PYETSOR PER LUAN RAMËN
– A mendoni se kulturologjia dhe dijet kanë domosdoshmërinë e tyre në letërsi, si dimensione njohjesh, pa rënë në grackën e manjerave.
– Sigurisht, kultura e një shkrimtari është tepër e rëndësishme në aventurën e tij letrare. Para dyzet vjetësh mendoja se poeti francez Artur Rembo ishte produkt vetëm i talentit të tij, virtutit poetik të një djaloshi 20 vjeçar që gjatë vetëm pesë vjetëve krijoi universin e tij poetik të jashtëzakonshëm dhe pastaj e braktisi poezinë si Francën, meqëp oetët «parnasianë» nuk e kuptuan. Mendoja se ky njeri nuk kishte ndonjë bagazh kulture por kur shkrova librin «Rrugëtimi i mbramë i Arthur Rimbaud» dhe duke studjuar më thellë poezinë e tij kuptova se referencat e tij letrare, krahasimet, simbolet e metaforat mbështeteshin mbi një kulturë të madhe historike çka e kishte përftuar deri në moshën 20 vjeçare. Për të shpjeguar shumë nga vargjet e tij enigmatike dhe me plot referenca, biografët e tij kanë krijuar një «fjalorth» më vete që është shprehje e kësaj kulture. Pra kultura e përgjithshme është tepër e nevojshme. I tillë ishte dhe Sharl Bodler i cili ishte një njohës i letërsisë anglo-saksone, përkthyes i Edgar Poe-s, kritik i hollë i salloneve të pikturës, letërsisë, fotografisë në kohën e tij. Artikujt e tij janë të mrekullueshëm çka shprehin kulturën e madhe të tij. Shkrimtarët më të mëdhenj mbartin në fakt një kulturë të madhe: të tillë ishin një Borges, Flobert, Apoliner, etj. Romanet e Kadaresë që ngërthejnë antikitetin grek apo epikën e veriut shqiptar dëshmojnë për njohjen e dimensionin e tij ë veçantë kulturor. Njohja e gjerë, kultura e madhe e ndihmojnë letrarin të zgjerojë gamën e krahasimeve të tij, referencave jetësore, historike, çka e bëjnë akoma më interesante një poezi apo një roman. Njëkohësisht dhe të njohë profile të tjera të botës letrare çka përbën eksperiencë më vete.

– Sa e nevojshme dhe e domosdoshme është letërsia e traditës, ndoshta që nga ajo orale, në bërjen e një baze të fortë, mbi të cilën autorët mund të ngrenë elementë të letërsisë së sotme. Na flisni pak për këtë raport.
– Njohja e letërsisë së traditës për një shkrimtar është padyshim e rëndësishme. Të njohësh në thellësi veprën e Naim Frashërit apo De Radës (dy autorë modernë për kohën edhe pse i përkasin shekullit XX) është një referencë e madhe, madje frymëzuese, ashtu siç është letërsia e Kutelit, «Floberit shqipta», i cili të mëson si ta shkruash gjuhën, si ta pasurosh frazeologjinë, si të përdorësh pasurinë gjuhësore popullore çka i jep kolorit e realizëm ngjarjeve, personazheve. Por mendoj se akoma më e rëndësishme është letërsia gojore popullore, këngët e vjetra, legjendat, ngjarjet, mitet çka janë një gurrë e pashtershme çka të frymëzon për vepra moderne, madje dhe në fushën e realizmit magjik po tu referohemi mitologjisë autoktone. «Kënga e Doruntinës» apo «Udhëtimi i të vdekurit» siç quhet nga historianë të huaj, është diçka tronditëse dhe shumë frymëzuese. Na mungon një roman i vërtetë i frymëzuar nga kjo këngë apo nga epika e Mujit dhe Halilit. Mund të flasim kështu dhe për legjendat e tjera popullore të cilat mund të jenë shumë frymëzuese për poetët, shkrimtarët apo artistët në përgjithësi.
– Majakovski thotë në një vend se tashmë ka ardhur koha që të hedhim në det nga varka e letërsisë Tolstoin, Pushkinin etj. A mendoni se ka nga ato autorë shqiptarë që janë thjeshtë relike në historiografinë e letërsisë, dhe as shërbejnë e më pak frymëzojnë. Si mendoni se duhet të sillet me to kritika dhe katedra historike e vlerësimit të shkrimtarëve.
– Janë disa personalitete letrarësh që nuk mund të hidhen poshtë apo ti lihen thjeshtë traditës hstorike pasi Dante, Shekspiri, Servantesi, Tostoi, etj, kanë qenë dhe janë gjithnje modernë me veprat e tyre. Modernë janë për ne Naim Frashëri, Migjeni, Lasgushi përmes forcës letrare, origjinalitetit dhe të resë që sollën në krahasim me traditën… Kur autori i «Re në pantallona», Vladimir Majakovski, e ka thënë këtë shprehje, ai ishte në ethet e poetikës revolucionare dhe të utopisë dhe i kishte kthyer shpinën traditës. Ishte një avanguardist i talentuar por jo pak të tillë edhe në vendet perëndimore kanë gabuar duke mos e vlerësuar letërsinë e traditës. Të tillë ishin dadaistët dhe surrealistët të cilët hodhën poshtë gjithçka të krijuar më parë apo shkollat e reja letrare: simbolistët mohonin natyralizmin dhe realizmin, shkolla romane në Francë mohonte simbolizmin, etj. Po të jetonte më gjatë, Majakovski do ta mohonte besoj atë shprehje të rinisë së tij revolucionare.
Historikisht çdo letërsi me kalimin e epokave bën seleksionimin e krijuesve të vet, pra mbeten në reliev vetëm ata që mund ti përcaktojmë modernë përsa i përket formave dhe vlerave letrare, peshës së emocionit, etj. Poeti francez Fransua Vijon ishte i tillë, modern, edhe pse shkroi në shekullin e XV. Dihet që brezat që vijnë më pas kanë gjithnjë një qëndrim kritik dhe realist për atë çka është krijuar para tyre. Por krijimet e mëdha dinë ti rezistojnë kohës. Ç’ka mbetet nga një shkrimtar? Nga Çajupi kujtohen vetëm dy vepra: «Pas vdekjes» dhe «14 vjeç dhëndër», nga Asdreni vetëm «Endrra dhe lotë» e keshtu me rradhë. Të tjerë, është e vërtetë që mbeten si relike por që në fakt përbëjne kontribute por që nuk i flasin të sotmes. Lidhur me letërsinë e traditës janë shkruar shumë botime kritike dhe jo aq mbi letërsinë e shekullit XX. Ky raport më duket se duhet ndryshuar. Kritika duhet ti referohet më shumë letërsisë së sotme dhe problemeve apo arritjeve që lidhen me të. Mendoj se në këtë gjë ka ndikuar dimensioni historik i këtyre veprave të traditës dhe kontributi i tyre atdhetar, ndërkohë që vlerat letrare janë parë në plan të dytë. Vlerësimi i kësaj letërsie ka qenë i nevojshëm për faktin se është krijuar në kushtet e pushtimit të egër osman dhe mungesës së mësimit të gjuhës shqipe brenda territoreve shqiptare. Pra kjo ka të bëjë me sferën e historiografisë letrare dhe jo me kritikën e vërtetë letrare. Po kështu, rilevimi i letërsisë së klerikëve shqiptare duke filluar nga viti 1985 ishte një detyrë nacionale dhe një kontribut fillimthi dha revista «Les Lettres albanaise», që brezat e rinj të njihnin letërsinë e mohuar, por përsëri edhe ketu jemi në fushën e historiografisë dhe jo të kritikës së mirëfilltë dhe të një letërsie të kultivuar. Pra sot nuk kemi nevojë për patetizëm në vështrimin e letërsisë së traditës.
– A është Franca një atdhe i madh letërsie dhe orientimi kulturor, një aset i kulturologjisë botrore. Zëri i krijuesve tanë atje a është i ndonjë tonaliteti që ia vlen të përmendet, apo është tingull minor në atë tërësi krijimi. A mund të na flisni konkretisht për dimensionet e atyre më të spikaturve. Patjetër dhe për piktorin e famshëm Omer Kaleshi, të cilin e kam takuar dhe kemi biseduar gjatë, e që unë i kam dy ese për të të botuara.
– Franca mbetet padyshim një atdhe i letërsisë së madhe, i arteve dhe i kulturës në përgjithësi edhe pse metropole të tjera janë sot shumë aktive në manifestimet kulturore, të një letërsie dhe arti të fuqishëm e modern. Nju Jorku, Berlini, Londra janë promotore të një letërsie dhe arti të madh. Franca mbetet e tillë pasi deri në gjysmën e parë të shekullit XX, ose më mirë gjer në vitet ’70 ishte metropoli më i fuqishëm kulturor në botë. Mjafton të themi se gjer në atë kohë u bë atdhe i shumë artistëve që vinin për të krijuar nga e gjithë bota, jo vetëm letrarë por dhe shumë artistë të arteve të ndryshme, të pikturës, skulpturës, muzikës, fotografisë, baletit, etj. Deri në këto vite në Francë ishin ende Kamy, Sartri, Beket, Pikaso, Shagall etj. Në librin e
fundit «Bohemë anglosaksonë në Paris», kam treguar pikërisht fuqinë atraktive të Parisit për shkrimtarët anglosaksonë duke filluar me Uald, Xhois, Paund, apo Heminguei, Fitzgerald, etj. Kështu do të ndodhte dhe për një brez shkrimtarësh e artistësh të kontinentit latino-amerikan, etj, me Sabato, Asturias, etj. Përsa i përket letërsisë shqipe në Francë dihet tashmë kontributi i veçantë i Kadaresë i konsideruar si një nga shkrimtarët më origjinalë në botën moderne. Letërsia e tij përbën padyshim një fenomen letrar që nuk dihet kur do arrihet nga ndonjë shkrimtar tjetër shqiptar. Sigurisht janë botuar dhe një rradhë shkrimtarësh shqiptarë në gjuhën frënge por duhet të konstatojmë se nuk kanë qenë zbulime te mëdha të kritikës franceze dhe më gjerë. Kjo ndoshta se shkrimtarëve tanë u kanë munguar përkthyesit në gjuhën frënge dhe mbështetja e institucioneve të kulturës për ti bërë të njohura ato. Por programet e fundit në fushën e përkthimit dhe Qëndra Kombëtare e Librit dhe Leximit mund ta bëjnë më të dukshme këtë letërsi në botën frankofone dhe ti japin një jehonë internacionale, por përzgjedhja e veprave duhet të jetë në bazë të vlerave që ato përcjellin dhe jo nhga konjuktura personale.
– Përveç letërsisë dhe mendimit kritik e të analizës, një vend serioz në shkrimtarinë tuaj zë historiografia e disa ngjarjeve dhe personaliteteve që ju i keni nxjerrë nga pluhuri, terri dhe harresa dhe u keni dhënë dimensionin e vërtetë dhe real. A mund të na flisni pak gjërësisht për këtë plojë tuajën.
– Eshtë e vërtetë që krahas librave poetikë e romaneve të fundit në krijimtarinë time një vend të rëndësishëm zë letërsia historike me rreth 20 libra të ndryshëm. Eshtë një letërsi dokumentare siç janë librat për personalitete të veçanta si librat për piktorët Abedin Dino, Omer Kaleshi, “Shqiptarët e Léon Gérôme”, “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e piktorëve francezë të shekullit XIX”, apo për poetin arvanitas Jani nga Morea (Jean Moréas); librat mbi historinë e vjetër shqiptare si “Shqipëria në kohën e luftrave normando-bizantine”, “Stradiotët në flamurin e Francës”, “Kalorësit e stuhisë”, “Bonjour d’Albanie” për frontin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore; libri për emigracionin shqiptar në Francë “Tek Frankët”, libri “Konsujt francezë në Shqipërinë e shekujve XVII-XIX”, “Bujtës të largët”, mbi kujtimet e udhëtarëve francezë gjatë shekullit XIX në territoret shqiptare apo “Nëpër shtigjet e hershme të historisë”. Pikërisht këto kërkime historike japin ndonjëherë ngasje letrare dhe dihet që bota e ka të zhvilluar letërsinë historike, veçanërisht në dekorin e epokës mesjetare apo antikitetit. Në shumë tregime jam ndikuar pikërisht nga historia. Një nga këto ngasje është dhe romani historik “Santa Quaranta” mbi qëndrimin e balerinës franko-amerikane në Sarandë gjatë vitit 1913, kohë e Luftrave Ballkanike.
– Çfarë zeje po punon agregati juaj i krijimit dhe me ç’tituj, argumenta apo subjekte do të jeni para lexuesit në të ardhmen.
– Botimi i një vepre të nxit gjithnjë në nisjen e një aventure të re letrare. Eshtë përsëri historia që më shtyu të shkruaj një skenar filmi “Flauti” mbi një ngjarje në kudrin historik të Luftës së Parë Botërore. Këtë ngjarje e kam shkruar tashmë si roman (“Një dashuri e nëmur në Maligrad”), i cili është përkthyer në maqedonisht do të botohet së shpejti në Maqedoninë e Veriut. Edhe romani i fundit që sapo kam botuar “Dalia”, ka një ngasje historike edhe pse është një roman për shpirtin e gruas. Metodat e letrarëve janë nga me të ndryshmet: ka autorë që i qëndrojnë besnikë shkrimit të një vepre, roman, dramë apo vëllim poetik, pa u marrë me ndonjë vepër tjetër, ndërkohë që personalisht më pëlqen të merrem paralelisht me disa lloje letrare: pra të shkruaj një libër historik dhe të merrem paralelisht me një roman, ose të shkruaj poezi. Këto kapërcime letrare nuk më kanë penguar, madje janë variacione mjaft interesante dhe shlodhëse. Aktualisht pas librit me tregime “Vjeshta e Alberto Savianit” kam gati për botim dhe një libër tjetër me tregime. Aventura letrare vazhdon…