja. Isha kapur pas idesë se duhej të qëndroja sa më pranë teje, por këtu më betohen se është i vetmi shans që të mund të mbetemi për njëri tjetrin. Po vuaj, ëngjëlli im. Të bekoj. Uroj që këto rreshta do të arrijnë.
Perpignan. Jean
27 tetor1944
Biri im Jeannot,
… Në një seancë private pashë filmin e Malraux-së që kishte xhiruar gjatë revolucionit të Spanjës. Ishte i mrekullueshëm. Sot, për shkak të një darke te Willemetz-i nuk arrita ta shoh filmin e René Clair-it në Palais de Chaillot. Atje, banda të zhurmëshme njerëzish revoltoheshin kundër sallës «Picasso» dhe donin të hidhnin bojra mbi tablotë. Antarsimi i Picasso-s në Partinë Komuniste ishte shkaku i gjithë kësaj rrëmuje. Publiku i gazetës L’Humanité nuk arrin ta deshifrojë sintaksën e tyre dhe në ato tablo ata shohin veçse karikatura të tmerrshme. Edhe mua më vështrojnë vëngër. Eshtë një sjellje që s’më pëlqen. E përbuz këtë lloj mënyre nën ngjyrat e Rezistencës. Eluard-i dhe Aragon-i, «mbretër» të kësaj kohe të Rezistencës janë miqtë e mij. Të kërkoj një gjë: mos hyp nëpër tanke.
Letra tënde e fundit ishte e mrekullueshme. E rilexoj pa pushim. Ajo më jep kurajo. Dhe kurajo na duhet. Nëna tënde kujton se ti nuk i merr letrat e saj….
Jean-i yt.
25 shkurt 1946
Jeannot-i im
Që nesër do të nis poezinë time me strofa dyshe, pasi ti je i vetmi në botë, që mund të më kuptosh. Po ta dërgoj me strofa dyshe, pasi ti mund ta kuptosh më mirë mekanizmin për të më thënë se çfarë mendon. Të gjithëve u dukem plot shëndet, ndërkohë që unë vuaj shumë, ose për të qënë më i saktë, po mundohem shumë nga plaga që kam nën krahë, aq sa e humb kurajon fare. Atëherë mendoj për ty dhe duroj gjithçka.
Të përqafoj me të gjitha forcat,
Jean
Ne[6]
Kjo luftë është e pamëshirshme
Ashtu si të gjitha luftrat e vjetra.
Jeannot, ngulite këtë që do të them
Ne të dy nuk jemi në luftë.
13 gusht 1949
Jeannot-i im, ëngjëlli im i mirë,
Festivali është thjesht një festival, d.m.th. diçka e organizuar shumë keq dhe me shumë pompë. Më tepër po e kaloj kohën në Venecie që është një qytet i hatashëm. Mouchkine-t janë shumë të sjellshëm me të gjithë. Italianët këtu më thërresin «Nostro Cocteau». Kështu më priti edhe presidenti i festivalit kur zbrita nga avioni. Kam parë shumë pak filma. Të shtunën Magnani pati një triumf me dramën Zëri Njerëzor. Filmi i dytë, Le Miracle, u pëlqye pak. Idea është e admirueshmme, por ka shumë lojë aktori dhe më duket se Roberto nuk ka ditur ta shfrytëzojë atë histori deri në fund. Sot pasdite, Orson Wells-i do të më çojë të shohim Macbeth-in, i cili do të shfaqet pas nisjes sonë. Sot është rradha jonë dhe nesër në mëngjes, në Venecie, do të prezantoj Prindërit e tmerrshëm. Janë dy ditë të lodhshme.
Mendoj të marr avionin të premten në mëngjes dhe besoj të mbërrij në mesditë në aeroportin e Bourget.
Endërroj të jem pranë teje, sepse anija tënde vlen më shumë se të gjitha gondolat e Venecies… Më mungon çdo sekondë.
Jean
2 shtator 1950
Santo Sospir
Jeannot-i im,
Po punoj e ripunoj për librin tonë. Them i «yni», pasi në të flas për veten, po aq sa dhe për ty dhe për mënyrën tonë të përbashkët në konceptimin e gjërave.
Libri po mbaron dhe për më tepër me një paragraf mjaft të çuditshëm, një dialog midis Argémone dhe Persicaire, dy personazhe të Potomak. E kam shkruar në mënyrë që të mos lëndoj asnjeri dhe kam bërë komentet rreth shënimeve të tua, të cilave u kam ndryshuar veçse kohën e foljeve dhe paksa frazën (duke u munduar të ruaj stilin tënd). E gjithë kjo, do të jetë në një libër serioz dhe kureshtar, çka mund të ishte dhe një libër shkolle për aktorët e rinj që dinë të lexojnë…
Të përqafoj, Jean.
16 gusht 1951
Në avionin e Air France
Jeannot-i im,
Ah, gjithë këta miq të vdekur… Më kanë dërmuar së tepërmi. E di që është normale të vdesësh. Por do të ishte mirë të vdisnim të gjithë bashkë dhe të mos i shohim ata që duam që të bien ngado dhe të zhduken në këtë det…
Dua të ulem të punoj dramën time që të mund ta heq mëndjen nga ky kushmar. Do të doja ta lexoja sapo të kthehem, që të më japësh një mendim. Nëse ti nuk mund ta interpretosh, nuk shoh aktor tjetër që mund ta interpretoj atë, veç Gérard Philippe-it, dhe kjo po ta zgjedhësh ti vetë. Por kushedi, fati do t’i rregullojë gjërat që të bëhet e pamundura. Midis nesh gjërat janë bërë për të njëjtin shpirt…
Jam i trishtë dhe të dua.
Jean
1 maj 1952
Santo Sospir
Engjëlli im i bukur,
Ta dëgjova zërin dhe letrën tënde e mora. Gjithë këtë natë nuk arrija të flija, meqë mendoja për ty dhe ata budallenj që të pengojnë në rrugën tënde.
Parisi është një telash më vete – e rëndësishme është të ikësh – dhe veç të tjerash ti ke nevojë për para. Të këshilloj të ndjekësh shëmbullin e Sarah Bernard-it dhe të tjerëve si ajo. Ata iknin nëpër turne të fitonin lavdi dhe para. Ti duhet të organizosh p.sh. një turne botëror me tre vepra: Machine à écrire, Britannicus dhe Parents terribles, ose vetëm me dy, Machine à écrire dhe Britannicus. Kështu ti do t’i hidhje pas kurrizit telashet e Parisit dhe do të shkoje nga triumfi në triumf. Ja pse dhe duhet të lidhemi sa më shpejt. Pse të mos organizojmë diçka së bashku? Do të flas ngado nëpër botë. Ashtu siç dhe fola në Stamboll, pasditen e spektakleve të tua.
Të lutem mendo për këtë projekt që është i vetmi projekt i qënësishëm. Nëse George dëshiron të të ndjekë pas, i përgatisim një numër dansi që ta gërshetojmë me spektaklet tona. Udhëtimi në Gjermani më provoi sesa e dobishme është metoda e deçentralizimit. Moralisht dhe financiarisht një film të sjell më pak sesa ky turne, filmat e të cilave e kanë përgatitur tashmë suksesin.
Engjëlli im i mirë, përgjigju shpejt dhe mos kujto se gabohem. Të dua shumë dhe s’mund të gabohem për atë që të duhet.
Jean-i yt
Tetor, e enjte, 1954
Jeannot-i im,
Ndoshta tu duk e çuditëshme telefonata ime. Kisha vrapuar pak nga frika se mos nuk e kapja thirrjen tënde dhe shpejt m’u muar fryma. Kisha frikë se mos më bërtisje që kisha rendur. Në mbrëmje mbyll sytë dhe kërkoj të të gjej dhe të bashkohem me punën tënde. E prisja këtë telefonatë dhe pyesja veten nëse telefonata tënde e parë ishte një ëndërr apo kjo ëndërr merrte formën e një diçkaje reale.
Edhe pse ti e pëlqen shumë shtëpinë në Marnes, do të jesh i trishtë që po e lë barkën ku ti jetoje. Kështu ndodh kur të heqin birin nga shpirti dhe nuk guxoj ta mendoj bosh dhomën tënde në Milly. Harrova gjithashtu të të pyesja se si luante aktorja jonë dhe kush është Antigona, të cilën nuk e kishin shënuar në program. Unë e shkrova Antigonën në letrën që mbështjellim lulet. Asaj aktoreje kërkoi ndjesë nga ana ime.
Këtë javë do të takoj zonjën Guynet të muzeut Masséna, e cila ruan tablotë e mia që t’i dërgojë ato. Negri i vogël blu[7], do të jetë një pjesë e imja që do të futet në shtëpinë tënde në Marnes.
Të puth ëngjëlli im, ashtu si dhe George-in.
Jean-i yt.
14 gusht 1957
Santo Sospir
Saint-Jean-Cap-Ferrat
Jeannot-i im,
Ja ku gjëndem përsëri mbi shkallë dhe në kulmin e shqetësimit, duke pyetur veten nëse puna që bëj ia vlen ta vazhdoj apo jo. Imagjino që tashmë shpesh harroj dhe torturohem gjithë ditën që të gjej emrin e operatorit të filmit Kthim i përjetshëm, (të cilin ende nuk e kam gjetur). Dhe kjo gjë që më krijon dhimbje, shtohet me trishtimin dhe zhgënjimin që më krijon qëndrimi i peshkatarëve të Villefranche, të cilët pasurohen tani nga shapela, (25 mijë vizitorë), që unë u ofrova dhe që tani më shikojnë si armikun më të egër pa mundur të kuptoj se përse, aq sa ma mbyllin portën me zinxhirë në mënyrë që në mungesë të tyre unë të mos çoja atje ca miq të mij.
Shkurt, gjithnjë e më shumë konstatoj që veç teje, Francine dhe Doudou, si dhe disa miqve të rrallë, njerëzimi më pështiros dhe më shkakton veç vetmi. Aq më shumë që nevojat tona po na largojnë pareshtur nga njëri tjetri dhe do të më duhet të vdes, duke humbur kohën e çmuar që të jem pranë teje. Pas punës së bashkisë mbahem ende në këmbë; do të bëj një ndalesë dhe do mundohem ta çoj shpirtin tim drejt krijimit të një drame apo filmi, çka do na bashkojë sërrish në një bashkëpunim tonin, pasi duket se teatri nuk ka arritur t’i japë siç duhet, dhe shpesh me nxitim, tekstet e mia të forta (si nuk pata urtësinë që ta ruaja pjesën time Bacchus në një sirtar dhe të të jepja rolin e kardinalit, nëse do hezitoje për një rol tepër rinor!). Eh, ç’djall më mundon dhe më shtyn gjithnjë kundër valës.
Mendo për mua ëngjëlli im i mirë, atje ku je dhe m’i dërgo valët e tua të arta që shpërndan shpirti yt.
Të përqafoj,
Jean
Milly, 9 nëntor 1961[8]
Jeannot i im,
Pas ikjes tënde kalova një krizë të tmerrshme trishtimi e vetmie ndaj së cilës edhe zemra aq e urtë e Dudu-së[9] nuk mund të më ngushëllonte. Kishe të drejtë që më thoje se këto «vizita» janë të pa tolerueshme dhe se duhej jetuar veç e veç. Të të shihja duke ikur, ishte për mua sikur të bija në një humnerë boshllëku dhe ti në një tjetër, dhe unë pyesja veten nëse këto probleme të rënda mund të zgjidhen në një epokë rrëmuje dhe mizorie. Kishe harruar dorëzat e tua prej gëzofi. I mora në dhomën time dhe i putha me lotët në grykë. Veç të tjerave, ky grip i tmerrshëm më ka shkrehur dhe ulur moralin e më shtyn të përballoj gjithçka me një lloj dëshire për të braktisur çdo gjë dhe mos t’i përgjigjem askujt. Ruaje këtë letër për vete. Të puth me të gjitha forcat e mia të mjera.
Jean.
6 shtator 1963
Milly[10]
Jeannot-i im,
Jam i lumtur që mora vesh se ti je në vëndet me diell dhe kishe të drejtë që u fole ashtu gazetarëve. Doktori ynë po më kuron siç të ka kuruar dhe ty, në mënyrë të ëmbël, dhe veç tij kam dhe dikë që më bën agupunkturë si dhe masazhet e zonjës Claoue. Ti e sheh se nuk e lë veten të bije në gropë pa luftuar.
Më pëlqejnë shumë planet e shtëpisë në Frejus. Ajo do të ndërtohet, ndërkohë që do banoj këtu. Mendoj të ndryshoj ambient dhe të shkoj në vënde me dëborë. E tërë kjo është një gjurulldi më shumë për ty dhe Doudou-në, sesa për botën pa shpirt. Sekretarja tënde më telefonoi. Do ta kërkoj sërrish sapo të ndjehem mirë dhe kur të mos kem marramendje. E njoh aq shumë qytetin e Cannes saqë unë po shëtis symbyllazi me ju. Më pëlqen të mbyll sytë dhe ta çoj veten atje ku do doja të jetoja.
Përqafoje djaloshin dhe kërkoi atij që të përqafojë për mua.
Jean-i yt.
Më fal Jeannot[11]
Gjithçka më parë ishte zjarr
Dhe unë një somnambul i dehur
Nëna ime nuk më lindi të jetoj
Sepse jam një adhurues zjarri.
Zjarr që vjen vrullshëm nga ty
Zjarr që te ti bëhet prush
Zjarr i heshtjes tënde hyjnore
Zjarr kurorash mbretërore.
I imi Jeannot, unë jam një skandal
Skandal i një çmëndurie naive
Më fal, këmbën tënde puth
Në portën e qytezës time.
[1] Letrat e Jean Cocteau-së drejtuar të dashurit të tij, aktorit Jean Marais, janë përzgjedhur nga libri Lettres à Jean Marais , i botuar shumë vite pas vdekjes së Cocteau-së.
[2] Nga cikli i poezive kushtuar Jean Marais-ë.
[3] Jeannot, (Zhanush) dhe jo Jean, (Zhan), çka është një mënyrë përkëdheljeje për Cocteau-në që ishte në një moshë shumë më të madhe se Jean Marais-ja.
[4] Miku dhe bashkëpuntori i tij i ngushtë piktor, Christian Bérard.
[5] Shumë letra janë shkruar në periudhën e luftës, kur Jean Marais ishte angazhuar me Rezistencën anti-hitleriane dhe Jean Cocteau kishte frikën se ai mund të vritej.
[6] Nga cikli i poezive kushtuar Jean Marais-ë.
[7] Tabloja Mësimi i anestezisë që Cocteau-ja i dhuroi J. Marais-së.
[8] Kjo letër është nga letrat e fundit që Cocteau-ja ka shkruar para se të vdiste.
[9] Në këtë kohë ai bashkëjeton me piktorin Eduard Dermit, (Doudou, siç e thërriste ai).
[10] Letra e fundit e Jean Cocteau-ja drejtuar Jean Marais-së.
[11] Nga cikli i poezive kushtuar Jean Marais-ë.