Shqipëria në epikën dhe romancën mesjetare franke

Histori apo ngjarje të katër-pesë shekujve të kaluar, ku tregohet për frankët, veçanërisht rreth anzhuinëve dhe pinjollit franko-shqiptar Karl Topia, jo rrallë i ndeshim edhe në gojëdhënat dhe krijimtarinë popullore të shqiptarëve, veçanërisht ehot e Revolucionit Francez, apo ngjarje të kohës së Ali Pashë Tepelenës, që kishte si idhull Napoleon Bonapartin. Në të kundërt, tek frankët, qoftë në epikën legjendare apo romanet kalorsiake, gjejmë dhe gjurmë të botës shqiptare, të brigjeve të Ilirisë dhe kështjellës së Durrësit, të dyndjes normande dhe rrugëtimeve të kryqtarëve frankë drejt Konstantinopojës dhe Jeruzalemit. Tri krijime madhore të letërsisë franke lidhen dhe me Shqipërinë: Kënga e Rolandit, Romani i Florimontit dhe Melusine d’Albanie

Kënga e Rolandit

Luftrat e normandëve në brigjet shqiptare, si një ngjarje e madhe e kësaj epoke, do të gjenin jehonë dhe në epikën e famshme legjendare Kënga e Rolandit (La Chanson de Roland), një nga kryeveprat e eposit legjendar francez[1], e cila në thelb i kushtohet bëmave heroike të perandorit Charlemagne dhe kalorësve të tij heroikë. Sigurisht, për normandët dhe Arbërinë (Shqipërinë), nuk flitet hapur në këtë poemë të gjatë, por toponimia e përdorur në të dhe historia e krahasuar, na çojnë në këtë tezë të pranuar tashmë nga historianët e Mesjetës. Studiuesi shqiptar Kolë Luka, në studimin e tij Toponimia shqiptare në Këngën e Rolandit lidhur me ca ngjarje të viteve 1081-1085,[2] duke u mbështetur veçanërisht në studimin e historianëve Henri de Grégoire dhe Robert de Keyser,[3] të botuar në vitin 1939, arrin në përfundimin e njëjtë për pikëtakimin e Këngës së Rolandit dhe Arbërisë. Dhe ky pikëtakim ndodh me episodin e Baligandit, të shtuar me sa duket më vonë nga poeti i kësaj kënge epike. Por si ka ndodhur vallë kjo dhe ç’është në vetvete Kënga e Rolandit?

Kënga e Rolandit, kënga më e bukur epike e traditës franceze është shkruar në fundin e shekullit XI dhe është një poemë e gjatë prej më shumë se 4000 vargjesh, e cila mbaron me fjalët e fundit Ci falt la geste que turoldus declinet, („Këtu mbaron tregimi i Turoldit“), çka u ka lejuar studjuesve të pohojnë se autori i kësaj poeme është një i quajtur Turold. Ky tekst, i kopjuar në një dorëshkrim të vjetër të viteve 1125 – 1150, që quhet dhe Dorëshkrimi i Oksfordit,[4] mbahet si i vetmi dorëshkrim origjinal shkruar në gjuhën anglo-normande, edhe pse më vonë ka patur dorëshkrime të tjera rreth Këngës së Rolandit, e cila fillon me vargjet „Carles li reis nostre emperere magne…(„Mbreti Charles, perandori ynë i madh… „). Në fakt, kjo këngë e gjatë tregon se ushtria e perandor Charlemagne-s ka pushtuar Spanjën e saraçenëve dhe Saragozën që mbronte pagani Marsile. Por në ikje (meqë ai duhet të kthehet, pasi anglezët kanë sulmuar Francën në veri), përmes tradhëtarit Ganelon, saraçenët arrijnë të sulmojnë në befasi praparojën kristiane të komanduar nga nipi i perandorit, Rolandi (ose Hroudland). Siç shkruhet dhe në historinë e asaj kohe, kjo ngjarje e madhe ndodhi në Roncevaux të Pyrenées, në 15 gusht të vitit 778. Gjatë luftimeve, siç tregohet në vargjet e këngës, në fillim Rolandi refuzoi tu bjerë brirëve dhe të thërresë në ndihmë Charlemagne-n, siç i kërkonte dhe shoku i tij, Olivier. Ai nuk ishte mësuar kurrë të thërriste për ndihmë, apo të tërhiqej. Por shpejt, trupa e tij u masakrua dhe vetëm në fund Rolandi i ra bririt, (nga forca damarët i shpërthyen), duke mbetur zot i vetëm i betejës bashkë me arqipeshkvin Turpin, të plagosur për vdekje:

Li quens Rollant se jut desuz un pin;

Envers Espaigne en ad turnet son vis.

De plusurs choses a remembrer li prist:

De tantes teres cum li bers cunuqist,

De dulce France, des humes de son lign,

De Carlemagne, sun seignor, kil nurrit. (vargjet 2375 à 2380)

Kur u kthye në Roncevaux,[5] Charlemagne gjeti Rolandin e vdekur, në një betejë që kishte marrë tashmë fund. Bardi këndon se ai, edhe pse i verbër, kishte luftuar me shpatë, duke çarë dhe shkëmbinjtë. Edhe pse saraçenët ishin larguar, perandori i shpartalloi kundërshtarët e tij. Por një luftë e madhe e priste, meqë në ndihmë të Marsile-s ishte shfaqur Baligandi… Pra kjo këngë epike është e ndërtuar në katër kapituj si Tradhëtia e Ganelon-it, Beteja e Roncevaux-së, Hakmarrja e Charlemagne-s dhe Gjykimi i Gandelon-it.

Kur u kthye në kryeqytetin e perandorisë së tij, në Aix-en-Provence, Charlemagne shkoi t’i jepte lajmin Aude-s, të dashurës së Rolandit,[6] që njëkohësisht ishte dhe motra e Olivierit, shokut të armëve të Rolandit, i vrarë bashkë me të: „ – Ku është Rolandi, prijësi im, ai që më ka premtuar se do të bëhem gruaja e tij? – e  kishte pyetur ajo. – Plot dhimbje me lot në sy, Charlemagne qau dhe nga dëshpërimi shkuli mjekrën e tij të bardhë: „Fëmija im, mikja ime e shtrenjtë, ti po më kërkon lajmet e një të vdekuri. Por në vend të tij unë do të jap dikë shumë më të nderuar, birin tim Louis, i cili do të qeverisë perandorinë. Por Aude iu përgjigj: – As Zoti, as shenjtët, as ëngjëjt nuk më bëjnë të jetoj pa Rolandin“. Ajo u zbeh dhe ra në këmbët e Charlemagne-s, ku vdiq…“

Vdekja e menjëhershme nga një lajm i rëndë tragjik është një element që e gjejmë që në epikën greke, e cila është marrë jo vetëm nga bardi frank për tu kënduar luftrave legjendare, por edhe nga bardët shqiptarë, të cilët më pas krijuan eposin e veriut, këngët e Mujit dhe Halilit, Këngën e Ago Ymerit, etj. Pikërisht në Këngën e Ago Ymerit, është motra e tij që nga dhimbja e vëllait të vrarë transformohet në shpend. Po kështu në këngën epike Konstantini i Vogël, e trashëguar ndër shekuj në Shqipërinë e jugut dhe në Epir, është nëna dhe motra e Konstantinit që bijen të vdekura nga lajmi i Konstantinit që ka vdekur dhe që s’mund të jetë gjallë…

Por le të kthehemi në këngën Chanson de Roland. Studjuesit De Grégoire dhe De Keyser pohojnë se episodi i Baligandit është shtuar më vonë dhe lidhet me luftrat e normandëve në shekullin e XI. Në këtë episod trajtohet hakmarrja e Karlit të Madh (Charlemagne-s) kundër saraçenëve në Spanjë. Poeti anonim, apo vetë Turold-i, e ka zëvendësuar Spanjën me Arbërinë, me toponime që gjënden veçse në Arbëri, pasi dihet se pas luftës së parë, Karli i Madh nuk u kthye më në Spanjë për t’u hakmarrë për asgjësimin e praparojës së tij, ku gjeti vdekjen dhe Rolandi i famshëm. Pra bardi i lashtë, duke patur parasysh ndeshjet normande me ushtrinë bizantinase në tokën shqiptare, e bashkon këtë me ndeshjen e Baligandit të Babilonit.

Në të vërtetë Baligandi, siç do ta shohim më pas, është vetë Gjergj Paleologu, princi i Dyrrachium-it dhe Babiloni vetë Dyrrachium-i, çka janë futur në proçesin krijues të poezisë epike. Por le t’i referohemi më mirë studjuesve të njohur botërisht, Henri de Grégoire dhe Robert de Keyser lidhur me këto toponime që gjënden në këtë këngë historike, që s’kanë lidhje me Karlin e Madh, por ku pas tij fshihet figura e Robert Guiscardi-t, i cili e kishte idhull të tij heroin frank paraardhës, perandorin Charlemagne. Këtë e vërteton dhe një historian i vjetër i quajtur Olderic Vital, i cili shkruan se në një fjalim të tijin, Guiscard-i e kishte krahasuar birin e tij me francezin Roland. Kjo referencë rreth normandëve gjëndet në fakt edhe në vetë këngën kur këngëtari thotë se Baligandi, pasi hap me shpatë gjoksin e kontit Guinemant, vret Géboin e Lorant dhe Richard-in Plak (le Vieux), senjor i normandëve“. Gjithashtu, ata theksojnë së pari emërtimet si „Butrintot“, „Chanineis“ dhe „Jericho“, që për ta janë thjesht Butrinti, Kanina dhe Orikumi. Në këngën legjendare shkruhet se „Emiri kalëronte midis ushtrisë së tij. Biri i tij shtatmadh e ndjek pas… ata kanë kalorës me një vrull të admirueshëm. Të paktën mund të ishin 50.000. Ushtria e parë përbëhej nga ata të Butrentot, e dyta nga ata të Micènes, me kokë të madhe. Ushtria e tretë formohej nga  ata të Nubles dhe të Blos, e katërta nga ata të Bruns dhe sllavëve, e pesta nga Sorbres dhe të Sors, e gjashta nga armenianët dhe morët, e shtata nga ata të Jericho-s…“ Në pohimin e tyre, ata mbështeten sigurisht në përshkrimet e Ana Komnèna-s, kur ajo flet për Bohémond-in që pushtoi Vlorën, Kaninën, Orikumin (apo Jericho, siç e shkruan ajo) dhe më pas Dyrachium-in. Toponimi „Albeigne“ që përdoret në këngë është Arbëni, Albanie, ndërsa „Balide la Forte“ apo „Baldise la longue“ në vargun 3255, nga afërsitë linguistike të dorëshkrimit të vjetër është e afërt me „Cap Pali“ që është sot kepi, apo Bishti i Pallës, siç e quajnë dhe kronistë të hershëm historikë (vallë a lidhet kjo dhe me emrin e Shën Palit që mund të jetë shfaqur pas udhëtimit të ndërmarë të këtij shenjti drejt bregut tjetër të Adriatikut në shekullin e parë të Kristianizmit?). Po kështu krahas tyre përmënden grekët e Micene-s, sllavët, etj., duke mbështetur tezën se bëhet fjalë pikërisht për Butrintin, Kaninën dhe Orikumin që janë në afërsitë e tyre gjeografike.  Ndërsa kur këngëtari tregon për ushtrinë që shkon në EBIRE me qëllim që të arrijë në IMPHE, kjo nuk është gjë tjetër veçse EPIRE (pra EPIRI) dhe NIMFEU,[7] një qytezë që ndodhej atëherë midis Vjosës dhe Vlorës (diku pranë Mifolit apo Apollonisë), ku do të fushonte ushtria e Bohémond-it. Autorë antikë si Straboni, Plutarku, etj, duke iu referuar Apollonisë romake shkruajnë shumë për Nimfeu-n, atë vend që nxirrte zjarr nga toka, çka tregonte se ishte një vend i pasur nga bitumet dhe nafta. Madje De Grégoire dhe De Keyser mendonin se dhe fjalët  „Val Fuit“ mund të ishte Vjosa e mëpasme, e pushtuar nga ushtria e Bohemond-it.

Dis scheles establisent après.

La premiere est des Canelius les laiz:

De Val Fuit sun venuz en traver

L’altre est de Turcs…[8]

Edhe sipas studjuesit P. Badier, normandëve të Siçilisë iu desh të luftonin me „Petchenague“-ët në shërbim të Bizancit si dhe turqit që bënin pjesë në formacionet e ushtrisë së perandorit Aleksis. Nëse luftrat e lavdishme të Guiscard-it u bashkuan simbolikisht me ato të Charlemagne-s (Karlit të Madh) nga ana e krijuesit të epopesë legjendare, kjo duket se u bë për t’i dhënë vazhdimësi historike bëmave të frankëve. De Grégoire dhe De Keyser theksojnë në studimin e tyre se „Robert-i e konsideronte veten si një kryqtar dhe një lloj ringjallje të vetë Charlemagne-s. Besnik i devotshëm i Selisë së Shenjtë, ai e mbështeste Papën Gregoire VII për të sulmuar Perandorinë bizantine me flamurin e Shën Pjetrit“. Kjo shpjegon dhe atë që flamuri i Charlemagne-s „l’oriflame“ (flamuri i vogël), i quajtur Montjoye (në pjesën e parë të këngës) në episodin e Baligandit quhet „flamuri i Shën Pjetrit“. Për më tepër, siç e vënë ata në pah, kjo këngë është thurur me sa duket në Salerno më 1085, pasi kënga nuk përmënd ngjarjet e mëdha të mëpasme të viteve 1096 dhe 1099.

Dashuria e Florimontit

Romani Florimont-it është një nga romanet më të hershme të letërsisë mesjetare franceze, pasi ai është shkruar në vitin 1188, kohë kur mesa duket, ky autor ka përjetuar epokën e Kryqëzatave kristiane jo vetëm në Francë, por dhe duke udhëtuar vetë në brigje të largëta dhe udhë, ku shumë kalorës e pelerinë, nën thirrjen e Selisë së Shenjtë, shkonin drejt Varrit të Shenjtë për të kryer detyrën dhe larë pendimin e kësaj jete tokësore. Shumë kronistë na kanë lënë shënimet dhe kronikat e tyre rreth betejave të mëdha në brigjet e Ilirisë, në Konstantinopojë, rrugës për në Orient, në Damiette apo Antioche të Sirisë e deri në çlirimin e Jeruzalemit. Të tjerë, «trouvères» siç quheshin ata, pra «trubadorë» apo rapsodë e bardë, këto ngjarje i evokuan në këngët e tyre të gjata epike, apo romanet po në vargje, të cilat më pas na shfaqen në prozë. Dhe ashtu siç u shkrua Romani i Florimont-it, ashtu u shkrua dhe Romani i Trëndafilit (Le Roman de la Rose)[9], Marie France, Le Roman du Castellan Coucy, Le Roman de Troie, I Bukuri i Panjohur, (Le Bel Inconnu), apo Perceval le chevalier au lion, mbi legjendën e Saint Gral, (historinë e vazos, ku Joseph d’Arimithie kishte mbledhur gjakun e Krishtit dhe kalorësi Perceval apo Lancelot, i cili ishte nisur në kërkim të saj), etj, ku na shpaloset një botë «ferike», plot zana dhe mite popullore, krijesa të mbinatyrshme që mbrojnë dashuritë apo paralajmërojnë vdekjen, krijesa që jetojnë midis Tokës dhe nëntokës, midis botës së të gjallëve dhe të vdekurve, një letërsi që dëshmon për një kohë dramatike, plot luftra e vrasje, mizori e haraçe të mëdha bajlozësh, por ku trimëria dhe bujaria kalorsiake, është e detyruar të luftojë dhe të triumfojë nën mbrojtjen e zanave.

Letërsia gojore shqiptare i njeh mirë tregimet e vjetra që lidhen me zanat apo me bajlozët dhe luftrat e trimave për të shpëtuar atdheun dhe të dashurat e tyre. Kënga e Gjergj Elez Alisë na kujtohet menjëherë kur lexon faqet e këtij romani, e padyshim, mbretërit e perandorët që vinin përtej detit bashkë me ushtritë e tyre ngjeshur me hekur, në imagjinaren popullore merrnin gjithnjë trajtën e bajlozëve të zi dhe ku ndeshja me ta, si e Davidit me Goliatin, ishte një çështje për jetë a vdekje. Pra shkrimtari Aimon de Varennes, lidhur me Romani i Florimont-it shkruan që  në fillim se ai e gjeti këtë subjekt në qytetin Filipopolis, qyteza e lashtë e themeluar nga mbreti Filip, gjyshi i Aleksandrit të Madh, pikërisht atje ku udhëtarët që kapërcenin trojet shqiptare dhe merrnin udhën e Via Egnatia-s, kalonin nëpër këtë qytezë të Maqedonisë për t’iu drejtuar pastaj Konstantinopojës. Në kthim nga ky vend, (pra ai ka kaluar nga Durrësi, që ishte një etapë e detyrueshme për ata që vinin përmes rrugës tokësore nga Konstantinopoja për në Perëndim), ai thotë se këtë roman e shkroi në qytetin Chatillon, në Arzegues, jo larg qytetit të madh të Lyon-it, në jug të Francës.

«Romani nuk u shkrua në Francë

po në gjuhën e francezëve

Aimon e ktheu në gjuhën lioneze

ai e punoi

dhe romani u shkrua në Chatillon…»[10]

Madje ai thekson se këtë ngjarje, ku ka shtuar dhe nga ana e tij, ai e shkroi në dialektin «oc», apo gjuhën frënge, (meqë ky dialekt u bë më vonë dhe baza e gjuhës frënge, ndryshe nga dialekti i familjes së tij «oïl», pra provencial), në mënyrë që romanin ta lexonin mbretërit e fisnikët e Francës.

«Doja që francezëve tu shërbeja

pasi për më tepër gjuha e nënës time është e huaj për ta…»[11]

Historia e këtij romani prej 13.680 vargjesh është e thjeshtë, edhe pse personazhi kryesor Florimont, do të kalojë peripeci e sprova të vazhdueshme. Florimont është një emër i veçantë në botën franke, një bashkim fjalësh që mesa duket përbëjnë këtë emër: «Fleur» (Lule) dhe «mont» (mal), pra «Lulemali». Ai është biri i dukës së Durrësit që quhet Mutaquas (Mutakas) dhe i Edorias, vajzës së mbretit persian Fragus. Gjithë adoleshenca e tij ka kaluar me mësuesin e mënçur Floquart, për çka disa studjues shqiptarë thonë se duhet lexuar Flokart, por kjo duket se është thjesht një «asosiacion» dhe asgjë më shumë. Megjithëse romani është shkruar në shekullin e XII, autori i vendos ngjarjet në një epokë të largët të shekullit IV p.e.s dhe që lidhet me epokën e mbretërimit të Filipit të Maqedonisë, kohë që siç thonë legjendat, ai u sulmua nga  një mbret tjetër mizor Cambiobras, i cili i kërkonte vajzën për grua. Dhe ja, në Durrës ku jeton Florimont-i, i cili ndërkohë është i dashuruar me një zanë që për një kohë do të jetë dhe mbrojtësja e tij, flitet se drejt qytetit bregdetar gjigandi Garganeus, sundimtari i Puljes, (Robert Gusiscard-i kishte më pak se një shekull që kishte ardhur nga Pulja në Durrës për ta pushtuar atë) kishte nisur dy bajlozë për të marrë haraçin e zakonshëm të çdo viti, të cilin duhej ta plotësonte Mutaquas.

Por dashuria me zanën, si çdo dashuri me qëniet hyjnore është e pamundur. Si në të gjitha tregimet e romanet kalorsiake, ato kanë kushtet e tyre: bukuroshja e ishullit Celee i vë Florimontit si kusht që «sa herë që do dojë t’i flasë, duhet të jetë vetëm dhe se për dashurinë e tyre, s’duhet t’i tregojë askujt». E si gjithnjë premtimet thyhen pa dashur. Dashuria bëhet zhgënjyese dhe shpejt ata ndahen, pasi Florimont-i nuk mund të ndahet nga familja e tij, si i kërkonte ajo. Që nga ky moment fillojnë dhe dramat e njëpasnjëshme të Florimontit, që ka humbur mbrojtjen e zanës së tij. Por edhe pse nuk e ka më mbështetjen e saj, ai do ta rigjejë fuqinë e dikurshme të tij. Madje tashmë ai niset kundër mbretit mizor Cambiobras, me të cilin, për inat të tij, zana na është martuar. Pra pas ndarjes nga zana, Varennes na e paraqet Florimontin si një djalosh të rënë në dëshpërim të madh, si një «Povre Perdu», («Një i Varfër i Mjerë»).

Më pas, Florimont-i shkon drejt Kalabrisë dhe vihet në shërbim të princit të atjeshëm Risus, ku sëbashku me të dhe ushtarët e tij, nisen drejt qytetit të Filipopolis. Por rrugës ai mëson se ky sundimtar mizor kishte kërkuar si haraç dhe për Durrësin që «çdo ditë t’i çonin të hante një njeri dhe një ka». Atdheu i tij, Albanie, ishte në zi. Por si një luftëtar i zoti, ai do të luftojë së pari në Filipopolis kundër gjigandit dhe do të fitojë mbi Garganeus, atje në këmbë të malit Gargan, ku më pas, si mirënjohje, do të ngrihet dhe një manastir në përkushtim të shenjtit  Saint-Michel. Meqë shquhet në luftë, mbreti i atjeshëm i dha dorën e vajzës së tij për grua. Ajo quhej Romadanoptan dhe nga kjo martesë do të lindë më pas dhe Filipi i ri, apo babai i Aleksandrit të Madh. Por historia e Florimont-it do të vazhdojë në rreshtat e romanit. Atij i duhet të çlirojë dhe të atin e tij Mutaquas, të cilin e mbajnë si rob në qelitë e kështjellës së largët Klavegris, në Kartagjenë. Udha është e gjatë, por Florimont-it i duhet të triumfojë me çdo kusht. Dhe së fundi, ai vërtet do të triumfojë.

Romani i Florimont-it është një roman i studjuar gjerësisht, veçanërisht gjatë shekullit XX, kur për herë të parë një studim të plotë lidhur me rrethanat e shkrimit të këtij romani e ka bërë studjuesi A. Hilka, studim që u botua në Gottingen në vitin 1933. Por veç analizës së tij rreth botës së këtij romani, të tjerë studjues, veçanërisht francezë, por edhe italianë, gjermanë e anglezë, kanë shkruar për këtë roman sidomos këto njëzet vjetët e fundit, siç janë analizat historike, filologjike e toponimike të kritikëve dhe historianëve të letërsisë mesjetare si, profesoresha e letërsisë mesjetare të Sorbonne-Nouvelle të Parisit, Laurence Harf-Laucner, e cila ka botuar një mori studimesh rreth këtij romani, por dhe Theodore Kendris, me tezën e tij në Universitetin Laval të Quebec-ut, rreth një varianti të botuar në shekullin XVI, apo Christine Ruby e Lecouteux. Jean Psichari ka studjuar lidhjen e romanit të Florimont-it me Ballkanin, duke deshifruar fjalët greke që përdoren në versionet e para të këtij romani.[12] Siç dihet, në bibliotekat e mëdha të Evropës ruhen versione të ndryshme botimi të këtij romani për të cilin ka shkruar dhe historiani ynë Moikom Zeqo. Në Bibliotekën e Arsenalit në Paris ruhet një dorëshkrim në «velin» prej 167 fletësh, i shkruar në dy kollona, ndërkohë që në Bibliotekën Kombëtare të Francës ruhen disa kopje të botimeve të para të tij, ashtu siç gjënden ato dhe në Bibliotekën Mbretërore të Brukselit, në British Library, në Biblioteca Nacional të Madridit apo Bibliotekën Kombëtare të Vjenës. Por si të thuash është një lloj arkeologjie letrare që duhet bërë në vepra të tilla historike për të gjetur shkaqet e marrëdhëniet e personazheve dhe për të ndarë realitetin historik nga krijimtaria e mirëfilltë letrare. «Florimont është shqiptar» shkruan kritiku H. Akkari në studimin e tij Mesdheu mesjetar, duke vlerësuar pikëtakimin e popujve mesdhetarë me frankët.

Eshtë e qartë se Varennes ka qënë në Durrës dhe në brigjet shqiptare për vetë përdorimin e toponimisë që lidhet me Shqipërinë, Albaninë, pra me Durrësin, ku afro një shekull më parë kishin kaluar kryqtarët e parë si Saint-Gilles, Hugues de Vermondois, Robert de Flandres, Robert de Normandie, etj, apo më parë Robert Guiscard-i dhe biri i tij Bohemond në krye të ushtrisë normande, për të luftuar kundër bizantinëve. Kujtimet e këtyre udhëtimeve dhe luftrave ishin ende të freskëta dhe padyshim, në krijimin e një romancieri mesjetar përzihen historia dhe imagjinarja, realja dhe miti, banorët tokësorë dhe ata të qiellit e botës së përtejme që kanë fuqi hyjnore. Por sidoqoftë, fakti që një nga romanet e hershme të letërsisë frënge lidhet ngushtësisht me Durrësin e Arbërisë, është një refleks i vetë pikëtakimeve tona historike.

Melusine d’Albanie

Romani Melusine d’Albanie[13] dhe personazhi i saj romanesk i kohës së mesjetës është mjaft i njohur ndër francezët dhe një nga pjesët më të bukura të krijimtarisë së frankëve, krahas romaneve mesjetare si Tristan et Iseult, Romani i Trëndafilit, (Roman de la Rose), Marie France, apo Les Chevaliers de la Table Ronde (Kalorësit e Tavolinës së Rrumbullaktë), etj. Eshtë një botë zanash e mitesh, e mbarsur plot mitologji, por që njëkohësisht ndërthuret dhe i bën referencë një kohe të caktuar apo ngjarjeve të mëdha historike që lidhen me historinë e frankëve dhe veçanërisht me kohën e kryqëzatave dhe udhëtimet e frankëve drejt Orientit. Ky roman, siç e tregon dhe vetë autori i saj Jean Arras, niset nga një ngjarje që thuhet se është e vërtetë, por që ngërthehet me zanat dhe fuqinë e tyre, të cilat janë të njohura dhe në botën shqiptare, ku në qëndër është një nga mitet e njohur të shqiptarëve: gruaja e bukur që transformohet në gjarpër, apo gruaja me lëkurë gjarpëri. Në përrallat shqiptare të mbledhura në shekullin e XIX nga albanologë francezë apo gjermanë, si dhe nga bashkëkohësit e tyre shqiptarë, ky mit është i dukshëm dhe përbën një nga përrallat më të bukura të tregimtarisë gojore të shqiptarëve. Por njëkohësisht ajo ka qënë e tillë dhe në botën imagjinare të popujve të Evropës, siç e tregon dhe ky roman, apo gojëdhënë, që dikur tregohej në këto anë. Kjo gojëdhënë është pra dhe thelbi i këtij romani të shkruar në vitin 1392.[14]

Jean Arras, e vendos këtë ngjarje në kohën e «Guerres des Religions», siç njihet ajo në historinë e Francës, e cila zgjati gati një shekull, ku luftonin mes tyre katolikët dhe protestanët e Francës, ku këta të fundit ishin nën influencën angleze, meqë jug-perëndimi i Francës kishte qënë dikur nën dominimin e anglezëve. Pra në kohën e dorëzimit të kështjellës së Lusignan-it, në krahinën e Poitiers, thuhet se një kalorës i quajtur Creswell, kishte parë të hynte në dhomën e tij në kështjellë një gjarpër të madh që nën dritën e hënës ishte shndërruar në një vajzë të bukur. Po kështu dhe Yvain de Galles, siç shkruan Jean Arras, pohonte në atë kohë se në çastin e dorëzimit të kësaj kështjelle, një grua gjysmë-njeri e gjysmë-gjarpër ishte shfaqur dhe u kishte bërë thirrje mbrojtësve të kështjellës që tu dorëzoheshin francezëve.

Këto histori, Jean Arras i kishte dëgjuar nga motra e Jean le Bon,[15] birit të mbretit të Francës, duk i Berry-së dhe Auvergne-s si dhe kont i Poitou e i Auvergne-s, e cila iu lut që t’i shkruante këto histori. Atëherë Jean Arras u ul të shkruante këtë roman për dukën e tij, por që në fillim të romanit, duke folur për origjinën e Melusine-s, ai përmënd dhe Shqipërinë, ashtu siç përmënd dhe Skocinë. Përse vallë Shqipëria në origjinën e këtij personazhi, për çka autori i rikthehet disa herë gjatë tregimit të tij, duke shtuar dhe elementë të tjerë të botës shqiptare që argumentojnë këtë përkatësi? Kur Arras shkruan në fillim se «në ato krahina të Skocisë që quhen «Albanie», (Shqipëri), kjo na duket sa e çuditëshme, aq dhe e pa rëndësishme. Por kur me zhvillimin e romanit autori shton se «në këto vende që quhen gjithashtu Albanie, dikur ka jetuar një mbret mjaft i vyer, biri i të cilit quhej Mutaquas, i lindur nga martesa e parë, i cili ishte babai i Florimont-it» atëherë lexuesi menjëherë bën lidhje me romanin e hershëm Florimont, të shkruar që në shekullin e XII nga Aimon de Varennes. Madje Arras shton se “ky mbret shumë i fuqishëm dhe kalorës i zoti, quhet Elinas». Më pas, personazhin e Melusine-s autori do ta çojë në Ishullin e Humbur pranë Avlona-s (Vlora, siç quhej ajo në dokumentet normande dhe anzhuine të asaj kohe), që nuk është tjetër veçse ishulli i sotëm i Sazanit. Ai shkruan për qytetin e Avlona-s dhe malet në breg të detit që quhen Eleinos, që do të thotë «mal i lulëzuar». Princi i dikurshëm Elinas ishte martuar me një jetime, «zonjën Duras» (kështu quhej Durrësi në kohën e anzhuinëve gjatë shekujve XIII-XV, siç ishin Jean de Duras, Charles de Duras, Jeanne de Duras, etj), apo «zonjën e Durrësit». Dhe siç e dimë tashmë nga faqet e romanit Florimont, Mutaquas ishte pikërisht djali i mbretit të Durrësit.

Por le t’i kthehemi romanit për të kuptuar më mirë thelbin e tij dhe sesi historia merr pjesë në ngjarjet e romanit. Pas vdekjes së gruas së parë, Elinas kishte dalë për gjah në pyllin buzë bregdetit dhe i lodhur kërkoi të shuante etjen në një burim në mes të pyllit. Kur u afrua, ai dëgjoi një zë gruaje që këndonte në mënyrë të mrekullueshme, madje më bukur se çdo lloj sirene apo nimfe. Ai mendoi se ishte zëri i ndonjë ëngjëlli. «Atëherë, – shkruan Jean Arras, – për të mos bërë zhurmë, ai e lidhi kalin pas një peme dhe kur u afrua akoma më shumë, pa atje një zonjë të bukur. Ai u fsheh që mos ta shqetësonte atë dhe këngën e saj, aq sa harroi gjuetinë dhe etjen, duke ëndërruar kështu rreth këngës së asaj zonje. Por pas pak kohe, dy nga qentë u hodhën pranë tij që të loznin, duke e zgjuar papritur nga ajo ëndërr. Dhe ai u kujtua për gjahun e etjen dhe pa menduar më gjatë, shkoi drejt burimit. Pikërisht në atë çast ai pa përsëri zonjën e bukur që kishte ndaluar së kënduari…»

Kështu pra nis dhe dashuria e tyre. Po atë ditë ai i kërkoi të martoheshin dhe ajo e pranoi, por vetëm me një kusht: që ai të mos e shikonte në lindjen e fëmijëve. Dhe ai u betua se do ta mbante këtë fjalë. Kjo grua quhej Presine, dhe kur ajo u martua me mbretin, i biri Mutaquas filloi ta urrente gruan e bukur. Më pas ajo mbeti shtatzënë dhe tri vajzat që lindi u quajtën: e madhja Melusine, e dyta Mélior dhe e treta Palestine. Por pikërisht atë ditë që ato lindën, Mutaquas i tha mbretit që të shkonte t’i shikonte dhe ky, pa u kujtuar për premtimin e dhënë, shkoi në dhomë dhe kur i pa ato vajza të bukura, thirri i gëzuar: «Zoti e bekoftë nënën dhe vajzat e saj!». E tronditur nga kjo, Presina e pa dhe e zëmëruar i tha: – «Dinak, ti nuk e mbajte fjalën e dhënë. Tashmë dhe mua më ke humbur. E di që kjo ndodhi për shkak të birit tënd Mutaquas… » Dhe kështu ajo mori vajzat e u zhduk larg, në Ishullin e Humbur. Mbreti qau e u hidhërua aq shumë, saqë njerëzit thanë se ai ishte çmëndur. Atëherë Mutaquas u martua me zonjën Duras të Florimontit (Lule-mali).

«Kur Presine iku nga mbreti Elinas, – shkruan Arras, – ajo u fsheh në ishullin e qytetit Avalon, të quajtur Ishulli i Humbur. Atje, ajo rriti vajzat e saj gjer në moshën 15 vjeçare. Çdo ditë i çonte ato në malin Elineos, që në greqishte do të thoshte “mal i lulëzuar[16]. (Autori shkruan “në greqishte”, pasi në kohën bizantine, greqishtja ishte gjuhë zyrtare). Kur Presine u tregoi vajzave të saj historinë me babain e tyre, më e madhja, Melusine, u kërkoi të motrave që të hakmerren ndaj atit të tyre që e kishte bërë aq shumë të vuante nënën Presine. Ato e dinin tani se i ati ishte mbyllur në një shpellë të malit Brumboreulion, bashkë me pasurinë e tij, ku priste vdekjen dhe ku ruhej nga një dragua. Kur Presine mori vesh se Melusine mendonte për të ndëshkuar e vrarë atin e saj, ajo u zëmërua aq shumë, sa e dënoi atë: “Këtej e tutje, çdo të shtunë, ti do të bëhesh gjarpër nga mesi e poshtë. Por nëse gjen dikë të martohesh, kërkoi atij që vetëm të shtunën të mos të shohë”. Ky pra do të ishte dhe kushti i lumturisë së saj. Dhe kështu Presine parathotë profecinë e saj dhe fatin e tri vajzave, të cilat pastaj u larguan secila në drejtimin e tyre; Mélior drejt Armenisë dhe Palestine drejt Orientit latin.

 Këtu dhe fillon historia e vërtetë e Melusine-s, e cila u fut të jetonte në një pyll të humbur në jug-perëndim të Francës, në Lusignan. Tashmë ajo ishte një zanë që çdo të shtunë kthehej në gjarpër. Dhe ja ku u shfaq në «Burimin e Etjes», («Fontaine de la Soif»), një kalorës i quajtur Rajmondin. Dhe përsëri, po ajo mahnitje e kalorësit pas «së bukurës së dheut». Ata ranë në dashuri dhe ai i kërkoi të martohen, por ajo pranoi vetëm me një kusht: «Që mos ta shohë asnjëherë të shtunave, madje mos të kërkojë të dijë se ku është atë ditë». Dhe ai premtoi. Dasma u bë madhështore dhe gruaja-zanë i krijoi të gjitha mundësitë, duke e udhëhequr jetën e atij kalorësi si s’ka më mirë. Madje në dasëm, kontët e fisnikët e ftuar, u habitën aq shumë me bukurinë e zgjuarsinë e asaj gruaje, sa konti i Poitiers i tha asaj: «Në fakt ju quheni Melusine e Skocisë apo e Shqipërisë dhe Albanie në greqishte do të thotë «diçka e përsosur» dhe Melusine do të thotë «prrallore». Në sajë të Melusine-s së mënçur dhe forcës magjike të saj, shpejt Rajmondi u bë një kalorës i njohur, mjaft i zoti në ndeshjet kalorësiake, njeri me prona dhe ngriti një kështjellë: kështjellën e Lusignan-it.

Kështu nis jeta në familjen e Melusine-s, e cila lind shumë fëmijë, por meqë është gjysmë-njeri dhe gjysmë-zanë, ajo i lind fëmijët me një të metë: i madhi, Urian, kishte veshë të mëdha; Renaud, kishte vetëm një sy ; Geoffroy le Grand Dent (Dhëmbëgjati) që në lindje kishte një dhëmb të madh si të një derri të egër; Antonine kishte njërën faqe të leshtë si të një putre luani; Fromont kishte hundën me qime, ndërsa fëmija i tetë, Horrible (i Tmerrshmi) kishte tre sy, njëri prej të cilëve ishte në mes të ballit… Kur ata u rritën, dy nga fëmijët, Urian dhe Gurion u nisën drejt Rhodes dhe Qipros që të luftonin kundër sulltanit të Damaskut, i cili kishte rrethuar kristianët «hospitalierë», ndërsa Geoffroy u bë luftëtar i madh dhe me famë që i shërbeu çështjes së Kristianizmit, etj.

Por le të kthehemi në jetën e Melusine-s. Ç’ndodhi vallë me të? Një ditë, i nxitur nga vëllai i tij, xheloz për bukurinë dhe mënçurinë e Melusine-s, ai i tha Rajmondin-it se në popull nuk flitej mirë për Melusine-n dhe se çdo të shtunë ajo fshihej dhe bënte festa me të tjerë. Dhe ajo ditë ishte e shtunë. I ngacmuar nga i vëllai dhe i zëmëruar, ai shkoi në vendin ku mbyllej Melusine, hapi portën e hekurit me shpatën e tij dhe mendoi se do ta gjente në mëkatë, por u habit kur pa se ajo ishte e vetme, duke u larë në një govatë të madhe. Por nga mesi e poshtë ai pikasi se trupi i saj ishte në formë gjarpëri. Melusine e pa hyrjen e Rajmondit dhe nuk foli. Shpejt, kalorësi doli dhe menjëherë e kuptoi se kishte shkelur fjalën e dhënë, duke rënë kështu në një dëshërim të madh. Të nesërmen në mëngjes, Melusine erdhi në shtratin e saj ku rrinte Rajmondin-i dhe pasi u xhvesh lakuriq u shtri pa folur.

Vite do të kalonin dhe askush nga ata të dy nuk kishte folur më për këtë histori. Por një ditë, trimi Geoffroy, i kapur nga një çmënduri e çastit, kishte djegur murgjit e kishës, bashkë me të vëllanë e tij, besimtarin Fromont, brënda në të. Kur Rajmondin-i mori vesh këtë fatkeqësi të madhe dhe humbjen e birit të urtë Fromont, ai u zëmërua aq shumë me Geoffroy-in, sa menjëherë iu ndërsye Melusine-s në shtëpi: “Në emër të Zotit, ti dhe veprimet e tua nuk jeni veçse iluzion dhe e di që asnjë nga fëmijët që ke lindur nuk do të shpëtojë nga e keqja!” Kur dëgjoi këto fjalë Melusine humbi ndjenjat nga dhimbja e madhe. 

Vetëm atëherë Rajmondin-i e kuptoi se ç’kishte bërë dhe u ul në gjunjë para saj, duke iu lutur ta falte për fjalët e thëna. “Ata u përqafuan me një trishtim aq të madh, saqë ranë të dy pa ndjenja në dyshemenë e dhomës”. Por Melusine tani e dinte që ky ishte dhe fundi i saj. Para se të zhdukej nga bota e të gjallëve, ajo e porositi Rajmondin-in që të mos e ndëshkonte Geoffroy-në, se ai do të bëhet një burrë i njohur dhe i vyer, por në fshehtësi duhej të vrasë djalin me tri sy, Horrible, pasi ai ishte mbartës i së keqes. Pasi hipi në dritare, ajo i zgjati unazën, duke i thënë se kjo unazë do t’i mbronte nga e keqja atë dhe pasardhësit e tij. “Lamtumirë miku im i ëmbël, i miri im, zëmra dhe gëzimi im. Dije se për sa kohë që ti do të jetosh, unë do të të shoh, por tani që do të iki, ti nuk do të më shohësh më… Dhe atëherë, duke u lëshuar në ajër, ajo humbi me një qarje të dhimbshme dhe një psherëtimë të tmerrshme, duke u transformuar në një gjarpër të gjatë afro pesë metra. Ajo u hodh nga dritarja sikur të kishte krahë për të fluturuar. Banorët e krahinës u habitën nga kjo ngjarje… Ajo erdhi rrotull kështjellës tri herë, duke lëshuar klithma që të plagosnin shpirtin, por me zërin e një gruaje. Pastaj më në fund, ai gjarpër u përplas fort mbi kullën Potevine, njërën nga kullat e fortesës dhe ra mbi të me aq vrull, saqë ata që ishin në kështjellë kujtuan se tërë fortesa do të shëmbej si në një greminë… Dhe kështu, papritmas ajo u zhduk dhe askush nuk e di se ç’është bërë me të…”

Kjo ishte historia e Melusine-s, e zanës që u quajt Melusine d’Albanie, “Melusine e Shqipërisë”. Vallë kjo gojëdhënë erdhi nga frankët në tokat shqiptare, apo kishte ndodhur e kundërta? Nuk mund të jetë çudi që gojëdhëna e Melusine-s të jetë marrë nga frankët, pse kjo gojëdhënë gjëndej shekuj me rradhë në folklorin e shqiptarëve të Arbërisë, të arvanitasve të Greqisë dhe arbëreshëve të Italisë, por dhe sepse ajo lidhet dhe me Romanin e Florimont-it të Durrësit, i cili, siç thotë autori i saj Aymon de Varennes, atë ngjarje e mori në Greqi, pra në tokat bizantine, kur Iliria gjëndej nën pushtetin e Bizancit.


[1] Disa analogji me këtë epikë ka dhe Kënga e Cid-it, e cila është më e hershme, meqë përmëndet në Codex Calixtinus, apo Liber Sancti Jacobi (Libri i Shën Jakovit).

[2] Botuar në revistën  Studimet historike, nr. 2, 1967, Tiranë.

[3] La Chanson de Roland et  Byzance, H. de Grégoire et R. de Keyser. Paris.

[4] Ky dorëshkrim i vjetër, u gjet nga abati De la Rue, në vitin 1834.

[5] Sipas kronistit Eginhard, të gjithë frankët në këtë betejë u vranë.

[6] Pas kësaj beteje të fundit, kur kthehet në kryeqytetin e tij në Aix-en-Provence, Charlemagne duhet të njoftojë të bukurën Aude, motrën e Olivierit, për të fejuarin e saj Roland. Me ta marrë vesh, nga dhimbja, ajo ra e vdekur.

[7] Straboni shkruan: «Në Apolloni ka një vend që quhet Nymphaion, ku shfaqet një shkëmb që nxjerr zjarr, nga ku kullon pastaj një ujë i ngrohtë me asfalt. Me sa duket është asfalti që digjet… »

[8] Duke iu referuar ushtrisë së Baligandi-t, këngëtari epik shton:

«Ata vendosin dhjetë formacione në betejë / I pari është i formuar nga të tmerrshmit Chananéens / Përmes Val-Fuit kanë ardhur / Tjetri është i formuar nga turqit…»

[9] I shkruar në dy pjesë (1236-1277), i pari nga Guillaume de Lorris dhe i dytë nga Jean de Meung, me gjithsejt 22.000 vargje.

[10] «Il ne fu mie fait en France / mais on la langue de fransois / le prist Aymes en Laënnois / Aymes i mist s’entension / le roman fit e Chatillon

[11] «As Francois wel de tant servir / que ma langue lor est salvaigne…»

[12] Le Roman de Florimont: contribution à l’histoire littéraire-étude des mots grecs dans ce roman. Paris.

[13] Melusine, Jean Arras, Ed. Stock, 1991.

[14] Një autor tjetër francez, Coudrette, afro dhjetë vjet më vonë, e rishkroi këtë roman nën titullin Roman de Melusine, duke i hequr disa episode të botimit të mëparshëm.

[15] Ky ishte gjithashtu vëlla i Louis d’Anjou, çka të shtyn të mendosh se dhe ky fakt ishte një ngasje për shkrimtarin në lidhje me botën shqiptare.

[16] Në atë kohë Vlora quhej Avlona, (Avalona).