Kali i gjeneralit

Kali i gjeneralit (tregim nga nje ngasje filmike).L.Rama

In memoriam për regjisorin Gëzim Erebara

Pas një udhe të vështirë e gjithë baltë, makina e filmit iu afrua atij fshati të humbur që nuk kishte as dhjetë-pesëmbëdhjetë shtëpi, disa prej të cilave mbuluar me katrama dhe copra llamarinash të ndryshkuara nga koha, ndonjë prej të cilave e shtyrë nga era, krijonte kështu figura të çuditshme si në një film surrealist. Rrugës, me të pikasur djaloshin e parë që pa në atë fshat pa jetë, shoferi e pyeti se ku ishte stalla e kooperativës dhe pasi e dalloi atë me së fundi duke ndjekur drejtimin e dorës së djaloshit, i dha gaz makinës dhe nxitoi për andej,i ndjekur nga çamarroku që vraponte pas saj.

– Nxitojmë pak se me sa duket do të na zërë shiu, – tha regjisori, i cili kishte ngritur sytë nga qielli sapo kishte zbritur. – Ndryshe hajt të kthehemi pastaj në këtë dreq rruge.

Ishte vërtet një fshat që s’dihej se si kishte mbirë në atë vend të humbur e që fare mirë mund të quhej fshati i «Humbëtirës».

Kur ata ia behën aty në stallë nuk kishte njeri, veç një dëngu bari dhe ca rrangulla karrosh të vjetra e rrota të hedhura tutje.

– Nëse kërkoni Rexhon, – iu afrua djaloshi regjisorit dhe rekuizitierit, – priteni se tani do të vijë.

Dhe nuk kaluan pesë minuta kur në cepin e rrugës që ngjitej, Rexho po vinte me karron etij që tundej sa majtas-djathtas nga gropat e shumta që nxinin rrugën e fshatit. Sapo u afrua ai e ndaloi kalin gjithë baltë që shfrynte nga lodhja dhe u hodh nga karro duke përshëndetur ata të huaj me një lloh habije. Regjisori dhe njeriu i rekuizitës së filmit e përshëndetën thatë meqë i kishin sytë nga kali i tij. Rekuizitieri iu afrua dhe i ra lehtë qafës së kalit me dashuri e keqardhje duke pëshpëritur më së fundi : – Eh ku ka përfunduar i shkreti kalë!…

E njohu menjëherë atë kafshë të gjorë që dikur e kishte parë në kohën kur ai konsiderohej kali më i bukur në gjithë Shqipërinë.

– Çfarë e mirë u ka sjellë – ndërhyri karrocieri duke u afruar nga ata, pa e kuptuar ende qëllimin e ardhjes së tyre.

– Kali i gjeneralit? – i tha lehtas rekuizitierit, me një pamje që dukej se s’kishte kohë për ligjërata të gjata.

– Kështu thonë, – tha ftohtë karrocieri, duke ndjerë se diçka sillej rrotull rreth kalittë tij. Për më tepër, brigadieri i kishte thënë para një jave se dikush do të vinte të shikonte kalin nga qyteti, por se kush, nuk dinte gjë.

– Sa kohë ka këtu ?

– U mbushën plot dy vjet… Shyqyr që e kemi se na nxorri në selamet, ky na mbaron punë…

Rekuizitieri ngriti sytë nga regjisori, i cili vazhdonte të shikonte nga kali që po mundohej të largonte mizat, por në fakt, mëndja e regjisorit ishte diku gjetkë. Ndërkohë kali hingëlliu, sikur ta bezdisnin ata njerëz që po i silleshin rrotull. Sikur kishte një parandjenjë dhe ai.

– Përse e sollën këtu?

– E ku e di unë i varfëri, nuk thua shyqyr. Më parë kishim një kuqo të çalë që mezi tërhiqte këmbët e tij, ndërsa ky… – dhe ai i rrahu gjoksin kalit gjithë krenari. – Po ju ç’keni me kalin?

– Jemi të Kinostudios dhe do të xhirojmë një film.

– Aha! – tha karrocjerri dhe i mbeti fjala në ajër pa ditur ç’të thoshte më tej.

Vallë gjë e mirë? – mendoi një çast fshatari me ato dy këpucë të mëdha gjithë baltë që i dilnin nga këmbët kur ecte.

Edhe pse gjithë baltë dhe me atë yndyrë që i mbulonte lëkurën, edhe pse me atë bisht me leshra të ngatërruara e ca barishte të ngjitura s’dihet si, prapë kali kishte një lloj elegance në trupin, ecjen dhe qëndrimin e tij.

– Gjenerali e ushqente veç me grurë! – tha rekuizitieri, duke u kthyer nga regjisori që vazhdimisht kundronte kalin. Tjetri ndoshta imagjinonte skena të filmit, të cilat i kishte menduar prej shumë kohësh kur shkruante skenarin regjisorial.

– E mbaj mend kur kalëronte dhe kur gjenerali ecte mbi të para Brigatës, – shtoi përsëri rekuizitieri, i cili dikur kishte shërbyer në ushtri dhe që kur kishte ardhur në Kinostudio e kishin angazhuar pikërisht për filmat me kuaj.

Regjisori u afrua akoma më shumë nga kali dhe e preku me dorë. Vështroi nga sytë e shkëlqyer dhe të lotuar të tij. Kali lëshoi një fërgëllimë të lehtë dhe bebëzjai lëvizte pa pushim, sikur të parandjente diçka të keqe.

Bëhej fjalë për një film për kohën e luftës kundër fashizmit dhe ku në qëndër të filmit ishte një rritës kuajsh, i cili më së fundi i bashkohet luftë kundër fashizmit dhe ikën në mal duke marrë me vete dhe kalin më të dashur të tij.

Papritur zëri i rekuizitierit sikur e nxorri nga ajo botë imazhesh me kuaj, nga ai kalë që ngrihej në një lartësi të hatashme me këmbët e tij të para, duke lëshuar një hingëllimë të gjatë.

– Si thua?…Mos e shiko kështu këtë kalë gjithë baltë, – iu drejtua rekuizitieri regjisorit. – Do ta shohësh sa i zoti është…

– Më duket se e kemi gjetur! – tha regjisori që më shumë e kishte habitur historia e atij kali se sa po e tërhiqte pamja aktuale e tij.

Ndërkohë rekuizitieri iu kthye karrocierit për ta qetësuar:

– Mos kimerak se kemi biseduar me kryetarin e kooperativës. Bëje kalin gati se pas një jave do të vijmë ta marrim.

– Si, do ta merrni?… Po unë?   Kooperativa veç këtë kalë ka… shikoni në fshatin tutje.

– Jo këtë do të marrim!…  Pastaj ç’punë ke ti, atë e di kryetari… Por mos u shqetëso se do të të sjellin një tjetër.

– Shkojmë shpejt, – tha regjisori, – se më këtë baltë s’dihet se kur mbërrijmë.

Dy burrat përshëndetën shpejt karrocierrin që po qëndonte si i shushatur pa ditur ç’të thoshte dhe nxituan drejt makinës që i kishte dyert ende të hapura.

– Eshtë urdhër i Tiranës, – i tha më së fundi rekuizitieri dhe i ktheu kurrizin, duke e lënë të hutuar nga ky lajm i papritur.

Në fakt dhjetë ditë më parë brigadier Beqo i kishte thënë diçka për kalin, por ai kishte kujtuar se ishte thjeshtë për të bërë fotografi. Ndërsa tani, ata do ta merrnin, dhe përse? Për një film…

Karrocjerri ngriti dorën dhe i përshëndeti trishtë ndërkohë që makina morri kthesën para tij dhe shkoi tutje me nxitim duke lëshuar një shtëllungë tymi të zezë.

Shiu filloitë binte dhe ta lagte, ndërkohë që kali lëshoi përsëri një hingëllimë të gjatë sikur të ishte lehtësuar nga ajo makinë që bënte aq zhurmë. Tutje makina hepohej sa në një gropë në tjetrën dhe së fundi u zhduk në atë rrugë rrëpire, nën një qiell që tashmë po lëshonte bubullimat e para.

Kali kishte pra dy vjet që kishte ardhur në atë kooperativë malore, tre orë larg qytezës,ku madje kishte dhe ca familje të internuarish, pra politikanë që kishin sharë qeverinë, siç thonin fshatarët dhe tani ishin të dënuar të hapnin veç kanale e t’i binin kazmës. Por edhe kali i ardhur atje, ishte një lloj i “internuari”,një kafshë e internuar, pasi kishte qënë kali i gjeneralit, dhe jo i do kujdo, por i vetë shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të cilin Prijësi i Madh e kishte lëvduar gjatë një muaji kur kishte pushkatuar ministrin e Mbrojtjes dhe që më pas, e kishte cilësuar dhe atë tradhëtar e puçist dhe e kishte pushkatuar dhe  bashkë me dhjetra gjeneralë të tjerë.

Kur ishte marrë vesh se gjenerali ishte pushkatuar, askush nuk guxonte më t’i hipte atij kali, pasi oficerët e lartë dhe ata më ziliqarët, mendonin se po ta merrte vesh Prijësi i Madh, do t’i dënonte dhe ata si vetë gjeneralin. Pra sa t’i ndiqte fati i tij më mirë ishte që kalë të zhdukej. Dhe në mënyrë kolegjiale gjeneralët vendosën zhdukjen e kalit. Madje një nga togerët kishte propozuar ta vrisnin, por stallieri që kujdesej për të ishte interesuar dhe kishte mundur ta bindë shefin e tij se do ishte më mirë ta çonin në ndonjë kooperativë dhe t’i shërbente Adheut të pamposhtur. Dhe ashtu ishte bërë. Pa zhurmë, meqë dhe shefit i vinte keq ta vriste atë kalë race, menjëherë e kishin degdisur në atë fshat të humbur të maleve të Smokthinës.

Ditë të tëra aty mes maleve, kali kishte pritur shfaqjen e kalorësit të tij të dashur të tij. Por në vend të gjeneralit një fshatar e kishte afruar tek një karrocë që ta mbrehte në të, por kjo e pamundur të bëhej se kali hidhte shqelme dhe hingëllinte në kupë të qiellit. Madje tashmë nuk pranonte as të dilte nga ajostallë plot rangulla me çati të shqyer në cepat e saj. Kafsha e gjorë ishte tretur nga dita në ditë. Pas një lëngate të gjatë dhe i mbyllur në vetmi kali më së fundi i kishte dhënë fund revoltës së tij. Rexhua ishte lumturuar kur e kishte parë të hante mirë dhe kur doli në oborrin e stallës nuk hodhi shqelme. Ishte mbrehur në karro dhe që atë ditë, Rexhua transportonte herë gurë e tulla herë thasë misri apo vegla pune, shata e lopata. Më së fundi kafsha kishte pranuar t’i nënshtrohej fatit të tij, si çdo i internuar tjetër i “Repubikës Popullore Demokratike” të këtij vendi.

Sigurisht, kur regjisori kishte kërkuar kalin, pak kolegë të tij e dinin se ishte kali i gjeneralit. Gjithçka duhej mbajtur sekret. Lumturisht që rekuizitieri kishte punuar diku në ushtri dhe atij i kishte shkuar mendja se ekzistonte ai kalë dhe se atë nuk e kishin vrarë. Ai kishte takuar stallierin e kalit të gjeneralit dhe më së fundi, pasi i kishin kthyer ca gota, ai i kishte treguar se ku e kishin degdisur kafshën e gjorë. Regjisori kishte biseduar më pas me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të qytetit se në filan fshat na kishte një kalë të mirë për ta përdorur për xhirimin e një filmi dhe ai mejëherë kishte urdhëruar që kali të jepej, pa i dhënë rëndësi kësaj çështje. E ç’ishte njê kalë?….

Dhe kështu,pas një jave rekuizitieri ishte shfaqur më së fundi për të marrë kalin me një makinë të madhe. Rexhua e priti me një fytyrë të ngrysur e me lot në sy, si t’i kishte vdekur ndonjë njeri i afërt. I larë në përroin pranë, kali kishte zbuluar hiret e veta. Kur e nxorri, kafsha filloi t’i vinte rrotull oborrit të stallës. Dukej se po rigjente lirinë e dikurshme ndërkohë që qerrja ishte mbështetur në murin e stallës, në pritje të një kali tjetër.

– Mos ki merak se kryetari ka porositur tu sjellin një kalë tjetër nga fshati fqinj. Ja, sa të mbarojmë filmin, nja tre muaj, jo më shumë…

– E po mirë, – foli më së fundi Rexhua i çliruar dhe idea se kali do të xhirohej në një film e do ta shikonin të gjithë tani sikur po ja ngrohte shpirtin. Dhe kështu i përmalluar, ai iu afrua kafshës dhe e tërhoqi për kapistalli.

– Eja Bardhosh, eja… do të xhirojnë këta të Kinostudios dhe do të të shohë gjithë bota… lumi ti ! – dhe ai i rrihte supet dhe qafën, duke e tërhequr drejt kamionit ku kishin vënë ca dërrasa të pjerrta që kali të mund të hipte.

Kafsha një çast kishte ngulur këmbët në tokë dhe s’donte t’i hipte dërrasave, por Rexhua e shtynte gjithnjë duke i thënë :

– Ec artisti im, ec, se do të luash film ! – dhe Rexhua hypi bashkë me të. Kamioni u nis dhe në të dalë të fshatit pasi e puthi kafshën, Rexhua u hodh nga kamioni dhe i përshëndeti rekuizitierin dhe shoferin duke u tundur dorën, edhe pse në çastin që kamioni largohej, i dukej se diçka po shkulej nga zemra e tij.

Gjithë muajt e verës kali i kaloi në pyllin e Divjakës, buzë atij deti të virgjër e ku nuk vinte njeri për të bërë plazh pasi qyteza ishte disi arg. Ishte një pyll gjithë pisha që kundërmonte dhe përzihej me aromën e jodit që sillte deti. Diku pranë ishin ngritur tendat e njerëzve të filmit. Gjatë ditës xhirohej dhe të gjithë pothuaj kishin dëshirë të vinin rrotull kalit, i cili ishte kthyer në protogonistin kryesor, bashkë me kalorësin e tij, një aktor i ri që shpejt ishte bërë intim me kafshën. Madje, gjatë rolit në skenën e dashurisë së tij me një vajzë të fshatit, i pranishëm në marrëdhëniet e tyre ishte dhe kali, çka regjisorin e habiste dhe ai e linte operatorin të xhironte dhe t’i kapte këto çaste të lira dhe të pa përsërtitshme, pasi kali bënte gjithnjë diçka të re. Çdo mëngjes kalin e shikoje të dilte buzë detit e të vraponte duke hedhur lart stërkala e nganjëherë të futej me rrëmbim nëpër dallgë, të hynte gjer në gjunjë e pastaj të dilte me vrull duke lëvizur masa të mëdha uji. Gëzonte lirinë e tij. Ishte një dehje lumturie e ngazëllimi, çka si duket e kishte bërë të harronte dramën e tij, karron dhe rrugët e përbaltura, ato ngarkesa të rënda që tërhiqte çdo ditë në mungesën e përhershme të lirisë.

Kur filmi mbaroi, rekuizitieri i kërkoi drejtorisë së Kinostudios që ai kalë të mbahej në oborrin e pasmë të Kinostudios dhe të përdorej gjithnjë në filmat ku kishte dhe skena me kuaj, meqë ai tashmë konsiderohej si një kalë-artist. Dhe kështu do të kishte ndodhur po të mos ishin hapur fjalët se ky kalë i çuditshëm dhe tepër i bukur, na kishte qenë kali i gjeneralit të pushkatuar. Madje një instruktor i ministrisë së Kulturës i kishte pëshpëritur atyre të drejtorisë, që ta largonin menjëherë atë kalë se po ta merrnin vesh edhe “ata lart shokët e Udhëheqjes”, kishte rrezik të bllokohej filmi e të mos shfaqej, pasi kjo do të konsiderohej si nostalgji për gjeneralin, e kushedi ç’hata do të ndodhte. “Si mund të rehabilitohet kali i gjeneralit?” Çdo të thotë njerëzia, populli? Kalin e armikut të popullit?… Dhe nuk u deshën më shumë se njëzet e katër orë që kamioni të bëhej gati për ta degdisur kalin me urgjencë, përsëri në ato male të largëta të Smokthinës. U përpoq më kot mjeshtri i kuajve po ç’të bënte i ziu. Ngado i kthenin krahët: “Mos e zgjat shumë se do ta hash dhe ti, o qyqar!”

Ishte mesi i shtatorit kur rekuizitieri, bashkë me shoferin e Kinostudios dhe kalin e ngarkuar në kamion morrën rrugën drejt jugut. Përsëri iu ngjitën shpateve të maleve dhe asaj rrëpire malore gjithë gropa. Diku në një të përpjetë ndaluan pranë një burimi. Bënte freskët dhe rekuizitieri mbushi një kovë ujë. Iu afrua kamionit pas, e hapi dhe në dritën e bardhë që hyri ai vështroi nga kali që shtyhej drejt fundit dhe shfrynte. Kali shfryu një çast i shqetësuar, piu pak ujë dhe pastaj me kokë e flaku kovën tutje. Vështronte peizazhin dhe ndoshta e kuptonte se po e çonin persëri në ato male ku kishte jetuar ato dy vite të fundit.

Sapo dëgjoi zhurmën e kamionin, Rexhua pati parandjenjën se kali po vinte. Dhe kur doli në oborrin e stallës dalloi vërtet kamionin e Kinostudios që po afrohej, të njëjtin që kishte ardhur tre muaj më parë të merrte Bardhoshin e tij. Menjëherë ngriti dorën si të donte tu thoshte se ai ishte atje, por që larg askush nuk mund ta dallonte. Fytyra i shkëlqente nga gëzimi dhe ja ku kamioni u fut në rrugën e stallës dhe më së fundi ndaloi në atë oborr të trishtë. Rekuizitieri zbriti ngadalë me një fytyrë të ngrysur dhe një çast Rexhua dyshoi se mos i kishte ndodhur gjë Bardhoshit të tij, por jo, sepse shoferi që zbriti nga ana tjetër menjëherë shkoi mbrapa kamionit të mbuluar duke çliruar hekurat e pasmë. Rexhua u përshendet me njeriun e Kinostudios, duke e pyetur menjëherë:

– Hë, e sollët? Si e kam Bardhoshin tim?… Hë të keqen e «artistit», të keqen… lumi unë… Dhe ai shkoi pas kamionit e filloi të shikonte i përmalluar kalin e tij që lëshoi një hingëllimë sapo e pa karrocierin.

Shoferi dhe Rexhua menjëherë filluan të vendosnin dërrasat me qëllim që të mund të zbriste kali. Shoferi filloi ta shtynte që të linte kamionin, por kafsha nuk dëgjonte, veç vinte rrotull me një ndjenjë frike. Rexhua u detyrua të hipte dhe ta tërhiqte, por përsëri kafsha nuk dëgjonte, megjithë përkëdhelitë e Rexhos. Atëherë u ngjit dhe rekuizitieri dhe që të tre e shtynë kafshën me forcë që të zbriste. Por kali, në vënd që të ecte normalisht mbi dërrasa u hodh vërtik dhe ra keq mbi tokë, por u ngrit menjëherë duke ardhur rrotull stallës dhe duke hingëllirë në mënyrë të zgjatur. Rexhua i shkonte pas ta merrte me të mirë, por kafsha i largohej gjithnjë. Më së fundi e kapi, e përqafoi, e puthi në faqe dhe me të në dorë u afrua nga rekuizitieri.

– Kur do ta shohim atë film të uruar?

Tjetri e pa ftohtë dhe me bezdi.

– E ku di unë… Gjynah që të vinte përsëri këtu, – i tha më në fund rekuizitieri, – por ç’ti bësh kështu kishte qenë fati i tij.

Rexhua e pa me inat, por nuk foli se këta njerëz vinin nga Tirana dhe kushedi u ndrrohej mëndja dhe ia mirrnin Bardhoshin e tij.

Rekuizitieri dhe shoferi e përshëndetën ftohtë dhe pa e zgjatur u larguan menjëherë duke parë me keqardhje atë kalë të bukur e të bardhë mes atij mjerimi të madh balte.

Vetëm kur kamioni u zhduk në kthesën e fshatit, vetëm atëherë Rexhua u qetësua dhe e përqafoi me dashuri kalin e tij. Ai e tërhoqi drejt stallës por kali lëvizi me vështirësi. E kuptoi që nuk donte, por mendoi se do ishte lodhur nga rruga e gjatë dhe prandaj po hidhte vickla tani. Më së fundi, bëri ç’bëri dhe  e shtyu drejt stallës. Nga xhepi nxorri një krodhe bukë dhe ia zgjati, por kali nuk deshi ta hante.

– Po ç’ke o Bardhosh, nuk gëzohesh që më erdhe më së fundi?!

Kali shfrynte dhe ai hapi derën e haurit, e shtyu brenda, i ra me dashur nja dy herë në faqe dhe u kthye të mbyllë derën.

«Le të shlodhet sonte» – tha me vete ai dhe pasi i hodhi një tufë të mirë bari, tërhoqi derën e stallës dhe u largua.

Të nesërmen në mëngjes qielli ishte nxirrë por nuk kishte shi. Ai shkoi të nxirrte kalin dhe ta mbrrihte si zakonisht në qerre,por kali nuk lëvizi, vetëm shfrynte. Më kot u përpoq ta merrte me të mirë. I solli një kovë ujë të pijë, por kali e hodhi me shqelm.

Rexho qëndroi një çast i heshtur. Ç’të bënte? Përpiqej të gjente se ç’kishte ndodhur me Bardhoshin e tij!

– Domosdo, të kanë tërbuar ata të filmave! – tha më së fundi i trishtuar.

Nxorri kamzhikun dhe ia tundi lehtë  mbi kokë, por nuk e qëlloi, se ai kalë ishte aq i urtë sa gjynah ta qëlloje. Por kali gjithnjë nuk tundej nga vendi. Karrocieri turfullonte në hall e më së fundi u ul dhe qëndroi mbi kashtën e qelbur me ca sy që i lëvizte gjithë frikë.«Ç’të ketë kali? – mendoi Rexho?

Në mbrëmje, gruaja e pa të mërzitur.

– Ç’ke o Rexho? Tu mbytën gjemitë a derëzi?!

– Jo moj plakë, por Bardhoshi… se ç’ka…

– Mos e kanë marrë më sysh andej nga Tirana?…

– Them mos i kanë bërë magji… Kushedi…

Që atë ditë kali nuk lëvizi më. Rrallë herë hante barin që i vinte i zoti dhe gjithnjë hingëllinte përvuajtshëm. Ngado që shkonte nëpër fshat, Rexhua u thoshte njerëzve se kalin e tij e kishin marrë më sysh andej nga Tirana. Madje kishte thirrur dhe një cigan nga fshati fqinj që t’ja hiqte magjinë. Pasi e kishte parë dhe i kishte “kënduar”, duke i vënë një lloj hajmalie në qafë, cigani më së fundi ishte larguar me një lloj dyshimi: “Diçka i kanë bërë kalit ata të Tiranës, por se çfarë, një dreq e di… të presim gjersa të dale hëna e re… – dhe cigani kishte ikur i menduar.

Hëna e re doli dhe Bardhoshi dergjej gjithnjë. Rexhua mallkonte andej këndej dhe ai njeri dikur aq i butë ishte bërë si një lloj xhindi. Njëri nga fshatarët i tha ta mbyllte gojën se ata të Tiranës, po ta dëgjonin, do t’i të bënin gjëmën. Dhe Rexhua e mbylli atë gojë të shkretë, por natë e ditë mendonte vetëm një gjë: Kalin e tij e kishin marrë sysh andej nga Tirana. «Çfarë i kishin bërë vallë», përpiqej të zhbironte këtë enigmë të madhe. Një ditë, kur hyri në stallë, kali nuk lëvizi nga vendi. Ai veç e vështronte dhe rënkonte ngadalë. Rexhos i kishte dhembur në shpirt. Madje i kishte sjellë një përshesh me qumësht, se kushedi mund të hante. Por kali e vështronte ngultazi pa lëvizur. Të nesërmen kishte ardhur infermieri i fshatit dhe e kishte parë kafshën e gjorë, por ç’të thoshte ai. – Kushedi, të presim dhe nesër se mbase ngrihet… – kishte thënë infermieri, duke e parë me një sy të trishtë kafshën e gjorë që dergjej prej prej dy javësh dhe po bëhej kockë e lëkurë. Po atë ditë në mbrëmje, para se të flinte, Rexhua nxitoi të shikonte Bardhoshin e tij se mos ishte ngritur, por sapo hyri, pa siluetën e tij të shtrirë. Kur iu afrua, kafsha e gjorë nuk lëvizi. Nga goja kishte nxjerrë një shkumë të bardhë. Rexho u drodh dhe u afrua akoma më shumë. Por ndryshe nga herët e tjera nuk e dëgjoi frymëmarrjen e rëndë të tij. Syri i xhamtë i kalit vështronte pa lëvizur nga kanatet e hapura të stallës, ku një hënë e ftohtë hidhte një dritë të argjëndë, gjithë hire. Dukej se ajo kokë e argjendtë sapo kishte dhënë shpirt.

– Po ç’më bëre o Bardhosh! – klithi plaku.

E kuptoi dhe mbuloi sytë me duar. Nuk donte ta shihte ashtu. Zuri të qajë.

Nga stalla gjëmoi një ulërimë njeriu.

Vetëm të nesërmen, në fshat e morrën vesh se kishte vdekur kali i gjeneralit.