Kur Fitzgerald endej rrugëve të Parisit

“Unë nuk jam ndonjë njeri i madh por nganjëherë më ndodh të mendoj se karakteri jo personal dhe objektiv i talentit tim, sakrificat e jashtëzakonshme që kam bërë për të arritur më të mirën, kanë në vetvete një madhështi epike”.

Kam javë që vazhdoj udhëtimet nëpër rrugët e Parisit, sheshet apo në rrugica të vjetra pa krye ku ndonjëherë vendet e shkrimtarëve dhe artistëve nuk ekzistojnë më. Por kjo është tepër e rrallë pasi Parisi nuk i ndryshon as emrat e rrugëve, as numrat e dyerve e as emrat e shesheve, ndryshe siç ndodh me Tiranën tonë që vështirë të gjesh se ku ka qenë një rrugë apo një ndërtesë. Pra marr rrugët dhe eci, ndaloj në një kafene dhe vetja më duket me një bohem të habitshëm, një bohem që i përket një kohe tjetër, sikur jetoj me ta, dëgjoj dialogjet e bisedat e tyre, një botë e çuditëshme imagjinare që më bën për vete. Ja ku kam ndaluar para apartamentit të Scott Fitzgerald në 10 Rue Pergolese emër që na kujton kompozitorin italian Giovanni Batista Pergolese. Vështroj nga hyrja, ngre sytë lart dhe më shfaqen fotografitë e Scott dhe gruas së tij Zelda në këtë shtëpi ku vinin shumë miq të afërt të shkrimtarit të madh amerikan, autorit të shquar të romanit Gatsby i madh apo siç është përkthyer në frëngjisht Gatsby i mrekullueshëm, një roman i ekranizuar bukur me aktorin Leonardo di Capri apo Redford me një histori ku gjen diçka nga vetë historia personale e këtij autori. Ashtu si tek Hemingway, Miller, Dos Pasos dhe amerikanë të tjerë të zbarkuar në Parisin e viteve ’20-’30, koha e tyre parisiane la gjurmë të pashlyeshme në jetën dhe krijimtarinë e Fitzgerald, kohë kur ata do të shkruanin një pjesë të mirë të letërsisë së tyre.

Kur ky shkrimtar nga Minesota erdhi në Paris, gjeti një komunitet amerikanësh që i ishin larguar puritanizmit amerikan për tu endur në kafenetë e bordellot e Montmartre-s dhe të Montparnasse-it duke përfaqësuar atë në të cilën ngulte këmbë estetja amerikane Gertrude Stein, “Gjenerata e humbur“. Kur mbërriti në Paris bashkë me gruan e tij të re dhe vajzën e tyre të vogël Scottie, Fitzgerald u vendos në fillim në një hotel e më pas në 14, Rue de Tilsitt, një apartament fare afër Harkut të Triumfit dy hapa nga Champs Elysées gjithnjë plot njerëz dhe turistë nga e gjithë bota.

Në fillimin e viteve ’90 kisha shkuar shumë herë në ambasadën belge që ishte në atë rrugë por atëherë nuk e dija se Fitzgerald kishte banuar disa hapa më tej, po në Rue Tilsitt. Këtë do ta mësoja më vonë. Pikërisht në Paris, Fitzgerald do të merrte vesh botimin e romanit të tij në Amerikë Gatsby i mrekullueshëm, i botuar në 75.000 kopje por që shumica e ekzemplarëve nuk u shit dhe vite më vonë shtëpia e botimit u detyrua ta tërheqë nga libraritë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Gatsby u harrua dhe vetëm një ribotim në fundin e viteve ’50 do ta nxirrte atë në skenën e kritikës letrare amerikane e botërore. Fitzgeraldi kishte kohë që kishte vdekur, që më 1940, në një moshë të re 44 vjeçare. Pikërisht atëherë biografët filluan të interesohen për të dhe jetën e tij. E padyshim, epoka parisiane ishte nga më të habitshmet, plot legjenda e skandale alkolike por jo vetëm ai, pasi gruaja e tij Zelda ishte një person depresiv që shkrimtarit të ri i krijonte veç probleme, ndërkohë që ai kishte një etje të jashtëzakonshme për të shkruar. Shkrimi për të ishte i identifikuar me paranë, fitimin, ekzistencën, suksesin, shoqërinë aristokratike, ashtu siç do të ndodhte me Gatsby-in. Si tek Gatsby, edhe atij i pëlqente shoqëria e lartë edhe pse vetë ai vinte nga një familje modeste, por përmes studimesh në një shkollë me të pasur, ai kishte mundur të ngjiste shkallë drejt shoqërisë së lartë. Kishte qenë gjithnjë ai djali i varfër mes të pasurve… E padyshim, joshja ndaj parasë ishte e madhe. Megjithatë, ai kishte dhe një vështrim kritik ndaj kësaj lloj shoqërie që shkonte deri në ekstreme dhe krime, duke e shkatërruar shpirtin njerëzor. Siç do të shkruante dhe Zelda për Fitzgerald pas vdekjes së tij, «ajo çka tregon jeta e tij është se ai diti ta dramatizojë trishtin dhe zhgënjimin e një epoke, duke arritur që me kurajon që i dha kësaj epoke, tu japë njëkohësisht dhe arsyen që ajo duhej të përjetohej.»… Në një nga letrat e tij të më vonshme, Fitzgerald pohonte: «Kurrë nuk ua kam falur të pasurve pasurinë e tyre dhe kjo ka lënë gjurmë në tërë jetën time…»

Ardhja e Fitzgerald në Francë në vitin 1922 ku pas një qëndrimi të shkurtër në Paris ata zbrritën në Côte d’Azur, në jug të Francës, nisi me një histori dramatike, pasi ata shkuan fillimthi në jug të Francës, në qytezat me diellin e Côte d’Azur, ku Zelda, vajza nga Alabama ra menjëherë në dashuri me një oficer francez  të flotës së marinës francez Edouard Jozan. Pas skandalit ajo donte të divorcohej me Scott e pastaj të vriste veten por largimi i oficerit i qetësoi shpirtrat e tyre. Kështu çifti Fitzgerald iu drejtua Parisit, ku u vendosën në vitin 1924 dhe ku shpesh shëtisnin në Champs Elysée. Ende pa marrë vesh për botimin e romanit Gatsby i mrekullueshëm në Amerikë, në ditarin e tij Scott kishte shkruar: «Nëse ky roman do më sjellë para unë do vazhdoj të jetoj me profesionin e romancierit por nëse jo, atëherë do të kthehem në Amerikë për të punuar skenarë për kinematografinë hollivudiane…»

Amerikani i parë që takoi në Paris ishte Hemingway prej të cilit kishte lexuar në revistat amerikane tregime të ndryshme dhe ishte aq i entusiazmuar nga letërsia e tij saqë e çmonte si shkrimtarin më të madh të kohës. «Atëherë Scott ishte një djalosh i vogël me një fytyrë disi të bukur, – kujtonte Hemingway. – Kishte flokë të verdha dhe me bukle, një ball të lartë dhe një vështrim të gjallë e të përzemërt.» Hemi ishte 26 vjeç ndërsa Scott 29. Një vit më parë Fitzgerald kishte lexuar tregimin e Hemingway-it Një fshat indian e më pas dy të tjerë, çka e kishte entusiazmuar. Në Paris, Hemingway u bë një nga miqtë më të afërt të tij. Ai e adhuronte, edhe pse ndërkohë “Hemi”, siç e quanin miqtë, nuk kishte botuar ende një roman por veçse novela. Ishte ai që e çoi dhe tek libraria amerikane «Shakespeare and Company» e drejtuar nga Silvya Beach, njëkohësisht botuesja e Joyce, tek e cila filluan të mblidheshin autorë të shumë amerikanë gjer dhe vetë poeti Witmann gjatë vizitës në Paris. «Një herë në Closerie des Lilas – kujtonte Hemi, – Fitzgerald më tregonte sesi i shkruante novelat, të cilat në fakt ishin shkruar mirë për revistën Post dhe se si pastaj i ndryshonte për t’i bërë tekste të publikueshme në revista të tjera që të fitonte para. Atëherë u skandalizova dhe i thashë se kjo ishte një punë kurvash. Ai më pohoi se kjo ishte e vërtetë por se ishte i detyruar të vepronte në këtë mënyrë dhe të bënte këtë lloj pune, pasi me romanin s’po fitonte para, kurse me to fitonte shumë, që të mund pastaj të punonte për libra të mirë…»

Hemi kujtonte gjithashtu dhe një rast kur bashkë me Scott kishin shkuar në Lyon për të marë një makinë dhe në kthim, afër Châlon-sur-Saône, ata kishin ndalur në një hotel. Ishin lagur nga një rrebesh i madh dhe Scott ishte shtrirë i trembur se mos kishte marrë plevitin. Ai i thoshte mikut të tij se ndoshta mund të vdiste dhe kishte hall se kush do të kujdesej më pas për Zeldën dhe vajzën e vogël, Scottie. Por Hemi mundohej ta qetësonte, madje dhe ti thoshte se dhe ai kishte për të mbajtur gruan e tij Hadley dhe djalin Bumby. “Megjithatë i thashë se do të kujdesesha që Zeldën që të mos pinte alkoole dhe që vajza të kishte një guvernante”. Kjo histori vazhdoi dhe të nesërmen dhe Scott ishte në një gjendje paniku, madje nuk pranonte as të shihte treguesin e termometrit ku gjithçka e tregonte normale në trupin e tij. Në kthim drejt Parisit, Fitzgerald i kishte dhënë një nga kopjet e librit Gatsby i mrekullueshëm. “Kur e mbarova romanin, – kujtonte Hemingway, – kuptova një gjë: pavarësisht si kishte arritur ta shkruante atë, unë duhej ta ndihmoja si i sëmurë që ishte, pasi isha miku i tij…” Megjithatë, në librin e tij Parisi, një festë e pambarimtë, Hemingway jep një tjetër portret të Fitzgerald, duke e trajtuar atë si “një pijanec dhe torollak të këndshëm”, dhe kjo sepse ai ishte shumë naiv dhe “e pyeste nëse kishte shkuar me femra të tjera para se të martohej, apo jo…”

Midis Hemingway-it dhe Zeldës kishte një lloj antipatie të fshehtë. Ajo nuk e donte figurën shumë mashkullore të Hemingway-it, ndoshta pse e krahasonte me atë të Scott. Dhe Hemingway-it i dukej se ishte pikërisht ajo që e shtynte të shoqin të pinte. Mos vallë nuk donte që ai të ishte i famshëm, kurse ajo, e cila kishte lënë baletin prej gjashtë vjetësh, kishte mbetur një grua e zakonshme që vetëm bridhte nga një lokal në tjetrin? Atij nuk i pëlqente që ajo shoqërohej me gra lezbike, ndërkohë që Zelda e konsideronte atë si “një mistik materialist” dhe një “mashkull profesionist”. Megjithatë Hemit nuk i pëlqente që Scott të ishte kaq shumë i dhënë pas parasë. Në fakt Scott ishte shumë bujar. Kur pinte e hidhte paranë si të ishte një milioner. Një portieri në një restorant i dha 500 franga që thjesht ti thërriste një taksi, ndërsa orkestrës i kishte dhënë njëmijë franga që ti binin një pjese që i pëlqente atij… Në atë kohë, Fitzgerald dhe Hemi shkonin shpesh në shtëpinë e Gertrude Stein në 27, Rue Fleurus. Ishte Hemingway që e kishte prezantuar tek ajo. Estetja amerikane që jetonte në ato mure mbushur me tablotë e Matisse, Picasso, Cezanne, Renoir, El Greco, etj, e çmonte shumë Hemingway-n, por kur lexoi romanin e Fitzgerald, filloi të bënte krahasime me atë çka shkruante Hemi. Dhe kjo atij nuk i pëlqente pasi ajo e vinte mbi të. Sidoqoftë dy miqtë shkrimtarë e vlerësonin njëri-tjetrin. Më vonë, kur Hemi botoi Lamtumirë armë, kjo gjë e gëzoi shumë Fitzgeraldin, edhe pse Zelda veçse e shante mikun e tij të ngushtë. Por ai e ndaloi që ta shante.

Në Paris, Scott dhe Zelda u bënë të njohur për skandalet e tyre me njëri-tjetrin. Jeta e tyre ishte me përplasje, dramatike, tragjike. Njëherë kur Hemingway ishte operuar në spitalin amerikan në Neuilly, i trembur Fitzgerald e kishte pyetur nëse kishte frikë nga vdekja. “Varet nga momenti, – i ishte përgjigjur me të qeshur Hemi, i cili e dinte se Fitzgerald bënte nganjëherë si fëmijë. Një herë tjetër, siç kujtonte Hemingway, bashkë me gruan i kishin ftuar në apartamentin e tyre në Rue Tilsitt. Atë natë Zelda u rrinte gjithë turinj dhe nuk e hapi gojën. Një mbrëmje më parë kishin qenë të dy në një klub në Montmartre. Zelda i kishte kërkuar të pinte që të ishin në qef të dy por Scott i thoshte se s’donte të pinte se kishte shumë për të shkruar dhe se duhej të punonte. Por Zelda donte qefet e veta dhe i bënte skandale. E megjithatë ai e donte shumë dhe ky trisht i përhershëm e shtynte të pinte shumë, veçanërisht në mbrëmje. Hynte në një lokal dhe dilte tek tjetri. Shpesh, në mes të natës, Fitzgerald shfaqej në portën e shtëpisë së Hemit dhe e kërkonte që ta kalonin natën bashkë nëpër lokalet parisiane. Por kjo u përsërit shumë herë, aq sa për Hemin u bë diçka e bezdisëshme. Atij i vinte keq për të.

Në librin e tij Parisi një festë e pambarimtë, Hemingway kujtonte një nga ditët kur Fitzgerald i kërkoi të takoheshin sa më shpejtë sepse kishte diçka të rëndësishme për të biseduar. Dhe ata u takuan në restorantin Michaud, në Rue de Saintes-Pères, ngjitur me Saint-Germanin-dès-Près. Pasi pinë pak verë, Fitzgeraldi i hapi zemrën mikut të tij:

– Ti e di që unë s’kam shkuar me asnjë femër tjetër përveç Zeldës.

– Jo, nuk e dija.

– Kujtoja se ta kisha thënë!

– Më ke thënë gjëra të tjera por jo këtë. Pa hë?!

– Zelda më ka thënë se nisur nga anatomia e trupit tim, unë s’mund ta bëj dot të lumtur një femër tjetër. Eshtë çështja e madhësisë. Që kur ajo ma tha këtë nuk e kam dashur veten dhe dua të di nëse është kështu apo jo?

– Shkojmë në banjo atëherë! – i thashë.

Dhe ne shkuam dhe u kthyem përsëri në tavolinë.

– Ti je plotësisht normal. S’ke asgjë që nuk është në rregull. Po ta shikosh nga lart atë «mikun» e shikon të vogël. Shko në muzeun e Louvre dhe shikoi statujat, pastaj shko në shtëpi dhe shikoje atë në profil me një pasqyrë.

– Po përse atëherë ma ka thënë këtë?

– Që të mos shkojë mendja të shkosh me ndonjë femër tjetër. Po ti ndërkohë mund të ishte konsultuar me një mjek.

– Jo, nuk kam dashur. Doja që ti të më thoje të vërtetën.

– Po tani a më beson?

– Nuk e di… Atëherë eja të shkojmë në Louvre…

Dhe siç tregon Hemi, ata shkuan në muze. Fitzgerald shikonte statujat dhe përsëri kishte dyshime. «Në fakt nuk është çështje madhësie kur ai është në qetësi, – kishte shtuar Hemingway. – Eshtë dhe puna e këndit. – Dhe unë i tregova si të përdorte ndonjë jastëk dhe truke të tjera.»

Ndërkohë romani Gatsby korrte një sukses të madh në Amerikë. Versioni teatral në Brodway në New York u prit me shumë entusiazëm. Në Paris në vitin 1926 ky roman u botua në frëngjisht të cilit çuditërisht i kishin vendosur nëntitullin Dashuria dhe kënaqësia në Amerikë. Padyshim një nëntitull i rëndomtë për një roman të tillë. Poeti Jean Cocteau i cili në atë kohë ishte në një klinikë dezintoksikimi meqë kishte pirë shumë opium, i shkruante përkthyesit të romanit, Victor Llana: “Thoini Scott Fitzgerald-it se libri i tij është një libër qiellor, diçka tepër e rrallë në botë. Ai duhet tu falenderojë që e keni përkthyer, pasi duhet një penë misterioze që të mos e vrasë zogun blu”.

Në vitin 1925, në një librari parisiane Fitzgerald kishte parë një album fotografik me pamje nga Lufta e Parë Botërore në Francë, pamje ushtarësh të vrarë e të plagosur të cilat e kishin tronditur shumë. Menjëherë nisi të shkruajë një roman me historinë e një djaloshi që bashkë me nënën e tij udhëtojnë në jug të Francës e ku djaloshi Francis njihet me një çift amerikanësh. Sigurisht, kujtimet në Juan-des-Pins apo në Antibes ku ata do të shkonin shpesh ato vite, e ndihmuan shumë në përshkrimet mjaft piktoreske. Madje në Antibes ai kishte korigjuar faqet e faqosura të romanit Gatsby që ia kishin dërguar nga Amerika. Pikërisht në Saint-Paul-de-Vence ata kishin takuar rastësisht dhe Isadora Duncan. Atë ditë, kur Zelda pikasi se Fitzgerald për një moment ra nën sharmin e Isadorës dhe u ul nën këmbët e saj, menjëherë u ngrit dhe nga shkallët u hodh poshtë çka i tronditi të gjithë përreth. Dy vjet më vonë, Scott, bashkë me Zeldën dhe vajzën e tyre Scottie u nisën në Amerikë por gjendja atje i trishtoi shumë. Zelda jetonte në fakt një depression të thellë kur për më tepër Fitzgerald kishte rënë në dashuri me një aktore amerikane Lois Morsen në kohën që ishin kthyer në New York. Jeta në Amerikë ishte bërë shumë e vështirë. Në një intervistë me një gazetar amerikan, Scott ishte shprehur se «Ajka e Amerikës shkon drejt Parisit. Eshtë diçka e zgjuar për një njeri inteligjent të jetojë në një vend inteligjent. Franca ka dy gjëra që na duhen: inteligjencën dhe sjelljen e mirë”. Por shpejt ata do të nisen përsëri drejt Parisit dhe në Côte d’Azur, Zelda nisi të ushtrohej intensivisht për baletin me dëshirën e madhe që ti përngjante yllit të baletit Pavlova. Mësuesja e dansit ishte në atë kohë princesha Egorova. Aq shumë iu kushtua dansit sa filloi ta adhuronte mësuesen e saj dhe ra në dashuri me të aq sa princesha u tremb dhe filloi ta largonte. Zelda tashmë ishte 28 vjeçare. Nga ana e tij Scott vazhdonte të punonte për një roman të ri. “Mbrëmë isha i entusiazmuar nga takimi me James Joyce që na ardhi për darkë në shtëpi…” – shkruante në ditarin e tij Fitzgerald. Me këtë rast Joyce i kishte dhuruar një kopje të botimit të romanit të tij Ulysse (Uliksi). Por Zelda nuk e donte as irlandezin Joyce… Zelda donte vetëm Scott-in dhe mundësisht të dehur.

Padyshim që jeta e Fitzgerald në Paris ishte një lloj deliri, punë dhe pije, kohë kur banonte në Rue Vaugirard, kur në shtëpinë e mikut të tij André Chamson dilte në dritare dhe i entusiazmuar bërtiste: «Unë jam Volter!, «Unë jam Rousseau!». Njëherë tjetër, ai kishte parë në rrugë dy xhandarë me biçikleta dhe i kishte ndalur ata duke u kërkuar tu blinte biçikletat. Xhandarët ishin tërbuar, pasi kujtuan se ai po tallej me ta. Donin ta arrestonin por miku i tij francez, Chamson, u tha se ishte i pirë dhe se Scott ishte një shkrimtar shumë i madh amerikan.

Lokalet e tij të zakonshme ishin në bulevardin Montaparnasse, në Dôme, La Coupole, ku përgjithësisht mblidheshin amerikanët e zbarkuar në Paris, në Le Selecte, Closerie des Lilas, apo në Saint-Germain-dès-Près tek Lipp dhe Les Deux Magots, pa harruar kabaretë e Montmartre-s… Një nga kabaretë ku ai shkonte më shumë ishte Bricktop’s që mbahej nga një këngëtare zezake, pasi atij i pëlqente shumë xhazi, çka i tërhiqte gjithnjë e më shumë francezët e “La Belle Epoque”. Një mesnatë, kishte shkuar i pirë në redaksinë e Paris-Tribune ku ishin gazetarët amerikanë. Ishte ulur në tavolinë, kishte grisur kopjen e shkrimit të tij dhe pastaj kishte hipur mbi tavolinë duke kërkuar që të gjithë të këndonin me të. Më së fundi gazetarët e kishin marrë dhe me forcë e kishin çuar deri në shtëpinë e tij. Po ata asnjëherë nuk ia vunë re sjelljen e tij. Të gjithë e donin të mirin Scott. Gjithë këto situata e rëndonin padyshim gjendjen e Zeldës e cila po kalonte një depresion të gjatë. Miqtë e Scott tregonin se një herë, duke ardhur drejt Parisit me makinë, Zelda kishte marrë makinën dhe donte të përplasej diku. Scott ishte skandalizuar por Zelda i thoshte se nuk e komandonte dot makinën. Më së fundi ata kishin shpëtuar fatmirësisht nga ajo katastrofë e paralajmëruar. Zelda vazhdonte të merrte kurse dansi me endrrën e saj që të dilte një ditë në skenë, në një spektakël madhështor. Miqtë e Fitzgerald arritën që Zeldës ti propozohej të interpretonte në një rol jo kryesor në një balet në Operan e Napolit por ajo e refuzoi. Donte një rol kryesor në Paris. Kjo gjendje e bënte të vuante nga deliret. Njëherë, në kohën e “depresionit ekonomik” dhe të “crash of “Wall Street” të vitit 1929, duke shëtitur, Zelda i thoshte Fitzgerald-it se po dëgjonte lulet që i flisnin. Ata kishin shkuar në tregun e luleve të Parisit, por thëniet e saj ishin një delir i vërtetë. Në raportin mjeksor të klinikës ku ajo u shtrua, shkruhej se “ajo pëshpërit vazhdimisht: «është e tmerrshme, çdo të bëhet me mua, unë dua të punoj por s’do mundem, duhet të vdes e megjithatë dua të përgatitem për të interpretuar balet… jo, nuk do të shërohem kurrë… Duhet të shoh Zonjën…” E diagnostikuar me skizofreni, në një klinikë tjetër ajo nisi të shkruajë një roman gjysmë-biografik me titull Më lejoni ta vallëzojmë këtë dans, ku përshkruan gjithashtu jetën e saj të turbullt parisiane.

Pikërisht në këtë kohë kur Fitzgerald punonte për romanin e tij Tendre is the night (E ëmbël është nata) me dhimbjen e madhe për gruan e tij të sëmurë, ai filloi të vinte më në qendër historinë e dashurisë së psikiatrit Dick me vajzën e pasur Nicole, e cila ishte skizofrene dhe ku ai kërkonte ta ndihmonte e ta shpëtonte shpirtin e saj. Ky roman i vendosur në kohën midis dy luftrave, ishte një lloj autobiografie me historinë e këtij çifti amerikanësh në Côte d’Azur, ku ata përjetojnë në një shoqëri amerikanësh (high society) të vendosur aty dhe ku jeta për ta ishte thjeshtë një festë… Shkas për këtë roman ishte njohja e tij me çiftin Gerald dhe Sara Murphy të cilët kishin jetuar disa kohë në Paris dhe pastaj kishin zbritur në jug dhe ishin vendosur në Antibes, në Côte d’Azur. Meqë ishin njerëz mjaft simpatikë, të hapur dhe mjaft mikpritës, shpesh tek ata mblidheshin shumë amerikanë që vinin nga Parisi. Tashmë kishin blerë një shtëpi që e kishin pagëzuar me emrin Villa America, ku një ditë zbarkoi dhe çifti Zelda dhe Fitzgerald. Kjo vilë në romanin e Fitzgerald mban emrin Villa Diana por pothuaj ishte e njëjta atmosferë dhe personazhe si tek Villa America e asaj kohe. Madje Picasso që kishte ardhur kishte bërë disa vizatime të Sara-s. Meqë kërkonin hotel, Sara dhe Gerald i ftuan ata të rrinin në apartamentet ngjitur dhe kështu ata ishin të përditshmit e çiftit Murphy. Por shpejt ata e kuptuan se çifti Fitzgerald ishte një çift i zhurmshëm, ku shpesh, të dehur u prishnin mbrëmjet. Ata ziheshin gjithnjë me njëri-tjetrin. Një natë vere të vitit 1924, Zelda kishte qëlluar me një lëkurë fiku dekoltenë e një konteshe që ishte ulur në tavolinë me ta. Pastaj, duke u ngritur, kishin thyer gjithë gotat. Por jo vetëm kaq. Kur dolën në oborr, meqë kishte një kopësht dhe ishin mbjellur domate, ata nisën ti qëllojnë të ftuarit me domate. Që nga ajo natë Sara ua ndaloi të vinin. Por përsëri ata vinin aty. Një natë, duke dashur të vriste veten, Zelda kishte pirë një grusht ilaçesh dhe Fitzgerald kishte trokitur tek ata në mes të natës. Në personazhin e Dick Diver të romanit gjen tiparet e Gerald-it ndërsa tek Nicole dhe historia e saj, tek shijet letrare etj, gjen imazhin e Sara-s. Zelda ishte shumë xheloze. Të papriturat e tyre ishin të vazhdueshme. Madje një natë, tek ktheheshin me makinë, ashtu të dehur i kishte zënë gjumi mu mbi shinat e trenit. Një fshatar që kalonte andej, kur i pa i zgjoi menjëherë dhe kjo ndodhi veç dy minuta para se të kalonte treni. Ishin padyshim njerëz me fat. Sara kujtonte se kur bisedonin me Fitzgerald, ai gjithnjë mbante shënime se çfarë thonin dhe kjo kishte filluar ta bezdiste. Madje një ditë i kishte thënë ti linte ato shënime, por Fitzgerald ishte nxehur. Kur do të mbaronte romanin, ai do ua kushtonte atë çiftit Murphy. Në një letër që i dërgonte Gerald-it ai i shkruante se “ky libër është frymëzuar nga Sara dhe ty si dhe ndjenjat e mia ndaj jush, mënyra si jetonit. Dhe nëse pjesa e dytë të kujton Zeldën dhe mua, kjo ndodh sepse ne ishim njëlloj me ju”.

Në vitin 1928 Scott dhe Zelda bashkë me vajzën e tyre nisen në Amerikë të ftuar nga Hollywwod-i meqë po përgatitej version kinematografik i Gatsby-t. Një vit më vonë në mars 1929 ata rikthen në Paris dhe vendosen në 58, rue de Vaugirard shumë afër me Jardin de Luxembourg ku shpesh ftoheshin nga Sylvia Beach dhe Adrienne Monnier. Shkojnë në Nice dhe pastaj ngjiten drejt Parisit ku takojnë Hemingway-in i cili tashmë jetonte me gruan tjetër Pauline Pfiffer. Ndërkohë Hemi po përfundonte romanin Lamtumirë armë. Në këtë kohë Fitzgerald po kalonte një gjendje të vështirë krijuese. Ulej të shkruante dhe e shikonte se nuk arrinte të përparonte në romanin që kishte nisur. Në një çast, duke iu qarë Hemit ai i thotë: “Kam shkruar pak dhe megjithë përpjekjet e mia kam rënë në një lloj depresioni dhe po mbytem në alkool. Kohët e fundit, që në orën njëmbëdhjetë të paradites ndihem i dërmuar dhe sytë i kam me lotë. Dhe atëherë filloj të pi dhe u deklaroj miqve: “As që dua t’ia di për asgjë, as për Zeldën… dhe më së fundi zgjohem në një dhomë shtëpie që nuk e njoh”. Gjendja e Zeldës ndikonte njëkohësisht dhe në shpirtin e tij. Një ditë kur kishin shkuar të shikonin një film, ajo ishte ngritur midis seancës dhe kishte nisur të klithte se një oktapodh ishte shfaqur në ekran. Nisur nga historitë e Zeldës, Hemi filloi të distancohej nga Scott deri aty sa ia mbajti të fshehtë apartamentin e ri ku banonte në 6, Rue Feron. Ishte lodhur nga dehjet e tyre. Më vonë, çifti Fitzgerald do të vendoset në 10, Rue Pergolese pranë Avenue Foch dhe Bois de Boulogne.

Pas një qëndrimi pothuaj një vjeçar në Rue Pergolese ku gjendja e Zelda-s keqësohej gjithnjë e më shumë, çifti Fitzgerald u largua përfundimisht nga Parisi dhe padyshim, vitet parisiane do të ishin për Fitzgerald vite nostalgjie dhe një lëngim i trishtë e i gjatë… Në Paris ka një restorant lluksoz në kujtim të autorit amerikan me emrin «Fitzgerald» në avenue La Tour Maubourg. Dikur kam banuar dy hapa pranë tij dhe asnjëherë s’kisha hyrë atje, por këto shënime më bënë të shkoja ta shikoja. Eshtë pjesë e atij itinerari parisian të jetës së Fitzgerald, nga Hôtel St. James në Rue Saint-Honoré apo Hôtel des Deux Mondes në avenue de l’Opera e pastaj në Rue Tilsitt, Rue Vaugirard apo Rue Pergolese gjer në largimin e tij nga Parisi më 1931… Kudo ruhet me nostalgji kujtimi i këtij shkrimtari që iku tepër i ri nga kjo botë në moshën 46 vjeçare.