Kur shkova në burimet e lumit Jordan, të ujrave që shkojnë për në Detin e Vdekur, atje ku shenjti Gjon Pagëzori (Jean Baptiste) i tha Jezu Krishtit se «Ti je i zgjedhuri i Zotit», u habita me atë vend pelegrinazhi, ku njerëz nga e gjithë bota vinin parreshtur për tu pagëzuar. Duke kënduar, ata futeshin në ujë dhe këndonin «Alleluja!», «Alleluja»! Kërshëria më shtyu të shkoj së pari në Jeruzalem, për të parë atë qytet tri herë të shenjtë: i shenjtë për hebrenjtë, për kristianët dhe për muslimanët… Pikërisht në Jeruzalem thuhej se profeti ishte ngritur në qiell. Kërshëria për të pikëtakuar varrin e shenjtë në bazilikën bizantine nuk ishte e pakët. Për një agnostik si unë, të shkelja në “Via Dolorosa” duke ndjekur atë udhë të kalldrëmtë që Jezu Krishti kishte bërë dymijëvjet më parë me kurorën e gjembtë dhe kryqin e rëndë në kurriz, ishte si të thuash një hyrje në mitologjinë e krijuar nga njerëzimi. Ishte një dëshirë për të pyetur veten dhe botën: Kush ishte vallë ky njeri? «Profetët janë gjithnjë gjallë» mendova në atë turmë njerëzish të racave të ndryshme, europianë, amerikanë, latino-amerikanë, hindu, aziatikë apo banorë të Paqësorit që nuk pushonin së ardhuri këtu në të gjitha ditët e vitit. Dhe padyshim, tek i afroheshe asaj bazilike, nuk mund të mos kujtoja vitet e adoleshencës dhe rinisë sime, kishat e rrënuara, manastiret e kthyera në depo ushtrie, kishat e kthyera në salla sporti apo muze ateizmi, priftërinjtë që burgoseshin, katedralet e shëmbura apo atë kishë katolike që ngrihej para ballkonit të shtëpisë time e që sot nuk ekziston më. Një ditë, dhëmbët e një buldozeri erdhën dhe e rrënuan edhe atë. Krishti u shpall djall dhe në shkollë përsëritej refreni stalinist «Feja, opium për popullin». E megjithatë, gjithnjë kisha pyetur veten: a ka ekzistuar ky njeri? Cili ishte ai dhe përse Perëndimi i përgjërohej aq shumë…
Udhëtimi për në varrin e Krishtit kësaj rradhe i ngjante një pikëtakimi me historinë. Në dymijë vjet, në “Via Dolorosa” (Udha e Kryqit), në atë rrugë të kalvarit që ngjitej drejt Golgotas, miliona njerëz kishin shkelur duke besuar në shenjtërinë e tij. Në ato 14 stacione të Via Dolorosa, ku kujtesa popullore kishte fiksuar që nga stacioni i Dënimit të Krishtit, tek ai i marrjes së Kryqit, rrëzimit të parë, takimit me Marinë, e gjer në dorëzimin e tij (Stabat Mater) dhe vendosjen në varr, të gjithë kërkonin shenjtin, shpresën, ngushëllimin. Përse vallë?…
Bazilika e Varrit të Shenjtë apo e Saint-Sepulcre është një bazilikë bizantine e vjetër, që nuk i ka hiret e katedraleve të mëdha. Ajo nuk i përngjan as katedrales së Shën Pjetrit, apostullit të Krishtit, as Notre-Dame apo katedrales Saint-Denis, as Duomo-s së Milanos. Me gurët e vjetër, me arkitekturën e thjeshtë bizantine, portën e madhe të drunjtë disa shekullore, ku ruajnë dy njerëz të thjeshtë me qylafët e kuq turk, ajo të thith menjëherë drejt enigmës për të treguar një nga reliket më të vyera të njerëzimit : varrin e Krishtit në shapelën e madhe të Kryqëzimit. Kjo bazilikë e ndërtuar tre shekuj pas vdekjes së Krishtit, është inaguruar më 17 shtator të vitit 325, me urdhërin e perandorit bizantin Konstantini i Madh, pikërisht atje ku pas kryqëzimit ishte varrosur Jezu Krishti. Por ndërtesa bizantine do të plaçkitej e digjej nga persët, për tu ringritur pastaj nga patriarku Modeste në vitin 614. Në vitin 808 një tërmet i madh do ta shkatërronte atë, por edhe pse do të ndërtohej pjesërisht në vitin 1009, trupat e kalifit Al-Hakim do ta shkatërronin përsëri. Ishte lufta mes muslimanëve dhe kristianëve të Perëndimit, luftrat e Saladinit (Salh ed Din) me mbretërit e Kryqit të Shenjtë. Perandori tjetër bizantin Konstantin Monomak, do ta ringrinte atë në vitin 1048. Në shekullin e XII, në kohën kur nisnin kryqëzatat për të çliruar varrin e Krishtit, tempullarët e urdhërit të Tempullit të Krishtit do ta mbronin atë. Pas rënies së Shën Joanit të Akrës, (sot Ako, në kufirin izraelo-libanez), një nga bastionet e kristianizmit në Lindjen e Mesme, do të largoheshin dhe tempullarët e fundit. Që nga koha e kryqëzatave, në shekujt e mëvonshëm, ky tempull do të ruhej nga besimet e mëdha, siç ishte ajo greko-ortodokse, armeno-ortodokse dhe latinët katolikë të Vatikanit, pa përjashtuar dhe ortodoksët e tjerë si koptët e Egjiptit, të Sirisë apo të Etiopisë. Të gjithë vigjëlonin mbi varrin e shenjtë.

Librat e parë të shenjtë hebraikë i referohen Moisiut, themeluesit të kombit hebre, këtij legjislatori, i cili njëkohësisht i referohet profetëve të vjetër Isaie apo Josue… Judaizmi është një fe mesianike: premtimi i një të ardhme më të mirë. Hartimi i Biblës hebraike (fjala «bibël» është e mëvonëshme) zgjati dhjetë shekuj. Testamenti i Vjetër apo Bibla hebraike është në fakt një histori e shenjtë. Eshtë krijimi i Botës dhe marrëdhëniet me Zotin, duke filluar me «gjenezën», pra krijimin e botës dhe të njerëzimit, Evën dhe Adamin, barkën e Noas etj. Ky testament përbëhet nga tri tekste themelore: Torah, Neviim (Profetët) dhe Kevim (Shkrimet). Vetëm Torah përbëhet nga pesë libra, ndër të cilët Gjeneza, Eksodi, etj., por krahas Torah është dhe Talmudi, i shkruar në gjuhën aramene në shekujt V-VI p.e.s. apo komentet mbi Torah që shërben për ritet e sotme.
Njeriu Jezu
Kush ishte Jezu Krishti?…
Kur shkon në Izrael, njeriu ka shansin të ecë në gjurmët e historisë biblike dhe të ndeshë vendet që më pas do të quheshin vende të shenjta. Vetëm rreth liqenit të Galileut, tempujt e shenjtë janë kudo: aty është dhe kisha e Shën Pjetrit, apo shtëpia e apostullit të Krishtit, e cila më pas do të kthehej në kishë (dhe për të cilën, për herë të parë do të fliste një spanjolle me emrin Egeria, e cila në vitet 381-384 vizitonte Tokën e Shenjtë). Aty është dhe Kisha e 7 dëshirave apo edhe Kafarnaum (Capharnaum, fshati i Naumit), ku Jezu shëronte të verbërit dhe të sëmurëve psiqikë u largonte demonët)… Shikoja kështu vende ku ai predikonte vëllazërimin e popullit hebre, e “qëngjave të humbur të shtëpisë së Izraelit”. Jezu bënte mrekullitë e tij, siç tregojnë ungjillorët: ecën mbi ujin e liqenit të Galileut; për të bindur peshkatarët për fuqinë e tij ua mbush rrjetat me peshq; mjekon sytë e të verbërve duke u kthyer dritën e syve, siç ndodhi në pellgun e Sibel në Jeruzalem ku ata laheshin, “purifikoheshin” para se të hynin në Tempull që të luteshin, etj. Nëse për jetën e Jezusë nga mosha 12-30 vjeç nuk dihen shumë detaje të jetës së tij, duke filluar nga koha kur banonte në shtëpinë e Pjetrit bashkë me apostujt e tjerë dhe kur mbante fjalime në sinagogën përballë, gjurmët arkeologjike për kohën dhe tregimet e ungjillorëve për të janë të shumta.

Duke lënë liqenin, udhëtari ndahet me fshatin Magdala, fshatin e të famshmes Maria Madalena, (e cila do t’i lante këmbët Krishtit dhe do t’ia fshinte ato me flokët e saj, aty ku Jezuja i thoshte Simonit se ia kishte falur mëkatet Madalenës meqë “ajo e donte shumë”). Që andej vizitori i Tokës së Shenjtë mund të ngjitet drejt Nazaretit, për të vizituar atë kishëz të vogël të Shën Marisë, ku siç thotë legjenda, ishte shtëpia e nënës së Jezusë.
Hebreu Geza Vermos, një nga studjuesit e jetës së Krishtit (dhe i Dokumenteve të Detit të Vdekur) në librin e tij Studim mbi identitetin e Jezusë apo dhe në Who’s who in the Age of Jezus, thotë se “pak gjëra dihen rreth tij. Jeta e e Jezusë, – thotë ai, – tregohet nga katër ungjillorët, tekste që u shkruan 40-70 vjet pas vdekjes së tij”. Disa të dhëna sjell dhe Flavius Jozef në (Testimonium flavianum), romaku Tacite apo prefekti romak i Judesë, Ponce Pilate. Ungjillorët e përshkruajnë atë si një njeri nga Galileu që vepronte rreth liqenit Genesaret apo i quajtur më pas Tiberiada, në kujtim të romakut Tiber. Sipas Mateut dhe Lukës, ai ka lindur në kohën kur mbretëronte Herodi i Madh, në vitin 4 p.e.s. Po të përjashtosh ngjarjen e Jezusë 12 vjeçar që mësonte në Tempull, e cila përshkruhet nga Luka, (2), ungjillorët nuk thonë ndonjë gjë tjetër për fëmijërinë e tij.
Jezu Krishti ishte një njeri i varfër dhe beqar, i cili gjer në moshën 30 vjeçare jetoi në Nazaret me prindërit e tij Jozef dhe Maria dhe bashkë me katër vëllezërit dhe të paktën dy motrat e tij. Ai tregohet si një shëronjës popullor që në Kafarnaum, ku ai predikonte, shëronte të verbërit dhe u largonte demonët të sëmurëve që vuanin prej tyre. Në fakt ai ishte në traditën hebraike dhe kërkonte të ringjallte judaizmin, në një kohë kur Judea ishte e pushtuar nga romakët dhe vendi kalonte çaste të rënda e tragjike, zjarre dhe revolta. Flavius Jozef, gjenerali hebre, i cili u detyrua të bashkëpunonte me romakët, në dorëshkrimet e tij Antikitete hebraike, flet dhe për “Jezu-në që bënte mrekullira”. Jezu Krishti tregohet si murator apo zdrukthtar, me një fjalor fshatar, ndryshe nga imazhi që ka përhapur Shën Pali. Jezuja ishte një njeri i thjeshtë e modest, një profet popullor që ecte në vazhdën e profetëve para tij, Eli dhe Elize, që sipas Biblës vepronin në zonën e Palestinës. Ashtu si ata, edhe Jezu-ja kishte një fuqi karizmatike. Sipas Markut dhe Lukës, “Jezu u bë predikues i Zotit atëherë kur iu shfaq Gjon Pagëzori dhe kur zëri qiellor i tha : ”Ti je bir i zemrës së Zotit”. Gjoni thotë se Jezuja predikoi gjatë tre pashkëve, ndërkohë që sinoptikët pohojnë se ai predikoi vetëm një vit, meqë pastaj u kryqëzua që të mos predikonte më.

Në kërkim të AND-së
A ka ekzistuar Krishti? A është ai një tokësor apo një i dërguar qiellor? Çdo të thoshte një ahnostik si unë (i detyruar në një shtet totalitar ku feja ishte jashtë ligjit) që tani respekton profetët e popujve?… Shekuj me rradhë, për njerëzit e shkencës, këto pyetje mbeteshin një enigmë. Cili vallë ishte ai?…
Vetëm në shekullin e XX, shkencëtarë, teologë, historianë dhe epigrafë të teksteve të vjetra hebraike dhe aramene, iu vunë kërkimit për zbulimin e kësaj enigme të madhe. Rëndësi kishte arkeologjia, mbishkrimet e vjetra dhe reliket që lidheshin me jetën e Jezusë, që siç dihet, pas shekullit XII, mbretër të shumtë kristianë kërkuan ti blinin dhe ti merrnin në selitë e tyre si relike të shenjta. Louis IX harxhoi shumë para që të blinte kurorën me gjëmba të Jezu Krishtit ditën e kryqëzimit, që siç thuhej ishte ajo që mbante Krishti gjatë kalvarit të tij për në Golgota dhe që ruhej në katedralen e “Notre Dame” e cila së fundmi u dogj por relikja shëtoi. Prej shekujsh në Francë ruhet “veshja e Argenteuil”, e cila sot ruhet në bazilikën e famëshme të mbretërve të Francës, në Saint-Denis, pranë Parisit. Një veshje që thuhet se iu fal perandorit të madh Sharlemanjë (Charlemagne) nga perandoresha e Konstantinopojës, Irena, në shekullin VIII Sharlemanjë njihej edhe si një koleksioner i madh i relikeve të shenjta. Në 12 gusht të vitit 800, ai ia trashëgoi këtë veshje vajzës së tij Teodrades dhe më 1156, ishte arqipeshkvi i Rouen që e shpalli këtë relike zyrtarisht, e cila tregohet në publik çdo 50 vjet. Që prej 25 vjetësh, (pas kaq shekujsh), gjeneticieni francez Gerard Lucotte, ka studjuar rreth AND-së që mund të gjendej në këtë veshje duke vërtetuar se ngjyra e kuqe-violet dhe mënyra e punimit në prodhimin e kësaj veshje korrespondonin me veshjet në Egjipt, Siri dhe Palestinë në kohën kur kishte jetuar Krishti. Në analizën e tij, gjeneticieni Lucotte, vëren se në qelizat e gjakut të gjetura në leshin e kësaj veshjeje, pra në “hematite”-t (qelizë që mban hemoglobinën dhe që bën transportin e oksigjenit në gjak), qeliza është e zbrazur nga hemoglobina, që do të thotë se mbajtësi i saj kishte kaluar një vuajtje të madhe fizike. Por ndërkohë, analizat e tij për datimin e kësaj veshje u kundërshtuan nga Komisariati i Energjisë Bërthamore të Saclay-t po në Francë, i cili e datoi këtë veshje në vitet 530-650. Madje kimisti amerikan Walter McCrone, i një prej institucioneve më prestigjioze të botës mbi pigmentet e ngjyrave, në studimin e tij mikroskopik e identifikoi gjurmën e “gjakut” si një oksid hekuri dhe mërkuri, tipike për pigmentet okër në të kuqe të përdorura në Mesjetë. Sa për gjak, ai nuk gjeti as dhe një grimcë.
Një debat tjetër i hapur vitet e fundit është dhe ai rreth relikes tjetër të Krishtit të ruajtur në Torino. Eshtë fjala për qefinin e Krishtit, ndaj të cilit Vatikani ka ende rezerva, një qefin ku përmes radiografisë, disa ekspertë kanë rikrijuar dhe fytyrën e Jezusë, meqë gjurmët e fytyrës së tij kishin mbetur në cohën e qefinit. Por edhe analizat e bëra mbi këtë cohë vërtetuan se ky qefin i përkiste jo shekullit I, por viteve 1260-1360, kohë dhe kur filloi prodhimi i këtyre lloj cohave në Champagne të Francës. Por konservatorët dhe shumica e teologëve të kishës nuk luajnë nga qëndrimet e tyre për shenjtërinë e këtyre relikeve. Madje të tjerë ekspertë vërtetojnë se poleni i gjetur në qefinin e Torinos vërteton një qëndrim të qefinit në Palestinë. Kjo ekspertizë u bë në vitin 1973 nga drejtori i laboratorit shkencor të policisë së Zyrihut, Max Fray. Ai gjeti në të polenin e 58 bimëve që gjenden në itinerarin Itali-Jeruzalem. Por a vërtetohet plotësisht se pikërisht kjo veshje është e Jezusë edhe pse doktori Avinoam Danin i universitetit hebraik të Jeruzalemit e konfirmon këtë ekspertizë? Sigurisht që jo… Edhe pse Alain Whanger, profesor i universitetit të Nju Jorkut, përmes një trajtimi informatik ka gjetur imazhet e luleve mbi qefin dhe të një monedhe të viti 29… përsëri pikëpyetjet ekzistojnë.
Varri i humbur i Krishtit
Filmi i regjisorit dhe studjuesit hebre Simcha Jacobovici «Varri i humbur i Krishtit», (The Lost Tomb of Jesus), me produktor autorin e famshëm të filmave «Terminator» apo «Titanic», James Cameroun, nuk ishte xhiruar ende, kur vite më parë debatet rreth varrit të vërtetë kishin filluar. Cili ishte ky varr? Në vitin 1980, gjatë gërmimeve për ndërtimin e një pallati në Talpiot, në periferi të Jeruzalemit, u zbulua një varr i vjetër familjar. Arkeologët izraelitë konstatuan menjëherë se kishin të binin me një varr të shekullit I, ku ndodheshin eshtrat e disa njerëzve, ndër të cilët bëhej fjalë për një të quajtur Jezu, bir i Jozefit (shkruar në gjuhën aramene, hebraishtja e vjetër); Maria (emër romak i transkriptuar fonetikisht në hebraisht); Mateu (shkruar në hebraisht), Joze (në hebraisht); Mariamene (shkruar në greqisht) dhe Juda, bir i Jezusë (shkruar në gjuhën aramene). Koinçidencat do të ishin të habitshme : Jehoshua Ben Jozef (Jezu bir i Jozefit) dhe Jehuda Bar Jehoshua (Juda, bir i Jezusë), ishin shumë të njohura nga ungjillorët të quajtur kështu nga greqishtja që do të thotë «lajm i gëzuar». Sigurisht, emrat flisnin për një varr që mund të ishte varri i Krishtit, por kjo duhej vërtetuar, edhe pse shumë historianë e arkeologë e besonin. Madje në një nga tekstet e shenjta të interpretuar nga epigrafisti i famshëm francez André Lemaire, thuhet se “Jozef fisniku, vëllai i Jezusë, ishte qëlluar me gurë në vitin 62». Por kur profesori i Harvardit, François Bovon, pas studimit të disa teksteve të vjetra të shekullit IV, tha se emri i Maria Madalenës ishte në fakt Mariamene, ky njoftim vuri në lëvizje shumë studjues për të vërtetuar atë që nuk besohej : varrin e humbur të Krishtit. Menjëherë u fillua me analizat e ADN-së. Tekstet e bëra treguan se Jezu dhe Mariamene nuk kishin të njëjtën ADN, ndryshe nga kockat e tjera. Vallë ishin burrë e grua që ishin varrosur në të njëjtin varr? Joze duhej të ishte emri i një prej katër vëllezërve të Jezusë, siç dhe cilësohet në ungjillin e Shën Mateut. Koinçidencë ? Jo dhe aq… Megjithatë pyetjet ekzistojnë. Në tekstet e shenjta shkruhet për tre gra te quajtura Mari, përveç nënës së Jezusë: Maria e Betanisë, Maria e Magdalasë (Madalena) dhe Maria që i hidhte parfum në kokë Jezusë. Debatet gjatë shekujve kishin qenë të shumta derisa Vatikani vendosi që bëhej fjalë vetëm për një, Maria mëkatare e cila ishte penduar duke iu përkushtuar Jezusë.
Në filmin e prodhuar nga Cameroun dhe të shfaqur nga rrjeti televiziv «Discovery», përmes intervistash të historianëve e shkencëtarëve të ndërthurura me skena hollivudiane me aktorë për të na çuar në kohën e ngjarjeve të stuhishme, autorët përpiqen të trondisin atë që kristianët kanë besuar gjatë gati dymijë vjetëve: se varri i Krishtit nuk gjendet në bazilikën e Saint-Sepulcre por në një varr të thjeshtë e të harruar në periferi të Jeruzalemit. Cila është e vërteta?… Jo pak historianë e teologë pyesin: Si shpjegohet ringjallja e tij? Për ungjillorët, por më pas edhe për Kishën, prova e ringjalljes qëndron në shfaqjet e tij të shumta pas vdekjes. Mund të mendohet se të traumatizuar nga vdekja e Jezus, apostujt kishin nevojë ta ndjenin pranë karizmin e tij që të mund të përcillnin mesazhin që u kishte lënë ai. Sipas Akteve të Apostujve ata vazhdonin të shëronin në emër të Jezusë që jetonte brenda tyre. Tekstet e vjetra rreth shenjtërisë së Jezusë duhen lexuar në kontekstin e tyre. Emërtimi «bir i Zotit» atëherë ishte i natyrshëm në gjuhën e përditëshme të popullit hebre, çka nënkuptonte «bir i Izraelit», ose «hebre shumë afër Zotit». Jezu Krishti duket se është hyjnizuar progresivisht. Jezuja «i parë», ai i sinoptikëve (ungjillëve të parë) është një «shëronjës» dhe «mjeshtër». Më vonë në Aktet e Apostujve ai është profet, Zot dhe Krisht. Tek Shën Pali bëhet «bir i Zotit». Ungjilli i Gjonit, i shkruar në vitet 100-110 (teksti i Testamentit të Ri), më i përpunuari në planin teknologjik, e bën atë natyror, “le Verbe”, “Fjala”, një i huaj që vjen nga qielli për të lajmëruar ardhjen e mbretërisë së Zotit. Në këtë konceptim u zhvillua dhe filozofia neo-platoniciene e Etërve të Kishës Greke, që do të themelojë atë që quhet “kredo kristiane”.
Profeti i dashurisë dhe paqes
Kush udhëton në Tokën e Shenjtë dhe pikëtakohet me varrin e Krishtit nuk e ka të vështirë të kuptojë se para së gjithash, Jezu Krishti është një profet i dashurisë, një njeri që bëri diçka që më pas të hyjnizohej. Njeriu kishte nevojë për të, nevojë për të besuar dhe shpresuar. Për Jezu Krishtin nuk kishte rëndësi raca, ngjyra, besimi apo hierarkia shoqërore. Për të njerëzit ishin njëlloj. Rëndësi kishte njeriu, paqja, dashuria. Duke parë atë dyndje njerëzore, që si një lumë i pandërprerë shkonte drejt Vendit të Shenjtë, mijra duar, që zgjateshin njëra pas tjetrës për të prekur pllakën ku ishte larë trupi i tij i vdekur, gjithçka tregonte se ata njerëz e kishin harruar për një çast luftën, hakmarrjen, përçarjen e madhe që kërcënonte atë botë. E më pas, në shapelën e Kryqëzimit, duke zgjatur duart për të prekur atë pllakë të gurtë e të lëmuar, që dikur kishte mbuluar trupin e Jezusë, dukej sikur njerëzit gjenin diçka që ngjizte fatin e tyre me fatin njerëzor dhe planetar. Në fund të fundit, a nuk kishte qenë ai një njeri që i ishte kushtuar dashurisë, ai që prefekti romak ua tregoi hebrenjve ashtu të përgjakur duke u thënë: “Ja ku është ky njeri!… Ecce homo!” Nuk di pse ky imazh mu shfaq gjatë udhëtimit tim në Jeruzalem.
Duke zbritur «Via Dolorosa» për të shkuar drejt Murit të Lotëve të hebrenjve, sipër të cilit shndriste kupola e Xhamisë së Madhe El-Aksa (viti 1218), nuk mund të mos mendoje se fati dhe jeta në fund të fundit i kishte caktuar popujt e botës të jetonin bashkë dhe se lufta ishte një çmenduri e madhe. Nuk mund të mos kujtoja vitet e adoleshencës dhe rinisë sime, kur kineast i ri pikëtakoja gjurmët e freskëta të anti-Krishtit dhe anti-profetëve. Nuk mund të mos kujtoja kishën e bastisur të Mbrostarit, kishën e braktisur të Maligradit mes liqenit të Prespës me afresket e vjetër të apostujve apo kishën e manastirit të Ardenicës, të shndërruar në një depo ushtarake, ku në afresket plot ngjyra, sytë e Jezusë dhe apostujve të tij ishin zhgryer dhe kthyer në vrima. Si mund të shkuleshin sytë e profetëve?…
Kronikë historike
Viti – 63 (p.e.s) – Pompeu hyn fitimtar në Jeruzalem
-37 – Herodi Antipater (Herodi i Madh) i mbrojturi i romakëve shpallet mbret i hebrenjve.
-4 – Lindja e Jezusë. Ndërkohë rindërtohet Tempulli. Dy djemtë e Herodit, Archelaos dhe Herodi Antipas mbretërojnë në Jude dhe në Galile.
Viti 0 – Nis kalendari kristian.
26 – Romaku Pontius Pilatus (Ponce Pilate) bëhet prefekti i Judesë.
27-28 – Pagëzimi i Jezusë nga Shën Gjon Pagëzori.
30 – Në 6 prill, Jezu dhe shokët e tij vijnë në Jeruzalem të festojnë festën e Pessah (Pashkët);
7 prill, Krishti kryqëzohet.
37 – Kaligula është perandor.
38 – Shndrimi i Shën Palit nga hebre në kristian.
70 – Shkatërrimi i Jeruzalemit nga Titus.
Ungjilli i Shën Markut
80 – Ungjilli i Mateut
90 – Ungjilli i Lukut
100 -110 – Ungjilli i Shën Gjonit
325 -Në Koncilin e Nice-së, Jezu Krishti shpallet shenjt.
380 -Kristianizmi shpallet feja e shtetit romak.