Thirrja historike e gjeneralit De Gol

Më 17 qershor, duke kuptuar se vendi i tij nuk mund të ishte më në Francën e poshtëruar dhe të kapitulluar, De Goli mori përsëri rrugën drejt Londrës. Pasi kapërceu La Manshin dhe një det të trazuar, në mbrëmje mbërriti në aeroportin “Heston”, ku u takua me përfaqësuesin e Francës, Zhan Mone. “S’ke ç’të bësh më në Francë. Ne duhet të punojmë këtu, – i drejtohet atij Gjenerali që në bisedat e para dhe duke iu drejtuar së shoqes së tij, ai shton: – Zonjë! Këtu ne jemi me mision. Unë jam këtu për të shpëtuar nderin e Francës!

Në mbrëmje vonë ai i foli mikut të tij Mone për ngjarjet në Francë dhe për tradhtinë e madhe të mareshal Petënit. Ndërkohë, përmes një komunikate në radio, mareshal Petëni i drejtohej popullit: “I dhuroj Francës veten time për t’i lehtësuar asaj dhembjet… Me zemër të plagosur, ju them sot se duhet ta ndërprisni luftën menjëherë!”

Atë çast gjeneral De Goli ishte me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, De Kursel (Geoffroy de Courcel), në hotel “Rubens”, pranë Bakingem Rëudit, jo larg stacionit “Victoria”. “Ja, më në fund Franca e poshtëruar!” – mendoi plot dhembje e revoltë Gjenerali.

Nëpër rrugë lufta ishte e pranishme ngado. Thasët me rërë mbushnin rrugët, kryqëzimet, objektet strategjike. Ushtarë dhe topa kundërajrorë, të gatshëm për të qëlluar drejt qiellit. Megjithatë, njerëzit ishin të qetë dhe me dëshirën për të bërë diçka për mbrojtjen e atdheut të tyre. Një mendim i vetëm e shqetësonte ato çaste mendjen e Gjeneralit: ç’duhej të bënte tani? A duhej vazhduar lufta? Në ç’mënyrë? Me kë do të luftonte këtu në Londër? Tashmë ai nuk përfaqësonte asgjë!

Një mijë pyetje i vinin në kokë. Më së fundi, në kulmin e trishtimit dhe të pashpresës, ai vendosi: do të shkonte të bisedonte me këshilltarin e Çurçillit, gjeneralin Spirs, dhe do t’i kërkonte atij që t’i drejtohej popullit francez përmes radios BBC. Kjo ishte e vetmja gjë që mund të bënte ato çaste. Por a do të pranonin anglezët?

Qeveria angleze, megjithëse e priste një manovër të tillë të mareshal Petenit, nuk e kishte menduar se thyerja dhe shkatërrimi i Francës do të vinte në mënyrë kaq të befasishme. Të nesërmen, pasi bisedoi me gjeneralin Spirs, i cili i dha lajmet më të fundit nga Franca, Gjenerali u drejtua për në 10, “Douining Strit”, ku rrinte Çurçilli. Në sytë e Gjeneralit francez Çurçilli dalloi dëshirën e jashtëzakonshme për të vazhduar luftën me të gjitha mjetet dhe kudo. Jo, Çurçilli nuk mund të mos ia plotësonte Gjeneralit një kërkesë të tillë, edhe pse shpresat e mbështetjes së Francës në këtë luftë i kishte humbur plotësisht. Të nesërmen Gjenerali do të fliste në radion BBC, edhe pse shumë ministra anglezë u shprehën se Peteni e kishte deklaruar Gjeneralin “persona non grata”.

Të nesërmen, pasi takoi më parë ministrin anglez të Informacionit, sër Duf Kuper, bashkë me tekstin e përgatitur, me një taksi, dhe i shoqëruar nga Kursel, ai mbërriti në “Oksford Sërkës”, në godinën e BBC-së, në “Broud Kasting Haus”, ku u prit nga spikeri francez Moris Tieri dhe një spiker anglez. Emisioni i radio BBC-së në gjuhën frënge filloi: ”Ici Londres, la BBC parle à la France…!”[1] Pas spikerit, ishte Gjenerali që do të mbante fjalën. Sigurisht, kishte emocione, por besimi i tij ishte i madh. Kur tekniku i tha të fliste diçka për një provë zëri, ai shqiptoi vetëm fjalën “la France”. Siç dukej, në ato çaste e vetmja fjalë që kishte një kuptim të thellë për të, ishte atdheu i tij. Pas shenjës së spikerit, Gjenerali tha: “Shefat e ushtrisë, që prej shumë vitesh janë në krye të saj, kanë krijuar tashmë një qeveri… Kjo qeveri është lidhur me armikun për të ndaluar luftimet. Sigurisht, ne jemi pushtuar nga forca të blinduara, tokësore dhe ajrore të armikut. Më shumë sesa numri i tyre, janë tanket, avionët, është taktika e gjermanëve që na bën të tërhiqemi, ishte ajo që i çoi shefat tanë deri në këtë pikë që janë sot. Por a është thënë fjala e fundit? A duhet të na humbasë shpresa? Shpartallimi a është përfundimtar? Jo! Franca nuk është vetëm. Unë, gjenerali De Gol, aktualisht në Londër, ftoj gjithë oficerët dhe nënoficerët francezë që gjenden në territorin britanik, se mund të vijnë me armët e tyre si dhe pa armë! Sido që të vijë, flaka e Rezistencës Franceze nuk duhet të shuhet, dhe nuk do të shuhet! Nesër, si dhe sot, unë do t’ju flas përsëri nga Radio-Londra!

Më në fund, fjalimi kishte mbaruar. Spikeri francez zuri vendin e Gjeneralit, për vazhdimin e emisionit me lajme të tjera. Duke dalë nga studioja, Gjenerali mendonte veçse një gjë: ai, dhe pikërisht ai, mund dhe duhej të mishëronte Rezistencën Franceze. Dhe kjo ishte e mundshme. Ai kishte besim në këtë, në “France libre[2]”, apo “Free France”, siç e quanin anglezët.

18 qershor. Ishte një ditë historike. Një ditë ndryshe nga të tjerat. Ditë që do të hynte në histori si dita e “Apelit të Madh”. Apeli i shpëtimit të kombit, edhe pse ai, gjenerali De Gol, ishte një gjeneral i vetmuar, pa ushtri, pa armë.

Atë 18 qershor në Francë avionët gjermanë vazhdonin të bombardonin. Blindat nazistë mbillnin vdekjen ngado. Gjenerali Romel ecte gjithnjë e më shumë përpara: objektivi i tij ishte të pushtonte sa më parë qytetin e Sherburgut, cepin e skajshëm të Francës dhe portinpërballë Anglisë. Ato qindra kilometra divizionet e Romelit i kishin bërë me një shpejtësi të jashtëzakonshme.

Anglezët e fundit lanë Brestin. Rrugës francezët kishin ngritur ngado barrikada për të ngadalësuar përparimin e ushtrisë së Vermahtit. Betejat atë ditë ishin të përgjakshme. Luftohej në Renë, Shatodën, Zhyra, Lorenë, Alsasë… edhe pse ushtria franceze ishte shpartalluar plotësisht. Njëqind mijë robër lufte. Fjalimi i mareshal Petënit një ditë më parë i kishte prerë shpresat e të gjithëve. Ushtarët hidhnin armët ku të mundnin. Kaosi ishte i plotë.

Shkrimtari i njohur Albert Kohen (Cohen), atëherë diplomat i ri, atë ditë të 18 qershorit i ngjitej kuvertës së një anijeje që do të nisej drejt brigjeve të Anglisë. Atje ai do të përfaqësonte “Agjencinë hebreje” pranë qeverisë britanike dhe më vonë shpesh do të kishte rastin të takohej me gjeneralin De Gol. “Para gjirit të Zhirondës, – do të shkruante ai në kujtimet e tij, – më 18 qershor, në orën gjashtë të mbrëmjes, shkundja e vaporit, që u tund nga avulli, i theri në zemër njeriut që po e linte vendin e tij të fëmijërisë, liceun, miqtë, dashuritë. Zhurma e spirancës që ngrihej, ishte funebre… Në kuvertën e përmbytur nga njerëzit, një altoparlant jepte tingujt e radios së zotërve të rinj të Francës, notat e një “Marsejeze” të re, të turpshme, të plagosur dhe të dhimbshme.”

Sherburgu më në fund kishte rënë në duart e gjermanëve. Në telegramin dërguar Hitlerit gjenerali Romel i shkruante me nxitim: “Sherburgu u pushtua. Flamuri ynë valëvitet në erën e mbrëmjes.”

18 qershor 1940. Dita e Thirrjes historike: “Këtu, Radio Londra… BBC-ja i flet Francës!” Zëri i Radio-Londrës ato ditë pushtimi ishte dëgjuar edhe në Shqipëri. Së pari nga komunistët, të cilët çdo natë përgjonin Radio-Londrën dhe shënonin ngjarjet më të fundit të frontit për komunikatat e nesërme. Ali Demi dhe Fiqeret Sanxhaktari, dy komunistë të njohur të kryeqytetit shqiptar, në një shtëpi të vjetër tiranase në periferi të qytetit, sot në rrugën “Ali Demi”, të ngarkuar nga Partia Komuniste për informacionin, dëgjonin atë mbrëmje në fshehtësi Radio-Londrën. Lajmi i Thirrjes së Gjeneralit do të njoftohej në banorët e Tiranës: një gjeneral francez ishte ngritur në Londër në emër të Francës për të vazhduar luftën.

Të shumtë ishin në Shqipëri ata që e kishin dëgjuar fjalimin e Gjeneralit. Arben Puto, historian, ish-nxënës i liceut francez të Korçës, siç do të dëshmonte në vitin 1990 në një kolokium të organizuar nga UNESKO-ja: “De Goli dhe shekulli i tij”, do të thoshte: “Kur Gjermania naziste sulmoi Francën, unë isha në liceun francez “Shatobrian” (Chateaubriand) të Romës. Lufta më bëri të ndërprisja studimet dhe të kthehesha në qytetin tim në Gjirokastër. Rrija gjithnjë pranë radios, që të merrja vesh ngjarjet e luftës. Dhe ja, një mbrëmje një zë u dëgjua nga Radio-Londra. Ishte zëri i gjeneralit De Gol. Ky emër nuk më thoshte ndonjë gjë dhe më ishte i panjohur… Megjithatë, ato ditë francezët nuk u flisnin vetëm francezëve, por mbarë botës.”

Një ditë të vitit 1995, në Tiranë, do të takoja në shtëpinë e tij Hasan Jeron, ish-student në Paris që para luftës. Sapo hyra në dhomën e tij, pashë në një kornizë Thirrjen e Gjeneralit: “Thirrje! Gjithë francezëve!”

“E pamundur!” – mendova për një çast, pa e fshehur para tij habinë të gjeja aty, në atë mur të asaj shtëpie të vjetër, vendosur në një mënyrë aq të thjeshtë e njerëzore, atë apel që tashmë i përkiste historisë. Në fakt, Hasan Jeroja e mbante veten për golist, dhe ishte vërtet i tillë. Madje, siç më tha atë ditë, ai kishte shkruar para disa vjetësh dhe një studim me titullin “Shqipëria, De Goli dhe frankofonia”.

Plaku i mençur fliste një frëngjishte të përsosur dhe gjatë gjithë kohës ne folëm frëngjisht. Kështu, ai do më tregonte jetën e tij të vështirë, arrestimet, burgjet, historinë e asaj “Thirrjeje” të varur në mur. “Isha në Shqipëri kur dëgjova “Thirrjen” e Gjeneralit. Atëherë, pas studimeve mjekësore në Paris, isha kthyer në Tiranë. Kisha banuar në Paris, në “Rue Monsieur le Prince”, atje ku banonin dhe shumë studentë të tjerë shqiptarë, mes të cilëve edhe Enver Hoxha. Në fakt, në ditët e para të sulmit gjerman në Francë unë isha në Romë. Mbaj mend se bashkë me dy shokë të mi shkuam në Ambasadën Franceze në Romë që të regjistroheshim vullnetarë për të shkuar në Francë për të luftuar kundër gjermanëve. Në Ambasadën Franceze atë kohë jepnin ca kartona të kuq, ku regjistroheshe për të shkuar vullnetar. Por lajmi për armëpushimin e mundshëm mes Francës dhe Gjermanisë na bëri të ktheheshim menjëherë në Shqipëri. Dhe u kthyem.”

Atë ditë tregimi i Hasan Jeros ndërpritej shpesh nga frymëmarrja e rëndë për shkak të astmës, që i ishte krijuar që nga koha e burgut. Edhe pse shok i Enver Hoxhës, ai nuk e besonte se një ditë, ai student i brishtë, më pas kryeministër, do ta fuste atë në burg për idetë e tij perëndimore dhe për një shoqëri të vërtetë demokratike. Pas “Gjyqit të deputetëve”, Jeron e dënuan me 7 vjet burg dhe më pas, në qeli, e dënuan edhe 15 vjet të tjera. Me sa dukej, idetë e tij ishin të rrezikshme për regjimin. Jeta e tij shkoi sa nga një burg në tjetrin e pastaj në një kamp pune për të burgosurit politikë. “Shpesh në burg mendoja vitet e mia të rinisë, Francën, kohën e luftës, Thirrjen e Gjeneralit… A nuk thoshte Gjenerali se «… Franca ka humbur një betejë, por ajo nuk e ka humbur luftën?» Edhe unë kisha humbur një betejë, por jo luftën. Kur u lirova, e kuptova se luftën e kisha fituar, edhe pse vonë, kur jeta ime po i afrohej fundit.”

Ashtu si Jeroja, njerëz të shumtë në gjithë botën do ta dëgjonin Thirrjen historike të Gjeneralit. Në kujtimet e tij shkrimtari amerikano-francez, nobelisti ZhylienGrin (Julien Green), duke kujtuar atë ditë historike, vite më vonë do të shkruante: “Ajo Thirrje e 18 qershorit, kur ndodhesha në Amerikë, nuk mund të them saktësisht se çfarë ishte për mua. E kisha vendosur Thirrjen në një kornizë të vogël të dhomës sime dhe e dija përmendësh. Të dish një tekst përmendësh, do të thotë shumçka. De Goli ishte i vetmi personalitet i madh i shekullit.”

Çuditërisht, atë ditë të takimit tim me Hasan Jeron, edhe tek ai, në atë mur të thjeshtë dhe pa ndonjë dekoracion, ndodhej ai apel i 18 qershorit. Edhe pas vdekjes së tij ajo kornizë nuk u hoq. Mbeti si një kujtesë e shenjë e një përkushtimi të vjetër historik.

2

Në ato çaste të vështira të vetmisë së madhe, De Goli ndodhej në Londër. Përvojat e luftërave e kishin bërë Gjeneralin dyzetenëntëvjeçar që ai asnjëherë të mos gabohej në bindjet dhe nuhatjen e tij. Kështu ai nuk mund ta pranonte idenë që Franca e lavdishme të arrinte t’i nënshtrohej pa luftë kundërshtarit të tij shekullor, Gjermanisë. Të nesërmen e Thirrjes së tij në BBC, ai nxitoi të shfletonte gazetat e ditës dhe komentet mbi fjalimin historik. Madje kërkon regjistrimin e fjalimit, por, fatkeqësisht, përgjegjësit e BBC-së i thanë se atë ditë, për shkak të një fjalimi mjaft të rëndësishëm të Çurçillit para Dhomës së Deputetëve, gjithë teknika ishte angazhuar për të dhe fjalimi i tij nuk ishte regjistruar. Por, fatmirësisht, fjalimi ishte dëgjuar ngado. Duke hapur gazetën londineze “Times”, nën titullin “Franca nuk ka humbur”, ai lexoi komentin për fjalimin e tij dhe u lumturua.

“Po, Franca nuk ka humbur!” – mendonte Gjenerali duke falënderuar gazetarin që kishte vënë një titull të tillë. Një tjetër shkrim ishte botuar në gazetën tjetër të madhe londineze “Daily Express”. Po kështu dhe në Francë, disa gazeta e kishin botuar të plotë fjalimin e tij, të cilin e kishin shkruar duke dëgjuar BBC-në, si: gazeta “Le Progrès” e Lionit, “Le Petit Provençal” e Marsejës etj., ndërkohë që gazetat e qytetit të Bordosë nuk e kishin botuar fjalimin, sepse aty gjendej mareshal Petëni dhe qeveria e tij.

Në Londër, të gjithë e përshëndetën për fjalimin. Kjo Gjeneralit i shtonte shpresat dhe i përforconte bindjen për fillimin e Rezistencës. Po ku mund të bëhej kjo rezistencë? Mendja e tij mendonte vetëm për tokat e Perandorisë, për ishujt dhe kolonitë, për Afrikën frankofone.

Ato ditë Gjeneralin nuk e nxinte vendi: ishte i zemëruar me atë çfarë kishte shkruar shkrimtari i njohur Fransua Moriak (François Mauriac) në gazetën “Figaro”, i cili, duke marrë anën e Mareshalit, kishte shkruar: “Më 17 qershor, pasi mareshali Petën i dha atdheut këtë provë dashurie, francezët dëgjuan një zë që i siguronte se kurrë Franca nuk kishte qenë më pak e lavdishme se tani. Sot nuk na mbetet asnjë shans tjetër shpëtimi, veç të mos gënjejmë më vetveten.”

Nga Parisi, gjeneralisimi Vegan, ministër i Luftës, që, siç flitej ato ditë, kërkonte ta arrestonte gjeneralin De Gol si përkrahës të anglezëve, kishte urdhëruar kthimin e tij urgjent nga Londra për në Paris. Nga ana tjetër, Radio-Franca shpërndau një komunikatë zyrtare të Ministrisë së Brendshme, ku thuhej se “… gjenerali De Gol, që mori fjalën në radion BBC, nuk bënte më pjesë në qeveri dhe se nuk kishte asnjë cilësi për të bërë deklarata të tilla publike.”

Më 19 qershor, siç e kishte thënë në radio dhe një ditë më parë, Gjenerali mori përsëri rrugën drejt radios BBC. Në fakt, drejtuesit e BBC-së ishin çuditur kur Gjenerali u kishte thënë se do të fliste edhe të nesërmen. Ai nuk kishte pyetur askënd për këtë, sikur BBC-ja të ishte pronë e tij. Por, sidoqoftë, në këto kushte ata nuk mund ta refuzonin kërkesën e Gjeneralit.

Përsëri e njëjta rrugë me taksi për në “Oksford Sërkës”; përsëri në zyrat e radios BBC. “Ju fletRadio BBC-ja!” Para mikrofonit, kësaj radhe me një zë më të fortë, Gjenerali filloi: “Përpara konfuzionit të francezëve ballë regjimit që ka rënë në skllavërinë e armikut, para pamundësisë së funksionimit të institucioneve tona, unë, gjenerali De Gol, ushtar dhe kryetar i francezëve, jam i bindur se flas në emër të Francës… Çdo francez që ka ende armë, duhet të vazhdojë rezistencën. Të dorëzosh armën, është krim ndaj atdheut! Ushtarë të Francës, kudo që të jeni, ngrihuni më këmbë!”

Pas këtij fjalimi të dytë, drejtori i BBC-së, Frederik Ogilvi, dha një pritje për nder të Gjeneralit. Figura e tij tashmë ishte bërë e njohur në të katër anët. Ai fjalim kishte frymëzuar mjaft oficerë e gjeneralë që atë çast ndodheshin me detyrë në kolonitë e ndryshme të ish-Perandorisë Franceze. Shumë prej tyre nuk mund ta pranonin kapitullimin dhe poshtërimin e Francës para armikut të tyre shekullor, Gjermanisë. Fjalimi i Gjeneralit, duke e cilësuar qeverinë e Petenit pronaziste, shkaktoi një hutim të madh në radhët e ushtarakëve francezë. Askush nuk dinte se ç’duhej të bënte në ato çaste kritike, kur Mareshali fliste për fatet e kombit. Po atë ditë, më 19 qershor, Hitleri bënte të njohura kushtet e kapitullimit të francezëve. Më 22 qershor, pesë përfaqësues të qeverisë së mareshal Petënit, që ishin ato çaste në Bordo, shkuan në pyllin e Kompienjës, në vagonin ku ishte nënshkruar kapitullimi i Gjermanisë më 1918. Shkuan atje ku Foshi kishte pritur të plotfuqishmin gjerman Ezberger dhe ku tani përfaqësuesit francezë do të nënshkruanin kapitullimin. Mes tyre edhe gjenerali francez Huntzinger, të cilin De Goli donte ta propozonte për gjeneralisim. Atë ditë në Kompenjë, gjenerali gjerman Kleitel klithte gjithë histeri, aq sa francezët menduan se nga në çast gjermanët mund t’i pushkatonin. Me këtë akt të kapitullimit të Francës, Hitleri synonte të ndante përfundimisht Francën nga Anglia dhe të evitonte rënien e marinës franceze në dorën e britanikëve. Njëkohësisht ai synonte gjithashtu mbajtjen më këmbë të një qeverie “sovrane” franceze në shërbim të tyre.

Po atë ditë që në Kompenjë u nënshkrua armëpushimi, Gjenerali kishte folur në radio BBC, ku ndër të tjera deklaroi: “Këtë mbrëmje dua të them, pasi dikush duhet ta thotë këtë, se ç’turp i madh është ky nënshkrim, se ç’revoltë ndizet në zemrat e francezëve atdhetarë! Franca dhe francezët, lidhur këmbë e duar, i janë dorëzuar armikut! Por Franca, edhe pse e shtrirë përtokë, e ndien se ka pasur gjithnjë një jetë të gjatë e të fortë; ajo e ndien se në tokat franceze të përtejdetit dëshira për të luftuar është vërtetuar… Dhe unë ju premtoj se një ditë forcat tona të motorizuara, tokësore, detare dhe ajrore, së bashku me Aleatët tanë, do t’i sjellin botës lirinë dhe Francës madhështinë e saj…”

Në Londër, pranë shtabit të sapongritur të Gjeneralit, një sërë ushtarakësh, intelektualësh e njerëzish të profesioneve të ndryshme, të cilët kishin dëgjuar fjalimin e tij, filluan të mblidheshin. Të gjithë e përshëndetnin, të gjithë i shprehnin gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer Francës së poshtëruar dhe të robëruar: ushtarakë, profesorë, avokatë, aristokratë, hebrenj e njerëz të thjeshtë, gazetarë e punëtorë. Rene Kaseni (René Cassin), profesor i drejtësisë, i hipur fshehurazi, mes një divizioni ushtarësh polakë, mbi anijen angleze “Ettrick” në Sen Zhan dë Lyz, në jugperëndim të Francës, bashkë me gruan e tij Simonën, ishte nisur drejt brigjeve angleze dhe më 27 qershor kishte mbërritur në Plimëth të Anglisë. “Atëherë, – kujton Kaseni, – unë isha një i revoltuar dhe e dija se Anglia ishte i vetmi vend ku mund të luftoja. Në të vërtetë, si hebre që isha, isha veçse një i revoltuar i njëmendtë, pasi e dija se një hebre nuk mund të bëhej shefi i Rezistencës franceze. Dhe për këtë nuk kisha iluzione. Nëse doja të shkoja në Londër, doja veçse t’i shërbeja Rezistencës. Dhe kur Gjenerali tha se kjo luftë ishte një luftë botërore, atëherë thashë se vërtet ishte e tillë. Mendova se njeriu që thoshte se lufta ishte botërore, kishe një vizion për botën.”

Me të mbërritur në Londër, më 29 qershor, Rene Kaseni, u drejtua për në shtabin e Gjeneralit. “Mendoja se gjenerali De Gol do të ishte i rrethuar nga disa politikanë, disa gjeneralë e diplomatë dhe kisha dëshirë të shërbeja në çdo lloj posti. Por, çuditërisht, u gjenda përballë një njeriu të vetmuar. «Gjeneral, – i thashë, – po vij drejt e nga Bordoja, duke iu përgjigjur «Thirrjes» suaj të 18 qershorit. Jam i bindur se Franca ka nevojë për gjithë bijtë e saj. Unë jam jurist, profesor i së drejtës dhe invalid i luftës së viteve 1914-1918. A mendoni se ndihma ime do të jetë e dobishme?» – «Ja, mbërritët në kohë! Duhet të na ndihmosh për të hartuar një marrëveshje midis qeverisë së Çurçillit dhe një Gjenerali të vetmuar si unë… Ne këtu jemi vetë Franca!» – më tha Gjenerali”.

Po, Gjenerali e priti me gëzim ardhjen e Kasenit. Ai mendonte se pikërisht ai grusht njerëzish të mbledhur në Londër ishin shpirti i vetë Francës.

Pak më vonë, në shtabin e tij mbërriti dhe Moris Shumani (Maurice Schumann), i cili pas një odiseje të gjatë e plot peripeci kishte mundur të kalonte nga vendet baske duke u fshehur nën një emër të rremë. Në fakt, pas ardhjes së Rene Kasenit dhe Moris Shumanit Gjenerali kërkonte t’i jepte një status juridik grupimit të tij. Pikërisht më 27 qershor, pas një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave, Çurçilli i kishte thënë: “Edhe pse i vetëm, unë përsëri ju njoh!” Më 28 qershor qeveria britanike shpërndau komunikatën ku deklarohej se ajo “… e njeh gjeneralin De Gol si shefin e gjithë francezëve, kudo që janë dhe që bashkohen me të për mbrojtjen e kauzës së Aleatëve”. Sigurisht, kjo ishte një sfidë e madhe për mareshal Petënin. Zemrat e francezëve ndërkohë morën shpresë. Ata e kishin dëgjuar Thirrjen e Gjeneralit: “Ushtarë të Francës, kudo që jeni, më këmbë!”

Duke kujtuar atë kohë, në “Kujtime lufte” Gjenerali ka shkruar: “Midis francezëve, frika dhe dëshpërimi provokonte ngado një ndjesi braktisjeje… Përpara këtij boshllëku të tmerrshëm dhe të këtij mosangazhimi, misioni im m’u duk njëherësh i qartë dhe i tmerrshëm. Në çastin më të tmerrshëm të historisë mua m’u desh të merrja përsipër barrën e udhëheqjes së Francës.”

Kryeredaktori i gazetës së majtë “La Lumière” i ofroi menjëherë ndihmën e tij. Drejtori londinez i shoqërisë “Kartjë” la në dispozicion të Gjeneralit një shofer dhe një makinë. Të tjerë ofronin ndihmë në mënyrën e tyre. Të gjithë donin të bënin diçka për luftën, për Rezistencën që sapo kishte filluar. Flaka ishte ndezur. Dhoma dhe zyrat e Gjeneralit në “Simor Grëuv” gumëzhinin nga njerëzit që shkonin e vinin. Tutje nga dritarja, mbi “Hajd Park”, shihej që binte një shi i imët.

Ndërkaq, bashkë me Rene Kasenin i ishte ngjitur anijes transatlantike për në Londër edhe filozofi i ri Raimond Aron, që më pas do të bëhej njëri nga personalitetet më të njohura filozofike të Francës. Edhe ai – hebre – në po të njëjtën natë do t’i ngjitej anijes bashkë me gruan e tij. Me të mbërritur në Londër, ai gjeti miqtë e tij të vjetër, si Zhan Monenë e të tjerë, dhe shpejt do të angazhohej në revistën e lëvizjes goliste “Franca e lirë”. Që në numrin e parë, siç shkruan në kujtimet e tij Aroni[3], “Gjenerali do të zhgënjehej që emri i tij ishte vendosur vetëm një herë, por edhe kjo në parantezë… Revista u krijua si kërkesë e vetë Gjeneralit. Disa muaj më vonë ai do t’i dërgonte revistës një artikull, ku i bënte homazh ish-shefit të tij, Pol Reino. Në fakt, kulti i personalitetit të De Golit lindi njëherësh me lëvizjen e tij.”

Ndërkohë gjermanët marshonin gjithnjë e më shumë drejt qendrës së Francës. Divizionet naziste kishin kapërcyer lumin Luarë. Ngado që ishin, ushtarët francezë hidhnin rrugëve armët e tyre. Kaos dhe panik i jashtëzakonshëm. Ditën dhe natën avionët gjermanë uturinin nëpër qiell. Emisarë britanikë, të dërguar me mision nga Kryeministri anglez Çurçill, shkonin pranë mareshal Petënit në Bordo për ta bindur atë që të mos ia dorëzonte marinën franceze ushtrisë gjermane. Nga ana tjetër, një grusht ministrash e deputetësh francezë, të cilët nuk e pranonin nënshtrimin e Francës, kishin hipur në anijen “Marsilia” për t’u nisur drejt Afrikës së Veriut, në Marok. Mes njëzetë e katër deputetëve, ministrave e një senatori, të cilët kishin vendosur të vazhdonin luftën në Afrikën e veriut dhe ish presidenti Georges Mandel, Daladier e ish-kryeministri Reino. Por me të mbërritur në Kazablanka natën e 24 qershorit, ata arrestohen dhe menjëherë vendosin t’i kthejnë në Francë. Duke njohur natyrën e vendosur të gjeneral De Golit, mareshal Petën u detyrua të bënte një deklaratë për shtypin, në të cilën thoshte: “U kam kërkuar kundërshtarëve tanë që t’i japin fund armiqësisë! E kam marrë këtë vendim të vështirë për zemrën e një ushtari, sepse kështu e kërkon situata ushtarake!”

Në Londër, me të dëgjuar këtë deklaratë, Gjenerali mendoi menjëherë se atij i duhej përgjigjur me çdo kusht.

Kur kishte shkuar në Londër, De Gol e njoftoi Ivonën në Buasëri që të bëhej gati ta linte Francën. Ndërkohë qeveria e kryeministrit Reno kishte dhënë dorëheqjen. Ishte dita e 18 qershorit. Një anije britanike tregëtare do nisej për në brigjet angleze. Ivonë, bashkë me të motrën Suzanë dhe fëmijët e saj u nis me urgjencë drejt Brestit. Atje, motra e përshëndeti me lot në sy, pasi dihej që gjermanët e bombardonin La Manshin. Në librin “De Goli, babai im”, në bisedë me gazetarin Mishel Toriak (Michel Tauriac), biri i Gjeneralit kujtonte: «Atëherë në Brest, një anije sapo kishte lënë portin drejt brigjeve angleze. Ishte një anije polake. Më vonë morëm vesh se gjermanët e kishin fundosur atë. Por kishte dhe një anije tjetër. Në fakt ne nuk e njohëm se çfarë anije ishte dhe e cilit vend. Në të po ngjitej një pjesë e praparojës britanike. Dy dërrasa shërbenin si shkallë për tu ngjitur dhe dy roje ishin pranë tyre. – ”A doni të ngjiteni?” – na pyetën ata. Ne heshtëm. – “Epo atëherë ngjituni. Askush nuk ju pegon”. U ngjitëm me mundim duke tërhequr motrën time, Ana. Askush nuk na kërkoi vizë apo pasaportë. Ekuipazhi as që donte t’ia dinte. Para se të ngjitej nëna i tha motrës së saj, Suzanë: – “Po ngjisim këtë dërrasë dhe po ikim”. – “Po prit, ju s’mund të shkoni kështu veçse me ato që keni në kurriz, – iu përgjigj ajo, – madje ju nuk e dini se ku po shkoni. Ju nuk keni ku shkoni asgjëkundi. Atëherë qëdroni këtu!” Por nëna ime nuk u tërhoq edhe pse një çast hezitoi. Pyeste veten nëse e kishte menduar mirë këtë ikje apo ishte gabuar. A mund të ikje kështu, pa bagazhe, drejt një vendit të panjohur me tre fëmijë? Kush e siguronte se ati im ishte në Angli? Ajo sapo kishte dëgjuar se qeveria nuk ishte më në Bordo por në Algjeri apo Marok. “Ska gjë, tha ajo. Le të nisemi!” Siç duket, Zoti kishte qenë në mbrojtje të tyre. Para se të flinin, ajo u kërkoi fëmijëve të luten aty në anije që Zoti t’i ndihte. Vetë Ivonë, pothuaj nuk fjeti gjatë gjithë natës. Më së fundi ata panë brigjet angleze. Kur kishte parë bregun Ivona kishte pëshpëritur: “O Zot i plotfuqishëm!” Kishin zbritur në Falmëth.

Ishte agu i 19 qershorit. Në port anglezët i pyetën se cilët ishin. Filipi u tha se i ati i tij gjenerali De Gol ishte në Londër. Ata ngritën supet dhe pyetën menjëherë në telefon. Dhe vërtet, një general francez na ishte në Londër. “Në gazetën londoneze të mëngjesit, – siç shkruan shkrimtarja Geneviève Moll në librin e saj “Yvonne de Gaulle”, – Ivonë lexoi “Një gjeneral francez, De Gol, i cili gjendet në Londër, dje u ka bërë thirrje francezëve që janë në Britaninë e Madhe. U kërkon që të lidhen me të për të vazhduar luftën kudo, atje ku është e mundur.” Më pas ajo lexoi komunikatën e De Gol ku ndër të tjera shkruhej: “A është thënë fjala e fundit? A është zhdukur shpresa? Shpartallimi a është përfundimtar? Jo! Besomëni mua që i njoh këto çështje e që ju them se asgjë nuk ka humbur për Francën, sepse Franca nuk është vetëm. Ajo nuk është vetëm…”

Më 20 qershor, dikush nga stacioni i trenit të kësaj qyteze e kërkoi në telefon: “Ah! Je ti!? Nisu urgjent dhe më tako në 8, “Seamore Grove”! Nesër të pres!” Zëri i Gjeneralit ishte i akullt. Të nesërmen me të birin, Filipin, i cili u bashkua me ta, përgatit udhëtimin drejt Londrës. Më së fundi, pas mbërritjes në stacionin “Viktoria”, ata mund të bashkoheshin me Gjeneralin në rrethinat e Londrës, në 41, Biçud Rëud, në Pets Ud.

Çdo ditë, Sharli e hante mëngjesin me gruan e tij, Ivonën. Ishte çasti i vetëm kur së bashku mund të bisedonin në intimitet për familjen, njerëzit që kishin lënë në Francë, miqtë, për situatën dhe ngjarjet që ndodhin rreth tyre dhe në Francë. Para se të largohej për në shtabin e tij, Gjenerali për pak çaste do të luante si gjithnjë me Anën, e cila gjithmonë ishte e përhumbur në botën e saj. Pasi u përshëndet me të birin, Filipin, që vazhdonte aty shkollën ushtarake të marinës, ai u nis për në shtabin e tij. Një ritual i përditshëm…

Më 22 qershor, Gjenerali mori vesh se presidenti francez Lebryn (Lebrun) e kishte anuluar propozimin për gradimin e tij “Gjeneral brigade” dhe përmes një dekreti e kishte liruar nga detyra. Gjykatat ushtarake po përgatiteshin për dënimin e tij si dezertor. Kuptohet, kjo nuk e habiste Gjeneralin. Por ajo që e mundonte, ishte armëpushimi dhe kushtet në të cilat Franca kishte pranuar t’i nënshtrohej Gjermanisë. Nga Londra, Çurçilli do të shprehej përmes radios për “dhembjen, habinë dhe trishtimin e tij” për këtë kapitullim të Francës.

Gjenerali e dinte se gjithë ata francezë që ishin për luftën dhe nderin e Francës, për rezistencën e popullit dhe për lirinë e tij, prisnin çdo mbrëmje të dëgjonin fjalën e tij përmes valëve të BBC-së nga Londra. Kjo ide ishte frymëzuese për Gjeneralin, i cili çdo mbrëmje nxitonte drejt radios për t’u folur francezëve kudo që ishin, e së pari atyre që ishin në territoret e Perandorisë dhe që ende nuk i kishin hedhur armët. “Ky armëpushim, – tha ai për armëpushimin e nënshkruar, – do të jetë jo vetëm një kapitullim, por dhe një poshtërim e shërbim ndaj gjermanëve. Shumë francezë nuk e pranojnë as kapitullimin dhe as faktin që të jenë nën skllavërinë e gjermanëve, për arsye të nderit të tyre dhe interesave të larta të atdheut. Kjo luftë nuk është vetëm franko-gjermane, por është një luftë e re botërore! …Ja pse është e nevojshme të krijohet kudo një forcë kombëtare sa më e madhe të jetë e mundur. Unë, gjenerali De Gol, këtu në Londër, marr pësipër këtë detyrë kombëtare. Ftoj të gjithë francezët që duan të mbeten të lirë, të më dëgjojnë dhe të më ndjekin pas. Rroftë Franca e lirë në nderin e pavarësisë!”

Gjenerali Spirs (Spears) e ndihmoi gjeneralin De Gol që “Franca e lirë” të vendosej në ndërtesën e vjetër dhe të trishtë pranë Uestminsterit, një ndërtesë buzë lumit Tamiz. 4500 të plagosur që kishin shpëtuar gjatë largimit nga Dynkerku, ishin tashmë në spitalet angleze. Një e dhjeta e flotës ushtarake dhe shumë anije të flotës tregtare mundën të ikin në çastet e fundit dhe të mbërrinin në brigjet e Anglisë. Në bordin e tyre ndodheshin 19 mijë ushtarakë dhe 2500 civilë, shumë prej të cilëve peshkatarë me familjet e tyre, që kishin lënë brigjet e Normandisë. 200 aviatorë dhe nxënës të aviacionit kishin lënë Gjibraltarin dhe kishin mbërritur më në fund në Angli.

Në fillim të muajit korrik, u shtypet në Londër ”Thirrja” e Gjeneralit, që fillonte me fjalët: “Gjithë francezëve! Franca ka humbur një betejë! Por ajo nuk e ka humbur luftën!” Në fund të “Thirrjes” Gjenerali shkruante: “Atdheu ynë rrezikohet të vdesë. Të luftojmë për ta shpëtuar atë! Rroftë Franca!”

Ishte koha kur Gjenerali mendonte për krijimin e një komiteti që të grumbullonte gjithë francezët që do të bashkoheshin për të luftuar nazistët. E rëndësishme për të ishte që t’i jepte kësaj lëvizjeje rezistence një status organizativ dhe juridik dhe të ndihmohej fuqishëm nga anglezët, të cilët ishin të gatshëm.

Ato ditë Zhan Moneja (Jean Monnet) i dërgonte një letër, ku i shkruante: “Gjenerali im i dashur… mendoj se do të ishte gabim i madh të krijoje në Angli një organizatë që të përfaqësonte Francën si një autoritet i krijuar jashtë saj dhe nën mbrojtjen e anglezëve…”

Gjenerali e kuptoi se ai kishte të drejtë, por koha nuk priste. Vullnetarët duheshin organizuar. Rezistenca duhej të fillonte dhe ata duhej të bëheshin të njohur në arenën ndërkombëtare. Që nga ai çast ai do të mendonte gjithnjë e më shumë për Afrikën si vendndodhje dhe bazë e luftës së ardhshme.

Disa marinarë e ushtarakë që kishin shkuar në Londër, të lodhur në pritje të një angazhimi të ri, por dhe në kaosin e qëndrimeve politike, vendosën të ktheheshin në Francë e ta braktisin luftën. Propaganda e mareshal Petenit për shpëtimin e Francës dhe sigurimin e pavarësisë së saj kishte bërë punën e vet. Ndërkohë edhe ushtarakët anglezë kishin filluar të mendonin për një bashkëpunim të mundshëm me Petënin. Ja pse “Foreing Office” nga ana e vet hezitonte ta ndihmonte Gjeneralin në ndërmarrjen e vet historike. Pritej vetëm një vendim i Çurçillit.

Një nga ato ditë, në pauzat e takimeve të vazhdueshme me Gjeneralin, Çurçilli, pasi e kundroi një çast i menduar, por me një vështrim plot besim, i tha: “E shoh, ke mbetur i vetëm! Por edhe pse i vetëm, unë të njoh si të vetmin përfaqësues të Francës!”

Më 30 korrik, Mbretëresha e Anglisë, Elisabeta, shkoi të takonte vullnetarët e parë francezë në hollin e “Olympia”-s dhe të shpërndante falas për ta cigare. Entuziazmi ishte i papërshkrueshëm. Më vonë Mbreti anglez Xhorxhi VI do të parakalonte “në revistë” trupat e “Francës së lirë” në kampin ushtarak të Dalëvilës (Daleville). Publicistët anglezë përgatitën ndërkohë broshurën e “Francës së lirë” nën titullin “Franca e De Golit”. “Unë jam një ‘francez i lirë’, – deklaronte ato ditë Gjenerali. – Besoj në Zotin dhe në të ardhmen e atdheut tim. Deklaroj solemnisht se nuk jam lidhur pas asnjë partie politike dhe me asnjë politikan, cilido qoftë ai, as i djathtë, as i qendrës, as i majtë. Unë nuk kam veçse një qëllim: të çliroj Francën!”


[1]) “Këtu Londra, BBC-ja i flet Francës!”

[2] “La France libre”- “Franca e lirë”

[3]) “Mémoires – 50 ans de réflexions politiques” (“Kujtime -50 vjet refleksione politike”), Raymond Aron, Edition “Julliard’’, 1983.