Oktaviani i Apollonisë dhe Augusti i Romës

Kur arkeologu francez Léon Rey, në fillimin e viteve ‘30 të shekullit XX zbulonte në qytezën antike të Apollonisë një nga skulpturat me fytyrën e perandorit August, i pari perandor i Romës, ai e kuptoi se kjo skulpturë e ngritur diku në mes të qytetit ishte jo vetëm një vepër arti e Akademisë së Artit të Apollonisë por dhe një dëshmi e lidhjes së fuqishme që kishte patur ky qytet me këtë perandor, i cili në rininë e tij kishte jetuar në shtëpitë e këtij qyteti. Përshkrimi i Rey-it në ditarin e tij gjatë një prej ekspeditave të përvitshme në Apolloni është mjaft interesant: “Dora zbulon mermerin dhe duke u dridhur, ajo ndjek shtegun që ka lënë dalta mbi të. Ja tashmë tek qëndron ashtu siç e ka krijuar vetë artisti. Burri i veshur me togën e madhe duket sikur po zbret drejt qytetit që tashmë nuk ekziston më. Ai është i ri dhe i bukur. Vallë është Oktaviani, “Augusti” i ardhshëm, i cili bëri studimet në këtë qytet? Hipoteza duket tërheqëse…”. Disa ditë më pas, Rey gjeti një kokë tjetër mermeri në të cilën vërtetoi se ishte pikërisht e Oktavianit (Augustit), pasi një e tillë, e ngjashme, me të njëjtën shprehje, ai e kishte parë në muzeun e Firences.

Ky personazh historik, është një nga figurat më të shquara të dymbëdhjetë Cezarëve që flet historiani romak Sueton në librin e tij Jeta e dymbëdhjetë Cezarëve. Historianët e Republikës së Romës dhe më pas ata të Luftës Civile dhe të kohës imperiale, shkruajnë pak për kohën e qëndrimit të Augustit në Apolloni, i cili në atë kohë kishte emrin Oktavian. Oktaviani kishte lindur në Romë më 23 shtator të vitit 63, para erës sonë dhe prindërit e quajtën Caius Octavius Thurinus. Ai ishte biri i Atia-s, mbesës së Cezarit dhe i Gaius Octavius, i cili ishte guvernator i Maqedonisë së pushtuar në atë kohë nga ushtritë romake. Pas luftës në Maqedoni, bashkë me disa legjione, Cezari e dërgoi Oktavianin në Apoloni që të ndiqte Akademinë Ushtarake. Bashkë me të ishte dhe Agrippa, i cili do të bëhej më vonë një nga gjeneralët më të shquar të perandorisë augustiane. Por Roma atëherë ishte ende Republikë. Ishte viti 45 para erës sonë dhe Apollonia bashkë me Dyrrachiumin, ishin dy nga qendrat më të fuqishme të bregut të Ilirisë. Në rrethinat e Apollonisë, pak vite më parë Cezari kishte ngritur kampin e vet dhe kur kishte hyrë në qytet, ushtarët e legjioneve romake por dhe banorët e kishin brohoritur ardhjen e tij. Luftrat kundër legjioneve të Pompeut njihen tashmë si, ato në afërsi të Apollonisë ashtu dhe në rrethinat dhe kështjellën e Durrës, për të përfunduar pastaj në Farsale të Maqedonisë, ku Pompeu u mund plotësisht.

Original Caption: Sculpture of Augustus (63BC-14AD), first Emperor of Rome and Grand-Nephew of Julius Ceasar. He defeated Mark Antony and Cleopatra and gained control over the empire. BPA2# 4219.

Oktaviani ishte veçse 19 vjeçar kur erdhi në Apolloni, në një kohë kur sapo ishte sprovuar luftrat e Maqedonisë. Meqë nuk kishte fëmijë, Cezari mendonte gjithnjë që atë ta bënte trashëgimtarin e tij, prandaj dhe e dërgoi nipin e vet të përgatitej nga ana ushtarake, të ushtronte artin e kalorësisë e të mësonte strategjinë e luftës. Apollonia atëherë ishte një qytet i lulëzuar, të cilën e kishte vizituar dhe kishte qëndruar pak vite më parë Ciceroni, i cili e cilësonte atë “Magna urbis et gravis”, (“Një qytet i madh e i rëndësishëm”). Krahas banorëve, apoloniatëve në qytet ishin dhe krerët ushtarakë, guvernatori, magjistratët, etj, ndërkohë që forcat ushtarake ishin në kampet e ngritura në fushat që rrethonin qytetin. Imagjinoni një çast 80 mijë ushtarët e Cezarit, që kishin rrethuar qytetin prej pak kohësh, pamje që ndoshta sot e tejkalojnë imagjinatën tonë. Qyteti i Apollonisë kishte atëherë një Agonothet, siç e shohim një pjesë të tij të zbuluar nga Rey dhe të ringritur disa dekada më parë nga arkeologët shqiptarë, (një pjesë e fasadës),. Po ashtu ishte Odeoni, Buleterioni, banjat, Nimfeu, tempujt e ndryshëm, siç ishte dhe ai i Apollonit, Dianës, Demetras, etj. Monumentet e statujat e shumta të Erosit, Heras, Hermesit apo Meneadat, gjallonin rrugët me kalldrëm. Pllakat e mermerit ishin të mbushura me dedikime e mbishkrime të ndryshme. Në qytetin e ngrohtë e plot diell pranë detit ishin sallat e hapura të muzikës, vendet e kultit, altarët në abside, kamaret dhe muret e trashë rrethues, akuaduktët që sillnin ujë, etj. Rrugët e Apollonisë gumëzhinin nga njerëzit, tregjet, prostitutat, (më të shumtat gjendeshin atëherë në Dyrrachium, i cili kishte një nam të madh për pasurinë e shumëllojshmërinë e tyre), pasi pranë Apollonisë ishte porti ku zbarkonin anijet që vinin shpesh nga Brindizi dhe qytetet e tjera të Mesdheut. Oktaviani, (apo Oktavi, siç e thërrisnin jo pak miq në atë kohë), ishte një djalosh shumë i bukur. Në librin për jetën e tij, historiani Sueton shkruan se “Ai kishte një bukuri të rrallë, bukuri të cilën e ruajti gjatë gjithë jetës… Sytë e tij ishin gjithnjë të gjallë e të shndritshëm, madje ai të bënte të besoje se shikimi i tij kishte diçka hyjnore. Kur mori titullin August dhe e fiksonte shikimin e tij tek dikush, ai kishte dëshirë që tjetri ta ulte kokën, si i verbuar nga dielli”. Kur më 1869 arkeologu franko-zviceran Alfred Gilliéron, (ashtu si më parë reverendi anglez Hugues apo koloneli britanik Martin Leake më 1806), vizitonte Apolloninë, nuk harron të flasë për kohën e lavdishme kur Augusti kishte studjuar artin ushtarak në Apolloni: «Përballë heshtjes mistike harroj që këtu ka qenë streha e studimeve të djaloshit Oktav, i cili ndoshta do ta kishte transformuar këtë kodrinë në një Akademi të Muzave»…

Arkeologu francez Eric Follain, i cili kohët e fundit botoi në revistën franceze “Archeologia”, një studim mjaft interesant për Apolloninë, ka krijuar dhe sjellë në faqet e kësaj reviste, pamje sintezë se si kishin qenë në të vërtetë shumë prej ndërtesave kryesore të Apollonisë së asaj kohe, nga të cilat kanë mbetur veçse rrënoja, pasi gurët e tyre, siç na dëshmon në kujtimet e tij arkeologu Rey por dhe arkeologët e tjerë francezë si, Léon Heuzey, janë marrë me qerre nga pashallarët e Beratit për t’i përdorur për themelet e sarajeve të tyre. Po në këtë mënyrë u morën dhe gurët e tempullit të Dianës, një tempull tepër i veçantë në historinë e arkitekturës së asaj kohe, me gjashtë shtylla të mëdha dhe të larta, nga e cila në shekullin e XIX kishte mbetur vetëm një prej tyre, që me sa duket nuk kishin arritur ta shembnin, (ja pse dhe ai fshat që do të krijohej aty, më pas do të quhej Shtyllas). Sidoqoftë, në mes të qytetit ishte dhe obelisku i Apollonit, tempull të cilin Oktaviani e gjeti në Apolloni dhe kur u bë perandori i parë i Romës, një kopje e këtij tempulli u vendos në pallatin e tij, në Palatin. Pikërisht aty pranë Apollonisë kishte parë dhe zjarret e Nimphaeum-it dhe kishte dëgjuar padyshim për legjendën e Evenios për të cilën flitej ngado, një legjendë që e përmend dhe Herodoti në shënimet e tij historike. “Në Apoloni kishte bagëti që i ishin kushtuar diellit. Çdo vit, një nga banorët e zgjedhur, natën ruante bagëtitë. Por një natë, kur ishte roje Evenios, ujqit kishin ardhur në vathë dhe kishin coptuar 60 prej tyre. Atëherë, prijësit e Apollonisë, bariut Evenios i krryen sytë. Mirëpo bagëtia filloi të shkretohej dhe tokat të mos prodhojnë më. Njerëzit shkuan te orakujt e Dodonës dhe të Delfit dhe u ankuan për këtë. Orakujt u thanë se kjo kishte ndodhur, pasi ata i kishin kërryer sytë Evenios. Pra ata duhej të kënaqnin dëshirat e tij në mënyrë që ai vend të bëhej sërrish i shenjtë. Njëri nga prijësit e atij vendi u ul një ditë pranë Evenios së verbuar dhe e pyeti si rastësisht se çfarë do të donte në këtë jetë. Evenios i foli atij për toka dhe shtëpinë më të bukur të qytetit. Atëherë ata ia dhanë ato dhe që atëherë, vendi u bë përsëri i shenjtë.”

Ashtu siç kishte legjionarët dhe magjistratët e tij, ky qytet kishte dhe skllevërit që mbanin me vete legjionarët, të cilët i ndiqnin nëpër ekspeditat e tyre. Siç shkruan historiani francez Pierre Cosme rreth Apollonisë së Ilirisë në librin Auguste, “Apollonia nuk ishte vetëm një qytet garnizoni ushtarak për trupat ku Cezari mendonte të niste ekspeditat e mëdha kundër dakëve dhe partëve. Edhe pse nuk kishte shkëlqimet e Athinës, Aleksandrisë dhe Pergamos, Apollonia ishte një qendër e kulturës, ku Oktaviani u shoqërua nga Apollodori i Pergamos…” Pikërisht në Apolloni, pohon ky studiues dhe biograf i Oktavianit, (August), “nipi i Çezarit njohu astrologun e famshëm Theogjen, i cili i thotë Oktavianit se shikon për të një të ardhme të shkëlqyer dhe të jashtëzakonshme”. Këtë informacion e kemi dhe nga historiani romak Sueton, i cili e shkruan këtë dhe në librin e famshëm të tij ashtu si dhe nga shumë historianë të tjerë të kësaj epoke. Në librin e tij Hyjnori Auguste, Sueton shkruan se “Gjatë kohës së tij në Apolloni, bashkë me Agrippa-n, ai shkoi në observatorin e Théogène. Pasi dëgjoi dhe pa horoskopin e Agrippa-s, ai i tha se kishte përpara një të ardhme të shkëlqyer. Oktaviani nuk kishte folur për horoskopin e tij, nga frika apo nga turpi se mos parashikimi i Théogène nuk do të ishte si ai i mikut të tij por pas nxitjesh të shumta dhe hezitimesh, Oktaviani i tregoi Théogène-it dhe ai u habit menjëherë për fatin që e priste atë. Më vonë, Auguste kishte një besim të jashtëzakonshëm në të ardhmen e tij, madje prodhoi monedha që kishin konstelacionin e lindjes së tij me atë të konstelacionit të dhisë”.

Në Apolloni, Oktaviani njohu dhe Mecenën, një figurë tjetër e kësaj kohe, i cili do të bëhej këshilltari më i ngushtë gjatë gjithë jetës së tij si konsull dhe pastaj si perandor. Ishte pikërisht Mecena, (nga vjen dhe termi i mecenatit, mecenëve të artit, etj.), i cili e shtyu Augustin që ta shndërronte Romën në një qytet plot shkëlqime, duke i dhënë një nxitje të jashtëzakonshme ndërtimeve të mëdha, ngritjes së tempujve, monumenteve, banjave publike, etj, aq sa në historinë romake, kur flitet për kohën e Augustit thuhet “shekulli i Augustit të shenjtë”. Që nga ajo kohë ka mbetur shprehja: “Augusti e gjeti Romën me tulla dhe kur vdiq e la me mermerë të bukur”. Apiani, nga ana e tij, në librin “Histori romane-Luftrat civile,, duke treguar për jetën e Oktavianit, shkruan se «Oktaviani, biri i vajzës së motrës së Cezarit ishte bërë një “hipparque” i Cezarit përgjatë një viti, sepse Cezari e kishte kthyer këtë funksion vjetor që të ushtrohej nga miqtë e afërt të tij. Oktaviani ishte ende djalosh kur u dërgua nga Cezari në Apolloni dhe në gjirin e detit Jon. Atij iu dërguan trupa e kuaj me qëllim që të stërvitej dhe shpesh oficerë të shumtë shkonin ta takonin meqë ishte i afërt i Cezarit. Ai i priste të gjithë me mirësjellje, çka forcoi miqësinë e tij me ata dhe ushtrinë. Por gjashtë muaj më vonë, një mbrëmje atë e lajmëruan se Cezari ishte vrarë në Senat nga ata që ishin miqtë më të shtrenjtë të tij dhe që ishin më të fuqishmit, pas tij”.

Nga porti vinin gjithnjë të rejat e Republikës. Pikërisht në ditët e marsit të vitit 44 p.e.s., një anije mbërriti në portin e Apollonisë dhe menjëherë në qytet u përhap lajmi se Cezari ishte vrarë nga Bruti (Brutus), njeriu të cilin ai e mbante si një ndër më besnikët. Padyshim që për Oktavianin ishte një lajm i tmerrshëm vrasja e Cezarit, i cili sapo e kishte proklamuar atë si trashëgimtarin e tij pas vdekjes, duke i lënë trashëgim gjithçka, me shpresë se pikërisht Oktaviani do të merrte në duar drejtimin e Romës dhe do të vazhdonte stafetën e lavdishme të tij. Njëkohësisht me lajmin dhe konfuzionin që krijoi ky lajm në Apolloni, në datën 20 apo 27 mars të atij viti Oktavianit i erdhi dhe një letër nga nëna e tij, Atia, e cila e porosiste që të mos nxitohej dhe të mos nisej për të luftuar kundër vrasësve të Cezarit, por të qëndronte disa kohë në heshtje sa të qetësohej situata. Nga ana tjetër, të gjithë oficerët e komandantët e legjioneve romake që ishin në Apolloni, vinin pranë Oktavianit dhe i kërkonin veçse shpagim, duke i premtuar besnikëri deri në vdekje. Por a do të mundte ai që të fitonte ndaj ushtrive të shumta që kishin Mark Antoni dhe Bruti në Romë dhe në vendet e pushtuara si në Maqedoni, Greqi e gjetkë? Agrippa dhe miku tjetër Salvidienus Rufusi, një figurë e kohës imperiale, i kërkonin me këmbëngulje që ta linin Apolloninë menjëherë dhe të niseshin bashkë me legjionet drejt Brindizit përmes “Via Appia” e pastaj drejt Romës, me bindjen se dhe legjionet e tjera romake që do të ndeshnin rrugës do të bashkoheshin me ta, meqë vrasja e Cezarit i kishte prekur të gjithë. Por këshilla e nënës ishte më e fortë sesa revolta e momentit. Ato netë, kampet rreth qytetit ushtonin nga thirrjet për t’u nisur drejt luftës. Këtë moment të vështirë në jetën e Oktavianit e kujton dhe historiani Velleius Paterculus në librin e tij Historia romane: “Pas përfundimit të luftrave civile, Cezari e kishte dërguar në Apolloni që të mësonte disiplinat liberale dhe të zhvillonte talentet natyrore që kishte ky djalosh i ri i jashtëzakonshëm, në mënyrë që më pas, Cezari ta kishte si shok armësh në fushatën e mëvonshme kundër Gètes e më vonë kundër Parthes. Kur mori vesh lajmin e vrasjes së dajës së tij, edhe pse “centurione”-t e legjioneve që ishin vendosur aty i premtuan ta mbështesin në luftën e tij. Edhe pse Salvidienus dhe Agrippa i thanë që të pranonte kërkesat e tyre, ai nxitoi të shkonte në Qytet, ku më së fundi mori vesh të gjitha detajet e vrasjes dhe e testamentit që i kishte lënë Cezari”.

Më së fundi Oktaviani u nis, i shoqëruar nga miqtë e tij më të ngushtë, Agripa, Mecena, Rufusi si dhe disa legjione romake, të cilat e kishin shoqëruar dhe nga Maqedonia në Apoloni. Me vete kishte marrë dhe mësuesin e tij Apollodore, i cili ishte në moshë të thyer. Në ditët e para të prillit të atij viti, ai mori anijet në portin e Apollonisë dhe u nis drejt Brindizit. Para vdekjes, i ati i kishte treguar Oktavianit se ditën që festonin fitoret e Cezarit, (Ludi Victoriae Caesaris), ai kishte parë një kometë. “Ajo kometë je ti biri im, që do të shkosh në botën e të shenjtëve”, i kishte thënë i ati. Oktaviani po i drejtohej Romës, i vendosur për të mos bërë luftë. Vallë a do të realizohej parandjenja e të atit me atë kometë të shndritshme që kishte parë në qiell? A nuk i kishte thënë dhe astrologu Theogène-n në Apolloni se ai do të bënte një karrierë të shkëlqyer dhe se e ardhmja e tij do të ishte e ndritur? Kushedi… E megjithatë, parandjenja e atit të vdekur do të realizohej. Po si? Ç’ndodhi me Oktavianin më pas? Në librin e tij “Historia natyrore”, Seneka, duke iu referuar kthimit të Oktavianit në Romë, shkruan: “Thuhet se ditën kur hyjnori August u kthye nga Apollonia dhe hyri në Qytet (Rome), rrotull diellit u shqua një rreth shumëngjyrësh. Këtë grekët e quajnë “halo”, çka ne mund ta quajmë “kurorë të shndritëshme”.

Me të mbërritur në Romë gjëja e parë që kërkoi Oktaviani ishte që të merrte trashëgiminë që i kishte lënë me testament Cezari. Pas kësaj ai bëri shumë miq përreth duke e shpërndarë pasurinë e lënë nga Cezari dhe u afrua me Mark Antonin, me të cilin kishte luftuar në Maqedoni, por shumë shpejt u nda nga ai. I mbështetur nga Ciceroni që e urrente Mark Antonin, formoi rreth vetes një ushtri me të cilën luftoi kundër Mark Antonit në Modena, betejë ku vdiqën dy konsuj të Republikës. Brutus ndërkohë e kritikoi ashpër Ciceronin meqë u rradhit krah Oktavianit: “Idea që të ketë një patron mbi vete Ciceronit nuk i pëlqen, – shkruante Brutus, – dhe ajo që ka frikë është një patron që e urren. Politika e tij është të zgjedhë një skllavëri me fytyrë njeriu. Ja pse ai deklaron se Cezari i ri është i mrekullueshëm…» Në fakt Ciceroni e kishte frikë një luftë të re civile. Atëherë Ciceroni i propozoi Senatit që krahas tij të ishte konsull dhe Oktaviani dhe së bashku të drejtonin Republikën por për shkak të moshës së re Senati nuk pranoi edhe pse në luftën e Modenas, ushtarët, në ditën e fitores e kishin brohoritur atë si «Imperator». Meqë Senati nuk pranoi, i zemëruar Oktaviani u bashkua sërish me Mark Antonin. Atëherë, Brutus, i zhgënjyer nga atmosfera në Romë vendosi ta lerë Italinë dhe shkoi në Athinë ku u prit me entusiazëm nga ushtarët. Ai i bëri për vete të gjithë ushtarët që kishin mbetur nga Pompeu, por ndërkohë e njoftuan se Caius, vëllai i Mark Antonit ishte nisur me anije nga Italia dhe sapo kishte zbarkuar në Apolloni ku i ishin sulur trupave të Vatinius që ishin aty dhe në Epidamn. Nuk vonoi shumë kohë dhe Oktaviani i dhënë fund Republikës dhe duke krijuar «Triumviratin» do të ishte më së fundi fuqia supreme. Pikërisht në atë kohë, njerëzit e Mark Antonit do të vrisnin Ciceronin që largohej i tmerruar nga Roma por dhe Mark Antoni do të mundej disa vite më pas nga Oktaviani, në luftën detare të Aktumit që u zhvillua në brigjet joniane në vitin 30 para erës sonë. I kthyer fitimtar në Romë, për të shpërblyer kujtimin dhe ndihmën që i kishin dhënë apolloniatët në kohën e qëndrimit të tij atje, ai e shpalli Apolloninë «Qytet i lirë», pra pa taksa dhe i pavarur në njëfarë forme nga Roma por gjithnjë aleate e saj. Dy vjet më vonë, në vitin 28, Senati e shpalli Oktavianin «Princeps senatu», (Senator i parë) dhe një vit më vonë e shpalli «August», (të Shenjtë), pra perandor.

Mjerisht shekuj më vonë Apollonia do ta humbiste shkëlqimin e saj: luftrat, tërmetet, braktisja e qytetit, bënë që Apollonia të mbetej thjesht një vend kulti por që në epokën osmane do të binte në një errësirë të plotë dhe do të rrënohej e përmbytej nga balta. Ata të huaj, konsuj, arkeologë, historianë e gjeografë që e vizituan atë në shekullin e XIX, mezi arritën të shohin veçse disa gjurmë që kishin mbetur nga koha e lavdishme e Oktavianit… Sekretet që fsheh Apollonia në vetvete janë ende të mëdha. Arkeologët e sotëm dhe ata të nesërm ndoshta do të na zbulojnë gjurmë të reja jo vetëm të Oktavian-Augustit por dhe të bashkëluftëtarëve të tij të lavdishëm që jetuan në Apolloni, nga Ciceroni e më pas Bruti, Agripa, Mecena, Rufusi, prijësit e legjioneve të tmerrshme, etj., çka e bëjnë këtë tokë të Ilirisë së lashtë, këtë qytet të themeluar nga kolonitë greke të Korintit dhe Korkyrës që në shekullin e V para erës së re, një vend me “bëma të pagoja”, pasi pjesa më e madhe e këtij qyteti shtrihet ende nën dhé…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *