Meine liebe… i dashuri im!

Në kujtim të Franz Nopçës që aq shumë e deshi Shqipërinë

Hetuesi i ri Gustav Straub po ngjiste shkallët me nxitim t’i raportonte shefit të tij, hetuesit Hambold, se një vrasje e çuditshme kishte ndodhur në rrugën “Singer“ nr. 12, në katin e tretë të një ndërtese të vjetër. I zoti i banesës kishte telefonuar për të njoftuar vrasjen që sapo kishte zbuluar. Ishte një mëngjes i ftohtë dhe i lagësht atë ditë të prillit të vitit 1933, një mëngjes i vrenjtur ku pritej të binte shi përsëri. Njerëzit nxitonin.

Me të marrë detyrën, duke kapërcyer linjën e re të tramvajit, Gustav Straub ecte përkrah shefit të tij me një lloj emocioni. Kur hynë në ndërtesën e rrugës “Singer” dhe ngjitën shkallët, përshëndetën policin që rrinte tek dera dhe brenda pikasën menjëherë trupin e njeriut të shtrirë mbi një parket të vjetër. Viktima ishte shëmbur pranë skrivanisë dhe pistoleta me sa dukej i kishte rënë nga dora. Ishte një burrë rreth të 55 vjetëve, i cili kishte rënë me fytyrën përmbys. Asistenti Straub hyri në dhomën ngjitur dhe ja ku pikasi në shtrat trupin e shtrirë të një njeriu me mustaqe. Ishte një burrë rreth 45 vjeçar, shtatlartë e që dukej ende sikur flinte, megjithëse një plumb ia kishte përshkuar kafkën tej për tej. “E habitshme, – mendoi, – një plumb i ka përshkuar kafkën dhe ky përsëri duket sikur flë, sikur asgjë të mos ketë ndodhur rreth tij. Një fytyrë e paqtë me sy të mbyllur gjithnjë, sikur vononte të zgjohej.”

I bëri shenjë shefit, i cili po drejtohej dhe ai nga dhoma. Gustavi mori frymë thellë dhe vështroi shefin që shikonte i habitur atë skenë jo të zakontë duke u përpjekur të kuptonte se ç’kishte ndodhur në të vërtetë dhe cili ishte motivei vrasjes së këtyre viktimave.

– Thirreni pak të zotin e ndërtesës, – iu drejtua policit që ishte mbas tyre.

Pas pak duke nxituar shkallëve ai u kthye me një zotëri me kostum të errët dhe një kravatë të vogël e të shtrënguar që dukej se po i merrte frymën. Përshëndeti me një mërmërimë të çuditshme.

– Ju telefonuat për vrasjen?

Tjetri tundi kokën. Ishte zverdhur i tëri.

– Zotëri, cilët ishin në të vërtetë këta qiraxhinj? Si i njihnit?

Burri u afrua dhe tregoi nga kufoma e parë:

– Është baroni Nopça. Ishte etnograf, një njeri mjaft serioz dhe një lloj shkencëtari, por natyrë e mbyllur në fakt. Nuk kemi patur asnjëherë ndonjë konflikt.

– Po tjetri në dhomë?

– Ishte sekretari i tij që sipas pasaportës quhej Bajazit Doda. Nuk ishte austriak. Ishte një ballkanas, të cilin siç thoshte baroni kishte mbi 25 vjet që ishte angazhuar në shërbim të tij. Njerëz pa ngjarje dhe mjaft të respektuar.

– Mos ishte shpërthyer dera?

– Ndoshta, s’di çfarë tu them për këtë, – shtoi i tronditur pronari, – mbase shërbyesja apo dikush tjetër…

Gustavi mbajti shënim në bllokun e tij.

– Ne s’kemi patur asnjëherë problem me këta qeraxhinj. Për të mund të pyesni doktor Keller që vinte ndonjëherë. Madje kohët e fundit baroni u shtrua në spital për dhimbje të mëdha koke, por vetëm kaq, asgjë tjetër më shumë.

– Po ballkanasi?

– Ishte shqiptar… njeri mjaft i heshtur por me një pamje mjaft të mirë. Dukej që e respektonte shumë baronin Nopça.

– Keni parë njerëz të tjerë të hyjnë dhe të dalin nga ky apartament?

– Jo , aspak… Ata ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Zotëria merrej me kërkime e studime, shkruante libra. Një shkencëtar i vërtetë.

– Si mendoni, përse të ketë ndodhur kjo vrasje?

Zotëria ngriti supet pa ditur ç’të thoshte.

– Një habi e madhe… e paimagjinueshme, – shtoi pas pak.

Shefi iu afrua përsëri viktimës duke shtuar:

– Po dera përse ishte e hapur… ishte shtyrë me forcë apo si?

– Nuk e di zotëri… do ketë qenë thjesht e hapur. Nuk e kanë shpërthyer.

– M’a thërrisni pak shërbyesen.

Polici dhe zotëria dolën nga dhoma. Pas pak shërbyesja erdhi me duart e kryqëzuara, mesa dukej tepër e tronditur nga kjo vrasje. Ishte një bufalaqe që në fakt kishte një pamje komike në të ecurën e saj.

– Afrohuni zonjë… si quheni?

– Emili Jakob.

– I njihnit zotërinjtë?

– Ah, prej shumë vitesh. Ishin njerëz të mrekullueshëm e pa fjalë! Kurrë nuk kemi dëgjuar as zhurmën më të vogël. Jetonin në qetësi. Zoti i dënoftë ata që kanë bërë këtë krim.

– Po derën si e gjetët?

– Nuk ishte mbyllur… thjeshtë e shtyva. I rashë ziles por nuk mu përgjegj njeri.

– Sa ishte ora?

– Ajo ngriti supet.

– Harrova ta shoh zotëri. Në fakt u dëgjuan dy të shtëna të mbytura, njëra pas tjetrës. Mendova se qëllohej jashtë… kush mund ta mendonte?

– Ç’mund të na thoni tjetër? Për më tepër jashtë bënte stuhi.

Ajo u mendua një çast duke kërkuar në kujtesën e saj.

– Po ç’tu them… kohët e fundit kishin probleme financiare. Zoti Nopça më ishte lutur që pagesat e katër muajve do të m’i jepte sapo të merrte një shumë nga familja e tij. Asnjëherë nuk kanë patur problem të tilla, por…

Ndërkohë zoti Hambold hodhi sytë nga asistenti Straub që po kontrollonte në çantën e baronit ku ishte dhe një kuletë.

– Vetëm 80 fjorinta, – konstatoi Straub, -.pak për një njeri që kishte titullin familjar “baron”.

Duke hapur sirtarët, Straub gjeti një dosje me fotografi. Kapi atë që ishte në fillim dhe e ktheu nga pas. Në kurriz të fotografisë ishte shkruar: Franz Nopça, 1914. Kujtim nga mali Veleçikut.” Menjëherë ia zgjati shefit!

– Eshtë vetë etnografi i veshur me rroba malsorësh të Shqipërisë së veriut.

Më pas i zgjati një tjetër ku mbrapa shkruhej: Hani Hotit, 1908.

– Nga bie ky vend? – tha Hambold pasi lexoi dhe ai shënimin.

– Në veriun shqiptar, në kufi me Malin e Zi.

– Merri të gjitha fotografitë.

Gjatë dy orëve ata kërkuan nëpër dy dhomat mos gjenin ndonjë detaj tjetër për hetimin. Mos vallë etnografi kishte gjetur ndonjë gjë të vyer gjatë udhëtimeve të tij dhe ishin shpaguar mbi të? … Përse shqiptari ishte vrarë duke fjetur? Mos vallë nga ndonjë hakmarrje ballkanike? Asgjë nuk ishte thyer. Sirtarët ishin mbyllur, dollapi gjithashtu…

– Një vrasje e pastër, – tha shefi duke marrë me vete revolen e mbështjellë të baronit dhe duke lënë dhomën.

Straub ndiqte i heshtur shefin e tij duke menduar për atë që i kishte thënë më parë shërbyesja Emili. Dy zogj ishin gjetur pa jetë në pragun e ndertesës. Ç’do të thoshte kjo? Vallë ndonjë shenjë e vrasësve apo thjesht dy zogj të vrarë nga stuhia e një natë më parë? Ai ecte dhe përpiqej të imagjinonte imazhin e trishtë të atyre zogjve goditur ndoshta nga rrufeja që e komplikonte disi hetimin e çështjes. Nga librat e Agata Kristit ai kishte mësuar se dhe detaji më i vogël nganjëherë të çon drejt zbulimit të krimit, pra nuk duhet ta neglizhosh… Dy zogj të vrarë! E përse dy dhe jo apo tre? – pyeste sërish veten. Dy zogj të vrarë dhe dy të vdekur po në të njëjtën ndërtesë. Sikur t’i kishte mallkuar dikush. Po cili? Vallë thjesht një rastësi.

Shefi e pa të menduar dhe i tha:

– Ç’mendon?

– Asgjë… thjesht po mendoja për ata dy zogj të vrarë që na tregoi shërbyesja Emili.

Shefi qeshi me naivitetin e asistentit të tij dhe vazhdoi të ecë me një vështrim sikur të donte të thoshte: “Eh, këta të rinjtë…”

Sapo ishin kthyer në zyrë kur papritur ra zilja e telefonit.

– Eshtë dikush nga Instituti historik i Vjenës, – tha Gustavi. – Duan të vijnë për të parë lidhur me studimet dhe bibliotekën e etnografit.

– Thuaj se do presin pak për to deri sa të mbarojmë hetimet e para. Njoftoi se fqinjët kanë lajmëruar dhe motrën e tij e cila pritet të vijë nesër me tren. Thuaj të shkojë nesër në mëngjes, por do të jesh dhe ti i pranishëm.

Përballë Zotit Hambold, Gustavi nisi të lexonte me zë të dhënat rreth dy të vrarëve:

– Franz Nopça, 50 vjeçar, baron, pinjoll i një familje hungareze nga Felsöszilvàs, i lindiur në vitin 1877 në çifligun familjar të Saçal-it në Heceg të Transilvanisë. Në rini, kur ishte student, gjatë një udhëtimi në Szenfpeterfalia, zbuloi aty fosilet e një dinosauri dhe filloi të merrej me studime të paleontologjisë rreth evolucionit dhe zhdukjes së dinosaurëve. Gjithashtu ka studjuar strukturat gjeologjike të Ballkanit perëndimor dhe veçanërisht strukturat tektonike të maleve ballkanike.

– Dakort për këto por na duhet diçka e rëndësishme për raportin që duhet bërë. Çfarë kemi për të vrarin tjetër?

– Baroni Nopça me shqiptarin Doda janë njohur në vitin 1906, në Bukuresht, kur ai u pajtua si shërbyes pranë tij. Ishte 18 vjeçar…

Hamboldi hodhi sytë nga dritarja. Po binte mbrëmja. Jashtë dëgjohej boria e një makine që shkonte.

Të nesërmen në mëngjes Gustavi u shfaq përsëri në apartamentin e vrasjes. Dy trupat i kishin dërguar në morg që pasditen e djeshme. Ndërkohë po kërkonte vende të tjera se mos gjente ndonjë informacion të ri. Pas pak nënpunësi i Institutit të Vjenës me një kapele të zezë e të lartë dhe një bastun në dorë u shfaq në derë.

– Ç’dëshironi zotëri?

– Jam zoti Spencer i Institutit.

– Ah, më së fundi…

Studjuesi tundi kokën me mirësjellje.

– Ndërsa unë jam Gustav Straub, asistent i hetuesit Hambold, – shtoi ai dhe ata u futën brenda.

Zoti Spencer erdhi rrotull me një pamje të tronditur, hoqi kapelen dhe shtoi:

– E njihnit personalisht?

– Ah, po, prej shumë kohësh. Vinte në Institut të referonte për kërkimet e tij shkencore. Njeri i mrekullueshëm…

– Ku janë vitktimat?

– Në morg.

Zoti Spencer u zhyt trishtueshëm në kolltukun e vjetër të baronit.

– Po përse ta kenë vrarë?

– Atë kërkojmë të zbulojmë dhe ne…duket se është çështje e komplikuar. Shenjat janë të pakta. Trupat e tyre i çuam që dje pasdite në morg.

Studjuesi çiliroi jelekun e tij të ngushtë, tundi kokën i trishtuar dhe psherëtiu.

– E pabesueshme!…

Dukej që pamja e atij apartamenti i kishte sjellë imazhin e mikut të tij dhe kjo i dukej në gjithë qenien.

– E kam njohur prej rreth 20 vjetësh. Unë jam përgjegjës i seksionit të Ballkanit dhe zoti Nopça na ka sjellë studime të mrekullueshme. Një nga vendet që njihte më mirë ishte Shqipëria. Por më parë ai është marrë me studime të habitshme gjeologjike. Një studjues dhe udhëtar i palodhur, madje dhe një folklorist i shkëlqyer.

– Ashtu?

Vetëm tani Straub kuptoi më mirë se kishin të bënin më një personalitet të dorës së parë në fushën e shkencës.

– Baroni e donte aq shumë Shqipërinë saqë për një moment hodhi kandidaturën për tu bërë mbret i Shqipërisë.

– Mbret? Kur kështu?

– Në kohën pas krijimit të shtetit shqiptar, kur Shqipëria ishte nën kontrollin e Fuqive të Mëdha, para Luftës së Madhe.

– Mbase kemi të bëjmë me një çështje politike? Si mendoni?

– Mundet, – tha ai duke ngritur supet. Pastaj nisi ti vinte rrotull tavolinës së punës së baronit të vrarë, bibliotekës, tërhoqi një libër ku dalloi emrin e Maximilian Lambertz, vështroi përsëri, hodhi sytë nga një tufë me dokumenta dhe vazhdoi.

– Instituti është i interesuar ti marrë menjëherë dokumentat e zotit Nopça. Studimet e tij të fundit na janë shumë të vlefshme. Prej gati çerek shekulli ka mbledhur një material të jashtëzakonshëm etnografik, madje dhe fotografik, të cilat janë në shërbim të historisë.

– E kuptoj… Me të mbaruar hetimet ne padyshim do t’ua vemë në dispozicion. Sigurisht do të bisedoni dhe me motrën e tij e cila në fakt duhej të kishte ardhur tashmë.

Ndërkohë nga jashtë u dëgjua zhurma e një makine që ndaloi dhe zëri i një gruaje që falenderoi taksistin.

– Më duket se erdhi…

Dhe vërtet, tutje u dëgjuan zhurmët e këmbëve dhe dikush shtyu derën. Ishte zonja Hendel.

Kur hyri përshëndeti rëndë dhe vështroi e shastisur përreth. Sigurisht do të dëshironte të shihte të vëllain e saj.

– Zonjë, i kemi dërguar që dje në morg.

Zonja Hendel zuri të qajë. Pastaj fshiu lotët.

– Zoti Spencer është i Institutit të Vjenës, një mik i vjetër i vëllait tuaj.

Ajo ngriti sytë dhe vështroi nga ai përmes lotëve dhe përshëndeti përsëri.

– Ngushëllimet e mia zonjë! Vdekja e vëllait tuaj është një humbje e madhe për shkencën tonë.

– Po si ndodhi? – pyeti ajo dhe me ngashërim vështroi nga zoti Straub. – Kush e ka vrarë?

– Atë po përpiqemi të zbulojmë zonjë. Eshtë një ngjarje e çuditshme se sekretari i tij ishte vrarë mesa duket në gjumë, ndërsa ai u gjet në divan… revolja i kishte rënë poshtë këmbëve. Vallë është vetvrarë apo e kanë vrarë? Këtë ende nuk e dimë…

– Vetvrarë? E përse? Vëllai im i shtrenjtë ishte njeriu më paqsor i kësaj bote dhe i urrente armët.

Zonja Hendel vinte rrotull nëpër dhomën e madhe, hyri në dhomën e vogël ku ishte gjetur trupi i sekretarit të tij, u kthye përsëri nga skrivania, hapi sirtarin, vështroi rrotull dhe pastaj u ul në karrigen e tij dhe qau sërish.

– Më falni zonja Hendel, – iu afrua papritur zoti Spencer. – Instituti ynë është i interesuar të marrë dorëshkrimet e baronit Nopça. Sigurisht ato do të jenë prona juaj por ne do donim t’i mbajmë për një kohë të shkurtër.

Ajo ngriti kokën e habitur me këtë kërkesë të papritur. Kishte një lloj habie.

– Zotëri, unë dua të shoh vëllain tim të vrarë.

Studjuesi dhe Straub vështruan njëri-tjetrin.

– Në fakt ju mund të shkoni që tani për ta parë, – iu drejtua Straub. – Madje mund të shkoni bashkë! – dhe ai hodhi sytë nga zoti Spencer.

– Sigurisht, – mërmëriti nëpër dhëmbë studjuesi pa ndonjë qef të madh që të shkonte kaq shpejt.

– Ndërkohë ne do të vazhdojmë hetimet tona dhe do tu mbajmë në dijeni!

Gruaja rrinte ende në karrige gjithnjë e tronditur.

– Më falni zonjë, – ndërhyri Gustavi, – para se të ikni disa pyetje të vogla. Doja të dija, nëse vëllai juaj kishte ndonjë konflikt apo ndonjë njeri i cili donte të hakmerrej ndaj tij?

– Të hakmerrej? O Zot! Ai ishte aq i sjellshëm dhe i ndjeshëm, si të ishte një grua. Askujt nuk i ka bërë keq.

– Kur keni folur për herë të fundit.

– Para një muaji. Erdhi në shtëpinë tonë në Saçal. Kishte nevojë për disa të holla por siç e dini, sot kohët janë të vështira…

– Mos ndjente ndonjë rrezik? A e ndiqte njeri?

– Ah, jo zotëri. Vëllai ynë ishte si një engjëll.

– Sidoqoftë, do të bisedojmë sërish.

Ndërkohë studjuesi vuri kapelen dhe u bë gati të shkonte.

– Atëherë le të shkojmë, – iu drejtua studjuesi zonjës Hendel.

Ajo qëndroi një çast e hutuar dhe e kuptoi se më së fundi duhej të shkonte.

– Ju mund të më telefononi kur të dëshironi, – shtoi Gustavi. – Numrin tonë e keni tashmë. Sidoqoftë mendoni se cili mund të jetë motivi i këtyre vrasjeve!

Dera u mbyll për një çast dhe Straub u gjet para atij rafti me ata gurë të rreshtuar që që shkëlqenin nga grimca të shndritshme. Ishin kampione të shtresave gjeologjike, një pjesë gur kromi, nikeli apo bakri dhe ku para secilit ishte shkruar: Vermosh, Spaç, Nikaj Mertur, Llapushë…

Kur u kthye në zyrë Gustavi lëshoi mbi tavolinë një çantë të rëndë me dokumente ndërkohë që shefi i tij po mbushte llullën e tij të madhe.

– Mjeku ligjor më njoftoi se vrasjet kanë ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit. Pra mesa duket janë vrarë kur të gjithë flinin. Për më tepër në një natë me stuhi. Prandaj dhe zhurmat e armës nuk ishin dëgjuar mire.

– Këtë mendoj dhe unë… Megjithatë ka disa pikëpyetje. Shqiptari ishte qëlluar në kokë me dy plumba dhe njëri prej tyre kishte mbetur brenda në kafkë.

– E habitshme? Dy të qëlluara… pastaj vrasja e baronit.

– A thua mos e ka vrarë vetë baroni Nopça? Deri tani s’kemi asnjë shenjë apo provë që ka hyrë dikush me forcë.

– Pse do duhej ta vriste kur ai ishte një sekretar besnik i tij që prej 27 vjetësh.

– Ndoshta ndonjë histori femre, xhelozi? – shtoi Straub.

– Nuk e besoj… Sidoqoftë më thuaj, ç’të reja të tjera kemi?

– Shef, sapo e pyeta përsëri shërbyesen. U kujtua që para një viti dy burra, me sa duket sllavë, kërkuan të hynin në apartamentin e tyre, por ajo u tha se ata kishin dy ditë që ishin larguar drejt Ballkanit. Thoshte se duhej të ishin serbë. E kishin pyetur se kur do kthehej baroni me sekretarin e tij. I kishte bërë përshtypje veçanërisht këmbëngulja e tyre por u kishte thënë që s’kishte asnjë të dhënë se kur do ktheheshin. Madje shtoi se ata ishin të egërsuar pasi gjatë gjithë kohës shfrynin. Të nesërmen ishin shfaqur sërish para ndërtesës, kishin qëndruar një kohë të gjatë dhe në mbrëmje ishin zhdukur. Që nga ajo ditë nuk ishin parë më.

– Dhe atëherë? – shtoi shefi duke kërkuar mendimin e ndihmësit të tij, Gustav.

– Ajo ishte frikësuar shumë nga pamja dhe ngulmimi i tyre.

Shefi tundi kokën.

– Ndërkohë gjeta dhe një të dhënë interesante – shtoi Gustavi, duke nxjerrë diçka nga çanta mbi komodinën e tij. Ishte një fletore të Nopçës.

Ai u afrua akoma më shumë nga shefi duke shtuar:

– Shkruan ndër të tjera se zoti Bajazit Doda është nga Reka e Epërme dhe se serbët i kishin vrarë vëllain e më pas atin e tij. Madje ai shkruan se edhe veprimtaria e tij për mbrojtjen e shqiptarëve kishte ndikuar që të bëheshin këto vrasje.

Gustavi i zgjati fletoren e hapur pikërisht në vendin ku shkruhej për vrasjet në fjalë.

– Ti mendon se duhet të jetë një motiv nacionalist?

– Ky fakt të shtyn ta mendosh edhe këtë, por…

– Atëherë vazhdoni!

– Zoti Nopça shkruan pra se «në vitin 1913 serbët i kanë vrarë vëllain dhe të atin në fshatin e tyre Shtirovicë të Rekës. Pastaj të dy kanë udhëtuar në Saçal afër Hacegut në Transilvani. Disa muaj më vonë kanë shkuar në Londër ku shoqëruesi i tij, Doda, ishte sëmurë rëndë nga një grip i fortë. Më pas ata kanë zbritur drejt Skutarit.

Hambold ngriti kokën:

– Cili është ky qytet, ai i pjesës aziatike të Turqisë?

– Ah, jo… është i njëjti emër por shqiptarët e quajnë Shkodra. Një qytet mesjetar në kufi me Malin e Zi.

Shefi tundi kokën dhe Gustavi vazhdoi:

– Pra ata nuk arritën të shkojnë të marrin pjesë në vajtimin e dy të vrarëve se mund ti vrisnin dhe ata. Pas tetorit të vitit 1913 një ngjarje e rëndë u ka ndodhur kur kanë kaluar nëpër Mirditë. Ata i kapin dhe i mbajnë robër në fshatin e një banditi famëkeq i quajtur Mustafa Lita. Pasi pagojnë para, lirohen dhe kalojnë në Prizeren të Kosovës, më vonë në Shkup, kalojnë në Reka të Epërme dhe pastaj kthehen sërish në Shkodër për të studjuar në veri zonën e Hotit dhe Grudës. Atje janë zënë me fjalë dhe Doda desh u vra me malsorin tjetër Nikollë Gegën kur të dy rrëmbyen armët por shpejt ndërhynë Gjok Prenga dhe Mehmed Zeneli. Edhe pse pa armë, Nopça arriti ti ndajë dhe ti paqtojë gjakrat.

Gustavi ngriti kokën për të parë nëse shefi i tij po e ndiqte apo jo, por Hambold ndërkohë merrte shënimet e tij duke shtuar.

– Pse nuk thua që kjo ngjarje është si në romanet e Agata Kristit!

Gustavi qeshi dhe i zgjati një fotografi malsori të veshur me rrobat karakteristike të veriut shqiptar dhe me qefinin e mbështjellë në kokë.

– Kush është ky? – u habit shefi.

– Vetë baroni i veshur shqiptarçe.

– Po kjo që ka mbështjellë kokën.

– Qefini i tyre. Çdo shqiptar në veri e ka qefinin me vete që po të vritet, të kenë me çfarë t’a mbështjellin para se ta fusin në dhé.

Shefi ngriti vetullat me një fytyrë të zymtë:

– E habitshme kjo ndjesi e pranisë së vazhdueshme të vdekjes!

Ndërkohë Straub vazhdoi:

– Shqiptari Bajazit Doda ka lënë të shkruara disa informacione historike për zonën e Rekës që janë mjaft interesante, duke theksuar se para 40 vjetësh kjo zonë popullohej krejtësisht nga shqiptarët dhe se serbët i kishin përzënë duke i plaçkitur e vrarë. Sot konstatohet se aty nuk ka më asnjë shqiptar. Madje ekziston dhe një memuar i Bajazitit mbi të dhënat historike e etnografike të zonës së Rekës. Këto masakra të serbëve ndaj shqiptarëve ai i ka bërë të njohura në Austri dhe padyshim me ndihmën e baronit Nopça.

– Eshtë vërtetë një pistë interesante, – tha shefi.

Gustavi tundi supet pa ditur ç’të thoshte.

– Ndërkohë kam marrë disa materiale të tjera që duhen parë, – dhe ai shkoi drejt tavolinës së tij, duke nxjerrë nga çanta një sërë dosjesh.

Shefi lëvizi drejt dritares dhe për një kohë treti vështrimin tutje në rrugë. Gjithnjë e më shumë mendonte se mund të ishte një motiv nacionalist, pasi në shtypin vjenez vazhdimisht shkruhej rreth lëvizjeve shqiptare kundër Serbisë të cilët kishin pushtuar gjithë Kosovën dhe Metohinë.

– Në fletoret e tij, sipas Nopçës, Bajaziti ia hidhte fajin dhe Fuqive të Mëdha që në Konferencën e Londrës, e kishin shpërblyer Serbinë duke i dhënë tokat shqiptare të Kosovës dhe një pjesë të Maqedonisë së vjetër. Vetëm Austro-Hungarinë ai e sheh si mbrojtëse të shqiptarëve.

Hambold ktheu kokën nga ndihmësi i tij, por e pikasi që tjetri ishte zhytur duke kërkuar në dokumentet e hapura para tij.

– I çuditshëm ky emër Bajazit, apo jo?

– Po shef… ngriti kokën ai, – në fakt është emri i një prej sulltanëve të hershëm të Konstantinopojës. Këto emra i gjen gjerësisht në familjet shqiptare muslimane, e megjithatë, edhe pse pas një pushtimi katër shekullor, shqiptarët e ruanin ende identitetin e tyre, gjuhën, zakonet. Në një familje muslimane, siç shkruan baroni, gjeje emra katolikë si Nikollë, Mark, Preng, Gjon… Ata nuk mungonin të festonin edhe festën e Shën Nikollës.

Shefi tundi kokën i kënaqur me informacionet që po i jepte ndihmësi i tij dhe përsëri treti vështrimin në rrugën e zhurmshme të qytetit.

Gustavi kishte nxjerrë një zarf të madh dhe hodhi mbi tavolinë një tufë fotografish nga ekspeditat e etnografit nëpër Ballkan. Po i shikonte me rradhë njëra pas tjetrës kur papritur një fotografi e befasoi menjëherë. Ishte fotografia e Nopçës, buzë një lumi malor, si duket në veriun shqiptar ku ai ishte xhveshur i tëri lakuriq dhe qeshte nga ai që e fotografonte. Organet gjenitale shquheshin fare qartë por si dukej atij s’i kishte bërë përshtypje kjo gjë. Por edhe fotografia tjetër më pas ishte po nudo. Kësaj rradhe dukej Bajaziti me atë gjoksin e tij leshtor dhe trupin muskuloz, tepër viril. Në fillim qeshi me këto fotografi që u gjendën mes asaj morie fotografish etnografike të malsorëve, kullave të tyre, fëmijëve apo të malsorëve që prisnin duhanin dhe punonin drurin. Qëndroi një çast i menduar, mbylli sytë dhe ja ku iu shfaq fytyra e Bajazitit të vrarë në paqen e tij. Përse vallë ishin xhveshur në atë natyrë që u ngjante peizazheve të Zvicrës, me një dritë të bardhë nderur ndër lumenjtë e Shalës që vërshonin nga majëmalet. Mos ndoshta lidhja e tyre ishte diçka më e qenësishme, më e thellë, diçka intime? Përse asnjëri nga ata nuk kishte një lidhje femërore? Zonja Emili kishte deklaruar disa herë se në shtëpinë e tyre asnjëherë nuk kishte hyrë një femër dhe kjo prej vitesh, që kur ishin vendosur në këtë banesë. Vetëm motra e tij kishte shkelur.

Hapi sytë dhe përsëri iu shfaq ajo shenjë plumbi që Dodës i kishte shpuar kafkën tej e tej duke fjetur gjumë. Plumbi kishte dalë nga koka dhe kishte rënë në jastëkun e karriges aty pranë. U ngrit dhe me fotografitë në dorë shkoi në tavolinën e shefit dhe i hodhi para syve të tij:

– Mendoj se këto dy fotografi janë shumë enigmatike… Një shqiptar nudo?… Një pistë që më duket se duhet ta mendojmë.

Shefi mori fotografitë, i pa dhe mërmëriti diçka të pakuptueshme nëpër dhëmbë. Pastaj vështroi nga ndihmësi dhe tundi kokën në shenjë miratuese.

– Edhe kjo duhet parë Gustav, nuk është pa gjë… megjithatë duhet të gjejmë një arsye të fortë… Nuk mund të bëjmë një raport thjesht me supozime.

Fotografia e baronit në Veleçik ishte vërtetë interesante. Veleçiku ishte një majë e vështirë për tu ngjitur dhe baroni i kishte dhënë aparatin që të ngjitej lart dhe të merrte shënime rreth majave të tjera dhe përrenjve që binin nga krahu tjetër, çka i duhej për hartimin e hartës përfundimtare rreth kësaj zone që nuk e kishte shkelur njeri. Dhe Doda ishte nisur që në orën 10 të mëngjesit. Frynte erë dhe baroni shikonte me dyshim nga retë. Megjithatë s’mund të ktheheshin pas. Me nisjen e Dodës ai u ul në pragun e asaj kulle mbi atë pllajë të bukur, rrethuar me pemë. Në muajt e nëntorit zakonisht binte borë por atë vit bora po vononte. Andej nga pasditja baroni dhe dy malsorët pleq prisnin kthimin e Dodës por ai ende s’po vinte dhe qielli nxihej gjithnjë e më shumë. Baroni ecte i shqetësuar, shkonte e vinte, duke hedhur sytë gjithnjë nga maja e Veleçikut. Pas pak u errësua dhe baroni nisi të thërriste: ”Dodë, o Dodë?!… ” Po kështu dhe dy malsorët e tjerë. Por Doda s’dukej gjëkundi. Era nisi të frynte edhe më shumë dhe një mjegull e çuditshme ra mbi ta. Zërat thërrisnin por në mjegull thirrjet bëheshin gjithnjë e më të dobëta. Fytyra e baronit ishte prishur dhe një ankth i madh e kishte pllakosur. Kur ja, pas pak, nga pjerrina që nuk dukej prej errësirës dhe mjegullës u dëgjua zëri i Dodës: ”Hej ore hej! Hej ore hej!” Baronit i ndritën sytë. Ishte Doda. Edhe dy malsorët iu përgjigjën… ”Eja këndej Dodë! ”… Dhe kështu, përmes mjegullës, baroni kishte parë më së fundi figurën e Dodës të shfaqej. Po kthehej…

Atë natë, Straub u kthye vonë. Kishte marrë me vete çantën me një zarf plot fotografi dhe nisi ti rishikojë sërish duke pirë një birrë. Pastaj u shtri në shtratin e tij. Ishte i lodhur. Mbylli sytë një çast. Fillimisht iu shfaq një imazh amorf, në një atmosferë bryme, pastaj iu shfaqën papritur ata të dy, baroni dhe shqiptari muskuloz të xhveshur lakuriq. Ishte hera e parë që mendonte për homoseksualitetin nëpër malet e Ballkanit, sikur ajo të ishte çështje vetëm e botës mondane, në sferat e kishës apo mjediseve artistike të Vjenës, Parisit, Romës apo Venedikut, ndër letrarët, diplomatët, piktorët, stilistët e modës apo muzikantët. Madje me këtë ai ishte mësuar në hetimet e tij të përditshme. Por një lidhje e tillë e një aristokrati dhe një malsori shqiptar asnjëherë nuk do ta kishte menduar. Madje imagjinoi se ata ishin shtrirë aty, në divanin e sallonit, përqafoheshin e putheshin në botën e tyre. Ishte një ëndërr e çuditshme. «Ah jo», kishte mërmëritur nëpër dhëmbë dhe ishte kthyer nga ana tjetër. Megjithatë imazhet s’donin ta lëshonin. Dhe përsëri figurat e tyre. Tashmë imazhi ishte akoma më i çuditshëm. Nuk po e kuptonte pse baroni iu shfaq ashtu në këmbë duke u afruar pranë Dodës që flinte. Baroni afroi pistoletën me dorën që i dridhej dhe më së fundi, nga shumë afër e kishte qëlluar. Ishte një imazh i shpejtë, disi flu. Çuditërisht imazhet vazhduan, ashtu me një lëvizje të ngadalëshme, me një dritë të bardhë. Tani ishte baroni me kostumin malsor që hiqte qefinin nga koka dhe nisi të mbështjellë trupin e të dashurit të tij… e mbështillte dhe qante duke u hedhur para tij siç qahej nëpër gjamën shqiptare, duke shkulur flokët dhe duke gricur faqet që i përgjakeshin. Hidhej dhe klithte: “O i mjeri unë, o i mjeri unë!…”

Që të nesërmen në mëngjes u nis përsëri drejt rrugës “Singer” dhe ngjiti shkallët. Menjëherë nisi të kërkonte në librin e ish konsullit austriak, von Hahn mbi malet shqiptare dhe udhëtimet e tij, meqë në fletore baroni i ishte referuar homoseksualitetit të zbuluar nga konsulli von Hahn. Në fillim këtij shënimi nuk i kishte dhënë rëndësi por gjetja e atyre fotografive e kishte bërë të mendohej gjatë rreth motivit se përse ishte kryer ajo vrasje apo vetvrasje.

E mori librin, e shfletoi dhe ja ku gjeti paragrafët që i duheshin dhe që ishin nënvizuar nga vetë dora e Nopçës me një kalem të hollë blu. Hahn shkruante: «Ndjenjat e gegëve, përsa u përket çunave, ishin të pastra si drita e diellit dhe dylberi nderohej si shenjt; këto ndjenja ishin më të lartat që kishte zemra e njeriut. Pasi e rrahëm mjaft këtë çështje me shoqëruesin tim, u binda se metoda që kisha përdorur për të mbledhur të dhënat për zakonet e Riçës do të ishte rruga më e përshtatshme. Prandaj iu luta të m’i shkruante të gjitha ato që më kishte rrëfyer me gojë. Atyre që ky përshkrim u kujton lashtësinë më duhet t’u them se ky djalosh nuk kishte kurrfarë dije se dorianët e lashtë i kishin dashur djemtë siç i donin bashkatdhetarët e tij. Ai mendonte se kjo lloj dashurie ishte tipar i tyre. Më pas, në udhëtimin tjetër që bëra nëpër këtë vend, pata mundësi të përforcoj plotësisht ato që më kishte rrëfyer ai për këtë zakon të çuditshëm. Pederastia m’u duk se ishte një pjesë e tillë përbërëse dhe e rrënjosur e jetës në tërësi sa që m’u rrëzua dyshimi i fillimit se kjo lloj dashurie kishte ardhur bashkë me Islamin. Në këtë pikë ka një ndryshim të rëndësishëm, që është ndoshta ndryshimi themelor midis zakoneve të gegëve dhe atyre të toskëve. Toska i këndon më shumë dashurisë femërore. Pederastia nuk ka rrënjë të thella në zakonet e tij, dhe, kur shfaqet, zakonisht quhet ves…»

Menjëherë mori zarfin me fotografitë dhe u largua për të shkuar drejt zyrave. Kur hyri në zyrë shefi kishte ardhur dhe ai i zgjati librin:

– Shef, fotografitë lakuriq po na çojnë drejt një piste interesante.

– Cili eshtë argumenti atëherë?

– Ish konsulli austriak George von Hahn më duket se na jep çelësin e gjithë kësaj historie.

– Si kështu?

– Marr guximin të mendoj se gjithë kjo mund të jetë thjesht një histori pederastie, megjithëse mund të them, nëse më lejoni, se këtu kemi të bëjmë më shumë me një lloj dashurie mes tyre, një lloj përkushtimi.

– Ashtu? – qeshi shefi nëpër dhëmbë dhe duke hapur librin nisi ta lexojë atje ku kishte bërë shenjë ndihmësi i tij.

– Kurrë s’do ta besoja se pederastia njihej dhe në malet e Ballkanit! Pra kemi të bëjmë me dy homoseksualë?!

– Në letrat dhe fotografitë që kemi mbledhur nuk rezulton asnjë fotografi gruaje. Me sa kam pyetur, nuk rezulton të ketë patur marrëdhënie me ndonjë femër. Nuk ka qenë as i fejuar, as i martuar. Nuk kishte asnjë lloj aventure “amorosa”, – qeshi Gustavi. – Megjithatë… – dhe ndërkohë nxorri një fotografi të Bajazit Dodës ku prapa diçka ishte shkruar. Lexojeni:

– ”Mein lieber ich liebe dich… Bajazit”

Hamboldi e mori, e vështroi dhe nënqeshi i kënaqur me zgjuarsinë e asistentit të tij, duke përsëritur: ”Mein lieben”… Fjalë dashurie si për një grua! ”

Straub përballë mori frymë thellë i kënaqur nga fjalët e shefit.

– Bravo Straub, Agata Kristi me sa duket të ka mësuar diçka më shumë se auditoret e magjistraturës. Ky dedikim që i shkruhet vetëm një të dashure apo të dashuri, shpjegon më duket gjithçka.

Straub qeshi.

Nuk kaluan veçse disa orë kur pasdite ra telefoni. Motra e baronit Nopça e njoftonte me një zë të dridhur zotin Hambold:

– Sapo kam marrë një letër nga i ndjeri vëllai im Franz. Eshtë një letër lamtumire. Po ju a dërgoj menjëherë me postë. Ja çfarë shkruan: “Motra ime e dashur, arsyeja e vetëvrasjes sime është sistemi im nervor i hallakatur. Arsyeja që vrava mikun dhe sekretarin tim afatgjatë, Zotin Bajazid Elmas Doda, në tëmblën kur flinte gjumë, dhe pa dijeninë e tij, është që unë nuk doja ta braktisja të sëmurë, të shkretë dhe pa para në botë, duke qenë se ai do të kishte vuajtur shumë. Unë dëshiroj që trupi im të digjet.”

Përse pra kishte ndodhur ne orët e para të mëngjesit?… Dhe ai e imagjinoi baronin të sillej nëpër dhomë me revolen në dorë, i pavendosur për të marrë vendimin përfundimtar. Sillej rrotull, ndalonte para portës që e ndante me dhomën ku flinte Doda, kthehej sërish, shikonte nga dritarja erën që frynte jashtë dhe shiun që binte me furi, me idenë e tmerrshme që i mundonte shpirtin: të vriste të dashurin e tij! E përsë? – kishte menduar kushedi sa herë baroni i shkretë. Përse mos ti linte shansin ta gëzonte jetën gjer në fund. Përse duhej të vdiste dhe ai? Sigurisht dçka egoiste që donte ta merrte me vete në varr…

Një orë më vonë telefononte kësaj rradhe avokati Sigmund Bauer, i cili konstatonte të njëjtën gjë:

– Sot në mëngjes kam marrë një letër nga i ndjeri baroni Franz Nopça, cili më shkruan se do ti japë fund jetës së tij. Më ka dërguar dhe testamentin e tij. Do doja t’ua sillja sa më parë…»

Gustavi vështronte nga shefi i tij, i cili pasi bëri disa hapa i menduar, ndaloi dhe u kthye nga ai: Pra dyshimet tona u vërtetuan. Filloni të shkruani raportin.

Gustavi u ul menjëherë në karrige, hapi letrat, nxorri bllokun e raporteve dhe nisi të shkruajë duke ndjekur çfarë i thoshte zoti Hambold: «Duket se baroni Franz Nopça e kishte përgatitur veprimin paraprakisht. U gjetën shumë letra të lamtumirës të mbyllura për farefisin dhe për miqtë e tij si dhe një testament të mbyllur për një avokat vjenez dhe shënime të tjera. Mendohet që arsye e veprimit të ketë qenë gjendja e vështirë financiare e tij me qenë se shërbëtorja tha që ajo nuk e kishte marrë rrogën që prej katër muajsh. Dihet gjithashtu që Franc Nopça, i cili donte më shumë se çdo gjë tjetër librat dhe koleksionet e tij, kishte menduar për të shitur bibliotekën e tij të madhe me shumë vepra unikale por…”

Hambold ndaloi një çast i menduar. Tutje Gustavi kishte humbur në përfytyrimet e tij kur ndërkohë zëri i shefit e solli në vete. Në letrën e lamtumirës ai kishte shënuar: “Arsyeja e vetëvrasjes sime është sistemi im nervor i hallakatur. Arsyeja që vrava mikun dhe sekretarin tim afatgjatë, Zotin Bajazid Elmas Doda, në tëmblën kur flinte gjumë, dhe pa dijeninë e tij. Arsyeja është se unë nuk doja ta braktisja të sëmurë, të shkretë dhe pa para në botë, duke qenë se ai do të kishte vuajtur shumë. Unë dëshiroj që trupi im të digjet.”

Atë mbrëmje ra përsëri shi në Vjenë. Një shi i zakonshëm shumë shpejt ishte kthyer në një rrebesh të vërtetë. Gustavi vështronte përtej dritareve rrugën poshtë ndërtesës dhe papritur iu shfaqën ata dy zogj të vrarë të rrugës Singer, të cilët nuk i kishte parë, pasi i kishin hequr menjëherë. E çuditëshme, mendoi që në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend vriteshin dy njerëz të dashur dhe dy zogj. Ç’rastësi e jetës. Rastësi kishte qenë dhe takimi i tyre në Bukuresht… Gjithçka në këtë botë i përngjan rastësisë…

Ai la dritaren dhe u ul në divanin duke shfletuar shfletuar nën dritën e abazhurit librin e von Hahn që kishte marrë me vete. Një libër që po e tërhiqte vërtet: «Objekti i dashurisë është një djalë i bukur. Ai që e sheh, zë merak me të dhe hap portat e zemrës për ta shijuar këtë bukuri. Pak nga pak dashuria vjen duke u shtuar dhe e prek dashnorin aq fort saqë natë e ditë ai mendon veç atë… Kur hyn në marrëdhënie më të ngushta me dylberin, ai e porosit për këto tri gjëra: mos të shkojë me të tjerë, të qëndrojë moralisht pastër dhe t’i qëndrojë besnik. Ashiku nuk kënaqet vetëm me një takim. Nga mëngjesi në darkë ai nuk i ndahet dylberit, nëse ky pranon. Ashiku nuk e prek dylberin as me dorë, vetëm shumë rrallë e puth në ballë, për të treguar adhurimin e tij, sepse në atë vend shkëlqen bukuria hyjnore… Kur ashiku merr vesh se dylberin e duan dhe të tjerë ai përpiqet me çdo kush t’i heqë qafet konkurentët dhe e shtrëngon dylberin të mos shkojë me ata… Por nëse ata nuk heqin dorë prej djalit, puna shkon deri në përleshje që shpesh përfundojnë me vdekje. Bëhet dhe dyluftim dhe fituesi merr dylberin. Por ai që mundet, nganjëherë bëhet melankolik dhe çmendet… “

E habitshme, mendoi, që këto histori antike vazhdojnë deri në ditët tona, histori greke, homerike, ku ndodhte pothuaj e njëjta gjë: djelmoshat adoleshentë zgjidhnin mbrojtësit e tyre të cilët u mësonin artin e dashurisë dhe i përgatisnin për një jetë tjetër, familjare.