Levy Strauss dhe mbrojtja e kulturave

Njeriu që para pak ditësh festoi shekullin e vet, nuk ishte një banor i zakonshëm, por ai me të drejtë mund të quhet mendimtari i shekullit, jo thjesht për moshën e tij, por për atë çka ai solli në shkencat humane dhe kulturën botërore. Ky është akademiku francez Claude Levy-Strauss, i cili është në muzgun e jetës së vet, duke pritur natën e përjetshme. Në jetën e vet, ky njeri ka parë shumçka, por dhe shumë pak për një njeri të jetës toksore, ka parë njëkohësisht shumë drita vezulluese të arritjeve të mëdha, por dhe prushe qytetërimesh, zjarresh gjysmë të fikur, që ende s’janë shuar, varre qytetërimesh që nuk ekzistojnë më, apo të fundmit njerëz që ai ka takuar dhe që u takojnë tribuve të fundme të një bote të shkuar. Cili është ky njeri dhe përse antropologët, etnologët, shkencëtarët e shkencave humane dhe filozofët e botës e quajnë atë mendimtar i shekullit?

Me 28 nëntor të këtij viti, etnologu, antropologu dhe sociologu Levi-Strauss mbushi 100 vjeç, dhe në «Muzeun e Arteve të Para» (“Arts Premiers”) në Quai Branly, në Paris, dy hapa larg kullës Eiffel, mund ta kuptoje plotësisht se ç’rëndësi dhe ç’pasuri është për njerëzimin dokumentimi dhe paraqitja e arteve të njerëzve të tribuve të shkuara, e riteve dhe legjendave me besime të shoqërive primitive për kulturën e botës. Në Quai Branly, duke parë ato mori objektesh, gdhëndjesh, në dru, maskash, statuetash, tamburesh e heshtash, të bie në sy koleksioni i vet Levi-Strauss-it, pasi ai ishte një koleksionist i madh i krijimeve popullore dhe i dëshmive të kulturave të popujve të hershëm: statuja androgine, koka të zbukuruara me pendë, anije në miniaturë të gdhëndur në dru me njerëz e breshka, magjistarë, tempuj, simbole të habitshme, dëshmi të një kulture që nuk përjetohet më. Por akoma më të habitshme janë mijra fotografitë që ai realizoi midis tribuve «nambikuara», shpikësit e «hamakut» të Amazonisë, fotot e valleve «mariddo» të indianëve të Bororo-së, takime të rralla me «primitivët» Bangladeshit, Polinezisë dhe ishujve të tjerë të Oqeanisë, ku vlera dhe emocioni i krijimit është sa i thjeshtë aq dhe i jashtëzakonshëm. Ne pamë në Quai Branly dhe një nga statujat e rralla që ai kishte sjellur nga indianët e Kanadasë, statujën e «Chaman»-it, i cili i zbukuruar me pendë dhe një kurorë të artë, njërin gju e ka mbështetur në tokë. Levi-Strauss e quante atë «Magjistari» dhe deri në vitin 1951 e mbajti në sallonin e shtëpisë së tij, por më pas e dërgoi në “Muzeun e Njeriut”. «Shpesh, im atë, – kujton sot i biri i tij, – me merrte dhe shkonim në “Muzeun e Njeriut” për të parë Magjistarin e tij».

Levi-Strauss ishte alzacian me origjinë dhe nipi i një violinisti dhe shef orkestre i oborrit të Napoleonit të III. Ai u rrit me muzikën e Wagner-it. Që 17 vjeç ai zbuloi Marksin dhe lexonteKapitalin apo 18 Brymerin e Bonapartit. Ishte Marksi që e nxiti të lexonte Hegelin e Kantin, duke u shndruar në një “marksist-kantian”. Levi-Strauss ishte një mësues i thjeshtë kur një mik i telefonoi dhe i propozoi të shkonte në Sao Paolo të Brazilit. Ishte rastësia që do ta çonte atë drejt një aventure që do të hynte në historinë e shkencave humane. Në rininë e tij të tjera gjëra kishte menduar të bënte: ndoshta mund të ishte bërë një fotograf, siç e tregoi më pas ai këtë talent, duke fotografuar tributë në indigjenët e Amazonisë, apo të tribuve të tjera të largëta; ndoshta piktor e dekorator, meqë në rininë e tij ai kishte bërë dekorin e një pjese operistike të një shoku të tij; ndoshta dramaturg, meqë ai kishte shkruar një pjesë teatri, që tashmë ekziston e humbur, apo më së fundi muzikant, meqë ishte një njohës shumë i mirë i muzikës. Sidoqoftë, edhe pse kishte bërë studime për Drejtësi dhe më pas për Filozofi, rasti e solli që ai të udhëtonte drejt bregut tjetër të Atlantikut, e më pas do të vazhdonte nëpër udhët e botës me indigjenët e Zelandës së Re, aborigjenët e Australisë, banorët primitivë të ishujve të Oqeanisë, etj. Kështu, që 28 vjeçar, ai shkoi të shohë botra të largëta, të përjetojë xhunglën dhe shoqëritë primitive, ku do të hidhnin rrënjë teoritë e tij të mëpasme për strukturalizmin në shoqëritë e ndryshme njerëzore. Eksperiencën në pyjet e Amazonisë dhe në triubunë e Mato Grosso-s, ai do ta tregojë në librin e tij Tropikët e trishtë, ku përshkruan jetën e tribuve të vjetra dhe “mendimin në fazën e egër”, shoqëri që jetonin larg jetës dhe botës moderne. E megjithatë ai zbuloi se logjika dhe funksionimi i mendimit kishte afërsi me atë të botës moderne, pavarësisht nga shkalla e njohjes. «Isha në një gjëndje eksitimi intelektual të jashtëzakonshëm. Ndjeja sikur po jetoja aventurat e udhëtarëve të parë të shekullit XVI. Më dukej sikur po zbuloja Botën e Re. Gjithçka më dukej prrallore: peizazhet, kafshët, bimët… »

Në New York, ku një miqësi e madhe e lidhi me surrealistët e në veçanti me André Bretonin, i cili dhe ai kishte një pasion të jashtëzakonshëm për maskat dhe qytetërimet e vjetra, bashkë me dy miqtë e tij, Henri Focillon dhe eseistin Jacques Maritain, ai krijoi «Shkollën e Lirë të Studimeve të Larta» të Nju Jorkut. Një miqësi e madhe e lidhi gjithashtu me linguistin e njohur Roman Jakobson, edhe ai hebre dhe i larguar nga persekutimet naziste. Që të dy ishin të interesuar për domethënien e shenjave në jetën sociale, nisur nga teoria linguistike e të famshmit Ferdinand de Saussure. Bëhej fjalë për një semiologji që do të zbatonte metodat dhe konceptet e gjuhësisë dhe në poezi, letërsi, në art e pse jo, në të gjitha format individuale dhe kolektive të mendimit. Në këtë atmosferë, Levi-Strauss dhe Jakobson morrën pjesë në vitin 1952 në takimin e Bloomington-it, midis linguistëve dhe antropologëve. “Gjatë një apo dy shekujsh, – deklaroi Levi-Strauss atje, – shkencat humane dhe sociale kanë pranuar të vëzhgojnë universin e shkencave ekzakte e natyrore si një një parajsë ku për ato ishte e ndaluar të hynin. Dhe ja ku midis dy botëve, linguistika ka arritur të hapë një portë të vogël”, duke nënkuptuar kështu se gjuhësia dhe antropologjia ndanin ndërkohë një interes të përbashkët mbi efektet e gjuhës mbi kulturën dhe të natyrës mbi kulturën. Pikërisht duke u nisur nga gjuha, Levi-Strauss ndërtoi teorinë e tij të strukturalizmit, duke futur metodën strukturale në antropologji, fjalë kjo që më parë ishte e rezervuar vetëm për linguistët. Ai shkroi veprën e famshme Strukturat elementare të gjinisë ku vinte në dukje marrëdhëniet sociale e familjare, ligjet e krijimit artistik, të miteve, etj. “Levi-Strauss, – thotë antropologu Pierre Deleage, – arriti të tregojë rëndësinë pothuaj të barabartë të strukturave universale të mendimit në konstituimin e praktikave dhe dijeve”. Interesante është se kur ishte në pyjet e Amazonisë, mes indigjenëve, një ditë Levi-Strauss u kishte dhuruar atyre një rulo me copë të kuqe. Të nesërmen në mëngjes, ai u habit kur pa para tij gjithë tribunë të veshur me copat e kuqe.

Rruga e njohjes së njeriut

Në fillim ishte kureshtja, pasioni dhe pastaj studimi, përjetimi, refleksioni cdhe zgjidhja e enigmave dhe e pikpyetjeve të mëdha. Cilët ishin ata njerëz që ai piktakonte në pyjet e Amazonës, apo te popujve të tjerë të Oqeanisë apo Kaleidonisë së Re? Nga vinin ata? Ç’histori fshihej në jetën e tyre, në ndërgjegjen dhe inkoshiencën e tyre, edhe pse nuk dinin të shkruanin? “Rruga e njohjes së njeriut shkon nga studimi i përmbajtjeve të ndërgjegjshme tek format inkoshiente”, – shkruante Levi-Strauss. Por identifikimi i tyre nuk ishte i lehtë. “Vepra e Levi-Strauss, – shkruante antropologu Boris Wiserman, – mund të lexohet si një vazhdë tentativash për të kapur inkoshiencën dhe mënyrat e funksionimit të tij, tentativa që dihej se do të kishin veç një sukses të pjesshëm.” “Inkoshienca, ky i ftuar me nesh, edhe pse askush nuk e ka ftuar”, – thoshte Levi-Strauss. Duke punuar me mitet, ai sikur gjeti çelësin e deshifrimit të inkoshiencës. Për të shkuar drejt saj, ai duket se përdori dy rrugë: rruga antropologjike që kalon përmes realitetit social dhe e dyta, rruga estetike, përmes fitimit të një ndërgjegjeje.

Një nga librat e njohur të tij krahas Njeriu lakuriqVështrim i largëtMitologjiaAfër dhe largapo Raca dhe kultura, është Mystère de Lynx (Misteri i Lynx), që merr zanafillën nga piktakimet e tij me indianët. Eshtë historia e jetës së parardhësve të “hundëçpuarve”, këtyre indigjenëve me një pasuri të jashtëzakonshme ritesh e mitesh. Eshtë historia e një gruaje që lind në tribunë e tyre një fëmijë dhe ajo nuk e di se me kë e ka fëmijën e saj. Fëmija qan dhe atëherë tribuja vendos që njëri pas tjetrit, burrat të kalojnë me rradhë dhe të marrin fëmijën në krahë. Lynx është me një lëkurë gjithë vraga. Ai është i fundit dhe kur merr fëmijën në duar, fëmija pushon së qari. Me sa duket fëmija e njohu të atin e vet. Atëherë ai dhe fëmija u futën në ujin e ftohtë të një përroi dhe lëkura me vraga, atij iu zhduk. Legjenda e tyre thoshte se kjo lëkurë u shndrua në një formë mjegulle që i pengonte indianët të gjuanin. Atëherë ata pranuan që ai të bëhej kryetari i fisit dhe mjegulla u zhduk. Sigurisht, historitë e përshkruara të Levi-Strauss gjatë gjithë jetës së tij, dëshmojnë për atë kulturë të vjetër që ky njeri shikonte me dëshpërim se po zhdukej. Dhe ai e kuptonte vlerën e pazëvëndësueshme të saj.

Levi-Strauss ishte dhe një lloj shkrimtari, siç e pikasim dukshëm në Tropikët e Trishtë, pasi shkrimet e tij shkencore janë të mbushura nga përshkrime ngjarjesh e mitesh të çuditëshme, ku deshifrohet jo vetëm e kaluara, por gjithçka lidhet me të sotmen. Në librin e tij Lojë shoqërore (Jeux de société) ai tregon dhe për një nga mitet e indianëve «Cree» të livadheve të Kanadasë, ku ata organizonin një lojë të çuditëshme. Një të huaji ata i propozonin që nëse ngjitej deri në majën e një trari të lartë, ai kishte të drejtë të zgjidhte vajzën më të bukur të tribusë. Dhe ai që ngjitej, më të shumtën e rasteve binte dhe kur rrëzohej, ata e hanin. Ishte një lloj loje e kësaj «shoqërie». «Mendimi i atyre që ne quajmë primitivë, – shkruan Levi-Strauss, – na mëson se lojrat tregojnë për një tip shkaksor specifik që është njëherësh thelbësor dhe i huaj për njeriun. E mira dhe e keqja, suksesi dhe dështimi, fitorja dhe humbja, lumturia dhe fatkeqësia, janë vlera specifike njerëzore. E megjithatë, loja i realizon ato…Vetë shoqëria është një lojë. Dhe mitologjia e indianëve “Cree” pohon që jeta sociale nuk mund t’i shpëtojë natyrës së lojës dhe se çdo progres në zakonet dhe institucionet e reformon këtë lojë për të kaluar nga një formulë në tjetrën…

Levi-Strauss në studimin e tij Ne të gjithë jemi kanibalë, tregon dhe për eksperiencën e tij në vitin 1932 në tributë e Guinesë ë Re, të cilat ishin ende nuk ishin zbuluar nga njeriu modern. Ata ishin kanibalë (siç ekzistojnë dhe sot në disa zona të Afrikës, veçanërisht në Kongo, në Afrikën Qëndrore, etj). Për të treguar respekt dhe dashuri, ai shkruan se ata e hanin kufomën e të afërmit të familjes, duke e gatuar dhe bërë një lloj gjelle makabre. Të njëjtin lloj kalibalizmi ai kishte vënë re edhe në pyjet e Brazilit, në Venezuela, apo në tribunë Yanomani. Ky lloj kanibalizmi ishte i ndryshëm: herë ushqimor (kur hanin mishin e armiqve të tyre), herë magjik (për të marrë virtutet e të ndjerit, herë ritual (sipas besimit, në festën e të vdekurve, etj) apo ndonjëherë terapetik, siç shkruhet dhe në shkrime të Antikitetit..

Diversiteti i kulturave

Kur flasim sot për diversitetin e kulturave nuk mund të mos përmëndim një nga mbrojtësit më të zjarrtë të saj, Levi-Strauss, i cili mbrojtjen e trashëgimisë dhe të kulturave të vjetra, të zakoneve, riteve dhe gjithçkaje që ka përbërë jetën shpirtërore të të parëve tanë, ai e vinte në rend të parë. Gjatë gjithë jetës ë tij, duke qënë gjithnjë afër këtyre kulturave në popujt e të pesë kontinenteve, ai kuptoi se ky diversitet ishte pasuria më e madhe që i kishte mbetur njerëzimit që nga mugëtira e kohrave. Studjuesi i njohur Philip Descolo shkruan se “Levi-Strauss më shumë se çdo antropolog tjetër, i kushton një admirim të madh kontributit të Perëndimit, për çka ai ka shkruar faqe të mrekullueshme, por ai kërkon gjithashtu që të gjitha kontributet apo pasurimet kulturore të njerëzimit të shihen në të njëjtën  shkallë vlere, sepse të gjitha kontribuojnë të dëshmojnë diversitetin krijues të species sonë.”

Vështrimi i Levi-Strauss për shoqërinë njerëzore dhe llojin njerëzor, nuk është një vështrim i menjëhershëm, i nxehtë, i çastit, por një vështrim i ftohtë, duke e parë shoqërinë njerëzore në dimensionin evolutiv, në atë të shekujve dhe mijëvjeçarëve, në këtë trajektore që ka përshkuar zhvillimi i shoqërisë dhe i sistemeve njerëzore, me prurjet e tyre, arritjet, zhvillimet në art dhe refleksin e tyre në shkencë dhe në mënyrën e jetesës. Dan Serpber, duke gjykuar veprën e Levi-Strauss, shkruan se “Ai përdor në mënyrë pothuaj sinonime shprehjet “natyrë njerëzore” dhe “shpirt njerëzor”: kultura e gjuha për të janë modalitete të një aktiviteti më thelbësor, aktiviteti i “shpirtit njerëzor”, pra “një shkencë sa shumë e vjetër aq dhe e re, një antropologji e shtrirë me një dimension të gjërë, d.m.th. një njohje e njeriut që bashkërendon metoda e disiplina të ndryshme.” Por ajo që po e shqetësonte Levi-Strauss ishte se shumë kultura larg metropoleve apo kultura locale, po zhdukeshin, dhe se një kulturë e përgjithshme dhe e njëjtë po shtrihej në një pjesë të madhe të shoqërive të globit. “Njerëzimi po shkon drejt një mono-kulture, – shkruante ai që në mesin e shekullit XX. – Ai po përgatitet për prodhimin e qytetërimit të masës, siç është dhe panxharsheqeri. Dhe duke qënë e njëjtë, ajo do të sjellë si rezultat vetëm këtë lloj gjelle.” Sigurisht, në kohën e globalizimit të kulturave, këto fjalë të tij janë të sakta dhe të hidhura. Dhe gjatë një gjysëm shekulli, diversiteti është cënuar jo pak. Nëse nuk mbrohen kulturat a mund të ndodhë ajo që thotë Levi-Strauss për «mono-kulturën»? Sigurisht, dhe ky është rreziku më i madh i globalizmit në fushën e kulturave.

Vlera e trashëgimisë

Pjesën më të madhe të jetës, Levi-Strauss studjoi mitologjinë, duke treguar se kjo mënyrë të menduari mbetet legjitime. Dhe jo vetëm kaq. «Duke shkruar librin Tropikët e trishtë(Tristes Tropiques), 50 vjet më parë, – shënonte ai në vitin 2001, – unë shprehja ankthin tim rreth rreziqeve që kërcënojnë njerëzimin: harrimi i rrënjëve të tij.» Jo shpesh, në kohra dhunash dhe sistemesh totalitare, trashëgimia ka pësuar shkatërrime e rrënime të mëdha, madje të pakthyeshme. Në Afganistan, gjithë bota pa të filmuar nga talibanët se si u hodhën në erë me dinamit statujat gjigande të Budës të gdhëndura në gur, mijra vjet më parë.

Në kohën totalitare në Shqipëri, bota e mitologjisë, dukej një disiplinë e huaj dhe e frikshme, pasi mitet ishin në botën e mistikes dhe mistika ishte e papranueshme për një teori staliniste revolucionare dhe pseudo-materialiste. Mitologjia ishte e panevojshme për një botë ku kishte mite moderne dhe heronj të tjerë të çuditshëm, udhëheqës «legjendarë», njerëz të timonit dhe të shpatës, etj. Kështu bota e miteve të vjetra ishte braktisur dhe harruar. Një valle tepër e vjetër plakash e zonës së Librazhdit, që tregonte për murimin dhe ngritjen e një ure, tashmë ka humbur, pasi ajo nuk u transmetua në brezat pasardhës, pasi një valle murimi, dukej më tepër një valle mistike, ndërkohë që kërkoheshin valle të gëzuara të realitetit komunist. Dhe si ajo kanë humbur një seri ritesh e traditash që nuk jetojnë më dhe që padyshim ishin pjesë përbërëse të kulturës së kombit. Mbrojtësit e kulturës popullore, nga Shtjefën Gjeçovi dhe Gjergj Fishta, kishin mbetur në harresë. Me një mund të madh, Rrok Zojci, një nga mbledhësit dhe studjuesit e rrallë, endej maleve në vlerësimin e e trashëgimisë që ende mbijetonte. E pas tij, Mark Tirtja, ndër të vetmit, vazhdonte udhëtimin e tij të heshtur në deshifrimin e miteve dhe botën e mitologjisë shqiptare e ballkanike. Hapja së fundi e një ekspozite për xhubletën, regjistrimi i Polifonisë së Jugut në programin e “Kujtesës së Botës” së Unesco-s, etj, përbëjnë padyshim diçka shpresëdhënëse në rrugën e vlerësimit dhe mbrojtjen e kulturës sonë. Por ky është veçse një fillim, në një kohë kur globalizmi kërcënon gjithnjë e më shumë uniformizimin e kulturave shpirtërore e materiale në standrate të përcaktuara e që po kapin hapësira gjithnjë e më të mëdha.

Në njëqind vjetorin e jetës së Levi-Strauss, ne i uruam këtij mendimtari të shekullit një paqe të lumtur me shpirtin dhe botën, edhe pse vështrimi i tij është i trishtë për të ardhmen. Vallë kaq shumë është tronditur ai me prishjen e ekuilibrave ekologjikë? “Bota ka filluar pa njeriun dhe do të mbarojë pa të» – shkruante ai në librin e tij Tropikët e trishtë, në një kohë kur luftrat e mëdha, shkatërrimet, holokausti, bomba atomike dhe shkatërrimet e mëdha natyrore e kanë tronditur ndërgjegjën njerëzore. “Që kur filloi njeriu filloi të marrë frymë, – shkruante Levi-Strauss në këtë libër, – e gjer në krijimin e bombës atomike e termobërthamore, duke kaluar nga zbulimi i zjarrit, ai s’ka bërë gjë tjetër veçse ka ndarë miliarda struktura për t’i kthyer në një gjëndje ku ato nuk mund të integrohen më…” Kur lindi ai, Levi-Straus thotë se bota kishte 1,5 milionë njerëz; në vitet 30’ ishte 2 miliard, sot 6 miliard dhe për disa dhjetvjeçare do arrijë në 9 miliard.  Kjo demografi, sipas tij, sjell shkatërrime jo vetëm kulturore, por dhe biologjike, në zhdukjen e specieve tek kafshët dhe bimët. Dhe një ditë, shkatërrimet do të kthehen drejt vetë njeriut… Ky është trishtimi i Claude Levi-Strauss. Dhe me sa duket, ai ka të drejtë. Ja pse dhe në rradhën e botimeve të shumta në Quai Branly, libri i tij i fundit Saudades do Brasil (Nostalgji braziliane) ka në vetvete nostalgjinë e kulturave dhe të paqes së dikurshme, duke na kujtuar njëkohësisht dhe thënien e një indiani të tribusë Yanomami të Brazilit, i cili thoshte se «kur të bardhët vijnë me makinat e tyre të mëdha në pyjet tona, ata helmojnë ujrat, dhe ju do të vdisni si ne. Mos mendoni se do të vdesin vetëm indianët yanomami.»