Një histori dashurie dhe arti – Aristide Maillol dhe Dina Vierny

Trupa femërorë derdhur në bronx, në lëndinat e gjelbërta të Luvrit, në «Jardins de Tuileries» buzë Senës, mes asaj turme njerëzore e të pandalshëm ku njerëzit të mahnitur nga ato skulptura, ndalojnë për të parë disa çaste vepra që të ngjizin në kujtesë. Tri adoleshente, një grua e shtrirë në një estazë të bukur, një tjetër me kokën e lëshuar në atë shprehi sikur t’i thotë hyjnisë: “Ku vallë gjendem kështu, në ç’botë? “… Trupa nudo me një harmoni të mahnitshme çka i japin jetë këtij mjedisi. E duke u afruar tek to, njeriu, vizitori, burrë apo grua, e ndjen se është i njëjti trup, e njëjta grua, të njëjtët gjinj e forma të kolme krijuar e derdhur nga dora e një njeriu, e një mjeshtri, e një artisti. Ky artist quhej Aristid Majol (Aristide Maillol), i treti mjeshtër i madh pas skulptorëve të famshëm francezë Roden (Rodin) dhe Burdel (Bourdell). Ndërsa kjo grua e derdhur në bronx me një sensualitet të veçantë quhej Dina Aibinder apo më pas Dina Vierny, muza e skulptorit, e cila që në lulen e saj të rinisë do të bëhej idhulli i tij. Thua se një dorë hyjnore ia kishte sjellë ne pragun e atelierit, duke i thënë: «Ja, kjo është muza juaj! Rikrijoje tani, dehu me të! … Pasi arti është në fakt një lloj ngazëllimi e dehje, një klithje arti, një përgjërim ndaj të bukurës. A nuk janë përgjëruar kështu një Botticelli, një Mozart, një Flaubert, një Rodin. Dhe Maillol, i cili më parë ishte piktor, më vonë iu drejtua skulpturës për të dhënë atë trup të kolmë, atë shpirt, që më vonë do ta rikrijonte dhe me sy mbyllur! Ç’ishte vallë?

Kthehem e rikthehem shpesh me miq të ndryshëm që vijnë nga Tirana në këto lëndina, me miq që ende nuk i kanë parë këto mrekulli ku ato shfaqen me hiret e tyre, skulptura që mjeshtri u dha emrat apo titujt “Tri hiret, Ajri, Lumi, Mali, Harmonia, Mesdheu“… pasi ky gjeni i gjestit, që gjithë jetën kërkoi i etur në rrugën e perfeksionit të formës, zbuloi njëkohësisht dhe atë që një shpirt, një frymë, një dëshirë, mund ta ngjizësh dhe në gur, në mermer, në bronx… dhe atëherë vizitori pranë tyre mund të pëshpërisë: “Skulpturat marrin frymë!… “

Sigurisht, Dina, me forcën, karakterin, inteligjencën dhe poetikën e saj do të kishte dashuritë e veta, dehjen e saj të rinisë dhe të pjekurisë, por dashuria e tyre, ishte dashuria e syve, e prekjes, e paqtimit, e dëshirës dhe rikrijimit. Nuditeti i saj u bë formë primare e të bukurës për Majol, formë e bukurisë pagane, e origjinës, e krijesës njerëzore. Dhe kështu ajo, me orë, javë, muaj e vite, qëndroi para tij, nudo, e shtrirë, në këmbë, përkulur, kruspull, ëndërruese, e dehur dhe në ekstazë, e lëshuar dhe stoike, gruaja në të gjitha format e saj.

Majol kishte lindur në vitin 1861 dhe vdiq në fundin e luftës, në vitin 1944, në jug të Francës,  pa mundur ta shijonte ende jetën dhe muzën e tij që nuk iu shqit për asnjë çast. Dinën e kisha parë në fillimin e viteve ’90 në galerinë e saj “Dina Vierny“ në Rue Jacob, ku kishte një pjesë të veprave të mjeshtrit të saj dhe më vonë në kohën kur u inagurua Muzeu “Maillol“ në Rue de Grenelle, ku banoja dhe unë. Ajo ishte 15 vjeçare kur erdhi në Paris, pas një peripecie të jashtëzakonshme duke u larguar më 1925 në fshehtësi nga Besarabia e më pas në Berlin, dhe që andej kohë më vonë, kjo familje hebre kishte kaluar kufirin francez drejt Parisit, ku i ati pianist u angazhua në një sallë kinemaje, ndërsa nëna e saj kishte qenë këngëtare. Pikërisht në atë kohë ishte një miku i babait të saj që ia prezantoi Dinën mjeshtrit Majol, i cili menjëherë ra në sharmin e saj edhe pse ajo ishte ende një adoleshente ndërsa ai një 73 vjeçar. Por dashuria e tyre ishte një dashuri e shpirtit. Në një film artistik me aktorin e njohur Jean Rochefort, kisha ndjekur këtë lidhje të habitshme por mjaft njerëzore… botën e artistit dhe modelin që i jepej me plot dëshirë. Një histori Pigmalioni. Dhe kjo histori mes tyre do na kujtojë dhe plot histori të tjera siç ishin shkrimtarja Marguerite Duras me të dashurin e saj të ri Yan Andrea apo skulptorin Cesar me modelen dhe sekretaren e tij.

Majol ishte i dashuruar pas trupit të saj, formës, atij pulsimi trupor që vetëm ai e ndjente. A mund të punohet me vite të tëra pa ndalur sipas një modeli të njëjtë? Ndryshe nga Botticelli me Simonetën apo Rafaello me Farnarinën, Matisse i ndërronte modelet e tij, por Lydia, një nga modelet e tij jetoi 30 vjet me Matisse gjer në vdekjen e tij. Ajo ishte zonja e shtëpisë dhe modeli, hiret e natyrës njerëzore, dhe frymëzimi i tij. Madje dhe vizatimi i tij i fundit ishte një portret i Lydias, ashtu siç do të ishte për Majol një etyd për Dinën, apo “Didi“, siç i thërriste ai, ndërkohë që ajo e thërriste “Mon Patron“ (Patroni im), pasi Majol ishte për të Ati i skulpturës. Auguste Rodin, që e kishte pikasur veprën e Majol që në vitet e para të shekullit XX, thoshte se “Majol është një skulptor po aq i madh sa të mëdhenjtë… Unë jam i bindur dhe i qetë për avenirin e tij…” Roden shikonte tek ai pasuesin e vet, artin e madhërishëm. Dhe Majol nuk do ta zhgënjente me forcën e daltës së tij. Majol ishte një njeri i thjeshtë, ai kishte mbetur në natyrën e tij provinciale, atelieri i tij ishte gjithnjë një atelier i varfër, ku shkëlqenin kryeveprat e tij.

Ishte viti 1934 kur Majol i dërgonte Dinës së panjohur një letër të shkurtër: “Zonjushe, më thonë se ju i ngjani një vepre të Majol apo të Renuar. Do më pëlqente më shumë të ishe një personazh alla Renuar…“ Duke kujtuar këto letër, në librin e saj me kujtime, shkruar me Alain Jaubert, Dina tregonte: “Unë u habita nga kjo letër por një miku i babait më tha: “Duhet të shkosh. Do ishte diçka e mrekullueshme. Do ta gjesh të djelën në kopshtet e Marly-së ku ka shumë njerëz. Atje do të takosh artistë e muzikantë.Të gjithë shkojnë atje.“ Unë nuk kisha ndonjë dëshirë por ai këmbënguli. Pranova vetëm për ti bërë qefin. Dhe në fakt, herën e parë që shkova kishte shumë njerëz. Atë ditë më thanë: Shko drejt atij që është me plaku! Dhe unë shkova drejt atij që mu duk më i vjetri për ta përshëndetur, një burrë me një mjekër të bardhë por nuk ishte ai. Ishte Van Dongen. Të gjithë qeshën dhe kështu u thye ndrojtja ime…“

Po atë ditë ajo e takoi plakun Majol. Dhe vërtet, ai pikasi se Dina ngjasonte me figurat e tij dhe menjëherë i shprehu dëshirën të vinte në atelier si modele. “Në fillim, meqë shkoja fshehurazi prindërve, shkoja rrallë, të enjteve dhe nganjëherë të djelave. Ishte një njeri i gëzuar, shumë i këndshëm dhe asnjëherë nuk u mërzita tek ai. Të pozoja për të ishte diçka tërheqëse dhe kureshtare për mua. Herën e parë që shkova i thashë: “Zoti Majol, do qëndroj vetëm gjymë ore!… ishte thjesht një kureshtje e madhe. Por unë do qëndroja kështu dhjetë vjet rresht. Në fillim pozova vetëm si portret. Majol jetonte në Marly-le-Roi dhe atë kohë unë isha në lice e më pas studente për fizikë dhe kimi. Në fillim pikturonte. Më vonë, kur iu kthye skulpturës më tha se tani do ishte i aftë ta bënte figurën time në skulptura monumentale…“

Pikërisht në këtë periudhë Dina hyn në skulpturën e tij monumentale që shohim sot në parqe, sheshe dhe muzeume dhe ku shkëlqen më së miri arti i Majol. “Një ditë i thashë, – kujtonte Dina: – “Mos ki frikë të më thuash që të xhvishem. Unë bëj pjesë në shoqatën “Miqtë e natyrës“. Nuditeti është pastërti. A nuk shkruante Alfred de Musset se “Gjithë qeniet që janë vërtet të bukura e lënë tu shihen bukuritë e tyre“. Ai u prek nga kjo thënie e Musset dhe ne filluam të punonim shumë. Ai pëlqente më tepër Rembo dhe Bodler ndërsa unë isha militante, këndoja dhe interpretoja në trupën teatrale “Tetori“ (Octobre) në Paris… Kur Alain Jaubert e pyeste Dinën se ç’përfaqësonte lidhja e modelit me artistin, ajo do ti përgjigjej: “Nuk mendoj se thjesht pozoja. Shumë shpejt unë hyra në proçesin e tij krijues. Kjo gjë më tërhiqte. Bashkë bisedonim gjatë dhe unë përpiqesha ta kuptoja, të kuptoja artin e tij. Shpejt pata iluzionin se duhej ti shërbeja artistit i cili në të vërtetë s’ka nevojë për askënd. Midis tij dhe meje nuk kishte asgjë sensuale. Kishim një admirim reciprok njëri për tjetrin….“

Po, Dina ishte diçka më shumë se një modele, ashtu siç kishte qenë Gabrielle për Renuar, Victorine (Olympia) për Manet apo Lydia për Matisse…

Kur Franca u pushtua nga Gjermania, Majol u nis drejt vendlindjes së tij, në Banyuls, të vazhdonte punën e tij me gurin dhe mermerin. Dina e kishte të vështirë ta linte jetën parisiane por më në fund dhe ajo u nis drejt jugut dhe shkoi tek shtëpia e mjeshtrit të saj. Në atë kohë natën largohej dhe kthehej vetëm në mëngjes dhe Majol e kuptoi se modeli i tij por dhe mikja shpirtërore bënte diçka të dyshimtë, pasi në mëngjes atë e zinte gjumi në këmbë. “Një ditë ai më pyeti, – kujton Dina. – Çfarë ke kështu? Mos je sëmurë?… Kisha frikë ti tregoja se isha lidhur me Rezistencën. Nuk e dija si do të reagonte. Do të zemërohej vallë? Më së fundi i tregova por ai nuk më qortoi. Madje më pyeti se si arrinim ti kalonim klandestinët. – Ju nuk i njihni malet! – më tha. Dhe të nesërmn më mori dhe u nisëm në mal ku më tregoi shtigjet nga ku duhej kaluar natën. Pas kësaj më pyeti: – Po si ia bën që lidhesh me ta? – Shumë thjeshtë, – i thashë. – Në mbrëmje shkoj në kafenë e qytetit me trenin e fundit. Aty i takoj. – Po si të njohin? – E thjeshtë: vesh një fustan të kuq…. Ai u habit dhe menjëherë më bëri një portret me fustanin e kuq, i cili është dhe sot në muzeun Maillol në Paris.

Gjatë luftës, Dina u arrestua dy herë nga Gestapo që përgatitej t’a çonte me trenat e vdekjes drejt Auschvitz, siç kishte dërguar të atin e saj i cili nuk do të kthehej kurrë… Herën e parë u arrestua më 1943. Por përmes një avokati, Majol i fshehu lidhjet e saj me Rezistencën, ku në kufirin e Pirrenejve ajo dërgonte gjithë emigrantët hebrej apo antifashistë të kalonin drejt Spanjës dhe pastaj drejt Amerikës. Ajo u dënua thjesht me një gjobë për kontrabandë, edhe pse Gestapo do t’a mbante në shenjestrën e vet. Më pas, Majol kërkoi ta fshihte në Cimez, në zonën italiane por dhe aty, meqë vazhdoi të punojë për Rezistencën, e arrestuan përsëri. Mjeshtri e vuajti shumë burgosjen e muzës së tij në burgun e Fresnes, jo larg Parisit, ku ishte i burgosur dhe poeti Robert Desnos, i cili do të përfundonte në kampet naziste të shfarosjes. Si mund të punonte tani kur ajo muzë, ajo dashuri, kërcënohej të shuhej nën barbarinë naziste?… A mund ta shpëtonte ëngjëllin e tij? Një skulptor gjerman e kishte takuar në atelierin e tij para se ta linte Francën. Dhe mjeshtri plak i kishte thënë: “Meqë e pëlqeni skulpturën time dhe meqë do ktheheni, më jepni një adresë ku tu shkruaj një letër të cilën t’ia jepni në dorë mikut tim Breker. Eshtë diçka tepër e rëndësishme. Modelen time Dina Vierny në Paris e kanë arrestuar. Nuk di nëse është gjallë. Nëse jeton ende, duhet shpëtuar. Pa të nuk mund të punoj…“

Fatmirësisht pas pak kohësh në Paris erdhi për të hapur një ekspozitë një skulptor i njohur gjerman Arno Breker, skulptor, i cili i njihte rrethet e larta të Rajhut të III dhe me ndihmën e tij, Dina përsëri i shpëtoi trenave të vdekjes. Por mjerisht, si pasojë e një aksidenti me makine, në shtatorin e vitit 1944, në vendlindjen e tij në Banyulis-sur-Mer, Majol do të jepte frymën e fundit

edhe pse deri në ato çaste kishte qenë një plak i fortë që syzet i përdorte rrallë. “Ishte i bindur se isha arrestuar përsëri, – kujtonte Dina, – madje në spital, në një fletore shkollarësh, ai kishte shkruar: “Lironi Dinën nga burgu!”

Ai vdiq larg, pothuaj i harruar, madje i parë shtrembër nga bashkëfshatarët e tij të cilët nuk i kishin parë me sy të mirë artistët gjermanë që shkonin ta takonin në atelierin e tij. “Ai ishte bërë si një baba për mua, – kujtonte Dina. – Ai ishte krijuesi im, më hapi shtegun nga duhej të shkoja në jetë. Vdekja e tij më la një keqardhje të jashtëzakonshme gjatë gjithë jetës.” Mjeshtri e kishte caktuar atë si trashëgimtare të veprave të tij dhe Dina do ta mbante gjallë kujtimin e tij përmes shumë ekspozitave, botimeve, retrospektivave e deri në krijimin e muzeut Maillol në Paris i cili u inagurua në praninë e presidentit Mitterrand. Duke folur për veprat e mjeshtrit të madh, ajo u tregonte shpesh miqve artistë, gazetarëve e kritikëve të artit një thënie të Majol mbi skulpturat e tij të cilat i konsideronte si “poezitë e jetës time…“.“Në vend që të shkruaj apo flas me vargje, – thoshte ai, – unë shprehem përmes pikturës». Dhe padyshim, skulpturat e tij janë dëshmi të një force, dashurie dhe gjenialiteti spikatës. Ai padyshim nuk e kishte imagjinuar se muza e tij në bronx do të ishte e pranishme kaq bukur mes këtij lumi njerëzor në mes të Parisit, në këtë fillim mijëvjeçari…

Mund të shkoni natën në parkun e Tuillerie-s dhe aty, nën dritat e neonëve apo të natës së plotë, buzë Senës, mund të shikonte ato skulptura ku mjeshtri plak shkriu gjithë jetën e tij. E padyshim Brenda atyre mermerëve fshihej një dashuri e madhe…