Josephine Baker : J’ai deux amours!

Josephine Baker: «J’ai deux amours!»

Emrin e Josephine Baker e dëgjova pë herë të parë nga Jusuf Vrioni. Ishim ftuar për darkë të dy, bashkë me gratë tona nga një miku i tij industrialist jashtë Parisit, në një shtëpi me një oborr të madh. Miku i tij kishte vënë një muzikë të bukur xhazi dhe i ngacmuar nga muzika Jusufi u ngrit të kërcente dhe pas tij nuk mungova dhe unë. Edhe pse 81 vjeçar ai kërcente si një djalë i ri, me një elegancë të habitshme. I pëlqente shumë të kërcente ashtu siç e kisha parë dhe tek një mikesha ime romanciere në katin e shtatë të një ndërtese pranë qëndrës kulturore ”George Pompidou”. Kërcente bukur danset e vjetra, “charleston”, “slow”, ”blues”, danset e viteve ’30 apo ’50, xhazin mahnitës, kohë kur në Parisin e Saint Germain-des-Près xhazi ishte kthyer në diçka moderne me Boris Vian apo Juliette Greco. Jusufi kishte kërcyer kështu në Paris, në Romë dhe pas luftës në Tiranë, në hotel Dajti por kërcimi i tij u ndërpre, pasi ai do të arrestohej dhe do të burgosej si një gjoja “agjent” i Francës, me pikëpamje perëndimore.

Tek ktheheshim nga ajo mbrëmje, Jusufi më tregonte dashurinë e tij të hershme për xhazin dhe më foli për vitet kur në Paris rinia ndiqte e etur danset dhe këngët e Josephine Baker, muzikën e Duke Ellington apo Djengo Reinhard dhe shfaqjet në Paris të Josephine-s e cila kërcente e shoqëruar dhe nga Louis Armstrrong dhe virtuozët e ardhur përtej Atlantikut. Atëherë Baker, apo “Perla e zezë” siç e cilësonin, kërcente në shfaqjen Revue noire në teatrin e Champs Elysées apo në Casino de Paris e veçanërisht në Folies Bergères, ku dhe filloi karrierën e madhe të saj pas ardhjes nga Amerika. Shfaqja e saj e fundi kishte qenë në Bobino në vitin 1975, kohë kur Jusufi sapo kishte dalë nga burgu për tu marrë pastaj me përkthimin e një letërsie të madhe në gjuhën frënge. Një natë më parë në shfaqjen e saj kishin qenë në rradhën e parë Alain Delon, Jeanne Moreau e shumë personalitete të artit. Të nesërmen, pas spektaklit dhe duartrokitjeve të shumta, Josephine nuk shkoi në darkën e organizuar dhe u tha organizatorëve se ishte e lodhur. Ajo ra të flejë por nuk u zgjua më. Ishte spektakli i fundit i jetës së saj artistike. Perdja e skenës nuk do të ngrihej më për të.

Në kohën kur banoja në Rue de Cels, zbrisja shpesh për në kafenetë e Rue Gaité ku janë pesë teatro në të njëjtën rrugë, tepër të shkurtër, në mes të cilëve dhe Theatre de Montparnasse. Sa herë kaloja, në krah të majtë shikoja reklamat e teatrit të spektakleve të Bobino-s dhe vetëm atë ditë me Jusufin imagjinova atë shfaqje që ajo nuk e kishte menduar se kishte qenë e fundit.

Josephine Baker ishte nga Louisiana e Amerikës. Një artiste në shpirt që në kohën e adoleshencës dhe pastaj në spektaklet e para në Louisiane gjer në udhëtimin e saj të parë drejt Francës për të interpretuar në Theatre des Champs Elysées. Ishte një nga spektaklet e para të yjeve të xhazit ardhur nga brigjet e largëta të Atlantikut. Në rradhët e para poetët Jean Cocteau, Blaise Cendras, piktorët Fernand Leger, Van Dongen e plot të tjerë. Në klarinetë luante klarinetisti më i madh i kohrave Sidney Bechet. Pas shfaqjes në lozhën e saj u shfaq shkrimtari George Simenon që donte ta përgëzonte.

Kërcimet e saj “charleston” kishin lënë gjurmë ndër spektatorët. Pas këtij turneu, një ftesë e menjëhershme i erdhi nga Folies Bergeres një nga vendet më prestigjioze të spektaklit. Dhe ajo e pranoi pa e ditur se që nga ajo ditë ajo do ti përkiste Parisit dhe Francës. Pas premierës në Folies Bergeres në vitin 1926, në darkën e shtruar, një kont i çuditshëm dhe simpatik italian, Giuseppe Abatino, i kërkoi të këcenin një tango dhe një histori dashurie filloi që atë natë. Ishte ai që i kërkoi të hapte një kabare të saj në Paris me emrin Chez Josephine, veç shfaqjeve që do të kishte me Folies Bergeres. Tashmë «perla e zezë» siç e quanin kritikët, ishte bërë një nga yjet e spektaklit në Francë. Shumë shpejt, me turnetë e organizuara në disa vende të ndryshme të Europës dhe botës, emri i saj ato vite do të spikaste akoma më shumë. Pas Folies Bergeres kërcimet e saj vazhduan në Casino de Paris. Kërcime “charlestone“, një seri blues, dans e këngë, rite të vjetra afro-amerikane që u bënë aq të dashura për spektatorin europian. Më 1930 ajo këndoi në Casino de Paris këngën e famshme të saj J’ai deux amours, (Kam dy dashuri), ku njëra nga këto dashuri ishte vetë Parisi, Franca, këngë e cila me pas do të fitonte Diskun e Artë. Tashmë ajo e ka bërë Francën një atdhe të dytë. Por nuk ishte vetëm spektakli: tashmë kineastë të ndryshëm kërkonin që ajo të interpretonte në filmat e tyre, siç ishte filmi i saj i parë Zouzou, ku si parter do të kishte aktorin e ri Jean Gabin. Mjerisht në këtë kohë i dashuri i saj që ajo e quante me përkëdhelje «Pepito» vdiq nga kanceri. Ishte pikërisht në pragun e një turneu të gjatë që do të niste përtej Atlantikut, në Amerikë si dhe në vendet e Amerikës së Jugut. Në Brodway ajo do të këndonte krahas Bob Hope por Amerika atëherë përjetonte ndarjet e mëdha raciale, për çka ajo do të luftonte ku jo rrallë spektaklet e saj të bardhët i bojkotonin. Megjithatë në Kili ishte vetë presidenti që do të përgëzonte në shfaqjen e saj.

Me afrimin e Luftës së Dytë Botërore, në Linjën Maginot, ajo nisej të jepte spektakle për ushtarët francezë që ishin në pritje të një agresioni nga ana e Hitlerit. Dhe ashtu do të ndodhte. Ishte koha kur filloi eksodi i madh i njerëzve drejt jugut të Francës. Shumë qytetarë amerikanë dhe të huaj të tjerë kërkuan ta lënë Francën por Josephine Baker qëndroi. Jo, do të vazhdonte spektaklet dhe do ti shërbente Francës. Dhe ashtu do të ndodhte. Që nga ai çast, duke u lidhur me një nga agjentët specialë të Francës së Lirë të krijuar nga gjenerali De Gaulle në Londër, ajo nisi veprimtarinë e saj të fshehtë ngado që shkonte për spektaklet e saj, në Francë, Madrid, Romë, Lisbonë apo Londër. Në fustanet e saj me hsumë pala fshiheshin gjithnjë dokumente sekrete që i përcilleshin Londrës lidhur me gjendjen e trupave dhe armëve gjermane në Francë. Këtë mision ajo do ta vazhdonte dhe në vendet e Magrebit, në Algjeri, Tunizi, Marok, duke u lidhur me forcat angleze dhe amerikane, me forcat e gjeneralit De Gaulle duke filluar spektaklet vullnetare në shërbim të luftës. Madje në një nga shfaqjet, vetë gjenerali de Gaulle kishte shkuar në lozhën e saj duke e nderuar me “Kryqin e Lorraine”-s për shërbimet e saj ndaj Francës. Në tetor të viti 1944 ajo zbriti në Parisin e çliruar dhe menjëherë, pa humbur kohë dha koncertet e saj në Theatre des Champs Elysées. Shpirti i saj i këndonte lirisë, paqes, Francës së lirë. Kur shkoi në Londër, ishte vetë Churchill që e takoi dhe e falenderoi në emër të Anglisë për shërbimet e bëra.

Pas luftës për Josephine u hap një faqe e re historike, ajo e luftës kundër dallimeve raciale për të cilën luftoi jo vetëm në Francë por kryesisht në Amerikë, në konferencat e parreshtura të saj dhe koncertet në Miami, Harlem e gjetkë. Ishte koha kur organizoheshin Day Baker, ku tema ishte pikërisht lufta kundër racizmit. Disa herë ajo u kërcënua me vdekje në këto kohë dhe padyshim nga anëtarët e Ku-Klux- Klan-it. Por “Perla e zezë” kishte zemër të fortë dhe një kurajo të treguar tashmë gjatë luftës. Asgjë nuk mund ta ndalte në rrugën e saj. Në fundin e viteve ’50, e dashuruar me menaxherin Jo Bouillon ajo shkon në jug të Francës, në Dordonjë dhe vendosin të blejnë një kështjellë. Meqë e kishte humbur fëmijën e tyre Josephine mendoi të krijonte aty Tribunë e Ylberit, një familje të madhe duke adoptuar disa fëmijë nga e gjithë bota. Dhe ajo e krijoi këtë me fëmijë jetimë që i adoptoi si një fëmijë nga Amerika e zezë, një europian, një fëmijë izraelit, një japonez dhe një indian… Diçka utopike por ajo donte ti tregonte botës së qytetëruar një shëmbull për nevojën e një humanizmi të ri. Në shumë nga fotografitë e kësaj epoke tregohen fëmijët e adoptuar të Josephine Baker.

Vitet kalonin dhe ndërkohë Josephine nuk arrinte ta përballonte barrën e rëndë të menaxhimit të kështjellës Melindes ku mbante fëmijët. Koncertet vazhduan në Francë dhe në botë. Në fund të viteve ‘50, shfaqja e saj Paris mes amours është në kulmet e saj. Megjithatë kreditorët e kështjellës nuk pranuan më ta mbështesin duke i kërkuar huatë e dikurshme. Do të ishte aktorja Brigitte Bardot e cila do ti falte një çek prej një milion frangash. E megjithatë, aventura e Melindes mori fund. Tribuja e Ylberit do të vahdonte në një mjedis tjetër ndërkohë që ajo vazhdonte dansin, këngën edhe pse shumë herë e sëmurë dhe në rrezik vdekje. Shpirti i saj jetonte gjithnjë nën tingujt e një “charleston”, “blues”, gjer atë natë në Bobino kur dritat e skenës u mbyllën dhe ato nuk u ndezën më. Jo, perdja e skenës nuk do të ngrihej më siç ndodhte më parë kur ajo shfaqej para spektatorëve të saj të dashur. Të nesërmen e asaj dite, në skenën e zbrazët të Bobino-s dëgjohej vetëm kënga e saj Kam dy dashuri, ashtu si dhe në meshën që u bë në kishën e Madelaine-s apo në vendin kur dikur ajo kishte hapur kabarenë e parë të muzikës xhaz, ku do vendosej më pas një pllakë përkujtimore ku shkruhet: “Josephine Baker. 1906-1975. Artiste e muzik-hollit, pjestare e Rezistencës, militante e të drejtave qytetare, e cila kishte kabarenë këtu nga viti 1926-1928, duke nxitur përhapjen e xhazit dhe të kulturës afro-afrikane».

Kënga Kam dy dashuri do ta shoqëronte deri në banesën e saj të fundit.”Kam dy dashuri / vendin tim dhe Parisin / zemra ime për ta / është gjithnjë e lumtur/…Të shoh një ditë është ëndrra ime e bukur…”

Përballë Bobino-s meditoj sot për jetën e Josephine-s që i dha kuptim jo vetëm artit por dhe gjithë jetës së saj; meditoj për jetën dhe përkushtimin e artistit ndaj artit, për dramat dhe lavdinë e yjeve të skenës. Me vdekjet e tyre të ngjan një çast se dritat e tyre shuhen, por jo. Ato yje e ruajnë gjithnjë zjarrin dhe dritën e dikurshme në qiejt e pafund të artit të madh.

Josephine Baker ka kohë që ka shkuar nga kjo botë. Po kështu dhe Jusufi ynë i dashur që kthehej në një djalosh njëzet vjeçar kur kërcente dhe që në këtë çast më ngjan se ende kërcen nën tingujt e një “charleston”-i…

2 thoughts on “Josephine Baker : J’ai deux amours!

  1. Deshira Shijaku

    Sa bukur e ke pershkruar Luan, je nje artist i lindur…. Jusufin kam patur nderin ta njoh kur isha shum e re, sapo kisha mbaruar fakultetin e gazetarise ne 77 dhe fillova pune ne shtepine botuese “naim frasheri” tirane e Isufi ish perkthyes tek “8nendori” Ishim nje godine, me dy drejtori te ndryshme por me nje kolektiv “njesh”…. Ne kete kohefilluam te mesonim gjuhen frengjishte e fati yne ish qe kursin na i bente Isufi, ky burre i gjate elegand, qevishej me ngjyra te celura(keshtu e kam te fiksuar ne kujtesen time) qe sbriste e ngjiste shkallet e nderteses gjithnje me shpejtedi dhe meqenese ndiqnim kete kurs na pershendeste ne frengjisht… Ish nje fat i madh qe te flisje me te

    Reply
    1. luanrama Post author

      Sa kujtim i bukur… une i paskam bere studimet para teje…te shikoja kur vije ne pallatin perballe meje, ne bulevardin Stalin…urimet me te mira.

      Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *