Shkrimi i këtij libri nisi krejt rastësisht. Një ditë, një regjisore, një mikesha ime e Kinostudios, me të cilën kisha punuar 25 vjet më parë, më solli një video me një film që kishim realizuar sëbashku mbi një bard të këngës epike, që atëherë jetonte në Curraj të Epërm, në një vend tepër të largët, midis maleve të veriut shqiptar. Një fshat i humbur përmes grykash pa rrugë, ku për të shkuar atje, duhej të udhëtoje katër-pesë orë në këmbë. Nuk di se kush më kishte folur rreth atij bardi 105 vjeçar, i quajtur Mëhill Vukaj, i cili me lahutë në dorë dhe veshur me tirqe të bardha, këndonte akoma këngë të gjata në mijra vargje, këto “monumente” të gjalla të traditës epike, i cili zgjohej dhe flinte me këngët e Mujit dhe Halilit dhe ato të Ago Ymerit. Duke riparë filmin në Paris, mu shfaq menjëherë ai udhëtim i lodhshëm dhe i paharruar, ai udhëtim në ato shtigje që kalonin buzë greminash, mes pamjesh prrallore, të papara ndonjëherë në ekranin shqiptar. Nga një lartësi prej 2000 metrash, në Qafë Kolsh, udhëtari mund të shikonte atë gropë gjigande, gati kozmike, ku lumi i Cemit, poshtë, dukej si një vijëz e hollë ngjyrë blu, mes atij gjelbërimi të madh. Aty fillonin Bjeshkët e Nëmura, trojet e atyre këngëve epike të lindura në shekujt XIII-XIV dhe të përcjella brez pas brezi. Më kujtohet se që nga ajo kohë, udhëtimi nëpër malet shqiptare u kthye për mua në një pasion të veçantë. Ngjitja drejt majmaleve ishte një lloj pikëtakimi me qiellin dhe kishte gjithnjë në vetvete diçka të mistershme, si në malet veriorë ashtu dhe ato të jugut shqiptar, apo brigjeve të Jonit, në majat e Çikës apo të Pikëllimit.

Në Paris, kisha patur mundësinë të lexoja shumë shënime udhëtimi të udhëtarëve dhe konsujve francezë që kishin përshkuar Shqipërinë e shekullit XIX dhe pikërisht në ato shënime, unë rigjeja vëndet që kisha shkelur dikur si kineast, shtigje thepisjesh, qafa maramendëse ku ulërinte era, ujvara dhe pllaja dehëse. Përmes librave, zbulova historinë e vërtetë të atyre maleve, të atyre bujtinave të legjendës që nuk ekzistonin më, por që kishin mbetur si toponime të vjetra. Zbulova copëza jete e historish që kishin ndodhur në malet e vëndit tim, në qytete e fshatra, kronika befasuese dhe një epikë që shkëlqente në një varfëri të skajshme, ngjarje të cilat menjëherë mendova t’i përcjell në lexues të tjerë. Ç’ishte vallë Shqipëria e shekullit XIX? Çfarë ndodhte në jetën e banorëve të saj. Cilët ishin këta njerëz dhe fqinjët e tyre. Nga vinin dhe çfarë ishte ardhmëria e tyre… Cili ishte ky “popull i të Bardhëve”, siç e quante historiani dhe linguisti Cyprien Robert popullin shqiptar?
Përgjatë një shekulli, nëpër Shqipëri nuk udhëtuan vetëm konsulli François Pouqueville, gjeografi Ami Boué, Cyprien Robert apo konsujt francezë Hyacinthe Hecquard e Auguste Dozon; nuk ishin vetëm gjeologët Virlet, Viquesnel, Coquand apo konsujt e studjuesit e tjerë të njohur si Lejean, De Wiet, Dumont, De Constant, Batiffol, Bérard apo Degrand, por dhe shumë udhëtarë të kombësive të tjera, anglezë et skocezë siç ishin Lord Byron me mikun e tij Hobhausse, Sir Thomas Hughes apo Sir Henry Holland, austriakë e gjermanë si Hahn apo Bartholdy, italianë, etj, madje gjer tek perandori i Meksikës, Ferdinand Maximilian Joseph, i cili do të shkruante për shqiptarët, Durrësin, etj. Këta udhëtarë, si kronistë të asaj që kanë parë dhe përjetuar gjatë shekullit XIX, tregojnë për personazhe dhe ngjarje të jetës dhe historisë shqiptare, për ndodhi që kanë ndodhur më parë, histori familjesh, tribush, njerëzish të zakonshëm, por që janë copëza jete që mbushin afreskun plot ngjyra të jetës shqiptare, ashtu siç ishte dhe ajo familje shqiptare në një fshat të Shkodrës që i kërkoi konsullit Degrand të bëhesh nuni i fëmijës së tyre dhe që ai t’i priste flokët. Nga kronistë të kësaj kohe ishin dhe Sir Arthur Evans (1877), William Wingfield, (1853), Georgina Mackenzie dhe Paulina Irby, që përshkruan Dalmacinë dhe Shqipërinë në vitet 1861-1864, veçanërisht Prizerenin, Gjakovën Prishtinën, tekste që tashmë na i ka bërë të njohura dhe studjuesi Robert Elsie. Ishin gjithashtu misionarët jezuitë të vitit 1840, apo françeskanë të mëvonshëm që kërkonin të ndihmonin nga afër banorët e atyre maleve që nuk pranonin të tjetërsoheshin. Shumë piktorë të famshëm nga vizatimet dhe tablotë e tyre të jetës dhe botës shqiptare, janë bërë të njohur për kujtimet e tyre gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri, apo në pashallakun e Janinës, siç ishte Charles Cockerelle, që vizitoi Janinën, Durrësin, etj, në vitin 1814. Edward Lear, na la tabllo të mahnitshme të qyteteve shqiptare, të Shkodrës, Elbasanit, Krujës, Tiranës, Kavajës, Janinës, Gjirokastrës, etj, si dhe kujtime mjaft interesante gjatë udhëtimit të tij në vitin 1848, të cilat i shkroi në ditarin e udhëtimit. Ai kujtonte me humor atë skenë interesante në Elbasan kur njerëzit i mblidheshin përreth dhe e merrnin për një lloj magjistari me ato portrete që bënte: “Ende nuk kisha filluar mirë të vizatoja, – shkruante ai, – kur ia behu popullata e Elbasanit një nga një e dy nga dy, e shumë shpejt u mblodh një ushtri e tërë me nja tetëdhjetë, apo njëqind syresh, me kureshtjen e etur që u lexohej në sy. Mbarova së vizatuari ca prej ndërtesave kryesore, por kur i panë ato, nga turma shpërtheu njëzëri thirrja e përgjithshme “Shejtan!” Është pak e çuditshme të shpjegohet, por shumica e sehirxhinjve futën gishtat në gojë dhe filluan të fishkëllejnë si të xhindosur, siç bëjnë çirakët e kasapëve në Angli. Ndoshta ishte një lloj formule kundër magjisë sime, nuk e di, por papritur kuptova absurditetin e qëndrimit tim aty, duke vizatuar i ulur mbi një ledh, ndërkohë që një turmë e tërë më fishkëllente me sa fuqi kishte. Pa marrë parasysh pasojat, shpërtheva në të qeshur me gulçe, impuls që, me sa duket, u pëlqeu edhe gegëve, sepse filluan të gjithë njëzëri të lëshojnë britma kënaqësie, ndërsa ledhet përcillnin jehonën e atij gazi të hareshëm”… Në vitin 1848, ishte gjithashtu udhëtari dhe ish konsulli anglez Sir James Henry Skeene, që udhëtoi nëpër Shqipërinë e Mesme, duke vizituar vende nga Elbasani gjer në Janinë.
Në fakt, udhëtimi i lordit anglez Byron në Shqipëri që në vitin 1809 dhe miqësia me Ali Pashën, e veçanërisht libri i tij Pelegrinazhi i Child Harold, lanë mbresa të mëdha në shpirtrat e intelektualëve europianë për t’i kthyer sytë nga Greqia e Shqipëria, nga ajo botë që ziente në kërkim të pavarësisë. Dhe këta intelektualë, në atë kohë u quajtën “levantinët”, pasi ata morrën rrugët dhe shkuan në gjurmët e lordit anglez, i cili aq bukur i kishte përshkruar imazhet e maleve shqiptare dhe shpirtin e këtij populli. Në sytë e këtyre udhëtarëve të sprovuar u shfaqën rite, zakone, besytni e mitologji, disa prej të cilave vinin madje që larg, nga kohët pagane, për çka do të shkruanin hollësisht Robert, Hecquard apo Dumont. «Syri i keq», zanat, kuçedrat, lubitë e dragonjtë, pemët me gurë apo proçesionet funebre, ushqimet në varret e të vdekurve, gjithçka ishte një botë sa e vrazhdë aq dhe ekzotike, pasi shumica e këtyre riteve kishte pushuar së ekzistuari në shumë nga popujt e tjerë të të njëjtit qytetërim europian. Për vëllain e vrarë diku, motra kthehej në shpend. Dhe atëherë, na kujton Hecquard, duke e kërkuar “çdo mbrëmje mbi çati ajo klithte emrin e tij”… Mitologji e legjenda. Historiani e gjeografi Victor Bérard, duke vizituar varrezat ortodokse të Elbasanit, shkruante në librin e tij Turqia dhe helenizmi kontemporan se “anash, në të djathtë të kokës së varrit, tek veshi, ka gjithnjë një dritarez të vogël apo kamare, ku siç thuhet, “do të vijnë dallëndyshet për të më lajmëruar pranverën dhe bilbilat që do më tregojnë për majin e bukur”. Në varret e reja, njerëzit kanë bërë blatime të shenjta: një shportë me bukë, një enë me peshq të vegjël, një gjellë me bajame, rrush të thatë, oriz të zier apo grurë…”
Ligjet e maleve, “Kanuni”, i cili edhe pse i pa shkruar ishte një ligj i patundshëm, i palëvizshëm, i përjetshëm… spektaklet rreth gjakmarrjes apo pajtimi i gjaqeve, ishin skena që i çonin këta udhëtarë në kohra shumë të largëta, në kujtesën homerike apo romane, në ritet tepër të vjetra frënge apo gjermanike, me «rrethin e gjakut», i cili ishte ende i gjallë në këto male sa herë gjykohej rreth pagesës së gjakut apo të drejtës për të vrarë. Pajtimi mes dy familjeve në gjak ishte një spektakël i denjë për penën e tragjedianëve të mëdhenj klasikë, Sofokliu apo Euripidi, etj. ”Dymbëdhjetë nëna të fisit që ka bërë vrasjen, – shkruante Cyprien Robert, dëshmitar i këtij spektakli, – vijnë duke mbajtur në gji foshnjat e tyre dhe ato rënkojnë nga dhimbja në këmbë të njeriut që ka pësuar tragjedinë. Ndërkohë pleqtë diskutojnë çmimin e gjakut. Të gjitha plagët e të vrarët, numurohen me imtësi, duke caktuar çmimin që duhet paguar si në kodet e vjetra gjermanike apo në ritet e vjetra të frankëve. Më së fundi shfaqet fajtori, i cili ka varur në qafë armën që ka qëlluar viktimën. Ai zvarritet në gjunjë deri tek prijësi i gjykimit, i cili i heq atij armën nga qafa dhe e flak tutje. Familjarët e viktimës e marrin dhe e thyejnë atë. Kryetari i familjes tundet, qan, vështron qiellin dhe ndërkohë fajtori i puth gjunjët. Por ai i përgjigjet: “Shpirti im nuk është ende gati”. Më së fundi, kur ai është gati ta falë, ai e ngre fajtorin e mbytur në lotë, e pështet pas gjoksit të tij dhe bashkë me të hidhen në krahët e prijësit pajtues. Një paqe e përjetshme vendoset përmes betimit midis dy fiseve, të cilët sipas shprehjes «gjaku u përzje» bëhen miq për kokë”…
Po kështu, nuk mund të mos habitesh kur në dorëshkrimet dhe librat e këtyre udhëtarëve jo të zakonshëm, ata përshkruajnë mikpritjen shqiptare, atë mikpritje mes një varfërie të madhe, ngazëllimin e malësorit për mikun edhe kur ai duhej të vazhdonte zinë për vdekjet dhe gjakderdhjet në familjen e tij, apo të tribusë së tij. Shtëpia e tij, edhe pse e varfër, i ngjante si të thuash një strehe të shenjtë, të Zotit, siç e quante shqiptari strehën e tij, ku udhëtari i largët ishte si një i dërguar i vetë Hyjnisë… E megjithatë, nuk ka udhëtar që të mos shkruajë për malet hijerënda, vargmalet e magjishme shqiptare, vendet e thepisura dhe shpesh të pakalueshme, që mbartin aq shumë mite e histori. Shkrimtari Auguste Meylan, i cili i kishte shkelur këto vënde që më 1878, kujtonte dhe një legjendë të vjetër që qarkullonte në gojëdhënën popullore. „Dialli, thotë një legjendë e vjetër malazeze e shqiptare, – shkruante ai në librin e tij Përmes Shqipërisë, – po kalonte nëpër botë me detyrën për të shpërndarë malet mbi këtë tokë. Duke kaluar nga Mali i Zi, thesi me gurë që mbante mbi shpinë u ça dhe gjithë ai vënd u mbush me gurë… Dhe Shqipëria pati pjesën e vet. Ky vënd është një nga vëndet më të thepisura të botës: male thikë që ndjekin njëri-tjetrin dhe njëri më i ashpër se tjetri. Në thellësi të luginave rrjedhin lumenj të cilët aty-këtu krijojnë liqene të vegjël e të mëdhenj…“
Këta udhëtarë, na kanë lënë njëkohësisht të shkruara, imazhet e Shqipërisë së shekullit XIX, pamjet dhe fytyrat e qyteteve të ndryshme shqiptare, të jetës së tyre të përditëshme, të urbanistikës, të traditave, zhvillimit të tregëtisë e të marrëdhënieve njerëzore, midis njerëzve të besimeve të ndryshme, por të të njëjtit popull. Janë tepër të veçanta përshkrimet e konsullit Pouqueville në bregdetin shqiptar, apo ato gjatë udhëtimeve të tij nëpër Zagori, Përmet, Berat, Apoloni e Vlorë; po kështu përshkrimet e konsullit Hecquard në Shkodrën qytetare, me ahengxhinjtë, besimet, jetën e pazarit shkodran, këngët historike dhe pasurinë e veshjeve të kësaj zone. Po kaq interesante janë dhe përshkrimet e konsujve Dozon apo Degrand për Korçën apo Durrësin e Tiranën, e cila ,në atë kohë ishte thjesht një fshat piktoresk, ku Degrand dëgjonte ehot e një “Marsejeze” shqiptare, përshkrimet e Krujës, Lezhës, etj, apo të “Mirditës së lirë” të vizituar nga Hecquard, Lejean, de Wiet, etj. Oroshi dhe gjithë Mirdita, (ku mirditasit, siç shkruante Victor Bérard “ishin të mbrojturit e Francës”), kishte mbetur fortesa e vetme e krishterimit të lirë. Imazhet që na sjell gjeografi dhe historian Bérard rreth Elbasanit dhe përshkrimi i atij udhëtimi nga Durrësi, Kavaja e Peqini, drejt Elbasanit, Librazhdit e deri në Ohër, është plot ngjyra dhe emocione. Dhe po t’i krahasosh përshkrimet rreth të njëjtit qytet nga një udhëtar te tjetri, në kohra të ndryshme, ndjen njëherësh zhvillimin e këtyre qyteteve, edhe pse një zhvillim i ngadalshëm dhe pa ngjarje të mëdha. Madje disa prej këtyre udhëtarëve, siç ishte historiani francez Joseph Reinach, shkruajnë si të ishin shkrimtarë të vërtetë, apo novelistë të sprovuar, duke përshkruar peisazhet dhe botën fshatare e qytetare, zemërimin e stuhive dhe rrugët e përbaltura, çka të bën t’i jetosh drejtpërdrejtë ato.
Veçanërisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX, shumë studjues që përshkuan Shqipërinë, në shënimet e tyre trajtojnë dhe çështjen e prejardhjes së shqiptarëve, ku spikat sidomos dhe çështja pellazgjike. Ndryshe nga Pouqueville që hedh tezën se mos vallë shqiptarët kanë ardhur nga Azia, për Ami Boué-n dhe gjithë të tjerët, shqiptarët janë pasardhës të ilirëve: ”Rrënjët e tyre janë në Iliri” – shkruante ai, duke shtuar se “shqiptarët janë një popull i bukur dhe ndër më të vjetërit e Europës”. Kështu konsulli Hecquard shkruante në librin e tij Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë se shqiptarët „këta ilirë të lashtë i përkasin një dege të lavdishme të racës së bardhë që e quajnë ariane (të „Bardhët“, L.R.)… Historia na sjell shumë prova të shkëlqyera të energjisë, mënçurisë dhe veprimtarisë së tyre. Veç këtyre, ata kanë ruajtur gojëdhëna dhe zakone kalorësiake që të kujtojnë botën e heronjve tanë si tek „Chansons des Gestes“, (Këngë kreshnikësh), veçanërisht të Garin le Lohèrin… Shqipëria i ka dhënë gjithnjë njerëz të shkëlqyer Greqisë së lashtë, perandorisë bizantine e së fundi Turqisë dhe Greqisë bashkëkohore…“
Në fundin e shekullit XIX, çështja pellazgjike ishte mjaft e diskutuar. Një nga njohësit më të mirë të kësaj çështje, Louis Benlow në studimin e tij Greqia para grekëve, shkruante se „në tokën e Greqisë ka gjurmë të shumta të një qytetërimi më të hershëm në kohë sesa qytetërimi i grekëve … dhe se shumë nga emrat e qyteteve, maleve, lumenjve e personazheve të ndryshëm nuk i përkasin mitologjisë greke, por qytetërimit të pellazgëve, dhe se gjuha shqipe ëshë një çelës për deshifrimin e tyre“. Cyprien Robert shkruante në librin e tij Sllavët e Turqisë, se kombësia e shqiptarëve, popullit të të “Bardhëve”, “shkon gjer në kohën e pellazgëve dhe popujt grekë e sllave i kanë gjetur padyshim atje, në trojet e tyre”. Po kështu, dhe konsulli francez në Shkodër, Alexandre Degrand, i cili ishte i pari që shkeli në Koman dhe bëri kërkime arkeologjike në nekropolet e hershme të kësaj qyteze, në librin e tij Kujtime nga Shqipëria e Epërme, pyeste nëse “vallë vërtet shqiptarët janë pellazgë, nga ajo racë që Homeri e cilësonte hyjnore, pra të jenë pëllazgë të mbetur të pastërt dhe të papërzier deri në ditët tona, duke ruajtur gjuhën dhe shumë zakone të tyre, siç afirmojnë dhe disa shkrimtarë modernë që e kanë studjuar këtë çështje?…
Por një nga çështjet më të veçanta dhe që të bie në sy tek disa studjues, rreth Shqipërisë dhe kulturës së vjetër shqiptare, është përqasja e veriut shqiptar, e miteve, zakoneve dhe traditave të malsorëve, me botën homerike, një botë që në Greqi ishte shuar prej shekujsh dhe tashmë pothuaj ishte harruar, ndërkohë që në malet shqiptare, epika homerike jetonte ende në kulturën popullore, ku shpesh përqasjet e tyre ishin të habitshme. Një nga studjuesit më në zë të kësaj teze ishte historiani dhe gjeografi Albert Dumont, një nga dishepujt e “Shkollës Franceze të Athinës” e më pas i “Shkollës Franceze të Romës”. Me sytë e tij, Albert Dumont shikonte se në ato kulla guri të maleve shqiptare, në dasmat, proçesionet funebre, gjakmarrjet, mitologjinë, ritet pagane, etj, prushet homerike ende nuk ishin shuar. Dhe kjo ndodhte vetëm në Shqipëri dhe askund tjetër në Ballkan, në këtë djep të lashtë të qytetërimit europian. Në librin e tij Ballkani e Adriatiku, kur shkruan për tributë shqiptare, Dumont thekson se “malësorët shqiptarë jetojnë të izoluar, por kanë një kryeplak, i cili vendos për kohën e kullotave, ndarjen e tyre, kohën e shtegtimit, kur ka ankesa të një fqinji për tjetrin, etj. Në Greqinë antike, qeveritarët e çdo tribuje quheshin «pleq». Ishin ata që bënin drejtësi, ashtu të ulur mbi gurë, në formë rrethi, siç tregohet dhe në mburojën e Akilit. Kur prijësit shqiptarë mblidhen po kështu për të vendosur, ata formojnë atë që quhet «rrethi i gjakut» (la ronde du sang), çka sagat e vjetra e quajnë «gerichtsring». Gjithashtu, ai pikas, siç shkruan në shënimet e tij, se gjatë shekujve, pagesa e gjakut që bëhej me bagëti kaloi më vonë në pagesën me para. «Për shqiptarët, një vrasje vlen 750 piastra. Tarifa e princave “merovingines”,(frankët e shekujve V-VIII, L.R.), nuk ishte më e lartë se kaq. Zakoni i pagimit në raste të tilla u zhduk shpejt tek helenët. Në «Skenën e gjykimit» që e shohim në mburojën e Akilit, të dyja palët kundërshtare diskutojnë rreth çmimit që duhet paguar për një të vrarë. Grekët përdornin fjalën që më vonë nënkuptonte ndëshkimin. Ndërsa „pena“, „peine“, tregon një pagesë, nga fjala latine „pendere“, „poenam“. Tacite shkruan se ishte koha e gjatë e gjakmarrjes që bëri të lindë ky lloj kompensimi. «Duhet ndarë urrejtja ndër të afërmit dhe miqtë e babait të tij. Këto urrejtje nuk janë të pamëshirshme. Madje dhe vrasja pagohet, pësohet, përmes dhënies së një numri kafshësh. Atëherë gjithë familja është e kënaqur». Kjo frazë zbatohet te shqiptarët dhe gjermanët». Duke shkruar rreth rrëmbimit të grave, që është e dukshme në tregimet homerike dhe duke e përqasur me atë çka ndodhte në malet shqiptare, ai theksonte: „Homeri shkruan se gratë e bukura vlejnë më shumë buaj. Kjo fjalë, te grekët është njëlloj si «mundinen» te gjermanët. Në disa tribu, martesa bëhet me të grabitur. Çdo kush do të martohet duke grabitur gruan e tribusë armike. Në Orosh, në qëndër të Mirditës, pothuaj gjithë gratë janë të grabitura. Princi i zonës, meqë para disa vitesh mbeti i ve, grabiti bijën e një beu të Krujës. Dhe kjo është e përgjithshme në këto male”… Të njëjtën përqasje pohonin dhe De Wiet, Hecquard, etj.
Ndërkohë që nëpër Greqi interesi i studjuesve europianë ishte i jashtëzakonshëm, kohë kjo kur themelohej dhe “Shkolla Franceze e Athinës” dhe kur zhvillohej “Ekspedita e Moresë” me një grup dijetarësh, gjeografë e historianë, arkeologë, botanistë, gjeologë, etj, udhëtarë të paktë kalonin dhe drejt Epirit, Shqipërisë, brigjeve të Ilirisë, për të njohur këtë cep të Ballkanit dhe të «Turqisë Europiane», siç quhej në atë kohë gjithë kjo pjesë e Ballkanit. E sidoqoftë, shumë prej udhëtarëve, konsujve, gjeografëve e veçanërisht arkeologëve, siç ishin Léon Heuzey, Alfred Gilliéron apo Pierre Batiffol, etj, pikasën se dhe Shqipëria, ky vend i varfër dhe i humbur në errësirë, kishte dëshmi të pasura të historisë së tij të lashtë, rrënoja e gjurmë qytezash të antikitetit. Apoloninë e Ilirisë, Butrintin, Finiqin me muret qiklopike, Orikumin, Bylisin e gjer nekropolin e lashtë të Komanit, apo kodikët e vjetër mesjetar që fshiheshin në kishat e Beratit, të cilat do t’i zbulonte historiani i Kristianizmit, Batiffol. Por në errësirën osmane, kur shtrohej çështja e lirisë dhe pavarësisë shqiptare, pothuaj askush nuk mendonte, ose të kujdesej për tempujt e lashtë në gur apo në mermer. Disa statuja që përfunduan në Louvre apo në British Muzeum, portrete e shtatore në mermer, një Auguste, Demetre, Artemise, Hermes, etj, duke i shpëtuar kështu pashallarëve, të cilët i përdornin gurët e antikitetit për themelet e sarajeve të tyre, i treguan Perëndimit për një vend me një histori të madhe. Ashtu si konsulli francez i Janinës, Pouqueville, dhe kapiteni anglez Leake, apo arkeologët Heuzey, De Glaubry, Gilliéron, etj, do të befasoheshin nga ajo shtyllë e vetmuar në Apoloninë e Ilirisë, dëshmi e atij tempulli të jashtëzakonshëm të Dianës, një nga më të rrallët e Ballkanit, të rrënuar nga termetet, koha dhe njeriu.
Por bota shqiptare nuk ishte vetëm brenda kufijve të pashallëqeve shqiptare, por dhe jashtë tyre, veçanërisht në Greqi, ku po këta udhëtarë, apo dhe të tjerë, të mëparshëm e të mëvonshëm, janë pikëtakuar me shqiptarët e vendosur atje shumë shekuj më parë. Dora d’Istria nuk mundi të vinte në Shqipëri, por ajo pikëtakoi dhe njohu shqiptarët e diasporës, jo vetëm ata të Italisë së jugut, me të cilët kishte një korrespondencë të pasur, por dhe me ata të Greqisë, të cilët i takoi kur bëri udhëtimin e saj të njohur në botën e letrave përmes librit Udhëtim nëpër Rumeli e Greqi. Pikërisht në këtë libër, kjo intelektuale e njohur në rrethet europiane dhe me origjinë shqiptare, përshkruan takimet me kolonitë shqiptare të Atikës, Livadhjasë, Moresë, Korintit, Hidrës, Specajt, etj. Përshkrimet e udhëtarëve dhe studjuesve francezë për arvanitasit përbëjnë si të thuash një antologji më vete, pa harruar takimin plot emocione të Chateaubriand me shqiptarët, apo ato të intelektualëve të tjerë si shkrimtari Edmond About, Lamare Picquot, C. D. Reffenel, Henri Belle, Népomoucène Lemercier, Claude Fauriel, diplomati dhe akademiku Félix de Beaujour, studjuesi Auguste Boppe, etj, deri tek kujtimet e kolonelit francez Vautier, i cili i njohu personalisht heronjtë e shquar të Revolucionit grek me në krye Marko Boçari, Kollokotroni, Xhavella, Bubulina, etj, dhe luftoi krah tyre. Dhe kjo listë është e gjatë, përshkrimet janë të shumta. Edhe Pouqueville, Boué, Heuzey, Gilliéron, Dumont, etj, i kishin pikëtakuar shqiptarët e Greqisë, pasi siç shkruante kartografi Guillaume Lejean,”gjaku i shqiptarëve është i përzier me atë të helenëve”. Dhe kjo ishte mëse e vërtetë, pasi në historinë shumëshekullore, fatet e të dy popujve kishin qënë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin. Ambasadori francez në Konstantinopojë në vitin 1784, Choiseul-Gouffier, i cili disa herë udhëtoi nëpër Greqi, në librin e tij Greqia e sotme, shkruante për shqiptarët se «Në Greqi ka dy lloj racash njerëzore të dallueshme dhe që njihen me lehtësi: raca e shqiptarëve dhe raca helenike. Në epoka të ndryshme, shqiptarët kanë pushtuar Greqinë kontinentale dhe Peloponezin».
Për „gjakun e përzier“ flet akoma më shumë Fallemeyer në librat e tij Elementi shqiptar në Greqi si dhe Historia e Gadishullit të Moresë, apo Gobineau. Të udhëtoje në Shqipërinë e shekullit XIX nuk ishte e lehtë. Ishte një sprovë që kërkonte guxim dhe kurajo të madhe, pasi mungesa e udhëve, e komunikacionit, e qëndrimit, rrebelimet e parreshtura kundër Portës së Lartë, i bënin këto udhëtime mjaft të vështira e me shumë të papritura, pa folur këtu për klimën e ftohtë të maleve shqiptare, kur siç kujtonte Cyprien Robert nga veriu shqiptar, një mëngjes, meqë kishte fjetur në natyrë, kishte gdhirë i mbuluar nga një shtresë dëbore. Ami Boué i shpëtoi vdekjes fare rastësisht, meqë në Shkodër ku ndaloi, ishte një mjek dalmat; Martin Leake, që udhëtonte në Shqipërinë e Mesme, i bllokuar nga mushkëria, u detyrua të kthehej mbrapsht nga itinerari ku donte të shkonte; Pouqueville, të cilin në detin Adriatik e zuri një stuhi e paparë, sapo zbriti në brigjet shqiptare, udhëtimi nëpër malet e Himarës, apo Akrokeraune, do të ishte një kalvar i vërtetë, ashtu si dhe për Victor Bérard malet e Librazhdit dhe qafat e Xhurës; kartografi Lejean u lodh aq shumë nga udhëtimet e tij, saqë pas udhëtimit në Shqipëri, ishte bllokuar i sëmurë në Filipopolis të Maqedonisë dhe më pas, kur mbëriti në Francë, shumë pak javë do ta ndanin nga vdekja. Ashtu siç shkruante Dora d’Istria, e cila dhe ajo ndoqi traditën e dijetarëve-udhëtarë, „udhëtimet kërkojnë kurajo të madhe“. Dhe ajo shtonte: „Sa më shumë udhëtoja, aq më shumë pikasja se ishte e pamundur ta njohësh një popull nëse nuk njeh historinë e tij dhe shkrimtarët e tij“…
Edhe pse në cep të perandorisë Osmane, e harruar dhe e mbytur në një letargji tragjike, përsëri, në shekujt e XVI, XVII dhe XVIII pati udhetarë që e vizituan Shqipërinë. Ishin kartografë që hartonin hartat e Adriatikut dhe të Mesdheut, siç ishin Simon Pinargenti, Giovanni Comico, Piri Reis, Giusepe Rosaccio, etj, të cilët na la pamjet e disa prej qyteteve shqiptare në vitet 1570 – 1573, si të Shkodrës, Vlorës, Sopotit, etj. Po kështu, misionarë të ndryshëm kërkonin të dinin se ç’bëhej në këtë vënd. Jean Carlier de Pinon, një udhëtar francez nga Cambrai, „écuyer dhe seigneur de Pinon, de Oucan, de Masnihs et de Rieux“, i cili ishte nisur drejt Jeruzalemit, bashkë me një mikun e tij gjerman, Hans Jacob Breuning, duke iu afruar brigjeve shqiptare përshkruan gjendjen në qytetin e Vlorës dhe të rrethinave të saj. Në librin e tij, të botuar më vonë, Mon voyaige en Levant faict, l’an 1579, (Udhëtimi im në Orient, bërë në vitin 1579),[1] ai shkruan për afrimin e anijes së tyre në brigjet shqiptare në 11 maj të atij viti, që siç shkruan ai për këtë vënd, „në kohët e shkuara njihej me emrin Epir“. Më 12 maj, ata ishin përkrah maleve të Himarës dhe jo larg Vlorës. Më 13 maj, ata ishin në Bunac, kur panë një anije me një shqiptar musliman dhe disa ortodoksë që donin të shkonin në Vlorë për tregëti dhe me mallra. Por ndërkohë u shfaqen piratët, të cilët i ndjekin, edhe pse anija e Jean Carlier i qëllon me topa. Më 14 maj, kur Carlier dhe Breuning, me anijet e tyre hyjnë në portin e Vlorës, duke qëlluar me top për të njoftuar ardhjen e tyre, ata priten nga prijësi turk i Vlorës „Emin“, i shoqëruar nga çifutët përkthyes. Atje dhe morrën vesh për fatin e tregëtarëve, të cilët, pasi kishin braktisur anijen nga frika e piratëve turq, kishin marrë rrugën e maleve për në Vlorë, por rrugës, piratët i kishin ndjekur dhe pastaj i kishin lëshuar për 60 „sequins“. „Më 15 maj ne lëvizëm në brëndësi të Vlorës, – shkruan Jean Carlier, – edhe pse ishte pak rrezik, meqë rrobat tona ndryshonin nga ato veneciane. Madje mund të na merrnin si njerëz të mbretit të Spanjës, dhe meqë armëpushimi midis sulltanit dhe mbretit nuk kishte hyrë ende në fuqi, ata mund të na kthenin në skllevër apo të na dënonin me vdekje si spiunë… Vlora nuk ka mure rrethuese dhe tani është kthyer në një sanxhak. Vëndi është i mrekullueshëm, ka shumë qipariza dhe toka është pjellore. Ka rreth 5 xhami, të zbukuruara me kullën e gjatë e të bardhë si dhe kullën e sahatit. Qyteti është i banuar nga muslimanët, çifutët dhe ortodoksit. Gruri, vera dhe mishi janë lirë. Më në jug, në një të hedhur shigjete, ngrihet fortesa e komandantit të portit. Njeriu që e komandon quhet Aga. Pak më larg, disi në mal, ngrihet një tjetër fortesë e ngjashme. Në këtë zonë ka shumë piratë e hajdutë që çdo ditë sjellin në qytet para e plaçka që ua rrëmbejnë kristianëve, të cilët nuk janë aleatë me sulltanin…“
Më 16 maj, merrte fund dhe aventura e Jean Carlier në brigjet shqiptare. Pasi i dhanë prijësit të qytetit dhurata të çmuara si vazo veneciane, qelqe të Murrano-s, sapune, etj, ata morrën udhën drejt ishujve grekë dhe kepit të Sillos pranë Athinës, por në të dalë të portit të Vlorës, ndeshën piratë të tjerë që ktheheshin me një anije „marsiliana“ që ua kishin kapur kristianëve…
Që gjatë shekullit XVII dëshmohet për tregëtinë që zhvillonin shqiptarët me Francën e mbretit Louis XIV, ku në Durrës vinin anijet franceze që niseshin nga Provence, jugu i Francës apo nga Marseille. Ato sillnin stofra, prodhime mëndafshi e kinkaleri të ndryshme, në një kohë që ngarkoheshin në Durrës me grurë, lesh, vaj peshku e perime. Për të qënë më të sigurtë, shpesh ata udhëtonin nën flamurin e Venedikut, pasi sulmoheshin e bastiseshin nga ulqinakët apo venecianët, siç ishte dhe rasti i kapitenit Botin nga Marseille, i kapur rob nga ata. Inari, konsulli francez në Durrës, lajmëronte tregëtarët francezë për mundësitë e mëdha që kishin shqiptarët për tregëti. Më 1691, raportet e Quai d’Orsay-it shkruajnë për konsullatën franceze në Durrës, e cila varej nga ambasada e Francës në Konstantinopojë dhe merrte udhëzimet nga konsullata e Selanikut. „Arsenali“, kantieri i ndërtimit të anijeve franceze në Toulon e merrte lëndën e drurit nga Durrësi.
Më 1699, konsulli francez njoftonte Quai d’Orsay-in në Paris se „afro 100 agjenci tregëtarësh shqiptarë janë vendosur në Durrës“. Më vonë, konsujt francezë, Boulle, La Salle, Dupré, kishin bërë të mundur që më 1702, një konsull në Arta të kishte në varësi dhe Santi Quaranta (Sarandën), Sajadhën dhe Pargën. Konsujt të tjerë francezë që rrahën brigjet shqiptare ishin dhe marsejezi Joseph Isnard,[2] Jean Dubroca, i cili vdiq në Arta në vitin 1736, Charles-Louis Deflandres, Jean Baptiste Jullien, Amable Galleigne, Joseph-Ignace Grimaldi, etj. François Dubroca, biri i Guillaume Dubroca, kryente funksionin e konsullit francez në Durrazzo, përmes një dekreti të markezit Bonnac, ambasador i Francës në Stamboll. Historiani Jean-Claude Faveyrial, në studimin e tij Historia e Shqipërisë, duke shkruar për lidhjet e vjetra mes francezëve dhe shqiptarëve, theksonte se «Në kohën e Louis XIII, misionarët francezë që vizituan Shqipërinë, u habitën kur panë me admirim këtë racë me shpirt të fuqishëm, shtatlartë, me tipare të ashpra dhe me armët ku ishin emblemat e zambakut francez».
[1] Relation du Voyage en Orient de Carlier de Pinon, publie par E. Blochet.
[2] Në vitin 1696, ai merrej me tregëtinë në Durrës, përmes një dekreti të ambasadorit francez në Stamboll, Pierre des Alleures.