Një intervistë në librin “Komunikimi ndërkulturor” i Mimoza Pllana

Pershendetje Moza, u gëzova shumë për botimin e librit tënd më të ri “Komunikimi ndërkulturor” dhe urimet me të mira për të vazhduar në botime të tjera në këtë fushë kaq interesante siç ështê dialogu i kulturave dhe i qytetërimeve, dhe ku pikasa se temat brenda librit janë nga shumë autorë të njohur me kontribute mjaft interesante. E ndjej që ka qenë një punë shumë pasionante dhe bashkëpunimi me ty më ishte mjaft i këndshëm. Suksese të mëtejshme. Luani.

Intervista.

Bisedë me shkrimtarin, skenaristin, përkthyesin letrar, profesorin, gazetarin dhe diplomatin shqiptar në Paris, Luan Rama

Mimoza Hasani Pllana: I nderuar zoti Rama, arsimin e lartë e keni mbaruar në Tiranë dhe në Paris, në fushat që lidhen për komunikimin me publikun. Studiuat për gazetari, në kuadër të Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës, pastaj, studimet Audiovizuale për Komunikim dhe Kinematografi i mbaruat në Universitetin Parisi VII, “Denis Diderot” në Paris. Në secilën fushën keni dhënë kontribut të çmuar. Si është e mundur të punoni në studime shumëdimensionale edhe pse në kohë të ndryshme?

Luan Rama: Ishte dëshira për të njohur botën, atë që s’mund ta shikonim gjatë shumë dekadave në një Shqipëri të mbyllur nga bota përreth. Ishte një etje e vazhdueshme për kulturën, historinë, botën në tërësi dhe kjo gjë vazhdon. Në fëmijëri kam qenë filatelist dhe dashuria për pullat, koleksionet e ndryshme, pjesmarrja në klube të ndryshme filatelistësh, më ka çuar në botra të tjera duke më ngacmuar imagjinatën për kulturën, gjeografinë dhe historinë e popujve, për vendet që dikur kishin qenë koloni, për vendet e mëdha dhe të vogla, për Europën e botën mbarë. Në fillim, në rininë time ishte poezia ajo çka më tërhiqte pa masë: Lorka, Ricos, Neruda, Whitman, duke përfshirë këtu poetët francezë që më pëlqenin shumë si Paul Eluard, Jacques Prevert, Louis Aragon. Ishte dashuria për poezinë që më shtyu të mësoja frëngjishten. Më kujtohet si tani kur në Bibliotekën Kombëtare më ra në dorë një libër i rezervuar (d.m.th. që nuk ishte për publikun e gjerë, por që unë e gjeta përmes miqve të mi) një libër i botimeve Gallimard mbi poezinë e plotë të Eluard, ku një nga përmbledhjet poetike në të ishte ilustruar nga fotografi dhe piktori amerikan Man Ray, i cili jetonte në Paris. Ishte diçka moderne, ku ishte përfshirë dhe epoka surealiste e këtij poeti revolucionar gjatë viteve ‘30-’40. Pikërisht atëherë i thashë vetes se duhej ta mësoja frëngjishten që ta kuptoja më gjerësisht dhe në original këtë poet të madh. Dhe ashtu bëra: fillova ta mësoj si audidakt gjuhën frënge. Studimet universitare në gazetari nuk më dhanë ndonjë bagazh në kuadrin e kulturës, meqë atëherë mbizotëronin lëndët ideologjike. Pra kulturën duhej ta përftoja vetë përmes leximeve. Ajo që më ndihmoi ishte kinematografia. Pas mbarimit të universitetit unë kërkova të punoja në studiot kinematografike «Kinostudio e Re», ku pata fatin të njoh shumë kineastë të shquar, pionerët e kinematografisë shqiptare e njëkohësisht fondin e pasur kinemtografik që ekzistonte në arkivat e Kinostudios që me filmat e viteve ’20-‘30 (të sallave të dikurshme private) me filmat e autorëve të mëdhenj si Ernst Lubitch, George Pabst, David Grifith, Jean Renoir, René Claire, De Sica, De Santis, etj, pra me rrymat dhe shkollat e mëdha kinematografike botërore si «ekspresionizmi gjerman», «neorealizmi italian», «romantizmi poetik francez» apo «Vala e Re» («La Nouvelle  Vague») e viteve ‘60-‘70 të shekullit XX në Francë. Në fillim u angazhova si redaktor, pastaj skenarist i filmave doumentarë, vizatimorë, e më vonë i filmave artistikë. Nga filmat artistikë kam realizuar skenarët e filmave «Vajzat me kordele të kuqe» të regjisorit Gëzim Erebara, «Dëshmorët e monumenteve» të Fehmi Hoshafi, «Pranverë e hidhur» e Muharrem Fejzos apo «Një jetë më shumë» e Gëzim Erebarës dhe Gavrosh Haxhihyseni. Ishte një eksperiencë e bukur, pasionante çka do më ndihmonte më vonë kur do të merresha gjerësisht me letërsinë, tregimin apo romanin, por dhe poezinë. Po kështu, në filmat vizatimorë, në rreth 15 prej tyre kam trajtuar përrallat e legjendat shqiptare, apo temat shkencore. Ishte koha kur kisha fëmijët e vegjël dhe bota e tyre më shtynte drejt këtyre lloj filmave. Dua të shtoj këtu se një periudhë ishim të detyruar të lexonim letërsinë e ndaluar fshehurazi, duke kaluar tek njëri-tjetri, midis miqsh, librat e Orwell, Kafka, Ionesco, Duras. Megjithatë, nga fundi i viteve ’80, patëm mundësinë që të porosisnim botime të huaja kinematografike në Kinostudio si «Cahiers du cinema», «Sight and Sound», «Bianco e Nero», etj, apo të përkthenim dhe shpërndanim ndër kineastët e rinj libra të studjuesve të huaj rreth kinemasë për gjuhën e filmit, lojën e aktorëve, historinë e kinemasë, siç ishin André Bazin, Stanislavski, Georges Sadoul, etj. Pikërisht në këtë kohë përktheva dhe një tekst të filmit «Hiroshima mon amour» («Hiroshima, dashuria ime») të Marguerite Duras, film ky i regjisorit Anain Resnais, i cili nuk mund të shfaqej atë kohë në Shqipëri meqë trajtonte temën e dashurisë mes një francezeje dhe një ushtari gjerman në fundin e luftës, pra një film humanist dhe një akuzë kundër luftës.

M. P. Në fund të viteve `90, të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, keni qenë pjesë e përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë në disa qendra të njohura kulturore të Europës. Funksioni i ambasadorit të shtetit sigurisht është nder, por edhe përgjegjësi. A ju kujtohen ngjarjet kulturore dhe letrare përmes të cilave keni sjellë pjesë të Shqipërsë në Francë, Monako dhe Portugali, vende në të cilat keni përfaqësuar Shqipërinë gjatë asaj kohe?

L. R. : Vitet ’90 me ndryshimet politike në Shqipëri ishin sa entusiazte e shpresëdhënëse aq dhe kaotike si shkak i mungesës së një kulture politike por dhe i kulturës në përgjithësi si dhe i trashëgimisë që la epoka totalitare, ku një pjesë e popullsisë provoi burgjet dhe kampet e internimit si në gjithë Europën Lindore me gulagët e tmerrshëm, të ngjashëm me ata të Siberisë ruse. Pra për herë të parë duhej të bënim tonën konceptet e lirisë, të shtetit të së drejtës, pluralizmit politik dhe të sistemit demokratik në përgjithësi, pra të një shoqërie të lirë, të hapur, humaniste, progresiste dhe të shoqërisë civile. Unë erdha në Paris në mars të vitit 1991, pas shëmbjes së statujës së Enver hoxhës që e përjetova nga afër në Tiranë. Erdha si diplomat në fushën e kulturës në një ambasadë ku nuk kishte ambasador dhe shpejt u emërova i ngarkuar me punë a.i. pra të përfaqësoja Shqipërinë në Francë e më pas në Portugali dhe në Monako. Por në fillimet e mia si diplomat duhej të isha dhe një interlokutor i ri në marrëdhëniet e Shqipërisë me Këshillin e Europës në Strasburg si dhe me Bashkimin Europian në Bruksel. Duke shtuar këtu dhe detyrën e përfaqësuesit të Shqipërisë pranë Unesco-s, kjo padyshim ishte një ngarkesë e jashtëzakonshme për një diplomat të ri që i mungonte eksperienca dhe përvoja diplomatike për të përballuar një mision tepër të rëndësishëm në metropolet e Europës si në Paris, Bruksel dhe Strasburg. Isha si ai fëmija që e hedhin në liqen ku duhet të mësojë notin. P.sh. në Strasburg duhej të shkoja vazhdimisht për formacionet e reja të ekipeve shqiptare lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut, lirisë së shtypit, gruas, sistemeve zgjedhore, çështjeve konstitucionale, reformimit të drejtësisë, shoqërise civile, etj, platforma të reja këto perëndimore për një vend që sapo kishte dalë nga totalitarizmi. Pas kësaj etape të parë diplomatike, gjatë dy viteve u angazhova me revistën prestigjioze «Le Courrier International» duke ndjekur ngjarjet tronditëse të Shqipërisë dhe Ballkanit siç ishte ajo e viteve të “piramidave financiare” të mbrojtur dëshpërimisht nga ish presidenti Berisha apo grushti i shtetit më 1998 i stopuar nga Europa, kohë kur nga Berisha në krye të Partisë Demokratike, pushtohej me antitanke kryeministria dhe televizioni. Kjo periudhë tregoi se Shqipëria ishte shndërruar në një demo-kraturë, një përzjerje e demokracisë me diktaturën e “njëshit”. Por me rotacionin politik në Shqipëri në vitin 1997 më caktuan ambasador në Francë, duke mbular dhe marrëdhëniet diplomatike me Portugalinë dfhe Monakon. Një ngjarje e veçantë me Portugalinë ishte vizita e parë e një kryeministri shqiptar dhe pjesmarrja e Shqipërisë në “Ekspozitën Universale të Lisbonës” organizuar në vitin 1998. Padyshim, veprimtaritë kanë qenë të shumta: i bindur se s’do të bënim “politikën e madhe”, përmes veprimtarive të shumta kam punuar shumë në drejtim të sjelljes së vlerave kulturore, historike, kontributeve shqiptare në hapësirën europiane, paraqitjen e trashëgimisë së kulturës së vjetër, etj, duke ftuar në Paris dhe qytete të tjera të Francës piktorë, artiste, etj. Vazhdimisht kam organizuar ekspozita pikturash, të fotografisë, dhe arteve të ndryshme, takime letrare e artistike, koncerte, takime në kuadrin ballkanik etj, për të treguar gjithnjë përkatësinë europiane të një vendi të lashtë si ai i shqiptarëve. Të jesh diplomat në një vend, kudo qoftë, duhet ta çmosh atë vend, ta duash, të njohësh historinë, kulturën, personalitetet e tij historike, politike, kulturore. Kjo dije enciklopedike të afron me interlokutorët jo vetëm kulturorë por dhe ata politikë e diplomatikë të cilët atëherë të shohin me simpati, si një dashamirës të vendit të tyre si një njeri që kërkon të punosh në drejtim të frymës së miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy popujve. Kjo gjë e ndihmon diplomatin dhe në zgjidhjen e problemeve të vështira diplomatike që mund të lindin. Ishte një fat që isha caktuar në Francë, një vend i cili, me revolucionin e tij më 1789 kishte qenë një frymëzim i gjallë pë Rilindjen shqiptare aq sa në atë kohë të zgjimit për pavarësi ekzistonte dhe ai hymn që nga shqiptarët quhej “Marsejeza shqiptare”. Dua të shtoj se diplomati duhet të jetë dhe një lloj mesazheri midis dy vendeve, aq më tepër kur ai është njeri i kulturës. Pjesa më e madhe e veprimtarisë time krijuese përfshin pikëtakimet franko-shqiptare, historia e përbashkët është mishëruar në vepra letrare.

M. P. Ju keni ligjëruar për Gjeopolitikën, Historinë e Shqipërisë dhe Mbi traditën dhe modernitetin, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Orientale në Paris (INALCO). Si pranohet dhe sa është e njohur gjuha, kultura dhe historia shqiptare nga studentët e huaj dhe si janë vendosur studimet shqiptare në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale kur dihet se gjuha dhe kuktura jonë nuk i përket Orientit?

L. R.: Eshtë e vërtetë që më pëlqen shumë historia dhe qytetërimet e vjetra. Madje sapo kam përfunduar një libër mbi ngjarje dhe histori të para dhe pas erës sonë, ku shumë ngjarje prekin historinë shqiptare dhe Ilirinë, pra bëhet fjalë për figura e ngjarje deri në vitet 1200 me vendosjen e anzhuinëve në trojet shqiptare kur princat shqiptarë nën kërcënimet bizantine u bashkuan me Charles I d’Anjou, i cili u shpall “Mbret i Napolit dhe i regnum Albaniae”. Historia e gjeolopolitika janë padyshim fusha që lidhen ngushtë me njëra tjetrën, pa përjashtuar gjeografinë apo demografinë, veçanërisht me zhvendosjet e popullsive gjatë shekullit XX e deri sot. Unë kam dhënë lëndën e historisë shqiptare dhe të gjeopolitikës, në kuadrin e fuqive ballkanike dhe europiane gjatë gjithë kohrave apo një lëndë tjetër interesante si «Midis traditës e modernitetit», ku më shumë është një lloj sociologjie e lidhur me politikën ku flitet për evolucionin shoqëror nga kohët e hershme mesjetare deri në ditët tona. Një fushë mjaft interesante kur duhet të flasësh nga kuadri e jetës klanore, Kanunit, etj, e tek moderniteti i njeriut të sotëm, i femrës në veçanti, i riteve zakonore, ideologjike, politike, i raporteve të medias me politikën, i lirisë dhe i të drejtave të njeriut, çenzurës, kompromisit të artistit me pushtetin, sistemet politike dhe rolit të letërsisë e artit etj.

Inalco është një nga shkollat më të vjetra të specializuara të Francës, një shkollë e krijuar afro 270 vjet më përpara, e cila nxorri shumë diplomatë që i shërbyen politikës së Francës në kohën e perandorisë në të gjithë botën. Pikërisht në këtë shkollë studjoi dhe poeti i madh Baudelaire. Historia e gjuhës shqiptare që nisi të mësohet këtu që në vitin 1905 lidhet veçanërisht me shekullin e XX, pra në vitet ‘20-‘30 kur Mario Roques por edhe studjues shqiptarë që mbaruan studimet në universitet franceze, u angazhuan si lektorë të gjuhës shqipe. Mario Roques analizoi dhe bëri jehonë veprës së Frang Bardhit në librin e tij ” Le dictionnaire albanais de 1635″, apo siç titullohet ne origjinalin e Bardhit, “Dictionarum Latino – Epiroticum par R.D. Franciscum Blanchum”. Që nga ajo kohë, kur dhe qeveria shqiptare u interesua për përhapjen e kulturës shqiptare në Europë kanë rrjedhur shumë ngjarje, duke vazhduar pas luftës së Dytë Botërore me personalitete të ndryshme shqiptare, duke ardhur në vitet 60-70 me profesor Henri Boissin e më pas kur Christian Gut një nga dashamirësit e mëdhenj të gjuhës dhe histories shqiptare, përkthyes në frëngjisht i Kanunit dhe i veprave letrare shqiptare (“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të D. Agollit), krijoi katedrën e gjuhës shqipe, katedër që vazhdon edhe sot, ku mësohet gjuha shqipe, qytetërimi i vjetër shqiptar, kultura, zhvillimet politike, etj. Shumë lektorë shqiptarë të ardhur nga Shqipëria nëpër vite dhanë një kontribut të shquar në këtë drejtim duke filluar me Sotir Pepo, Nuçi Naçi, Robert d’Angely, etj.

Lidhur me përcaktimin e këtij instituti si i gjuhëve dhe qytetërimeve orientale, kjo s’ka të bëjë thjesht me Orientin siç kuptohet sot, por më shumë me Orientin gjeografik, pasi në këtë institut studjohen gjuhët dhe qytetërimet e Japonisë, Kinës, Rusisë, Koresë, Vietnamit, Indonezisë, vendeve baltike, atyre ballkanike, Turqisë, Kroacisë, Sllovenisë, Greqisë e padyshim atyre arabe, të Irakut, Afganistanit, Sirisë, etj., si dhe Izraelit. Pra është një fushë mjaft e gjerë. Një nga botimet më pasionante për mua ka qenë shkrimi dhe botimi i librit «Bujtës të largët» prej 700 faqesh dhe me referenca të rëndësishme mbi udhëtimet e udhëtarëve francezë nëpër Shqipëri gjatë shekullit XIX, duke bërë një hyrje të këtyre udhëtarëve që në shekujt XIII – XIV dhe në kohën e kryqëzatave drejt Jeruzalemit duke përshkruar trojet shqiptare. Aty janë portrete të historianëve, gjeografëve, arkeologëve, gjeologëve, etnografëve e konsujve francezë të cilët lanë mjaft dorëshkrime e libra të botuara me përshtypjet e tyre për Shqipërinë; janë studjues të njohur europianë si Ami Bue, konsulli Hecquard në Shkodër, arkeologu Leon Heuzey, Guillaume Lejean, François Pouqueville, i dërguari i Napoleonit në oborrin e Ali Pashës, e deri tek konsulli i fundit francez në shekullin XIX Auguste Dozon, i cili bëri dhe zbulimet e para rreth kulturës shqiptare të Komanit, duke përshkruar edhe vizitën e tij në veriun shqiptar.

Në bibilotekën e pasur të Inalco-s kam gjetur botimin e hershëm të piktorit Louis Dupré “Udhëtim në Athinë dhe Konstantinopojë në vitin 1819”, ku ai përshkruante takimet me Ali Pashën dhe arvanitët që pikëtakoi në Athinë e gjetkë, libër që e përktheva dhe e botova në gjuhët shqip-frëngjisht i shoqëruar me ilustrime të mrekullueshme të suljotëve dhe arvanitasve. Një ngasje tjetër ka qenë puna që bëra për shkrimin dhe botimin e librit «Konsujt francezë në Shqipëri gjatë shekujve XVI-XIX», duke i sjellë lexuesit shqiptar personazhe mjaft interesante dhe lidhjet shqiptaro-franceze të Shqipërisë së asaj kohe në dy pashallaqet e mëdha, atë të Janinës dhe Shkodrës. Në libër përshkruhet jeta e zakonshme e këtyre konsujve në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tyre me banorët, duke shfrytëzuar shkrimet, raportet e tyre si dhe librat që ata botuan më pas mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, duke shfrytëzuar arkivat e Quai d’Orsay. Auguste Dozon ishte një personazh mjaft interesant të cilit i kushtova një studim të posaçëm. Ai ishte konsull në Janinë në vitet 1869-1874. Gjatë punës si konsull, ai studjoi thellësisht gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke botuar një fjalor të gjuhës shqipe si dhe librin “Përralla shqiptare” të botuar në frëngjisht dhe në shqipen e vjetër, për çka dhe mori çmimin “Volney” nga Akademia Franceze. Konsulli francez në Shkodër në mesin e shekullit XIX, Hecquard, me veprën e tij “Përshkrim i Shqipërisê sê veriut”, n’a la dêshmi tê rralla tê jetês, historisë, kulturës, zakoneve e traditave popullore. Duke punuar në arkivat e ministrisë së Jashtme franceze, arrita të jap një pasqyrë të qëndrimit të tij në Shqipërinë e atëherëshme, kufijtë e së cilës shkonin gjer në Arta e Preveza. Pas botimit në shqip, unë e botova librin dhe në gjuhën frënge “Dozon, le consul qui aimait les contes” për ta njohur kontributin e tij shqiptar dhe në botën frankofone.

Nga ana tjetër, qenia në gjirin e Inalco-s më ka dhënë mundësinë të thellohem në historinë shqiptare dhe pikëtakimet franko-shqiptare. Nëse kam shkruar dhe botuar libra si Shqipëria gjatë luftrave normando-bizantine në vitet 1090-1105, kjo është në sajë të kësaj pune studimore. Po kështu dhe libri «Kalorësit e stuhisë», mbi marrëdhëniet historike franko-shqiptare nga normandët e anzhuinët e deri tek Skënderbeu dhe kontributi i tij europian dhe lëvizjet shqiptaro-ballkanike të shekullit XVII.

M. P. Në syllabuset e lëndëve që ligjëroni, a janë të përfshirë autorët shqiptarë?

L. R. : Padyshim që janë përfshirë, si në fushën e gjeopolitikës ashtu dhe të historisë. Botimet e Eqrem Çabejit, Kristo Frashërit, Shaban Demiraj, Frano Prendit, Pëllumb Xhufit, letërsia historike rreth Skënderbeut me Barletin, Beçikemin, “Kujtimet” e Gjon Muzakës, etj. Në fakt çdo lëndë, çdo epokë historike ka referencat e autorëve shqiptarë dhe të huaj. E rëndësishme për historinë p.sh. është botimi universitar i “Historisë së Shqipërisë” në pesë vëllime apo botimet e tjera akademike, libra të gjeopolitikës apo historisë si dhe librat e Arben Putos, Paskal Milos, Aurel Plasarit e shumë të tjerë.

M. P. Jeni autor i mbi 50 librave të letërsisë fiksionale dhe studimeve letrare. Po ashtu  keni shkruar një numër të konisderueshëm skenarësh të filmave të metrazhit të gjatë dhe filmave vizatimor? Si arrini të ruani dëshirën dhe vullnetin për krijimtarinë letrare dhe arstistike për një kohë kaq të gjatë?

L. R. : Kur nis një rrugë krijuese është e vështirë të ndalesh pasi sapo botohet një libër rifillon një tjetër. Më kujtohet se kur shkruaja librin “Pikëtakim me Jean Cocteau”, kur shkoja në shtëpinë e një mikeje dhe i bija interfonit, nga apartamenti, zëri i saj pyeste: Kush është? – Jean Cocteau! – i përgjigjesha në frëngjisht. Ajo e dinte që unë po shkruaja këtë libër shumëdimensonal për këtë “princ të poezisë” franceze por dhe dramaturg, regjisor filmash, piktor, aktor etj. Muaj më vonë unë shkova sërish dhe përsëri po ajo pyetje nga interfoni: – Kush është? Dhe unë iu përgjigja: – Jean Moreas!… Ajo e kuptoi menjëherë se kisha filluar një libër të ri. Ishte në fakt libri për poetin franko-arvanitas i ardhur nga Hidra e Greqisë në Francë ku para poetëve francezë ai u prezantua si Jean Moreas, apo Jani nga Morea. Ishte nga Hidra dhe pinjoll i një familjeje të madhe, i dy admiralëve arvanitas Tombazi dhe Papadiamanti, të cilët kishin dhënë një kontribut të madh me anijet e tyre në luftën kundër ushtrisë osmane gjatë revolucionit grek të vitit 1823 për pavarësi. Në Paris, shumë shpejt ky poet i ri, mik i poetit Verlaine dhe Oscar Wild, u bë i njohur dhe themeloi “shkollën e simbolizmit francez” e më pas “shkollën romane” të letërsisë. Në fondin e librave të mia janë mbi 50 libra të gjinive të ndryshme si vëllime poetike, romane, tregime, ese, libra historikë si dhe për fëmijë. Nga librat poetikë mund të përmend ato të botuara në Francë dhe në Shqipëri si “Mbulomëni me një copëz qiell” (frëngjisht dhe shqip), “Territoret e shpirtit” (frëngjisht dhe shqip), “Porto Palermo-vargjet e gurit”, apo “Poezi dashurie në kohë të vonë”. Nga librat historikë mund të përmend dhe dy biografitë: “Fransua Miteran – dhe Zotërit vdesin gjithashtu” dhe “Gjenerali De Gol-një legjendë e gjallë”. Dy biografi-ese në vështrimin e pikëtakimeve franko-shqiptare. Po kështu librat për pikturën dhe piktorët si “Dino-shtegtari i Portës sublime”, për piktorin me origjinë shqiptare Abedin Dino; “Omer – Shtegtimi i shtërgut” për piktorin Omer Kaleshi, “Valdet” për piktorin Valdet Hamidi botuar në Francë apo “Përpara tablosë”, me shkrime mbi piktorë të huaj dhe shqiptarë. Në këtë kuadër mund të përmend disa ese si “Dorëshkrimet e Purpurta” mbi kodikët e Beratit dhe kodikët më të vjetër të botës (një kapitull mê vete ështê mbi zbuluesin e “Kodikëve tê Beratit, “Beratinus 1” dhe “Kodikut të Anthimit”, pra “Beratinus 2” nga studjuesi francez Pierre Batiffol) apo librin me katër vëllime me shkrime publiçistike ”Në udhëkryqet e kohës”, ku janë shkrime të botuara në revista, gazeta, antologji, parathënie librash etj, botuar gjatë këtyre viteve. Një nga librat e fundit është dhe “Epistolari i Zaratës”, i botuar fillimthi në shqip e më pas në frengjisht, L’épistolaire de Zarata”, në anglisht “Zaratha’s Epistolary (Melbourn) dhe në italisht, “Epistolario di Zarata”, të cilin e prezantova në Firenze dhjetorin e kaluar, botuar nga shtëpia botuese “Scribo”. Ishte një ngasje e thjeshtë dhe mjaft domethënëse që e lexova në disa rreshta në një gazetë ku shkruhej për një shqiptar latinist dhe i pasionuar pas letërsisë italiane që pas çlirimit, ishte arrestuar si një pro-perëndimor dhe ishte dënuar në një kamp të burgosurisht politikë, në ishullin e Zvërnecit. Pikërisht atje ai përjeton ferrin dhe njëkohësisht nis të përkthejë “Ferrin” e Dantes nga “Komedia Hyjnore”. Ky fakt më ngacmoi ta shikoja këtë roman në formë epistolari rreth dhunës dhe etjes së lirisë, ku përkthyesi i referohet vazhdimisht jetës dhe veprës së Dantes dhe të dashurës së tij, Beatriçes. Libri është përkthyer dhe në greqisht dhe besoj që do të botohet dhe në gjuhën hollandeze. Krahas poezive kam shkruar romanet “Santa Quaranta” mbi historinë shqiptare të balerinës franko-amerikane Isadora Duncan; “Camera obscura-Origjina e botës” apo së fundi “Një kohë pa kohë”. Nga esetë, mund të përmend botimin në frëngjisht të librit “Le long chemin sous le tunnel de Platon” (“Udha e gjatë në tunelin e Platonit”) mbi artistin dhe raportet me pushtetin gjatë epokës totalitare, ku pasqyrohet letërsia e burgut, çenzura, kulti i individeit dhe i liderit politik, disidenca shqiptare, sistemi i dënimeve të intelektualëve, etj, ngjarje këto që trajtohen deri në fillim të viteve ‘90 me fillimin e ndryshimeve politike në Shqipëri, pra pas rënies së murit të Berlinit..

M. P. Jeni nga autorët e rrallë që përdorni dygjuhësinë, gjë që u mundëson të jeni i pranishëm në letërsinë shqipe dhe franceze? Nga kjo përvojë, a mund të krahasoni kulturën e leximit ndër shqiptarë dhe francezë?

L. R. Aventura e përkthimit dhe e bilinguizmit apo e dy-gjuhësisë filloi fillimisht me një bashkëpunim me miken time të vjetër Solange d’Angély në Paris për librin poetik «Mbulomëni me një copëz qiell», i cili u botua në dy gjuhë, frëngjisht dhe në shqip nga shtëpia botuese «Le Petit Vehicule». Kjo aventurë pastaj vazhdoi me disa libra të tjerë si librin «Krushq të largët» të botuar në shqip e të përkthyer pastaj në frëngjisht «Pont entre deux Rives» («Ura mes dy brigjeve») rreth pikëtkimeve franko-shqiptare gjatë historisë, botuar nga «Société des Ecrivains Français». Më pas nisa të përkthej libra nga frëngjishtja në shqip çka për mua ishte më e lehtë siç ishte një biografi e gjerë historike për dinastinë e Mehmet Ali Pashës, themeluesit të Egjiptit modern, shkruar nga franko-hebreu Gilbert Sinué, shumë i njohur në fushën e romanit historik si dhe romanin historik të historianit dhe shkrimtarit francez Michel de Grèce, «Bubulina», për figurën e Laskarina Bubulinës, një nga kapedanet arvanite që aq shumë i dha revolucionit grek. Ndër të tjera ai shkruante me argumente historike se ishujt Hidra dhe Specaj të Pelopolnezit ishin ishuj të banuar nga shqiptarët të cilët flisnin gjuhën shqipe ashtu si dhe Bubulina. Që nga ajo kohë pata një ngasje të veçantë për temën arvanite. Kështu, duke udhëtuar shpesh nepër Greqi dhe në fshatrat arvanitase, në Peloponez apo rreth Athinës, në Tebë, ishullin Eubea, Menidhi, Mandra etj, unë shkrova librin «Në Greqi mes arvanitasve», libër të cilin e përktheva në frëngjisht «En Grèce avec les Arvanites». Kam përkthyer gjithashtu libra të tjerë historikë siç ishte libri që shkrova për kohën e Luftës së Parë Botërore dhe shqiptarët që luftuan krahas ushtrisë franceze të «Frontit të Lindjes», nën titullin «Bonjour d’Albanie», libër që e përktheva në frëngjisht dhe e botova me titullin «En Albanie, sous l’ombre des bombes». Sigurisht puna me gjuhën, kalimi nga një gjuhë në tjetrën është sa pasionante aq dhe e vështirë, por që të jesh një përkthyes i mirë së pari duhet të jesh një njohës shumë i mirë i gjuhës amtare, të kesh një leksik të pasur për të arritur një përkthim të saktë dhe interesant. Para dy muajsh isha i ftuar në një konferencë internacionale në kuadrin e frankofonisë mes shkrimtarëve të gjuhës franceze nga vende të ndryshme frankofone si Kanadaja, Vietnami, Bullgaria, Hungaria, Rumania, madje dhe nga Algjeria e Kosova, etj., ku secili solli eksperiencën e tij personale në përjetimin e letërsisë përmes dy gjuhëve. Përsa i përket kulturës së leximit, secili vend ka karakteristikat e veta. Në një vend si Franca, kultura e leximit ka qenë gjithnjë e madhe, pasi letrarët kanë qenë të shumtë dhe prurja artistike tepër e madhe në të gjitha kohët, që nga letërsia e hershme kalorsiake e kohës epike me “Këngët e Rolandit”. Kur erdha në Francë, më habiti fakti që ngado që shkoja, në autobuzë, tramvaje, trena, shikoje njerëzit që lexonin libra. Ishte një kulturë e ngulitur gjeneratë pas gjenerate, një traditë që edhe pse me zhvillimin e madh të kinematografisë, televizionit dhe mjeteve të reja të komunikimit masiv përmes internetit, dashuria për librin qëndronte konstante. Edhe në kohën e librit elektronik, francezët përsëri duan më shumë librin e shtypur. Ndërsa në Shqipëri edhe në kohën totalitare, njerëzit ishin të etur për të lexuar edhe pse një letërsi e zgjedhur dhe e çenzuruar përsa i përket letërsisë së huaj, përgjithësisht klasike. Leximi ishte një dritare e hapur drejt botës, dijes, njohjes së kulturave të tjera dhe historive të popujve. Kjo traditë, me ndryshimet politike në Shqipëri pas viteve ’90 vazhdoi fuqishëm me rritjen e botimeve më së tepërmi të letërsisë së huaj me autorë që më parë ishin të çenzuruar apo me autorët më të rinj të botës moderne dhe të letrarëve nga e gjithë bota.

M. P. Pra, në Francë, letërsia shqipe është e njohur përmes dygjuhësisë dhe përkthimeve. Përveç Kadaresë, që tashmë botërisht është i njohur për arritjet letrare në shtetin francez, si mendoni, cilët janë autorët shqiptarë më të njohur dhe të pranueshëm për lexuesin dhe kritikën franceze?

L. R. Letërsia e Kadaresë është letërsia shqiptare më e njohur në Francë si dhe në gjithë botën. Madje shumë romane në gjuhë të tjera të huaja, vite më parë janë bazuar në versionin frëngjisht të përkthyesit të madh Jusuf Vrioni. Ky shkrimtar i madh ka arritur të japë me një art spikatës dramën dhe shpirtin shqiptar, historinë e tij dhe ngjarjet më tronditëse, nga kohrat e vjetra gjer në ditët tona, veçanërisht të kohës totalitare, dhënë me një modernitet të skajshëm. Kur erdha në Francë, më kujtohet se kur binte fjala për Shqipërinë në personalitete të ndryshme citohej menjëherë emri i Kadaresë. Por në vitet 2000 autorë të tjerë u botuan në Francë si Fatos Kongoli, Besnik Mustafaj, Bashkim Shehu, Ornela Vorpsi, Ylljet Aliçka, Besa Myftiu etj, si dhe autorë të tjerë, poetë e romancierë, botime antologjish të romanit apo poezisë shqiptare, etj. Sigurisht shumë autorë të tjerë po përkthehen në gjuhën frënge, edhe pse duhet thënë se pak përkthyes ekzistojnë aktualisht në perkthimin e letërsisë shqipe në gjuhën frënge. Le të shpresojmë që nga gjenerata e emigracionit pas viteve ’90, të lindur në Francë tashmë, të dalin përkthyes të përsosur.

M. P. Keni përkthyer mbi 15 shkrimtarë shqiptarë dhe francezë në gjuhën frënge dhe në gjuhën shqipe. Një kontribut i çmuar. Si vendosët të merreni edhe më përkthime; nga kërkesa e shtëpive botuese, se identifikuat përfaqësim të mangët të dy letërsive në gjuhën e njëra tjetrës, apo për kënaqësi?

L. R. Dëshira për të përkthyer erdhi si një nevojë e brendshme dhe si pasojë e pasionit për gjuhën frënge, fillimisht duke përkthyer librat e mi nga shqipja në frëngjisht, krijimet poetike, esetë, etj, siç ndodhi dhe me librin «Pont entre deux Rives», një vëllim që përmblidhte pikëtakime të Shqipërisë dhe Francës përgjatë historisë, me ngjarje e personazhe të ndryshme, nga Skenderbeu dhe poeti Ronsard, tek «Opera Skenderbeu» e shfaqur në Versajë duke vazhduar me Faik Konicën në Francë dhe revistën e tij «Albania», me histori të emigracionit, apo francezë të mëdhenj që iu gjenden pranë Shqipërisë në ditë të vështira siç ishin deputeti Justin Godart apo senatori Paul d’Estournelles de Constant si dhe personazhe të një kohe të mëvonët deri në ditët tona. Një nga librat e parë ishte dhe përkthimi në shqip i poetit francez Alain Bosquet «Demain sans moi» («Nesër pa mua»). Më pas kam përkthyer poetë shqiptarë në frëngjisht si ishte Rita Petro me librin «L’Origine» të botuar në shtëpinë botuese «L’Harmatann», Petraq Risto me «I hidhur mjalti i varreve» botuar në «L’Harmattan» apo së fundi «L’homme avec la fenëtre dans ses bras» («Njeriu me dritaren në krahët e tij») botuar po në «Le Petit Vehicule» (në bashkëpunim me përkthyesin Luan Canaj. Nga poetët francezë kam përkthyer gjithashtu librin e Laure Cambau «E bardhë pa të bardhë», ku gjysma e librit i kushtohet pikturës së Omer Kaleshit nga shqiptarët e Maqedonisë së veriut. Ishte shtëpia botuese ALBAS në Tiranë që më kërkoi të përktheja «Kantikën e Kantikave» apo siç njihet gjithashtu «Kënga e Salomonit», që është dhe kënga më e vjetër dhe më e bukur e dashurisë në botë. Kjo pjesë e Dhjatës së Vjetër, pra e Biblës hebraike, duhej përkthyer në fakt nga hebraishtja, por në mungesë të një përkthimi të deritanishëm nga kjo gjuhë, me dëshirën për ta bërë të njohur këtë perlë të dashurisë, e përktheva nga frëngjishtja duke krahasuar tekstin zyrtar të Vatikanit me dy përkthime të tjera, njëra prej të cilave nga studjuesi i shquar Ernest Renan.

M. P. Sipas mendimit tuaj, çka po ndodh me letërsinë në këto kohë të zhvillimeve të mëdha teknologjike dhe konsumit të shpejtë. A kemi lexues të durueshëm që i rrinë besnik leximit voluminoz të letërsisë?

L.R. : Sado të përparojnë teknologjitë e komunikimit gjer tek ato më të sofistikuarat, mendoj se njerëzimi nuk do ta lëshoj librin nga dora, jo pse është krijuar tashmë një lloj riti i vjetër, por sepse ka një lidhje të jashtëzakonshme shpirtërore midis librit në letër dhe lexuesit që nga koha e Gutenbergut. Kam pyetur shumë miq e njerëz rreth leximit të romaneve në tabletat elektronike, madje e kam provuar dhe vetë, por e pamundur ta shijoj letërsinë në një ekran, ndryshe nga libri në letër, që e shfleton duke medituar mbi të. Leximi elektronik është një lexim i ftohtë, edhe pse praktik për tu informuar, por nuk është emocional. Eshtë një lidhje shekullore që u reziston dhe do ti rezistojë teknologjive moderne edhe në të ardhmen. Njeriu ka nevojë ta lexojë në letër, ti rikthehet dhe të imagjinojë në intimitetin e tij.

M. P. Bazuar në përvojnë tuaj, letërsia shqipe lexohet dhe mësohet si një letërsi e përbashkët, apo e ndarë sipas shteteve/qendrave kulturore?

L. R. Kudoqoftë njeriu, në një vend të madh apo të vogël ka nevojë jo vetëm të lexojë letërsinë e kombit të tij por dhe të kombeve të tjerë. Kjo ka qenë dhe është e përbotshme. Latinët nisën të përkthenin autorët antikë të Greqisë së lashtë, sepse njerëzit kishin nevojë të njihnin popujt e tjerë. Po kështu Perëndimi përktheu letërsinë e vjetër perse apo atë kineze e arabe. Të gjithë duam të lexojmë nga letërsia e popujve të tjerë, pasi përmes saj mësojmë për trashëgiminë e tyre, traditat, sistemet shoqërore, identitetet, trashëgimitë materiale dhe imateriale. «Iliada» dhe «Odisea» janë përkthyer në të gjitha gjuhët e botës. Po kështu dhe eposet e popujve ballkanike, hispanikë, frëng, gjermanikë apo skandinavë. Letërsia lexohet sipas pasioneve, kërshërive, nevojave për të njohur një letërsi apo zhanret e një letërsie duke parapëlqyer këtë apo atë zhanër, poezinë apo prozën, tregimin fantastik apo esenë, biografitë, letërsinë për fëmijë, etj. Ajo sot mësohet nëpër shkolla në një kuadër më të gjerë, sipas shkollave letrare, traditave të shkrimit, autorëve, etj. Qendrat kulturore dhe Shtëpitë e Librit dhe të Leximit apo të Komunikimit janë bërë sot një nevojë e domosdoshme, por edhe panairet e mëdha, të cilat na japin rastin të njihemi si me letërsinë e traditës ashtu dhe me autorët më të rinj të saj.

M. P. Para përfundimit, po kthehemi në vitet `90 kur Shqipëria ishte e mbyllur nga regjimi komunist dhe ju thyet kufijtë e hekurt për të komunikuar me Parisin, për të kryer funksionin e redaktorit në “Courrier International”, si ndodhi?

L. R. Në fillimin e viteve ’90 unë vija në Paris si diplomat me pasionin për tu takuar me një kulturë perëndimore, por duke patur stigmatet e një kohe totalitare. Ishte koha kur mijra të rinj vazhdonin të largoheshin drejt Perëndimit për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe gëzuar lirinë, përmes një emigrimi plot rreziqe. Por ata më së fundi ia dolën mbanë. Pas viteve 1991-1993, ish presidenti Berisha me të ardhur në pushtet perms një nisme personale dhe autoritare i largoi nga ambasadat shqiptare nëpër botë të gjithë diplomatët që kishin ardhur para se ai të merrte pushtetin. Ishte një masë drastike dhe «revolucionare» e tipit të Robespierit. Pra në Shqipëri gjithçka duhej të fillonte nga viti «zero», nga e para: ekonomia, kultura, drejtësia, diplomacia. Kështu unë fillova të merresha me kinematografi, duke u angazhuar me filmin franko-shqiptar «Larg barbarëve» të regjisores Liria Begeja e më pas në filmat të Pavel Lungin apo të Frederik Miteran. Në vitin 1995 u angazhova në revistën prestigjioze «Le Courrier International» per të mbuluar ngjarjet në Shqipëri dhe rreth saj në Ballkan, meqë Ballkani përjetonte ngjarje të mëdha tragjike dhe tranzicionet ishin tepër të vështira. Duhej sjellë jeohna e shtypit shqiptar rreth ngjarjeve si djegja e gazetës «Koha jonë», zgjedhjet e vitit 1996, Referendumi i Berishës apo ngjarjet e lidhura me «piramidat financiare» e veçanërisht ngjarjet kur në mars të vitit 1997 shteti ra dhe Shqipëria ishte në gjendje kolapsi. Në vjeshtë të vitit 1997 u caktova ambasador në Paris në një situatë post-krize, kur me ndryshimet politike, e majta erdhi në pushtet. Por përsëri Shqipëria do të perjetonte ngjarjet tragjike të grushtit të shtetit në 1998 kur Berisha në krye të Partisë Demokratike sulmoi me antitanke kryeministrinë, e pushtoi atë si dhe televizionin shtetëror çka tregoi për trashëgiminë e politikës së dhunës. Duke vendosur në kontakt direkt ministrin e Jashtëm francez me homologun e tij shqiptar, Franca, ashtu si gjithë vendet perëndimore dhe Amerika, shprehu mbështetjen e plotë për qeverinë shqiptare duke deklaruar se pushtetet nuk merren përmes dhunës së rrugës por me programe elektorale dhe votën e popullit.

Një nga peirudhat më interesante për mua ka qenë periudha e Luftës së Kosovës, me ngjarjet e Konferences së Rambujesë dhe të Kleber, çka e kam përshkruar dhe në librin kushtuar atyre ngjarjeve në veprën «Nën hijen e eklipsit», ku tregoj për angazhimin e madh politik e intelektual të Francës pro popullit shqiptar në Kosovë, takimet e udhëheqësve kosovarë në ambasadën shqiptare në Paris, etj.

M. P.  Jeni nderuar me çmime presidentësh, në vitin 2002, jeni nderuar nga Presidenti i Republikës franceze, Jacques Chirac me dekoratën e lartë “Grand Officier de l’Ordre National de Merite”, (Oficer i Madh i Urdhërit Kombëtar te Meritës), në vitin 1986 jeni dekoruar me dekoratën “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Si kanë ndikuar këto çmime të larta në krijimtarinë tuaj letrare?

L. R.: Dekorata “Grand Officier de l’Ordre de Merite» është një dekoratë tepër e rëndësishme që mund ti jepet një diplomati dhe kjo mendoj ka qenë furt i angazhimit si në planin bilateral ashtu dhe në angazhimin tim në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe si përfaqësues Personal i presidentit Rexhep Meidani. Më pas unë u zgjodha anëtar i Këshillit të Lartë të Frankofonisë, një këshill që përpunonte politikat e kësaj organizate. Në ato vite kam udhëtuar shumë në vendet frankofone dhe kam marrë pjesë në misionet vëzhguese për zgjedhjet presidenciale dhe parlementare në vendet frankofone në Afrikë (Senegal, Niger, Cad, Madagaskar apo në Oqeani, në ishujt Moris etj. Madje kam drejtuar dhe misione të tilla. Këto udhëtime, siç ishte dhe ajo në Guine Bisao, të japin rastin të njihesh me kulturat e popujve dhe shkrimtarët e këtyre vendeve. Ndërkohë në vitin 2000 u nderova dhe me çmimin europian të Shoqatës së Shkrimtarëve të Gjuhës Frënge për librin “Udha e gjatë në tunelin e Platonit”. Megjithatë, nuk janë as dekoratat e as çmimet ato që të nxisin në kuadrin letrar. Gjithçka vjen nga pasioni dhe dashuria për letërsinë dhe aktin e të shkruarit. Nga libri në libër fitohet eksperiencë, mësohet, ngjit shkallë të tjera.

M. P. Duke dëgjuar për punën tuaj voluminoze, tani, jeni duke pushuar apo duke punuar në projekte të reja?

L. R. : Kur hyn në rrugën letrare e vështirë të ndalesh pasi në çdo hap, në çdo ngjarje apo histori njerëzore që je i pranishëm është gjithnjë ngasja për ta shkruar në një mënyrë letrare, për tu bërë një narrator, një rrëfimtar i ngjarjes apo jetës së një personazhi. Ja pse udhëtimet janë shpesh burime letrare pasi ke mundësi të pikëtakosh personazhe, të njohësh drama, tragjedi, supersticione apo komedi që ti sugjeron vetë jeta e përditëshme. Aktualisht sapo kam përfunduar një libër me shkrime historike nga koha e Cezarit deri në vitin 1200 ku përfshihen ngjarje historike me Shqipërinë. Ndërkohë po përgatis gjithashtu një libër të ri poetik si dhe një roman bazuar mbi një tregim të botuar në vëllimin me tregime “Vjeshta e Alberto Savianit” të botuar para dy vitesh. Eshtë interesant fakti se jo rrallë tregimet më japin ngasjen për ti kthyer ato në romane, pasi lënda apo ngjarjet dhe personazhet që përshkruhen janë të tilla që premtojnë për një trajtim më të gjerë. Ndërkohë kam përfunduar dhe shkrimin e një tregimi fantastiko-shkencor për fëmijë që mori shkas me shpalljen në janarin e këtij viti të një ylli me emrin “Illiria” dhe planetin e tij të quajtur “Arbër”. Më pëlqen letërsia për fëmijë çka dëshmohet dhe me librat e botuar “Në botën e pikturës” dhe “Legjenda shqiptare” të botuara nga ALBAS. Po kjo shtëpi botuese më ka botuar 9 libra të kolanës “Më quajnë”, si librat “Më quajnë Skënderbeu”, “Më quajnë Onufri”, “Më quajnë Aleksandër Moisi”, «Më quajnë Ismail Qemali», e për personazhe të tjerë historikë apo të artit e kulturës shqiptare. Siç mund ta kuptoni unë shkruaj paralelisht zhanre të ndryshme duke ecur paralelisht në disa projekte njëherësh, çka ndoshta dikë tjetër do ta pengonte kjo mënyrë të shkruari. Zakonisht poezitë i shkruaj nëpër trena, tramvaje, avionë, nga ngasje direkte, pa pritur muzën. Prej disa kohësh kam dashur të shkruaj për një figurë mjaft interesante, senatorin francez Paul d’Estournelles de Constant, një nga mbrojtësit e mëdhenj të Shqipërisë në vitet ’20 të shekullit XX, por për këtë më duhet të shkoj jashtë Parisit, ku dhe ndodhet gjithë fondi i tij arkival. Tashmë sapo kam mbaruar mbledhjen e materialeve historike dhe nisur shkrimin e një libri për stradiotët shqiptarë në Francë dhe bëmat e tyre, pasi stradiotët që erdhën nga brigjet shqiptare dhe Peloponezi pas vdekjes së Skënderbeut i shërbyen fillimthi Republikës së Venedikut e më pas morën pjesë në luftrat e Italisë. Gjatë një shekulli ata u shfaqën dhe në Francë, duke filluar me mbretin francez Charles VIII e duke vazhduar me mbretin Louis XII, François I apo Henri IV. Ishin këta stradiotë, këta «kalorës të stuhisë» siç i cilësonin kronistët e asaj kohe, që i dhanë Francës fitoren gjatë betejës së Marinjanit. Shumë prej tyre, mbretërit francezë i fisnikëruan pasi ishin ata, siç shkruajnë historianët francezë që krijuan në ushtrinë franceze atë që quhej «Chevalerie albanoise» («kalorësia shqiptare»). Një kohë padyshim epike. Kontributi shqiptar, siç e vë në dukje dhe një nga historianët e mëdhenj francez Albert Dumont, është i madh në Mesjetën europiane… Pra në punën krijuese, siç e shikoni, do më duhej që dita të mos kishte 24 por 48 orë, në mënyrë që të mund të realizoj dëshirat e mia por dhe si kontribut në fushën e historisë dhe të letërsisë.