Ftesë nga larg

tregim

Atij iu duk se po dilte nga një tunel i errët dhe i pafund. Drita e bardhë që vinte nga jashtë gati e verboi. Një shkulmë e bardhë që e mbështolli të tërë. S’kishte parë kurrë kaq shumë dritë. Sapo vuri këmbët në tokë, mori frymë thellë dhe ajri i pastër e i freskët i pishave ia mbushi gjoksin dhe sikur e solli në vete. Ndjente se ishte në një gjendje të çuditshme, të papërcaktuar, si të ishte i dehur dhe se vinte nga diku, diku larg, sikur ishte dikush tjetër dhe jo ai, Gjeto Markaj. Mbante mend se kishte udhëtuar dhe kishte parë gjëra të çuditshme, plot njerëz të panjohur, gjysmë kufoma, madje dhe fytyrën e gjyshit të tij, kthina, bujtina të çuditshme me drita të zbehta, kollona e emblema të vjetra ilire, helene, romake, epitafë mesjetare me mbishkrime të çuditshme. Vallë kishte parë ëndërr? Çfarë? Përse gjithë rapsodë mbështetur diku, të lodhur nga këngët e tyre me çiftelitë që ende mbanin në duar? Përse ata malsorë «të vrarë», që qëndronin hijerëndë si të ishin në prag të një gjame, që çuditërisht ai filloi ta shohë të gjallë tek kërcenin rëndë përballë të vdekurit dhe rrihnin gjokset, gricnin faqet, ndërkohë që gjaku u rridhte? A nuk i kishte treguar gjyshi i tij për gjithë ata të vrarë për të mbrojtur kufijtë?… Gurët, gurët e kufijve. Ç’po ndodhte kështu? Ai shkundi kokën dhe menjëherë u kujtua se duhej të thërriste kalin e tij që e kishte lidhur aty pranë, një natë më parë, në një pishë të vetmuar, pranë atij shkëmbi ku ishte ndalur në atë natë të turbull, pa yje.

– Gjog, gjog! – thërriti ai, duke dëgjuar ehon e zërit të vet. Mendoi se kali do të vinte me të dëgjuar emrin e tij, por jo, heshtja mbretëronte. Priti dhe pak të dëgjonte hingëllimën e kalit, kur papritur, shumë pranë tij, dëgjoi «krraun» e një korbi te madh e të zi që kërceu dhe gati e preku me krahët e tij, duke ndaluar diku më tutje. Ai vështroi korbin, i cili dhe ai ia kishte ngulur sytë. U habit që ishte shfaqur menjëherë aty. Vallë shenjë e keqe? – mendoi ai dhe kapi një gur duke qëlluar drejt korbit, i cili klithi sërrish dhe u largua më tutje. «Krrau, krrau…».

– He të shoftë Zana, të shoftë! – i bërtiti ai dhe u nis drejt shtegut.

S’kishte bërë një copë udhë kur në qetësinë e madhe të atij mëngjezi një uturimë e madhe, një zhurmë e tmerrshme ushtoi sipër kokës së tij. Ai ngriti kokën dhe vështroi lart në qiell, atë masë të madhe, atë qenie të çuditshme, si një shpend prehistorik që flitej nëpër legjenda, ndoshta të hekurt, që shkonte me vërtik duke vërtitur krahët e vet me shpejtësi të madhe. Menjëherë ra në tokë dhe mbuloi kokën me duar, pasi uturima ishte vërtet e tmerrshme. Dhe ashtu përmbys ndjeu zhurmën të largohej. Kur ngriti kokën, gjithçka kishte rënë në qetësi. Vallë një përbindësh, një kuçedër si ajo që i tregonte dikur nënlokja e tij?… Në qiellin e kaltërt nuk dukej më asgjë. «Po kjo ç’ishte?», mendoi ai me vete dhe u nis për të gjetur shtegun e kthimit. U kujtua se duhej të kthehej në shtëpi, pasi atje e prisnin. Dhe ai u nis. Por një gjë e habiste: pamja përreth kishte ndryshuar tmerrsisht. Një faqe e tërë e pyllit ishte xhveshur. Diku ishin nderur disa litarë hekuri. Po kjo ç’të jetë, mendoi ai. Megjithatë ishin majat e maleve dhe qafat e tyre ato që i tregonin udhën. E ndërkohë që ecte, përsëri dëgjoi «krraun» e korbit që mesa dukej e ndiqte. Ai i tundi duart dhe briti si të donte ta largonte. Nuk kishte bërë shumë udhë dhe ndërkohë e mori etja. Kur zbriti nga kodrina zbuloi rrjedhën e lumit dhe shkoi drejt tij, kur ndërkohë, papritur ai u shtang nga habia me atë urë gjigande që ishte ngritur aty, një urë hekuri, ku një qerre e rëndë, e stërmadhe, prej hekuri dhe me rrota që rrotulloheshin shkoi me shpejtësi, si një përbindësh.

– O Zot! Ja dhe një përbindësh tjetër! Ku jam kështu? – tha ai dhe vështroi sërrish nga ura.

Qerrja e hekurt, një katrahurë e vërtetë, la pas një tis pluhuri dhe gjithçka ra në qetësi. Menjëherë u ul, piu ujë me shpejtësi me grushtet e tij, duke shuar atë etje të madhe sikur të kishte javë pa pirë një pikë uji dhe u kacavjerr me këmbë e duar drejt urës. Kur mbërriti aty qëndroi përsëri i mahnitur. Po, ishte një urë hekuri. Qëndronte ashtu i tronditur nga pamja që kishte parë kur ndërkohë dëgjoi një buri dhe një qerre tjetër e hekurt që po vinte drejt tij me shpejtësi të llahtarshme. O Zot! – pëshpëriti ai. Dikush që ishte majë qerres, nxorri kokën nga një lloj kabine dhe i bëri shenjë të largohej duke sharë dhe vështruar me inat. Por ai nuk kuptoi asgjë, pasi habija e tij ishte e madhe me atë gjë që fluturonte me një shpejtësi skifteri.

– O Zoti im! Thuamë, ç’bëhet kështu? – tha ai duke ngritur sytë, sikur t’i fliste Perëndisë së tij.

«E habitshme, – mendoi ai, – këto qerre drejtoheshin nga njerëz, nga njerëz të çuditshëm! Nga vinin kështu?!»

Dhe ai shkoi nëpër urë, duke u çuditur se rruga sipër nuk ishte prej dheu, por e rrafshët, e ftohtë, e fortë. Ai u përkul, vuri dorën mbi të, pastaj veshin të përgjonte, qëlloi me grusht mbi të dhe s’po kuptonte se ç’ishte ajo shtresë e fortë. Dhe ashtu i habitur, u ngrit dhe vazhdoi, duke dalë në rrugën e madhe gjithnjë i tronditur me gjithçka që shikonte. Më së fundi, rruga e çoi drejt e në një shpat shkëmbor përballë tij, ku ishte hapur një tunel gjigand që ai s’po kuptonte se si mund të ishte çpuar mali tej për tej. Ku të çonte vallë ajo shpellë në formë gjarpëri? Përse këtu?… Ai qëndroi një çast në cep të saj, i trembur disi, hezitues, por kur pa në sfond tutje, një pikë drite, e kuptoi se ajo guvë e stërgjatë kishte një dalje, dhe u nis me nxitim. Ecte dhe shikonte anët e shkëmbit, ca llampa që bënin dritë. Më së fundi doli nga tuneli duke lëshuar një psherëtimë të thellë. Dhe ja, s’kishte bërë ende njëqind hapa kur diçka uturiu prapa tij dhe një njeri mbi diçka që lëvizte me shpejtësi, me dy rrota, i kaloi pranë dhe gati sa nuk e shtypi. Ishte dikush me trup njeriu, por me një lloj kaske. Nga vinte ky njeri me kokë hekuri? Vallë vinte nga qielli? Cili zot e kishte dërguar? Përse e kishte mbështjellë kokën ashtu?… Ai objekt lëvizës ishte zhdukur tashmë kur diçka gjigande iu shfaq përpara. Disa shtylla të mëdha hekuri, të zeza, hijerënda që ngriheshin drejt qiellit si qenie prehistorike dhe fije që zgjateshin e shkonin të ndereshin në ajër drejt një shtylle tjetër, qindra metra më larg.

– Po këto shtylla… këta litarë nëpër qiell? – pëshpëriti ai, duke vështuar gjithnjë nga ato fille që zgjateshin lart në kubenë qiellore. Papritur ai preku veten si të donte të vërtetonte se ishte vërtet ai, Gjeto Markaj, ai që ishte nisur drejt mikut të panjohur. Kur ja, përsëri «krrau» i atij korbi të çuditshëm, ai ogur i zi, që e ndiqte gjithnjë dhe s’po e linte rehat. Kërkoi të rrëmbente një gur, por toka përpara ishte e lëmuar. Dhe duke sharë ai vazhdoi më tej. Qerret kalonin andej pa pushim dhe tani po mësohej me zhurmën e tyre. Ecte rrugës dhe ja tek pikasi një bujtinë, ku ca qerre kishin ndaluar. U afrua, preku njërën nga ato dhe e kuptoi se ishin prej hekuri… Dikush kaloi aty pranë, e vështroi me habi dhe i tha:

– Ç’shikon ashtu, s’ke parë ndonjëherë makina?

– Makina?… përsëriti ai lehtë atë fjalë të panjohur.

Vështroi nga xhamat dhe pa brenda disa vende si stola për tu ulur. «Çudi» – pëshpëriti sërrish me vete dhe bëri drejt hyrjes së bujtinës. Por ndaloi papritur, duke parë nga një makinë para shkallëve që shkruante: UE. Ç’të ishte kjo? Në një tjetër shkruhej OSBE… Përse këto shkronja, mendoi ai. Përse gjithë këta flamuj ngjyra-ngjyra? Kur u afrua atje, dikush që e pa ashtu, gjithë djersë e pluhur, e mori për një mjeran, një lypës verior, dhe menjëherë i afroi disa para. Ai zgjati dorën, i mbajti një çast, i vështroi se ishin thjesht ca letra me figura dhe i fyer nga sjellja e tjetrit, shau nëpër dhëmbë, i flaku ato në rrugë dhe vazhdoi tutje.

Pak më tutje dikush po ngrinte një banderolë dhe ai e pyeti:

– Ç’po ndodh kështu ? Përse gjithë këta flamuj?

– Do hapen kufijtë… këtej e tutje s’do të ketë më kufij!

– Si kështu?… Kush vallë do të na e prekë kufirin? – tha ai me një zë të rëndë.

– Nuk e ke marrë vesh bablok! Këtej e tutje nuk do të ketë më kufij… as me Serbinë, as me Malin e Zi, as me grekët e maqedonasit… tani ne jemi në Europë.

– Europë? Cila Europë? Ajo e konsujve?…

Tjetri e pa me habi dhe e mori për të marrë.

Gjeto qëndroi i tronditur dhe pa tutje maleve. Ai e dinte se ku ishte kufiri, ja atje tej. Shumë luftra ishin bërë në atë vend. Shumë këngë ishin kënduar për gurët e kufijve. Bora ende zbardhte tutje. Tashmë duke parë majëmalet e njohu udhën dhe e kuptoi se s’duhej të ishte larg nga fshati i tij. Mjaftonte të kapërcente Qafën e Thiut. Dhe u nis. Korbi tutje e ndiqte gjithnjë. «Krrau», «krrau»…

Koha ishte plot diell. Diku, duke iu afruar fshatit të tij, dëgjoi të vinte eho e kambanave. «Me sa dukej malsorët po dalin nga mesha», mendoi ai. Që tutje dalloi që kisha tashmë nuk ishte prej druri, siç e kishte lënë një ditë më parë kurk ishte lënë kullën e tij, por prej guri dhe ishte ndërtuar majë një shkëmbi. Shumë të papritura po shikonte Gjeta atë ditë. Njerëzit që e shikonin, dukeshin të habitur dhe Gjeta pyeste veten se përse e shikonin në atë mënyrë. Dhe vërtet, ai s’po njihte asnjë nga këta njerëz, që çuditërisht nuk ishin më me rrobat malsore, por shumica ishin me rroba të tjera, si ato të konsujve të Europës. Madje dhe gratë, të cilat kishin disa lloj tirqesh të lëmuara dhe tepër të holla dhe jo prej shajaku të trashë. Tashmë e dalloi dhe sheshin e fshatit të tij, me arrën e madhe shekullore në mes. Por përsëri, shumë gjëra kishin ndryshuar përreth. Më tutje pa konturet e kullës së tij. Ishte po aty, në të njëjtin vend, në Bardhok. Ishte i gëzuar por dhe mjaft i lodhur, aq sa këmbët nuk po i shtyheshin më. Dhe ja ku ndaloi para disa fëmijëve që po loznin me ca lëmshe të çuditshme që kërcenin. Dhe një nga ato lëmsha ra papritur pranë këmbëve të tij.

– Ma hidh topin axhë! – tha fëmija dhe i bëri shenjë t’ia hidhte.

Ai e mori, e mbajti një çast në duar, për ta kuptuar më mirë se ç’ishte ai lëmsh i butë që kërcente kur binte në tokë dhe e pyeti me dyshim:

– Or çun, a është fshati Bardhok ky?

– Po, axhë! Bardhoku është.

– Po ajo kullë e kujt është? – dhe ai tregoi me gisht nga kulla e tij.

– E Markajve!

Ai u shtang sërish. Djaloshi pranë thirri një nga fëmijët e tjerë aty pranë.

– Lekë!

Djaloshi u afrua.

– Ja, ky është Lekë Markaj! – shtoi tjetri.

Djaloshi qëndroi para tij dhe e vështroi me habi.

– I kujt je ti?

– I Uk Markajt.

Gjeta heshti një çast.

– Uk?… Ku banon baba yt?

– Ja, ajo kulla atje, – i tregoi djaloshi kullën e tij.

– Po gjyshin tënd, si e quajnë?

Djaloshi u mendua një çast dhe tha:

– Gjyshi im ka qenë Pal Markaj dhe gjyshi i tij ka qenë Gjeto Markaj, por ai ka kohë që ka vdek.

Djaloshi i ktheu krahët, por Gjeto ndjeu menjëherë se u zbardh dhe s’po dinte ç’të bënte kur dëgjoi këto fjalë të djaloshit, i cili vazhdoi lojën e tij me fëmijët e tjerë.

Donte t’i thoshte se Gjeto ishte pikërisht ai, se Gjeto Markaj s’kishte vdekur… Por atë çast ndjeu t’i iknin fuqitë dhe bota sikur nisi t’i rrotullohej. Ato fjalë e kishin tronditur dhe e kishin goditur fort në zemër. Menjëherë u ul buzë arrës së vjetër aty pranë. Me sytë hapur shikonte fëmijët që luanin dhe dritën e diellit që filloi t’i errësohej gjithnjë e më shumë, ngadalë, si nga një dorë hyjnore, gjersa zërat e fëmijëve u shuan bashkë me dritën e botës. Iu duk sikur po kthehej persëri në atë tunel të errët dhe disi të frikshëm. U përpoq të kujtohej… Po, u kujtua fare mirë se s’kishte një ditë që kishte lënë kullën e tij. Ishte një histori e çuditshme, por e frikshme. Përse vallë kishte ndodhur ashtu? Vallë një forcë e mbinatyrshme? Vallë Zoti vetë kishte dashur që të bëhej kështu? Përse? A ishte ky një lloj dënimi apo çfarë? Dhe nëse ishte i tillë, për çfaj? Njëmijë pyetje i vinin në kokë pa mundur tu jepte përgjigje, pasi ai s’mund të gjente asnjë përgjigje për atë që kishte ndodhur. Megjithatë gjithçka i erdhi në kujtesë. Diçka që kishte ndodhur veçse pak kohë më parë. Dhe ja, korbi që rrahu krahët dhe ndali pranë tij klithi sërrish: “Krrau”, “krrau”… Ajo klithmë sikur e çoi tutje në kohëra të tjera.

* * *

Atë ditë shtatori një zë i fortë gjëmoi në ato vise malore e të largëta të kufirit shqiptar. Zëri përcillej sa nga një mal në tjetrin me majekrahi dhe jehona e zërit shkonte me vërtik.

– Po kthehen nizamët ore heeeeej!

Në Bardhok mbërriti lajmi se bashkë me nizamë të tjerë po kthehej dhe Prela, djali i farës së Markajve dhe në kullën e tyre të gurtë, menjëherë ra daullja për të njoftuar fshatin për këtë haber të madh. Prela kishte dhjetë vjet që kishte shkuar nizam gjer tutje në kufijtë dhe shkretëtirat e Libanit, matanë Kahabesë. Në mbrëmje, pishtarët u shfaqën te Qafa e Ujkut dhe zjarret po afroheshin në Bardhok. Dy orë më vonë grupi i nizamëve ndaluan në sheshin e Bardhokut dhe atje u ndanë. Ata lanë Prelën, e përqafuan me rradhë dhe pastaj u larguan me pushkët në krahë, të nxirë nga baruti i luftrave të gjata. Disa nga ata shkonin në shtëpitë e tyre Ujmirë, të tjerë në Boranë e tutje në Kolsh, shumë të tjerë ishin vrarë dhe nuk ishin kthyer më.

Atë natë, në kullën e Markajve askush nuk vuri gjumë në sy. Prela u tregonte për udhët nëpër shkretëtirë, jetën e trishtë e të vetmuar të nizamit, historitë e luftës dhe veç në ag, ata ranë të flenë. Gëzonte baba dhe nana Mrikë. Prela ishte kthyer gjallë e veç me një plagë.

Të nesërmen, bacë Gjeta, thirri djalin e tij të fundit, Nikën dhe i tha:

– Nik, do marrësh gjogun e bardhë dhe do m’i çosh këto 40 karta tek miqtë e bajrakut tonë. Ja ku i ke. Pas një muaji i kam ftuar të vijnë për dasmën e Prelës. Do bëjmë dasëm të madhe.

Dhe Niku iu hodh në kurriz gjogut të bardhë dhe u nis drejt shtegut për të marrë shpatet e maleve përreth. Gjithë atë ditë Niku i shpërndau ftesat e bacës, kullën më kullë e derë më derë. Kur po afrohej perëndimi i diellit, i kishte mbetur dhe një kartë e fundit në dorë, e dyzeta. Ai vështroi tutje nga fshati i epërm ku duhej shkuar, por rruga të shkonte ishte gjatë dhe mendoi se nata do ta zinte në kthim. U mendua një çast dhe më së fundi, diku në një shteg e hodhi kartën. Karta ra poshtë dhe ai u habit kur pikasi se aty ishte dhe një gur varri, me një kryq guri të gdhendur me figurë njeriu. “Kush të jetë varrosur në këtë vend të shkretë e pa njeri? – mendoi një çast, por përtoi të zbriste dhe e la kartën aty, tërhoqi yzengjitë dhe ktheu mbrapsht për në udhën drejt shtëpisë. Vonë, me natë, më së fundi ai u kthye.

Kështu kaloi ai muaj. Gjeto lajmëroi dhe rapsodin e Shkëlzenit, që edhe pse i verbër, ishte ai që shkonte ngado të këndonte këngët e gjata, për dasëm e për mort. Ndërkohë, Prela rregulloi çatinë e shtëpisë së re pranë dhe bëri gati drutë e dimrit në pyll. Ishte një vjeshtë e artë. Baca përgatiti ushqimet e dasmës dhe u bë gati për ditën e madhe. Dhe dita erdhi. Miqtë e ftuar erdhën një nga një, kush nga Qafa e Ujkut, kush nga Ujmira, kush nga Kreshta e Ariut. Një zjarr i madh u ndez në oxhak. Njerëzia erdhën njëri pas tjetrit dhe rapsodi i verbër nisi këngët e gjata të tij duke kënduar këngët e Mujit e të Halilit dhe të Ago Ymerit që u kthye tek gruaja e tij. Të gjithë u ulën në mindere dhe prisnin ardhjen e të ftuarit të dyzet që të fillonin të hanin. Dhe vonë, shumë vonë, kur të gjithë kishin humbur shpresën dhe nata ra, duke ngritur gotat e përshëndetjes, ja ku u dëgjua porta dhe dikush erdhi. Gjeta u ngrit në këmbë të presë mikun.

– Hajt, gëzuar qoftë! – tha me një zë të rëndë miku dhe hodhi hapat duke tërhequr vështrimet e të gjithëve.

Të gjithë shikonin herë njeriun, herë njëri-tjetrin e herë Gjetën. Por ishte marre, turp, me e pyet mikun se cili ishte dhe nga vinte. Ishte me një gunë të zezë, të vjetër e gjithë pluhur, sikur të vinte nga fundi i botës. Padyshim, duhej të ishte një nga të ftuarit. Dhe darka vazhdoi. Rapsodi vazhdonte këngët e gjata të tij. Hidhte një kupë rakie e vazhdonte prapë. I ftuari i çuditshëm rrinte rëndë dhe vetëm pinte ujë, nuk fliste. Veç vështronte ata njerëz që hidhnin rromuze dhe qeshnin të gëzuar.

Në prag të agut, kur dita do të zbardhte dhe burrat mezi po qëndronin ende në sofrën e madhe, njeriu i trishtë e me gunën e zezë u ngrit dhe iu drejtua Gjetës.

– Të falem nderit or mik për ftesën!… Fara tu shtoftë e djali të trashëgohet!

Gjeta e shoqëroi njeriun e panjohur deri tek porta e jashtme në oborr. Dhe atë çast, njeriu iu kthye.

– Sot një muaj kam një përkujtim dhe të ftoj të vish tek unë për darkë!

Gjeta e falenderoi, pa mundur ta pyeste se ku. Ndryshe do ishte marre për të. Megjithatë ishte habitur shumë me zgavrat tepër të thella të syve të tij, si të ishin puse të shuar.

Tjetri u largua dhe humbi në shtegun më të parë. Ndërkohë, Gjeta u kthye i menduar drejt kullës, kapërceu pragun dhe pa drejt burrave që po e shikonin të gjithë të habitur.

– A e njihni bre miq?… Kush të jetë vallë?

Secili nga ata ngriti supet, sepse askush nuk e njihte atë. Gjeta po mendonte, kur ndërkohë dikush pranë iu kthye:

– Po kush i çoi ftesat për dasëm?

– Niku, im bir.

– Pyete atë dhe ai do të thotë! – i tha plaku tjetër.

Dhe ashtu u bë. Gjeta u ngrit dhe shkoi nga dhoma tjetër. E gjeti Nikun dhe e pyeti:

– Pa më thuaj, or bir, kush ishte ky mysafir që na erdhi në mes të natës dhe që na iku që pa aguar mirë.

Niku ngriti supet.

– Ati im, atë njeri nuk e njoh!

Vërtet ai nuk e njihte, por i vinte turp t’i thoshte atit të tij se ftesën e dyzetë ai e kishte hedhur. Por Gjeta donte patjetër të dinte se cili ishte ky mik i habitshëm.

Më së fundi Niku tha:

– Babë, të them të drejtën, ftesën e fundit e hodha tej. Po ngrysej dhe kisha frikë se do më duhej të udhëtoja gjithë natën.

– Po ku e hodhe Nik.

– Tutje, te një shkëmb i madh, te “Shtegu i Dhelprës”… aty e hodha. Por pranë ishte dhe një varr.

– Varr the?… – tha Gjeta dhe u ngrys.

Tani Gjeta e kuptoi se ai njeri nuk duhej të ishte një njeri i zakonshëm. Nga vinte? Cili ishte?…

Gjithë atë muaj Gjeta ra në mendime. Prela, i biri, gëzonte familjen e tij të re. Niku dilte të gjuante kafshët në pyll. E megjithatë, mendja e Gjetës rrinte gjithnjë tek ai njeri i panjohur me gunë të zezë. Nëpër male tashmë ishte hapur lajmi se një i huaj i çuditshëm shëtiste nëpër ato anë të Rrafshit të Dukagjinit dhe që kishte qenë mik i ftuar në dasmën e Markajve. Dikush tjetër thoshte se ishte Xhebraili me fytyrë njeriu. Një tjetër kishte thënë se ishte një fallxhor që bariste nga një bajrak në tjetrin, nga një mal në tjetrin, i cili u hidhte fall njerëzve, vështronte me një tub yjet, kontrollonte zorrët e pulës dhe madje u tregonte se çdo të ndodhte në jetën e tyre në të ardhmen. Prifti i fshatit kërkonte në librat e tij të “Dhjatës së Re” të gjente ndonjë shpjegim. Malësorët rreth tij prisnin se çdo të thoshte… Prifti i trembej shfaqjes së Djallit. Duhej bërë ekzorcizmi. Por kishte nga ata që besonin se ky njeri nuk ishte djall, se ai vinte nga tokat e largëta të Jutbinës, me qëllim që të shikonte se ku ishin gurët e kufirit. Qëllimi ishte shtyrja e kufijve dhe grabitja e bagëtive.

Sidoqoftë Gjeta nuk u tremb nga fjalët e të huajit, sepse ai ishte burrë i fjalës dhe kishte parë shumë luftra në jetën e tij e nuk i trembej askujt. Ai i kishte dhënë fjalën atij njeriu se do të shkonte dhe nuk do ta kthente fjalën.

Një javë të tërë ranë shira e vetëtima dhe çuditërisht, ditën e fundit të muajit, kur do të nisej drejt “Shtegut të Dhelprës”, qielli u hap dhe një diell i bukur shndriti. Gjeta mori gjogun e bardhë, e pyeti dhe njëherë Nikun për vendin ku e kishte hedhur kartën e tij dhe aty nga dreka u nis, në mënyrë që të mbërrinte atje, kur dielli të kaptonte malet. Miku e kishte ftuar për darkë. Pasi kapërceu dy lumenj dhe nja dy male, kur po perëndonte, Gjeta iu afrua “Shtegut të Dhelprës”, i njohur në ato anë për një strofull ku dikur një dhelpër kishte mbajtur gjallë një ujk të vogël.

Kur nata ra dhe në qiell u shfaqën yjet, ai ndaloi gjogun pikërisht tek ai vend dhe kërkoi me sy të gjente varrin e gurtë. E pikasi, iu afrua, u hodh nga kali dhe gjogun e lidhi tek pema. Priti se mos aty rrotull do të shfaqej ndonjë shtëpi e vjetër, kasolle, apo njeriu me të zeza, por askush nuk po dukej. Atëherë kureshtar, ai iu afrua edhe më varrit me kryqin e gurtë dhe ato skalitje të çuditshme, me simbole të diellit dhe hënës. Po mendohej një copë herë, bëri një hap dhe tha:

– Ja ku më ke, o mik! Tungjatjeta!

Papritur, pllaka e varrit lëvizi me zhurmë dhe një gropë e errët u shfaq para tij. Ai po e vështronte i habitur, kur që poshtë u dëgjua zëri i atij miku që i kishte ardhur në dasëm.

– Mirëse na erdhe, miku ynë!

Ai zgjati kokën dhe poshtë shkallëve që zbrisnin, diku në gjysmë-errësirë pikasi vërtet njeriun me gunën e zezë, pikërisht mikun që i kishte ardhur atë natë për dasëm.

– Tungjatjeta! – e përshëndeti Gjeta përsëri.

– Ejani zbrisni… të presim!

Gjeta lëvizi edhe pak drejt varrit dhe ja ku pikasi ca shkallë që zbrisnin poshtë në një tjetër botë. Hezitoi një çast, por më në fund bëri përpara. Ku shkonte kështu?… Shpejt, errësira e mbuloi, sepse pllaka e varrit ishte mbyllur me një zhurmë të rëndë e çjerrëse.

Dhe vërtetë, që në hapat e para në botën e përtejme, Gjeta ecte në krah të njeriut me gunën e zezë, duke parë sa majtas e djathtas, atë mbretëri të përtejme me shtigje, tabela të shkrojtura në një gjuhë të vjetër, obeliskë të ngritur aty këtu, kushedi për lavdinë e kujt, emblema e personazhe të historisë njerëzore të të gjitha kohrave. Emblema pellazge, ilire, dake, helene, romake, byzantine e serbe… Ishte një botë ndryshe nga ajo e të gjallëve. Tutje shquheshin dritat e një bujtine: Bujtina e “Kolë Bashës”… Papritur iu kujtua ajo fjalë e bacës së tij kur një ditë i kishte thënë: “Kjo tokë ka dy botë, or bir, njëra mbi dhé dhe tjetra nën dhé. Por ato nuk janë njëlloj…” Dhe duke menduar këtë ai humbi në botën tjetër. Hapat e tyre kumbonin gjersa më në fund ato u shuan.

* * *

Sa kohë kishte kaluar duke ecur kështu në atë udhë të çuditshme?… E ndjeu se ishte rrëzuar në tokë pa kuptuar se përse ishte rrëzuar. Si nëpër gjumë dëgjoi fëmijët kishin filluar të thërrisnin. Papritur ndjeu një shtrëngim të madh në zemër dhe lëshoi një “oh”. Ishte një dhembje e tmerrshme që e bëri ta linin forcat, të hepohej dhe gjithçka t’i shuhej. Fëmijët përreth thërrasin: Ndihmë! Ndihmë! Një njeri po vdes!…

Vallë po vdiste?… U përpoq të hapte sytë, por ishte e pamundur. Pastaj gjithçka u shua: zërat e njerëzve që ndjeu pranë, qielli sipër syve dhe çdo gjë tjetër.

Një derë u hap dhe ai mezi pikasi në fillim një figurë të errët njeriu deri sa më në fund kuptoi se ishte një burrë. Madje ishte i çuditshëm, me një kostum të zi, siç mbanin konsujt e Europës kur bridhnin nëpër malet e veriut si dhe një lidhëse në qafë që ai nuk e kuptonte se përse e mbante këtë. Kujtoi se ishte në ëndërr, por jo, pasi kur kafshoi gjuhën e ndjeu që i dhembi. «Pra s’paskam vdekur», mendoi ai dhe vështroi nga një grua e veshur krejt në të bardha që diçka rregulloi në krevatin e tij. Kuptoi gjithashtu se ishte në një pozicion të shtrirë dhe pranë kishte një lloj metali me ca lidhje të çuditshme, me një tub të lidhur që zgjatej drejt krahut të tij.

– Më duhet ta marr në pyetje patjetër, – këmbënguli burri, i cili në atë imazh të turbullt që shikonte, afroi një karrige dhe u ul pranë tij, me një bllok shënimesh në dorë.

– Emri zotëri!…

Ai e dëgjoi turbullt zërin e tij dhe s’po kuptonte përse i kërkonte emrin. Prandaj dhe nuk e hapi gojën.

– Zotëri, cila është datëlindja juaj, – vazhdoi ai.

U mundua të hapë edhe më sytë dhe vështroi nga burri, por s’kishte forca. Ndjehej pothuaj i humbur. Kështu i mbylli sytë dhe habitej që një i panjohur i kërkonte vitin e lindjes së tij. E përse i hynte në punë kjo?… Dhe ashtu, në errësirën e tij dëgjoi përsëri zërin e burrit:

– Zonjë, ju lutem bëjini një gjilpërë të vijë në vete… ai duhet të na përgjigjet. Duhet ta mbani zgjuar sa të mbarojmë anketën.

– Ah, jo… – u përgjegj gruaja… – nuk e shikoni në ç’gjendje është?… Ky njeri duket se nuk e ka të gjatë, prandaj lëreni të qetë në këto çaste të fundit.

Tjetri nxorri një psherëtimë të zhurmshme.

– Eh ç’bela… zonjë, a e kuptoni se gjithçka është e çuditshme?… Ky njeri i bie të jetë 166 vjeçar dhe ai është veçse një burrë në moshën time, por me hijen e vdekjes!

– Si kështu 166 vjeçar? Jeni në vete?

– Po, zonjë, atë dua të sqaroj dhe unë. Shefi im më kërkoi patjetër zgjidhjen e kësaj enigme. Si ka mundësi që Gjeto Markaj, i cili sipas thënieve të pleqve dhe regjistrit të Kishës është zhdukur në vitin 1895, të kthehet pas më shumë se një shekulli. Kjo është e pamundur? Ku ka qenë ky njeri? Me çfarë është marrë gjatë gjithë këtij shekulli që ka kaluar? A është vërtet ai, apo gjithçka është histori magjistricash, zanash? Vallë fantazma e tij…

Gruja zgurdulloi sytë duke mos kuptuar asgjë nga gjithë kjo histori. Ndërsa hetuesi vazhdonte:

– Këtu në malet e veriut ndodhin lloj-lloj çudirash… histori me djaj, besytni, qyqe që këndojnë këngë të vjetra, «syri i keq»… etj, etj… – dhe pasi bëri disa ecejake, ndaloi para figurës së shtrirë të malsorit.

– A keni dëgjuar ju për atë historinë, apo më mirë legjendën e motrës së Ymer Agës, që priti gjatë vëllain të kthehej nga lufta. Meqë ai nuk u kthye, kur mori lajmin e vrasjes së tij, atëherë ajo u kthye në qyqe, duke kërkuar trupin e tij…

Infermierja ngriti kokën dhe e pa hetuesin me frikë.

– Qyqe?… Jo, s’kam dëgjuar gjë…

E shkreta grua s’po kuptonte asgjë nga gjithë kjo histori. Nga një anë, në atë shtrat të klinikës kishte një njeri gjithë pluhur, të thinjur tej mase e të verdhë dyll, i cili vazhdonte të fliste disi përçart e të lëshonte herë pas here gërhama, si një njeri në prag të vdekjes, dhe nga ana tjetër kishte një njeri që po bënte një hetim nga njerëzit e «shërbimit inteligjent»…

– Po nga e dini ju se është pikërisht ai që është larguar nga fshati para më shumë se një shekulli?…

– Zonjë, unë sapo erdha nga kulla e Markajve. Të gjitha shenjat tregojnë se bëhet fjalë vërtet për Gjeto Markaj. E megjithatë duket se jemi para një paradoksi të madh, të paparë ndonjëherë. Kjo mund të ndodhë veçse në këto male të largëta, buzë kufijve, dhe duke parë nga infermierja, ai u ngrit i dëshpëruar, nxorri një paketë cigare dhe shkoi të pinte një cigare në korridor…

Po atë mbrëmje, Gjeto Markaj kishte dhënë shpirt në atë klinikë malore, ditën që festohej me fishekzjarre heqja e kufijve. Në mbrëmjen e vonë, punonjësi i policisë së krimeve nxitoi menjëherë në zyrën e tij të përpilonte raportin, meqë kjo vdekje tepër e dyshimtë kishte ndodhur pikërisht në ditën e hapjes së kufijve. Ai u ul para ordinatori, hapi bllokun me shënimet e mbledhura të shkruara shpejt e shpejt dhe filloi të shtypte:

Raport për të ashtuquajturin Gjeto Markaj, i fshatit Bardhok.

«Njeriu që supozohet të jetë Gjeto Markaj thuhet se ka qenë banor i fshatit Bardhok, por në veshjen e tij nuk u gjet asnjë pashaportë, letër apo diçka tjetër që të vërtetonte përkatësinë e tij. Me vete kishte veç një thikë zbukuruar në fildish, një kuti duhani si dhe një objekt i gdhendur, i paidentifikuar, me inicialet L – R dhe një kokë gjarpëri. Ai vdiq në orën 19.37 të datës 13 tetor 2021, ndërkohë që delegacionet serbe, malazeze si dhe ato të shteteve ballkanike u shfaqën në Bardhok për të qenë të pranishëm në festën e kufirit. Një korb i madh dhe i zi kishte tentuar të hynte në dhomën e të vdekurit, duke thyer xhamin, por punonjësit e klinikës e kishin përndjekur. Askush nuk e kuptoi pse ishte sulur ai korb në dhomën e të vdekurit, duke mbetur dhe ai i vdekur.

Gjeto Markaj u shfaq në pragun e festimeve, por nuk kishte as armë. Nga pyetjet e bëra nuk dihet se cili ishte qëllimi i shfaqjes së tij, vallë pengimi i hapjes së kufirit? Megjithatë, askush nuk e konfirmoi këtë. Meqë bëhet fjalë për një person enigmatik dhe të dyshimtë, edhe kjo hipotezë duhet marrë parasysh. Shumë nga banorët që pyetëm, thanë se nuk e njihnin këtë person, por në fakt kishin dëgjuar një histori të çuditshme të zhdukjes së tij. Thuhet se ishte nisur për të bujtur tek dikush (kjo ende nuk është bërë e njohur se tek cili person) në vendin e quajtur “Shtegu i Dhelprës”. Bijtë e tij Prela dhe Nik Markaj, u kanë thënë dikur familjarëve se baca i tyre Gjeto Markaj, kishte ikur për darkë tek një mik dhe nuk ishte kthyer më. Më kot e kishin kërkuar nëpër shtigjet e maleve dhe sigurisht, së pari në “Shtegun e Dhelprës”, por ai ishte zhdukur sikur ta kishte përpirë dheu. E habitshme është një hajmali e gjetur në trupin e të vdekurit. Kur ua treguam familjarëve, ata nuk e njohën, por plaka e vjetër që pyetëm atje, e quajtur Dave, fatkeqësisht ajo nuk shikonte nga mosha e thyer rreth të nëntëdhjetave. Por kur e preku me duar, ajo na tha se duhej të ishte e Gjeto Markajt, pasi thuhej se ai kishte patur një të tillë. Po kështu dhe për objektin e paidentifikuar me kokën e gjarprit dhe inicialet L. R, të cilat ajo pohoi se kishin qenë të tijat.

Sipas llogarive do të thotë se kemi të bëjmë me një rast pa precedent në histori, por konstrukti i trupit të tij jepte një moshë rreth 45-50 vjeçare.

I kërkoj drejtorisë së hetimeve që trupi i tij të vëzhgohet nga specialistët e kriminalistikës për të caktuar moshën e vërtetë të këtij personi si dhe krahasimi i ADN-së së tij me pjestarët e familjes Markaj të fshatit Bardhok e veçanërisht të plakës Dave.

Përpiluar sot në datën 13 tetor, 2021, ora 23.45min.

Hetuesi, Uk Papaj…