Lamtumira e Alain Bosquet

Lamtumira e poetit ishte e denjë si ajo e një heroi, e bukur dhe epike, me një pershëndetje tëgjatë si të donte të thoshte: njerëz, sa shumë ju dua, sa shumë do më mungoni!

Ai sapo kishte ngadhnjyer mbi betejat e tij të fundit me një sëmundje vdekjeprurëse dhe të paralajmëruar. Siç do të shkruante për ikjen e poetit shkrimtari dhe anëtari i “Akademisë Goncourt”, François Nourissier, “Bosquet ju afrua pragut të fundit të jetës së vet ashtu siç e ëndërrojmë të gjithë: penën në dorë, makinën e shkrimit pranë vetes dhe librat e hapur mbi krevat. Ai iku siç ikën Molière apo Louis Juvet duke luajtur mbi skenë…”

FRANCE – APRIL 08: The writer Alain Bosquet in France on April 08, 1997. (Photo by Louis MONIER/Gamma-Rapho via Getty Images)

Disa herë e kisha kërkuar Bosquet-n në telefon muajt e fundit të jetës së tij. Kisha biseduar dhe i kisha propozuar rektorit të universitetit të Tiranës që për gjithë atë përkushtim  për Shqipërinë për kaq vite me rradhë, Bosquet të shpallej “Doctor Honoris Causa” i universitetit të Tiranës. Profesorët shqiptarë menjëherë ishin entusiazmuar për një titull të tillë për Bosquet. Padyshim një nder i veçantë. Madje, në një letër që më shkruante, Bosquet thoshte ndër të tjera se “me një entusiazëm e mirënjohje pranoj të bëhem “Doctor Honoris Causa” i universitetit shqiptar: do të jetë një nder dhe një gëzim i pashoq. Por një problem qëndron para nesh, ajo e zhvillimit të ceremonisë. Për momentin unë nuk mund të lëviz dhe nuk e mendoj një përmirësim të afërt të gjendjes…” Ai ishte i ndërgjegjshem për gjendjen e tij tragjike, asht siç shkruante dhe në një vjershë, pak kohe më parë:

“ Gjithçka është gati / Po iki të vdes larg meje…”

            Të nesërmen e ikjes së tij, ne “Figaro”, në gazetën e tij të dashur, lexova shkrimin e kritikut André Brincourt, i cili ndër të tjera shkruante: “Askush më mirë se ky shkrimtar, jeta e të cilit përfshin pothuaj tërë një shekull, nuk diti të vendoset në qendër të një universi kulturash e sensibilitetesh njerëzore ashtu si ai”.  Jack Decker shkruante në “Le Soir” se “ky shkrimtar i madh la pas një zbrazëtirë të tmerrshme”. Në shtypin francez u shkruajt me admirim për “këtë njeri të kultivuar, shumë fin, poliglot e provokator, lexues i apasionuar, që gjer në fund të jetës së tij kërkoi të zbulonte telente të reja…” Më pas, duke folur për Bosquet, të gjithë gazetarët, kritikët, shkrimtarët dhe politikanët shprehën admirimin e tyre. Ditë më vonë Norma, e shoqja e tij, do të më thoshte: “Ai nuk mundi të rezistonte më. E kuptoi se nuk kishte kuptim të jetonte ende.”Erdhi koha për të shkuar”, – më tha një ditë. Ato kohë as nuk mund të fliste. Gryka i ishte tharë dhe ndjente shumë dhimbje. Për më shumë se një muaj e kaluam në klinikë. Trupi filloi ti ftohej. Një mëngjes, sapo u ktheva përsëri në dhomë e gjeta tek flinte. Kishte vdekur.”

            Një nga principet e këtij artisti, “autor i një ushtrie të tërë librash”, siç e quante shkrimtari Sabatier, ishte liria e shkrimtarit: ”Shkrimtari – shkruante Bosquet,- duhet të mbetet i lirë. Nëse ai bën pjesë në një kryqëzatë letrare, gabohet. Kafka, Prusti, Bulgakovi, nuk janë marrë me politikë”. Bosquet, president i “Academie Mallarmé”, drejtor letrar i botimeve të “Calman-Levy” dhe anëtar i jurisë së çmimit letrar “Renaudot”, ishte një artist që la gjurmë në letërsinë franceze të këtij gjysmë-shekulli. Përmbledhja voluminoze poetike e botuar nga “Gallimard”, botuar më 1996, “Nuk jam poet i ujrave të ëmbla” dëshmon për konceptin e veçantë poetik të këtij poeti. Kritiku Dobzynski e quan atë ndryshe “plonzhist i ujrave të thella” në detin e gjërë të poezisë; Sabatier e quan ”regjent të cikloneve” edhe pse Bosquet pëlqente ta quante veten “capitaine de l’absurde” apo “gardien des rosées”;. Renard në “Magazine littéraire” shkruan për “një lloj Victor Hugo, për nga forca krijuese”. Për vite me rradhë kisha lexuar me endje shkrimet e tij për romanet e Kadaresë apo për letërsinë shqiptare. Madje me kohë kisha mbledhur një seri të shumtë shkrimesh  kritike të viteve 70 – 80, ku habiteshe me përkushtimin e tij ndaj letërsisë shqiptare dhe historisë së shqiptarëve. Shtëpia e tij ishte gjithnjë një portë e hapët për talentet që shfaqeshin papritur nga Ballkani apo Evropa Lindore.

            Për herë të parë e kisha takuar në një ekspozitë të piktorit impresionist Toulouse-Lautrec në “Grand Palais” të Parisit. Ishte bashkë me të shoqen, Norma. Pata shans të më prezantojë Kadareja. Njohës i thellë i pikturës, atë ditë ai humbte  si i dehur në ngjyrat dhe linjat e piktorit të madh, në figurat e balerinave të Pigalit apo të prostitutave të “maisons clauses” siç quheshin në atë kohë. Më pas, e ritakova në tetor të vitit 1992, në drekën që ministri i atëhershëm francez i kultures Jack Lang shtroi për nder të homologut të tij shqiptar Preç Zogaj. Ishte aty Bosquet, Nourissier, e intelektualë të tjerë francezë. Në intervistën që i dha atë ditë gazetares Mema të gazetës letrare “Drita” ai do të shprehej: “E dua Shqiperinë jo pse ajo më ka dashur, por sepse kam besim tek intelektualët e saj, të cilët mund të qëndrojnë me dinjitet përballë çdo figure të shquar e të fitojnë respektin e tyre. Ata kanë ditur të mbijetojnë e mbijetesa e tyre duhet respektuar. Kudo ku janë në botë, shkrimtarët kanë një shpirt: le ti bashkojnë atëhere shpirtrat e tyre për të mirën e jetës. Ne jemi europianë, kemi të njëjtat vlera shpirtërore. Duhet të kemi të njëjtat qëllime e dëshira, nisur nga ndjenja fisnike për ti qëndruar pranë njëri tjetrit, për të qëne afer dhimbjeve të njëri tjetrit…”

            Më kujtohet entusiazmi i madh i Omer Kaleshit kur mori në duar shkrimin e Bosquet për albumin e parë të tij, një artikull nën titullin “Kokat e Kaleshit” (“Les têtes de Kaleshi”) ku ndër të tjera ai shkruante:”… Arti i tij është me një forcë të jashtëzakonshme. Ai mund të matet me portretet e nëmura të Jerico dhe në një kohë më të afërt me ne, me fytyrat tronditëse e klithëse të Becon. Nuk do ti harrojme obsesionet apo fytyrat e nemura te Omer Kaleshit”. Vite me vonë, kur u riktheva si diplomat ne ambasadën shqiptare në Paris, desha menjëherë të piktakoja Bosquet. Sigurisht e adhuroja për talentin dhe shpirtin e madh të tij. Kisha lexuar “Një nënë ruse”, pastaj disa nga librat poetikë dhe sigurisht librin e botuar edhe në gjuhën shqipe, ”Dialog me Alain Bosquet”. I dërgova një kartolinë për vitin e ri. Pastaj një seri pullash shqiptare, duke e ditur se i ati i tij kishte qenë një filatelist dhe koleksionist i madh. Kjo e preku, natyrisht. Menjëherë më dërgoi dy libra të tij “Portreti i një miliarderi” me shenimin “ ce demi siècle de vie sécrète en hommage amical et très dévoué” (“këtë gjysmë shekulli jete në fshehtësi në homazh miqësor dhe me shumë përkushtim” si dhe “ Poèsies completes – Je ne suis pas un poète de l’eau douce”, (“Nuk jam poet i ujrave te qeta”) me poezi të viteve 1945-1994, një përmbledhje e gjithë poezive të tij botuar nga “Gallimard”. Kureshtar hapa faqet e fundit të librit për të parë se deri në ç’kohë mbërrinin poezitë e fundit të tij. Të fundit ishin ato të botuara në “Demain sans moi”. I lexova me një frymë dhe u preka.” Nous vivons en plein paradoxe”, – shkruante ai (“Ne jetojmë në një paradoks total”). Çdo varg të tij e ndjenja thellë. E pamundur të përktheheshin me atë forcë siç i kishte shkruar ai. “Nesër pa mua” apo “E nesërmja pa mua” apo “Nesër kur mos të jem”… Ndoshta kështu. Tërë ato ditë meditova rreth figurës së tij. Një figurë poliedrike: poet, eseist, kritik, përkthyes… Një studjues që kishte bërë studime rreth poetit amerikan Witman, apo mbi Becket, Saint-John Perse, etj. Madje ai kishte perkthyer jo vetem Witman por edhe Dickinson, një tjetër poet amerikan, apo vetë Brehtin që e çmonte shumë. Nga Alain Bosquet ne njohim vetëm dy vëllime poetike të përkthyera në shqip, njëri, ”Poezi”, i botuar me inisiativën e Ismail Kadaresë më 1990, në shtëpinë botuese “Naim Frasheri”, dhe tjetri, ”Jeta ndodhi pa ne” përgatitur nga Rexhep Ismajli, (të cilit Bosquet i dedikoi dhe një vjershë me titullin “Gjendje e ndërmjetme”), i botuar ne Prishtinë. Figura e tij është bërë e njohur edhe përmes pjesmarrjes së tij në simpoziume e kolokiume për letersinë shqiptare. Madje shkrimet e tij përfshijnë jo vetëm Kadarenë, Agollin dhe autorë të tjerë të përkthyer në gjuhën frënge, por edhe veprën e krijimtarinë e piktorëve shqiptare në Shqipëri e Kosovë, si për Rexhep Ferrin, Omer Kaleshin, Daut Berishën, etj. Ky poliglot, përkthyes i Whitman-it, Breht-it, Voznesenski-t, etj, ka shkruar shumë edhe për autorët e artit figuratif e abstrakt, për figurat e mëdha si Chagall, Max Ernst, Leger, Tangy, etj, të cilët i ka njohur personalisht nga afër, apo për aktoren e famshme Marlen Dietrich, me të cilën do të lidhej në mënyrë të vazhdueshme dhe të ngushtë në vitet e fundit të jetës së saj. Ky mit i kinemasë do ti përkushtonte Bosquet një admirim të jashtëzakonshëm.       

            Marrëdhëniet me Marlene Dietrich, me këtë mit të kinematografisë amerikane, do ta shtyjnë atë të botojë pas vdekjes së saj, më 1992, një libër të titulluar “Dietrich, un amour par téléphone” (“Një dashuri përmes telefonit”). Një libër – dialog, kujtime, një bashkëbisedim i gjatë mes tyre për artin e kinemasë, për lojën e aktorit, personazhin, mitin dhe lavdinë; konfidenca mbi dashurinë, jetën dhe vdekjen, një libër i mbushur me copëza bisedash gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit të jetës së saj, dialogje, letra e shënime që ajo i shkruante mbi fotografitë që i dhuronte :”Pour vous Alain, amour… amore”…”Pour mon ami, Anatole, mes respects, mes baisers, mes amours eternels”… (“ Për mikun tim Anatol, respektet e mia, puthjet e mia dhe dashuritë e përjetëshme”)… Në një letër ajo i shkruante: “ If a surgeon would open my heart, he would see a gigantic sea of love”… Në maj 1992, siç e shkruan edhe në librin e tij, ai kishte shkruar për të një poezi  të titulluar : “ Requem pour Marlene Dietrich”:

“Madame / tu es / la noblesse invisible du desir  / Madame, grâce à vous, entre mort et légende / le temps n’a pas le temps de devenir le temps./[1]

Mëngjezi i fundit i poetit        

                                    ”Passants, respectez l’herbe / où gît Alain Bosquet[2]

                                    Il fut un grand laquais / Au service du verbe.”

            Kisha pothuaj një javë që i telefonoja t. Në sekretarinë telefonike dëgjoja vetëm zërin e Normës. Askush nuk përgjigjej. Atë kohë mendova se ndoshta kishin ikur diku për pushime. Në mesazhet e mija në telefon e pyesja gjithnjë për shëndetin e Bosquet dhe për një ditë të mundshme kur mund të zhvillonim ceremoninë në ambasadë, edhe pse vargjet e tij të poezive të fundit tingëllonin ogurzeza. A nuk kishte shkruar ai :

“Vdekja me klithma troket ne porte / por unë shkruaj poezine time…”

Papritur, një mëngjes, duke shfletuar gazetën “Libération” të 18 marsit mësova vdekjen një natë me parë të Alain Bosquet. U hidhërova shumë. Edhe “Figaro” lajmëronte vdekjen e tij: ”Une vie en toutes lettres”… Menjëherë i telefonova Kadaresë: ”Dua të bejmë diçka për Bosquet, i them – Shkojmë bashkë të shtunën në varrimin e tij, në varrezat e Montmartrës”- m’u përgjigj ai. Pas Kadaresë, i telefonova Normës. Dukej e dërmuar dhe me një zë pothuaj të mekur: ” Me vjen keq që nuk munda ta takoj Bosquet – i thashë, – Ai donte shumë t’ju takonte – më pëshpëriti embël ajo nga ana tjetër e telefonit.

            Varrimi i tij ishte intim, në heshtje, me miqtë e tyre më të ngushtë. Kryesisht poetë, romancierë, kritikë dhe botues të tij, ishte Nourissier, Robert Sabatier, poeti André Velter, editorialisti i Figaro Jean Marie Rouart, miqtë e tij, bashkëpuntorë të akademisë poetike “Academie Mallarmé”, të cilës ai i përkiste prej vitesh, etj… Një qiell gri rëndonte mbi kokat tona. Pak erë, ca pika shiu dhe grupi i njerëzve ndoqi ngadalë arkivolin e Bosquet drejt banesës së fundit të tij. Atë ditë të ceremonisë së varrimit, më 21 mars 1998, Norma Bosquet apo Norma Kaplan, dukej se përjetonte një botë tjetër. Padyshim, jo atë të të gjallëve. Rreth arkivolit të Bosquet, pesë-gjashtë nga miqtë me të afërt të tij, mes të cilëve dhe shkrimtari Yves Mabin, lexuan poezitë e tij, mesazhe të largimit të tij nga kjo botë që aq shumë i kishte kënduar. Ishte një përcjellje që ai e kishte menduar në mënyrë krejt të ftohtë që në të gjallë të vet. Vdekja e poetit, Nesër pa mua, … Të gjithëve u dridhej zëri, ndërsa Norma dridhej në një ngashërim të përmbajtur. Pastaj, rradhazi, në një rresht të gjatë, iu drejtuam varrit të tij për ti lënë lamtumirën e fundit. Dikush që mbante në duar librin e tij poetik “Je ne suis pas une poète de l’eau douce”, (“Nuk jam poet i ujrave të ëmbla”) n’a zgjaste nga një fletë që e griste nga libri për ta hedhur mbi arkivolin që shtrihej tashmë në fund të varrit. Këtë libër Bosquet m’a kishte dhuruar pothuaj një muaj më parë, duke më shkruar një dedikim të shkurtër: “… këtë jetë sekrete gjysmë-shekullore, me një homazh miqësor dhe të devotshëm”.

Çuditërisht, duke ndjekur pas Ismailin dhe Helena Kadarenë, fleta që më dhanë në duar mbante numrin 167-168. Menjëherë më shkuan sytë në një varg tepër domethënës :”Poète fou: c’est ton dernier matin” (“Poet i çmëndur: ky është mengjesi yt i fundit”). Po, ky ishte mëngjesi i fundit i Bosquet që udhëtonte ende në botën e të gjallëve, mes pemëve, erës, grisë së qiellit dhe miqve të tij. “Absurd- est-ce qu’il est mort”? ishte një varg tjetër më pas (“Valle a ka vdekur absurdi”?). Dhe më tutje: “Sur l’homme, un heritage de poussière!” (“Mbi njeriun një trashëgimi pluhuri, shkatërrimi”). Ishte kjo një pjesë nga vëllimi poetik “Quatrième testament”, kushtuar Louis Aragon me 1965. Duke ecur ngadalë dhe duke u munduar të kap me sy sa më shumë vargje nga ajo fletë, munda të lexoj vargje të tjerë, që dëshmonin për një botë aq të trazuar sa ç’është ne fakt shpirti i poetit… Shpejt, i detyruar nga njerëzit qe vinin pas meje, fletën e hodha mbi varr. Një fletë që fluturoi, u end, u hepua dhe u bashkua me dhjetra e dhjetra faqe poezie që të grisur nga libri vrazhdësisht, mbulonin tashmë arkivolin e tij. Jo, nuk ishin gjethe vjeshte. Ishin vetë vargjet qe ai kish thurrur gjatë një jetë të tërë poetike. Me mëndje përsërisja ende copëza poezish…”Bateau qui dort. Existence incomplète. Printemps rouillè…” U largova kështu duke lexuar përsëri epitafin që ai kishte zgjedhur dhe shkruar në pllakën e varrit: ”Passants, respectez l’herbe / où gît Alain Bosquet  Il fut un grand laquais / Au service du verbe.” [3]

Anatole Bisk alias Alain Bosquet

            Bosquet kishte indur ne 29 mars 1919 në Odesë. Babai i tij ishte një industrialist ukrahinas, nga Kievi ndërsa nëna e tij ruse, Berthe Turiansky, me origjinë hrebre, që kishte studjuar violinë me Leopold Auer, profesori i violinistit të famshëm Jasha Heifetz. Babai i tij, Aleksander Bisk, gjysmë rus, gjysmë alzasien, e cili kishte njohur nga afër poetin Majakovski, ishte në fakt një lloj poeti dhe ndër të parët që përktheu Rainer Maria Rilken. I kërcënuar nga një dënim me vdekje nga revolucioni rus, ai u detyrua të emigrojë në Bullgari, me 1925 e më pas në Belgjikë. Anatole studjonte për filologji romane dhe në fund të viteve ‘30 zbuloi letërsinë e surrealistëve dhe veçanërisht veprat e dadaistit Tzara apo të surrealistëve të orëve të para si Breton, Eluard, Soupault, etj, por shpejt i duhet të veshë rroben ushtarake dhe të mobilizohet në ushtrinë belge në fushatën e “Tetëmbëdhjetë ditëve”. Më pas, i duhet të marrë udhën e mërgimit në Francë dhe pas një qëndrimi të shkurtër, me 1940 largohet nga Montpellier për të shkuar në Nju Jork të SHBA. Bosquet kishte filluar të shkruante poezi që në moshën e rinisë. Por ëndrat e para poetike të tij do t’ia ndërpriste Lufta e Dytë Botërore. Ishte pikërisht miku i tij Chagall që poezitë e tij ia dha për ti lexuar poetit surrealist André Breton. “Mbrita në Nju Jork në janar të vitit 1942, – shkruante ai në kujtimet e veta, – në moshën 22 vjeçare, duke lënë pas Francën e Petenit dhe pasi kisha kaluar disa aventura në Oran dhe Casablanca. Në fakt mbërrita me një anije të vogël portugeze duke zbuluar një Amerikë plot drita, pavarësisht nga tmerri dhe tërbimi i së nesërmes së Pearl Harbour…” Shumë shpejt, si sekretar i gazetës goliste ”Zeri i Francës”, (“Voix de la France”) në Nju Jork ai u njoh me personalitete të mëdha të artit që kishin zbarkuar tashmë në Amerikë si Chagall, Leger, André Breton, André Maurois, Saint-Exupery, Tomas Mann, etj. Atje u njoh gjithashtu me Salvador Dali, për të cilin do të shkruaj dhe në kujtimet e tij “Mémoires”, apo Jean Gabin, mikun e atëhershëm të Dietrich, aktores së filmit të famshëm “Engjëlli blu”. Atje ai njohu gjithashtu Maeterlinck e kompozitorin Bela Bartok. Më 1943 shkoi në Shtabin e Përgjithshëm ushtarak në Londër, ku punoi për zbarkimin e ushtrisë aleate në Francën e pushtuar. Me pas punoi si përkthyes për Eisenhower, çka i dha mundësinë të shkojë në Postdam dhe të shohë nga afër aktorët më të mëdhenj politikë të kësaj epoke: Stalinin, Çurçillin, etj. Para syve të tij u shfaqen gjithashtu figura madhore të asaj kohe të stuhishme si Zhukov, gjenerali Patton, Montgomery, Acheson apo Vishinski. “ Shumë shpejt mendova se “të mëdhenjtë” nuk janë njerëz të jashtëzakonshëm”, shkruante ai. Në moshën 30 vjeçare dha dorëheqjen nga Këshilli i Kontrollit Katerpalësh të Berlinit. Kështu, pas lufte, ai u kthye në Francë dhe për disa vjet punoi si funksionar në Ministrinë e Luftës apo më pas si gazetar i gazetës ”Combat” apo “Le Monde”. Më vonë ai vazhdoi studimet universitare në Sorbonë dhe për një kohë të gjatë punoi si profesor në universitetin e Lionit. Më 1951, pas disa botimesh, për herë të parë ai u vlerësua me një çmim te madh: «Prix Apollinaire”. Për lexuesin francez do të bëhen të njohur romanet e tij “Një nënë ruse” (ku flet për nënën e tij dhe kujtimet e fëmijërisë, Odesën, Varnan, Brukselin, etj), libër ky që u vlerësua me çmimin letrar “Grand Prix de l’Académie française”) ; “Fëmija që ishe”, “Nesër pa mua”, ”Vuajtja e zotit” apo gjer në një nga botimet e fundit si romani “Një miliarder fatkeq”, “një traktat ironie” (“un traité de l’ironie” ) siç më shkruante dhe në një dedikim të librit që më dhuroi . Gjithçka aty është një rendje e ethëshme në kërkim të përfitimit dhe të pushtetit: një botë ku Bosquet nuk mund të jetonte. Bosquet adhuronte shumë pikturën, “droga ime”, siç thoshte ai. “Zotërit e mi quhen Van Eyck, Velasquez, Seurat, Mondrian…”

            Gjatë jetës së tij, Bosquet ka pikëtakuar shumë ngjarje, rryma, metoda letrare e artistike, njerëz e përfaqësues në zë të artit të përbotshëm. Në një nga librat e tij “Kujtesa apo harresa” (“La mémoire ou l’oubli”), ai shkruan kujtimet e tij rreth njerëzve të mëdhenj të letërsisë e artit të shekullit XX, për Breton, Faulkner, Steinbeck, Thomas Mann, Louis Aragon, Max Ernst, Sartre dhe Borghes, Leger dhe Michaux, etj.; shkruan kujtime pa datë për ekspozitat e Braque apo Tangy në Beaubourg; kujton ardhjen e Jevtushenkos në Paris, të cilin e shoqëron, pasi poeti rus nuk dinte frëngjishten; korrespondenca e tij me Ernst Junger apo piktorin anglez Francis Becon, është tepër interesante. Jeta e tij shfaqet me një pasuri të mahnitshme ngjarjesh, ndjenjash, zbulimesh të botrave të reja. Ai ishte mik i shumë njerëzve të mëdhenj që e donin dhe e çmonin: Albert Camus e quante atë “një shpirt artisti aq të pavarur”; Breton i shkruante më 1942 nga Nju Jork se “asgjë nuk më është më e çmuar këtu se sa t’u kem pranë”; Tristan Tzara, themeluesi i “dadaizmit”, kësaj shkolle avangardiste franceze, i shkruante më 1954 se “tek ju poezia nuk është një poezi e xhveshur nga sensi i qartësisë e mbi të gjitha ajo është plot kurajo, çka e bën atë të madhërishme”; Beckett shprehej se “vepra ime nuk ka patur ndonjëherë aq mbrojtës të zjarrtë sesa Alain Bosquet”; Saint-John Perse, më 1959 në një letër që do ti shkruante, i pohon se “ju jini lindur për të jetuar epokat e shndrimeve të mëdha letrare”. Në librat me kujtime të tij, Bosquet i hedh shënimet në formë tepër të lirë, madje ka dhe copra bisedash që janë zhvilluar  gati gjysmë shekulli më parë. Kështu ai kujton Galën, një ndër intelektualet femra më të njohura parisiane të viteve ‘30, në fillim gruaja e poetit Eluard e pastaj e piktorit Salvador Dali. “Vdekja e Galës. Po hedh ca shënime. Jemi njohur për herë të parë në gusht, 1942, në Nju Jork. I thoja asaj se pa dy muzat e vet, pra ajo dhe Elsa Triolet, surrealizmi nuk do të mund të ekzistonte. – Kjo është e vërtetë, – më thotë ajo, – surrealistët të gjithë janë “maço”. Atyre u duheshin gra të hekurta. Elsës i pëlqente t’a adhuronin. Unë akoma më shumë. E shtyja Dalin të pikturonte portretin e një të panjohuri. Atij i vinte ndot dhe kështu më donte dhjetë herë më shumë… Në hotel Meurice, më 1960. Ajo më thotë: ”Dali kujton se unë jam virgjëreshë, një Shën Mari. Një ditë bëra dashuri me një djalosh, me fqinjin tonë. E detyrova Dali-n t’i jipte një bakshish. Adhurimi dhe ndjenja e pështirësisë, janë një përzierje që e eksitojnë atë”… Në librin e tij “Frutet e vitit të kaluar” (“Les fruits de l’an dernier”), Bosquet bën inventarin e miqësive të tij të tjera. Kësaj rradhe personazhet e tij janë Jean Cocteau, Max Ernst, Ionesco, Bachelard, Marx Chagall, etj. Madje kur shkruan për Chagall ai nuk mungon të vendosë në libër edhe poezinë që ka shkruar në atë kohë për të:

Onze Tours Eiffel / La comète est la plus belle fiancée…” [4]

Duke kujtuar Dali-n  ai shkruan:

“Il peint un Christ, comme un habitant de Cosmos…[5]

            Vargje, shkrime, biseda, libra të botuar një pas një, letra përshëndetje nga më entusiaztet, veçanërisht nga miqtë e tij: “ Vargjet e tua krijojnë një atmosferë të veçantë, sikur jemi para një ndërtese të rrënuar dhe dëgjojmë këngën e një zogu” (Ernst Junger); “Poezia juaj aq e prekëshme dhe e dhimbëshme” (Somerset Maugham);” Libri juaj do t’u sjellë gëzim gjithë atyre që njohin gjuhën frënge” (Thomas Mann); “Poezitë tuaja janë të përkryera” (André Breton); “ Ju nuk jini një zot, ju çdo agim krijoni një diell” (Gaston Bachelard); “ duke ju lexuar, mendova per Breughel dhe Bosch” (Marguerite Yourcenar ) et përshëndetje të tjera nga Jules Supervielle, Paul Morand, etj.

Një nga miqtë më të afërt ishte gjithashtu Miguel Asturias, autori i romanit të famshëm “Zoti President” të përkthyer dhe në shqip, të cilin Bosquet e propozoi për çmimin Nobel. Kur Asturias u shpall fitues i Nobel-it dhe kur ai i kërkoi Alain Bosquet ta shoqëronte atë në Stokolm për marrjen e çmimit, Alain i tha me modesti: ”Në Stokolm duhet të shkosh vetëm ti”.

Bosquet-Kadare një dialog i hershëm

            Dialogu i dy shkrimtarëve fillimisht ishte një dialog në eter, një komunikim shkrimesh, mes dy botëve të largëta. Artikujt e Bosquet dhe entusiazmi i tij per zbulimin e një talenti të jashtëzakonshëm që vinte nga Ballkani, veçse e frymëzonin shkrimtarin e ri shqiptar që krijonte brenda kufijve të një shteti totalitar. Bosquet ishte nga të parët kritikë e shkrimtarë franceze që i zbuloi dhe i prezantoi lexuesit francez “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” e më pas romanet madhore te Kadarese si “Koncerti”, ”Dimri i madh”, “Ura me tri harqe”, ”Doruntina” e gjer tek “Pallati i ëndrrave”. Ai ishte i pari që kërkoi të zbulonte përmes faqeve të gazetës “Le Monde” emrin e përkthyesit të talentuar që kish mundur të përcillte aq bukur universin letrar të Kadaresë, atë të ish burgosurit politik, Jusuf Vrioni. Përmes tij, lexuesi francez njohu edhe autorë të tjerë, si Agolli, etj, dhe vlerat e një letërsie të një prej popujve me të vjetër të Ballkanit. Edhe botimin e romanit të Dritëro Agollit në Francë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ai e përshendeti me një entusiazëm të veçantë. Në shkrimin e tij në “Figaro”, “L’autre Albanais” (“Shqiptari tjetër”), ai nënvizoi se “pas Ismail Kadaresë Shqipëria n’a zbulon një autor tjetër me përmasa europiane: Dritëro Agollin, me një roman satirik që mund të krahasohet me të famshmin “Revizori” të Gogolit.”

Nuk ka një tjetër kritik letrar të huaj që ta njohë aq mirë legjendën dhe mithin shqiptar. Ai e rilevoi atë në sytë e lexuesve francezë e të huaj. Nuk ka kritik tjetër letrar të huaj që ta njohë aq mirë evolucionin e letërsisë shqiptare, nervin e saj, tronditjet dhe traumat e saj të këtij gjysmëshekulli, shpërthimet dhe profilet origjinale të saj. Gjatë afro tridhjetë vjetësh, ai përshkruan botën letrare shqiptare, shkruan në “Figaro”, “Magazine litteraire”, flet në Radio Francë apo në televizion: “l’Albanie, contrée de l’âme”, “Legendes d’Albanie”… Ai e do dhe e çmon Shqipërinë. Siç pohon ai në librin “Dialog avec Alain Bosquet” “suksesi i madh i romanit “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur nuk është në përshkrimin e një fakti të fill pas luftës dhe rrethanave të kësaj lufte, por në veçantinë e saj. Kur shkrimtarë të tjerë të respektuar kanë shkruar për këtë periudhë, ata kanë mjaftuar në një lloj reportazhi që synonte të jepte vërtetësinë njerëzore, por pa shkuar më tutje, si Shollohovi tek “Doni i qetë”, Xhejms Xhojsi tek “Për sa kohë do të ketë njerëz”, Norman Mailer tek “Nudot dhe të vdekurit”, Malaparte në “Kaput”, etj. Tek Kadare bëhet fjalë për diçka tjetër, për mitin, legjendën.”

Duke folur për Kadarenë, Bosquet shkruan rradhë të tëra në librin e tij “Les Fruits de l’an dernier”, ku ndër të tjera kujton: “Vjeshtë 1990. Intelektualët e Lindjes shpërthejnë ngado. Marin Sorescu, poet rumun më tregon se si Securitate donte ta vriste: Kadare më flet për atdheun e vet dhe xhelozinë e Enver Hoxhës: madje dhe atje një vrasje me metoda bizantine ishte menduar ndaj tij. Ish kryetari i Lidhjes së Shkrimtareve të Bullgarisë, poeti Lubomir Levtchev më tregonte gjithë prapaskenat e partisë së tij për të mbetur ende në pushtet. Milorad Paviç, i cili ka ardhur këto ditë nga Beogradi më thotë pa asnjë lloj hezitimi: “Në Jugosllavi, serbët e kroatët do ta vrasin përsëri njeri tjetrin. Kështu është shkruar”. Zbigniev Herbert, poeti i mrekullueshëm polak nuk është kaq i ashpër: “Gjithë Varshava tashmë është mbyllur nëpër kisha. Kërkojnë ti ikin realitetit. Perpara, disa kërkonin të gjenin shpëtim tek poezia. Tashmë priftërinjtë me iluzionet e tyre kërkojnë t’u shuajnë urinë”. Piktori çek Jiri Kolar, e komenton kështu gjendjen e vendit të tij që e ka lënë para disa vitesh: “ Liria është më e dhimbëshme se tirania”… 25 tetor 1990. Më 29 shtator kisha mbledhur për një darkë intime Ismail Kadarenë dhe gruan e tij, çiftin François dhe Tatotte Nourissier, Claude dhe Carmen Durand. Si zakonisht, që prej 22 vjetësh, takimet me Ismail Kadarenë janë ngjizur me një lloj xhentilese burrërore dhe pa shumë fjalë. Kësaj rradhe më ngjan se është më natyral e më i ngritur. Gjestet i ka të pakta dhe frazat e tij dëshmojnë se kërkon të jetë më preçiz dhe pa zbukurime. Kështu ne kridhemi në nostalgjinë tonë. “Ismail, në fillim, kur ju vinit në Paris, më ishte e pamundur t’ju flisja gjetiu, por veçse në tavolinën e ambasadorit tuaj që ishte mjaft i ashpër”. Ai qesh lirshëm. “Ti e di se aparatçikët që flisnin pak frëngjisht dhe që nuk e konsideronin Francën si një kryeqytet të fëlliqur kapitalist të Europës, në Shqipëri ishin pak”. Ai më zgjat botimin e poezive të mia të përkthyera prej tij dhe me një parathënie të presidentit të Lidhjes së Shkrimtareve e Artistëve, Dritëo Agolli, që pavarësisht nga ky post, është një shkrimtar me talent të madh. Tirazhi i parë: 15 mijë kopje. Do ti them Gallimard që lexuesit e mi në Shqipëri janë më të shumtë se këtu në Francë. Duhet të jesh vend i pazhvilluar për të lexuar poezinë… I kujtoj Ismailit se pas takimit tonë të parë, sigurisht të vëzhguar nga afër, u desh gjashtë vjet që të takohemi përsëri. “Unë përfaqësoj veçse vetveten, – i thashë diplomatit shqiptar që më merrte për ndonjë spiun apo kapitalist gjakpirës e që hiqesha gjoja si kritik. Fakti që kam qënë i pari të shkruaj për të në “Le Monde” më jepte një të drejtë: atë që ti bëja shërbime të tjera Republikës Popullore… Por ajo që më interesonte ishte mekanizmi krijues i Kadaresë. Katër herët e para që kërkova ta takoja vetëm për vetëm, Kadare refuzoi apo e shtyu takimin. Herën e pestë e anulloi takimin minutat e fundit. Herën e gjashtë ambasadori i vendit të tij më telefonoi gjysëm ore para fillimit të darkës. Por a mund ti thoja atij se cilët miq të tjerë do të ishin në tryezën time për darkë. Iu përgjigja se isha me miq të afërt dhe se ai nuk rrezikonte asgjë. Por sigurisht, atë natë, karrikja e tij mbeti bosh…”

Nga kujtimet e bukura qe Bosquet shkruan për Kadarenë janë çastet kur Kadare vjen në France dhe kërkon azil politik, momente kur ai do t’i thotë: “së shpejti diçka do të ndodhë në jetën time…” Kësaj periudhe tronditëse të Kadaresë, Bosquet i ka kushtuar disa shkrime, një prej të cilave artikullin në “Figaro” më 11 mars me titullin “Les raisons d’un exil” (“Arësyet e një ekzili”), ku ndër të tjera ai shkruan se Kadareja “nuk mohon që në rininë e tij ka shpresuar në realitetin marksist: pas sundimit osman dhe pushtimit fashist ç’zgjidhje tjetër mund të bënte ai? Pra të jetonte në një lloj mënyre me Homerin, Servantesin dhe Niçen do të thoshte ta shihje vendin tënd ndryshe nga vështrimi doktrinar. Për Kadarenë, evolucioni drejt demokracisë u bë një besim i pashmangshëm dhe kjo mungesë demokracie e shtyu atë të mos pranojë rolin e shkrimtarit më të famshëm të një vendi, që harronte të afronte një kohë të tillë… Kjo ikje e Kadaresë n’a siguron se është provizore. Kryesorja nuk është në këtë akt, i cili padyshim, ishte një akt shpëtimtar. E rëndësishmja është në lirinë e krijimit që mishëron vetë Kadareja.            ..»

            Vonë, shumë vonë, Kadare dhe Bosquet do të zhvillonin një diskutim të gjatë rreth letërsisë dhe arteve, rreth Shqipërisë dhe Francës, rreth artistit dhe raporteve të tij me pushtetin, rreth çenzurës dhe lirisë, ç’ka u botua dhe në librin e Kadaresë “Dialogue avec Alain Bosquet”, nga “Fayard”. Nga ana e tij, Kadareja do ta kujtojë gjithnjë atë ditë, kur në udhëtimin e tij të parë në Paris, duke shëtitur ne bulevardin Saint-Michel, dikush iu afrua dhe i tha: – Ti je Ismaili? – Po, – i ishte përgjigjur ai. – Jam nga Kosova dhe quhem Rexhep Ismajli. Kam një mik francez, një shkrimtar e kritik që dëshiron t’ju njohë. Quhet Alain Bosquet!

Norma, një dashuri e pambarimtë

            Atë ditë që shkova në shtëpinë e saj, në “Rue Laborde”, pranë kishës Saint Augustin, në Parisin VIII, e gjeta të trishtë por megjithatë, me një gëzim të brendshëm. Po më priste. Sigurisht i bëhej qejfi që njerëzit vazhdonin të mendonin për Alain, të cilit ajo i kishte përkushtuar aq shumë dashuri, përkushtim, vetmohim. Të dukej tepër e vetmuar mes tërë atyre librave, skulpturave që atij ia kishin dhuruar prej vitesh miqtë e tij artistë: një tablo e Tangy, një Max Ernst, një “Dado”  e piktorit të famshëm  malazez. Në korridor një tablo e madhe e Veliçkoviç, më tutje autorë flamandë, të cilët ai i pëlqente shumë dhe përballë në një etazher, skulpturat e dashura të tij të një epoke para-kolumbiane… Të gjithë ishin aty, që shumë vite më parë. Veçse tani Bosquet mungonte. Mungonte në sytë e zbrazët të Normës, të kësaj amerikaneje të bukur që megjithse në moshë të thyer, kishte ende fytyrën e një aktoreje hollivudiane. Kur bisedon me të ajo është pasionante. Nuk lodhet së treguari për Bosquet. Herë herë zëri i saj këputet, ashtu siç i këputej edhe filli i kujtimeve. Një mal kujtimesh, udhëtimesh, njerëzish e miqsh, popujsh e imazhesh nga vende të ndryshme të botës.

“Kur e njoha për herë të parë?.. Ah, shumë vite të shkuara. Më shume se gjysmë shekulli, – tregon Norma. Atëherë isha 23 vjeç. Lashë Kaliforninë dhe u nisa të punoja drejt Europës. Ç’aventurë! Atë kohë u shpall “Plani Marshall”. Nuk di pse më tërhiqte Europa. Përse vallë? Madje unë nuk njihja askënd ketu. Nuk e kisha menduar se jeta ime do të lidhej plotësisht me një vend të tillë si Franca. Me një avion ushtarak zbarkova një ditë në zonën perëndimore, në Berlin, ne shtabin e Forcave Aleate. Nisa të punoja si interprete dhe pas ca kohësh më kërkuan të punoja në një sektor tjetër. Atëherë duhej të zgjidhja mes një përkthyesi të rusishtes dhe një francezi. Unë zgjodha francezin, i cili që ditet e para shfaqi një interes të tepërt për mua. Ky ishte Alain Bosquet. Shumë shpejt u dashuruam. Kështu nisi jeta jonë e përbashkët. Berlini, Franca, udhëtimi drejt Parisit, Sorbona…

– A nuk ju duket tërë kjo një ëndërr? – e pyes.

– Vërtet një ëndërr, një ëndërr e shpejtë… ne duheshim aq shumë, – më pergjigjet ajo, e ulur pikërisht në një kolltuk që dikur kalonte ditët e saj aktorja e mrekullueshme Marlene Dietrich. Madje vajza e Marlenës i kishte falur dhe divanin, ku Marlen kishte vdekur. “Ishte e trishtë ta mbaja atë divan. Një ditë erdhi dhe e mori një nga adhuruesit e Dietrich”.

            26 qershor 1998. Në hollin e ambasadës shqiptare në Paris organizojmë ceremoninë e dhënies së diplomës “Doctor Honoris Causa” Alain Bosquet nga Republika e Shqipërisë, Këshilli i Ministrave dhe Universiteti i Tiranës, pas vdekjes. Bashkë me Normën ishin atë mbrëmje edhe shumë miq të Bosquet, poetë, romancierë, muzikantë. “Të gjithë e njihnin Bosquet si dikush që iu kushtohej të tjerëve, veç që këta të kishin talent…- do t’u thoshte Norma të pranishmëve, – Ai kishte një gëzim të madh të zbulonte e të prezantonte shkrimtarë të panjohur por të mëdhenj”… Kohë më pas me Normën dhe poeteshën franceze Claudine Helft shkuam në një konservator muzike të Conflans St.Honorine, buzë Senës, për të dëgjuar këngë të Pierre Litsou, këngë të kompozuara sipas teksteve të Alain Bosquet. Një skenë e thjeshtë, një kitarrë, një kontrabas, fletë me poezitë e shtypura të Bosquet varur anash mureve dhe këngë të traditës franceze që shpërndaheshin në atë mbrëmje të ngrohtë e që të kujtonin menjëherë këngët e të famshmit Georges Brassens. Këngë të bukura dhe tepër të ndjera: “Fabriquant de rêves” (“Fabrikant ëndrash”) ishte njëra prej këngëve që ndiqej më pas nga një këngë tjetër: “pranvera është një muaj i bukur, njëlloj si një puthje”, këngë që do ti linte rradhën poezisë tjetër:

“ Vështromë mua /zotin tënd/ unë do të të mësoj infinitin…”

Poète de partout et de nulle part

            “Poet i kudo-ndodhur e që s’i përket askujt”, – shkruan ai në një poezi. Mbi të gjitha dhe pikësëpari, Bosquet ishte poet. Një nga idhujt e tij të parë dhe ndër më të mëdhenj ishte Rembo. Më pas, ai do të shtojë se “ shokët e mi janë Ronsard, Musset, Verlaine, Aragon. ”Unë nuk i përkulem Bodlerit, – thoshte ai, – unë diskutoj me të!”

Mes vérités profondes sont dans mes mots”…( “të vërtetat e mia janë tek fjalët e mia”).

Ai nuk mund ta gjente vetveten jashtë poezisë.” Où-êtes-vous né?/ dans mon poème”[6] – pyet dhe përgjigjet poeti në një poezi të tij. Duke shfletuar botimin e parë kushtuar krijimit të tij poetik në koleksionin e Pierre Seghers “Poètes d’Aujourd’hui”, mëson se poemat e tij të para u botuan nën titullin “Jeta është klandestine”. Ngjarjet në Hiroshima e Nagasaki e kishin tronditur fort ndërgjegjen e poetit të ri. Ishte koha kur ai botoi vëllimin tjetër poetik “Në kujtim të planetit tim”. “Më 1954, gjatë një udhëtimi në Meksikë, – kujtonte ai, – ndjeva se po piqej tek unë ajo çka do të bëhej gjurma personale e poezisë sime: përzjerja e fabulës dhe e absurdit. Zbulimi i qytetërimit parakolumbian më magjepsi dhe më bëri të botoj vëllimin tjetër poetik “Ç’mbretëri e harruar”. Pas këtij vëllimi, botimet e Bosquet u bënë të pareshtura: vëllime poetike, romane, ese, madje gjer dhe aforizma. Padyshim një aforist i përkryer. Në një vëllim antologjie të poezisë franceze, botuar vite më parë, kisha gjetur një poezi të Bosquet, “Pomès pour un enfant lointain” (“Poezi për një femijë të largët”), përmes të cilës prezantohej konteksi poetik i këtij poeti të shekullit XX. Në të shkruhej:

“ Më e rëndësishme në jetë biri im

Eshtë ajri që marrim frymë

Eshtë uji i pastër që pijmë,

Eshtë qumështi për tu ushqyer

Eshtë koha që duhet ta jetojmë plotësisht.

Shpesh biri im, ajri quhet liri,

Uji i pastër është sinonim miqësie,

Qumështi është për të gjithë ata që duhen

Toka është një detyrë

Dhe koha një vetëdije”…

            “Përmes poezisë, – shkruante Bosquet, ky ateist i tronditur dhe i magjepsur njekohësisht nga mistika, (“athée bousculé“, siç pëlqente të thoshte ai) – ndërgjegja njerëzore përsoset, purifikohet, çka i lejon njeriut të projektojë vetveten drejt kohrash e hapësirash të reja… Arti mbetet për mua një nga ngushëllimet më të mëdha: aty është arësyeja përse jetojmë… Një simfoni e Betovenit apo disa pjesë të Ravel më japin njëmijë arësye që të shpresoj. Mjafton ti afrohem një tabloje të Mantegna apo Van Eyck, që të mahnitem»… Në shkrimet e shumta të tij, Bosquet duket se i adhuron të gjithë poetet e botës. Në poezitë e tij pikëtakohen emra e fate poetësh të të gjitha kontinenteve, ashtu siç e thotë dhe në një nga poezitë e fundit të tij “Lista e gjatë” duke cituar emrat e Pushkinit, Lermontovit, Pegy, Apolliner, Pessoa, Majakovski apo Esenin, duke adresuar një lloj përshëndetje të fundit:

“Poetë të rinj / Më falni që kam jetuar dy herë më shumë se ju…/ “. Të gjithë njerëzit që admiroj, nga Homeri tek Ismail Kadare, duke kaluar nga Gete, Holderlin, Nerval, Fragonard, Ravel, Rilke, Pessoa apo Servantes, janë bashkëkohësit e mi dhe kjo për nje dhunti që ata e kanë të përbashkët: tek ata nocioni i kohës humbet!”

            Po, ai e di se poetët janë prej një lloj brumi tjetër, një qenie speciale.

”Nga të gjitha format verbale, poezia është më e afta të provokojë pyetje. Përmes saj, ndërgjegja pastrohet dhe i lejon njeriut të shohë vetveten në një kohë dhe hapësirë tjetër, ku mbretërojnë fabula dhe ekzaltimi.” Madje në poezi, atij i pëlqen shumë ambiguiteti, dykuptimësia e vargut, çka i jep vargut tjetër peshë. “Si mund ta kuptojmë një vepër të madhe, – pyeste ai, – e cila nuk ka brenda saj ambiguitetin? Ajo ekziston tek “Hamleti” në “Berenice” te Racine, tek “Faust” i Goetes dhe në një kohë më të afërt me ne, në “Proçesin” e Kafkës, në veprat e Bulgakovit, etj. Në një nga poezitë e tij të titulluar “Fletë volante”, ai ka shkruar:

“Pluhuri kurrë s’do ti mbulojë këto faqe.

I gjallë apo i vdekur qofsha,

e di se një erë do të vijë ti shkundë

dhe në se duhet, ato do të fluturojnë

përtej maleve…”

            Gjatë jetës së vet krijuese, Bosquet ka botuar shumë vepra poetike nga të cilat spikasin Demain sans moi,1994, Le tourment du Dieu, 1986, Sonnets pour une fin de siècle, 1980, Danse mon sang, 1959, Premier testament, etj. Thelbi i poezisë së tij mbetej gjithnjë jeta, jeta e përditëshme njerëzore, njeriu, rruzulli dhe ardhmëria e tij. “Problemi i jetës, vdekjes, kozmosit, nuk do të zgjidhen, – shkruan në një nga esetë e tij Bosquet. – Kur unë shkruaj poezi, më ngjan vetja si njeriu i parë mbi këtë tokë. Pra në një formë, unë e rikrijoj botën…”

            Po, duke kërkuar diçka tjetër, shpesh Bosquet i drejtohet absurdit. Shumë fenomene e revoltojnë dhe e bëjnë të klithë. Vargu i tij është i dykuptimtë dhe ai nis të luajë me absurdin, sikur të ishte në një teatër absurd:

“Selon mes habitutes / à sept heures quarante

 j’ai pris ma douche et mon café

 puis j’ai maudit ce jour / puis j’ai maudit la nuit… [7]

Ne krijimin e vet letrar, siç ka shkruar dhe nje nga mikeshat e ngushta te tij, poetesha Claudine Helft, “Bosquet e konsideronte veten qytetar të Universit, “Citoyen de l’Univers”, dhe i tille ishte në të vërtetë. Nga ana tjetër, duke shkruar për Bosquet dhe poezinë e tij, poeti ynë Agolli thotë se “Poezia e Bosquet është një pemë e sjellë nga larg, që mbin në oborrin tonë pasi ka cilësi të tilla që i shkojnë dheut shqiptar.”

Në fakt, poezitë e Bosquet i shkojnë çdo dheu, çdo kombi, pasi ato janë universale, ato janë pjesë e jetës njerëzore, e gjithë humanizmit.

            Kështu pra largohej në prag të 79 vjetëve të tij, letrari Bosquet, ky njeri kozmopolit, ky njohës dhe përjetues i mjaftë kulturave, që për më shumë se gjysmë shekulli krijoi një univers të vetin letrar që u përkthye në shumë gjuhë të botës, në anglisht e gjermanisht, në arabisht, turqisht, e gjuhët sllave, në spanjisht, suedisht, në gjuhën kineze, etj. Krijimi i tij më i fundit ishte padyshim “Academie européenne de la poèsie”, për krijimin e së cilës u muar një kohë të gjatë. Disa ditë pas vdekjes se tij, u botua në Figaro dhe një tekst poetik, Poezi, në formë pyetje-përgjigje, që ai e kishte dhënë për tu botuar në Figaro që më 1989 dhe në të cilën kishte shkruar:

– Përse kini lindur?

– Që realen ta bëj magjike.

– Cila gje ju edukon?

– Misteri midis asaj që duket.

– Kë doni ju?

– Gruan që do të ishte sa dy gra bashkë.

– Përse punoni?

– Besoj se për lavdinë e se padukshmes.

– A adhuroni ndonjë zot?

– Herë herë brumbullin, yllin e shuar,

  fjalën e re që ende nuk e kuptoj.

– Kur do të vdisni?

– Vetëm karkaleci me gjashtë krahë do të vendosë se kur…”

            Ai largohej nga kjo botë pas një sëmundje të gjatë, me një vdekje të paralajmëruar; ikte me një qetësi proverbiale, ç’ka e dëshmon dhe në rreshtat e fundit të librit të tij Les fruits de l’an dernier: “… Ç’ka mbetet tek unë është e ngulitur në kujtesën time, ashtu si pas një përmbytjeje, ku ne kapemi fort pas një shkëmbi. Atje, mundohem të gjej barëra të rralla apo alge që ikin, dhjetë apo pesëmbëdhjetë profile, pesëmbëdhjetë apo njëzetë vështrime, apo tridhjetë buzëqeshje. Unë nuk thërres për ndihmë. Kjo botë e vajtueshme papritur më shfaqet e shkëlqyer, plot dritë, pasi më duhet që shpejt ta lë atë”…

Më prill të vitit 2001, miqtë e afërt të Bosquet u mblodhën rreth Normës në hollin e hotelit “Hôtel du Pont Royal” për dhënien e çmimit “Alain Bosquet” poetit libanez Adonis. Përsëri Gallimard, Yves Mabin, Sabatier që më pyet parreshtur për Shqipërinë… Përsëri Alain Bosquet…


[1] -« Zonjë/ Ti je fisnikja e padukëshme e dëshirës/ Zonjë, në sajë tuaj, midis vdekjes e legjendës/ Koha nuk ka kohë të bëhet vetë koha !

[2] -“ Kalimtarë, respektoni barin / ku prehet Alain Bosquet/ Ai qe një shërbetor / Në shërbim të Fjalës.”

[3] – «  Kalimtarë ! Respektojeni barin/ Këtu prehet Alain Bosquet/ Ai ishte një shërbëtor i madh / Në shërbim të Fjalës“

[4]“Njëmbëdhjetë Kulla Eifel / Kometa është e fejuara më e bukur…”

[5] – “ Ai pikturon një Krisht në kaltërsi, si të ish një banor i Kozmosit”

[6]“ Ku kini lindur?/ Ne poezine time!

[7] “ Sipas zakoneve të mia / në orën shtatë e dyzet minuta / bëra banjë dhe piva një kafe / pastaj e mallkova ditën / pastaj e mallkova natën /….