Poezi nga Marc Chagall

E fejuara ime e bardhë

Ngado që shkoj nëpër pyll

mbi këmbë, mbi duar, këndej e andej

gjethet bien nga pema në pemë,

më zgjojnë dhe kam frikë,

ndërkohë që pikturoj si në gjumë, si në ëndërr,

kur pylli ngarkohet me borë

tabloja ime i ngjan një bote tjetër,

i vetëm prej kaq vitesh këtu qëndroj

dhe një mrekulli pres të shfaqet

te më ngrohë, frikën të ma largojë,

nga të gjitha anët pres që ti të vish drejt meje

dhe atëherë të fluturoj

me ty të ngjitem në shkallaren e Jakobit

sipër reve, ti, e fejuara ime!

Në tokë

Do doja të përmbushja ëndrrën tënde

dhe të tregoja një të vërtetë tjetër

në dritën tënde

ngjyrat e mia të merrja…

Si një barbar

Atje ku shtëpitë e përkulura ngjishen,

atje ku shtegu ngjitet drejt varrezave,

atje ku rrjedh një lumë i gjerë,

aty kam ëndërruar jetën time,

natën një ëngjëll fluturon në qiell,

ku një dritë e bardhë rrufeje mbi çatitë

më thotë se përpara kam një udhë të gjatë,

të gjatë,

drita emrin tim do e çojë lart çative

populli im për ty unë kam kënduar

nuk e di nëse kjo këngë të pëlqen

por një zë më del nga mushkëritë,

nga trishti dhe lodhja,

mbi ty pikturon lule e pyje

njerëz e shtëpi,

si një barbar fytyrën tënde pikturoj me ngjyra

natë e ditë të bekoj populli im!

(shqipëroi L. Rama)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *