Verbimi i shenjtes

Tregim.

Vuuu… vuuu, frynte era, një erë e marrë nën një qiell të errët që herë pas here ndriste nga larg e ku një turmë zogjsh silleshin rrotull plot zhurmë.

Vuuu…. Vuuu… Ndërkohë diçka u përplas në dritaren e asaj shtëpie të thjeshtë. Një kokë lëvizi nga një shtrat druri. Sytë e bukur të një gruaje u kthyen dhe përsëri një përplasje tjetër si një gur mbi xham. Gruaja u ngrit, shkoi pranë dritares, vështroi tutje përmes atij xhami të krisur dhe pikasi turmën e zogjve të çoroditur që u rrotullua përsëri në ajër dhe si një vorbull e madhe u zhduk tutje me një shpejtësi të çuditshme e plot zhaurimë. Ç’të ishte vallë?

Tashmë vetëm era dëgjohej: vuuu… vuuu… Gruaja u kthye drejt shtratit, fiku kandilin dhe u shtri përsëri pranë burrit të saj që dukej se flinte. Iu ngjesh pranë dhe mbajti frymën një çast. Burri rënkoi disi dhe ajo e dëgjoi.

– Stef?

– Çfarë, – u dëgjua mërmërima e tij e heshtur dhe e zymtë.

– Thuamë, çfarë ke?

– Asgjë, më lër tani të flë…

Ai i largoi dorën që i kishte prekur kurmin. Rina e vështroi një çast nën dritën e zbehtë të zjarrit që digjej në cep të dhomës. E megjithatë iu afrua përsëri. Zgjati kokën, afroi buzët mbi zverkun e tij të nxehtë dhe e puthi lehtë:

– Stef…

Burri e shtyu ngadalë duke bërë akoma më shumë drejt murit prej balte.

Ajo e kuptoi se vështirë ta bënte për vete ato çaste. U shtri në kurriz dhe ndoqi një çast të gjatë atë re tymi që ishte ngritur drejt trarëve të çatisë, pa ditur se poshtë dritares, dy lakuriqë nate të shtyrë nga era ishin përplasur mbi xham dhe dergjeshin poshtë pa jetë.

Kishte dy javë që Stefi e kishte humbur atë gjallërinë e tij të zakonshme. E qeshura e tij karakteristike ishte zhdukur. Sa kthehej nga arat, hante një krodhe bukë dhe menjëherë zinte cepin e oxhakut, mendonte një kohë të gjatë e pastaj shkonte të shtrihej më herët se zakonisht. Në fillim ajo nuk e kishte kuptuar gjendjen e burrit të saj, pasi ditën shkonte në pyll të priste dru për dimrin që afrohej. Por më pas, natë pas nate, heshtja gjatohej, vështrimi i tij bëhej gjithnjë e më i trishtë dhe më së fundmi ajo e kuptoi arsyen e vërtetë të vuajtjes së tij. 

Edhe ajo e vuante të njëjtën gjë. Pas kaq kohësh, tre vjet e më shumë, ata ishin përsëri të trishtë e të vetmuar. Ah, sikur të kishin më së fundi një fëmijë, por… Edhe pse dimrin e shkuar barku i saj nuk kishte arritur dot ta mbante pjellën e tyre, gruan e mbante gjithnjë një lloj shprese…

Oh ç’tmerr kishte kaluar! Nata dhe dita mbartnin një lloj kllapie të gjatë dhe të pafund. Kishte menduar se do të vdiste, por çuditërisht ishte ngjallur dhe më së fundi ishte ngritur në këmbë. Zoti e kishte shpëtuar.

Muajt kalonin të heshtur e gjithnjë e më të rëndë. Nëna e Stefit i kishte treguar disa marifete grash sesi ta ndërzente burrin e si të bënte që fara të ngjizej e të rrinte sa më ngrohtë në thellësinë e trupit të saj. Por asgjë nga këto nuk kish bërë fajde. Më së fundi, një ditë e kishte çuar tek popi i fshatit. Ajo i ishte rrëfyer, pastaj i ishte gjunjëzuar e ai i kishte pështetur kokën në prehërin e tij me një dorë që i dridhej, duke i thënë.

– Lutju Zotit të madh, se vetëm Shenjtëria e tij do të ndihmojë!

Çdo muaj lante pelenat e gjakut, i thante në hajat disi fshehurazi, kur Stefi shkonte në arë dhe i njëjti ritual përsëritej muajin që vinte. Edhe pse si natyrë ishte e ndrojtur, disa herë i ishte futur Stefit lakuriq në shtrat që ta ndillte akoma më shumë. Dhe ai dehej mbi të… dhe ajo dehej gjithashtu poshtë tij. Dhe sytë humbisnin në kristalinën e njëri-tjetrit, në detet e pafund të humbëtirave të mëdha. Dhe ai i puthte gjinjtë, barkun, këmbët, ndërsa ajo qeshte si një e dehur, në një ekstazë shpirti dhe seksi.

– Dua një fëmijë shpirti im! – i pëshpëriste ai.

– Një djalë që të të ngjajë ty…

– Dua të më çmendësh nga gëzimi!

– Do të të çmend i miri im, i dashuri im, i ëmbli im. Por dua të më duash po aq sa ai…

– Po hëna ime, larë në argjend…

Muajt kalonin dhe pelenat përgjakeshin e përgjakeshin e ankthi e  pushtonte gjithnjë e më shumë. Nuk guxonin t’i flisnin njëri-tjetrit për këtë makth që po u zinte netët.  «A thua Zoti i madh më ka dënuar që mos të kem kurrë fëmijë? – mëdyshej herë pas here ajo para një copëze të thyer pasqyre kapur me gozhda mbi mur. «Ç’faj kam bërë unë e mjera?!»…

Netët bëheshin gjithnjë e më të errta, gjithnjë e më të zymta, sikur dikush të kishte vdekur në atë shtëpi. Stefi e largonte vështrimin nga ajo, ndërsa sytë e vjehrës bëheshin gjithnjë e më hakërrues. Zëri i saj po ashtu.  «O Zot, mos kam mortin brenda meje? – pyeste veten Rina… dhe qante nën zë jo për fëmijën që s’po vinte, por për të dashurin e saj që i largohej çdo natë e më shumë.

Një ditë, në mes të muajit, nëna e Stefit e mori dhe e çoi te cigania Tania. Flitej se bënte mrekullira.

– Eja, kushedi jevga do na bëjë derman. Thonë se i njeh të fshehtat e kësaj bote… thonë se dhe Ropin, ajo e ktheu nga udha e varrit… dhe Selfon e ngjalli nga nepërka që desh i mori jetën.

Cigania banonte në një barakë në të dalë të fshatit, mbi kodër, ku merrej me magjitë e saj, nën hijen e një rrapi gjysmë të djegur nga rrufeja. Ashtu, pa gjethe, me krahë të gjymtuar, natën të kallte frikën, por magjistrica nuk bëhej merak. «Rrufeja s’bie dy herë në të njëjtin vend», thoshte ajo.

Tutje, po të hidhje sytë që andej, nja dhjetë kilometra më larg do të shikoje detin. Në krahë të asaj kasolleje, dyqind metra më poshtë, lartohej një mur me gurë tepër të mëdhenj e të vjetër, gurë qiklopikë, ndërtuar mijra vjet më parë. Poshtë tyre dergjeshin kollona të mbetura, me sa dukej nga një qytezë antike. Ishin kapitele dhe gurë me mbishkrime të vjetra latine e helene. Madje dhe një legjionar kishte shkruar emrin e tij dhe disa fjalë, por askush nuk dinte t’i lexonte ato…

Nga muri deri tek kasollja e Tanias heshtonin ca varre të çuditshme që thonin se ishin të disa kalorësve të huaj, vrarë në atë vend, por askush nuk guxonte t’u afrohej. Madje flitej se ai vend ishte i nëmur dhe se në çdo ditë të fundit të marsit, shiheshin të vdekurit tek hidhnin valle. Fshatarët e besonin këtë, ndonëse asnjë syresh nuk i kishte parë.

Rina ishte ulur tashmë ballë Tanias me nënën e Stefit në krah. Sapo e vështroi, ajo i uli sytë pasi ashtu me ato flokë të gjata e të pakrehura që i binin pas gjer në bel, me vithe të mëdha dhe gjinjtë e lëshuar, ajo grua pesëdhjetë vjeçare i dukej si një shtrigë e vërtetë. Nga vatra pranë, Tania mori dy thëngjij, i afroi para fytyrës së Rinës dhe u fryu. Me një pamje të mistershme ndoqi rrugën nga shkonte tymi i tyre, duke e shoqëruar me fjalë që i dilnin si pëshpërima: “Abra… suba… braba… Abra… suba…braba!… I pavdekshëm është shpirti yt, bërë prej hiri e gjaku!” Pastaj ajo i futi të resë dorën në gjoks, duke ia rrëshqitur e prekur fundin e barkut, madje dhe poshtë seksit të saj. Rina u tërhoq e tmerruar, por Tania ia krisi një të qeshure të madhe.

– Eh, këto nuset e reja, si shumë turpe kanë!

Një çast Rina i uli sytë, por dora e shtrigës ia ngriti kokën duke e goditur me atë shikim therës. Mos po lexonte diçka në sytë e saj?

Ndërkohë Tania iu kthye nënës së Stefit.

– Sofie, na lër pak vetëm me nusen!

Në fillim Sofia ngriti supet dhe donte ta kundërshtonte, por zëri autoritar e i prerë i ciganes dhe ai vështrim hijerëndë, disi kërcënues, e bëri të tërhiqej ngadalë dhe të dilte nga ajo kasolle e mbuluar me ca dërrasa, lëkura të vjetra dhe lloj-lloj rangullash.

Kur plaka doli, ajo iu afrua Rinës aq afër sa për pak dy fytyrat e tyre prekën njëra-tjetrën.

– Ti do të bësh një gjë por që s’do t’ia thuash kujt!- tha me zë të ulët ajo.

– As Stefit?

– Askujt të thashë!

– Çfarë atëherë?

– Më parë mu beto se s’do t’i thuash kujt se të kam thënë unë… Janë gjëra me zarar. Nëse i tregon dikujt, të bije hija e zezë dhe magjia prishet. Pastaj s’do ta ngresh më kokën gjersa të vdesësh… ti dhe unë bashkë.

– Po çfarë, – pyeti gjithë ankth ajo për të zbuluar enigmën që do t’i tregonte.

– Që të mbetesh shtatzënë duhet të hash sytë e shenjtes në muret e kishës së vjetër.

– Sytë e shenjtes?

– Po, – tundi kokën Tania duke hedhur flokët mbi supe dhe ia nguli sytë e mëdhenj e të zinj, sikur të donte ta magjepste.

Ç’thoshte vallë kështu? – mendoi ajo.

– Po ky është mëkat i madh. E si mund të ndodhë kjo?… Ç’është kjo gjëmë që më dëgjojnë veshët?

Rina e ndjeu se zëri iu drodh dhe goja po i thahej e tëra, ndërkohë që gjuha i ngjitej në qiellëz. Ç’thoshte kështu kjo magjistricë?… Gjithë trupi iu drodh nga një drithmë e madhe sikur ta kishin futur në një pellg akulli.

– Dëgjo këtu, – i tha pas një heshtje të shkurtër cigania. – Tek kisha e vjetër janë ende disa fytyra shenjtësh. Aty nuk shkel më njeri. Do shkosh fshehurazi dhe do kruash sytë e njërës prej tyre. Pastaj gëlqeren e ngjyrosur do ta marrësh në një shami dhe po fshehurazi do ta hedhësh në gojë, ose do ta tretësh në një gotë me ujë…

Cigania i erdhi rrotull ndërsa ajo e shikonte me sy të çakërritur dhe duke qeshur djallëzisht i shtrëngoi njërin nga gjinjtë…

– … Dhe pastaj do ta pish para se të shkosh në shtrat e t’i ngjishesh burrit për të bërë atë punë.

– Vërtet?

Magjistrica tundi kokën duke qeshur.

– Kështu do të presësh…

– Pra mund të bëhem nënë?! – pëshpëriti ajo e habitur nga çka i thoshte cigania.

Magjistrica tundi kokën dhe para fytyrës i bëri një shenjë të çuditshme. Nuk ishte shenja e kryqit, por diçka krejt tjetër, me sa duket e ritit të saj mistik, cigan.

– Dhe mos harro… tek kisha e vjetër duhet të shkosh kur të jetë hëna e plotë!

Rina tundi kokën, gjithnjë e habitur nga ajo që i kishte thënë cigania: të hante sytë e shenjtës! Oh, ç’mëkat! Po si mund ta bënte këtë?

Ajo mbylli sytë për një kohë të gjatë dhe pikërisht atë çast, në atë errësirë të plotë, tutje iu shfaq një dritë e bardhë që sa vinte e pushtonte krejt mugëtirën. Kishte diçka ngazëlluese në gjithë këtë.

Ishte zëri i ciganes që e bëri të hapë sytë:

– Shko tani!

Dhe çuditërisht ajo doli me një hap të lehtë, sikur një dorë hyjnore ta tërhiqte pas. Tek dera, nëna e Stefit i zgjati ciganes paratë, duke e parë me një lloj frike e dyshimi:

– Të tjerat kur të lindë!…

E la atë në prag duke i kthyer kurrizin për t’iu afruar Rinës që shkonte përpara.

Plaka e pyeti se çfarë i kishte thënë magjistrica, por Rina mërmëriti diçka nëpër dhëmbë, diçka për nishane, por që askush nuk do ta kishte kuptuar, madje as ajo vetë.

– Hë, tregomë, ç’të bëri?

– Punë grash moj nënë, – gënjeu nusja.

– O Zot, tani jemi në dorën tënde! – pëshpëriti nëna e Stefit dhe të dyja gratë bënë poshtë drejt fshatit.

Kaluan disa ditë deri sa do të shfaqej hëna e plotë.

Natën, kur hëna rrëzëlleu e gjithëpushtetshme në qiell, Rina hodhi një shall të madh mbi kokë dhe doli shkarazi nga kasollja. Pranë oxhakut, Stefi po merrej me tharjen e lëkurave të dhive, të cilat po i përgatiste për dimrin që afrohej ndërsa plaka fuste pulat në kotec.

Në majë të gishtave, Rina kapërceu oborrin sikur të kishte frikë mos ndokush do ta pyeste se për ku ishte nisur. Me kandilin në dorë nxitoi drejt kishës së vjetër e të shkatërruar që nga luftërat e fundit. Që nga ajo kohë, fshatarët kishin ngritur një kishë më të vogël dhe dalëngadalë ajo ngrehinë e vjetër kishtare e para dy shekujve ishte lënë pas dore dhe ishte braktisur pothuaj totalisht. Duke ecur, herë pas here kthente kokën nga kasollja e tyre dhe nga rruga.

Kur u afrua, pikasi se ajo kishë të rrënuar me këmbanoren e shurdhët prej kohësh, lëshonte një hije të madhe përreth, duke ndjellur një pamje të frikshme. Kapërceu pragun e portës së madhe e të shqyer dhe hyri brenda. Një erë e lehtë përplasej mbi të. Pas një çasti, ngriti kandilin dhe filloi të ecte në sallën e madhe, plot rrangulla e dërrasa gjysmë të djegura, duke parë gjatë mureve për të gjetur fytyrat e shenjtëve për të cilat flitej nga fshatarët e moçëm. Më së fundi i gjeti. Në faqen e djathtë të kishës, disi të prishur, shquheshin mirë fytyrat e shenjtëve, disa të gjymtuar nga koha dhe gjurmët e lagështirës. Ishte një afresk i madh me shumë figura. Hodhi dhe një hap dhe ja ku u gjend papritur përballë një shenjtoreje të ulur. Kur ngriti pak kandilin, dalloi se sytë e gruas, të një prej pasueseve të Virgjëreshës Maria, ishin veç dy gropëza të vogla që dikush duhej t’i kishte gërvishtur me ndonjë mjet të mprehtë, s’dihej kur. Shtangu menjëherë dhe bëri një hap pas. Nuk e priste të gjendej para fytyrës pa sy të shenjtores. Me siguri, dikush tjetër kishte qenë këtu para saj dhe kishte ngrënë sytë e shenjtes, siç thoshte magjistrica, që të mund të lindëte fëmijë. Në krah të saj, një tjetër fytyrë, e ngjashme me të, kishte sy të bukur, si të një engjëlli, në formë bajame. Në prehër mbante një fëmijë. Jo, nuk ishte Virgjëresha, por një nga pasueset e saj, me një rrobë të bukur të verdhë në okër dhe faqet ngjyrë rozë. Ndjeu zemrën t’i rrahë, sepse ata sy ishin shumë të bukur. Si mund t’i krrente ato? Ngriti vështrimin lart dhe nga trarët që kishin mbetur vështroi hënën e plotë, e cila ndriste qiellin me një dritë të bardhë. E megjithatë një dëshirë e brendshme apo një forcë e pakuptuar ia mori dorën bashkë me thikën që kishte fshehur dhe ia ngriti lart, drejt fytyrës së shënjtores. Dora që i dridhej ndaloi një çast duke hezituar të ngulte tehun për t’i krryer sytë. Tani dhe shenjtorja me ato buzë të pulpta e gjithë mirësi po e shikonte drejt e në sy. Madje ajo po i pëshpëriste me një zë të ëmbël e të butë, sikur të donte mos ta dëgjonin shenjtet e tjera:

“Ç’bën kështu motër?”…

Por Rina mbylli sytë dhe bashkoi dy grushtet mbi gjoks.

– O Zot i madh, mëshiromë për këtë që po bëj! – pëshpëriti ajo.

Dora u zgjat përsëri dhe u ngul në sytë e shenjtores.

Gjithçka u krye shpejt, si një dritë rrufeje. Nxorri shaminë dhe i mblodhi ato copat e gëlqeres që pak më parë kishin qenë sytë e shenjtores. Ishte zbardhur e tëra dhe dridhej. “O Zot, ç’bëra unë kështu?!… Por menjëherë u tërhoq dhe ia dha vrapit drejt kasolles së saj duke ndjerë sipër kokës rrahjen e krahëve të lakuriqëve të natës.

Të nesërmen e asaj nate, Rina përpiqej të kujtonte gjithçka nga ajo që kishte ndodhur natën e hënës së plotë, por kur vinte çasti i dorës së ngritur mbi sytë e shenjtes, kujtesa nuk e ndihmonte më. Nuk arrinte të risillte ndër mend se ç’kishte ndodhur më pas, si i kishte mbledhur ato copa dhe si ishte kthyer në shtëpi. Sytë sikur shkrepëtinin rrufe, duke lëshuar një dritë të fortë e të bardhë. U përpoq të kujtonte nëse e kishte pyetur Stefi apo Sofia se përse ishte vonuar apo ku kishte qenë?… Gjithçka kishte humbur në mjegullën e dendur dhe të errët të moskujtesës.

Nga mesi i muajit tjetër, tek po nderte rrobat në oborr, pranë gardhit, papritur ndjeu të humbte forcat. Shpejt bota iu errësua dhe u këput lehtë duke rënë në tokë si në një botë të shuar. Sa kohë kaloi kështu?… Nuk e dinte, veçse çuditërisht, kur hapi sytë kuptoi se gjendej në shtrat dhe përballë kishte fytyrën e vjehrës që i buzëqeshte e diçka i thoshte. Rina nuk po arrinte ta dëgjonte. “Përse po qesh?” – mendoi ajo, por ndërkohë zëri filloi t’i vinte si nga fundi i një gremine apo pusi të thellë:

– Rina moj vajzë! Zoti e dëgjoi lutjen tonë!

– Çfarë? – pëshpëriti ajo pa e kuptuar ende.

– Po ti je shtatzënë moj nuse!

Rina hapi sytë pa arritur ta besonte këtë lajm të madh.

– Vërtetë?… O Zoti ynë!

Atë natë Stefi fluturonte nga gëzimi. S’kishte gjumë në sy. E lodhur dhe e lumtur nga gjithçka që po ndodhte përreth, Rina dremiti në krahët e tij. Dhe ai e shikonte, ashtu, me ata sy të mbyllur, sikur të kishte një hyjni në krahët e tij.

Që nga ajo ditë, kasollja e tyre jetonte veç gëzimin e fëmijës që do të lindëte. Rina kishte filluar të bënte trikot e plaçkat e bebes, nëna e Stefit përgatiste zairetë e dimrit. Të mbjellat kishin qenë të mira. Në pranverë qershija në oborr kishte shpërthyer lulet dhe ajo u mahnit nga ai bulëzim i jashtëzakonshëm. Kurrë nuk kishte ndodhur që qershija të shpërthente në një aureolë lulesh, me atë rozë të lehtë që të mahniste me shikimin e parë, aq sa ti thoje: ç’mrekulli që krijon natyra!

Herë pas here ajo shtrihej nën të dhe ai qiell plot lule sikur e merrte dhe e ngrinte nga toka, ngadalë si me një frymë të shenjtë, ashtu shtrirë, nën një muzikë të një kantike të vjetër kishtare.

Kur ishte disa muajshe kishte një bark të vogël, por të bukur. Kur lahej në hajat dhe nëna e Stefit i hidhte ujë, vjehra i gëzohej barkut dhe atyre linjave të bukura të së resë.

– Zemra më thotë se do të jetë djalë! – i pëshpëriste ajo. – Stefit i qan zemra për një djalë që ta ketë gjithnjë në krahë që një ditë të ngrenë një shtëpi guri.

Gjinjtë e saj të ngritur ishin fryrë akoma më shumë dhe vjehra ia shikonte me një kureshtje të madhe.

– … Dhe mos vazhdoni më në shtrat se do të bëni zarare! – shtonte ajo.

Rina qeshte nën buzë, e lumtur për mëmësinë e saj.

Kur s’kishte punë, ulej nën qershizë. Më së fundi lulet ranë, qershitë u lidhën, barku i saj rritej akoma më shumë. Ajo i ngrinte sytë nga qershitë, i mbyllte dhe kërkonte të përfytyronte fytyrën e fëmijës që do të vinte, por çuditërisht ishte një fytyrë e vagët, e shpërfytyruar, flu, që kur bëhej e qartë nuk ishte fytyra e një fëmije, por fytyra e shenjtes, e shenjtes-fëmijë, me dy gropat e syve të kërryer. Atëherë, menjëherë hapte sytë që ta largonte atë pamje që e tmerronte dhe e linte për pak kohë pa frymë, sikur një dorë hekuri ta kishte kapur nga gryka.

Që atëherë nuk guxoi të shkonte poshtë qershisë, nga frika se mos i shfaqej koka e shenjtes.

Një natë shenjtja iu shfaq sërrish. Ajo iu afrua krevatit dhe i bënte shenjë me duar që t’i shkonte pas.

– Eja… eja ti bijë e Zotit!

Por Rina u kap fort pas trupit të Stefit që flinte dhe klithi. Ai u zgjua.

– Çfarë ke?… Pe ndonjë ëndërr të ligë?

– Ufff! – pëshpëriti ajo e mbytur në djersë…- nuk e di, sesi më erdhi.

Menjëherë, Rina u ngjesh pas trupit të tij si të kërkonte ta mbronte, deri sa e kaploi gjumi.

Tërë ditën shkonte e vinte e hutuar. Të shkonte drejt saj që të mund ta falte?… Por sapo e mendonte këtë, pështillej me krahët e saj, sikur të donte të mbrohej. Por përsëri shenjtja i shfaqej, si një natë, kur buzë krevatit, ajo i bënte shenjë t’a ndiqte përsëri.

Të nesërmen e asaj dite, kur dielli u ngjit në zenit, Rina mori rrugën dhe fshehurazi iu ngjit kodrinës. Bënte vapë dhe mezi ecte. Kur shkoi në majë, ndaloi në shtëpinë e magjistricës. E gjeti tek porta, ulur me këmbët e hapura dhe gjinjtë që i vareshin, duke hequr puplat e një pule që i kishte këputur kokën. Magjistrica u çudit kur e pa, por shpejt e kuptoi tronditjen e saj në atë fytyrë të zbardhët.

– Ç’të ka gjetur moj nuse?

– Ah, shenjtja, shenjtja më vjen pas…

– Ç’thua moj, shenjtët janë në qiell.

– Jo, jo… ajo që i kreva sytë!

– Tobestrafullah! – tha jevga dhe ia krisi të qeshurës.

– Tania, më ndihmo… ajo nuk më shqitet… tani dhe natën më vjen në shtrat! Çfarë blatimi të bëj?

– Uh, punë që rregullohet, – tha magjistrica pasi u mendua një çast.

– Po si?

– Nesër do të dalë përsëri hëna e plotë. Shko në kishë dhe poshtë shenjtes që i kreve sytë, vër një katruve me vaj dhe një tjetër me mjaltë.

Rina e vështroi një çast e habitur pa mundur ta besonte.

– Vërtet?

– Sigurisht! – qeshi magjistrica dhe vazhdoi të shkulte pendët e fundit nga pula që varej në duart e saj. – Zoti do ta dëgjojë lutjen tënde!

Kur Rina u kthye, magjistrica ende këndonte atë këngë ciganesh që kishte dëgjuar tek po i ngjitej kodrinës.

Të nesërmen ishte nata e hënës së plotë.

Ngarkuar me dy katruve, Rina mori udhën drejt kishës së vjetër. Tutje, majë kodrinës digjej një zjarr dhe dikush, me siguri një nga ciganët e saj, i binte violinës. Magjistrica festonte kushedi se çfarë. Më së fundi kur mbërriti, hyri brenda në kishën e braktisur dhe atje në prag, nën harkun e madh të saj mbajti vesh një çast. Pastaj ngadalë, shkoi drejt sallës, në të djathtë, si atë natë kur kishte shkuar për herë të parë. Tashmë ishte pranë tyre. I vështroi me rradhë ato shenjte të gjymtuara, përveç Virgjëreshës, s’dihet pse. Mesa dukej, askush nuk kishte guxuar të ngrinte dorën drejt Shën Marisë, nënës së Jezusë. Ndërkohë dëgjoi përsëri zërin e magjistricës që një ditë më parë i kishte thënë:

– Dhe mos harro që para shenjtes të përsëristësh tri herë të njëjtën frazë… Kështu shenjtja do të të falë.

Me buzët që i dridheshin, ajo vështroi shenjten, por ato dy zgavra përsëri i kallën frikë. O Zot! – pëshpëriti ajo dhe u afrua dhe më shumë, duke lënë poshtë afreskut dy katruvet që mbante ende në duart që i dridheshin. Dhe pastaj tha:

-“Ti do të jesh gjithnjë e lumturuara e Zotit! Zgavrat e tua do të bëhen burime drite e jete! Burime të lumturisë sonë!”

Ajo e përsëri tri herë të njëjtën frazë, siç i kishte thënë magjistrica dhe kur mbaroi, dëgjoi jehonën e fjalëve që kumbonte në atë hapësirë të vetmuar dhe të braktisur. Pastaj, pasi vështroi për herë të fundit nga shenjtja, u kthye me nxitim dhe filloi të largohej me shpejtësi, e ndjekur nga ajo muzikë ciganesh.

Po hynte muaji i nëntë dhe Rina mezi i vinte rrotull punëve të shtëpisë. Barku i qe fryrë shumë dhe djersët e mbulonin, por ajo ishte e lumtur me pjellën e saj. Një ditë, duke kapërcyer pragun, ndjeu një dhimbje të fortë në bark dhe një lëng i ngrohtë po i shkonte poshtë këmbëve. «Me sa duket do të lind», mendoi e lumtur. Po pse kaq shpejt? Muaji i nëntë sapo kishte hyrë?…

Nëna e Stefit që e dëgjoi ankimin e saj iu afrua menjëherë.

– Ç’ke moj nuse?

– Më duket se do të lind! – pëshpëriti ajo. – Më shkuan ujrat… dhe këmbët s’po më mbajnë.

– Ç’ujra moj? – pëshpëriti ajo dhe e zuri për krahu duke e futur brenda në kasolle.

Ndërkohë Rina zgjati dorën poshtë barkut, preku lëngun mes shalëve dhe kur ngriti dorën ngjyra e gjakut e tmerroi në çast.

– Po ky gjak? – tha ajo me gjysmë zëri dhe ngriti dorën e përgjakur para syve, sikur të mos ishte dora saj por e dikujt tjetër…

– Ky është gjak! – pëshpëriti sërrish dhe një tmerr i madh e pushtoi. Donte të thërriste Stefin por nuk mundi se ishte mekur dhe nuk klithte dot…

– O Zot i madh! – klithi plaka dhe e tërhoqi me vete drejt shtratit.

Rinës i filluan të dridhurat dhe plaka e mbuloi me një velenxë leshi.

Ishte natë e vonë. Askush nga të tre nuk vuri gjumë në sy atë natë.

O Zot… ndjehej e dërmuar. Sikur dikush t’ia kishte shkëputur zemrën nga kraharori. Dhimbja ishte e madhe, si një copë shkëmbi mbi gjoks e mbi bark. Papritur në errësirë iu shfaq fytyra e shenjtes, të cilës i kishte krryer sytë. Ajo iu afrua ngadalë, si në majë të gishtave, ardhur nga errësira e thellë e asaj nate. Zëri i saj ishte rënkues dhe kërcënues:

“Si arrite të m’i marrësh sytë, sytë e mi të bukur…  pse më verbove, sikur të isha bija e satanit!

E ndjeu se për një kohë të gjatë s’po merrte më frymë. Si kështu? Gati po mbytej dhe papritur një gulçimë e dëshpëruar e shpëtoi. Mori frymë sërish. Por fytyra e shenjtes iu rishfaq: “Kthemi sytë, ti bijë e Zotit!…”

Rina shtangu dhe pëshpëriti me një zë të shuar: “O Shën Mari!”

Si ishte e mundur që ajo të ishte larguar nga muret e kishës, ku kishte qëndruar me shekuj. Si u shfaq atje, në shtratin e saj, në atë natë të zezë, si një natë kobi.

Oh, ç’tmerr! – mendoi ajo. Ato dy zgavra të errta në atë fytyrë të bukur, të kuqe dhe okër, me një aureolë të bardhë drite, e bënin akoma më vrastar aktin e saj. Si e kishte bërë këtë gjë? A mund t’i shkulësh sytë një gruaje të bukur, e një gruaje të paqtë dhe të ëmbël, një gruaje që thjeshtë mbante fëmijën e saj në prehër? Vetëm një shpirt djallëzor mund ta bënte këtë gjë.

“Po unë pse e bëra?” – mendoi ajo dhe u tkurr e u mblodh sa një grusht, në atë çarçaf të ftohtë e të lagësht.

Çudi, në faqet e saj nuk kishte gjak që rridhte, nuk kishte gjurma të kuqërremte të një martirizimi nga dikush. Vetëm sytë mungonin. Dy vrima që papritur i shndërroheshin në dy zgavra gjigande ku kumbonte një zë i thyer e tragjik: «Kthemi sytë ti bijë e Zotit… kam kohë pa e parë dritën, kam kohë pa e parë fëmijën tim”.

Pikërisht atë çast ajo klithi. Pastaj një heshtje e thellë pushtoi kasollen. Po vinte agimi, por shenjtja e verbuar ecte ende nëpër errësirën e madhe, ashtu kuturu, duke kërkuar sytë e saj…

Të nesërmen pasdite mamia e fshatit ia nxorri mes klithmash e dhimbjesh të mëdha. Ajo kishte pritur dhe kishte shpresuar të dëgjonte zërin e fëmijës, që ai të klithte e të qante, edhe pse dy ditët e fundit nuk e ndjente më t’i lëvizte në bark. Por jo, Zoti nuk deshi. Zoti e kishte dënuar për sytë e shenjtes.

Fëmijën varrosën aty, në cepin e oborrit të shtëpisë, tutje, nën hijen e një rrapi të vjetër. Rina nuk ishte aty kur duart e Stefit e futën në dhé, sepse ajo digjej zjarr në shtratin e saj, midis jetës e vdekjes. Foshnjën e varrosën atje dhe jo në varrezat e fshatit, pasi lajmi se ajo grua kishte guxuar të krrente sytë e shenjtes kishte marrë dhenë.

Si kështu? Kush u kishte thënë? Mos kishte folur përçart atëherë kur i nxirrnin fëmijën?… Mos vallë i kishte kërkuar falje shenjtes? Sa shumë e kishin mallkuar ata njerëz, sa shumë!

Varrimi ishte bërë në muzg, larg syve të banorëve të atyre dy-tre banesave të ulta që ishin jo larg kasolles së tyre.

Ajo qante mes zjarrmisë që i digjte trupin dhe gati shkulte flokët. Donte të vdiste. Stefi hunguronte si një i çmendur dhe vinte rrotull varrit. Pastaj nisi t’i hedhë dheun e shkrifët. Në fund lëshoi një klithmë që çau qiejt dhe u zhduk drejt banesës së tij.

Atë natë në shtrat, në gjysmëerrësirën e dhomës, Rina pa të afrohej hija e stërmadhe e nënës së Stefit. Hija ndaloi dhe pasi mori frymë thellë i foli gjithë zemërim:

– Zotit të madh nuk mund t’i fshihesh! Po ngrite dorën mbi të ai të godet dhe të mallkon përjetë. Zoti i sheh të gjitha në këtë botë!

Rina donte të ngrihej. Sapo lëvizi pak ndeshi vështrimin e egër të plakës, sikur të ishte ajo që e kishte vrarë atë pjellë aq të shumëpritur. Pastaj u lëshua në shtrat dhe humbi në një botë tjetër.

Një natë e zezë ra, shumë e zezë. Hëna nuk dukej gjëkundi dhe një qyqe këndonte tutje. Papritur ia krisi një rrebesh i madh. Gjëmonte gjithçka: toka, era, qielli. Menjëherë mendoi për fëmijën kërthi e të sapolindur, futur në atë arkë të vogël druri ku uji me siguri kishte filluar të depërtonte. Tani trupi i bebes notonte si të ishte në një liqen të vogël morti. Iu afrua shtratit por kur e pa të shoqin ashtu kruspull e të mbledhur sa një grusht, i erdhi keq. «Po ç’faj kam unë?» – mendoi ajo dhe filloi të pyeste veten sikur të ishte jo ajo por një tjetër, një tjetër me emrin Rina.

Të nesërmen, që në mëngjes, në pragun e kasolles së tyre u shfaq figura e zezë e popit me pelerinën e tij të gjatë, gjer në fund të këmbëve. Stefi i tha të futej, por ai refuzoi me një zë të rëndë e të prerë.

– S’kam kohë të pres! Gruaja tënde duhet të largohet menjëherë nga fshati ynë, një orë e më parë… Djalli e ka pushtuar shpirtin e saj!… Djalli tani na kërcënon të gjithëve!

Stefi uli sytë, mendoi një çast dhe pastaj hyri menjëherë brenda, i ndjekur nga zëri i priftit që shtoi:

– Kështu e pësojnë të gjithë ata që guxojnë të ngrejnë dorën kundër shenjtëve tanë!

Pas derës, Rina dëgjonte e mbërthyer nga një frikë e tmerrshme.

Duke u dridhur, ajo u shfaq në prag, me atë fytyrë të shpërfytyruar dhe flokë të pakrehur. Era dukej sikur donte t’ia shkulte. Ishte e dërrmuar nga dhimbja.

– Vërtetë duhet të largohem? – pëshpëriti më në fund ajo, duke iu drejtuar popit.

– Menjëherë! – shtoi prifti dhe vështroi nga qielli. – Ndryshe do të ndëshkohesh me zjarr nga Zoti. Ky është vullneti i Kishës dhe i Zotit!

Një çast shtangu si një shtatore guri. Pastaj me një lëvizje të vrullshme u fut brenda, mori një bohçe me plaçka dhe doli sërish në pragun e portës. Prifti përsëri nuk foli. Ajo ecte ngadalë e ndjekur nga Stefi, i cili s’po kuptonte se ç’po ndodhte në të vërtetë. Këmbët e tij ndaluan pranë priftit.

– Na mëshiro, o Zot i madh!

Pastaj zuri të pëshpërisë ca fjalë të shkëputura që priftin e bënë nervoz. Stefi nisi të çapitet drejt Rinës, e cila për një çast ndaloi pranë varrit të vogël nën rrap dhe pastaj kapërceu gardhin e jashtëm të oborrit. Tanimë figura e saj nisi të tretej.

Ishte fund jave dhe qielli vazhdonte të mbetej i ngarkuar plot re. Prifti kishte dërguar tre fshatarë me kosat e tyre në duar që të mbërthenin shtrigën lart në kodër dhe ta sillnin zvarrë para kishës, por kur arritën atje, s’gjetën frymë njeriu. Me ta marrë vesh, Tania kishte marrë plaçkat me nxitim dhe ia kishte mbathur. Atëherë fshatarët i vunë zjarrin kasolles së saj. Tymi i atij zjarri të madh ngrihej lart në qiell, shoqëruar nga zërat e klithjet e plakave të fshatit që ofshanin dhe shanin shtrigën! Të tjerë fshatarë, të nxitur nga prifti, po nxitonin të shkonin lart për të marrë pjesë në ndëshkimin e shtrigës.

Tek zbriste fushës me nxitim, Rina ndaloi një çast duke parë zjarrin që kishte pushtuar kasollen në majë të kodrës. “Mëshirona o Zot!” – pëshpëriti ajo.

Ndërkohë, brenda kasolles, Stefi vinte vërdallë. Papritur në një cep të dhomës pikasi kryqin e Rinës, të cilin ajo e mbante si gjënë më të shtrenjtë. Ia kishte lënë e ëma para se të vdiste. Mendoi një çast se ajo e kishte harruar, por e kuptoi më në fund se ajo e kishte lënë vetë aty. Vallë donte të ndahej nga nga Kryqi, apo nga Zoti? Vërtetë të kishte qenë Zoti që e kishte mallkuar dhe e kishte dënuar edhe pse gjithnjë i ishte përgjëruar Zotit dhe virgjëreshës Mari? Po ndjente një dhimbje të madhe, sikur trarët e shtëpisë nga çasti në çast do të binin dhe do ta zinin nën vete. “O Zot, ç’po ndodh kështu?!” pëshpëriti me vete duke ndjerë përbrenda atë boshllëk të madh dhe zbrazëtirë të pafund. Iu duk sikur një dorë e huaj e mizore i kishte shkëputur zemrën nga kraharori dhe e kishte lënë ashtu me një zgavër të madhe, të hapur. Papritur, me kryqin në duar, doli me nxitim dhe u nis drejt oborrit. Një fuqi e mbinatyrshme e shtynte tej pragut. Hodhi sytë nga qielli dhe vështroi shtëllungën e tymit që po tretej  ngadalë. E kuptoi se shpejt do të fillonte shtrëngata. Mendoi për Rinën… E ndjeu se i mungonte.

Kishte lënë kasollen pas dhe po merrte rrugën me plepa që zbriste poshtë drejt fushës. Filloi të vraponte nëpër erë, duke mos e ndjerë fare shiun që sapo filloi. Në duar shtrëngonte kryqin e braktisur. Shkonte si i çmendur. Sa kohë vrapoi kështu? As ai nuk e dinte, por veç më pas, tutje në fushë, kur fryma po i zihej nga ai vrap i lodhshëm, nëpër shi, iu shfaq krejt papritur një figurë njeriu. Zemra i rrahu dhe vazhdoi të rendë drejt saj. Sa më shumë i afrohej, aq më shumë besonte se ishte ajo. Parandjenjat nuk e kishin gënjyer kurrë. Kur iu afrua edhe më, i bërtiti  me sa fuqi që kishte:

– Rina! Rina!…

Ishte një britmë e tmerrshme.

Figura tutje ndaloi dhe u kthye të shihte pas. Po, ishte Rina… Ai vrapoi si i çmendur, iu afrua dhe ndaloi para saj.

– Rina!

Fuqitë iu prenë e ra në gjunjë.

Po kështu dhe ajo. Dhe ashtu, të dy, pushtuan njëri-tjetrin, nën atë rrebesh të kobshëm që hidhte qielli mbi ata. Por tani ishin larg ofshamave dhe zjarrit, larg gjithë magjive. Përpara tyre po shfaqej një det i trazuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *