Puntori i palodhur i gjuhës

Profesor Remzi Pernaska sapo ishte kthyer nga Shqipëria nga një konferencë shkencore e organizuar mbi veprën e tij nga universiteti «Aleksandër Xhuvani» i Elbasanit me pjesmarrjen e disa akademikëve shqiptarë, kur ne u takuam në cepin e sheshit «Denfert Rochereau» të Parisit. Një ditë e dielltë që turistët e huaj përballë nesh, i kishte nxitur të mbanin rradhë për të zbritur në katakombet e Parisit, pasi pikërisht aty, ku në shekullin e XVII hidheshin kufomat e njerëzve anonimë duke e kthyer atë vend në një varrezë gjigande, çka sot ka sjellë krijimin vetëm të një muzeu të katakombeve.

Me Remziun njihemi mbi njëzetepesë vjet më parë në Paris, atëherë kur ai rivinte për herë të dytë në kryeqytetin francez për tu vendosur përfundimisht, edhe pse ai ka mbetur udhëtar i përhershëm i linjës Paris-Tiranë-Paris. Me të ke dëshirë të bisedosh pasi është një enciklopedi më vete dhe ku studimet, dekadë pas dekade, kanë lënë gjurmët e tyre të pashlyeshme, edhe pse ai është një enciklopedi e heshtur, jo zhurmëmadhe, pa fjalë, pasi vlera për të është në atë se çka ti i sjell shkencës. E them këtë pasi një konferencë e tillë shumë pak e gjeti veten në shtyp, ndërkohë që mediat interesohen më shumë sesi zihen liderët politikë, mbi historitë intime të «vipave», sfilatat, modën, etj, Kamerat mjerisht nxitojnë vetëm pas tyre, duke harruar se gjithçka e jona artikulohet përmes gjuhës dhe gjuha s’mund të bëjë përpara pa shkencëtarët e saj, pa «ustallarët» e saj, se janë linguistët ata që e çojnë, e rafinojnë dhe e dinamizojnë komunikimin, shprehjen, kulturën, pasi gjuha e një kombi është dhe kulturë e atij kombi.

Me Remzi Pernaskën shumë herë ka qëlluar të jemi sëbashku në veprimtari kultuore, të debatojmë për kulturën e historinë, jo vetëm në Paris por dhe në Bruksel, ta dëgjoj të flasë për Çabejin, Domin, Rizën apo për njeriun e apasionuar pas gjuhës shqipe, francezin Lucien Bonaparte. Prej kohësh kam lexuar botimet e tij dhe ja, ky botim i parë që u prezantua në Universitetin e Elbasanit, hap rrugën e tre vëllimeve të tjera mbi gjuhësinë dhe punën e tij shumëvjeçare, vëllime të përfunduara tashmë. Dhe duke u gëzuar kështu për librin e tij «Gjuhësi… gjuhësore», titull intrigues që në fillim, të cilin ai ma dhuron, e shfletoj atë dhe njëkohësisht bisedojmë e kujtojmë vite, kohën e fëmijërisë në një familje patriotike, vitet kur ai u dashurua pas gjuhësisë, ato të adoleshencës kur mësoi frëngjishten në gjimnazin «Raqi Qirinxhi», i cili në vitet ’30 përvijoi Liceun francez të Korçës; bisedojmë për vitet e tij si mësues i gjuhës, kohën si student i rusishtes dhe gjuhës osmane në Moskë e më pas si pedagog i universitetit, si dhe ato ditë të vitit 1974, kur zbarkonte për herë të parë në Paris. Vitet e kanë humbur largësinë mes tyre, edhe pse një tis mjegulle bie tashmë mbi to. Kështu, në bisedën tonë mpleksen kujtime, tituj librash, ngjarje, personalitete, referenca ballkanike, europiane e botërore.

– Duhet të ketë qënë diçka e papritur, befasuese për ato vite, – i them, duke imagjinuar shqiptarët e rrallë që nisën të shfaqen në Francën e «Lumierëve», në atë metropol të Perëndimit, i cili u dukej shumë larg në horizontin e globit.

– Po, vërtet… ne nuk arrinim ta imagjinonim atë çka ishte ky metropol i kulturës dhe politikës. Sigurisht, kishim lexuar, por tjetër është realiteti që e prek, që e shikon drejtpërdrejt. Në vitin 1974 më zgjodhën për të ardhur si lektor i gjuhës shqipe në katedrën që sapo kishte krijuar gjuhëtari i famshëm dhe miku i Shqipërisë Henri Boissin, i cili arriti të krijonte një strukturë më vete brenda gjuhëve ballkanike. Deri atëherë në Institutin e Gjuhëve të Huaja apo «Langues’O», kishte qënë si “repetitor” i shqipes Milto Noçka e një kohë para tij Nuçi Kota, i cili pastaj kishte ikur në Amerikë.

– Viti 1974, vit i përngjashëm me vitin 1984 të Orwell-it, – them duke qeshur… – ju sikur zbrisnit nga një planet tjetër…

– Padyshim, Shqipëria përjetonte izolimin e vet diktatorial, por francezët kishin kërkuar një lektor për gjuhën shqipe dhe shansi më ra mua, meqë njihja mirë frëngjishten dhe njëkohësisht isha gjuhëtar… Më kujtohet që atë natë avioni ynë zbriste mbi aeroportin Orly dhe bashkë me mua ishin Ksenofon Krisafi dhe historiani Thoma Murzaku, të cilët do të bënin disa kërkime arkivore për studime të së Drejtës Internacionale. Kur hodhëm sytë nga xhamat e avionit, pamja ishte e jashtëzakonshme, pasi dukej sikur po zbarkonim në një botë legjende e plot drita. Ishte Perëndimi. Shkuam në “Hotel Eiffel” dhe me të lënë valixhet u nisëm për te kulla e lartë buzë Senës që kishte tërhequr me miliona vizitorë nga e gjithë bota. Më kujtohet që në “Rue de l’Université”, një grua na pyeti se ku ishte «Rue de l’Université» dhe Thomai, duke i treguar tabelën e rrugës, si të ishte një parisian i tha: «Këtu jeni, në “Rue de l’Université»… Ja pra një shqiptar që i tregonte rrugën një parizianeje. Ishte për të qeshur.

– Dhe kuptohet që kjo natë do të hapte një periudhë të re në punën tënde si gjuhëtar, pasi ti do të ishe në kontakt me shkencën e një vendi që ishte në pararojë të studimeve gjuhësore dhe të filozofisë së gjuhës, ashtu si dhe Gjermania, Anglia…

– Sigurisht. Pikërisht në Paris, duke punuar në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale njoha nga afër Henri Boissin dhe Christian Gut, ku ky i fundit, një nga miqtë e mi më të afërt, futi në Inalco emërtesën e «lektorit të shqipes», çka nuk ishte më parë, një strukturë tashmë që mori formë të plotë. Gut kishte qenë dy vjet më parë në Shqipëri, pasi interesohej nga afër për gjuhën shqipe dhe kishte vendosur lidhje me Akademinë e Shkencave, ashtu siç kishte bërë më pare Henri Boissin, një poliglot i madh dhe njohës i shumë gjuhëve dhe kulturave, i cili kishte mbajtur dhe ligjërata në Akademinë e Shkencave.

Remziu hesht një çast dhe duket se pyetjet e mia e çojnë në vite të largëta, atëherë kur me etjen e një gjuhëtari të ri kërkonte të kapte majat e dijes franceze në fushën e gjuhës. Dhe kjo nuk ishte e lehtë. Duheshin netë të pagjumta…

– Ç’është gjuha, – i them thjesht mikut tim, duke e ditur se kjo pyetje rrok një shkencë të tërë apo vetë atë çka përbën themelore tek njeriu.

– Gjuha është mjeti themelor dhe më i rëndësishëm, – më thotë ai, – me anë të të cilit njerëzit shprehen e komunikojnë mes tyre. Pra gjuha është e lidhur ngushtë me mendimin. Ato nuk mund të qëndrojnë pa njëra-tjetrën. Gjuha, materia natyrore e mendimit, është lëvozhga e saj materiale. Ato kanë lindur njëherazi në lashtësi, kushtëzojnë njëra-tjetrën dhe vazhdojnë të kushtëzohen. Për specialistin, gjuha kupton mekanizmin gjuhësor, konstruktin e saj, por në një kuptim tjetër e quajmë ligjërim, pasi ne themi gjuha e letërsisë artistike, etj. Pra, unë e shoh gjuhën dhe si anatomi e njëkohësisht dhe si ligjërim, si fiziologji, d.m.th. vënie në praktikë e këtij mekanizmi.

– Po, por një shqetësim i veçantë i yti ka qenë dhe është shpjegimi i ndërtimit gramatikor të fjalisë, analiza gramatikore, thelbi i vetë ndërtimit të gjuhës…

– Dihet mirë që çdo gjuhë ka veçantitë e saj ndërtimore, . Edhe gjuha shqipe ka veçantësitë e saj. Ajo ka një sistem shumë të pasur formash e ndërtimesh të cilat diku e largojnë dhe diku e afrojnë me gjuhët e tjera. Ja pse lind dhe pyetja: a ekziston një sistem i veçantë gramatikor i shqipes dhe a janë mundësitë e një teorie gramatikore shqiptare? Sigurisht që po, dhe gjuhësia shqiptare ka bërë hapa serioze për tu çliruar nga modelet e huaja. Puna kryesore është rreth morfologjisë dhe sintaksës, objekti i të cilit është studimi i mënyrave të bashkimit të fjalëve në togfjalësha, në fjali.

– Dhe padyshim në punën tënde shumëvjeçare edhe ti ke patur udhërrëfyesit e tu… pararendës të heshtur, por që shkruan emrin e tyre në historinë e gjuhës, kulturës, kombit.

– Sigurisht, si çdo studiues dhe unë kam patur e kam idhujt e mi dhe ja pse shpesh iu rikthehem studimeve të Eqrem Çabejit, Faik Konicës, Selman Rizës.

– Pra shqetësimi yt themelor mbetet ligjërimi…

– Që në kohët e lashta, njeriu është interesuar për ligjërimin, ka menduar për origjinën, “misteret”, natyrën njerëzore. Në fillim filozofët e logjisienët (Platoni, Aristoteli, Dekarti, Hegeli, etj,) e pastaj gjuhëtarët apo psikologët si, Por-Ruajal, Humbold, Sosyr, Pirs, etj. Dhe me kohë, njeriu ka përparuar në zhbirimin e sekreteve të ligjërimit.

– Dhe kjo do të vazhdonte me modernët, e zhvilluar veçanërisht nga idetë pragmatike të Emil Benvenist dhe Roman Jakobsoni nga fundi i viteve ‘50.

– Letërsia për problemet e gjuhësisë të të thënit është mjaft e gjerë, por edhe pse shkencëtarët janë të shumtë, me profilet e tyre të diferencuara, ende nuk ka një tekst që ta paraqesë në mënyrë tërësore e sistematike. Sot nuk ka dukuri gjuhësore që të mos trajtohet nga gjuhësia e të thënit. Pra dhe teksti që unë paraqes, nuk mëton të jetë një tekst i mirëfilltë universitar. Në fakt, në vitet ‘80 unë ndiqja seminaret e Antuan Kyliolisë në Universitetin e Parisit VII, vite kur teoria e operacioneve thënësore e ngjizur më parë nga Kylioli (me origjinë korsikane) po gjente ithtarë gjithnjë e më të shumtë jo vetëm në Francë por dhe në botë. Të gjitha seminaret e tij, unë i kam regjistruar në manjetofon, regjistrime këto që shërbyen për dy doracakë me tekste të traskribuara nga ligjëratat e tij.

– Në vitet ‘70 ti kishe ndjekur seminaret e gjuhëtarëve më të mëdhenj të Francës si të Andre Martinesë dhe të Antuan Kyliolisë, duke paraqitur më pas në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta të Universitetit të Sorbonës një tezë me temë nga sintaksa e gjuhës shqipe si dhe një tjetër në Universitetin e Parisit VII, nën udhëheqjen e teoricienit të ligjërimit Kylioli. Pastaj, për shumë arësye ti vendose të mos merreshe me gjuhësi të përgjithshme teorike, por me gjuhësi të zbatuar. Përse?

– Pas një kthimi nga Parisi në vitin 1982, në një debat të organizuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë mbi “Fjalën dhe kufirin e saj”, gjërat aty u paraqitën si të zgjidhura. Por në mendjen time, si atëherë dhe tani nuk është e qartë njësia e quajtur “fjalë”, pale pastaj kufiri i saj. Atëherë shkrova një artikull mbi trajtat e shkurtëra të përemrave vetorë, thjesht për të pohuar dhe hapur diskutimin se dyjarësia “fjalë/mofermë“ nuk mund të shpjegojë evolucionin në gjuhë.

– Duke iu rikthyer gjuhës dhe debateve të shumta rreth standartit të saj, veçanërisht para disa kohëve, doja të dija se cili është pozicioni yt?

– Për mua është një fitore e madhe krijimi i standartit gjuhësor, pasi ne etninë e mbështesim në gjuhën, ku etnosi mund të jetë tosk, gegë, etj, por është gjuha që i bashkon shqiptarët. Fitorja e standartit, nga disa është cilësuar si një fitore e komunizmit, duke e luftuar atë, çka më duket diçka e gabuar dhe e nxituar. Ndodhi një proçes për ndarje dhe shpërbërje, çka fatmirësisht kjo valë ka rënë. Sot nuk gjen një shkodran që të flasë si Fishta, nuk gjen një korçar që të flasë si Postoli, pasi dialektet janë shumë të afërta…

– Po, dhe unë kështu mendoj… padyshim, leksiku geg është mjaft i rafinuar, po kështu dhe idiomat e tij, çka mund ta pasurojnë jashtëzakonisht këtë standart dhe kjo është puna e linguistëve, gjuhëtarëve, puna juaj.

Ndërkohë unë shfletoj librin, rufis kafenë dhe ja ku ndalem në parathënien e librit, të gjuhëtarit Tomorr Plangarica, i cili i jep një kuptim të bukur figurativ dhe mjaft domethënës për të kuptuar punën dhe kontributin e Pernaskës në gjuhësi, në fushën e ligjërimit, pra gjuhësisë të të thënit. Ai shkruan: «Puna e kujdesshme në shqyrtimin me lupë të dukurive dhe shpjegimi i funksionimit të tyre, i ngjan aktit të një njohësi të mirë të aparateve që matin kohën, i cili,për të të shpjeguar mekanizmin e matjes së kohës, të zbulon brendësinë e aparatit dhe më nge të tregon aty tërë funksionimin e ingranazheve atje; madje edhe natyrën e energjisë që i shtyn dhe i mban ato në veprim. Pernaska duket se ç’monton pjesën e xhamtë të aparatit dhe të paraqet më nge, kujdes dhe qartësi atë brendi që është mbuluar, por që i jep jetë shfaqjes dhe matjes së çasteve të përditshmërisë sonë. Dhe për fat, ai që tregon është dhe zanatçi i zoti, i cilitë tregon parimin e funksionimit të matësit të kohës…»

Padyshim një proçes i ndërlikuar, i gjatë, pasi koha ecën. Përnaskës i duhet një jetë e dytë (dhe unë ia uroj këtë) për të mbaruar korpusin e projekteve të tjera të tij, e ideve të tij, veç atij më kryesorit, Fjalorit, pasi një teori të shtyn drejt një tjetre, meqë dhe gjuha evoluon, gjithçka zhvillohet rreth nesh, nga forca që nuk varen nga ne, apo më tej, që nuk njihen nga shkenca aktuale. Vallë a është thënë gjithçka në teorinë gjuhësore në tërësi?… A nuk thotë vetë ai se “kufiri i Fjalës” është ende i largët? Dhe së fundi pyes veten: a mund të ketë kufij të Fjalës kur në perioda e cikle të mëdha kohore, gjuha njerëzore ka kryer evolucione e transformime kaq të mëdha duke i shtyrë gjithnjë piketat “kilometrike” të saj? Mendoj kështu dhe i them Pernaskës:

– Në bibliotekën time kam një fjalor të Akademisë Franceze me mbi 1500 faqe që i kushtohet vetëm tri gërmave të para: A, B, C… Besoj se një punë e madhe e këtij lloji po bëhet dhe nga linguistët shqiptarë. Por veç kësaj doja të dija nëse gjuha shqipe jep një lloj kontributi në kuadrin botëror të gjuhësisë apo jo?

– Sigurisht, gjuha shqipe ka lëndë interesante për tu analizuar nga gjuhësia e përgjithshme teorike për të vërtetuar përfundimet e saj apo rishqyrtuar disa nga këto përfundime, si p.sh. me trajtën habitore, dëshirore, trajtat e shkurtëra të përemrave vetorë, nyja e përparme e emrit në gjindore, etj.

Ky është libri i parë që hap kapituj të tjerë dhe nga njëri libër në tjetër, të ngjan se ne udhëtojmë në detin e madh të fjalëve, të thënive, komunikimit, në një kohë që shkrirja e akujve në polet e rruzullit do të na sjellë supriza të reja jo vetëm në mënyrën e të jetuarit por dhe të komunikimit, shprehjes, ligjërimit dhe ku territoret nuk dihet se sa do të ndryshojnë. Por ajo që të bije në sy në punën studimore të tij është dhe bibliografia e madhe e autorëve të cituar, ku një vend jo të pakët veç autorëve perëndimorë si Blumfild, Vajsgerberi, M. Leroy (mbi korentet e mëdha të gjuhësisë), J. Ries, M. Cohen, Tesnière, J. P. Desclés, etj, zenë dhe teoricienët e lindjes si O. S. Ahmanova, M. Danes, etj, gjuhëtarë këta të sprovuar në fushën e gjuhësisë teorike botërore. Por sidoqoftë, edhe pse Remziu nuk e pranon këtë, pa qenë specialist i fushës, unë mendoj se pavarësisht nga ndihmesat e pararendësve shqiptarë (Konica, Çabej, Riza, Domi, Xhuvani, etj), apo studimet e bëra në Moskë, prurja shkencore e tij nuk do të ishte kaq e fuqishme pa kontaktet udhërrëfyese të shkencës teorike franceze dhe në veçanti të dy mjeshtërve të tij të drejtpërdrejtë: Antuan Kylioli dhe Andre Martinet. Ishte Kyulioli ai që e udhëhoqi në doktoraturën e tij si “Docteur d’Etat” me temën “Sintaksa e thënies në gjuhën shqipe. Sintaksa e trajtave të shkurtra të përemrave vetorë në gjuhën shqipe”. Ishte Andre Martine që e futi atë në hullitë e teorisë funksionaliste të gjuhës (ku gjuha shihet si funksion), një gjuhëtar botëror që e propozoi Pernaskën si anëtar i “Shoqatës Botërore të funksionalitëve”. Po kështu ishte dhe linguisti Jean-Pierre Desclés që e drejtoi drejt studimeve të formalizimit të operacioneve thënësore.

Paralelisht me teorinë e gjuhësisë (si dhe dy botime të tjera – Glossaire et guide militaire de conversation français-albanais dhe Elements de Grammaire albanais), Remzi Pernaska është marrë dhe me botime të tjera, shkrime mbi personalitetet shqiptare të gjuhësisë apo libri i botuar në Francë “Parlons albanais” (Të flasim shqip) të shkruar në bashkëpunim me Christian Gut, të botuar nga “L’Harmattan”. Po kështu ka përkthyer librin e Luan Starovës “Faik Konica dhe Guillaume Apollinaire – një miqësi europiane” apo librin e Christian Gut “Pashko Vasa”, të cilin gjithashtu e ka ndihmuar drejtpërdrejt në përkthimin e librit Kanuni i Lekë Dukagjinit nga shqipja në frëngjisht, që padyshim mbetet një sprovë tepër e vështirë, kur mendon atë gjuhë sintetike, konçize e figurative të malësorëve të veriut shqiptar. Por sidoqoftë përkushtimi i tij themelor mbetet gjuha, që siç thotë ai “unë kam patur fat që kam pasur si profesor Çabejin, Domin dhe Rizën. Këto figura të gjuhësisë më futën dëshirën për të studjuar në imtësi gjuhën tonë, pra të kalonim nga gjuha në teorinë dhe filozofinë e gjuhës, ku padyshim, një nga filozofët e vërtetë mbetet Faik Konica, i cili i kapërcen caqet kombëtare”.

Ka kaluar pothuaj dy orë dhe papritur Remziu i bën shenjë kamarierit: “Garson!”… Unë s’dua ta lë të paguaj por ashtu siç është ai,gjithnjë bujar, vështirë ta kundërshtosh dhe të shtyhesh, siç ndodh shpesh mes shqiptarëve në kafenetë e Tiranës. E ndërkohë e di që ai do të nxitojë drejt tavolinës së tij të punës, atje në Bourget, pranë Tatjanës së dashur, për të përfunduar sa më parë atë punë të nisur pas shumë vitesh bashkë me dy studjues të tjerë të mëdhenj francezë: Jean-Louis Duchet dhe Christian Gut në kuadrin e Laboratorit Forell të Universitetit të Poitiers. Eshtë fjala për një vepër që ai e quan madhore në jetën e tij, “Fjalori i shqipes”, i cili do të jetë i një standarti të mesëm, që nënkupton të një fjalori prej afro 60 mijë fjalësh. Por nuk mjafton vetëm kjo: si atdhetar që është, mendja i rri dhe tek sheshi Scanderbeg në Paris, ku prej gati 15 vjetësh ai po përpiqet nga njëri president shqiptar te tjetri, nga një kryeministër te tjetri, të bëjë të mundur që një statujë “equestre” e Skënderbeut (pra mbi kalë) të zerë vend atje ku para disa dekadash, një sheshi të Parisit, (në sajë të emigracionit politik shqiptar), iu dha emri “Place Scanderbeg”.

Dalim nga kafeneja dhe përsëri shohim rradhën e gjatë të atyre që zbresin në katakombet e Parisit, në ato varreza anonimësh. Dhe atëherë njeriu mendon se njerëz si Remzi Pernaska, pjesmarrës i shumë konferencave e kongreseve ndërkombëtare në Europë, i japin një kuptim jetës dhe nuk mbeten anonimë të kësaj bote. Ata i japin diçka kombit të tyre, diçka për të përsosur gjuhën dhe kulturën e tij. E kështu, kur këta ustallarë e puntorë të gjuhës e të kulturës janë të shumtë, fytyra e kombit bëhet më spikatëse dhe më origjinale ndër kombet e tjerë. Eci dhe kujtoj imazhe të dhomës së punës së tij, ato qindra dosje që mbajnë tekste, imazhe, vizatime, informacione të mbledhura mbi kulturën shqiptare nëpër vite, nëpër bibliotekat e vjetra të Parisit, nga ajo në Rue Richelieu për dorëshkrimet e vjetra, në bibliotekën “Mazarin” buzë Senës e me thesare të vërteta, në Bibliotekën e Institut de France, në Chantilly, apo në “Bibliotekën François Mitterand”, etj…

Po, atij i duhet dhe një jetë e dytë!…

2 thoughts on “Puntori i palodhur i gjuhës

  1. Thanas L. Gjika

    I dashur Luan me kete shkrim vleresues per Profesor Remzi Pernasken ke hedhur nje tufe lulesh shumengjyreshe mbi te paharrueshmin, zemermadhin dhe gjuhetarin e spikatur Pernaska. Me preke me dashurine qe te karakterizon ne trajtimin e temave. I ke vene ne dukje formimin e tij shkencor, kontributet ne gjuhesi, leksikografi dhe si njeri. Per te gjithe keta aspekte do te shkruhet gjithnje per Remziun, njeriun model te punes se perkushtuar dhe kokulur qe nuk humbi kurre kohe me fjale boshe e biseda kafenesh.
    I perjetshem qofte kujtimi i Remzi Pernaskes qe na ka nderuar e do te na nderoje gjithnje brenda e jashte Shqiperise!

    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *