Zao Wu Ki – Hapësirat që Heshtin e Flasin Njëkohësisht

Hapësira është heshtje”. Kështu titullohet ekspozita post-mortum e piktorit të famshëm të ditëve tona, franko-kinezit Zao Wu Ki në “Palais de Tokyo”, në Paris. Dhe vërtet, tek viziton këtë ekspozitë, pikas menjëherë se në të mbizotërojnë tablo të dimensioneve të mëdha, diptikë apo triptikë, hapësira dinamike plot ngjyra dhe heshtje, heshtja që nderet në to. Ti afrohesh ballë tyre dhe e kupton imponimin e heshtjes, forcën e pikturës abstrakte, hapësira që të bëjnë të udhëtosh në mënyrë imagjinare.

Kisha patur rastin ta shikoja shpesh kur shkoja në shtëpinë e mikes time Solange d’Angely dhe në mesin e atij itinerari shikoja Zao Wu-Ki, atë burrë shtatshkurtër, me një buzëqeshje mirësie të përhershme, që dilte e hynte në atelierin e tij tri katësh ku gjendeshin tablotë e tij të dimensioneve të mëdha dhe të mrekullueshme. Herën e fundit që e pashë ishte para disa vitesh kur nga makina që kishte ndaluar buzë rrugës, ballë atelierit të tij, dy gra po e mbanin nga krahët për ta futur në atelier. Por Zao kishte përfunduar si një lloj fëmije, këmbët e të cilit nuk preknin dot trotuarin. Me sa duket kishte ngulur këmbë të shihte tablotë e fundit të tij. Më erdhi keq ta shikoja ashtu atë mjeshtër të madh, në atë gjendje të dëshpëruar dhe të lodhur para një vdekje të afërt. Ai vdiq në prill të vitit 2013.

Zao Wu Ki

Emrin e Zao Wu Ki e kisha dëgjuar për herë të parë kur shkruaja për pikturën e Omer Kaleshit, pasi ai kishte patur një histori të çuditshme me të, në kohën që piktori me origjinë shqiptare, ardhur nga Stambolli në Paris, sapo kishte filluar të ekspozonte në Sallonin e artit të Parisit. Ishte piktori Pignon, mik i afërt i Pikasos ai që i kishte thënë një ditë Omerit që të shkonte ti tregonte mjeshtrit Zao tablotë e tij. Dhe Omeri, me tablotë në krahë, ishte nisur në atelierin e mjeshtrit franko-kinez, i cili në atë kohë po bëhej i njohur me afresket e tij për teatrin, baletin, muzeumet, etj. Kur Omeri i kishte treguar tablotë, mjeshtri kishte heshtur një çast dhe kishte kaluar gishtin e tij mbi kornizën e tablosë, duke fshirë pluhurin. Ky ishte mësimi i parë për Omerin që s’duhej ti tregonte tablotë pa fshirë pluhurat mbi tablo.

Zao Wu-Ki ishte djali i një bankieri i lindur në Kinë, i cili që adoleshent ishte dalluar për talentin e tij në kaligrafi e vizatime, duke ndjekur shkollën tradicionale kineze. Familja e tij ishte një familje e vjetër, me rrënjë që shkonin gjer në dinastinë Song të shekujve X-XII. Pas studimeve të para për pikturë, tepër i ri dhe i sapo martuar, ai e la Kinën dhe në vitin 1948 u nis drejt Francës bashkë me gruan e tij. Dy muaj më vonë e gjejmë mes piktorëve të Montparnasse, ku vendoset në “Rue Moulin Vert”, dy hapa larg nga atelieri dhe shtëpia e Giaccometti-t. Por formimi i tij tradicional nuk e pengoi të bëhej ithtar i piktorëve në zë të kohës si Matisse, Kandinsky, Klée, etj. Një lloj abstraksionizmi që dukej se i përshtatej mënyrës së tij të pikturimit, një pikëtakim midis Orientit të largët dhe Perëndimit. Por ndikimin më të madh ky piktor e pati nga vepra e Sezan, piktor që ndikoi shumë nga piktorët e “Ecole de Paris”, (Pikason gjithashtu) apo të “Nouvelle Ecole de Paris”, ku bënte pjesë dhe Zao Wu Ki, kohë kur ai pikturoi shumë portrete realiste apo “nature mort”. “Ishte vepra e Sezan që më ndihmoi të mbetem si piktor kinez” – do të shkruante më vonë ai…”Kam patur gjithashtu një admirim të veçantë për Cimabuen të pikturës së hershme italiane”, dhe kjo padyshim në kuadrin e perspektivës dhe trajtimin e hapësirave të mëdha. Nëse do të shohim ndikimet e dukshme të piktorëve të mëdhenj në artin e tij, do duhej të konfrontojmë tablonë “Portreti i gruas time” me veprën e Matisse; tablonë “Dasma” e vitit 1941 me Chagall, apo një portret të tij me veprën origjinale të Modilianit. Gjatë viteve ’50-’60 të shekullit XX, ai udhëtoi shumë, duke mbushur “Fletoret e Udhëtimit” me vizatime e akuarele të mrekullueshme, për tu vendosur përfundimisht në Paris, ku filloi të bëhej mjaft i njohur, me afresket e tij, ilustrimet e librave të rrallë, etj, veçanërisht kur një koleksionist arti amerikan e ftoi të ekspozonte në New York, çka do të bëhej për të një itinerar i përvitshëm. Veprat e tij u konsideruan si “abstraksione lirike” dhe ai, siç shkruante ish kryeministri Dominique Villepinde, në revistën e kritikës pikturale franceze “Connaissance des Arts”, si një nga piktorët më të mëdhenj të ditëve tona. Duke shkruar rreth ilustrimeve të piktorit franko-kinez mbi poezitë e René Char, ai shtonte: “Piktori dhe poeti shpalosin gjithçka në dritë, si një lloj mizanskene… Akuarelet e tij janë një lloj drite e hedhur mbi fletët poetike, një lloj modifikimi i dritës, një shpërbërje e saj, njëlloj si poezia e René Char që është një alkimi e fjalës…” Poeti tjetër francez Henri Michaux ka shkruar se “Tablotë e Zao Wu-Ki kanë një virtut: ato janë dobiprurëse”, duke pohuar miqësinë e madhe që e lidhte me këtë piktor që vinte nga larg. Shumë poezi të Michaux janë ilustruar me litografi të tij, ku ngjan se poezia dhe piktura kanë një ngjizje të vërtetë. Duke u ndalur në këtë libër poetik, Michaux shkruante: “Librat janë të mërzitshëm vetëm ti lexosh. Nuk ke zgjidhje tjetër. Duhet të ndjekësh fillin e tyre. Rruga është e përcaktuar, unike. Ndryshe është me tablonë: ajo të jepet menjëherë, e tëra. Pastaj ti vështron majtas, djathtas, si të duash. Pushimet në të nuk janë të përcaktuara. Sapo kemi dëshirë, syri e shikon përsëri të tërën. Pra në një çast, e tëra është ballë teje. E megjithatë, asgjë nuk është bërë e njohur ende. Dhe tashmë, duhet të LEXOSH… Të gjithë mund të lexojnë një tablo…” Akuarele të mrekullueshme dhe ajrore, një libër poetik si një libër më vete, ku një kritik arti gjen jo rrallë inkantacione të vargjeve të Rimbaud me imazhet e tij..

Luan Rama

Ekspozita e sivjetshme e Parisit, paraqet para publikut veçse një pjesë të vogël të krijimtarisë së madhe të tij, edhe pse bëhet fjalë për disa salla ku janë paraqitur këto tablo. Ajo që të bije në sy është padyshim një raport mjaft i gjetur midis dritës dhe ngjyrës, në trajtimin jo thjesht vetëm të hapësirës por edhe semiologjisë që përmban ajo, lufta e dritës me errësirën, proçedimet në okër si në kohë kataklizme, përdorimi mjeshtëror i blusë, i të bardhës, të kuqes për të krijuar atë shpërbërje të dritës dhe heshtjen që nderet mbi gjithçka. E megjithatë, në këto peizazhe abstrakte ndjen vibrimin e një jete, dinamikën e erës, shpërthimin e natyrës… Dhe ajo që është e veçantë tek ky piktor, është ajo lidhje që pikas menjëherë midis Perëndimit dhe Lindjes së largët, midis traditës së vjetër kineze dhe modernizmit perëndimor. François Cheng, një mik i tij, akademik i Francës, lidhur me pikturën e tij do të shkruante: “Një simbiozë e vërtetë është realizuar për herë të parë, ajo që gjithkohësisht duhej të kishte ndodhur: lidhja midis Kinës dhe Perëndimit. Në mitet arkaike kineze, Krijuesi nuk zbulohet nga “Fjala”, por ai lë gjurmë përmes shenjës nga të cilat njerëzit frymëzohen për të krijuar shenja hyjnore apo gjuhësore. Dhe atëherë peneli bëhet instrument pasioni i gjithë një populli…”

Zao Wu Ki