Këto fotografi në gazetën franceze «Liberation» më kthyen sot 30 vjet më parë në vitet kur dhe në Shqipëri binte Muri i Berlinit. Mbaj mend kur atë pasdite të 20 shkurtit të vitit 1991 , pasi pashe si tërhiqej zvarrë monumenti në Bulevardin “Stalin” takova rastesisht mikun tim të vjetër Jamarbër Marko i cili me një ngazëllim të natyrshëm më tregoi një copë të betonit të piedestalit të shtatores së shembur në sheshin e madh të Tiranës. I shkëlqenin sytë në paqen e tij, pa klithje, pa thirrur per fitoren, thua se gjithçka kishte ndodhur ashtu siç kishte menduar ai. E përqafova mikun tim të bredhjeve dhe bohemive tê pafajshme, dashurive dhe trishtit në stolat e gjykatês së Tiranës.

Menjëherë u ktheva përsëri të merrja dhe unë një copë nga ai piedestal, njê « souvenir », çka të kujtonte qytetarët e Berlinit kur shumë afër portës Banderburg tê rinjtê merrnin copat e Murit të Berlinit. Dukej se historia përsëritej nga njëri vend i Lindjes në tjetrin, me po ato histori, përgjime, pëndjekje, skena tê « gjuetisë » gjersa dhe në «dominonë e fundit» të kampit të lindjes europiane binte më në fund në Tirane tek ky «Mur i Berlinit» shqiptar. Ngjarjet në Lindje duket se kanë qenë të përngjashme me ato në gulagêt siberianë apo nê kampet e Rumanisë, Polonisë, Gjermanisë lindore, e gjithë Europës së Lindjes: vrasje të njerëzve që kërkonin të kapërcenin kufijtë e mbyllur, rrëzime statujash, heqje e simboleve totalitare si monumentet e Stalinit apo refugjatët që iu dyndën ambasadave. Jo shumë shqiptarë dinë që dyndja nëpër ambasadat perëndimore nuk ishte thjesht një fenomen shqiptar, por i gjithë vendeve të Lindjes, pasi këto dyndje kishin ndodhur kudo. Këto fotografi kanë një semantikë të njëjtë me refugjatët e Lindjes drejt ambasadave perëndimore. «Liberation» shkruan për oborrin e ambasadës në Berlinin Lindor ku mijra gjermano-lindorë në verën e vitit 1989 kërkonin azilin politik në ambasadën çekosllovake ; shkruan për tendat e Kryqit të Kuq çekosllovak për strehimin e tyre dhe rradhën e gjatë të refgugjatëve, burra, gra e fëmijë drejt tualeteve të ambasadës. Një kaos i ngjashëm si në ambasadat italiane, gjermane apo franceze në Tiranë, me karvanët e autobuzëve, largimet drejt Perëndimit.

Një epokë totalitare përmbysej me shpresën e lirisë, të shtetit të së Drejtës dhe të Demokracisë që edhe pas 30 vjetësh duket se vonon të vijë…