Me stradiotët në Breshia të Italisë

Sapo arrita në Breshia për një veprimtari letrare me miq shqiptarë e italianë, të shoqatave kulturore «Associazione culturale movimento dal sottosuolo»,«Altrove», «Nexus», «LSHASHI», etj, një dëshirë e hershme më shtyu të shkoja për të parë kështjellën e qytetit, një kështjellë historike rreth të cilit sillet një pjesë e mirë e historisë së Breshias, veçanërisht e kohës së mesjetës. Një kështjellë që bashkë me poetet Valbona Jakova dhe Migena Arllati e gjetëm të praruar nga gjethet e fundit të vjeshtës dhe një okër që bënte kontrast me dekorin gri të qiellit. Duke u ngjitur drejt saj, majë kodrinës, nën fëshfërimën e lisave të lartë nga ku të shfaqej qyteti modern i Breshias, e ndjeja se po pikëtakoja histori të vjetra që lidheshin me shqiptarët, pasi shumë shënime më kishin mbetur në letër, pa mundur të shoh gjurmët konkrete, vendet, kështjellat, fushëbetejat, ku stradiotët shqiptarë lanë pas një histori të madhe. Si në këtë kështjellë, ashtu dhe në kështjellat e tjera të Italisë, të jugut dhe të veriut, stradiotët lanë gjurmë të pashlyeshme, një temë që e kam për zemër, e përmendur shpesh në kronikat historike. Edhe pse personalisht jam marrë vetëm me stradiotët e Francës, të cilët luftuan nën flamujt e mbretërve francezë si Charles VIII, Louis XII, François I apo më tej me Henri III dhe Henri VI, përsëri, historitë e tyre janë të lidhura me ato të Italisë, pasi të gjithë ata erdhën nga principatat dhe republikat italiane, veçanërisht nga Venediku, që ishte bërë baza e tyre që në fillim, kur mijra luftëtarë shqiptarë, nga Durrësi, Shkodra apo Peloponezi (Nafplio, Argos, etj), në kohën e pushtimit të Shqipërisë dhe Greqisë nga osmanët, erdhën të bashkoheshin me venedikasit për ti bërë ballë hordhisë turke. Duke menduar gjithë këto u ndala së pari në portën San Nazaro ku e dija se atje ishte bërë një betejë e përgjakshme ku ishin vrarë qindra stradiotë për mbrojtjen e kështjellës së Breshias. Vallë ç’kishte ndodhur në atë kohë dhe cilët ishin stradiotët që hynë në historinë e mesjetës italiane, ata stradiotë që historianët francezë i quanin «kalorësit e stuhisë»?

Kaloj urën e famshme, e cila tashmë është e gjitha në gur dhe jo si dikur që ishte një urë e lëvizshme, e cila e ndante kështjellën nga rruga përmes një hendeku të madh. Mure të rëndë, fortesa dhe torrat e vjetra, katakombet, portat e mëdha, tunelet dhe gjithçka të flasin këtu për një histori heroike. Në ballë të hyrjes, qëndron hijerëndë «luani» i gdhendur në mermer, emblema e Republikës së Venedikut dhe më tej relieve dhe afreske të asaj epoke. Ishte koha kur bashkë me Giorgio Buziki, një nga heronjtë e familjes Buziki, (të ikur nga Athina dhe të ardhur fillimthi në Venedik, ku u rradhitën nën flamurin e Republikës Serenissima), ishin dhe dy kapitenë të famshën, Teodor Frasino dhe Pietro Basta të cilët ndodheshin në kështjellë në kohën e rrethimit nga ushtria e madhe franceze e Gastone de Foix. Nën komandën e 500 stradiotëve, më së fundi Buziki, bashkë me të vëllain, Domenico, vendosi të ulte urën dhe të dilte me furi nga kështjella edhe pse qindra stradiotë do të vriteshin nga rrethimi prej 500 kalorësish dhe 8000 këmbësorësh francezë. Në këtë betejë ranë pra dhe dy kapitenët e famshëm Frosino dhe Basta, të cilët, banorët e qytetit i varrosën në kishën «Chiesa Santa Maria di Mansonne», një kishë, ku më parë ishin varrosur veç tempullarët e famshëm të përndjekur nga mbretërit francezë.

Duke biseduar në takimet në Breshia e Ghedi, askush nga të pranishmit nuk kishte dijeni se pikërisht edhe në zonën e Lombardisë, stradiotët shqiptarë kishin lënë gjurmët e tyre, duke luftuar herë kundër spanjollëve e francezëve e herë kundër gjermanëve imperialë dhe zviceranëve, mercenarëve të tyre. Bëmat stradiote janë të shumta dhe është mirë që ato të mos harrohen, madje përkundrazi të dalin në dritë si referenca të lidhjeve të vjetra shqiptaro-italiane. Ngado që të shkosh, në Breshia, Bergamo, Cremona, etj, gjurmët stradiote janë të pranishme por të panjohura si nga publiku i sotëm italian ashtu dhe nga vetë shqiptarët e ardhur këto 30 vjet.

Një nga heronjtë më të mëdhenj të epopesë stradiote është padyshim Mërkur Bua Shpata, për të cilin kam shkruar gjatë dhe që i la gjurmët e bëmave të tij jo vetëm në Itali por dhe në Francë e Gjermani. Për Venedikun ishte një nga heronjtë më të lavdishëm, i lëvduar nga dozhët dhe i pritur me ceremoni të jashtëzakonshme në «Piazza di San Marco» dhe pallatin e dozhëve. Në betejën e Marignanit mes francezëve të François I dhe zviceranëve, ishte «condotiere» Bartolomeo d’Alviano dhe stradiotët e Merkur Buas, që i dhanë fitoren mbretit francez. Duke shkruar vetëm për provincën e Lombardisë, Merkur Buan e gjejmë në vitin 1516 duke mbrojtur Novarën, ndërsa më 1517, me 500 kalorësit e tij stradiotë ai shkon të luftojë drejt Breshias. Dy vjet më parë kishte qenë në mbrojtje të Bergamos si aleat i Malatesta Baglionit kundër spanjollëve, ku në krah të tij kishte dhe Giorgio Buzikin. Po më 1516 ai kishte zhvilluar beteja në Cremona, Breshia e Bergamo. Në janar të viti 1516, siç shkruajnë kronikat e vjetra italiane në «Anali d’Italia», ai u kishte ngritur një kurth të tmerrshëm spanjollëve që kishin dalë nga Porta Pile e Breshias, pikërisht në aksin midis Castenedolo dhe Bangolo Mella. Mërkur Bua kishte gjithnjë me vete dhe nipat e tij, siç ishin MarkAntoni, Predano Bua, si dhe Alessio Bua. Mërkuri i kishte sulmuar ata dhe i kishte thyer keqas. Por spanjollë të tjerë kishin dalë nga kështjella dhe i sulmojnë. Mërkuri arrin të kapë rob mes të tjerash dhe vëllain e guvernatorit të Breshias, Fracesco Icardo bashkë me 12 luftëtarë të tij. Në prill të 1516 sulmon zviceranët, të cilët tërhiqeshin drejt Bergamos duke vrarë 50 zviceranë si dhe 80 këmbësorë në urën e Adda-s. Në një burim tjetër kronikal pas përndjekjes së 7000 zviceranëve që tërhiqeshin nga Bergamo në Breshia, në shtator të vitit 1521, në krye të 600 kalorësve niset të mbrojë Bergamon duke i shpartalluar zviceranët. Po kështu lufton dhe në Capriolo. Dy vjet më vonë, në 1523 është anëtar i Këshilit të Luftës së qytetit të Bergamos bashkë me guvernatorin e qytetit Giano Fregoso dhe Giuglio Monfrove. Më 1527, pas betejash të tjera nëpër Itali, ai rikthehet përsëri në Bergamo, nën komandën e proveditorit të përgjithshëm të ushtrisë venedikase, Domenico Contarini. Po këtë vit lufton përsëri për mbrojtjen e Bergamos dhe në afërisi të Adda kundër zviceranëve dhe gjermanëve imperialë.

Sipas analeve historike, atë e gjejmë sërish në vitin 1527, kur me 260 luftëtarët e tij stradiotë është në mbrojtje të Cremonës bashkë me Alvise Pisani. Një tjetër shqiptar ishte Filipo Albanese, që fillimthi, në 1498 e gjejmë në luftrat e Toskanës dhe Pizës me 80 kalorësit e tij. Ai kishte luftuar në Lombardi kundër forcave të dukës së Milanos, Ludovico Sforza, ku gjatë betejës ishte caktuar “mjeshtri i veprimeve ushtarake”, duke luftuar krah Niccolo Orsini. Në gusht të vitit 1503 e gjejmë në Ghedi me 240 kalorësit e tij, me detyrën për të ruajtur kufijtë e zotërimeve të Venedikut. Ndër stradiotët e tjerë të famshëm të këtyre provincave veç atyre të familjes së madhe Buziki, gjejmë dhe Teodor Renessi Albanese, i cili kishte luftuar në Breshia e gjetkë. Bashkë me të gjejmë dhe Piero Renessi në betejën për mbrojtjen e Breshias, ku u kap rob dhe u çua në Cremona, por meqë u pagua për shpëtimin e tij, atë e liruan dhe shkoi në Venezia. Por përsëri në krye të trupës së tij prej 50 stradioteve ai luftoi kundër francezëve në Binasco. Edhe Paolo Albanese, një tjetër stradiot i famshëm me trupën e tij prej 80 kalorësish stradiotë, që kishte luftuar në Breshia që në vitin 1500, nga senati i Venedikut kishte marrë titullin si “uomo valoroso”! Krahas tij, i përmendur në kronikat veneciane është dhe Niccolo da Cattaro, të cilin në 1509 e gjejmë në Lombardi. Në krye të trupës së tij prej 100 kalorësish ai mbrojti qytetin e Cremonas. Shumë luftëtarë stradiotë i gjejmë me mbiemrin Albanese. I tillë ishte Cristoforo Albanese që më 1517 e gjejmë në çlirimin e Breshias duke luftuar këtë radhë kundër spanjollëve dhe më pas është vendosur me banim aty. Ai ishte në krye të një trype prej 100 kalorësish. Në fillim të karrierës së tij ai ishte shfaqur në Firenze që më 1487 duke mare pjesë në luftimet e Pizës dhe Gjenovas. Më 1511 është në Venecie me trupën e tij prej 190 luftëtarësh, në krah të proveditorit të Përgjithshëm venecian Andrea Gritti. Më pas lufton në Treviso, Bergamo, San Lorenzo, Crema dhe në vitin 1513 mbron Bergamon. Më 1515, në krye të 182 luftëtarëve lufton kundër spanjollëve në Cremona dhe më 1524 e shohim të niset përsëri për mbrojtjen e Bergamos. Ndërkohë, stradioti tjetër Giovanni Albanese e gjejmë fillimthi në Napoli që më 1482 duke luftuar kundër ushtrisë së Vatikanit. Më 1503 e gjejmë nën komandën e milanezit të famshëm Cesare Borgia. Më vonë Giovani shquhet në betejat e Ravenës e Cesena ku është në krye të 500 kalorësve në shërbim të gjeneralit të famshëm Francesco della Rovere, duke sulmuar spanjollët dhe më pas duke ndihmuar proveditorin Alvise Pisani në krye të 282 luftëtarëve.

Emra, data historike, kronika mesjetare, istikame e kështjella, kudo stradiotët shqiptarë provuan sprovën e zjarrit për të mbrojtur jetën qytetare. Nëse i shkrova këto rradhë, kjo thjesht për tu treguar miqve të mi shqiptarë e italianë që takova atje, se këto bëma nuk duhet të mbeten të panjohura, nuk duhet të mbeten vetëm në librat e vjetra të historisë që i hapin veç ekspertët e historisë. Këto histori janë referenca dhe duhet të jenë të tilla për kohën e sotme, referenca të një lidhje të vjetër. Ato duhet të jenë të njohura jo vetëm për të rinjtë shqiptarë të ardhur në emigracion këto 30 vjet, por edhe për italianët mes të cilëve jetojnë. Janë referenca krenarie, pa përmendur këtu epokën legjendare të Skënderbeut e cila padyshim është epopeja më e shndritshme e shqiptarëve të atyre kohrave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *