Stradiotët shqiptarë nën flamurin e Francës

Fragment:

Idea e një ekspedite përmes brigjeve shqiptare

Si para ekspeditës ashtu dhe gjatë saj nëpër Itali Charles VIII mendonte gjithnjë për të shkuar drejt brigjeve shqiptare dhe që andej të merrte udhën drejt Konstantinopojës. Kjo vërtetohet nga korrespondenca e mbretit dërguar disa personaliteteve të ndryshme në këtë kohë ku shprehet vendosmëria për ti bërë luftë  osmanëve.  Kështu,  që  më  14  dhjetor  të  vitit 1494, që nga Viterbe ai u shkruante disa peshkopëve të Francës se “Qëllimi ynë nuk është vetëm kthimi i Napolit në mbretërimin tonë por dhe në të mirë të Kishës sonë për tu kthyer në Tokën e Shenjtë.” Konti Paul Durrieu në raportin e mbajtur në Akademinë Franceze në vitin 1915 me titullin Vlora bazë e një ekspedite franceze kundër turqve,1 pohon ndër të tjera se po ajo lloj letre i ishte dërguar dhe mjeshtrit të madh të Urdhërit të Spitalierëve në Rhodes, Pierre

1. Valona, base d’une expedition française contre les Turcs projetée par le roi Charles VIII (1494-1495), Paul Durrieu, Collection des raports de l’Académie des Inscriptions et des Belles Lettres, 1915, (f.181-190).

d’Aubusson, të cilin Papa e kishte zgjedhur kardinal.1 Madje që kur kishte hyrë në Firence më 29 nëntor 1494 mbreti francez kishte bërë të njohur dhe një manifest të tij në gjuhën latine që ishte në fakt dhe programi i vërtetë i tij si monark, duke nënvizuar se

«nuk do të kursenin jetën dhe mundin e tyre për ti larguar osmanët nga Toka e Shenjtë dhe nga shtetet e pushtuara kristiane. Mbretëria e Napolit na jep një mundësi për ti luftuar turqit e pabesë.» Në fakt, siç pohon P. Durrieu, kohë më parë Charles VIII kishte sjellë në Francë trashëgimtarin e Paleologut të fundit që luftoi për mbrojtjen  e  Konstantinopojës  e  cila ra më 1453. Më 6 shtator 1494, Andrea Paleologu, përmes një akti noterial i kalonte mbretit të Francës të gjitha të drejtat e perandorisë së dikurshme të Konstantinopojës përkundrejt një shume parash si dhe një pensioni.

Kur mbreti fitimtar mbërriti në Napoli, menjëherë vendosi një garnizon ushtarak në Otranto nën komandën e Claude de Guise, të gatshëm që në çastin e duhur të hidheshin drejt brigjeve shqiptare, Valonës, siç shkruhej atëherë për Vlorën. Projekti ishte që trupat do të shkonin me anije drejt brigjeve shqiptare dhe që andej do të marshonin drejt Konstantinopojës. Ambasadori Commynes në kujtimet e tij Mémoires, shkruante se «Nga Otranto deri në Vlorë janë 60 milje dhe nga Vlora në Konstantinopojë 18 ditë marshim në këmbë, në një rrugë që ka veçse dy-tre kështjella dhe pastaj është e sheshtë, vende ku jetojnë shqiptarët,

1. Archives de Malte.

sllavët dhe grekët, njerëz që presin të reja nga mbreti dhe nga miqtë e tyre që janë në Venecie e Pulje, të cilëve u shkruajnë duke pritur mesazhin që të ngrejnë krye.» Historiani Charles de la Roncière në librin e tij Historia e marinës franceze, shkruan për hutimin e madh të osmanëve kur dëgjuan lajmin e një ekspedite të afërt. «Në Konstantinopojë mbretëronte shqetësimi dhe frika e madhe: vallë sulltani do përgatitej për luftë apo do t’ia mbathte? Me shpejtësi u mblodhën 120 galera (anije) për ti bërë ballë sulmit në postet e avancuara të Islamit. Ishin drithmat e fundit të kryqëzatave.»… Në disa dokumente të vjetra thuhet dhe se Sulltani kishte dërguar një delegacion tek mbreti Charles VIII duke e lëvduar për miqësinë e tyre duke i propozuar madje dhe martesën e vjazës së tij me djalin e Charles, Orlando, i cili atëhere ishte 2 vjeç… Siç thekson Paul Durrieu, mbreti francez shpresonte që në ekspeditën drejt Vlorës dhe Konstantinopojës të gjente mbështetjen e Papës si dhe të mbretit gjerman, perandorit të ardhshëm Maximilien I, por të gjithë i bënë bisht kësaj ekspedite. Madje edhe më keq: më 31 mars 1495, fshehurazi mbretit Charles VIII u krijua Liga e Venedikut ku shumë armiq të rrezikshëm u mblodhën për t’iu kundërvënë Francës.

Charles VIII kishte hyrë në qytetin e Napolit më 22 shkurt të vitit 1495. Ai kishte hyrë pa pompozitet dhe i pa armatosur. Priste që Papa Alexandre VI të shfaqej në oborrin e tij për të bërë bekimin papal të domosdoshëm por ndërkohë në fshehtësi Papa ishte bashkuar në një Ligë të formuar midis milanezëve dhe vendikasve. Afrimit të mbretit francez drejt jugut

të Italisë dhe frikës së osmanëve i referohej në ditaret e tij dhe Sanudo.1 Më 8 dhjetor të vitit 1494, ai ka shkruar se “turqit po përgatiten para kërcënimeve të Charles VIII për një zbarkim në Ballkan dhe ky lajm jepet përmes një letre nga Konstantinopoli“, ndërsa më 19 dhjetor, ai shton se “nga frika, turqit po largohen nga brigjet shqiptare“. Më 28 shkurt të vitit 1495, ai shkruan dhe për Martinon (të cilin ai e quan dhe Martino Albanese), të dërguar nga kryengritësit shqiptarë që të takojë Charles VIII pa dijeninë e Sinjorisë. “Ai i kërkoi mbretit që të kalonte nga Pulja dhe në anë të Shqipërisë, duke i ofruar shërbimin e gjithë popujve. Thuhet se Charles VIII i dha atij 400 skude dhe pastaj e nisi drejt Shqipërisë». Kaq shumë ishin frikësuar osmanët, sa siç shkruhet dhe në dorëshkrimin e Stefano Magnos më 19 dhjetor të vitit 1494, «përmes një letre të kapitenit të flotës veneciane, i cili po kalonte brigjeve të Lepantos, pohoet se kishte parë turqit që filluan të largohen nga frika se mos ishte vetë Charles VIII“.2 Në fakt, mbreti Charles VIII, i shtyrë gjithnjë nga ambasadori i tij Commynes, mik i Konstandinit, donte të zbarkonte në Vlorë me qëllim fillimin e një Kryqëzate. Kjo nismë do të ishte fillimthi

  1. Shiko dhe botimin La Spedizione di Carlo VIII in Italia raccontata da Marin Sanudo, Archivo Veneto, III.
  2. Kronisti i kohës Fracesco Guicciardini në librin e tij “Storia d’Italia” 1492- 1534 shkruan ndër të tjera se “Charles VIII i tërhequr më shumë nga vrulli djaloshar sesa nga kujdesi e arsyetimi, edhe pas vdekjes së Xhemës, vëllait të Sulltanit, vazhdoi të mendonte për luftën që i duhej bërë osmanëve, duke dërguar në Greqi peshkopin e Durrës me origjinë shqiptare, me shpresën se përmes tij dhe të mëguarve shqiptarë atje të bëheshin kryengritje. Por incidente të reja do ta bënin të mendonte për tjetër gjë…» f.123.

si një test për vazhdimin e Kryqëzatës së vërtetë, pasi dhe vetë mbreti nuk ishte plotësisht i bindur për këtë. Sigurisht, qëllimi i Arianitit ishte çlirimi i Shqipërisë dhe rikthimi në trojet e veta shqiptare por dhe në privilegjet që i siguronte titulli i vjetër në toka që shtriheshin gjer tutje në Maqedoni. Siç na informon Commynes, që në një manifest të 22 nëntorit të vitit 1494, i cili u shtyp dhe u shpërnda në Firence, për herë të parë Charles VIII bëri të njohur projektin e tij për të zbarkuar në Vlorë, në bregun shqiptar. Plani i tij ishte shumë ambicioz: të thyejë osmanët dhe të rikthejë perandorinë bizantine. Dhe në këtë projekt ai kishte dhe mbështetjen e Vatikanit. Meqë vetë do të shkonte në Napoli për kurorëzimin e tij, ai vendosi të dërgonte në Vlorë gjashtë mijë ushtarë me në krye Antoine de Ville, sire de Domjulien. Më 27 janar 1495 ishte nënshkruar traktati i aleancës midis Charles VIII dhe Papës, ndërkohë që Commynes fshihte në ambasadën e  tij  në  Venecie,  Konstandin  Aranitin, i cili ishte me mision sekret: përgatitjen e revoltës shqiptare e greke me ndihmën e Francës.

Nga Venecia, Commynes shkruante: “Mijra kristi- anë janë gati të revoltohen. Ngado presin “mesinë” që të ngrihennë këmbë. Arqipeshkvi i Durrësitështëshqiptar. Ai më ka folur për një numër të jashtëzakonshëm shqiptarësh, të gatshëm që të bashkohen  në  luftë dhe që janë bijtë e nipat e shumë senjorëve si ai i Skënderbeut, një bir i Konstantinopojës apo nipa të senjor Konstandinit, i cili sot qeveris në Montferrat. Midis jeniçerëve, më shumë se 5 mijë prej tyre i kanë lënë rradhët turke. Shkodra e Kruja janë marrë në sajë

punës së Konstandinit, i cili gjatë shumë ditëve u fsheh në Venedik tek unë. Maqedonia dhe Thesalia janë në pjesë të trashëgimisë së tij…”

Por ç’kishte ndodhur në  të  vërtetë  në  Venecie në kohën kur pas ikjes së Konstandinit, atje kishte shkuar arqipeshkvi i Durrësit Martino Firmiano, i cili kishte zbarkuar i ngarkuar me armë për të përgatitur revoltën? Commynes ishte në kontakt të ngushtë me të dhe me refugjatët e ishujve të Moresë, duke i ndihmuar që ata të vënë në veprim planin e tyre. Por siç do ta mësojmë nga Commynes, Venediku luante një politikë të dyfi Kur Venediku e mori vesh se përgatitej kjo kryengritje dhe se shqiptarët do të bashkoheshin me francezët e Charles VIII, Senati e pengoi këtë luftë nga frika se mos ndëshkimi i osmanëve binte dhe mbi ta. Madje ata kishin arrestuar për pak ditë dhe Arianitin, por titulli i tij si «patric venecian» dhe ndërhyrja e miqve të tij e kishte shpëtuar. Venecianët kishin nevojë dhe interesa të mëdha që ta kishin mirë me sulltan Bajazitin për t’i patur të hapura dyert e tregtisë. Venedikasit e zbuluan misionin e arqipeshkvit Martino në Venedik, të cilin e burgosën në një kështjellë, pasi i gjetën gjithë planet e kryengritjes si dhe një letër të mbretit Charles VIII. Siç shkruan dhe historiani Joël Blanchard në studimin e tij Commynes europiani,1 “peshkopi shqiptar Martino pak kohë parë kishte bërë një inspektim zonën e Dalmacisë, ku kishte takuar nipat e Konstandin Aranitit dhe të Skënderbeut. Ai kishte frymëzuar shpirtrat e mijra kristianëve që ishin

1. Commynes l’éuropéen, Joël Blachard, Ed. Droz, Paris, 1996.

gati ngriheshin luftë.“ Megjithatë, Martino1 arriti të arratisej apo të lirohej, siç shkruhet dhe në një letër të datës 10 mars 1495, që miqtë e tij në Venecie i dërgojnë ambasadorit francez Commynes, i cili kishte bërë të gjitha përçapjet që ta nxirrte arqipeshkvin shqiptar nga qelia ku e mbanin. Franciscus Bernardus Vivecomes dhe Taddeus Vicomercatus, i shkruajnë “Illustrissime et excellentissime Seigneur Philippe Commynnes” se “arqipeshkvi shqiptar që po përgatitej këto ditë të ikte në Levant, u la i lirë në sajë të mbështetjes, infl                                                      dhe kërkesave të princ d’Argenton”.2

Në fakt, për venedikasit situata ishte bërë e komplikuar. Vëllai i sulltanit Bajazet, i quajtur Xhem,3 apo Zizim, i cili mbahej rob dikur nga spitalierët e Rhodes dhe pastaj pranë Vatikanit dhe që ishte një peng i çmuar, vdiq papritur më 25 shkurt 1495 në Castel Capuano, duke krijuar një situatë jo të favorshme.4 Ndërkohë ai ishte bërë aleat i perëndimorëve dhe i Vatikanit kundër vëllait të tij sulltan në Stamboll, me shpresë që një ditë të sulmonte dhe ta përmbyste vëllain nga froni. Por me vdekjen e tij, turqit tashmë

  1. Martino vdiq i helmuar në Durrës, në 10 gusht të vitit 1499.
  2. Idem.
  3. Ai ishte biri i Mehmetit II, edhe pse më i vogël se Bajaziti, por pretendonte fronin meqë ai lindi kur i ati u bë sulltan, ndryshe nga Bajaziti që kishte lindur në kohën e sulltan Muratit. Xhem u mund i tradhëtuar në Jenisehir të Azisë së Vogël, më 1481. Pastaj kaloi në Egjipt, ku tentoi një revoltë kundër Bajazitit dhe më pas e gjejmë te “hospitalierët“, në Rhodes, të cilët e çuan në Francë. Ai kërkoi të lidhej me princat europianë e Vatikanin dhe të bënte paqe midis perandorisë turke dhe Europës.
  4. Disa historianë shkruajnë se ai u helmua nga vetë Vatikani, meqë Bajaziti pagoi një shumë të madhe parash.

e kishin rrugën e lirë për tu hedhur në sulm kundër italianëve dhe francezëve. Në këtë kohë, ambasadori venedikas bisedonte me Bajazitin në Konstantinopojë:

– Përse po armatoseni? – e pyeti Bajaziti.

  • Për shkak të mbretit të Francës: nëse ai vjen nga toka apo nga deti dhe do të bëjë luftë, atëherë do t’i bëjmë presion.
    • Nëse jeni paqe me mbretin e Francës, përse të armatoseni dhe të ngrini në këmbë kaq shumë stradiotë?
    • Për të qenë gati, sepse kur bie zjarri në shtëpinë e fqinjit, duhet përgatitur uji për ta shuar atë!…”1

Venedikasit ndërkohë ishin njoftuar dhe për përgatitjet e osmanëve, të cilët po armatoseshin në Moré, duke fortifikuar Negroponten (Eubea) në Greqi, e cila kishte rënë në duart e tyre vite më parë. Por ata po përgatiteshin edhe në Vlorë, në Gallipoloi e gjetkë. Ndërkohë Konstandin Araniti kishte shkuar në Milano dhe kishte kërkuar të bindë fisnikët Sforza të Milanos që të angazhoheshin edhe ata në këtë betejë të madhe. Por Sforzat nuk pranuan, madje fshehurazi, ata i kërkuan venedikasve që ta ndalonin Aranitin në përpjekjet e tij. Në Durrës, luftëtarët e Martino Firmianos mblidhnin armë, ndërsa në bregun tjetër të Adriatikut, Konstandini u kërkonte dalmatëve të Raguzës që tu shisnin disa anije lufte, lombarda, për të mundur kështu të pushtonin kështjellat që ishin ende në duart e osmanëve.

Për lëvizjet e Martinos shkruan dhe kronisti Domenico  Malipiero  në  Vjetoret  e  tij  në  4-7  mars

1. Philippe de Commynes, Joël Blanchard, éd. Fayard.

1495:  “Arqipeshkvi  i  Durrësit  ka  bërë  të  ngrihen

30.000 shqiptarë dhe i ka vënë në shërbim të mbretit të Hungarisë dhe të Francës. Më 7 mars u muar vendimi që të arrestohet Martino, për shkak se ka tentuar të pushtojë Krujën. Si u kap, ai u mbyll në burg. Njoftohet se mbreti Charles ka dërguar një shqiptar në Shqipëri me 40.000 dukate, pas të cilit ishte dyndur një anije që ta kapte…” Në dorëshkrimin e Stefano Magnos shtohet se «arqipeshkvi i Durrësit kishte me vete dhe letrat e mbretit të Francës”. “Martino, – shkruan nga ana e tij Philippe Commynes, – kishte me vete shumë shpata, shyta e shtiza por duke kaluar midis dy kështjellave, atë e kapën dhe e futën në një nga kështjellat bashkë me shërbyesit e tij, kurse anija ishte lejuar të ikte. Konstandini  më  tha  se  venedikasit  kishin  dërguar njerëz të lajmëronin osmanët në fortesat fqinje si dhe vetë Turkun (Bajazitin).” Në një dokument të Arkivit të Venedikut të datës 8 mars 1495, shkruhet se “kërkohet të thirret Martino dhe të kritikohet rëndë, duke i vënë në dukje se sa dëm do t’i kushtonin Krishterimit dhe Paqes me sulltanin revoltat që kërkon të organizojë ai”.

Sigurisht, lëvizjet e Konstandin  Arianitit  dhe të Martinos shkonin në kundërshtim me interesat e senatit të Venedikut, i cili nuk donte ta prishte politikën me sulltanin. Njëkohësisht ata nuk ishin të bindur në vetë vullnetin e mbretit Charles VIII për t’i bërë luftë Sulltanit, siç dëshmojnë për këtë dokumentet venedikase.

Charles VIII qëndroi Napoli veçse tre muaj. Ndërkohë ai ndryshoi mëndje për fillimin e një kryqëzate të re drejt brigjeve shqiptare. Duke parë

qëndrimet e princave italianë, veçanërisht të Milanos dhe Venedikut, si dhe qëndrimin e Papës, ai hoqi dorë nga kjo ide. Jo, nuk do të shkonte as në brigjet shqiptare dhe as në Stamboll. Duhej të kthehej në Francë. Kështu mbreti Charles mori rrugën e kthimit. Më 1 qershor të po atij viti mbërriti në portat e Romës por Papa nuk ishte atje që ta bekonte për kurorëzimin e tij. Ai e kuptoi se ishte e kotë ta kërkonte me ngulm këtë kurorëzim. Mjaftonte garnizoni ushtarak që kishte vendosur në Napoli. Ai nuk besonte se napolitanët do të ngriheshin kundër tij, kundër Francës

4 thoughts on “Stradiotët shqiptarë nën flamurin e Francës

  1. Thanas L. Gjika

    Pergezime Luan. Jeni nje germues i pasionuar i materialeve arkivale dhe te botuar ne shekujt e shkuar. Me veprat e tua “Bujtes te larget”, “Me arvanitet e Greqise”, “Pranvera dy hapa larg”, dhe tani me “Stratiotet shqiptare nen flamurin e Frances”, u keni dhene mesim historianeve te Shqiperise e Kosoves se per historine e popullit shqiptar ka shume materiale ne gjuhen frenge qe duhen shfrytezuar me kujdes. Shpresoj qe kjo puna juaj te nxise institucionet shteterore te Shqiperise e Kosoves per te nxjerre fonde perkatese per kerkime te metejshme studimore. Urime!

    1. luanrama Post author

      Pershendetje Thanas dhe faleminderit shume. Pata kohe keto dy muaj qe tu kthehesha shenimeve qe kisha mbledhur ne Biblioteken Kombetare te Frances. Teme interesante dhe qe nuk eshte shkruar. Historia vazhdon te me terheqe. Keshtu me ndodhi dhe me librin qe kam botuar para nja dhjete vjetesh “Shqiperia gjate luftes normando bizantine”, fundi i shek.11 dhe fillimi i shek.12, ku pata rastin te lexoj 15 librat e kronistes bizantine Ana Komnena, bijes se perandorit Aleksis I, ku perktheva dhe integrova ne liber gjithe pjeset ku shkruante per Shqiperine…Ndoshta duhet bere liber me vete: Ana Komnena per Shqiperine. Shpresoj se dhe me punen tend po avancon per librat. Nder emigrantet e hershem ka mjaft figura te ndritura! Perqafime!

  2. Zyba hysa

    Pershendetje,
    E lexova me kenaqesi!
    Duke qene nje vezhguese e etur ndaj historise, se sapo mbarova nje roman historik voluminoz, i cili me kushtoi plot 6 vjet studime rreth mesjetes, kjo qe sapo lexova me forcon bindjen, se e keqja me e madhe na ka ardhur nga Venediku dhe Vatikani, te cilet mbeshtetnin kryqezatat gjer mblidheshin fonde marramendese, ne vend te fillonte lufta, helmoheshin, apo burgoseshin kreret e kryqezates dhe pervetesoheshin fondet!
    E njejta gje ndodhi edhe me Skenderbene, e mbeshtetnin dhe vidhnin fondet gjer ne fund e helmuan…
    Historia me intriga e kryqezatave te krishtere, eshte historia e vertete e shqiptareve te nxitur kunder osmaneve dhe te tradhetuar nga nxitesit ne momentin kur cdo gje ishte gati!
    Respekt ndaj njerezve te vertete, mbeshtetes te se vertetes!
    Zyba Hysa
    Piete, shkrimtare, studiuese, Anetare e Akademise se shkencave Shqiptaro – Amerikane, New York

Comments are closed.