Mbi librin “Omeri, frutat dhe erotika”

Me Liri Kopaçi-di-Michele

Ky tekst kishte një muaj që ishte shkruar dhe ndërkohë që grumbulloja fotografitë për katalogun, në fillimin e shtatorit 2020 një ishemi cerebrale e goditi një mëngjes piktorin e dashur. Në spital, shtrirë në krevat unë e pyeta: “Do të dëgjosh Mozart, Bach, Brahms?” Ai më tundi kokën i gëzuar dhe të nesërmen me një radio i vura “Radio Classique”. Pas pak në dhomë u nder muzika e shenjtë e Mozart.

Me Miranda X Shehu, Paris

Një nga ato ditë në spital i fola për Balthus dhe mollët e tij meqë po lexoja kujtimet e piktorit të madh. “Ah, Balthus… piktor i shkëlqyer”, pëshpëriti Omer. Dhe pastaj ai përmendi mollët e Cezanne të cilat Balthus i adhuronte e po kështu ato të Van Gogh. Më vonë e lashë në shtrat të përgjumur. Kushedi shikon ende mollët e tij, mendova pasi dhe një nga tablotë e fundit që sapo kishte mbaruar dhe e kishte hequr nga kavaleti ishte një tablo me mollë. Dola në rrugë dhe mu shfaqën «tre mollë dhe një dardhë» të Balthus, ku dardha ishte e shtrirë duke na shfaqur ca vithe femërore e pastaj Gauguin me kompozicionet e tij ku shumë shpesh janë dhe fruta, mollë, si në tablonë e madhe Gruaja e mbretit (Te ari vahine), ku si në një tablo të Cranach frutat janë në plan të parë.

Me Rita Petro në zyrat e ALBAS

Kur shkova me miken tonë të përbashkët Liri Kopaçi-di-Michele biseda përsëri u shtjellua rreth pikturës dhe kujtimeve të asaj dite ku në atelierin e tij Liria zbulonte për herë të parë portretet e artstit, fytyra me fruta, ku vaji i telajos na dukej se vinte erë mollësh e dardhash. “Omer, kur do ti ngjitim përsëri shkallët e atelierit tënd?… Të shohim mbi kavalet shportat me fruta?…”

Me Yllka Mujo

Tek linim Omerin në klinikë biseda vazhdoi për «nature mort dhe artin e tij. Një ditë më pas Liria më shkruante: «Do të mbetem gjithnjë e magjepsur nga «omerika» e këtij piktori. Unë nuk jam dhe s’mund të pozicionohem si kritike, ndaj këto pak fjalë thjesht reflektojnë në mënyre personale admirimin për artistin dhe veprën e tij. Në takimin e parë me mjeshtrin Omer Kaleshi, tek përjetova privilegjin të më hapte dyert e universit të tij, endesha e ngazëlluar midis tablove të shumta dhe bisedave me dy miqtë e mi, aty, në zemër të universit të artistit, në atelierin e tij në bulevardin Arago të Parisit. Nuk dija ç’të fiksoja më parë në kujtesë: ngjyrat, kokat, frutat e tablove që i jepnin gjithçkaje diçka poetik; lidhja dhe pasioni i tij për teknologjinë dhe shkencën; tradita dhe modernja që bashkëjetojnë me artistin? Copëza bisedash që n’a zhvendosnin nga e shkuara në të tashmen e të ardhmen, tek muzika, muzat, imagjinata. Të mendoja për djaloshin çapkën që vazhdonte të jetonte brenda artistit? Sytë e Omerit – pasqyra e shpirtit të tij që plot dritë dhe mençuri reflektojnë ngazëllimin dhe pafajësinë e një fëmije dhe që reflektojnë kureshtjen, kërshërinë dhe imagjinatën e artistit? Çfarë shikon vallë tek të kundron me sytë e tij të picërruar? Ato pak orë të asaj dite janari të vitit 2020, janë shumë pak për të zbuluar dhe admiruar universin Omeresk. Le të shpresojmë që së shpejti të “hypim e zdrypim” shkallët e atelierit të tij, të vazhdojmë bisedën me një gotë raki e të bëhemi më të ditur dhe më të pasur në miqësine dhe me artin e tij.

Me Rudina Xhunga

Me Laure Cambau, poeteshë franceze

Në këtë libër teksti kryesor «Omer Kaleshi – fruta dhe erotikë» është përkthyer në anglisht nga Miranda X. Shehu e cila, ashtu si Rita Petro ka një ndjesi të veçantë për Omerin. Në fakt të gjithë e duan Omerin siç ka ndodhur në xhirimet e hershme me Rudina Xhungën dhe më pas në Rezarta Reçin apo me poeten franceze Laure Cambeau që i ka kushtuar një numur të madh poezish në ciklin E bardhë pat ë bardhë ! Padyshim është ngasje e veçantë të shkruash: «Omeri dhe femrat!»

Me Rezarta Reçi gjatë xhirimit të filmit Arratia e peshkut të Kuq

Cose animate

Janë fruta në ngjyra

fiq të pjekur nëpër shportat e mureve të Pompeit

që hiri i zjarrtë nuk arriti ti shuajë,

ftonj e limona të Zurbaran në muzeun El Prado,

mollë të ëmbla të Cezanne,

dardhë në kavaletin e Chardin,

pjeshkë në tavolinën bujare të artit të Manet,

Bakusi i vogël i Caravage shuan etjen

me një vesh rrush që vezullon,

i eturi i përjetshëm vdekur me buzë të thara

nën diellin përvëlues të Porto Ercole

Ç’dashuri fruti e arti

të rikrijosh mrekullinë e natyrës

duhet të jesh i uritur apo i dehur si Baudelaire.

Gjithë këto fruta në banketin e shekujve

“cose naturali”  – shkruante Vasari

“cose inanimate” – shtonte Diderot

”stille-life”, “një jetë në heshtje e palëvizshmëri”

 thonin dikur flamandët e banketeve frutore

e megjithatë, po tu afrohesh

gjithçka gjallon nën ato forma magjiplote

shegët hapen në ekstazë e kullojnë                   

e ti endesh në frutikulturën e artistëve të botës

dehur nga aromat e tyre dhe lëngun e jetës,

jo, nuk janë “cose inanimate”…

Omeri pikturon. Tej nga dritarja ku derdhet një dritë e bardhë shquhet kupola e Panteonit. Në kavalet, mbi telajo, një shportë me fruta. Frutat duan dritë që të kenë hiret e tyre. Për Omerin, ato nuk janë mollët e mëkatit, siç i cilësonin dikur në shekuj të hershëm, mollët e kafshuara nga Adami. Për të janë mollë dashurie dhe jete, siç ishin për Cezanne i cili i vendoste mbi napën e badhë të tavolinës herë pesë e herë shtatë mollë apo siç ishin për Van Gogh, i cili i vendoste po në një shportë të madhe disi të përmbysur në një sfond të errët e rustik si në fshatrat e Hollandës. Mollë pikturuar mrekullisht…

Omeri dhe poezia e humbur

Ne zbritëm nga kati i shtatë

dhe porta e atelierit të tij u mbyll.

Omeri i la aty dardhat e tij erotike

mollët e “kolme”

dhe kokat e tij të vetmuara

në mërmërimën e tyre që veç një ëngjëll mund t’i dëgjonte.

Rita[1], Omeri, unë,

ulur rreth një tavolinë orientale pranë bulevardit «Arago»,

Pjatanca ngjyrë ari më kujtoi Salomenë e Herodit

dhe kokën e prerë të Gjon Pagëzorit

mollët e Cezanne në një pjatancë,

ne pinim verë të kuqe

dhe Omeri këmbëngulte se kokat e tij nuk janë të prera,

se kokat e tij nuk kanë veshë,

se kokat e tij edhe symbyllur shohin,

e kështu na ngjan se koka e bardhë e Omerit

ka mbledhur brenda tij kokat e botës,

bashkëfshatarë, lypës, dervishë,

të çmendur që rendin në horizontet flu,

fëmijë dhe gra në ekstazë

dehur mes mollësh.

Omeri bën nudo mjalti dhe vreshti

si në këngën e Solomonit,

unë rrëmbej një letër dhe shkruaj ca vargje,

pastaj Rita shton disa vargje të tjerë,

shkruajmë për martesën e Omerit me pikturën

dhe të dashurat e tij lyer në bojë vaji

dhe aromë frutash

në hapësirat e pamata, të bardha,

vajza të veshura në të kuqe, në të zezë,

Omeri qesh dhe i lumtur mbyll sytë

mbi pjatën orientale shkruhet poezi

një poete dhe një ashik i poezisë,

shkruajmë, vargje ngjyer me verë,

fjalë zemre, mjalti e flake,

pastaj ne shkojmë,

Omeri ngjit shkallët drejt skajit të tij qiellor,

pranë kokave të tij që presin

dhe kopshtin plot mollë në Edenin e tij,

ngjitet në qiellin e tij herë-herë në jeshil e okër.

Parisi ka diell dhe në «Café de Flore»

përqafohen të dashuruarit.

Por ah, një ditë më vonë,

Rita e ka humbur në hotel poezinë e shkruar

kushedi nga enden fjalët, ndoshta nëpër erë

Rita ka trisht dhe nxiton drejt aeroportit,

ndërkohë që fjalët si fluturat kanë humbur,

ndoshta një tjetër ditë, thotë me vete ajo,

në një tjetër kopësht të pranverës së përjetshme,

pse jo, një natë vere në atelierin e mjeshtrit të kokave,

mes hapësirës plot yje,

dhe atëherë penët tona do të ngjyejnë në zemrën e piktorit

prushin që ende s’është shuar…


[1] Poetja Rita Petro

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *