“Napoleoni”

“Napoleoni”

– Pjetër, koha nuk pret, – i tha kryetari Gjon sapo ai u afrua tek zyrat e kooperativës. I kishin thënë se duhej të shkonte urgjent por u habit kur pranë kryetarit pikasi figurën e një kinezi të vockël. Po ky mendoi, çdo këtu? Sikur të kishte rënë nga qielli aty mes atyre maleve zbardhur nga dëbora.

– Shoku Çin duhet që në perëndim të jetë patjetër në qafë. Duhet riparuar repetitori. Eshtë një çështje politike.

Pjetri pa nga kinezi i vogël që i qeshi dhe tundi kokën tri herë. Në dorë mbante një kokore kineze. Ishte i vockël kinezi, aq më tepër para Pjetrit që ishte aq i gjatë.

– Koha është e keqe kryetar. Shikoje malin… vështirë të arrijmë para se të errësohet. Madje mund të mbesim në dëborë.

– Të thashë Pjetër, është detyrë strategjike. Nesër hapet Kongresi dhe populli i këtyre maleve duhet të dëgjojë fjalën e udhëheqësit tonë të dashur.

“Strategjike”… pëshpëriti me vete Pjetri pa e kuptuar këtë fjalë. Ç’donte të thoshte me këtë kryetari? Pastaj vvështroi përsëri nga mali me ato re të zeza që nxitonin drejt tij dhe pastaj ktheu sytë nga kinezi.

– Shoku Çin ka ardhur posaçërisht nga Tirana, – vazhdoi kryetari.

– Po sikur të nisemi nesër në mëngjes herët shoku kryetar?… Kam vajzën e vogël sëmurë në shtëpi dhe duhet të prisja mjekun të vinte.

Ç’thua o Pjetër, jo çika, jo mjeku… Lëri llafet tani, – u nxeh kryetari, veshur me një xhup të trashë që gati e mbulonte. – Repetitori duhet riparuar patjetër. Kemi urdhër nga Tirana!

– Mirë, – tha Pjetri me zë të ulët.

E kuptoi se s’kishte rrugë tjetër. Duhej të shkonin.

– Po nisemi që tani, – tha ndërkohë ai dhe duke u kthyer nga kinezi i bëri shenjë ta ndiqte.

– Me ta mbaruar kthehuni këtu, dëgjove?! Eshtë çështje politiko-strategjike!

Kryetari i rrahu shpatullat kinezit duke shtuar:

– Rroftë Kina e madhe popullore! Rroftë kryetari Mao!

Kinezi qeshi dhe tundi kokën në ritualin e tij të zakonshëm. Mori çantën me veglat dhe bëri të nisej por Pjetri e pa se duhej të ishte e rëndë. Zgjati dorën dhe ia mori. Pastaj mbërtheu mirë xhupin e tij të vjetër, mati një çast rrugën që do të bënte në dëborë dhe u nisën.

Kinezi Cin e kishte aq të madhe kokoren sa pothuaj gjysma e fytyrës i zhytej në të dhe kur donte të shihte mirë e ngrinte pak.

Pjetri i njihte mirë shtigjet e Munellës. Ai ecte para dhe kinezi i vogël e ndiqte pas. Era frynte. Furtuna afronte. Atë rrugë e kishte bërë disa herë por jo në një kohë të tillë. Për më tepër tani nuk i dihej ku e vije këmbën se bora kishte zbardhur gjithçka dhe herë pas here gjurmët e shtegut humbnin.

Shpejt e lanë fshatin dhe kur u ngjitën në kodrinën e parë ai ndaloi dhe hodhi sytë duke vështruar nga fshati. Mendoi vajzën e sëmurë dhe psherëtiu. Një re e zezë afrohej dhe atje. Era frynte gjithnjë e më fort. Kinezi ngriti pak kokoren dhe i qeshi. Kishte sy të veckël por të pafajshëm. Vetëm qeshte. Nuk e kuptonte se po shkonin në një vend të rrezikshëm dhe kushedi ku mund të humbnin. Vazhdoi të ecte dhe papritur dëgjoi në fillim një mërmërimë dhe më pas një këngë që kinezi ia kishe marrë lehtë. Ishte një këngë revolucionare, nga ato që dëgjoheshin dhe nga Teatri i Operas e i Baletit… “Detashmenti i kuq i grave”…

Ishte hera e parë që rrinte me një kinez. Vetëm në televizion i kishte parë dhe ja tani, kinezi dinte vetëm të qeshte dhe të këndonte. Tashmë ishin futur në një pyll të dendur dhe ngjitja ishte më e fortë. Era i shtynte dhe shpesh duhej të kapeshin nga degët që të mos rrëzoheshin. Pas një gjysmë ore ndaluan. Një zhurmë e çuditshme, një lloj gjëmimi i largët dëgjohej. Nuk dihej nëse gjëmonte qielli apo toka. Hera e parë që dëgjonte një gjëmim të tillë. Vallë ortek? – mendoi Pjetri. Por jo, zhurma pushoi dhe ata bënë më tej. Kinezi vazhdonte me këngën e tij. Kishte hap të lehtë, si ketër. Papritur shkrepëtiu. Vinte nga larg. “Po afrohet” mendoi Pjetri. Dhe një orë do të errësohet… Vallë a do arrijmë me ditë?”

Repetitori ishte pothuaj në majë të malit. Para dy vjetësh kinezët e kishin instaluar për televizionin e Tiranës dhe gjithçka shkonte mirë. Në fshat por dhe në zonën përreth televizioni mund të shihej në Vatrën e Kulturës, në shtëpinë e kryetarit apo të ndokujt që kishte mundur të blente një televizor. Kongresi fillonte të nesërmen. Do të fliste udhëheqësi dhe repetitori na qënkej dëmtuar. «Hej Zot»- mërmërit Pjetri. Ku na e gjeti tani me këtë kohë të keqe. Do ngelim në mal si Doda i «Rrugëve të Bardha»…

Kishte dëgjuar se filmi “Rrugë të Bardha» kishte patur një sukses të jashtëzakonshëm në Kinë dhe ishte shfaqur në gjithë territorin e Kinës. Ishte filmi më i dashur për ta. Madje duartrokitej dhe në Vietnam, Kamboxhia etj. Në fakt dhe Pjetrit i pëlqente. Të rrallë ishin njerëz si Doda. Madje ekonomisti i kooperativës i kishte thënë se kjo historia e Dodës kishte qenë histori e vërtetë… I shkreti Dodë, – psherëtiu Pjetri dhe ecte gjithnjë përpara.

Kinezi e ndiqte pas, i bindur dhe asnjëherë nuk shprehu dëshirën që të ndalte e të merrte pak frymë.  Tani ishte bërë i heshtur. Kaluan një kreshtë dhe ndaluan. Po errësohej gjithnjë e më shumë.

– Hë! – iu drejtua kinezit, por u kujtua se ai nuk dinte shqip.

– Mirë shoku kinez?

– Mirë shoku Pjetër! – iu përgjigj ai dhe iu shfaq e qeshura përsëri.

Një çast vështronin njëri-tjetrin dhe një heshtje e gjatë ra me tyre.

– Rroftë Shqipëria heroike! – theu heshtjen kinezi dhe ngriti grushtin e vogël përpjetë.

Pjetri vetëm tundi kokën. I erdhi për të qeshur.

E përpjeta vazhdonte e mundimshme. Era ulërinte dhe gati i merrte me vete. Diku Pjetri pa një shpellë dhe i bëri shenjë kinezit të futeshin atje por kinezi kundërshtoi:

– Jo shoku… Repetitori! – dhe i bënte shenjë nga majëmali.

E kuptoi se duhej të vazhdonin. Qielli tashmë gjëmonte gjithnjë e më shumë. Ajo uturimë e mbytur më parë tashmë u përplasej në fytyrë. Stuhija kishte nisur dhe tani ishin në zemër të saj. Bora ngrihej dhe i godiste në fytyrë me forcë. Pjetri mbylli sytë nje çast dhe mori frymë thellë. Mendoi përsëri shtëpinë, vajzën e sëmurë me ethe, zjarrin në oxhak kur ndërkohë bora iu përplas përsëri në fytyrë. Papritur një degë u thye dhe kinezi humbi ekuilibrin, ra në dëborë dhe rrëshqiti poshtë rreth pesëdhjetë metra më tutje, në cep të një shkëmbi të vogël i cili e pengoi të fluturonte ndoshta në greminë. Kinezi Çin për pak kishte parë vdekjen me sy. Pjetri u kthye mbrapsht dhe me shpejtësi e ngriti. Kinezi mërmëriste ca fjalë në gjuhën e tij dhe pastaj bëri ritualin e tij duke e përshëndetur me tundjen tri herë të kokës.

Dhe për pak do kishte rënë në humnerë, mendoi Pjetri. Dhe ajo i duhej: një kinez në humnerë. Çfarë do tu thoshte kur ta pyesnin për kinezin e rënë në greminë? Vallë do ta akuzonin se e kishte bërë me qëllim për të futur armiqësinë mes dy republikave, të madhes dhe të vocklës? Tundi kokën si të donte të largonte mendimet e këqia që po i vinin në kokë dhe vazhdoi të ecë. Ndjeu kinezin që vinte pas tij. «E ka parë Zoti», – mendoi. Papritur iu shfaq përsëri Doda në shtyllën e telave telefonike. Çudi, mendoi. Por ja, një imazh tjetër iu shfaq aty mes borës, i ngrirë kallkan i vdekur dhe fytyra e kryetarit që i ishte shfaqur sipër kokës duke i thënë me solemnitet: «Të lumtë Pjetër! Na nderove përjetë! Ti je heroi ynë!…

Ai hapi sytë dhe e pa se duhej të vazhdonin.

– O Zot! – pëshpëriti. – Ki mëshirë për ne!

U kishte mbetur ende një gjysmë ore për tu ngjitur. Ishte thëllim i madh dhe hapat e tyre shkonin gjithnjë e më ngadalë. Tani pothuaj nuk shihej asgjë, megjithatë hija e repetitorit tutje, ajo shtyllë e lartë, nisi tani të shfaqej si një hije e habitshme që zgjatej në qiell. E njohu. Nuk ishin larg. Por çuditërisht, sa më shumë i afroheshin majës aq më pak frynte era. Kur arritën në sheshin para repetitorit, era pothuaj kishte pushuar si me magji dhe qielli po hapej. Dukej që stuhija po largohej drejt maleve të tjerë.

E vështroi kinezin dhe pikasi habinë e tij tek vështronte atë mrekulli të natyrës: në qiell u shfaqën mijra yje që shkëlqenin me një dritë të fortë ngazëlluese.

– Lëvduar qofsh i lumi Zot! – pëshpëriti Pjetri me vete .

Ndërkohë kinezi u fut në kasollen pranë e cila ishte ndërtuar që kur ishte vendosur repetitori.. Pjetri e ndoqi pas dhe ndezi fenerin që kishin lënë teknikët kur kishin ngritur repetitorin. Kinezi Çin po hiqte xhupin dhe nxorri nga çanta veglat e tij duke vështruar  pastaj nga aparaturat dhe lidhjet e telave.

Ndërkohë që ai vështronte aparaturat, Pjetri mendoi të ndiznin zjarr por ishte e pamundur. Gjithçka ishte e lagur. Ashtu të rraskapitur, as që mund të ktheheshin atë natë.

Kinezi lëshonte herë pas here pasthirrmat e tij të lehta, pastaj doli të shihte nga antenna, u fut sërish dhe më pas, kur kishte kaluar veçse gjysmë ore nisi të fuste veglat në çantën e tij.

– Shumë mirë! Repetitori mirë! – qeshi ai i lumtur që e kishte kryer detyrën e ngarkuar.

Pjetri doli dhe vështroi një çast nga yjet. Ishte vërtet diçka dehëse, e magjishme, e pushtetshme e që rrallë mund ta shikoje, sikur të ishe në një botë tjetër. Pastaj Pjetri u fut brenda, vështroi nga dy krevatët e drunjtë dhe i tha kinezit:

– Gjumë! Gjumë!… Nesër fshati!

Kinezi tundëte kokën duke qeshur dhe papritur nxorri diçka nga xhepi i tij dhe ia zgjati. Pjetri pikasi se ishte diçka që shkëlqeu dhe mbeti një çast në mëdyshje. Por menjëherë e mori , e mbajti një çast brenda grushtit dhe pastaj e futi menjëherë në xhep pa mundur ta shihte se ç’ishte. Vallë ndonjë monedhë? Përse rezëtinte? Vallë ndonjë «Napoleon» siç thonin në Shkodër për florinjtë.

Pjetri nuk guxoi ta shikonte në sy kinezin. Ishte i lodhur nga gjithë ajo rrugë. Iu afrua shtratit dhe u shtri. Donte të flinte. Po kështu, në anën tjetër u shtri dhe kinezi Cin.

Gjithë atë natë pothuaj e kaloi pa gjumë. Herë pas here zgjohej nga të ftohtit dhe mblidhej sërish kruspull. Priste me padurim mëngjesin që të shihte monedhën. Flitej se shoferët që shkonin me maunet në Hungari apo Poloni për të transportuar mallra bujqësore, i shkëmbenin florinjtë fshehurazi dhe fitonin shumë para. Në fisin e tij Pjetri kurrë nuk e kishte parë shkëlqimin e floririt dhe idea se mund të ishte një «Napoleon» e bënte edhe më të paduruar. Pastaj mendonte: Po kinezi, ku e gjeti këtë «Napoleon»?… Ndoshta bën pjesë në ndihmat ? – mendoi. Kështu, sapo u zbardh pak, ai doli nga kabina dhe shkoi të shuroste në doborë pas kabinës. Ndërkohë nxorri nga xhepi «Napoleonin» dhe e vështroi i habitur. Çuditërisht ishte një portret i gdhendur që shpërndante rreze dielli. E afroi më nga afër dhe vetëm atëherë pikasi se ishte fytyra e udhëheqësit të madh Mao. Ishte thjesht një emblemë. Pastaj, papritur qeshi me veten dhe idenë e tij të çuditëshme për «Napoleonin». Përse vallë i quanin «Napoleon», mendoi… Por këtë do ta mësonte më vonë.

– Shoku Pjetër! – dëgjoi zërin e kinezit.

Ktheu kokën dhe e vështroi me habi tek qëndronte tek dera. Kinezi Çin ishte bërë gati për udhë!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *