Paul Celan – “Todesfuge”

«Todesfuge» recitohet në Bundenstag

                                                             In memoriam për Paul Celan në 100 vjetorin e lindjes

Në përvjetorin e «Natës së kristalit»[1]

Fuga e vdekjes u recitua në Bundenstag

Todesfuge… e kënduar nga Paul Celan

me vargjet e Margaritës e Sulamit

që pikëlluan në ngjizmën e kujtesës.

Ku është qumështi yt i zi Celan

ai i kampit të makthit të madh

qumështi për vajzën me flokë prej hiri

nga shkrumbi i zjarrit universal?

Ku janë ëndrrat e tua të përcëlluara

pleksur me një fugë të Bahut dhe një psallm hebraik

puthur bashkë

në telat e ftohtë të Dachaut, Aushvitz, Mathausen…?

Të lexosh sot «fugën» tënde Celan,

do të thotë të qash përsëri

të rrënqethesh dhe të të çahet shpirti

si shegë e hapur mes hirit të zi

ku gjaku është mpiksur,

do të thotë të mallkosh ende

dhe të mermëritësh këngë zie,

të fshish lotin e përcëlluar të «Natës së kristalit»

I ëmbli Celan,

ti nuk e mbajte dot barrën e tmerrshme të shkatërrimit

dhe nuk mund ta dëgjoje më ehon e apokalipsit,

barrën e tmerrshme të humbjes së prindërve

në llohën e holokaustit që binte përmbi botë,

atë dorë të atit që tu zgjat

dhe që ti s’munde ta prekje dot,

nuk munde t’i harroje oxhaqet që villnin qumështin e zi…

Një natë plot yje, mbi Seine,

nga ura e gurtë Mirabeau,

atje ku Apollinaire me kohë kishte shkruar

në shtroje vargjesh e dashurish të harruara,

ti fluturove si në një tablo të Chagall

në kërkim të prindërve të tu.

Todesfuge u recitua dje në Bundestag

ndërsa unë dëgjoja ende dënesën e Seine-s

dhe 50 vjet më pas…


[1] Në «Natën e kristalit», siç hyri në histori (Reichskristallnacht), e cila ndodhi në natën e 9-10 nëntor 1938, në Gjermani u shkatërruan nga nazistët 200 sinagoga, 7500 dyqane u bastisën dhe qindra hebrenj u vranë e u arrestuan. Ishte fillimi i progromit të madh për zhdukjen e hebrenjve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *