Shami të zeza mbi Bosfor

Tregim nga një ngjarje e jetuar

Ledi Bruker u hodhi një sy shkallëve duke pritur zbritjen e mikeshës së saj, kur çuditërisht në portën e atij hoteli të paqtë të stilit europian, pikasi të hynte dikush. Me sa dukej ndonjë nga hafijet e kryeqytetit otoman, veshur me një palë çizme dhe me mustaqet spic, i cili nisi të vinte vërdallë nëpër holl. Ndërkohë u dëgjuan hapat e mikeshës së saj që po zbriste. Ishte një grua rreth të dyzetave, veshur si gratë londoneze dhe një kapele të madhe ngjyrë kafeje. Zbriste ngadalë, e habitur me fytyrën disi të shqetësuar të mikeshës së saj. Ndërkohë që po shkonte pranë saj, njeriu i veshur me të zeza u afrua menjëherë. Ato kthyen sytë të habitura nga ai dhe vështruan njëra-tjetrën si për të thënë se çfarë po ndodhte.

– Zonja Bruker dhe zonja Staker?

– Po, – tundi kokën ledi Bruker.

– Duhet të vini në polici! – tha ai duke i parë në mënyrë të dyshimtë nga koka tek këmbët.

– Në polici? Përse? Çfarë ka ndodhur?

– Duhet të verifikojmë diçka.

– Kush ju ka dërguar? – u përgjigj menjë lloj autoriteti ledi Bruker.

– Shefi ynë zonjë, Myfit Bej, – tha njeriu me një anglishte të çalë, por të kuptueshme.

– Ashtu?…

Ato u panë të dyja pa ditur ç’të thonin.

– Ne po niseshim në Pera tek një mjek që na pret, – sajoi në çast ledi Bruker. – Zonjusha është sëmurë…

– Zonjë, kam urdhër të prerë tu marr menjëherë!

– Zotëri, – iu kthye zonja Bruker, – ju e shikoni, ne jemi dy ledi… vallë kaq të rrezikshme janë bërë gratë për shefin tuaj?

Burri diçka murmuriti nëpër dhëmbë dhe nënqeshi. Donte të thoshte diçka, por vuri re se zonja Bruker hapi çantën dhe nxorri andej dy kartmonedha të mëdha. Sytë e hafijes shkëlqyen menjëherë.

– Merreni, janë për ju… ne do të kthehemi përsëri dhe ju mund të vini në orën tre pasdite të na shoqëroni.

Burri vështroi kartmonedhat në dorë, hezitoi një çast dhe i fshehu menjëherë duke i futur në xhep. Pastaj bëri një zgërdheshje dhe duke iu afruar zonjës Bruker i pëshpëriti:

– Do të vij sërrish, por mos guxoni të lëvizni!

Dhe kthehu krahët duke u larguar.

Karroca e tij u nis. Dy gratë perëndimore qëndruan një çast me fytyra të ngrysura. Ç’të bënin?

– Shpejt marrim plaçkat, duhet të ikim që këndej, – dhe ajo i bëri shenjë zonjës tjetër të ngjiteshin lart. – Parandjej diçka jo të mirë…

Burri në recepsion po shikonte i habitur, pa kuptuar mirë se ç’po ndodhte.

– Bëni gati karrocën! – i tha zonja Bruker, duke u përpjekur t’i buzëqeshte dhe menjëherë u ngjit lart.

Sapo u ngjitën sipër në dhomë ato vështruan një çast nga xhamat e dritares nëse ndokush nga hafijet e perandorisë ruante jashtë, por rrugët në fakt ishin të boshatisura, pasi frynte një erë e madhe. Rrëmbyen rrobat në dollapin e dhomës dhe filluan të bënin gati dy baullet e tyre.

– Ç’të ketë ndodhur? – tha zonjusha Staker.

– Me sa duket na kanë zbuluar se cilat jemi në të vërtetë. Duan të na vënë prangat, nuk e kupton? Ndoshta kanë mësuar se jemi njerëzit e afërt të Ismail Pashës?…

– Ashtu? Po çfarë po ju bëjmë ne?…

– I harrove trupat e Ibrahim Pashës që e tmerruan sulltanin kur erdhi në muret e Stambollit?… Egjipti sot nuk do t’ia dijë më për Turqinë!

Një heshtje e madhe mbretëroi një çast në atë dhome të mobiluar në mënyrë europiane.

– Për Perandorinë, – shtoi ledi Bruker, – një grua muslimane dënohet nëse vishet në mënyrë europiane dhe mohon fenë e saj duke flakur ferexhenë. Kjo për ta është një herezi!

Zonja Bruker i futi plaçkat me shpejtësi në baullen e saj, si dhe librat që ishin mbi komodinë duke vazhduar :

– Për më tepër ti ke një pasaportë të rreme. Ndoshta agjentët e perandorisë diçka kanë nuhatur që në Aleksandri.

– Po tani ku do shkojmë? – shtoi si me vete ledi Bruker pas një heshtje të shkurtër.

– Në bujtinën e zotit Shefki Bej… në Arnaut-këj. Vetëm ai mund të n’a ndihmojë! – tha ledi Staker.

– Ndoshta do ishte më mirë të shkonim në konsullatën angleze dhe të bisedojmë me konsullin.

– Jo… hafijet e sulltanit patjetër që ruajnë aty rrotull dhe s’do n’a lënë të afrohemi. Kështu mund të n’a kapin me lehtësi…

– Atëherë t’i dërgojmë një pusullë përmes Shefki Beut… ai do gjej një njeri t’ia çoj në dorë…

– Po, mirë do ishte…

Pas dhjetë minutave ato zbritën me dy baullet, i lanë paratë njeriut në banak dhe i hipën karrocës që priste.

E mbrehur pas dy kuajve dhe me një tendë të zezë, karroca zbriti tatëpjetë drejt rrugës që shkonte buzë Bosforit për në Arnaut-këj. Por pak më vonë, ato ndaluan pranë sheshit të një xhamie dhe i thanë karrocierit të ikte. Kur karroca u largua i thirrën një karrocieri tjetër që kalonte andej, i hipën me shpejtësi, ngarkuan përsëri dy baullet dhe u nisën.

– Shpejt në Arnaut-këj! – tha zonja Bruker.

Karroca shkoi me shpejtësi dhe të dyja hodhën sytë nga Bosfori që kishte filluar të bënte dallgë.

– O Zot, – pëshpëriti zonja Staker… – këta do na hedhin në birucat e Shtatë Kullave. Po ç’kemi bërë ne të shkretat…

– Sigurisht asgjë… por këtu nuk jemi as në Kajro e as në Aleksandri.

Karroca po i afrohej bregut të Arnaut-këj ku dukeshin rradhazi kaiket e lidhura në breg dhe disa të tjera të mëdha që shkonin e vinin përgjatë Bosforit, ku tutje, në bregun tjetër, gjelbëronin kopshtijet rreth vilave të bukura alla-perëndimore.

Ato ditë, në gazetat e Stambollit flitej për betejën e fundit të djalit të Ibrahim Pashës, strategut të Kajros dhe birit të vetë Mehmet Ali Pashës, flota dhe ushtria e të cilit kërcënonte seriozisht perandorinë. Madje në Siri, Ibrahim Pasha kishte deklaruar se nëse turqit bëheshin pengesë, do të shkonte deri në Stamboll. Vallë, e dinin hafijet e sulltanit se cilat ishin pikërisht ato të dyja, ose më mirë se cila ishte Mary Staker? A e dinin ata se kishin të bënin me hanëm Fatma, vajzën më të vogël të një prej bijve të vetë Mehmet Ali Pashës? Apo ishin tërbuar ndaj anglezëve dhe dinin thjeshtë se njëra nga ato ishte muslimane?…

Një natë më parë ato kishin qenë pranë “Xhamisë së Pëllumbave”, ku mbi njëmijë pëllumba kishin gjetur strehë pasi nuk i ngiste njeri, meqë ato konsideroheshin të shenjta. Jo larg xhamisë, aty në një teqe ato kishin parë spektaklin e famshëm të dervishëve rrotullues, të atyre dervishëve që kërcenin zbathur dhe kalonin në një ekstazë të jashtëzakonshme. Fatma ishte mrekulluar nga ajo harmoni e muzikës dhe e dansit që dukej sikur valltarin diçka mistike e thithte drejt lartësisë së kubesë…

Fatma apo ndryshe ledi Staker siç e kishte pagëzuar ledi Bruker, bashkë me mikeshën e saj angleze kishin një muaj që kishin zbarkuar në Stamboll dhe që të mos binin në sy ishin vendosur në një hotel të bukur buzë Bosforit, larg “Pera Palace” që gëlonte nga hafijet, atje në lagjen e vjeter të latinëve, ngjitur me kullën e Galata-së. Nga dritarja e tyre dukeshin anijet që shkonin apo vinin nga Deti i Zi. Ato ishin njohur shumë vite më parë në Aleksandri, kur ledi Bruker kishte zbarkuar bashkë me burrin e saj, ndihmës arkeolog, i cili pasi qëndroi disa kohë në rrethinat e Aleksandrisë dhe Kajros, më së fundi, bashkë me arkeologun e njohur Barry që kryesonte ekspeditën, kishte shkuar poshtë Nilit dhe kishte ndaluar afër Abou Simbel për të kërkuar në varret e vjetra të faraonëve. Në fillim ledi Bruker e kishte ndjekur atë në ekspeditat e tij, por meqë në ato hapësira të pafund të shkretëtirës nuk i duronte dot stuhitë e rërës, vendosi të qëndronte. Kështu zoti Bruker shkoi vetëm, duke i hipur një anije buzë Nilit, bashkë me arkeologun dhe tri shqiptarë për t’i shoqëruar, të cilët në atë kohë ishin të preferuarit e dinastisë së Mehmet Ali Pashës. Njeri nga ata shqiptarë, me një fustanellë të madhe që i shpalosej bukur kur ecte, ishte dhe si një lloj drogmani, meqë njihte gjuhën e mamlukëve dhe të indigjenëve të tjerë.

Fatma ishte mbesa më e vogël e vezirit të Kajros, nënën e së cilës e kishin sjellë nga Kavalla shumë vite më vonë pasi Mehmet Aliu kishte përzënë mamlukët nga pushteti. Që në adoleshencë kishte qenë një vajzë rrebele. Jetonte në sarajin e saj në Kajro, nën hijen e palmave gjigande dhe një ditë kishte rënë në dashuri me një nga oficerët që ruanin sarajet, i quajtur Oeni. Ishte një djalosh i bukur dhe ishte ajo që ishte hedhur në krahët e tij. Ai ishte një kopt i krishterë, me një lëkurë të lëmuar metise. Një natë, ai e kishte marrë fshehurazi me një karrocë dhe e kishte çuar në një oaz palmash në periferi të Kajros, atje ku fillonin piramidat. Ishte në të perënduar.

– Ku më çon kështu? – kishte qeshur ajo.

– Në fshatin e prindërve të mi… – dhe ai i kishte hequr ferexhenë.

– Hiqe!… Si mund t’i fshehësh këta sy të bukur?!

Ndërkohë dielli po perëndonte në krah të piramidës së Keopsit. Ishte një mrekulli e magjithshme dhe e frikëshme.

– O Zot, kam frikë këtu! – kishte pëshpëritur ajo.

– Nga kush?

– Nga Keopsi…

Ata vështruan nga koka e gurtë dhe gjigande e Keopsit njëqind metra më larg, e mbuluar deri në grykë me rërë.

Ai qeshi edhe pse ajo kokë e gurtë dukej e frikëshme.

– Duket si një kokë djalli! – shtoi ajo, dhe i ktheu kurrizin. Jo, nuk donte ta shikonte.

Ai qeshi përsëri dhe e tërhoqi drejt asaj kasolle apo tende të ngritur poshtë një palme të madhe.

– Mos vjen njeri e na sheh! – tha Fatma.

– Jo, këtu s’vjen askush.

Dhe ata u përqafuan dhe humbën tek njëri-tjetri.

Kur biri i Mehmet Aliu e mori vesh këtë histori, meqë s’donte t’ia jepte për grua një oficeri të zakonshëm, djaloshin simpatik e dërgoi menjëherë në Siri, në një fushatë ushtarake, ku më pas ishte vrarë nga arabët. Fatma u zemërua shumë me të atin, por fjala e tij ishte si fjala perëndisë. Kështu, e hidhëruar, për t’i harruar ato vende që i shkaktonin dhimbje, ajo u largua dhe shkoi në Aleksandri, ku kishte dy kushërira të saj dhe u mbyll në saraj. Tashmë nuk dilte dhe nuk e vinte më ferexhenë, madje ishte betuar se nuk do ta vinte më kurrë atë cohë që i merrte frymën. O Zot! – thoshte ajo, – pse duhet t’i fshihem botës?! Por askush në qytet nuk guxonte t’i thoshte se si grua që ishte duhej të mbulohej. Madje as vetë hoxhallarët e xhamisë së madhe të Aleksandrisë, të cilët edhe pse e kishin marrë vesh që dilte zbuluar, nuk guxonin ta nënshtronin sepse kishin frikën e zemërimit të pinjollëve të Mehmet Ali Pashës. Ajo tashmë e urrente atë shami të zezë që mbulonte brenda saj ato vajza të bukura, ata sy të dlirë, ato ndjesi të femrës dhe dëshirën për të parë e jetuar botën.

Pikërisht në këtë kohë u njoh me ledi Bruker që përgatitej të kthehej në Londër, meqë burri i saj ishte kafshuar nga një gjarpër i shkretëtirës dhe kishte vdekur një ditë më pas. Ajo priste që qeveria angleze të merrej me transportimin e trupit të tij, i cili provizorisht ishte varrosur aty pranë varrezave të faraonëve, mes shkretëtirës. Që kur u njohën, ato e pëlqyen shumë njëra-tjetrën dhe Fatma hanëmi kërkoi ta marrë si guvernante. Kështu, ledi Bruker vendosi të qëndronte pranë saj me një rrogë të mirë por dhe në një shoqëri të këndshme, me një vajzë tepër inteligjente. Ajo nisi t’i mësonte anglisht si dhe letërsinë britanike e njëkohësisht ta vinte në kontakt me atë çka ndodhte në Perëndim dhe modën në Angli e Francë, me parfumet perëndimore, me shijen angleze e franceze dhe me ndjenjën e lirisë së gruas. Kështu kaluan pesë vjet. Shumë shpejt, Fatma hanëmi u transformua. Filloi të fliste një anglishte perfekte dhe të pëlqente vrapimet me kuaj. I pëlqente shumë kapelet e mëdha angleze. Tashmë vishej në mënyrë europiane, veshje që ledi Bruker i kishte porositur në Londër. Ferexhenë e hidhte vetëm kur e thërriste veziri apo në ndonjë ceremoni të oborrit, ku duhej të ishte si pjestare e familjes. Ajo filloi të shkonte nëpër sallonet e grave të huaja në Aleksandri dhe të shijonte mondanitetintëp inte likeret franceze e të pëlqente këmishat e purpurta veneciane, lë lexonte librat e poetëve dhe të dëgjonte muzikë klasike nga muziktarët shëtitës. Madje Ledi Bruker që të mos dyshohej, e quante në sy të të tjerëve ledi Mary Staker, duke e quajtur kështu në kujtim të një mikeshe të saj që kishte vdekur nga malarja, gjatë një misioni humanitar në Indi. Tregimet për disa udhëtare angleze që udhëtonin në Liban e Siri, siç ishte dhe ledi Annie Brassey, e kishin ngacmuar shumë fantazinë e saj. Ah, udhëtimet! Vetëm atëherë e ndjente plotësisht lirinë! Disa herë veziri i kishte çuar fjalë që të mos e frekuentonte shumë shoqërinë e të huajve e se do të ishte mirë të martohej tashmë se dhe mosha po i ikte. Por Fatma gjente gjithnjë një shkak për ta kundërshtuar. Ajo përjetonte ende kujtimet e ëmbla me të dashurin e saj, Oeni, dhe nuk e imagjinonte të futej në shtratin e dikujt tjetër. Një nga propozimet e fundit ishte ajo për guvernatorin e Aleksandrisë, Rushit Pasha, i cili ishte treguar trim dhe kishte nënshtruar më së fundi dhe tributë e Nibisë, tutje Sudanit. Por Fatma hanëmi e shihte me neveri atë barkaluq plot dekorata e me fezin e kuq në kokë dhe nuk e imagjinonte sesi mund ta fuste një ditë në shtratin e saj. Meqë presioni nga Kajro ishte i madh, atëherë vendosi të ikte fshehurazi bashkë me ledi Bruker. Me vete mori gjithë gjërat e çmuara dhe një ditë prej ditësh, një kapiten anglez pranoi t’i merrte ato në Damietë ku kishte anijen dhe do të largohej pas tri ditësh. Kështu dy zonjat kishin mbledhur ç’kishin mundur dhe ishin nisur me një karrocë drejt Damietë-s. Një aventurë e re po fillonte: në fillim në Londër, ku mundi të siguronte dhe një pasaportë angleze dhe një vit më vonë ato nisën udhëtimin e tyre drejt Orientit, duke zbarkuar së pari në Stamboll.

Fatma hapi sytë dhe u përmend. Imazhi i asaj dite kur kishin lënë Damietën u fashit. Më së fundi ato ndaluan para bujtinës së Shefki Beut. Paguan me shpejtësi karrocierin dhe me baullet në dorë bënë nga porta e madhe. I vetëm, Shefki Beu po pinte një nargile, ndërkohë që një çirak po pastronte dy tavolina më tutje. Ai u habit së tepërmi tek i vështroi që hynë ashtu si një furtunë. I njohu dhe u ngrit menjëherë.

Shefki Beu ishte një shqiptar, një mik i familjes së tyre nga Kavalla dhe princ Seiti, sa herë kalonte në Stamboll do ta takonte mikun e vjetër me të cilin, fëmijë, i kishin patur shtëpitë e tyre dy hapa nga njëri-tjetri.

– Fatma hanëm, mirëseardhe, – i tha ai me gjysmë zëri, duke parë nga fytyra e shqetësuar e saj. – Ç’e mirë ju solli?!

Fatma lëshoi baullen dhe hoqi trikon që kishte mbi supe. Po kështu dhe zonja Bruker la baullen pak më tej.

– Jemi në rrezik! – i tha ajo në shqip mikut të saj shqiptar, por harroi që pranë tyre ishte tani dhe zonja Bruker që nuk e kuptonte shqipen.

– Po na ndjekin hafijet e Myfit Beut, – shtoi ajo. – Erdhën dhe na kërkuan në hotel, por arritëm të largohemi. Do vinin sërrish të na kërkonin pasdite në hotel, prandaj dhe ikëm. Duam të lidhemi me konsullatën angleze dhe duhet të largohemi që këndej.

Burri mendoi një çast dhe pastaj i ftoi të uleshin në divanin e madh me jastekë veluri ngjyrë vishnje.

– Ju s’duhet të lëvizni nëpër qytet, – u tha ai. – Do shkoj vetë në konsullatë. Situata është e rrezikshme. Vallë e kanë kuptuar se cila je? – iu drejtua ai Fatmës.

Ajo ngriti supet :

– E nga ta di unë?

– Sulltani është tërbuar fare me Pashain e Egjiptit për trupat që kanë shkuar në Liban e Palestinë…- shtoi Shefki beu.

Ai iu afrua dritares dhe vështroi nga rruga.

– Sidoqoftë baullet po i fus në dhomën time. Më mirë tani shkoni në hamam. Atje nuk vjen njeri tu kërkojë. Ndërkohë po shoh sesi mund të futem në konsullatë pa u ndjerë.

– Si thua? – iu kthye Fatma zonjës Bruker.

Anglezja psherëtiu:

– S’kemi ç’bëjmë! Vetëm në mbrëmje mund të lëvizim.

– Atëherë shkoni tani, nxitoni, s’është mirë të rrini këtu… nuk i dihet.

Ai i thirri çirakut të tij duke i thënë:

– Çoji dy zonjat në hamam.

Dhe duke parë nga Fatma shtoi:

– Kur të erret ju pres këtu. Ndërkohë mund të kem ndonjë lajm nga konsullata…. Qëndroni në hamam deri sa të gjejmë një zgjidhje. Thoini Tixhe hanëmit se u kam dërguar unë.

Ndërkohë djaloshi katërmbëdhjetë vjeçar u afrua dhe u nis para zonjave.

Ato dolën pa folur dhe e ndoqën në rrugën ku era vazhdonte.

Kur hynë në hamam dy gra i çuan në dhomën ku do të xhvisheshin. Ishte hera e parë që shkonin në një hamam të Stambollit.

– S’kemi ç’bëjmë! – i pëshpëriti Fatmës ledi Bruker. – Duhet të bëjmë sikur s’ka ndodhur gjë!

– Stambolli qenka vërtet një vend i frikshëm! – pëshpëriti trishtueshëm Fatma dhe ato filluan të xhvishen.

Kur hynë në sallën madhe, gratë qëndronin rreth asaj vaske të madhe rrethore ngjyrë blu të mbushur me ujë. Një re avulli nderej lart, nën kubenë e bukur të hamamit, poshtë pareteve prej porcelani plot odaliska e xixëllime. Gratë bisedonin grupe-grupe, ndokush me një sfungjer fërkohej dhe ashtu lauriq, me nga një peshqir në dorë, ato zunë një cep dhe u ulën, si në një tablo të Ingres. Një afrikane erdhi pranë tyre dhe u dha nga një sapun duke hedhur mbi ujë ca lule jasmini…

Ishte e habitshme se atje, mes avullit të ujit të ngrohtë dhe pëshpërimave, trupat e tyre dalloheshin menjëherë me ato të grave turke që ishin me vithe të mëdha, barqe të rënë, gjinj të fryrë dhe kofshë gjithë gropëza, pushtuar nga dhjami, si në disa tablo të Rubens. Në fakt, ishte një potpuri racash ku mund të dalloje dhe armene, siriane, kirkize, magrebiane apo sllave. Në rininë e saj Fatma kishte qenë një vajzë topolake dhe e bëshme, por që kur kishte njohur zonjën Bruker, si dhe vrapimet me kuaj, e kishin bërë atë një trup sportiv dhe elegant siç ishte dhe vetë zonja Bruker. Me lëkurën e saj të bardhë, flokët gështenjë dhe trupin e hollë Fatma ishte si gjithë gratë e Perëndimit dhe s’kishte asnjë lidhje me Orientin, pasi shqiptarët nuk ishin popuj orientalë, edhe pse prej disa shekujt, përmes forcës së shpatës, bënin pjesë në perandorinë Osmane. Megjithatë, tani ato nuk e kishin mendjen të shikonin përreth. Duke u larë ngadalë, me sy të shqetësuara, prisnin të kalonte ajo pasdite ankthi dhe të binte mbrëmja. Edhe pak dhe ato mendonin se do ta flaknin atë makth që u ishte krijuar që të dyjave. Ç’donin të bënin me to?…

– Duhet të kthehemi sa më parë në Londër, – i foli me zë të ulët ledi Bruker. – Në fermën tonë është mjaft bukur dhe kuajt nuk do të mungojnë. Nuk do të mërzitesh. Eshtë rasti të shohësh Uellsin, Irlandën, Skocinë…

– Sidoqoftë më duhet të njoftoj Tefikun në Kajro, – tha ajo duke parë sytë e ëmbël të ledi Bruker.

Më së fundi erdhi mbrëmja. Dy gratë u veshën dhe pasi i dhanë disa para patrones, Tixhe hanëmit, një çirkazjene shtatmadhe me ato flokë të zezë që i binin gjer në mes, kapërcyen pragun dhe dolën në rrugën që zgjatej buzë Bosforit. Ishte një natë me erë dhe një dritë e bardhë hëne sapo kishte rënë mbi ujrat e ftohta. Era vazhdonte të frynte por qielli ishte i pastërt dhe plot yje.

– Bën ftohtë! – pëshpëriti Fatma dhe ato vazhduan rrugën për në bujtinën e Shefki Beut dyqind metra më tutje.

– Megjithatë është natë e bukur, – shtoi ledi Bruker.

Sapo ajo mbaroi fjalën, disa hije u sulën drejt tyre me një shpejtësi të çuditshme, aq sa ato s’patën mundësi të mbroheshin, por veç klithën. Sipër kokave dhe trupave të tyre u hodh një lloj rrobe e ashpër dhe ato e kuptuan se duhej të ishte një lloj thesi që i mbuloi.

– Ç’bëni kështu? Ku na çoni? – klithi ledi Bruker duke u përpjekur të çlirohej me këmbë e me duar. – Ne jemi angleze!

– Ndihmë! – klithi nga ana e saj në turqisht Fatma.

Papritur, ato ndjenë trupat e tyre të ngjesheshin ndaj njëra-tjetrës dhe të ngriheshin në ajër nga disa duar të forta. Fatma klithte e po kështu dhe ledi Bruker. Ato ende s’po e kuptonin se ç’po bëhej me ato, pasi gjithçka u bë shumë shpejt dhe pa fjalë, me një vrazhdësi të hatashme dhe ja ku e ndjenë veten në ajër, si pa peshë, ku më së fundi një forcë e fuqishme i shtyu tej dhe ku pas pak, ndjenë një goditje të fuqishme mbi ujë. Vallë i kishin hedhur mbi Bosfor? Si mund të ndodhte kështu? Po kjo ishte një barbari!… Fatmës iu duk sikur iu ça zemra. Ndjeu një dhimbje të jashtëzakonshme. Por menjëherë iu kujtua thashethemnaja që atë kohë përcillej nga njëri cep i perandorisë në tjetrën se shumë vajza të haremit të sulltanit Abdyl-Aziz, ishin hedhur në Bosfor se gjoja nuk i kishin qëndruar besnike.

Klithma e tyre e tmerruar e dy grave kishte çarë qiellin. Ato u përpëlitën një çast aty mbi ujë, por ishte e pamundur të shqiteshin nga ai thes që i kishte mbuluar, që zhytej ngadalë dhe i mbante brenda tyre si të prangosura. Ato çaste të fundit, Fatma zgjati duart dhe u pështet fort pas ledi Bruker, sikur të donte të gjente shpëtimin nga ajo, por uji që hyri brenda thesit nuk e la të fliste. Goja iu mbush me ujë dhe ajo gjithnjë e më shumë shtrëngonte ledin Bruker në krahët e saj. Më së fundi duart e tyre u shkëputën nga njëra-tjetra dhe ato e ndjenë se ato çaste të fundit, trupat e tyre po binin lehtë në fund të detit. Tashmë nuk mund të shihnin as refekset e yjeve që shndrisnin sipër urjave të Bosforit. Tani dhe ajo cohë e ashpër mbi krye që e shtypte fort, Fatmës iu duk si të ishte ajo cohë ferexheje e zezë, të cilën dikur e kishte flakur që të shikonte botën tjetër, atë të Perëndimit. Por e kuptoi se fati tashmë po e ndëshkonte rëndë… jo, jo fati, por barbaria e pushtetit tiranik. Sytë e saj kishin mbetur hapur. Për herë të fundit, s’di pse, në atë pamje të errët të ujit dhe të hijeve, i ishte shfaqur një dritë e bardhë ngjyrë qumështi dhe pas pak fytyra e Oenit të saj të dashur tek i afrohej duke i sjellë një vello të bardhë. Pastaj vello u shkëput dhe u ngrit lart, drejt asaj hënë që qëndronte ende sipër ujit.

Më së fundi një qetësi e madhe mbretëroi në ato brigje. Një e lehur qeni dëgjohej diku tutje. Pastaj gjithçka e pushtoi në një terr të madh.

Dy ditë më vonë, në një nga gazetat e Stambollit, ishin botuar dy rreshta të shkurtër për zhdukjen e tyre. “Para dy ditësh, dy zonja angleze, ledi Bruker dhe ledi Staker, kanë lënë hotelin e Maçkas dhe kanë ikur pa lënë asnjë gjurmë. Thuhet se kanë marrë trenin e “Orient-Express”, por policia është tashmë në kërkim të tyre…”

Shënim: Baronesha Annie Brassey, gruaja e deputetit anglez Thomas Brassey, që udhëtoi drejt Turqisë me jahtin “Sunbeam” në vitin 1878, në librin e saj Udhëtime në Mesdhe – nga Qipro në Konstantinopojë, shkruan se gjatë udhëtimit të parë katër vjet më herët, ajo kishte njohur në Stamboll dy vajza që ishin kushërira dhe pinjolle të familjes së Mehmet Ali Pashës. Ajo ishte habitur me kulturën dhe veshjet e tyre, me gjuhët e huaja që flisnin si dhe pyetjet që ato i bënin për modën në Londër e Paris. «Nazlia, e kishte të ndaluar të shkonte në Stamboll, por ajo ishte një grua e lirë. Nazlia u vesh me ferexhe, mori 1000 fr. ari dhe me guvernanten e vet angleze, që e kishte prej pesë vitesh, udhëtuan drejt Turqisë dhe atje u hoqën si dy zonja angleze. Kur e zbuluan lojën e tyre, policia turke i kapi… Atë kohë thuhet se 1500 vajza të haremit, që nuk i kishin qëndruar besnike sulltanit, ishin hedhur të mbuluara me thasë në Bosfor…

Shënim: Baronesha Annie Brassey, gruaja e deputetit anglez Thomas Brassey, që udhëtoi drejt Turqisë me jahtin “Sunbeam” në vitin 1878, në librin e saj Udhëtime në Mesdhe – nga Qipro në Konstantinopojë, shkruan se gjatë udhëtimit të parë katër vjet më herët, ajo kishte njohur në Stamboll dy vajza që ishin kushërira dhe pinjolle të familjes së Mehmet Ali Pashës. Ajo ishte habitur me kulturën dhe veshjet e tyre, me gjuhët e huaja që flisnin si dhe pyetjet që ato i bënin për modën në Londër e Paris. «Nazlia, e kishte të ndaluar të shkonte në Stamboll, por ajo ishte një grua e lirë. Nazlia u vesh me ferexhe, mori 1000 fr. ari dhe me guvernanten e vet angleze, që e kishte prej pesë vitesh, udhëtuan drejt Turqisë dhe atje u hoqën si dy zonja angleze. Kur e zbuluan lojën e tyre, policia turke i kapi… Atë kohë thuhet se 1500 vajza të haremit, që nuk i kishin qëndruar besnike sulltanit, ishin hedhur të mbuluara me thasë në Bosfor…

Dy ledi ne Stamboll                            (Fulvia Shtepani)

«Shami të zeza mbi Bosfor» i Luan Ramës, është nje udhëtim letrar e historik përmes Stambollit, këtij qyteti mistik e magjepsës, plot histori, kujtime dhe legjenda, metropoli ku ndodh një bashkëdyzim lindor dhe perëndimor, sa i çuditshëm aq edhe mbresëlënës, kryeqytet i tre perandorive (Perandorisë Romake, Bizantine, dhe Osmane), vendosur buzë Bosforit. Më kujtohet se diku kisha lexuar që Napoleon Bonaparte ishte ndër të parët që kishte përkthyer ndjenjën e magjepsjes me Stambollin (Konstantinopoja), në një deklaratë që edhe sot e kësaj dite, jehon nëpër veshët e atyre që e duan këtë qytet. Bonaparte kishte pohuar se po qe se «Bota do të ishte një shtet, atëherë pa mëdyshje kryeqyteti i saj do të ishte Konstantinopoja».

Ngjarja e tregimit, zhvillohet pikërisht aty, në këtë qytet, cili njihet për larminë e kontrasteve kulturore dhe vlerave tradicionale, për influencën e modernitetit europian dhe klisheve orientaliste, për miksazhin dhe gjallërinë jetësore nën perandorinë osmane para dhe mbas viteve të Luftës së Krimesë.

Në një dyqan parfumerie në qendër të Parisit, më bie në dorë një flakon parfumi «La traversée du Bosphore» i mjeshtrit francez, Bertrand Duchaufour, të sapo kthyer nga udhëtimi në Turqi. Afishja e publicitetit ishte një pamje e një sërë veprash arti, si Xhamia e Sulltan Ahmetit apo Xhamia Blu me gjashtë minaret, dekoruar me mozaikët e mrekullueshëm prej fajance, përballë së cilës ngrihet plot madhështi Kisha e Shën Sofisë, dhe anën të kundërt mbi një kodër Xhamija Sulemanije, që është edhe Everesti i artit arkitekturial osman, ndërtuar nga Arkitekt Sinani, e cila të duket sikur kundron në heshtje, në anë të kundërt, pallatin gjigand të Tokapisë që dominon Marmaranë dhe Bosforin, ku kanë jetuar e qeverisur për më shumë se katërqind vjet sulltanët otomane. Ndërmjet Shën Sofisë dhe Xhamisë blu ndodhet sheshi i famshëm i garave me kuaj. Varur në mur një portret i përkryer i sulltanes së famshme Kösem, figura femërore më emblematike e historisë osmane që ka ushtruar një influencë gjysëmshekullore mbi politikën e perandorisë, në fillim si gruaja e Sulltanit dhe pastaj si nëna e Sulltaneve pasardhës.

Muzika e ngrohtë që kumbonte në hapësirën e dyqanit përzier me aromat e këndshme të parfumeve, i dha udhë imagjinatës. Portreti i sulltanes Kösem transformohej përmes shikimit tim të përhumbur, në figurat e brishta dhe të trembura të Lady Staker e Lady Bruker, të pafuqishme përballë kaosit të kohës, që padyshim kishin lindur dhe jetuar në një epoke të gabuar… Ato kishin qënë si dy hije mbi tokë, midis ferrit dhe parajsës, paragjykimeve dhe emancipimit, kulturës dhe ëndrrave. Mendoja për Fatma hanëmin, atë vajzë në dejet e së cilës kishte rrjedhur gjak shqiptar, imagjinoja që diku në Arnavutkoy (fshat shqiptar) të Stambollit duhej të kishte (mbase?) një pllakë me emrin apo dy fjalë nga jeta e saj. Me siguri që këto dy zonjushe kishin ëndërruar për një fund tjetër, të qëndisur si një copëz qielli nga yjet e ndezur, me një gjuhe që përqafon deliret, çmenduritë dhe marramendjet njerëzore, që zgjon të gjitha sensacionet edhe më shumë se vetë jeta, dhe më tepër se vdekja që i gllabëroi para kohe përmes ujrave të turbullta të Bosforit.

Ata më shfaqen aty, rishtas para syve, të padukshme, të padëgjueshme përtej limiteve të qenies, në atë gjethënajë agonie e ekstaze të pangjashme me asnjë lloj tjetër. E çuditshme sesi thurja e kësaj harmonie kapluese me absurditetin e kësaj ngjarjeje makabër, tejshpon limitet e përcaktuara nga fetë dhe filozofitë e botës. Eshte mbase një magjiformim ndjenjash që sintetizon pavdekshmërinë? Imagjinata është nganjëherë më dhëmbësjellëse sesa vetë dhimbja, më e pasionuar sesa vetë pasioni, më e dhunshme sesa tmerri pa skaj që kishin provuar në çastet e fundit të jetës Lady Staker e Lady Bruker, përmes nanurisjeve të asaj nate brenda thesit të mbyllur, drejt përqafimit të fundit midis tyre dhe vdekjes, me atë ndjesi djegëse si thëngjilli, që të krijon bindjen se zemra është keqvendosur në krahëror… Një keqardhje më pushtoi të tërën për fatin e këtyre dy zonjushave, ëndrrat e të cilave u thërmuan mbi ujrat e Bosforit si një kometë mbas përplasjes. Dy jetë, që çliruan energjitë e tyre vitale përmes lotëve të fildishtë, për ti dhënë fluturim dëshirave dhe pasioneve të tyre të krispuara, që u mpleksen në kohën e pafund, u shkrinë pa mbarim, duke krijuar aty, para meje, mirazhin e një lirie pa çmim. Ndërmënd më vijnë ngjarjet e librit «Njeriu që vrau» (L’Homme qui assassina), kryevepër e Claude Farrère, ku bota baroke dhe misterioze e Stambollit te vjetër, dhe një histori drithëruese dashurie, magjepsi përfundimisht Renaud de Sévigné, atasheun ushtarak i ambasadës franceze në Turqi. Skenat romaneske të universit të këtij romani, me gjithë notat shqetësuese të përshkrimit, nuk kishin të krahasuar me ngjarjen tronditëse të tregimit «Shami të zeza mbi Bosfor». Janë të rralla qytetet në botë që kanë arritur t’i gërshetojnë epokat dhe qytetërimet e së kaluarës me aq mjeshtëri duke krijuar një udhëkryq civilizimi që vazhdimisht freskohet nga çiltërsia e Bosforit, «palcës» së këtij qyteti. Orhan Pamuku nobelist i vitit 2006, në librin e tij «Stambolli: Kujtime nga qyteti», që është një autobiografi madhështore, thotë se perandoritë shkojnë e vijnë, por gjurmët e tyre gjithmonë bëjnë që aty të ketë jetë dhe lumturi!

Vallë mund të materializohet jeta dhe lumturia në fatin e këtyre dy zonjusheve të pafajshme që barbaria e pushtetit tiranik i kishte ndëshkuar kaq rëndë? Ishte e nevojshme që ta humbnin jetën në moshë aq të re, dhe në mënyrë të llahtarshme, për tu shndërruar në ambasdrica dy-qytetërimesh?

Aromat e këndshme të parfumit, një perzierje irisi, lëkure, molle, pistash, tulipanesh, mysku e erëzash, si në përrallat e një mijë e një netëve, më bënë të vij në vete e të kuptoj se i përjetojmë gjërat para se t’i emërojmë. Kjo histori e bluar me dramë, shkumbëzon ende në perandorinë e dashurisë «mister», që shpirtrat e tyre kanë shtyrë drejt pafundësisë, si një lutje engjëllore të bërë me një zë qiellor, të butë e të flashkët. Një kuptimnajë e pashpjegueshme më pushton, duke më bërë të kujtoj «shtatëzaninë mizore» të një epoke, edhe pse jeta, dashuria dhe ëndërrat, janë një krijim që mbinë gjithëkund, pa çati, pa ligj, pa ferexhe, e pa kryq…

Me siguri Alphonse de Lamartine, që kishte thënë për Stambollin, «atje perëndia dhe njeriu, natyra dhe arti, janë gjithnjë bashkë, mbi rruzullin tokësor ata krijuan një vend aq të përsosur saqë me të vërtetë ia vlen të vizitohet», do kish vdekur pa e ditur historinë e «shamive të zeza mbi Bosfor», një histori e denjë për penën e Agata Kristit autores së romanit të famshëm “Vrasje nê Orient – Express”, e cila i shkruante romanet dy hapa larg atyre brigjeve, në hotelin e Pera-Palace”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *