Udhëtim në planetin Arbër – Panairi Librit 2020

«Udhëtim drejt planetit Arbër» roman – në Panairin e Librit 2020

Me ilustrime mjaft interesante nga Tiziana LOHJA, redaktore Natasha Pepivani, dizajni Eva Kukaleshi si dhe ndihmên e Dorina Basha.

Eshtë libri më i fundit pas 11 librave të tjerë për fëmijë, gjithnjë në bashkëpunim me ALBAS ku kam rastin jo vetëm të falenderoj botuesit Latif Ajrullai dhe Rita Petron për angazhimin e tyre por dhe të dëshmoj për punën mjaft serioze që bën ekipi i ALBAS gjer në përfundimin e librit.

Dy fjalë nga një intervistë e mëparshme rreth letërsisë për fëmijë

(fragment)

“Letërsia për fëmijë është ajo letërsi që do të mbijetojë gjithnjë, pasi është një letërsi që ka gjithnjë të ardhme. Të gjithë letrarët e mëdhenj të botës apo artistët nuk kanë lindur vetvetiu. Pothuaj të gjithë shkrimtarët e mëdhenj në kujtimet e tyre flasin për heronjtë e fëminisë, të cilët i rrëmbenin dhe i çonin në një botë tjetër, duke u përpjekur tu përngjanin. Pra nuk mund të ketë një letërsi të madhe e mbresëlënëse pa ekzistencën e një letërsie për fëmijë. Të gjithë ne kemi patur heronjtë tanë të dashur që nga përrallat e vjetra e gjer tek letërsia e shkruar kombëtare e letërsia botërore. Ja pse në intervistat e tyre shkrimtarët flasin gjithnjë për librat që kanë gjurmë të thella në shpirtrat e tyre dhe i kanë frymëzuar ata.

Në të gjitha llojet e letërsisë për fëmijë apo të rritur, në të gjitha llojet e arteve ajo që ka rëndësi parësore veç talentit është karakteri i tyre universal, me një fjalë karakteri i tyre humanist, ajo çka i shërben shoqërisë njerëzore dhe që prek njëherësh si një fëmijë shqiptar, një ballkanas, një europian ashtu dhe një latino-amerikan apo fëmijët e ishujve të Paqësorit. Princi i vogël i shkrimtarit francez Ekziperi është një libër që është përkthyer në gjuhë të shumta të botës dhe është një nga romanet më të parapëlqyera të fëmijëve. Ja pse në veprat më të mira të letërsisë botërore ajo që i bën ato të pëlqyeshme dhe të dobishme është universaliteti, lufta për progresin, solidariteti, lufta e së mirës kundër të keqes, anti-militarizmi, përsosja e njeriut.

Romani Udhëtim drejt planetit Arbër, është një roman ku mplekset realja e përditshme e fëmijëve tanë dhe imagjinarja, pasi në qendër janë një grup i vogël shkollarësh të cilët janë të apasionuar pas astronomisë, botës qiellore, galaksive, kërkimit të astronauteve për të gjetur planetë të tjerë të banueshëm në morinë e miliona konstelacioneve të hapësirës kozmike. Siç dihet në janar, Akademia e Shkencave të Shqipërisë caktoi sipas kërkesës se instancave botërore mbi hapësirën qiellore emrin e një planeti të largët, i cili tashmë do të quhet në të gjitha hartat botërore me emrin Arbër. Eshtë një planet i largët prej 634 vjetësh, i cili vërtitet rreth yllit që tashmë quhet Illyrian. Dy emra që i grishin këta katër fëmijë për të njohur botën qiellore dhe të fshehtat e saj të shumta, jetën e yjeve dhe kometave, misionet e NASA-s duke treguar njëkohësisht sakrificat e mëdha njerëzore siç janë përpjekjet e astronautëve për të shkuar në Hënë dhe tashmë në Mars. Dhe udhëtimi i imagjinar i këtyre fëmijëve është plot me të papritura… Ajo që është universale në këtë rast është që këta fëmijë, qoftë dhe në imagjinatë duan të ecin në gjurmët e atyre njerëzve që donin të njihnin enigmat e botës, fenomenet tokësore e jashtëtokësore, siç ishin Galileo Galile, Xhordano Bruno, Kepler e shumë të tjerë që ishin shembuj të gjallë të vetmohimit për shkencën, që e vërteta dhe dijet të triumfojnë, që njeriu ti njohë fshehtësitë e tokës dhe të qiellit për ti zotëruar ato në dobi të tij, të jetës, të së ardhmes së njerëzimit, pra të vetë ekzistencës njerëzore. Sot qëndrat spaciale në hapësirë na japin mundësinë të parashikohen katastrofat e mëdha, të vëzhgohen ndryshimet klimatike, të parashikohen ciklionet, cunamet apo rënia e asteroidëve në tokë në mënyrë që ato të përballohen…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *