Omer: trungje, koka dhe eros

Imagjinoni një çast jetën e njerëzmit pa pemët, pyjet, drurët, lëndinat. E pamundur… Ka një ngjizmë jetësore mes tyre.Herë-herë, duke vështruar pemët dhe trungjet e tyre, deformimet e tyre, mendon se dhe në jetën e pemëve që nga lindja gjersa shuhen është i njëjti cikël zhvillimi. Dhe deformimet e tyre, shtrembërimet, gungat dhe çdo plagë mbi to flet për zhvillimin e jetës dhe luftën e saj, çka deshifrohet dhe në rrathët e një trungu të prerë. Shumë piktorë, që nga afresket e Pompeut e deri më sot iu janë referuar pemëve dhe një nga këta piktorë është dhe Omer Kaleshi. Pikëtakimi i tij piktural me trungjet e pemëve ka pothuaj dhjetë vjet që ka ndodhur, atëherë kur një sëmundje e madhe e platanëve dhe gështenjave të egra në Bulevardin Arago të Parisit, bëri që dhjetra platane të priten dhe në peisazhin e “Boulevard Arago” dhe “Boulevard de l’Hôpital”. E meqë Omeri e bënte çdo ditë atë rrugë për të shkuar nga “Place des Gobelins” në Montparnasse, shpesh qëndronte dhe shikonte me dhimbje ato trungje pemësh me zgavrat e tyre të zeza. Madje një ditë pata rastin ta shoqëroj në atë shëtitje duke e fotografuar mes atyre trungjeve. Më pas, ishte një miku i tij turk që i tregoi për filizat e gështenjave që Turqia i kishte dhuruar Parisit, të cilat ishin vendosur dhe në bulevardet pranë atelierit të tij. Madje në një poezi të tij, poeti i famshëm Nazim Hikmet i këndonte dikur këtyre gështenjave: “Nëse janë ende gështenjat e ardhur nga Stambolli/ tani duhet të jenë dy shekullore/ dhe unë do doja të shtrihesha nën hijen e tyre”

Prerja e tyre ishte padyshim e dhimbshme. Kishte një lloj trishti e tragjizmi. Por shumë shpejt ato trungje të prera hynë në tablotë e Omerit dhe jo vetëm si trungje të prera. Ne rrethin e tyre shfaqeshin portrete të ndryshme njerëzore, sikur piktori të donte tu jepte një jetë të dytë. Pikërisht këtë seri të madhe tablosh ai e ekspozoi në sallën e Bashkisë së Parisit XIII. Por aventura me trungjet e pemëve dukej se do të vazhdonte.

«E kisha lexuar disa herë «Traktati e Pikturës» të Leonardo Da Vinçit lidhur me artin dhe teknikën e pikturës, – më thotë Omeri, – dhe kisha ndaluar në thëniet e tij që edhe në muret e vjetër, retë apo gurët, mund të shohësh çuditërisht imazhe si fytyrat njerëzore… Dhe ai kishte të drejtë se jo rrallë ne shohim shëmbëlltyra njerëzore në objektet që na rrethojnë, ndoshta rastësisht por përngjasimet janë, siç i shohim dhe tek pemët, me të cilat njeriu ëshë i lidhur aq shumë. Dhe unë pyesja veten: përse Leonardo kur kishte folur për retë, muret e vjetra, gurët, nuk kishte folur për pemët, trungjet? Vallë kishte harruar? Pasi në jetën e tyre, në transformimet e tyre nga stuhitë, thatësira, rrufetë, sëmundjet ato nisin të mbartin çikatriçet e tyre, të deformohen, të ndryshojnë aspektin e tyre fillestar de të marrin forma të tilla ku ne jo rrallë shohim përngjasime me një profil njeriu, hundën e tij, veshët, buzët apo vithet. Natyra është e çuditshme!»

Pas gati dhjetë vjetësh nga tablotë e para që ai krijoi me temën «koka dhe trungje», në këto kohë të pandemisë të mars-korrik 2020, në këto kohë të mbylljes e izolimit, duke pikturuar një tablo me një kokë që shfaqej nga thellësia e errët e një trungu, ai mendoi se s’do të ishte keq të bënte një seri të tillë? Por kjo seri do të kishte diçka të veçantë: trungjet e pemëve do ti shikonte në mënyrë erotike: vithe të dala, buzë, përqafime të dashuruarish, gjinj, shtatzania femërore…

Në vështrim të parë dhe nga larg ky erotizëm nuk bie në sy nga ai që e shikon shkarazi, duket se piktori e ka mbajtur disi dorën e tij për të mos shkuar me tej, më thellë në erotikën e dashur, por megjithatë, kur u afrohesh tablove që janë të dimensioneve të mëdha, përgjithësisht 100x73cm nis të zbulosh se në atë trung të errët në sipërfaqe, me gropën e tij të zezë sipër të cilës shfaqet një femër, gjithnjë një portret ndryshe, tashmë dallon se ai trung deri poshtë, në vazhdimësinë e tij, është shndruar në një personazh, me imazhin e një trupi njerëzor. Duket se Omeri ka dashur tu japë këtyre trungjeve të prerë nga fati ekzistencial, një jetë të dytë. Dhe përsëri pyesim veten: a nuk ngjasojnë pemët më njerëzit? Me lindjen e tyre, zhvillimin, lulëzimin dhe mplakjen e tyre gjersa filiza të rinj rishfaqen për të vazhduar këtë jetë përjetësisht?…

Kështu ndodh me artistët: ka piktorë si Eugène Boudin që ishte i dashuruar me retë në brigjet e La Manche, të tjerë me anijet nëpër oqeane, me perëndimet, me jetën fshatare të fushave, etj, ndërkohë që për Omerin, pemët, trungjet, janë bërë një objekt i veçantë piktural.

«Deri tani kam punuar 10 tablo, – thotë Omeri, do bëj dhe tre të tjera. Telajot i kam gati…”

Vështroj tablotë e Omerit dhe ndjej atë afërsi të jashtëzakonshme të tij me pemët dhe natyrën. Ai më tregon për adoleshencën e tij kur shkonte në pyll për të mbartur dru dhe mbresat e mëdha që linte mbi të pylli, drutë e aheve dhe lisave, natyra, lulëzimi i tyre, pemët në pranverë apo drurët në vjeshtën e artë dhe dimrin, mbuluar nga bora… Kujton gjithnjë atë lis gjigand të Zhubrinës kur shkonte me atin e tij. Me drurin ishte e lidhur në mënyrë të veçantë jeta e tyre fshatare. Dhe jo vetëm me Omerin, por kjo ndodhet dhe për piktorë të tjerë. Amedeo Giaccometti duke folur rreth veprave të tij dhe veçanërisht për kompozimet “La Place”, theksonte se “kompozimi “La Place” me shtatë figura njerëzore ishte në sajë të kujtimit të një cepi pylli që e kisha parë prej vitesh në fëmijërinë time, pemët me trungje të xhveshura, pa degë gjer pothuaj në majë të tyre e që më ngjanin si qenie njerëzore, personazhe të palëvizshme në ecjen e tyre duke folur me njëri-tjetrin. Po kështu ishte dhe vepra “La Place” me nëntë figura e realizuar nga mbresa që pata dikur para një lirishte (një livadh disi i virgjër me pemë e shkure) që më tërhoqi shumë. Doja ta pikturoja menjëherë por pastaj shkova dhe kështu më mbeti pengu që po e humbja atë imazh…” Por ja që kujtesa njerëzore ia sjell përsëri artistit, ashtu si Omerit tërë ato koka-portrete majë trungjeve që janë mbresa dhe fytyra njerëzish që i ka njohur në fëmijërinë dhe rininë e tij. Papritur Omeri më tregon një nga tablotë dhe më thotë: “E shikon këtë tablo? Portreti i kësaj vajze, kur e pashë të mbaruar më kujtoi një përngjau me portretin e një vajze pikturuar nga Françisko Goja…”

Pema në pikturë nuk është diçka e re, madje që në Quatroçento-n italiane, piktorët nisën ti fusin ato në tablotë e tyre siç ishte Giotto me tablotë “Kënga e zogjve” apo “Joakimi mes barinjve”, siç ishte Boticelli me tablotë e famshme të tij si “Nastagio degli Onesti” apo “L’Anononciation du Christ” e më pas, veçanërisht me periudhën e romantizmit që i dha pemëve një vend të dukshëm siç ndodhi me “shkollën e Fontenblosë” apo me piktorët Constable e më pas më Cezanne, Corot, Monet. Mondrian krijoi  tablotë e tij moderne “Pema blu” dhe “Pema gri”; Klimt i pikturoi pemët në mënyrën e tij dekorative. Pemët janë dhe do të mbeten padyshim një frymëzim për artistët…

Atelieri i Omerit këto ditë ka rënë në qetësi. Një heshtje që flet dhe unë e ndjej se çdo të thotë ai… trungje pemësh, eros, krijesa që shfaqen, sikur të dalin nga thellësitë e tyre, nga heshtja e përbotshme që ai do ti ringjallë dhe tu japë frymë, atyre dhe vetvetes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *