Një kronikë anglosaksone në Paris

(Dorëshkrimi i një libri të ri shkruar në kohë Covidi)

Tridhjetë vjet që kam banuar në lagje të ndryshme të Parisit kanë bërë që jo rrallë të ndeshja gjurmët e shkrimtarëve të mi të dashur. Pas botimit të librit Parisi letrar me gjenitë e letërsisë franceze dhe Mbresa parisiane me gjurmët e ndryshme të këtij qyteti historik, njohja e shkrimtarëve anglosaksonë më erdhi në mënyrë të natyrshme. Ishin gjurmë që gërshetoheshin, përvijoheshin, të çonin tek njeri-tjetri pasi gjithçka ishte mpleksur në mënyrë të pashlyeshme. I njihja tashmë hotelet, apartamentet ku kishin jetuar Hemingway, Fitzgerald, Ezra Pound, James Joyce, Samuel Beckett, Dos Passos… I njihja rrugët e tyre dhe ecja në po të njëjtat itinerare, bulevarde e sheshe, shkoja në Montparnasse, Montmartre, Saint-Germain-des-Près; ngjitesha në Rue Mouffetard dhe mendoja atje për Hemingway, ulesha në Le Dôme dhe imagjinoja Pound duke luajtur shah; kaloja në Rue Pergolese dhe mendoja për Fitzgerald duke kërkuar dritaren e tij, pastaj në Rue des Favorites dhe ngrija kokën lart drejt numrit 6 pasi e dija se atje, në katin e pestë, pas asaj dritare, Beckett kishte vendosur tavolinën ku shkruante ballë hapësirës qiellore. Në “Les Martinnieres”, në L’Ile Saint Louis pas Notre Dame, përtej xhamave më bëhej se midis tymit dhe zhurmës së klientëve të shumtë, në një cep ishin ende aty dhe dy amerikanët entusiaztë, Dos Passos dhe Hemingway duke i lexuar dorëshkrimet e tyre njëri-tjetrit. Pikërisht aty, një ditë isha ulur me mikun tim, fotografin Michel Setboun që e kishte vizituar Shqipërinë me dhjetra herë dhe hija e shkrimtarëve të shquar amerikanë na ishte pranë. I dija tashmë pllakat përkujtimore të vendosura nëpër rrugë: në Rue Cardinal Lemoine ishte ajo për Hemngway dhe disa metra më tutje ajo për James Joyce, në Rue de Seine ishte ajo e Raymond Duncan, në Rue Fleurus në numrin 27 ajo e Gertrude Stein e kështu me rradhë. Jetoja me romanet e tyre dhe jetët me aq shumë aventura, shqetësime, dashuri, dehje, vdekje. Gjithçka ishte e bukur dhe frymëzuese në jetën e tyre që jo rrallë ishte dhe e trishtë, e varfër, e mbytur nga dëshpërimi siç ishte “shija” e urisë tek Hemingway apo varfëria absolute e të mjerit Eric Blair, alias George Orwell të cilit do i duhej të lante pjatat e restoranteve dhe të mblidhte bishtat e cigareve në trotuare pasi s’kishte para të blinte cigare. Në Rue des Beaux Arts, në Hotel d’Alsace, vdekja e Oscar Wilde kishte qenë nga më të dhimbshmet, të trishtat, të vetmuarat e klithëse, çka më kujtotne gjithnjë vdekjen e vetmuar të Mozart, hedhur në gropën kolektive të njerëzve pa njerëz, një imazh që më shfaqej gjithnjë me një tis mjegulle që e bënte akoma më të mistershme vdekjen e tyre, ikjen nga kjo botë.

Ezra Pound

Një gjeografi më vete emrash, rrugësh ku kishin jetuar këta tregimtarë të mëdhenj e bohemë të famshëm. Shkrimtarë, eseistë, poetë, fotografë si Man Ray dhe Lee Miller, skulptorë si Sandy Calder që aq shumë e donte cirkun çka do ta frymëzonte në veprat e ardhshme të tij skulpturale, si copëza ëndrrash të nderura në ajër. Shumë kafene sot mbajnë emrat e tyre si Café Fitzgerald në bulevardin La Tour Maubourg, Bar Hemingway në Ritz, në Place Vendôme, Bar Scott etj. Me vdekjen e Sylvia Beach dhe të Adrienne Monnier, libraria e famshme Shakespeare and Company vazhdoi aventurën e saj me amerikanin tjetër të viteve ’50, George Whitman, të pasionuar pas poezisë.

Shfaqja e anglo-saksonëve në Paris e bëri dhe më pikante jetën e parisianëve. Nga Oscar Wilde dhe feministet e para amerikane dhe angleze që zbarkuan në Parisin e fundit të shekullit XIX, këto “safiste”, siç e quanin me mburrje veten ato në klubet e Montmartre-s, e kthyen kërkesën për lirinë e gruas dhe jetën libertine në një kult më vete. Një rradhë shkrimtarësh e artistësh erdhën në Paris para dhe pas Luftës së Parë Botërore duke filluar me Ezra Pound, James Joyce, Gertrude Stein apo më pas dhe Samuel Beckett, Henry Miller me të dashurën e tij Anais Nin si dhe shumë autorë të tjerë të shquar. Ndërkohë që Ezra Pound ishte vendosur në një apartament pranë Montparnasse bashkë me gruan e tij dhe atë vilë dykatëshe në Rue Notre Dame des Champs ku një ditë do të shfaqej dhe shkrimtari i ri Hemingway. Ç’pikëtakim frymëzues për djaloshin Hemingway! James Joyce u vendos në lagjen e paqtë parisiane të Passy-së, në një dhomë të ngushtë dhe me shumë zhurmë aq sa ai ankohej gjithnjë dhe nuk kishte besim se do ta mbaronte së shkruari gjer në fund romanin e tij Uliksi. Por padyshim njohja me Silvia Beach që kishte hapur librarinë e re në 12, Rue de l’Odeon që do të hynte në histori me emrin “Shakespeare and Company”, do mund t’ia largonte trishtin e parë dhe që shumë shpejt të bëhej një nga të përhershmit e kësaj librarie ku mblidheshin jo vetëm shkrimtarët anglo-saksonë por dhe krerët e letërsisë franceze si Apollinaire, Valery, Gide, Larbaud, Maurois etj. Ishte Beach që më së fundi do ta botonte romanin Uliksi me shpenzimet e saj dhe shpejt ta bënte të njohur në gjithë elitën parisiane por dhe në botë meqë Amerika e kishte çenzuruar botimin e këtij romani. Padyshim që epoka më interesante në jetën e Beckett ishte koha kur hyri në Rezistencën franceze gjatë Luftës së Dytë botërore dhe kjo ishte një aventurë e rrezikshme bashkë me gruan e tij franceze, të përndjekur nga Gestapo dhe të fshehur pastaj në jug të Francës ku do të merrej me kopshtin e zarzavateve dhe përjetuar një depresion të thellë. Pas lufte filloi aventura e vërtetë e tij letrare me disa romane dhe dramën e famshme Duke pritur Godonë.

George Orwell

Gjysma e parë e shekullit XX mbart emrat e shumë shkrimtarëve dhe artistëve të mëdhenj anglo-saksonë siç janë dhe Anderson, Dos Passos, George Orwell apo surrealisti Man Ray me të dashurën e tij Kiki, “mbretëreshën e Montaparnasse” dhe më pas me asistenten e tij Le Miller; me Nathalie Barney, një sozi e markezeve prustiane me sallonin e saj letrar ku i bëhej himn lirisë seksuale apo këngëtarja e famshme e “charlestone” Josephine Baker etj, krijimtaria e të cilëve la gjurmë në historinë letrare e artistike të Francës. Ishin gjurmët e një plejade artistësh të mëdhenj, letërsinë e të cilëve tashmë e njohim por pak dimë nga aventura jetësore e tyre. Në kohën totalitare në Shqipëri, pra në gjysmën e dytë të shekullit XX, letërsia amerikane ishte pothuaj e panjohur në masën e gjerë. Në duart e lexuesit shqiptar autorët amerikanë ishin të pakët siç ishte poeti i madh, krijuesi i vëllimit poetik  Fije bari Walt Whitman, romancieri Theodore Dreiser me Një tragjedi amerikane, Longfellow me poemën e tij mbi Skënderbeun etj. Kur në fillimin e viteve ’70 në skenën e Teatrit Popullor u shfaq Pamje nga ura e Tennessee Williams, pak kohë më vonë drama u censurua dhe nuk u shfaq më veç pas ndryshimeve politike në Shqipëri, pra dy dekada më pas. Atëherë ne e kuptuam se nuk do ti lexonim për një kohë të gjatë romanet e përtej Atlantikut, ndërkohë që jo pak autorë amerikanë në gjuhën e tyre ishin të rezervuara në Bibliotekën Kombëtare, pra të ndaluara për tu lexuar nga publiku i gjerë duke mbajtur siglën “R”. Dhe kuptohet pesha e ideologjisë kur ngado në Shqipëri, gjer dhe në bregoret e maleve shikoje të shkruar me gërma gjigande “Poshtë imperializmi amerikan” dhe kur në stërvitjet ushtarake të gjimnazistëve dhe studentëve në tabelat e qitjes ishte gjithnjë fotografia e presidentit Nikxon. E njëjta gjë ishte dhe për letërsinë britanike e irlandeze ku përveç Shakespeare, Dickens, Thackery, Shaw e disa klasikë të tjerë, modernët ishin të ndaluar duke filluar me Viti 1984, të cilin e qarkullonim fshehurazi duke e lexuar në netët e vona duke gjetur në të një pjesë të jetës sonë: ishte hija e Big Brother!

Që vitet e para në Paris, duke lexuar letrarët amerikanë një dëshirë e madhe më shtynte të njihja dhe jetën e tyre parisiane. Si kishin jetuar në Paris? Në ç’kohë dhe ku kishin jetuar? Ç’kishte ndodhur me jetën e tyre dhe si e kishin përjetuar jetën parisiane, çfarë kishin shkruar për të dhe pse e dashuruan Parisin? Çfarë kishte ndodhur me George Orwell, alias Eric Blair? Dhe atëherë fillova të ndjek itineraret e tyre, bredhjet boheme të një Hemingway që provonte shijen e urisë i cili ulej kafeneve të shkruante romanet e tij, dashuritë e tyre, aventurat, dehjet, skandalet e çiftit Scott dhe Zelda Fitzgerald, miqësitë dhe dashuritë franceze etj. Çdo apartament apo hotel ku kishin banuar ata, çdo rrugë ku kishin jetuar më dukej interesante si ajo dritare në Rue Vaugirard ku gjysmë i dehur Fitzgerald shfaqej duke u bërtitur kalimtarëve të rrugës: “Unë jam Voltaire! Unë jam Rousseau!…” Oscar Wilde kur kishte ardhur në Paris kishte banuar në Hotel Voltaire buzë Senës, pasi atje kishte jetuar dikur poeti i tij i dashur Charles Baudelaire. Vallë kur shtrihej shikonte ndoshta bredhjet boheme të poetit të “mallkuar” apo ishte Baudelaire që i lexonte fragmente nga Spleen i tij?… Kështu, nga një histori në tjetrën edhe unë përjetoja jetën e tyre, atë rini të vrullshme dhe gjithë pasione pas Luftës së Parë Botërore, të etur për dashuri dhe argëtim, kohë që do ta quanin “La Belle Epoque” me kabaretë e mbushura plot njerëz që thërrisnin “Të pimë se nesër mund të vdesim!” Shumica prej tyre kishin jetuar në Paris një apo dy dekada, të tjerë kishin mbetur gjer në ditët e tyre të fundit duke e kthyer Francën si atdheun e tyre, ashtu siç ndodhi me Beckett, Gertrude Stein, Man Ray, Josephine Baker, etj. Ata që ktheheshin në vendin e tyre, jo rrallë rivinin në Paris siç ishte dhe Ezra Pound pak kohë para se të vdiste, për të gjetur gjurmët e rinisë së tij, aty ku shumë nga ata krijuan vepra të mëdha. A nuk ndodhi kështu me Hemingway, Fitzgerald, Beckett e të tjerë? Ata që mbetën, i gjen sot në varrezat e Père Lachaise, të Montparnasse, në atë të Montmartre-s apo në Passy, me stelat e tyre të thjeshta plot epitafe apo monumentale siç ishte ai i Oscar Wilde me “Sfinksin” e tij të dashur mbuluar nga puthjet e vizitorëve. Duke fotografuar një ditë varrin e Mab Ray në varrezat e Montparnasse një ndjesi e veçantë më pushtoi si një kineast që kisha qenë dikur. Më dukej sikur ai objektiv aparati të donte t’i ngjasonte aparatit të tij me të cilin dikur kishte zbuluar të bukurën dhe e kishte krijuar atë përmes dritës dhe errësirës, përmes fytyrës njerëzore dhe objekteve. Tashmë ishte syri im që shihte drejt atij varri, syri i një amatori të thjeshtë të fotografisë për të fiksuar atë hijen e artistit që kishte kërkuar gjithnjë hiret dhe magjinë. Dukej se kjo magji vazhdonte ende me artin që ai la pas…

Komuniteti i letrarëve dhe artistëve amerikanë në vitet ‘20 -’30 ishte një komunitet simpatik, që e përjetoi plotësisht Parisin dhe Parisi i përjetoi ata, një komunitet që si prekursor kishte pasur shkrimtarin Henry James në fundin e shekullit XIX, këtë amerikan të natyralizuar anglez meqë vendi i tij, Amerika, nuk po hynte në luftë për të mbështetur Antantën. Kur Flaubert mblidhte miqtë e tij shkrimtarë në apartamentin e tij parisian, shpesh do të gjeje aty dhe Henry James, autorin e e romaneve të mëdha Amerikanët apo Amerikani në Paris. Duke iu referuar asaj kohe ky mik i shkrimtarëve Flaubert, Zola, Maupassant dhe Alphonse Daudet, shkruante: “Në atë kohë Flaubert kishte një apartament në cep të rrugës Rue du fb. de Saint Honoré. Të djelat pasdite, lart asaj shkallareje të pafund, në mesin e tymit dhe të bisedave, mund të takoje shumicën e romancierëve balzakianë”.

Kjo ishte aventura ime letrare në kohën e Covid: të bridhja nëpër Paris, të fotografoja rrugë, apartamente, kabare dhe të shkruaja për ta. Nën dritaren e Oscar Wilde, Një ditë në Paris me Ezra Pound, James Joyce – udhëtimi i Uliksit, Isadora Duncan – nga Parisi në Sarandë, Raymond Duncan, një akademi arti në Paris, Në gjurmët e Gertrude Stein – fryma dhe moderniteti, Silvya Beach dhe «Shakespeare and Company», Në gjurmët parisiane të Hemingway-t, Kur Fitzgerald endej në rrugët e Parisit, Beckett në vendin e frankëve , Aventura parisiane e George Orwell, Henry Miller nga bota e prostitucionit tek lëvdimi i shpirtit, Dashuritë e shkruara të Anais Nin, Man Ray dhe muzat e tij, Lee Miller – muza tjetër e Man Ray-it, Josephine Baker: “J’ai deux amours“

In fine…

Para disa vitesh mora pjesë në një mbrëmje poetike organizuar në Montmartre me rastin e festës së Frankofonisë, një mbrëmje poetike drejtuar nga poeti Marc Delouze. Midis poetëve ishte dhe shkrimtarja dhe poetja e njohur Nancy Huston, me origjinë kanadeze, e shkolluar në Londër e cila që prej më shumë se 40 vjetësh jeton në Paris duke shkruar romanet e poemat e saj në gjuhën frënge. Pas viteve ’50-’60 e këtej një brez autorësh anglosaksonë janë të lidhur shpirtërisht me Parisin dhe Francën ku në veprat e tyre është shpirti i Francës me historitë nga më të thjeshta, më të mëdhatë e më njerëzore. Peter Nichols që e takova në Paris, një bohem dhe lundërtar që përshkon me një jaht i vetmuar Atlantikun për të ardhur nga brigjet e Amerikës në brigjet e Francës, e njoha në apartamentin e poetes franceze Laure Cambau. Romanet e tij janë jetë bohemësh. I përkthyer në frëngjisht ai vjen çdo vit dhe qëndron me shumë se gjashtë muaj për tu rikthyer sërrish me një subjekt të ri. Një “lupo di mare” siç do të thonin italianët. Eshtë një trubadur modern siç ishte dikur në fillimet e shekullit Ezra Pound, me shëtitjet e tij në këmbë në provincat e Francës për tu frymëzuar nga këngët mesjetare të trubadurëve dhe të letërsisë kalorsiake. Shkrimtari amerikan Paul Auster konsiderohet në Paris nga më frankofilët dhe romanet e tij janë nga më të përkthyerat. E mban Francën në zemër dhe udhëton veçse pak kohë në trojet franke. Po kështu dhe Paty Smith, kjo këngëtare dhe poete, e cila që prej 40 vjetësh e ka bërë Francën të sajën, që kur ndërmori udhën drejt Charleroi-Mezière për të parë shtëpinë e lindjes së poetit Arthur Rimbaud i cili e frymëzoi në gjithë krijimtarinë e saj, librat dhe disqet, aq sa ajo e bleu atë shtëpi të rrënuar të Rimbaud-së për të mbajtur në këmbë kujtimin e poetit “maudit”, e poetit të mallkuar të asaj kohe. E megjithatë, brezi i anglosaksonëve me romancierët e “brezit të humbur”, apo të “lost generation” nuk përsëritet më pasi ata ishin romancierët më të shquar të kohës të cilët hynë në “oborrin e të mëdhenjve” të letërsisë botërore me Joyce, Pound, Hemingway, Beckett, Fitzgerald, Dos Pasos, duke vazhduar me Miller, etj.

Padyshim që ky qytet historik ka një forcë të jashtëzakonshme manjetike që të bën ta duash dhe të ndjehesh pjestar i tij. Së pari është letërsia e madhe e shekullit XIX dhe XX me emrat e shkrimtarëve Hugo, Balzac, Baudelaire, Flaubert, Maupassant etj për të vijuar në shekullin e XX me Sartre, Camus, Gide, Eluard, Duras, etj. Së dyti është historia e tij e Revolucionit Francez apo koha napoleoniane por dhe historia mesjetare e ajo moderne, historia e një France që aq shumë ka luftuar dhe lufton për triumfin e të drejtave të njeriut. Së treti është kultura franceze, ajo kulturë e rafinuar në të gjitha fushat e artit, gjuhës, fesë, me ndërtimin e katedraleve që nga shekulli XII dhe artin në të gjitha fushat. Ja pse çdo vizitor që vjen në Paris dhe në Francë nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj një trashëgimie të tillë materiale dhe shpirtërore. Një dashuri lind, ashtu siç kishte ndodhur me Miles Davis dhe Juliette Greco në mesin e viteve ’50, kohë kur Davis deklaronte: “Takimi me Parisin më ndryshoi vizionin për jetën, artin. E adhuroja Parisin, mënyrën si më trajtoi. Kurrë nuk isha ndjerë më mirë në jetën time. Greco më mësoi të dua dikë tjetër veç muzikës”…

Një nga admiruesit e sotëm veç të tjerëve është dhe Woody Allen. Një mbrëmje bashkë me një mik kalonim duke shëtitur buzë bukinistëve të librave të vjetër dhe ku poshtë tyre rrjedh i paqtë lumi i Senës. Papritur pamë një dritë të madhe që vinte nga bordurat e Senës. Zgjatëm kokat dhe pamë të habitur Woody Allen tek xhironte me aktoret e tij amerikane. Atëherë zbritëm poshtë për ta parë nga afër atë skenë filmike që zhvillohej në Paris dhe ndërkohë më erdhi në mendje muzika e George Gershvin Një amerikan në Paris dhe shprehja që Pound shkruante se «Aty ku e ka lënë Flaubert e vazhdoi Joyce»… Kishte një lidhje organike në gjithë këto emra, ritme, bredhje bohemësh, shkëlqimesh të artit, ku Franca, Parisi vetë bota e frankëve kanë qenë shkëndija që u përcollën dhe përtej brigjeve të saj. A nuk shkruante Gertrude Stein se «Amerika është atdheu im dhe Franca është shtëpia ime? A nuk thoshte Raymond Duncan se donte të krijonte atë qytezë imagjinare në mes të Atlantikut një «New-Paris-York». Në fillim mua më ishte dukur thjesht një diçka utopike, ajrore e pasionante por në fund të fundit ajo thënie mbartëte një dëshirë të madhe: krijimin e një ure ajrore të artit, kulturave të ngjashme, dy qytetërimeve.

Po, Parisi u mësoi shumçka artistëve të ”brezit të humbur”.

Parisi gjithnjë të mëson diçka…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *