Me një portret-kujtim nga Picasso
Grek nga Athina dhe me origjinë shqiptare, nga e ëma, – shkruante Apollinaire, – Moreas ishte i tillë edhe nga i ati. Atij i pëlqente të bënte të njohur se mbiemri i tij i gjatë, që fshihte një pseudonim të pëlqyeshëm për veshin e francezëve, nuk ishte veçse një formë e helenizuar e emrit shqiptar Diamanti… Nga trungu i familjes së tij, ai kishte gjysh komandantin e lavdishëm të flotës greke, Tombazi, trimëritë dhe betejat e të cilit i dhanë atij një emër të famshëm, në kohën kur grekët ngritën krye më 1821 për të shpëtuar nga pushtimi osman. Detari i pathyeshëm pati idenë e vënies së zjarreve në anijet turke, që i shkatërruan aq shumë ato dhe që nxitën heroizmin e Kanaris. Ai më fliste për detarët hidriotë dhe ishullin e bardhë, Hidrën, të banuar nga shqiptarët, që kurrë nuk i kishin lënë turqit të zbarkonin atje…
Do të ishte një shkrim i poetit të madh francez Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire) botuar në Bredharaku i dy brigjeve që do të zgjonte tek unë kureshtjen për të madhin Zhan Moreas (Jean Moreas) siç e njihnin francezët, apo Jani nga Morea siç e kishte françizuar emrin ai, pasi Moreas në fakt quhej Jani Papadiamanti.
Rrënjët e Moreas ishin bota arvanitase e ngjizur me shtegtimin dhe fatet e historisë së dy popujve, rrënjë për të cilat shkruan shpesh në poezitë e tij. Ishte nostalgji që do ta ndjekë gjatë gjithë jetës në Perëndim gjer ditën kur do të vdiste, si një pelerin dhe europian njëkohësisht. Moreas ishte vetmitar, edhe pse ishte një nga këndonjësit më të mëdhenj të dashurisë në kohën e tij. Ky “dandy” i ardhur nga brigjet e ngrohta të Mesdheut, me një nerv të habitshëm poetik dhe imagjinatë të jashtëzakonshme shpejt u bë i njohur në rrethet letrare të Parisit ku nuk mund të hyje kollaj. Ishte pena e tij e artë, vargu metaforik, poezia e tij e çliruar dhe simbolike, larg standardeve të vjetra “parnasiene” që bënë ngjitjen e shpejtë të këtij ylli poetik në qiellin e poezisë më të rafinuar të botës. Miq të tij ishin Paul Verlaine apo Stephane Mallarmé e një brez poetësh të tjerë të mëdhenj që e patën atë si një yll polar, udhërrëfyes në udhët e një poezie të re që ai dhe miqtë e tij vendosën ta quanin simbolizëm. Është interesant fakti që në gazetën më të njohur të asaj kohe Le Figaro, më 18 shtator të vitit 1886, shkruhej : “Që prej vitesh shtypi parisien po merret shumë me një shkollë poetësh e prozatorësh “dekadentë”. Poeti i vëllimeve poetike Syrtes dhe Cantilenes, Jean Moreas, një nga më të dukshmit ndër ta, revolucionari i letrave, formuloi pas kërkesës sonë principet themelore të kësaj risije të re artistike”.

Pikërisht në këtë datë historike të krijimit të shkollës së re të simbolizmit, Moreas shkruante: “Si të gjitha artet, edhe letërsia zhvillohet: një evolucion ciklik me kthime të përcaktuara dhe që ndërthurin në vetvete ndryshime që i sjell ecuria e kohërave dhe vetë ndryshimet e jashtëzakonshme të mjedisit… Ne kemi propozuar ta quajmë simbolizëm si e vetmja shkollë që mund të përcaktojë qartë tendencën aktuale të shpirtit krijues në art. Për të ndjekur rrjedhën e kësaj shkolle të re, duhet të shkojmë gjer te disa poema të Alfred de Vigny, gjer tek Shakespeare, mistikët apo më larg akoma. Këto çështje do të kërkonin një vëllim të tërë komentesh. Por le të themi se Charles Baudelaire duhet të konsiderohet si prekursori i vërtetë i lëvizjes aktuale; Stephane Mallarmé, pjesë e këtij misteri poetik dhe i asaj që s’mund të shpjegohet. Paul Verlaine i theu me guxim pengesat e tmerrshme të vargut…”
Kështu, Moreas, lajmëroi një evolucion të ri të botës letrare apo një përmbysje të peizazhit letrar, i cili në të ardhmen do të prezantohej në një formë të re. Të gjithë e adhuronin poetin e madh: Apollinaire e shihte atë si atin e vet shpirtëror dhe Oscar Wilde gjithashtu që ato vite kishte gjetur strehë në Paris, pranë Odeonit. «Një mbrëmje, i ndodhur prapa Moreasit, Oscar Wilde e pa atë duke ecur dhe thirri: “Shiheni, ai po vozit!”. Në kulmin e lavdisë së tij në Paris, Moreas, i deklaronte biografit Byvanck: “Unë kam qenë gjithnjë një rebel. Në fakt, unë nuk i përkas racës greke. Familja jonë fisnike është me origjinë nga Epiri. Ajo quhet Papadiamantopulos, që vjen nga mbiemri Diamanti. E kërcënuar nga mizoritë turke, familja jonë e la atdheun nga fillimi i shekullit XVIII dhe u vendos në More, në Peloponez. Familja jonë i ka dhënë shumë pavarësisë greke. Babai im jetonte në Athinë, në rrethin e princit bavarez, mbretit Othon… Dhe pikërisht në këtë kohë nis rebelimi im.”
Jani nga Morea lindi në prill të vitit 1856 dhe si shumë arvanitas u rrit në një shtëpi në lagjen Plaka, rrëzë Akropolit. Rininë e tij e kaloi nëpër rrugët që të çonin në sheshin Omonia dhe Stygmatia, që do t’i kujtojë më pas në poezitë e tij Buzë një deti kam lindur : Buzë një deti kam lindur / Ngjyra e të cilit është më e ëmbël se e safirit oriental / Zambakët mbi rërë gëlojnë… / Vallë portreti yt i trishtë / Në zambakun e zbehtë të detit të vendlindjes…?
Që i ri ai dallohet për prirjet e tij poetike. I këndon Hidrës dhe Sulit, që siç shkruan ai “është një kushmar për Ali Pashë Tepelenën”. Në tregimin e shkurtër Kështjella e të bukurës ai flet për atë “zonjë të mbrojtur nga luftëtarët me pushkë të gjata shqiptare”, dhe “kur kështjella do të pushtohej me dredhi, zonja, që të mos bjerë në duart e armiqve, hidhet në greminë”. Një variant i ngjashëm me legjendën e kështjellës së Gjirokastrës. Ai shkruan poezi dhe parapëlqen kulturën franceze, veçanërisht Beaudelaire-n. Më 1878 botoi në Athinë vëllimin poetik Turtulleshat dhe gjarpërinjtë me pesë kapituj, në frëngjisht. Babai i tij ishte i pasur, prokuror i Gjykatës së Kasacionit të Athinës, kështu që ai nuk përjetoi as mjerimin e Verlaine-së apo Beaudelaire-it dhe as vuajtjet dhe marrëzinë e Rembaud-it. I ati donte që ai të bëhej jurist e jo poet, kështu që e dërgon për studime në Gjermani. Por, në vend që të studionte drejtësinë ai merrej me Heine-n, Schopenhauer-in, dhe sidomos me Goethe-n e Nietzche-n, të cilëve do t’u referohet gjithnjë. “Unë i lashë studimet për drejtësi për shkak të demonit tim poetik që më kishte pushtuar të gjithin”. Në moshën 22 vjeçare, ai u zhduk nga familja dhe bëri një arratisje të çuditëshme me tren nëpër Itali, duke qëndruar në Bolonjë, Firence e gjetkë, dhe duke shijuar shumë lloj aventurash. Për Moreas kishte filluar aventura e tij europiane.
Ai zbriti në Marsejë më 1879 dhe pak kohë më pas u shfaq në Paris, për të ndjekur studimet për drejtësi, por që shpejt i ndërpreu, për të hyrë në mjediset poetike të Montparnasit dhe të Montmartrës, ku rrinin poetët, piktorët e muzikantët e famshëm të mbledhur nga e gjithë bota. Në fillim, djaloshi nga Athina kishte një pamje levendi dhe me një kapele të madhe kalabreze, por më pas veshja e tij u thjeshtua dhe ai mbajti vetëm mustaqet. Legjendat e ndiqnin pas, sepse njerëzit shpejt e morën vesh se ai vinte nga një familje heronjsh të pavarësisë greke. Në atë kohë ai vendoset në një shtëpi në Montmartrë dhe netët i kalon kafeneve, ashtu si dhe Oscar Wilde ca vite më vonë. Duke ju referuar kësaj periudhe, në librin e tij Jeta e përditshme në Montparnasse, shkrimtari Paul Crespelle, lidhur me Jean Moreas, përmend kafe-restorantin “Closerie de Lilas”, një nga vendet mitike të parnasienëve dhe artistëve të tjerë parizianë. Pikërisht në Closeri atë e kishte takuar dhe poeti i ri shqiptar Arif Dino, adhurues i Rembosë, që atë kohë do të vihej në gjurmët e Apollinaire e më pas do të shkruante “galligrames” e tij. “Closerie, – shkruan Crespelle, – ishte e përzgjedhura e letrarëve. Aty kishin kaluar Verlaine, Strindberg, Jean Richepin, Oscar Wilde… I vetmi që i mbeti besnik kafenesë së vjetër ishte Moreas. E thërrisnin Matamoreas. Me monokle në sy dhe mustaqet e lyera e të ngritura si të Dalisë, i adhuruar nga një sërë poetësh të rinj, ai shpesh u jepte këshilla ironike: “Mbështetuni fort në principet e poezisë!”… Atë kohë, si shumë artistë të Montmartre edhe Picasso-s i pëlqenin tubimet në “Closerie”. Kur ai hynte, Moreas e pyeste: “Më thuaj zoti Picasso, Velasquez, a ishte vallë një piktor i mirë? – dhe i largohej duke qeshur pa pritur përgjigjen e tij… Shpesh ndihej zëri i tij që dominonte zhurmën e bisedave. Ai deklamonte strofat që dikur kishin bërë lavdinë e tij. Askush nuk çuditej nga fantazitë e Moreas. Madje kamerierët e “Closerie” filluan të shpreheshin në vargje: “Mjeshtrit Moreas, një kafe po i sjell!”. Shpesh ai kishte shprehje të habitshme. Një ditë, duke hyrë në kafene, pasi i hodhi një sy sallës u kthye mbrapsht dhe duke u larguar tha: “S’paska njeri!” – Në fakt, në kafene, mes njerëzve, ishin aty Trocki dhe Lenini. Këtë histori të vërtetë, pas së cilës Bourdelle që jetonte në Montparnasse, shkrihej i tëri, ma kishte treguar vajza e tij. “Closerie” ra në zi kur Moreasi vdiq atë fund marsi të vitit 1910. Qindra poetë, artistë e shkrimtarë e ndoqën arkivolin me lotë në sy gjer në “Père Lachaise”. Apollinaire qante me lot të nxehtë…”

Ky njeri që e fliste frëngjishten shkëlqyeshëm, shpejt u bë i njohur në rrethet letrare. Më 1884 ai botoi vëllimin poetik Les Syrtes (Gjiret e Sirtës) dhe më 1886 vëllimin tjetër Les cantilenes. Pikërisht atëherë kur hodhi bazat e “simbolizmit poetik francez” dhe ku fshikulloi ekseset e “parnasieneve” të mbledhur në Montparnas, një luftë e ashpër do të zhvillohej mes tij dhe poetëve të tjerë. Paul Verlaine, e mbështeti atë menjëherë. Pranë Moreas shpejt u mblodhën poetë të rinj, kështu që beteja letrare u zhvillua në favor të tij. Ai tentoi të shkruajë dhe një roman simbolist, Zonjushat Goubert, që siç duket nuk i rezistoi historisë. Në fillim të vitit 1891 ai u veçua nga simbolistët dhe bashkë me poetin tjetër Charles Mourras, themeloi “shkollën romane”, (“Ecole romaine”), duke kërkuar që fjala poetike të kthehej në burimin e pastër të gjuhës së Racinit dhe të Rabelesë, që poezia e asaj kohe të vështronte nga poezia klasike e greko-romake. Më 3 shkurt 1891 ai festoi botimin e vëllimit poetik Pelerini i pasionuar. Në këtë “soiré” që e drejtoi poeti tjetër i madh Stephane Mallarmé e ku merrnin pjesë Anatole France, Paul Gaugin, etj, Mallarmé ngriti lart figurën e mikut të tij Moreas.
Moreas ishte një poet tepër sensual dhe erotik. Poezia kushtuar Magit, A Maggy, mbahej si një ndër poezitë më të bukura të atyre viteve. Por, Moreas nuk ishte vetëm një dashnor i ëmbël. Ai kishte një karakter burrëror dhe ishte trim. Gjatë luftës greko-turke, si dikur paraardhësit e tij, edhe ai kërkoi të shkonte në frontin e luftës. «Nëse vdes, – thoshte ato ditë ai, – dëshiroj të vdes jo nga plumbi, por nga goditja e një shpate të gjatë e të hollë». Edhe vdekjen Moreas e donte të bukur dhe heroike, si në tregimet legjendare. Më 1909, kur Franca e kishte nderuar më së fundi me dekoratën e lartë “Officier de la Légion d’Honneur”, ai shkruan testamentin e tij, ku kërkonte që trupi i tij të digjej dhe pasuria e tij të përdorej për shpërblimin e një çmimi letrar poetik që do të jepej çdo vit. Në mars të vitit 1910, i rrethuar nga turma që adhuronte poetin e madh, tashmë me kombësi franceze, ai vdiq në spitalin e Saint-Mande në periferi të Parisit. Apollinaire do ta kujtonte me dhimbje ditën kur i shkonte në shtratin e vdekjes, aty në atë dhomë blu, me dy dritare, e ku tutje dukej pylli i Vincennes. “Unë nuk pashë më nga Moreas, veçse një fjollë tymi dhe imagjinova zemrën e mikut tonë të rrethuar nga flakët. Ajo zemër e zjarrtë digjet ende…”

Guillaume Apollinaire për arvanitin Moréas
Jean Moréas
Poeti që sapo ka vdekur lë pas tij një vepër të rrallë dhe të përsosur midis veprave të tjera të njerëzimit. Ai ishte një njeri i këndshëm dhe të gjithë që e kanë njohur nga afër, kujtohen për bisedat e tij me një mënçuri të veçantë dhe aspak të bezdisëshme.
Unë mendoj se pas Gëtes nuk ka patur një tjetër shkrimtar si ai që ta ketë vështruar jetën me aq qartësi e largpamësi. Ndjenjat e tij më pasionante ai i ngrinte në një nivel të lartë kulture saqë çdo gjë që ai ndjente bëhej poetike, dhe në këtë unë kuptoj atë lloj klasiçizmi apo nëse doni vetë përsosmërinë.
Ai thoshte shpesh: «Përsosmëria është shumë e vështirë, pasi nuk mund të themi se në çfarë qëndron ajo. Eshtë asgjë dhe njëkohësisht gjithçka.»
* * *
A duhet kërkuar më shumë kjo përsosmëri që i jep aq vlera veprës së Jean Moréas-it në vëllimin Les stances sesa tek Ifigjenia? A duhet të mjaftojmë, siç thotë zoti Maurice, duke admiruar Erifilin, apo të kënaqemi me hijeshinë rinore të Pelerinit të pasionuar, siç thotë zoti Remy de Gourmont.
Sa më përket mua, unë mendoj se përsosmëria gjëndet kudo në veprën e përsosur të Poetit të përsosur. Megjithatë, shkëlqimi i kësaj përsosmërie shndrit më shumë tek Ifigjenia, tek Les Stances. Talenti i poetit në këto vepra kishte më pjekuri dhe artisti më eksperiencë. Nëse Filokteti do të përfundohej, ose Ajaksi, askush nuk dyshon se gjenia e Jean Moréas-it u shfaq në këto tragjedi me më shumë dritë se tek Ifigjenia.

Por asnjë nga admiruesit e Moréas-it nuk gabon. Ai shqetësohej vazhdimisht për përsosmërinë dhe ajo për të. Ajo i bën legjitime vargjet e tij të lira dhe ngjiz në vargjet e rregullta atë guxim të habitshëm që shkakton gjithnjë admirimin e atyre që duan poezinë. Dhe duhet shtuar se ai nuk i mohoi kurrë vargjet e lira.
«Mund të bësh vargje të mrekullueshme, – thotë ai, – dhe unë kam shkruar nga këto vargje. Por me moshë nuk i a vlen të merresh me to. Vargjet e rregullta mjaftojnë për të shprehur gjithçka: ato janë të zhdërvjellta, të përsosura…”
* * *
Jean Moréas-i meriton ta quajmë Poet i përsosmërisë. Në shekullin e XX askush tjetër përveç tij nuk ka të drejtë për një nder të tillë. Nga ana tjetër, a nuk mendonte ai për vetveten duke shkruar për Gëten:
“Eshtë fatkeqësi për poetin që lind në një nga ato çaste ekuivoke ku tradita e artit është bërë diçka pa vlerë, ku është e nevojshme të përmbyset rendi për të kërkuar pastaj që ai të rivendoset në një bazë më të qëndrueshme.
Mundet që lavdia e këtij poeti të bëhet e lakmueshme nga të tjerët, por jeta e tij në fakt ishte helmuar përjetësisht.

“Autori i Faustit lindi në një nga këto çaste të mjera, ku talenti i vërtetë, që të jetë pjellor, është i detyruar të bëjë njëmijë çmëndurira. Në fillim ai ishte i verbuar dhe pa menduar, gjithë çka ndodhte përreth ai e mori si një dhuratë të qiellit. Për të ishte më e lehtë të abuzonte sa……ngrihej pas hapave të tij njëlloj si guri kur piqet. Dhe kështu ai i përshkoi gjithë vitet e tij të rinisë deri në prag të pleqërisë. Por aty një dyshim e kapi dhe ai hodhi pas vështrimin e dhimbshëm, në ato rrënoja të bukura që kishte krijuar rreth vetes. Dhe atëherë ai nisi ta rindërtonte gjithë dashurinë e tij me forcat e tij të fundit ende plot nerv. Kolona të gjalla do të ngrihen së shpejti në qiellin e artit, por tempulli do të mbetet i gjymtuar dhe rrënojat e tij do të vazhdojnë ta shtypin zëmrën e Muzave.
Përsosmëria e Moréas-it shkëlqen gjithashtu dhe në prozë. Dhe ai ka pohuar shpesh se prozën e paraplqente në krahasim me vargjet që shkruante…Por cila prozë mund të barazohet me harmoninë e pasionuar të vargjeve të Les Stances!
Verë, gjithë kënaqësitë që stina tënde më sjell
Si dhe ato të pranverës, të gjitha bukurinë kanë humbur
Lamtumirë vjeshtë e dashur! Tani që në portën time dimri troket
Unë do ta hap pa keqardhje.
Në pyllin e lashtë, era dhe sopata
Dhe fati midis njerëzve
Sa herë që godet pret lavdinë, dashurinë, miqësitë
Me më shumë ëmbëlsi, gjethja mbi fllad psherëtin ,
Sesa dega e goditur që kur bie nuk rënkon,
Dhe kur fatkeqësia dëgjohet nga lira
Ku çdo këngë tjetër është veç jehonë që shuhet
Jeta e ditë hidhërimin
Ju përballoj ende, por zemra ime është thyer
Dhe nëse s’ka më shkëlqim, ndoshta ajo po shuhet
Eshtë zjarri i zymtë dhe hyjnor që më ka pushtuar.
Vetmitar dhe i menduar, udhëve do të iki
Në qiellin pa ngrohtësi që gëzimi shpërndan,
Dhe në zemrën gjithë dashuri, në duar do të marr
Gjethet e vjeshtës, në hije të plepave.
Do ta dëgjoj flladin dhe cicëriimat e zogjve,
Që fushave flutuojnë, ku nata tashmë ….
Në livadhin buzë ujrave të trishta
Për shumë kohë do të mendoj për jetën dhe varrin.
Aji i akullt do ti ndalojë retë e ngrira
Dhe perëndimi i diellit do të shuhet në brymë
Atëherë i lodhur nga udha, në ndonjë gur, i ulur,
I qetë bukën e hidhërimit do të ndaj.
Kur në erë do vij të ulem
Në cepin e shkëmbit vetmitar,
Kur mos të dëgjoj më zhurmën
Që zemra ime bën në këtë tokë
Mos u përmbaj Oqean….
Në fytyrën time pak shkumë të hedhësh
Me një goditje thike duhet të më marrësh
Për të fjetur në hidhërimin tend.

Guillaume Apollinaire
Çfarë ndodh buzë një varri. Jean Moréas do të vdesë.
Çastet e fundit me poetin. Jeta dhe vepra e tij.
Jean Moréas po shuhet ngadalë në spitalin e Chaussée-de-l’Etang, në Saint-Mandé. Mbrëmë ra në agoni. Nga lajmet e fundit është e sigurt se vdekja e tij po afron. Eshtë veç një çështje orësh, ndoshta minutash.
Poeti i madh i vëllimit poetik Les Stances po vdes si një qytetar francez, siç dhe e kishte dëshiruar.
Me origjinë shqiptare, ai lindi në Athinë më 15 prill të vitit 1856. I pëlqente të fliste për të parët e tij epirotë, për paraardhësin e tij Tombazi, i cili korri aq fitore detare gjatë luftës së Pavarësisë dhe që dogji më shumë se një kryeanije osmane. Emri i tij i vërtetë është Papadiamantopulos, që është një formë greke e emrit të një familjeje të madhe shqiptare Diamanti. Ai kujtohej që gjatë një udhëtimi kishte kundruar ishullin e Hidrës, ku toka dhe gjithë shtëpitë janë me gurë mermeri, ku shqiptarët që janë prej një gjaku të pastërt e më të vjetër se Greqia e madje dhe Europa dhe që banojnë atje, nuk i lanë asnjëherë turqit ta shkelnin vëndin e tyre…
Gjatë rinisë së tij, Moréas, i cili kishte një kulturë plotësisht franceze, përshkoi Gjermaninë dhe pastaj u fiksua në Paris, ku qielli dhe lumi i këtij qyteti e bënë të pyeste veten e të kuptonte, siç thoshte ai kohët e fundit, se përse hyjnitë e kishin lënë të lindë në Athinë.
Që nga ai moment, biografia e Moréas-it ngjizet me historinë e letërsisë bashkëkohore. Ai filloi të botojë në nëntor të vitit 1882 në La Nouvelle Rive Gauche dhe më 1884 botoi vëllimin poetik Les Syrtes e më pas Cantilènes (1886). Në të njëjtin vit ai botoi Manifestin e Simbolizmit në gazetën Le Figaro. Më pas ai themeloi «Shkollën romane» që kishte si dishepuj Maurice de Plessys, Raymond de la Tailhède, Ernest Raynaud dhe Charles Maurras. Në këtë epokë ai botoi Pelerinin e pasionuar, një vepër me një bukuri të madhe poetike që shndriste nga ky iluminim i vetëdijshëm, për të cilën flet dhe poeti. Por kryevepra e Jean Moréas-it është Les Stances, libër me një përsosmëri të rrallë: «Mjeshtër i stilit të tij dhe i imazheve të tij, – thotë Jean de Gourmont, – ky autor na jep shëmbullin e kthimit në disiplinën klasike: na bën të ëndërrojmë për Jean Racine…»
Jean Moréas ka shkruar një tragjedi të titulluar Ifigjenia, e cila e shfaqur më parë në Orange, Odeon, Tunis e në Greqi, do të interpretohet në qershor në teatrin e Komedisë Franceze.
Ai na ka lënë gjithashtu vepra të shkruara në një prozë të përsosur.
Unë e takova Moréas-in në ditët e fundit të jetës së tij. Ai do të vdesë si një njeri i mënçur, pa frikë për të ardhmen dhe pa i ardhur keq për asgjë.
Lamtumirë Mjeshtër!…Ju kam dashur shumë dhe do të ruaj me fanatizëm kujtimin tuaj…
31 mars 1910.
Poezi nga Moréas :
Përrallë dashurie (VII)
Dimër: thëllimi vajton
Dëbora pemët mbulon
Dhe në zemrat tona dashuria ime e mjerë
Dëborë do të bjerë, dëborë…
Dje: djejtë të verdhë ishin
Dje, verë ishte ende.
Ishte uji që rridhte në verrishtë
Nën misërishten e mbjellur në luginë qe.
Dje ishin zambakët e bardhë, rozë,
Zambakët e artë që përskuqeshin
Dhe nesër: do të jenë pasrozët[1]
Dhe ifët[2] vajtues do tunden.
Duke tundur jeshillëkun e dëndur
Mbi lumturitë tona të varrosura;
Nesër do të jetë vallja makabre
E kujtimeve me ball të zbehtë;
Nesër do të jenë dyshimet, frikat,
Dëshirat e martirizuara,
Nesër gjumi pa shtrëngimin tënd do të jetë
Dhe zgjimi pa puthjet e tua…
[1] – Lloj luleje.
[2] – Pemë.