
Tre vjet pas fitores në Marignano, për organizimin e festës përkujtimore të betejës së famshme, në pranverën e vitit 1518 Leonardo Da Vinci bashkëpunoi bashkë me shqiptarin Bokali[1] dhe stradiotët e tij për organizimin e ndeshjeve kalorësiake ku do ishin pjesmarrës të shumtë. Vetë Leonardo nuk na ka lënë shënime rreth këtij spektakli por disa ambasadorë apo pjesmarrës të tjerë të pranishëm na kanë lënë disa përshkrime që tregojnë përmasat e jashtëzakonshme të spektaklit të organizuar me gjenialitet nga ana e Leonardos. Prej vitesh ai organizonte shumë festa për mbretin duke përdorur fishekzjare, ballona dhe elementë të tjerë inxhinjerikë.
Në fakt, ndeshjet kalorsiake filluan që më 1 mars të vitit 1518. Sipas ditarit të historianit të shquar venecian, Marino Sanuto (Sanudo), i cili ka shkruar shumë për stradiotët shqiptarë, ne njihemi sot dhe me disa letra që ai ka dërguar nga Amboise e Francës ditën e parë festive, ku përshkruan zonën afër kështjellës mbretërore dhe se aty përballë kishte një lloj podiumi ku rrinte mbretëresha dhe ambasadorët.“ U gjenda dhe unë në vendin e ambasadorit të Ndritur“,. shkruan ai. Ndër të tjera ai pohonte: “Sot, në një vend jashtë mureve të qytetit Amboise, në fund kishte një hark triumfi dhe një kollonë ku vareshin armët. Nga ora 18.00 erdhën 12 luftëtarë me kuajt e veshur me satin ngjyrë vjollcë dhe disa rradhë veluri në ngjyrë ari, zbukuruar me kordonë si dhe shalle në kokë plot ngjyra. Ishin Monsinjor Sainte-Mesme, Brion, Montmorency, si dhe Bokali e Lorges, këta të dy që plagosën fisnikun që vrau Monsinjor De Sisse, siç dhe ju kam shkruar. Luftëtarët u shoqëruan drejt vendit të ndeshjes me trompeta dhe nderime mbretërore. Aty rregulluan kuajt dhe pas pak erdhi Mbreti një i krishterë shumë i bindur i shoqëruar nga 30 fisnikë të tjerë, të gjithë të veshur ashtu si dhe kuajt me cohë të zezë dhe pendë satini të bardha thjesht për dekor. Por ato bënin shumë efekt. Mbreti e mbante shtizën e skrimit me dorë të xhveshur, ndërsa të tjerët mbanin heshta. Ata u vendosën rreth fushës së mejdanit. Mbreti ishte i shoqëruar nga duka i Urbinit, Zoti Francesco de Gonzague, biri i markezit të Mantovës, biri i konteshës Caiazzo apo konti napolitan Campobasso. Dhe të gjithë filluan të ndesheshin. Kishte goditje interesante ku heshtat u thyen në mijra copa, edhe pse ishin të holla si ato të stradiotëve, me një kurorë në majë. Papritmas në mes të ndeshjes, dikush që quhej Monte Afilan vraponte drejt dikujt dhe tjetri e uli aq shumë heshtën saqë ajo preku kokën e kalit dhe i goditi syrin. Kali menjëherë ra pa jetë. Monte Afilan e gjeti veten poshtë kalit dhe shumë njerëz nxituan drejt tij për ta nxjerrë që andej… Ndeshja vazhdoi 22 orë dhe nuk pati ndonjë gjë veç heshtës së mbretit që goditi ballin e kundërshtarit që po rendëte përballë tij e që ngjan se ai ra i vdekur…“
Siç del nga kjo letër, Bokali është një personazh i dorës së parë edhe pse nuk ka një titull si princ, kont, dukë apo markez, etj. Më 5 mars, po nga Amboise, kronisti vazhdon të shkruajë për ndeshjet që ishin zhvilluar një ditë më parë. Mbreti nuk doli në arenë për tu ndeshur por vetëm fisnikët, në rradhë të parë Charles de Bourbon, ai që kishte drejtuar betejën e Marignano-s, si dhe princi La Roche, Vendome, duka d’Albany, duka i Lorraine-s, princi Francesco Gonzaga, etj.
Atë ditë mbreti qëndronte krah mbretëreshës Claude de France, duke admiruar ndeshjet. Më 4 mars, siç informon ai, në ndeshje futet princi Oranges si edhe mbreti. Ai thekson se mbreti trimërisht theu plot heshta dhe se kalorësit kishin mbishkrimet “laudatus sum in his quae dicta sunt mihi“, që u thurrin lavdi këtyre trimave. Më 5 mars, mbreti François I nuk ka dalë në ndeshje, ndërkohë që në fushë është shfaqur mbreti i Navarre-s, duka i Lorraine-s apo duka i Urbin-it, etj. Më 14 mars, shkruhet një tjetër letër, ku ndër të tjera pohohet: “Pardje u shkruaja se do të organizohej pushtimi i një “kështjelle“ të bërë enkas, e pajisur me dy torra të mëdha anash dhe dy porta në qendër, ku djathtas ka një portë dalje ndihmëse. Sulmi nuk u bë, por ndërkohë trupat afroheshin. Në fillim përparuan duke rendur disa stradiotë të veshur me coha të kuqe, me të bardhë e të zezë si dhe me kapele të vogla (stradiote). Dolën nga kështjella dhe 25 të tjerë nga çdo bastion, të veshur me petka flakë të kuqe dhe me të bardha. Monsinjor Bokali ishte prijësi i atyre që ishin brenda, i cili ishte veshur me një petk me mëngë të gjera prej mëndafshi të trashë të qëndisur në fije ari dhe mbante çomagën në dorë. Ndërsa prijësi i atyre që ishin jashtë ishte monsinjor Sainte-Colombe. Për disa kohë u përleshën duke shtyrë herë njërin e herë tjetrin. Pastaj ata që ishin brenda dolën të gjithë jashtë duke bërë që kundërshtarët t’ia mbathnin e po kështu dhe ata të këmbësorisë. Por erdhi dhe një grup këmbësorësh të kështjellës për tu ndeshur me ata me heshta. Monsinjor Lorges ishte prijësi i këmbësorëve dhe ai u përlesh me ata që ishin jashtë, duke bërë gjoja se i kapte robër, ku disa prej tyre gjoja bënin sikur vriteshin apo të tjerë ia jepnin me të katra. Jashtë në fushë kishte 37 këmbësorë nga të cilët zviceranë që kishin si prijës Fleuranges, birin e Robert de la Marck. Kishte gjithashtu 200 luftëtarë me armë që i printe vetë Madhëria e tij, Mbreti, me uniformë me pupla, ndërsa të tjerët me rrobat që kishin gjatë ndeshjeve. Disa këmbësorë u përleshën me ata që dolën nga kështjella, me heshta në duar. Më pas ndeshja u bë tek muret e “kështjellës”. Të tjerë, me kuaj e shpata ishin kundër mbretit. Pastaj artileria u afrua dhe ata qëlluan mbi “kështjellë”, muret e së cilës ranë. Të tjerë e goditën kështjellën nga anët edhe pse jo me plumba. Disa topa qëllonin fort. Ndërsa ata nga brenda qëllonin me mosketa e pushkë. Në ajër fluturonin ballonat-gjyle që kishe qef t’i shikoje. Stradiotët vazhduan të përlesheshin, të binin robër njëri pas tjetrit, aty ku heshtat thyheshin nga goditjet përreth. Artileria u afrua edhe më shumë për nga kështjella duke e qëlluar atë. Ata brenda mbroheshin mirë. Kalorësit e kalorësisë së lehtë dilnin nga prapa kështjellës dhe suleshin mbi rrethuesit duke u përleshur me këmbësorët, e po kështu dhe me kalorësit e tjerë, duke bërë që t’ia mbathnin. Pastaj ata u kthyen përsëri në kështjellë. Më vonë iu sulën artilerisë që ishte vendosur në ije të një kodrine, duke e shtyrë atë tutje. Më së fundi erdhi mbrëmja. Ndeshjet vazhduan deri më 15 mars… “

Marino Sanudo (i Riu) ishte një personalitet i njohur venedikas, i cili rridhte nga një familje fisnikësh që kishin pallatin e tyre “Sanudo“ në Grande Canale të Venecies. I ati kishte qenë senator por dhe ai do të bëhej senator dhe shkrimtar njëkohësisht, kronist i betejave të ndryshme ku mori pjesë. Si dëshmitar spikatës i kohës ai shkroi librin e tij Storia della guerra di Ferrara apo Spedizione di Carlo VIII, kohë kur mbreti francez Charles VIII zbriti në jug të Italisë të marrë kurorën e mbretërisë të Napolit. Por shënimet më të rëndësishme të tij janë I diiari ku shkruan gjithashtu dhe për lavdinë e Mërkur Bua Shpatës. Kur ishte në Amboise për festën madhështore të organizuar nga Da Vinçi, ai dërgon dhe një letër tjetër të datës 17 mars 1518, ku shkruante: “… Në ditën e parë të këtij muaji filluan ndeshjet kalorësiake që vazhduan gjashtë ditë përfshi dhe luftën me shpata mbi kuaj, gjatë të cilave mbreti kishte mbledhur 12 fisnikë të afërt të tij dhe 24 fisnikë të tjerë për t’i zëvendësuar. Midis të dymbëdhjetëve ishin Shën Paul, Leschun, Amirail, Megeres, Montmorency, Brion, Bokali (Bochal), Brogige, seneshali, Lorges, Saint-Mesme dhe sir Perot, të gjithë të veshur me satin të zi dhe zbukuruar me pupla e me shirita, shumë kurajozë si dhe njëzetekatër të tjerët, të veshur bukur e me një rrobe të zezë. Ata u ndeshën me të gjithë kalorësit që mbërritën pastaj. Mbreti hyri i pari me të 24 fisnikët, u përlesh me ata të dymbëdhjetët në të njëjtën ndeshje, të gjithë ashtu plot hirësi. Kështu bënë edhe princat e kapitenët e tjerë, njëri i veshur në velur, tjetri në akllaz apo në rrobë damaskine, që të gjithë të veshur bukur. Çdo grup kishte ngjyrat e veta dhe në çastin e betejës me skrim, mbreti me të dymbëdhjetë trimat e tij u xhveshën dhe veshën rrobat me satin dhe gëzof të larmë, çka ishte gjë e bukur t’i shikoje si në ndeshjen e tyre me kalë ashtu dhe në atë me shpata. Dikush ra përtokë dhe si zakonisht bënin gjoja, kush mirë e kush keq. Por njëri që u ndesh me kalë me heshtë ra dhe vdiq në vend. Duka i Urbin-it, që kur po kalonte nuk e pa dikë në tokë duke nxituar me heshtën e tij e shkeli dhe ra sipër tij, si ai edhe kali i tij, por asnjëri nga ata nuk u vra. Duka luftonte bukur si me kalë ashtu dhe me shpatë dhe po kështu bënë edhe disa italianë. Zoti Frederico i Mantovës ishte jo me fat në këtë ndeshje. Një ditë ai rrezikoi të vritej nga shkelmimet e kalit të harbuar të një korrieri. Por ai u hodh bashkë me një nga kuajt e tij të bukur. Kali u hodh aq lartë sa theu shalën me rripat dhe u shemb, por në sajë të ndihmës së madhe që iu dha, ai shpëtoi. Pastaj kalorësin e zunë ethet, por tani është mirë… Më 14 të këtij muaji erdhën dhe njëqind e pesëdhjetë ushtarë të armatosur dhe veshur mirë si dhe pesëqind këmbësorë të armatosur dhe tridhjetë kalorës të tjerë të kalorësisë së lehtë që të gjithë të veshur shqiptarçe. Po kështu u shfaqën dhe tridhjetë e dy topa e mortaja. Mbreti me mirësi dha gjithë urdhërat e nevojshme dhe bëri atë çka duhej më mirë për të rrethuar kështjellën dhe për të shembur muret e saj. Pastaj mbetej veçse urdhëri i sulmit. Diku tjetër, mbreti u dërgoi disa ndihma atyre të kështjellës, hyri fshehurazi në të me rreth pesëdhjetë fisnikë të armatosur e këmbësorë të ndarë në zviceranë dhe shigjetarë… Pastaj Monsignor Lason me shumë fisnikë e këmbësorë, të armatosur mirë që të gjithë, nisën sulmin. Mbreti doli dhe pati një ndeshje të bukur me armë, duke luftuar në këmbë me këmbësorët e tij, ndërsa kuajt kundër kuajve. Por midis këmbësorëve dhe kuajve kishte një barrierë, çka u bë diçka aq bukur, sa francezët thanë se kurrë nuk e kishin parë një pamje të tillë. Kur u zhvillua skena e luftës, u qëllua me të gjitha topat e artilerisë, rreth 200 të shtëna, pa numuruar të shtënat me pushkë, duke shtuar këtu edhe trompetat, çka ishte një atmosferë e mrekullueshme e plot hire. Besoj se deri më sot nuk ka ndodhur të arrihet diçka kaq triumfale në Francë. Por mbreti pastaj nuk i la të sulmonin kështjellën, duke dyshuar se dikush nga ata mund të vritej vërtetë, çka sigurisht do të kishte ndodhur.“

Në arkivat italiane janë letrat e përfaqësuesve të ndryshëm italianë, siç janë dhe ato të ambasadorit tjetër të Mantovës, Stazio Gadio, i cili i shkruante dukës së tij në Mantova për zhvillimet festive të datave 14 dhe 15 maj të vitit 1518 ku përcakton se Bokali ishte shqytari mbretit, një titull që tregonte afërsinë e tij me mbretin e Francës. Ja çfarë shkruan ndër të tjera ai: “… Imagjinoni një shesh të madh dhe një “fortesë” të lartë sa një njeri mbi kalë, me krena dhe mure të veshura me coha me ngjyra që të duken si bedena kështjelle. Midis dy torrave ishte një lloj sheshi në lartësinë e një njeriu, e mbuluar me dërrasa. Përpara ishte një hendek i gjerë pesë krahë larg taracës. Mbi hendek ngrihej thikë një murajë me torra njëra pas tjetrës përgatitur me një cohë të ngjyer me bojë dhe të kapura me trarë, por që mund ta shkatërroje lehtësisht. Edhe torrat ishin të mbuluara me cohë të ngjyer dhe kishin flamuj që valëviteshin në ajër, të zeza në mes, por dhe të verdha e të bardha. Mbi krenat dhe daljet mbrojtëse ishin vendosur shumë pushkatarë. Mbi taracë kishte topçinj me topa druri të rrethuar me hekur të cilat qëllonin me barut dhe nxirrnin flakë duke bërë zhurmë të madhe. Ballona të fryrë që binin nga lart mbi shesh, bënin që të shëmbeshin muret mbrojtëse pa dëmtuar njeri, çka krijonte një kënaqësi të veçantë. Ky spektakël i ri ishte krijuar me një talent shumë të madh. Në shesh kishte gjithashtu topa, por që hidhnin lecka e letra që të mos plagosnin njeri. Në çdo anë të sheshit, pranë “kështellës”, mbi mure ku gjendeshin njëzet e pesë pushkatarë për çdo ndarje për mbrojtjen e “kështjellës” ishin dymbëdhjetë luftëtarë të armatosur e të veshur me takëmet e kalit, me kuajt dhe heshtat, duke patur armë veluri të verdhë dhe të mbështetur nga tridhjetë kalorës të kalorësisë së lehtë, të veshur me të bardha si stradiotë, që kishin si prijës një të quajtur Bokali, shqytar i mbretit, me një kaskë pëlhure të praruar si dhe njëqind këmbësorë të armatosur mirë me heshta dhe eskopeta (lloj pushke të kavalerisë franceze), nën urdhërat e kapitenit Lorges, që mbante flamurin bardhë e zi. Nga ana tjetër e sheshit, gjendej mbreti i madhërishëm me armët e tij të luftës, i veshur mrekullisht, i rrethuar nga oficerët e tij që kalëronin me heshtat mbi kofshë. Në krahun e majtë gjendeshin zviceranët dhe shigjetarët e gardës me halebarda (sopata të mëdha me bisht të gjatë) dhe heshta si dhe me disa eskopeta (pushkë zjarri, L.R.)…“[2]

Padyshim spektaklet e Da Vinçit sot për ne janë të paimagjinueshme. Ambasadori Galeazzo Visconti, i pranishëm në një spektakël tjetër, në oborrin e Clos Luce, shkruante atëherë se si “ai krijoi natën brenda natës duke vendosur një çarçaf të madh për të krijuar një lloj kubeje qiellore duke kapur në të shenja zodiake që lëviznin, apo “planete” qiellore ku të gjithë mbetën gojëhapur. Në fillim oborri u mbulua me çarçafin blu dhe me yje në ngjyrë ari. Ishte një mrekulli ta shikoje. Kishte 400 fenerë që bënin dritë, çka dukej se e kishin larguar natën…“ Festat e përkujtimit të betejës së Marignano-s ishin të fundit për Leonardo Da Vinçin. Atë kohë ai ishte 64 vjeçar por nga lodhja e madhe ngjante shumë plak. Kishte një mjekër të gjatë siç e shohim në autoportretin që ka skicuar dhe që mendohet se është e vitit 1515, vit i luftës së Marignanos.
Mbreti 23 vjeçar François I e çmonte shumë. Një vit më vonë Leonardo do të vdiste atje në Clos Luce dhe mbreti nxitonte nga Saint-Germain-en-Lay ta shikonte dhe në çastet e fundit e gjeti të sapo vdekur në shtrat. Atëherë ai e mori trupin e tij në krahë me një dhëmbshuri të madhe… Vallë a ishte dhe Bokali aty?…Nga mbreti François I është dhe një dokument i nënshkruar nga ai për mbajtësin e Thesarit ku shkruhet se «Kapitenit Albanois Cosme Dario ti jepen 225 livra «tournoi» për nevojat e jetesës në shërbim të Senjorit të tij.[3]
[1] Bokali ishte i familjes së Nikolla Bokali, i cili kishte luftuar për të mbrojtur ishullin e Zakintos (Zante) që ishte nën pushtetin venecian. Lietnanti i tij i parë ishte Petro Buziki. Me stradiotët e tjerë ata hynë në historinë e mbrojtjes së kështjellës veneciane të Shën Markut, më 1479, kur osmanët e sulmuan e një ushtri të madhe. Po në Zante luftonte dhe Petro Bua, që ishte në krye të 500 stradiotëve si dhe Comin Meneshi nga familja e famshme stradiote. Në Zante ata konsideroheshin nga venecianët “arvanitic speaking greeks”.
[2] (Archivio Gonzaga, Esteri (Francia), XV, 3,634, tekst i cituar nga Edmondo Solmi në “Documenti inediti sulla dimora di Leonardo da Vinci in Francia nel 1957 et 1518, in Scriti Vinciani, Le fonti dei Manoscritto di Leonardo da Vinci e altri studi, La nuova Italia, editrice, Firenze, 1976, p.621-623.) Escopette – armë zjarri portative.
[3] «A Cosme Dario, capitaine Albanois ou service dudit sieur, deux cens vingt et cinq livres tournois en cent escuz d’or souleil», Archives nationales, I1-J825.