Një pikëtakim me botën shqiptare

Kohë e filmit, e artit sintezë, e krijimit të përbashkët: regjisorë, aktorë, kameramanë, muzikantë dhe sheshi i xhirimeve me njëmijë kujtime ngjizur në sy. Jo pak fotografi më risjellin atë kohë kur në vitin 1993 xhirohej filmi «Larg Barbarëve» i regjisores Liri Begeja me aktoren Dominique Blanc dhe tri aktorët e shquar shqiptarë Sulejman Pitarka, Pirro Mani dhe Timo Flloko. Në shesh të xhirimit dhe Saimir Kumbaro, Spartak Papadhimitri dhe unë gjithashtu…

«Impose ta chance/ sers ton courage, Va vers ton risque / A te regarder ils s’habitueront…», René Char

Viti 1994. Ishte projeksioni i parë i filmit Larg barbarëve, kur Dominique Blanc, bashkë me ekipin e filmit do të shikonte filmin e sapo përfunduar, në një studio në Billancourt. Kur projeksioni mbaroi ajo po kërkonte të takonte regjisoren Liria Begeja dhe unë i bëra shënjë nga kabina e projeksionit, atje ku Liria, gjithë emocion e ankth kishte ndjekur filmin gjatë gjithë kohës. Që të dyja u hodhën drejt njëra tjetrës në një përqafim të gjatë, shumë të gjatë, pa asnjë fjalë, por që përmes heshtjes dhe lotëve, i thanë shumë gjëra njëra tjetrës. Që të dyja kishin përjetuar pothuaj të njëjtat emocione, të njëjtin personazh, atë figurë imagjinare që dalëngadalë kishte marrë formë dhe kishte nisur udhëtimin në kërkim të një të kaluare, të një enigme.

Një enigmë e vjetër shqiptare…

Prezantimi i saj me aktorët shqiptarë ndodhi një ditë maji, kur francezët dhurojnë lulen e Shëngjergjit, «Muguet», siç i thonë ata, të cilën e shesin në të gjitha metrotë e Parisit dhe buzë trotuareve, apo në «Champs Elysées». Nëpërmjet tyre njerëzit i urojnë njëri tjetrit lumturi. Kështu erdhi atë ditë dhe ajo në studion e Gosta Gavras një mbrëmje vere, duke e përshëndetur Sulejman Pitarkën: «Bonsoir mon cher père! («Mirëmbrëma, ati im i dashur»). Aktori Pitarka interpretonte në film «atin» e saj. Me nje modesti të rrallë, kjo aktore që luante paralelisht dhe në filmin Mbreteresha Margot, (bashkë me Isabelle Adjani) n’a imponoi të gjithëve një respekt të veçantë. Ndoshta ky rol, ku ajo luante për herë të parë rolin e një heroine, i dha mundësi të zbulonte dimensione jetësore që gjer dje për të kishin mbetur në hije. Sigurisht ishtë një rol që e tërhoqi menjëherë.

Itinerari i saj artistik në teatër e kinematografi, përfshinte personazhe dhe karaktere krejt të veçantë nga njëri tjetri; një alkolike në filmin Gruaja e jetës time, një lezbike në filmin Milu në maj, një vejushë që i zgjohet ndjenja e dashurisë, në Zotërit e kështjellës, një puntore në kërkim të përjetimit të jetës, në filmin A duhet dashur Matilda?, një grua e braktisur në një aeroport të Parisit, në Stand-by, etj. Personazhe shpesh krejt të kundërt me karakterin dhe natyrën e saj. Në fillim të karrierës së saj artistike kësaj vajze që vinte nga periferia e Lionit, i thanë: „Me atë fizik që ke, me ata sy të mëdhenj dhe ball të gjërë ti kurrë s’do mund të interpretosh në kinematografi.“ Duhet të jetë e jashtëzakonëshme për një artist, të cilit në fillimet e karrierës i thonë: „ti nuk je i zoti për një art të tillë!“ Kjo gjë Dominique-s i kishte ndodhur jo vetëm kur ishte prezantuar në shkollën e artit dramatik, në Conservatoire, në Paris, por edhe në kursin teatral të Rue Blanche. Më së fundi, ishte kursi teatral „Florent“ në Nanterre, ai që e pranoi. Mësuesit e saj ishin aktorët e njohur Francis Huster dhe Pierre Romans. Atje ajo punoi me role e personazhe të njohur të artit botëror dramatik, veçanërisht me pjesë të autorëve si Claudel, Çehov, Pegy, etj. Më pas regjisori Patrick Chereau vuri re talentin e aktores së re dhe e angazhoi në dramën Per Gynt të dramaturgut Ibsen. Një sukses të veçantë ajo pati me rolin e saj në Martesa e Figaros, të regjisorit J. P.Vincent, për të cilin u nderua dhe me çmimin «Arlety», që mbante emrin e një prej aktoreve më të shquara të teatrit dhe kinematografisë franceze të këtij shekulli. Ajo e adhuronte Arletin. Atë ditë të ceremonisë së dhënies së çmimit teatral, ajo artiste e vjetër, heroinë e filmit Vizitorët e natës, tashmë e verbër, pothuaj 90 vjeçare, u ngjit në skenë për ti dhënë Dominique-s çmimin me emrin e saj, «Prix Arletty». Në fakt ishte Chereau ai që do të kujdesej në vazhdimësinë e itinerarit të saj artistik. Siç thotë dhe vetë kjo aktore, „Unë si të thuash kam lindur në krahët e tij“. Në vitin 1982, ajo u angazhua në një rol të filmit Passion të J.L. Godard, por eksperienca e këtij filmi nuk ishte e këndëshme për të dhe ajo mendoi se nuk do ti kthehej më kameras së filmit. Por ishte regjisori Regis Wargnier, ai që do ta bindë të pranojë një rol në filmin e tij La femme de ma vie, (Gruaja e jetës time). Pas këtij filmi ajo do të interpretojë në Milou en mai, (Milu në maj), në rolin e një lezbikeje, për të cilin u nderua me një çmim „Cesar“ dhe më vonë në filmat Indochine, (Indokina) ku nderohet me një „Cesar“ tjetër, apo në filmin historik  La Reine Margot, (Mbretëresha Margot).

Megjithatë ajo do ta alternonte gjithnjë lojën e saj aktoriale në film dhe në teatër. Gjatë karierës së saj ajo do të interpretojë shumë pjesë të autorëve të njohur si Toni Kroge të T. Man, me regjisor P. Romans, Perdet, të J. Genët, me regjisor P. Chereau, Tokë e huaj e A. Schnitzler, apo Mizantropi, vënë në skenë nga Antoine Vitez, një nga regjisorët më të shquar të teatrit francez të këtij shekulli. Kur ajo luante në teatrin e «Champs-Eysées», një nga teatrot e i njohura të Parisit, në dritaren e dhomës ku vishte kostumin e personazhit, ajo gjithnjë përshëndeste në heshtje drejt një dritareje me dritë që dukej përballë, në anën tjetër të rrugës, atje ku banonte Marlen Dietrich: «Mirëmbrëma Marlen!»

Dominique Blanc ka hyrë tashmë në rradhën e aktoreve të njohura të kinematografisë franceze, duke u vlerësuar disa herë me çmimin «Cezar» («L’espoir féminin»). Ajo ka interpretuar me partnerë si Michel Piccoli, Jean Rochefort, etj. Ajo është nga të preferuarat e Piccoli-së, i cili për të me pak fjalë të thotë: «Për rolin e Jeanne d’Arc, Dreyer do të hezitonte të zgjidhte midis saj dhe Falconeti-t. Fellini nuk do të hezitonte ta merrte në filmat e tij. Bunueli do të ishte i apasionuar. Jouvet i dashuruar…» Me Piccoli-n, tashmë në rolin e regjisorit, ajo do të interpretojë rolet kryesore në filmat e tij si në Alors voilà, 1997, Train de nuit, (Treni i natës), 1994, apo La plage noire, (Plazhi i zi), 2001.

Duke ndjekur metodën e saj për të interpretuar role të panjohura, për të zbuluar botra të reja dhe për të prezantuar personazhe interesante nga universi i shoqërisë njerëzore, ajo përshkoi edhe udhën e personazhit të Zanës në filmin Larg barbarëve, një jetë dhe një heroine të lindur në mërgim që mbart shumëçka nga historia e dhimbëshme e shoqërisë shqiptare në kohën totalitare.

Për dy muaj me rradhë, si pjestar i ekipit të filmit, unë ndiqja me vëmëndje çdo skenë, çdo plan që xhirohej. Më kujtohet veçanërisht xhirimi i një skene me Timo Fllokon, partnerin e saj me emrin Vladimir, diku në Belleville, një lagje e vjetër e Parisit puntor, diku në një studio piktori, ku lart, në një musandër, unë ndiqja gjithçka që krijohej atje. Ishte një moment puthjeje, puthja e parë e dy personazheve, që sapo ishin njohur, një puthje jo e lehtë për aktorin Flloko.

Me një kamera amatore xhirova orë të tëra film. Regjistrova skena që nuk janë montuar në film, momente të lira, portrete të Domenique, duke qeshur apo medituar, momente xhirimi me Sulejman Pitarkën dhe Pirro Manin, të cilët i donte dhe i çmonte shumë, xhirime në rrugë, në «Jardins de Luxembourg», në «Place de la Nation», «Rue Charenton», në varrezat e Thiais, në periferi të Parisit, ku unë i tregova dhe varrin e mbretit Zog…e gjer në Lido të Venecias, në atë hotel, ku pikërisht disa dekada më parë, Luchino Visconti kishte xhiruar filmin Vdekje ne Venecie. Ishte pa dyshim një kënaqësi e jashtëzakonëshme të ishe pranë një njeriu si ajo.  Nuk më harrohet, kur bashkë me Liria Begejën, ishim të pranishëm në ceremoninë, ku ajo u nderua me çmimin “Chevalier des Arts et des Lettres”.

Kështu portreti i Dominique-s ishte tepër i afërt për mua, një portret plot mirësi e me një thjeshtësi të habitshme. Padyshim që për aktorët shqiptarë piktakimi me Dominique ishte diçka e veçantë, një mësim i të qënit aktor, jo thjesht profesionalisht, por një mësim për modestinë dhe inteligjencën. Dominique Blanc kishte dëshirë ta njihte Shqipërinë. Ajo zbarkoi dy herë atje. Herën e parë për xhirimin e disa skenave në një kamp refugjatësh dhe në portin e Durrësit nga ikën qindra mijra shqiptarë, dhe së dyti për premirën e filmit në Tiranë. Pritja e publikut dhe e shqiptarëve në tërësi ishte një surprizë mikpritjeje për të.

Edhe pse kanë kaluar disa vjet, ajo gjithnjë flet për shqiptarët dhe Shqipërinë. Si të thuash ky vënd është bërë pjesë e jetës së saj. Siç e shohim dhe në filmat e mëvonshëm të saj Rimbaud, Verlaine i A.Holland, si dhe Për një çështje që ja vlen, të J.Fausten, etj, ajo vazhdonte të sillte në ekran diçka të re, të jetë tjetërkush, pra të ndryshojë. «Më pëlqen të ndryshoj lëkurë, të ndryshoj flokët, moshën, pamjen. Kjo gjë, pra metamorfoza, më shtyn edhe në zgjedhjen e rolit. Çdo herë dua që roli të ndryshojë nga ai që kam luajtur më parë.»

Në «Théâtre de l’Odeon», për netë me rradhë ajo i shfaqi publikut parizian personazhin e Norës në Shtëpia e kukullës të Ibsen. Një rol ku kjo aktore 34 vjeçare, nënë me dy fëmijë, kërkoi të jepte gjithë forcën e talentit të saj : një botë komplekse, midis dëshirës, hipokrizisë, fajit dhe vetvrasjes. Pra një personazh të pranishëm në jetën tonë të përditëshme. Në “Théâtre du nord”, interpretonte poezi të poetit Réné Char bashkë me Piccoli.

Çfarë vallë do të na zbulojë në filmin që po xhiron tashmë me regjisor Michel Piccoli? Ne ende nuk e dimë. Por ajo preferon që më mire ne ti zbulojmë vetë enigmat në ekran…Ato enigma që ajo kërkon ti zbulojë më parë përmes fjalëve të poetit René Char, që janë një lajtmotiv i bukur për të:

«Imponoje fatin tënd / përdore kurajon

Drejt rrezikut tënd shko / Ata do të mësohen të të vështrojnë kështu…»

2 thoughts on “Një pikëtakim me botën shqiptare

  1. Fabiola Sali

    Sa bukur ! Është gjithnjë kënaqësi, të lexosh shkrimet tuaja mbi artin, artistët me kaq shumë detaje nga jeta dhe puna e tyre e palodhur për t’i falur publikut çaste të paharrueshme!

    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *