Sartri, Bovuar dhe “seksi i dytë”

Rastësia e solli që kur u vendosa të banoj në Rue de Cels, në Montparnasse, dritaret e mia të binin ballë hotelit të vjetër «Mistral», ku në vitet e Luftës së Dytë Botërore kishte jetuar Jean-Paul Sartre, (Zhan-Pol Sartr), dhe Simone de Beauvoir, (Simon de Bovuar). Një pllakë mermeri e vendosur në hyrje të hotelit duket se grish jo pak turistë që vijnë aty vetëm për të piktakuar në mënyrë imagjinare çiftin mitik të Francës së gjysmës së dytë të shekullit XX. Sa herë hidhja sytë nga dritarja, imazhi i atyre dritareve më shfaqte menjëherë portretet e tyre që vite më parë kisha parë në ca libra të ndaluar në Shqipëri në kohën totalitare. Dhe kështu mundohesha të rikrijoja jetën e tyre brenda mureve të atij hoteli, dashuritë, punën dhe netët e gjata mbi fletoret e shkrimeve të tyre, dhe ku gjithçka përbënte jetën e dy prej personaliteteve intelektuale që kishin hyrë aq fuqishëm në historinë e mendimit botëror të shekullit XX: Sartri si filozof, eseist dhe dramaturg novator dhe Simona, si ikonë e feminizmit modern.

Në vitet studentore dhe vitet e para si kineast, kurreshtja për Sartrin dhe Bovuarin ishte e madhe. Emri i tij qarkullonte aty këtu, në gjysmë zëri, fshehurazi dhe ne kërkonim në tekstet e rralla që ishin në «index», (pra në «rezervat»), në sirtaret e Bibliotekës Kombëtare. Kërkonim të kuptonim filozofinë e tij që pëmblidhej në fakt në dy fjalë themelore: «Socialisme et Liberté» pra «Socializëm dhe Liri». Ishte një përzjerje e ideve marksiste dhe frojdiste që përthyhej në «pasqyrën-Sartr», duke reflektuar ide novatore të lirisë dhe të përgjegjësisë së individit, të demokracisë dhe çlirimit shoqëror. Duke zbuluar vlerën e madhe të Frojdit rreth inkoshiencës, nën-ndërgjegjes, ai theksonte se rigoroziteti i shpjegimeve mekanike e shtypte lirinë njerëzore. “Ndërsa ne qëndronim ende të fiksuar në qëndrime racionaliste e volontariste. Ne mendonim se tek një njeri me mendje të shëndoshë, liria triumfon mbi traumatizmin, mbi komplekset, kujtimet, influencat. Panseksualizmi i Frojdit neve na dukej atëherë një lloj deliri: ai godiste kështu puritanizmin tonë

Ne që kishim mundësi të depërtonim në sallonin e revistave të Bibliotekës Kombëtare në fundin e viteve 80’, mund të lexonim revistën e Sartrit e Bovuarit, Kohët Moderne, (Les Temps Modernes), ku që pas mbarimit të luftës, formulohej një ideologji e politikë që synonte humanizimin e shoqërisë dhe lirinë e individit. Atë kohë, Sartri dhe Bovuar anatemoheshin dhe blasfemoheshin nga politika shqiptare, ashtu si dhe vërsnikët e tyre Orwell apo Ionesco, ashtu siç ndodhte dhe me pararendësin e tyre Franc Kafka, etj. Ja pse ajo dritare e Hôtel Mistral në vitet 1997-2001, kishte për mua një domethënie të veçantë, ishte një dritare që mbartëte histori dhe ku çdo natë mund t’u thoja atyre në heshtje: Bonne nuit cher Sartre et chère Beauvoir! (Natën e mirë i shtrenjti Sartr dhe e shtrenjta Bovuar). Pikërisht ajo dritare më nxiti  të lexoja Être et le Neant, (Qënia dhe Hiçi), esenë filozofike më të famshme të Sartrit e më pas Le deuxième sexe, (Seksi i dytë), i Bovuar.

Në Francë, ky çift kishte qenë çifti më intelektual i gjithë shekullit. Në fakt, shumë shpejt konstatova se thelbi i jetës së tyre përmblidhej në një trekëndësh të vogël të Parisit: midis Montparnasse, Saint-Germain-des-Près dhe kryqëzimit Vavin. Brenda këtij trekëndëshi ata kishin përjetuar një epokë krijimi dhe dashurie, nga kafenetë «Café de Flore» e «Les deux Magots», duke vazhduar pastaj në bulevardin Montparnasse me kafenetë dhe restorantet «La Coupole», «Le Dôme», «La Rotonde» e gjer në «Closeries des Lilas».

Banesat e tyre, siç më tregonte një ditë miku im Michel Contat, i cili kishte qenë nga bashkëpuntorët e afërt të Satrit, apo sekretar i tij, ishin në bulevardin Edgar Quinet, në Rue du Depart e pastaj në Rue Schloelcher. Në Vernon, në fshatin St. Pierre d’Antils, në shtëpinë e producentit Jean-Pierre Guerin, Contat më tregonte për vitet e fundit të Sartrit, kur ai pothuajse ishte verbuar dhe kur sëbashku rrinin orë të tëra në La Coupole. Meqë nuk shikonte, ishte gjithnjë Michel që i thoshte se cili po vinte ta takonte, pasi Sartrit i vinte rëndë se nuk i njihte dhe kështu, verbëria e tij nuk kuptohej. Pastaj Contat i kishte thënë se më mirë ta deklaronte hapur këtë gjë. «Kështu, – më tregonte Contat, – unë përgatita një intervistë të gjatë që u botua në tri numra në gazetën Liberation, të cilën e filloja me pyetjen «Alors, ça va monsieur Sartre?»…[1] Dhe ai menjëherë tregoi për gjendjen e tij të vështirë shëndetësore… Contat e kishte njohur Sartrin në vitet 60’, në një kohë kur Sartri përjetonte një jetë të ngarkuar me shkrime dhe debate filozofike, letrare dhe një angazhim të madh politik, ku pika kulmore ishin lëvizjet majtiste të vitit 1968. Kjo jetë e ngjeshur do të vazhdonte e tillë pikërisht në atë pjesë të vogël të Parisit, disa dhjetra metra larg Hotel Mistral, aty ku shtriheshin varrezat e Monparnasse dhe ku do të gjenin prehje në fillim Sartri, më 1980, e pas tij, gjashtë vjet më vonë, në të njëjtën ditë të muajit prill, edhe Simon de Bovuar.

Sot gjurmët e çiftit mitik janë kudo, veçanërisht në botimet e studimet e shumta, në fotografitë që gjenden ende në «Café de Flore», apo «La Coupole» e «Dôme», në pllakat përkujtimore dhe varrin e tyre të përbashkët, ku vizitorë nga e gjithë bota vijnë dhe lënë një copëz letër, një mesazh, trëndafilë apo një cigare për të madhin Sartr.

Hotel Mistral

Bije shi dhe fryn erë. Imazhi i Hôtel Mistral nuk ka ndryshuar që nga koha e luftës. Sigurisht, fasada është lyer bukur me të bardhë dhe tendat blu i japin hijen e një hoteli të zakonshëm. Megjithatë ai ka mbetur po aq i thjeshtë siç kishte qenë atëherë, kur në vitet 1940-1942, ata gjetën këtu një strehëz dashurie dhe krijimtarie. Dhomat janë po ato. Në kujtimet e Bovuar shkruhet se “dimri i vitit 1941 ishte shumë i ftohtë dhe se dëbora për shumë javë qëndroi në trotuaret e rrugëve dhe të bulevardeve”.

Në fakt, në këtë periudhë, pak kohë më parë Sartri ishte angazhuar në ushtrinë franceze dhe me shpërthimin e luftës, kur gjermanët sulmuan Francën, ai ishte kapur rob dhe mbahej i burgosur në “stalag XII-D”, në Treves. Por pas dy muajsh, përmes një çertificate mjeksore për sytë që i kërcënoheshin të verboheshin, ai mundi të lirohej dhe u kthye në hotel Mistral.

Sprova e burgimit i kishte mësuar shumë gjëra shkrimtarit të ri ekzistencialist dhe së pari rezistencën. Siç shkruante më vonë Bovuar, “eksperienca si i burgosur e transformoi atë thellësisht. Ajo i mësoi atij solidaritetin. Në vend që të ndihej i thyer, ai ndihej i gëzuar në jetën komunitare.”

Sapo zbarkoi në hotel, ai mblodhi fshehurazi grupin e miqve të tij, (që do të pagëzohej C.C, d.m.th. Comité Central), dhe bashkë me Bovuar bëri mbledhjet e para të rezistencës klandestine, që siç thoshte Sartri “do të fillonte me trakte, informacione, buletine kundër nazistëve, të cilët duhej të shporreshin nga Franca. Populli duhej bindur për të rrëmbyer armët!” Ai tashmë ishte entusiazt, siç ishin dhe Bovuar dhe të tjerët. Por Sartri kërkoi ta zgjerojë grupin e tyre klandestin të quajtur ndryshe dhe “Socializëm dhe Liri”.

Bashkë me Bovuar, ai zbriti në jug të Francës dhe në zonat e lira, ku u kërkoi dhe intelektualëve të njohur Gide dhe Malraux të bashkoheshin me grupin e tij, por ata ishin të angazhuar ndërkohë me grupe të tjera. Më vonë do të jetë Kamy, (Camus), i cili do ta afrojë në grupin e tij klandestin “Combat”, ku ata morën pjesë, por sidoqoftë, shqetësimi kryesor i Sartrit dhe Bovuar gjatë luftës ishte shkrimi i librave të tyre dhe i pjesëve teatrale. Pikërisht në Mistral, Sartri punonte mbrëmjeve për librin e tij Qënia dhe Hiçi si dhe për dramën e re Les Mouches, (Mizat), e cila u shfaq në vitin 1943, në “Theatre de la Cité”. Një dramë që u prit ftohtë nga kritika dhe publiku, por dhe që u pa me dyshim nga çenzura hitleriane, si “një sfidë ndaj regjimit dhe apologji e lirisë në një vend të shtypur”, siç shkruhej në revistën berlineze të Gëbelsit, Das reich.

Edhe Bovuar gjatë luftës, përfundoi aty romanin e saj të njohur L’Invitée, (E ftuara), një tentativë e jetës në “trio”, çka reflektonte dhe një anë të jetës së saj me Sartrin, dy femra dhe një mashkull, ndërsa ai punonte për dramën tjetër Huis clos, (Me dyer të mbyllura), ku veç Kamysë, ai u propozoi role dhe dy të dashurave të tij: Olga-s dhe motrës së saj Wanda, një nga dashuritë më të forta të Sartrit, pas asaj për Bovuar. Por edhe kjo dramë e shfaqur në Paris, në majin e vitit 1944 në teatrin “Vieux-Colombier”, do të pritej ashpër nga kritika puritaniste e tradicionaliste, e cila nuk mund ta kuptonte modernitetin e Sartrit. “Autori i dramave Muri dhe Neveria, – shkruhej në shtypin e asaj kohe, – duket se është specializuar për të mbathurat e nxënseve të tij”. Por në fakt ato drama do të hapnin një epokë të re për teatrin modern francez. “Një fjalë e tij është një akt”, – do të shkruante Jean Vilar, duke iu referuar kësaj vepre. Në Qënia dhe Hiçi, Sartri pyeste mbi modalitetet e të qënit, ekzistencës. Ai dallonte “être en soi”, “njeriu që lind i tillë nga natyra”, dhe “être pour soi”, që është i ndërgjegjshëm për ekzistencën e tij. Ndryshe nga Hegeli, ai nuk e shikonte njeriun në optikën “deterministe”, të kushtëzuar, por si një qënie të lirë, i cili e zgjedh vetë mënyrën e ekzistencës së tij. Pra “njeriu është një projekt”, shkruante Sartri. Sipas tij “njeriu është i dënuar të jetë i lirë. Angazhimi nuk është një mënyrë për tu bërë i domosdoshëm, por për tu bërë i përgjegjshëm. Të mos angazhohesh është gjithashtu një formë angazhimi.”

Padyshim që koha e luftës i dha Sartrit dhe Bovuarit një tjetër ndërgjegje dhe angazhim politik, çka do të duket dhe me shkrimet e Sartrit mbi Parisin e çliruar, të cilat u botuan në gazetën Le Combat të Alfred Camus dhe në të famshmen ese të tij, Republika e Heshtjes. “Kurrë nuk kemi qenë më të lirë sesa nën pushtimin nazist, – shkruante Sartri. – Ne humbëm të drejtat tona dhe së pari atë të fjalës: na shanin hapur çdo ditë dhe ne duhej të heshtnim; na deportonin në masë si puntorë, si hebrenj, si të burgosur politikë… Meqë helmi nazist shkiste gjer në mendimin tonë, çdo mendim i drejtë ishte një fitore. Meqë ndiqeshim, çdo xhest i yni kishte peshën e një angazhimi… Kështu çështja e lirisë shtrohej para nesh. Ne ishim në kufirin e njohjes më të thellë që i bën njeriu vetvetes, pasi sekreti i njeriut nuk është kompleksiteti i Edipit apo ai i inferioritetit, por vetë kufiri i lirisë së tij, forca e tij e rezistencës ndaj vuajtjeve apo vdekjes. Rezistenca ishte një demokraci e vërtetë: për ushtarin dhe prijësin e tij ishte i njëjti rrezik, e njëjta përgjegjësi, e njëjta liri absolute në këtë fushë. Kështu, nën hije dhe në gjak, ndërtohej më e forta e Republikave. Kjo Republikë ishte një Republikë pa institucione, pa ushtri, pa polici, ku çdo francez duhej të afirmohej në çdo çast kundër nazizmit…

Letra Kastorit

Korrespondenca e Sartrit dhe e Bovuarit përbën sot një nga korrespondencat më të pasura të një çifti letrarësh e intelektualësh, korrespondencë kjo që kap një periudhë pothuaj gjysmë shekullore, nga viti 1926 e gjer në vitin 1963, vit kur zemra e Sartrit pushoi së rrahuri. Letrat e tyre nuk u përngjajnë letrave të dashurisë të Apolinerit, Elyarit apo Aragonit. Ato nuk janë erotike, nuk shkruhet për buzë të etura, gjinj, seks, dëshirë. Nuk ka poezi të ndërthurrura në to. Kjo korrespondencë i ngjan më tepër një lloj rrëfimi dy planësh, një tregimi jetësor, ku ngjarje të ndryshme, gëzime dhe dhimbje ata kërkojnë t’i ndajnë me njëri-tjetrin. Por mbi të gjitha, në to qëndron mendimi, filozofia, gjykimi për libra dhe autorë, për qënien dhe hiçin, për Kiekergard, Kant, Heidegger apo Kafkën, për esetë dhe romanet që po shkruajnë, për dramat që do të shkruajnë, për titujt që mendojnë tu vënë veprave të tyre. E megjithatë, edhe Sartri e thotë fjalën e ëmbël, ashtu siç e ndjen, pa e poetizuar. Në letrat e tij ai e quan shpesh atë ”lulja ime e ëmbël”… I shkruan se “në këtë botë nuk kam njeri tjetër veç teje”, se “ju dua me të gjitha forcat”… Në fillim, ajo ishte Simona, pastaj Kastor, siç do të mbetej dhe pseudonimi i saj. “Ti nuk e di se ç’gëzim më sjellin letrat e tua”, i shkruante ai kur ishte larg saj, në ushtri, para Luftës së Dytë Botërore, – ato m’a transformojnë botën.” “Ti je forca dhe lumturia ime”… ”Kam dëshirë të të shoh dhe të flë në krahët e tua”…[2] Por në letrat e tyre, më vonë do të shpaloset një jetë komplekse çka e bën të veçantë këtë çift në peizazhin e mendimit letrar e filozofik të shekullit XX. Aty janë dhe zemërimet e heshtura, xhelozitë, dhimbjet dhe hapësirat ku më pas rigjejnë njëri-tjetrin, pasi ata gjithnjë, pas çdo historie kalimtare apo të fortë e tronditëse, do ta rigjenin njëri-tjetrin.

Ishte Simon Bovuar që pas vdekjes së Sartrit u kujdes për botimin e letrave të Sartrit. Duke folur për historitë e tyre, veçanërisht marrëdhëniet intime, dashuritë kalimtare të tij, ajo shkruante se: “Sartri kishte një “ego” ekstreme dhe nuk dinte t’i thoshte “jo” një personi. Nëse një femër i kërkonte diçka, ai i premtonte dhe hënën. Pastaj vinte tek unë dhe më thoshte: Wanda, (ose një tjetër), më tha se…”

Por Simona e adhuronte këtë njeri. “Unë isha një grua inteligjente, – do të thoshte ajo, – ndërsa Sartri ishte një gjeni. Sartri ishte një tip që nuk fliste shumë…”

Kur filloi lufta, Sartri vendosi të mbante një ditar, edhe pse ai nuk i donte ditaret. Shkroi rreth 15 fletore, nga të cilat mbetën vetëm 5, duke përbërë një vepër më vete letrare, e cila do të quhej Carnets de drôle de guerre, (Fletoret e një lufte të çuditshme).

Kafeneja “Flore”

Kafeneja “Café de Flore” në Saint-Germain-des-Près është një kafene mitike, çka e pamë dhe ca kohë më parë në ekranin francez në filmin Les amants du café de Flore, (Të dashuruarit e kafenesë Flore), kushtuar Sartrit e Bovuarit. Gjatë luftës dhe pas luftës, aty mblidheshin Sartri, Bovuar, Albert Kamy dhe shumë intelektualë në zë të asaj kohe. Dritaret e apartamentit të ri të Sartrit në 42, Rue Bonaparte, shikonin tashmë fare pranë këmbanoren e kishës Saint-Germain-dès-Près. Një miqësi e ngushtë u lidh mes Sartrit dhe Kamysë, i cili para disa kohësh kishte ardhur nga Algjeria, kishte zbarkuar në Paris dhe punonte në shtëpinë botuese “Gallimard”. Kamy po bëhej ndërkohë një nga emrat më të dëgjuar në fushën letrare me botimin e veprës së tij L’Etranger, (I huaji), të cilën Sartri e përshëndeti nxehtësisht me një kritikë të gjatë. “Camus ishte i bukur, – kujtonte për ato vite Simon de Bovuar, – ai dinte të vallzonte dhe t’i joshte gratë.»

Ai ishte 30 vjeçar, pra tetë vjeç më i vogël nga Sartri. Meqë Satri e donte, atëherë dhe ajo u detyrua ta donte, edhe pse në fillim, por edhe më vonë, ajo ishte xheloze për lidhjen mes tyre. «Unë dhe Kamy, ishim si dy qen pas një kocke, – kujtonte ajo më vonë. – Kocka ishte Sartri, dhe ne e donim për vete, që të dy. Por unë e doja më shumë se Kamynë

Në fillim, Kamy takohej me ata çdo ditë në kafenenë “Café de Flore”. Kur Sartri shkroi dramën Me dyer të mbyllura, (Huis Clos), ai shkroi dhe një personazh që ta interpretonte Kamyja, dhe ai e pranoi me shumë qejf. Që të dy kishin ide novatore dhe shumë projekte për pas lufte. Kamy donte që të shkruanin sëbashku një enciklopedi për filozofinë, ku ai dhe Sartri të ishin autorët kryesorë, ndërsa Bovuar mund të trajtonte problemet e shkencës së moralit. Nga ana e tij, që nga fundi i luftës Sartri hodhi idenë e krijimit të një reviste mbi ideologjinë e politikën, që Franca të kishte një ideologji të re, për “të përgatitur të ardhmen”.

Sartri e Bovuar nuk ishin në Paris kur amerikanët dhe divizioni francez e gjeneralit Leclerc po i afroheshin Parisit. Hipur në biçikleta ata nxitonin nga Chartre në Paris dhe në 25 gusht 1944, në Porte d’Orleans në periferi të Parisit, ata përshëndesin ushtarët e parë që u futen në portat e Parisit për të çliruar kryeqytetin. Të nesërmen, në Champs Elysées ata panë të zbriste vetë gjenerali De Gaulle. Lufta po mbaronte!

Kur në debatet gjatë luftës Sartri dhe Kamy kërkonin të «përgatisnin të ardhmen», ata kishin parasysh t’i propozonin shoqërisë së pas-luftës një vështrim të ri të botës dhe marrëdhënieve njerëzore, marrëdhënieve midis kapitalit e proletarëve dhe krijimit të një ideologjie të re. Në komitetin drejtues të Kohëve Moderne, veç treshes Sartr-Kamy-Bovuar do të ishin dhe Raymond Aron, Michel Leiris, Albert Ollivier, etj. Ishte epoka kur kërkohej një «moral i përgjegjshmërisë individuale» dhe një «letërsi e angazhuar», siç do ta parashtronte Sartri në esenë e gjatë të tij Ç’është letërsia, të botuar po në Kohët Moderne. «Shkrimtari i angazhuar, – shkruante Sartri, – e di se fjala e tij është aksion; ai e di se që ta shpalosësh atë do të thotë të ndryshosh dhe se nuk mund të shpalosësh ide pa menduar për ndryshimin që duhet bërë… Ai e di se fjalët janë si «pistoleta të mbushura.» Por në këtë ese, Sartri vazhdonte: «Situata historike na nxit të bashkohemi me proletariatin për të ndërtuar një shoqëri pa klasa». E megjithatë, ai u ndruhej komunistëve dhe nuk pranoi të vihej në shërbim të tyre. «Me shkrimet tona ne duhet të militojmë për lirinë e njeriut dhe revolucionin socialist», – theksonte ai.

Në atë kohë Sartri dhe Bovuar ishin dy figura të mëdha të inteligjencës franceze. Botimi i veprës së tij Ekzistencializmi është humanizëm, pas dramave dhe esesë filozofike Qënia dhe Hiçi, e kishin kthyer atë në një figurë madhore që i kishte kapërcyer me kohë kufijtë e Francës, edhe pse Partia Komuniste franceze përmes gazetës Humanité, e kritikonte atë se «kishte rënë në prehërin e kapitalizmit».

Qëndrimi i Sartrit dhe Bovuarit kundër luftës së Francës në Indokinë dhe më pas angazhimi i tij në «Lëvizjen e Paqes», krijuan përshtypjen se Kohët Moderne po anonte nga komunistët dhe Kamy, Raymond Aron dhe Claude Lefort u larguan nga komiteti drejtues. Por në të njëjtën periudhë, Sartri do të kritikohej ashpër dhe nga bolshevikët rusë, nga kryetari i shkrimtarëve sovjetikë Fadajev dhe pasuesit e tij, të cilët e cilësuan atë thjesht një «hienë daktilografisti». Megjithatë Sartri dhe Bovuar do të ishin konseguentë në qëndrimet e tyre filozofike dhe ideologjike, edhe pse herë anonin nga komunistët e herë i kritikonin ata për dogmatizmin e tyre.

Në vitin 1954, ata shkuan sëbashku në Moskë dhe u pritën nga Hrushovi. Në kthim Sartri botoi disa reportazhe pozitive nga Bashkimi Sovjetik, por më pas, kur ndodhi kryengritja e Budapestit kundër ushtrisë sovjetike, ndryshe nga Partia Komuniste franceze, e cila e konsideroi si kundër-revolucion në shërbim të fashizmit, Sartri dhe Bovuar e denoncuan atë publikisht dhe me forcë. Madje ata kërkuan «demilitarizimin e kulturës në Lindje», duke kritikuar ashpër metodën staliniste të ndalimit të veprave të Kafkës dhe autorëve disidentë dhe duke u bërë jehonë letërsisë së Solzhenicinit, Josef Brodskit, Jevtushenkos apo Bukovskit, të cilët u bënë të njohur përmes faqeve të revistës Kohët Moderne. Pikërisht në atë kohë Sartri shkroi esenë Fantazma e Stalinit. Kjo dhe veçanërisht protesta e Pragës në vitin 1968, ishte kthesa vendimtare dhe fundi i iluzioneve të Sartrit, ku ai shkruan për «degradimin e pamëshirshëm dhe të vazhdueshëm të socializmit sovjetik». Sidoqoftë ai mbeti gjithnjë anti-borgjez, anti-kapitalist dhe mbi të gjitha anti-militarist.

Ishin po Sartri dhe Bovuar ata që u vunë në krye të intelektualëve kundër luftës së Francës në Algjeri dhe pro pavarësisë së Algjerisë përmes Manifestit të 121-ve. Kur Sartri deklaroi hapur gjatë një proçesi se edhe ai do të fshihte dhe mbështeste luftëtarë të ushtrisë se FLN të algjerianëve për çlirim, shteti francez deshi ta dënonte, por gjenerali De Gaulle ndërhyri me shprehjen e famshme të tij se «Volteri nuk mund të futet në burg». Ndërkohë banda e OAS-it[3] vërshonte në rrugët e Parisit me thirrjet: «Të vritet Jean Paul Sartre!» Disa bomba shpërthyen në pragun e shtëpisë së tij.

Më vonë, në kohën kur Brezhnjevi pritej në pallatin presidencial nga presidenti  francez Giscard d’Estaing, Sartri dhe Bovuar zhvillonin një takim me disidentë të mbledhur nga Lindja, ku qindra gazetarë të botës i bënin jehonë një takimi të tillë epokal. Pikërisht në këtë kohë, Sartri hodhi parrullën «Klasa puntore sovjetike duhet të marrë pushtetin që i kanë vjedhur.» Në një intervistë të tij në revistën Nouvel Observateur, duke iu kthyer angazhimit të tij përgjatë një gjysmë shekulli, ai do të bënte «mea-culpa»-n e tij: «Më 1954 dhe gjatë katër viteve unë isha i afërt me komunistët, por idetë e mia nuk ishin të tyret dhe këtë ata e dinin. Padyshim thoja gjëra pozitive për Bashkimin Sovjetik të cilat nuk i ndjeja. Po, kam gënyer! E bëja këtë sepse kur ftohesh nga një vend, nuk bën ta shash atë. Për më tepër nuk e dija që pas vdekjes së Stalinit, gulagët do të vazhdonin ende.”

Edhe gjatë udhëtimit që Sartri bëri në Kubë bashkë me Bovuarin, ai e shikonte me simpati revolucionarin e ri Fidel Kastro, edhe pse siç kujton miku i tij i afërt Klod Lanzman, «Sartri ishte nga të parët që dënoi aspektet e shëmtuara të kastrizmit». Në fillim të vitit 1960 ishte drejtori i gazetës kubaneze Revolucioni që i ftoi në Kubë. Tensioni mes Kubës dhe Amerikës ishte në kulmin e vet. Revolucioni kishte katërmbëdhjetë muaj që kishte triumfuar. Në fillim ai kishte hezituar të shkonte, meqë vizita e parë në Kubë i kishte lënë një shije të hidhët. Por pastaj, bashkë me Simonën, në shkurtin e atij viti ishte nisur. Imazhet e Kubës revolucionare, për të cilën do të shkruajë një reportazh shumë të gjatë (dhe të botuar më vonë në Kohët Moderne) e befasuan atë. Siç shkruan për ishullin e Kastros, ai pa aty «perandorinë e paepur të kallamsheqerit»; pa mjerimin e fshatarëve, prostitutave dhe të analfabetëve; pa «dëfrimin e dehur të Havanës». Dy ditë me rradhë, në krah të Kastros që hiqej si një filozof, ata brodhën përreth ishullit. «Unë kam dhuntinë e të qënit revolucionar» përpiqej t’i bindë Fidel Kastro. Pas kthimit, jo shumë vonë, filloi «kriza e misileve», kriza e famshme mes Bashkimit Sovjetik dhe Amerikës, kur Krushovi kërcënonte me bomba atomike. Ky shantazh e bëri ta shohë me neveri këtë lojë të rrezikshme.

Sigurisht që ngjarjet më tronditëse në jetën e çiftit Sartr-Bovuar ishin ato të vitit 68’ dhe epoka maoiste, ku ai u kërkonte studentëve në Sorbonne e gjatë manifestimeve në rrugët e Parisit që ata të bashkoheshin dhe tu bënin luftë «pleqve që i qeverisnin», duke u bashkuar sa të mundeshin me puntorët. Aq shumë shpresonte Sartri në ndryshimet ideologjike, saqë ai ra në prehërin e maoizmit, duke shpërndarë në rrugë bashkë me Bovuar, gazetën La Cause du Peuple, (Kauza e Popullit), të cilën ai drejtonte.

Kur në vitin 1964 atij iu dha çmimi Nobel, Sartri e refuzoi atë, sepse ai mendoi se kjo mund të shfrytëzohej politikisht kundër tij, meqë deri atëherë çmimi Nobel nuk i ishte afruar asnjë disidenti nga Lindja europiane dhe asnjë shkrimtari me ide komuniste. Pranimi i këtij çmimi, siç mendonte ai, mund ta hidhte atë në krahun e konservatorëve të djathtë.

Një vit më vonë, një femër tjetër hyri në jetën e Sartrit. Kësaj rradhe jo si një dashnore, por si një vajzë për shpirt. Historia ishte e çuditëshme pasi ata nuk njiheshin. Ai e kishte parë një ditë tek një luleshitës, ku shkonte zakonisht t’i blinte lule Simonës. Luleshitësi e kishte parë Sartrin ngjitur me një vajzë me syze dhe i kishte thënë: «Çfarë do të preferonte zotëria për vajzën e tij të bukur?»

Sartri kishte kthyer kokën dhe ata të dy kishin qeshur. Më pas një intimitet ishte vendosur midis të dyve dhe shpejt ajo do të hynte në jetën e tij. Ajo ishte një hebre algjeriane e ardhur kohët e fundit në Francë dhe që policia donte ta përzinte nga Franca, si e majtë që ishte. Quhej Arlette Elkaim dhe që ta shpëtonte, ai e adoptoi dhe e bëri vajzë të tij. Madje kur vdiq Sartri i la trashëgim gjithçka të tij.

Ata takoheshin shpesh të shtunave, në “La Coupole”. Kalonin drekën bashkë dhe kjo gjë do të kthehej në një lloj riti. Pastaj Sartri e shoqëronte në apartamentin e saj aty pranë, ngjitej në dhomë dhe ulej në piano të luante Guno, një Stabat Mater apo Pergolese.

Do të kalonin shumë vite dhe rasti e solli ta njihja familjen e Arlette Elkaim. Pas vdekjes së Sartrit ajo ishte ndarë përfundimisht dhe me Simonën lidhur me trashëgiminë e letrave të Sartrit, por edhe si shkas i xhelozisë që kishte Simona ndaj përkujdesit që Sartri tregonte për të. Unë e njoha atë në vitet 1992-1993. Vinte në ambasadën tonë në Paris, në Rue de la Pompe. Vazhdonte të qëndronte gjithnjë në të «majtë». Më pas kisha qenë dhe në një darkë në shtëpinë e saj në zemër të Montparnasit, ku banonte me nënën e saj. Kishte dy sy të mëdhenj, të zgjuar, të zinj. E mira Elkaim… Ajo e donte Shqipërinë. Lidhjen e saj me Sartrin e mësova më vonë. Asaj i dukej se nuk ishte interesante t’i fliste një diplomati për Sartrin, ndërkohë që unë i adhuroja autorët francezë.

Dashuritë e rastësishme

Dashuritë e rastësishme apo «les amours contigentes», ishte pakti që kishte lidhur Sartri dhe Simona që në fillimet e dashurisë së tyre. Ky ishte një pakt që rinovohej çdo dy vjet dhe që qëndronte në faktin se pavarësisht nga dashuria e përkushtimi ndaj njëri-tjetrit, ata mund të kishin flirte me të tjerë, por me një kusht: që asnjëherë nuk do ta gënjenin apo mashtronin njëri-tjetrin. Dhe ky kusht do të mbahej. Ja pse në jetën e tyre, ku ata nuk mund të jetonin pa njëri-tjetrin, u mpleksën shumë histori flirtesh e dashurish të vogla, herë dhe të mëdha, dashuri të Simonës me Jacques-Laurent Bost, me shkrimtarin amerikan Nelson Algren dhe Claude Lanzmann, (të tjerët si piktori spanjoll Fernando Gerassi, Arthur Koestler apo René Maheu, ishin kalimtarë). Ndërsa dashuritë  e Sartrit, përgjithësisht ishin me mikeshat e Simonës, si Olga, Wanda, dhe rrallë ndonjëherë, kur ai i njihte vetë, siç ishte rasti i amerikanes Dolores Vanetti, (të njohur gjatë udhëtimit të parë të tij në Amerikë), e cila u çmend nga dashuria për Sartrin dhe besonte se do të martohej me të. Por kjo martesë nuk do të realizohej, pasi pakti do të ishte gjithnjë në fuqi edhe në stuhitë më pasionante e më të mëdha.[4] Ata kishin vendosur t’i thonin të vërtetën njëri-tjetrit. Gjatë një udhëtimi në Savoie, kur Simona kishte shkuar bashkë me një mikun dhe nxënësin e Sartrit, më pas, ajo do t’i shkruante atij: «Para disa ditësh më ka ndodhur diçka tepër e pëlqyeshme: bëra dashuri me Botsi-n. Kaluam ditë idilike dhe netë pasionante

Pas vdekjes së Sartrit në vitin 1980, tre vjet më vonë, Bovuar botoi letrat që Sartri i kishte dërguar gjatë gjithë jetës së tyre të përbashkët, të titulluar Lettres à Castor, (Letra Kastorit), siç ishte pseudonimi i Simonës gjatë luftës, por ku një pjesë të mirë të letrave ajo nuk i botoi. Për herë të parë lexuesi i gjërë mësoi se ç’kishte ndodhur në të vërtetë në jetën e këtij çifti mitik dhe se deri ku shkonte kompliciteti mes tyre. Ata ia tregonin gjithnjë dashuritë e tyre njëri-tjetrit dhe ajo preferonte t’i dinte historitë e tij, sepse kështu i kontrollonte më mirë ato. Madje ndodhte, veçanërisht gjatë dy dashurive të tyre amerikane, (ajo me shkrimtarin Nelson Algren dhe Sartrit me Dolores Vanetti), që ata të rregullonin axhendën me njëri-tjetrin që të mos përplaseshin mes tyre. Algren ishte një dashuri e fortë e Simonës dhe ajo u nda me dhimbje me të. Ai ishte «krokodili i ëmbël», siç i shkruante ajo në letrat e saj dhe ajo ishte «bretkoca e tij e çmendur». Kur vdiq Bovuar më 1986 dhe katër vjet më vonë u botuan nga shtëpia botuese «Gallimard», Letra Sartrit,[5] lexuesi gjeti çelësin sesi rrezistoi ky çift nga gjithë këto histori dhe se si bënte Simona që të ishte gjithnjë primare në dashuritë e Sartrit.

Për herë të parë Sartri kishte shkuar në shtrat me një grua gati dy herë më të madhe se ai në moshë. Atëherë ai ishte 18 vjeçar. Por gjithnjë ai kishte kompleksin se ishte një djalë i shëmtuar, dhe si për të luftuar këtë, ai zgjidhte gjithnjë vajza të bukura, të cilave ua merrte mendjen me kulturën dhe tipin e tij paqsor dhe libertin. Megjithatë, Sartri ishte i pari mashkull me të cilin Simona do të puthej dhe do të shkonte në shtrat. Sartri ishte më tepër shpirtëror se sa fizik.

Në letrat që Simona i shkruante të dashurit të saj, shkrimtarit Algren, duke i folur për Sartrin, ajo i pohonte se “Sartri nuk është i pasionuar pas seksualitetit. Ja pse gradualisht ne e kuptuam se ishte e panevojshme të flinim bashkë në të njëjtin shtrat.” Por dhe Sartri kishte shkruar për marrëdhëniet e seksualitetin e tij. “Marrëdhëniet seksuale me femrat në një moment të dhënë ishin të detyrueshme, por unë nuk u kushtoja shumë rëndësi. Bëja seks pa ndonjë kënaqësi të madhe. Isha më shumë një masturbues femrash…”

Megjithatë erdhi një kohë kur ata do të festonin përvjetorin e paktit të tyre, siç ndodhte gjithnjë për ta rinovuar atë pakt. Atë ditë tetori Sartri i kishte thënë: “Castor, ne nuk kemi më nevojë për këto pakte provizore, sepse askush tjetër nuk mund të na kuptojë ashtu siç ne të dy e kuptojmë njëri-tjetrin”.

Një foto për Simon de Bovuar

Art Shay ishte fotograf dhe miku të amerikanit Nelson Algrey, të dashurit të Simon de Bovuar. Në vitin 1950 ajo banonte për disa kohë në një apartament në Çikago, pranë të dashurit të saj amerikan, i cili për librin Njeriu me krahë të artë kishte qënë amerikani i parë që kishte marrë çmimin e madh “National Book Award”. Meqë nuk kishte banjo për tu larë, atëherë Art Shay e kishte çuar në shtëpinë e një mikeshës së tij që të bënte banjo. “Unë asnjëherë nuk lëvizja pa aparatin tim Leica, – tregonte Shay. – Ajo kishte lënë portën e banjos hapur dhe kur doli nga banja, unë mora dy-tri fotografi. Por ajo e dëgjoi shkrepjen e aparatit dhe më tha me të qeshur: “Ah, djaloshi i keq!” Ajo ishte 42 vjeçe ndërsa unë isha 28. Ishte një grua humane dhe koketë… Ajo nuk i ka parë kurrë këto fotografi, madje as Nelson-it nuk kam guxuar t’ia tregoj. Doja t’i botoja para se të vdes…” Fotografia nudo e marrë me shpinë është botuar në 2008 në revistën “Nouvel Observateur” ndërsa kjo fotografi, u ekspozua para disa vitesh në ekspozitën e përvitshme “Paris-Photo”.

Më parë kemi patur përshtypjen se Simon de Bovuar nuk ishte fare sensuale, por fotografia thotë të kundërtën.  Sidoqoftë, dashuria e saj për Nelson Algrey ishte një dashuri e madhe dhe e gjatë, gjer në fund të jetës së saj. Treqind e katër letra të Bovuar drejtuar Algrey-t gjatë 14 vjetëve janë botuar në vitin 1997 nga “Gallimard” me titullin “Lettres à Nelson Algrey” dhe në këtë botim, padyshim lexuesi zbulon gjithë atë marrëdhënie intelektuale e sensuale të tyre. Letrat e saj fillonin gjithnjë duke e quajtur atë “burri im”, “i shtrenjti im”… “Nelson, dashuria ime, oh, një natë e trishtë në lumturi si në një poezi të Villon: “unë vdes e etur pranë një burimi/ unë qesh në lotë dhe pres pa shpresë”… Vitet shkonin. Edhe pse takimet e tyre rralloheshin dhe Algrey vazhdonte jetën e tij familjare, zjarri i tyre përsëri nuk shuhej gjer në fund. E megjithatë, asaj i dukej se shpirti i mikut të saj të largët, po ftohej ngadalë, duke i kujtuar novelën e tij Përse të shkruash për lumturinë kur nuk ka asgjë për të thënë? Vallë të ishte kështu?… Në nëntor të vitit 1964 ajo i ka dërguar një letër që me sa duket është letra e fundit që është gjetur në dhomën e saj pas vdekjes, ku ajo i shkruante: “Ja u bë një përjetësi dhe ku asnjë letër nuk është nisur dhe nuk më ka ardhur. Në mars do vij me siguri në Amerikë dhe do t’ju gjej, kudo që të fshiheni… si gjithnjë, me një dashuri të madhe, Simona juaj”.

«Seksi i dytë»

Më 1946, e shtyrë nga Sartri, «gjeniu i saj», siç e quante ajo, Bovuar[6] botoi esenë madhore të jetës së saj, Seksi i dytë. Madje siç do të pohonte vetë ajo, «ishte bota e Sartrit me lidhjet e tij femërore që e kishte frymëzuar për librin Seksi i dytë.

Në fakt, botimi i esesë së saj ishte paraprirë nga një artikull të gjatë që ajo e kishte botuar në revistën Kohët Moderne, (Les Temps modernes) dhe që trajtonte çështje të seksualitetit femëror, të sensibilitetit vaginal, spazmat e klitorisit, orgazmën mashkullore dhe të fshehta të tjera që lidhen me ekstazën. Aq zhurmë bëri ky artikull, sa puritanëve iu ngritën leshrat përpjetë dhe François Mauriac do të shkruante ndër të tjera në Le Figaro: «Me këtë artikull ne konstatojmë kufijtë e poshtërsisë». Madje në një bisedë me një nga bashkëpuntorët e revistës ai kishte thënë: «Mësova gjithçka mbi vaginën e patrones tuaj».

Duke kujtuar këtë periudhë, Bovuari kujtonte dhe një bisedë që kishte bërë dikur me Sartrin, atëherë kur nuk e kishte filluar ende këtë ese. Ajo i kishte thënë:

– Unë asnjëherë nuk jam ndjerë inferiore dhe feminiteti nuk më ka shqetësuar për asgjë.

– Megjithatë Kastor, ti nuk je rritur njëlloj si një djalë. Duhet të shohësh më thellë…

Dhe unë vështrova thellë dhe zbulova se kjo botë ishte një botë mashkullore. Fëmijëria ime ishte lidhur me mite që lidheshin vetëm me burrat…»

Eseja filozofike Seksi i dytë[7] ishte një nga ato vepra që la gjurmë të mëdha në gjysmën e dytë të shekullit XX. Idetë e saj u përqafuan fuqishëm veçanërisht pas lëvizjeve të 68’ dhe lëvizjeve feministe të viteve 70’- 80’ që shpërthyen kudo në botë, në Evropë, Amerikë e gjetkë, deri në të ashtuquajturën “revolucioni seksual”. “Gratë në atë kohë duhej të bënin revolucionin e tyre, – pohonte Bovuar në shtypin e kohës. – Ato duhej të bënin diçka në mënyrë personale, direkte dhe të menjëherëshme. Ato nuk mund të prisnin që burrat të ndryshonin shoqërinë për to, pasi kjo s’do të ndodhte kurrë, veçse nëse ato do ta bënin vetë këtë revolucion.”

Në Francë, një ndërgjegje e re feministe kristalizohej nën ndikimin e fuqishëm të Bovuar, e cila synonte çlirimin dhe emancipimin e gruas, duke kundërshtuar, siç theksonte ajo në esenë e saj “sovranitetin mashkullor të burrit ndaj gruas”. Ajo ishte si të thuash një «pasionaria» e shekullit të XX. Gra feministe që kishin luftuar për lirinë dhe barazinë e gruas kishte pasur edhe para e pas George Sand, apo e shkrimtares tjetër të famëshme franceze, Colette, por tashmë bëhej fjalë për një filozofi dhe program politik. Ishte e vërtetë se iluministë të mëdhenj siç ishte Diderot, etj, kishin pohuar fort se “gruaja si dhe burri ishte një qënie e njëllojtë njerëzore”, se “gruaja duhej të ishte e barabartë me burrin”, se “ajo duhej të kishte të njëjtat të drejta politike, si dhe burri”. Por ajo kërkoi më thellë: ajo kërkoi të shpjegonte se ç’është feminiteti i gruas, se gruaja nuk mund të reduktohej vetëm në funksionin “uterus” apo rigjenerimin e jetës njerëzore, duke tentuar njëkohësisht të zbulonte se ç’kishte ndodhur pas matriarkatit, kur burri kishte marrë pushtetin dhe pse kishte ndodhur kjo.

Duke çuar më tej konkluzionet e saj, për herë të parë ajo pranoi të drejtën dhe lirinë e homoseksualizmit, për të cilat aq shumë ajo u kritikua dhe u mallkua nga puritanistët. “Kur unë nënshkrova “Manifestin e 343”-ve, ku bëhej fjalë për lirinë e abortit, unë u rrezikova përsëri të burgosesha. Kjo situatë ishte përgatitur që me kërcënimet në shpërndarjen e gazetës së Sartrit, Kauza e Popullit. Por megjithatë, ashtu si dhe Sartri, edhe unë isha bërë e paprekëshme. Ja pse gratë si unë duhej ta bënin këtë…”

Sartr-Bovuar, një varr i përbashkët

Ishte 19 marsi i vitit 1980 kur Bovuar shkoi në apartamentin e Sartrit në bulevardin Edgar Quinet, jo larg apartamentit të saj. Ajo e gjeti atë ulur në shtrat, duke marrë frymë me vështirësi. Si gjithnjë me errësirën në sy, meqë vitet e fundit ai nuk shikonte më, çka e kishte penguar të shkruante vëllimin e katërt të kryeveprës së tij madhore Flaubert. Ajo donte të telefononte për të kërkuar një ambulancë, por linja ishte ndërprerë sepse telefoni nuk ishte paguar. Duket çudi, por Sartri ishte pothuaj i varfër dhe kjo gjë e mundonte, pasi e dinte që nëse vdiste, do të ishin miqtë e tij që do duhej të paguanin për varrimin dhe varrin e tij. «Ai kishte tmerr që miqtë do të paguanin për varrimin e tij. E kuptoi se do të vdiste», – kujtonte Bovuar në Kujtimet e saj.

Megjithatë ai pësëri shpresonte tek jeta. Veçanërisht vitet e fundit ai kishte vuajtur shumë. Në fillim me sytë, pastaj me trupin e tij, hipertensioni, çiroza. Një natë, kur Claude Lanzmann e kishte puthur në faqe, ai i kishte thënë: «Nuk di nëse po puthni një copë varri apo një njeri të gjallë.»[8] Një çast tjetër, kur Sartri ishte operuar nga sytë, Bovuar kishte shkruar në fletoret e saj: «Ai më vështroi me një pamje ankthi dhe gati me turp: – Unë nuk do ta gjej më dritën e syve të mij, – tha ai. Dhe vërtet, mjegulla e dritës së tij dendësohej gjithnjë e më shumë.»

Pas një jave në spital, ai donte të dilte dhe i ftonte miqtë për një whisky në apartamentin e tij, por Sartri nuk do të kthehej më nga spitali Broussais. Pikërisht një ditë para se të vdiste nga çiroza, atje në dhomën e spitalit, me sytë mbyllur, (pasi Sartri në atë kohë ishte pothuaj i verbër), ai mori dorën e saj në të tijën dhe i pëshpëriti: «Të dua shumë Castor-i im i vogël!». Bovuar i puthi dorën dhe mbështeti faqen e saj në të tijën. Ai ra të flinte. Të nesërmen kur ajo mori në telefon, infermierja i tha se ai nuk ishte zgjuar që kur kishte ikur ajo, dhe pas pak kishte vdekur.

Atë mbrëmje, miqtë më të afërt të Simonës dhe Sartrit u mblodhën rreth Sartrit të vdekur. Dikush kërkoi të pinin whisky dhe filluan të kujtonin historitë e tij, të qeshnin gjersa një moment, Simona u kërkoi të largoheshin, dhe ajo u shtri në shtrat pranë tij dhe mbylli sytë. Donte të ishte vetëm me të, si në gjithë këtë kohë që kishin jetuar së bashku. Kur infermierja e kishte parë ashtu, kishte dashur ta largonte me forcë sepse këmbët e Sartrit ishin gangrenizuar dhe mund të infektohej, por ajo nuk pranoi dhe vazhdoi të qëndronte shtrirë me të, e droguar me whisky dhe luminal që të mund të qëndronte në këmbë. Ajo ishte gati të puthte dhe kolerën veç të ishte me të.

Më së fundi, nata e vonë e gjeti në shtëpinë e tyre në Rue Schloecher.

Të nesërmen varrimi i Sartrit ishte madhështor, ku shumë gazetarë do ti referoheshin varrimit të shkrimtarit Viktor Hygo gati një shekull më parë. Por ajo nuk mund të qëndronte dot në këmbë. Atë ditë të varrimit të Sartrit atë e tërhiqnin për krahu dhe e mbanin që të mos rrëzohej. Pesë ditë më vonë, trupi i Sartrit do të digjej… në mungesë të pranisë së saj. Ajo e kishte të pamundur. Të rrëzuar nga shtrati, shtirë në dysheme, Simonën e gjetën duke rënkuar tek fliste në delir: «Ah, Sartr… e çuditëshme që je i detyruar të hash një frut kaq të freskët. Duhet të ketë shije. Ndoshta ti do duash ta ndash me mua»…

Po, ajo e vuajti shumë ikjen e tij. “Vdekja më së fundi na ndau. Dhe vdekja ime nuk do të na bashkojë. Kështu qënka: megjithatë ishte bukur që jetët tona ngjizën së bashku” – do të shkruante ajo në rreshtat e fundit të librit të saj Ceremonia e lamtumirës.[9]

Gjer në fund të jetës së saj, Bovuar do te luftonte kudo për çështjen e feminizmit. Ajo iu rikthye përsëri veprës së saj Seksi i Dytë, duke e pasuruar me ide të reja. Por ajo nuk e kuptonte se përse bota letrare e këtij rruzulli e mbante atë si autoren e Seksit të Dytë dhe jo si shkrimtare, meqë kishte botuar dhe shumë letërsi. Por bota kishte të drejtë, pasi kontributi i vërtetë i Bovuar ishte dhe është pikërisht zgjimi i ndërgjegjës feministe, pasi gruaja moderne ende nuk e ka bërë revolucionin e saj të lirisë dhe të barazisë.

Gjashtë vjet më vonë, në të njëjtën ditë të 14 prillit, do të vdiste dhe Bovuar. Ajo vdiq pak hapa nga varrezat ku prehej Sartri. E veshën me robdeshambrin e saj të kuq dhe në kokë i vunë rripin violet që mbante gjithnjë. Në gishtin e saj, miqtë e afërt dalluan unazën e famshme që Nelson Algren i kishte dhënë para se ai të kthehej përfundimisht në Amerikë. Por Bovuar e kishte bërë zgjedhjen e saj: dashuria e saj më e madhe quhej Sartr.

Atë ditë të ftohtë prilli, atë e vendosën krah tij, buzë murit të varrezave, si të mbroheshin nga erërat. Dhe kur arkivoli po ulej në varr, sociologia Elisabeth Badinter iu drejtua turmës: “Gra, ne i detyrojmë asaj gjithçka!” Ishte kjo një thirrje mirënjohjeje për feministen e madhe të atij shekulli dhe të kohrave që vijnë. Dhe kur njerëzit u larguan dhe mbi varrezat e Montparnasse, kur heshtja dhe paqja ranë, Sartri dhe Bovuar rigjetën njëri-tjetrin dhe mbetën sërrish të bashkuar si dikur në të gjallë të tyre, për të dëshmuar edhe pas vdekjes, mitin e një çifti që bëri epokë në emër të lirisë.

5 veprat më të mira (Sartre)

– La nausée

– Huis clos

– Les mains sales

– L’Être et le Néant

– L’idiot de la famille

5 veprat më të mira (Beauvoir)

– La femme rompue

– Le Deuxième Sexe

– Faut-il brûler Sade?

– Mémoire d’une jeune fille rangée

 – La céremonie des adieux


[1] – Atëherë si ndjeheni zoti Sartr?

[2] Lettres à Castor, Jean-Paul Sartre, Ed. Gallimard, Paris.

[3] Organizatë terroriste e drejtuar nga disa gjeneralë për të mos e lënë Algjerinë. Madje ata i bënë atentat jo vetëm Gjeneralit De Gaulle, por edhe Sartrit.

[4] Vanetti ishte një franceze e martuar me një mjek të pasur amerikan dhe punonte për Office of War Information, që merrej dhe me gazetarët.

[5] Lettres à Sartre, Simone de Beauvoir, Ed. Gallimard, Paris, 1990.

[6] Ndërsa për Bovuarin kritikët thonin se ishte «Notre-Dame» e Sartrit.

[7] Ky libër, i botuar në 40 gjuhë të botës është botuar dhe në shqip nga shtëpia botuese «Çabej», me përkthimin e Nasi Lerës. 

[8] Ai e njohu Simonën në vitin 1952 dhe ata u dashuruan gjer në fundin e viteve 50’. Ai ishte një gazetar i panjohur, 27 vjeçar, ndërkohë që Simona ishte 44 vjeç, por që u çmënd nga dashuria për të.

[9] La ceremonie des Adieux, Simone de Beauvoir, Ed. Gallimard, Paris.