Tri ditë në Shippëri me Jean Genet

“Ti je një hajdut i keq, sepse ty të kapin, por ti je një shkrimtar i madh”

Jean Cocteau

I nisur nga Brindizi me një qanije të linjës së transportit italian, Jean Genet, ende një shkrimtar i panjohur, por i pasionuar pas Pruust-it dhe Baudelaire, po i afrohej bregdetit shqiptar, drejt Durrësit. Askush nuk e dinte që ishte thjesht një dezertor i ushtrisë franceze në Marok, që si hajdut dhe homoseksual që ishte nuk mund ta detyronte rreptësinë e ushtrisë, për më tepër që ishte graduar dhe kaporal. Ai s’dinte asgjë nga Shqipëria, ky vend i panjohur, përmes të cilit mendonte të depërtonte lehtësisht në pjesën tjetër Europës, pa u shqetësuar nga policët që mund ta ridërgonin menjëherë në Francë. Ishte korriku i vitit 1936. Një vapë e madhe nderej në portin e Durrësit, ku doganieri me atë rrobë ushtarake të shqyer fshihej në koliben e tij i bezdisur nga dielli që digjte. Në zbritje, doganieri që donte të mbaronte shpejt me ata pak udhëtarë, i hodhi një sy pasaportës së tij, duke kuptuar se ishte një francez, në një kohë që në Shqipëri kishin filluar të vinin ca turistë francezë për të parë qytezën e Apollonisë, ku arkeologu Léon Rey vazhdonte çdo verë kërkimet e tij. «Jean Geijetti, – pëshpëriti ai duke duke lexuar emrin dhe duke parë pasaportën e atij udhëtari të çuditshëm dhe të parruar, me një fytyrë vagabondi. Dhe për këtë nuk gabonte, por kjo ishte punë e Genet dhe jo e tij. Po ç’mund të bënte Genet në Durrësin e zbrazët ku njerëzit ishin futur në shtëpiat e tyre për t’i shpëtuar vapës. Kështu, me një makinë të rastit, Genet i drejtohet Tiranës, siç na e tregon një përgjegjës i prefekturës së Paris, Maurice Toesca në shënimet e tij mbi « dosjen Genet ». Taesca shkruante se ai kishte gjetur mundësinë të merrte një leje-kalimi nga konsulli italian në Nice, të përshkonte Italinë gjatë pesë ditëve që të shkonte pastaj në Tiranë, ku atje do të ndodhte e papritura e tij… Idea e Genet ishte të qëndronte një natë dhe t’ia mbathte menjëherë drejt Jugosllavisë, ose nga Pogradeci, nga ku shkonin shumë turistë, përmes një rruge më të shkurtër e të këndshme, ose drejt Shkodrës dhe Malit të Zi. Duke ardhur rrotull në sheshin e Tiranës, me sytë e një hajduti që gjithnjë do të dojë të bëjë diçka, një polic e pikas dhe menjëherë e merr me vete në postë.

– Si e keni emrin Zotëri?

–  Jean !

– Po mbiemrin?

– Geijetti!

– Pasaportën!

Genet i nxorri pasaportën dhe ia dha. Tjetri e shikonte me dyshim.

– Përse keni ardhur në Shqipëri?

– Për turizëm !

– Me çfarë merreni ?

– Pa punë, – kishte qeshur Genet… shes libra buzë Senës, – kishte shtuar pastaj ai, por e pa që polici s’po e kuptonte.

Polici mendoi një çast dhe i tha të ulej në stolin pranë. Ai hyri dhe pas pak doli me shefin e tij, i cili po e kqyrte nga koka tek këmbët sikur të kishte përpara tij një batakçi apo një vrasës.

– Pra Jean Geijetti?… Pasaporta fallco! – i kishte bërtitur ai para hundëve, dh e kishte tërhequr brënda ndërtesës.

Gjithë atë ditë dhe natën, Genet e kaloi në policinë e Tiranës. Përmes një përkthyesi atij i thanë se hyrja ilegale dhe pa vizë dënohej me burg dhe se duhej të zhdukej brenda 24 orëve. Genet kishte një pamje moskokëçarëse, pasi as që i bënte përshtypje burgu shqiptar, atij që kishte përjetuar që nga fëmijëria e tij veç “shtëpi korrektimi” dhe burgje për vjedhje të vogla.

Kështu Genet iu drejtua kufirit drejt Jugosllavisë, për çka, vetë Genet nuk shkruan rreth kësaj aventure, pasi në librin e tij autobiografik “Ditari i një hajduti” (Journal d’un voleur)këtë peripeci ai e ka kaluar thjeshtë me një fjalë, “Albanie”, pasi peripecitë e tjera nëpër Ballkan e Europë ishin më pikante. Në fakt, Toesca shkruan se ai kishte tentuar të hynte në Korfuz, por sapo e kishin pare, atje e kishin përzënë për mungesë vize. Letër-kalimi i konsullit italian për grekët ishte i pavlefshëm. Kështu një ditë më vonë ai kaloi kufirin shqiptar drejt Malit të Zi, meqë ai u njoh në Mal të Zi me një vajzë malazeze, Olga Barbezet dhe se sapo kishte shkuar në Beograd, e kishin futur në burg për hyrje ilegale. Por Genet s’donte t’ia dinte për këto peripeci, madje këto i pëlqenin. Dhe pas një qëndrimi i mbylllur në një fshat ciganësh në të Serbisë pranë Beogradit, në Oujitsé-Pojega”, më së fundi, pas një qëndrimi në një qeli me një kroat, ai ia mbathi drejt Austrisë, por aventurat vazhdojnë, pasi dhe austriakët e përzënë menjëherë. Më pas rruga e çoi në një mënyrë rokamboleske në Brno të Ç ekosllovakisë, në Berlin, Poloni, në Anvers e më së fundi kthehet në Francë, pas një viti bredhjeje fenomenale: 8500 kilometra brenda një viti nëpër Europë. Dhe ai e thoshte me mburrje ngado se ishte një homoseksual!

Sapo kthehet në Francë, Genet fillon nga vjedhjet e tij, të librave të rrallë, të cilat i shiste tek “bukinistët” e Senës apo objekteve të vogla si në “Samaritaine”, çarçafë, etj… rreth dhjetë dënime me burg nga viti 1938 më 1943. Pikërisht në burgun e Fresnes, pranë Parisit, ashtu si markezi De Sade, autori i Justinës, Sodome e Gomorra, etj, ai arriti të shkruante poemën e famshme të tij “Le condamné à mort” (I dënuari me vdekje) dedikuar shokut të tij të burgut, Maurice Pilorge të dënuar me vdekje, të cilit i pritet koka në gijotinë më 17 mars 1939, çka hajdutin Genet e tronditi shumë. Por meqë ai kishte përdorur letrat e administratës së  burgut për të shkruar, kur e kishin thërritur në Pallatin e Drejtësisë për një vjedhje të mëparshme, shkrimet ia gjejnë dhe i zhdukin. Atëherë atij iu desh ta shkruaj dhe njëherë “Notre-Dame-en-fleurs”, një nga kryveprat e tij, ashtu siç e mbante mend, kësaj rradhe në fletore. Ishte kjo fletore që doli nga burgu, u shtyp dhe ra në dorë të shkrimtarit e poetit të famshëm Jean Cocteau. “Nganjëherë më ndodh një mrekulli”, kishte shkruar ai, duke folur për mbresat e mëdha të leximit të kësaj poeme të gjatë. Cocteau e merr në mbrojtje dhe ia prezanton Sartrit. André Gide e të tjerë, më pas dhe Colette e Beauvoir, thonin se ishte një talent i jashtëzakonshëm. Dhe ashtu ishte. Por ai do të vidhte sërrish dhe e vetmja mbështetje për të ishte Cocteau, i cili mori përsipër të gjitha shpenzimet dhe ditën e gjykimit të tij, për vjedhjen e një koleksioni librash “Festat galante” të poetit Paul Verlaine. Por ai do dënohej, edhe pse Cocteau ishte në rradhën e parë në gjyq dhe u fliste gjykatësve se “ju po dënoni një Rimbaud”… “një nga shkrimtarët më të mëdhenj të epokës”! Kur e pyesnin për burgjet e tij, Genet përgjigjej: ”Burgu nuk ështe thjesht një burg, por është dhe një vend i shkëputjes, evazionit, është vetë liria. Atje ti i larguhesh botës për të shkruar thelbësoren e jetës”…

Pikërisht ky shkrimtar i madh, hajdut dhe homoseksual, më pas do të gjente udhën e jetës së tij dhe do të jetë një intelektual i angazhuar jo vetëm në Francë por dhe në botë në luftën kundër racizmit, ndalimin e luftës në Vietnam, për çlirimin e gruas, etj. Ai vdiq në një hotel të thjeshtë të Parisit, “Jack’s Hôtel”, por do të varrosej, siç donte ai, në një fshat të Marokut, në Larache, ku jetonte i dashuri i tij maroken, edhe pse pak vite më vonë i vodhën dhe atë gur varri ku ishte shkruar thjesht vetëm emri i tij: “Jean Genet”.