Interviste me Gazetaren Fatmira Nikolli ne Gazeta Shqiptare – 28 Prill 2020

– Për shkak të masave mbrojtëse të marra nga qeveria prej pandemisë kemi humbur liri e të drejta themelore si ajo e lëvizjes, punësimit, praktikimit të riteve fetare, takimeve e grumbullimeve. Gjer më tash duket si autokraci botërore e justifikuar, ju ç’reflektime ju ka sjellë?

Luan Rama

– Kam ndjekur me interes opinionet e analistëve dhe personaliteteve të mëdha të artit e kulturës perëndimore. Pothuaj të gjithë mendojnë se që të parandalohet përhapja e pandemisë duhen marrë masa ekstreme pavarësisht mbylljes së kufijve, linjave detare e ajrore, anullimit të Lojrave Olimpike festivaleve ndërkombëtare apo spektakleve të artistëve të mëdhenj të planifikuara kohë më parë, etj. Askush nuk është ankuar edhe pse humbjet ekonomike kanë qenë të jashtëzakonshme; askush nuk doli kundër vendimeve qeveritare për ndalimin e tyre, në rang nacional dhe internacional. Miliona e miliarda euro kanë humbur për përgatitjen e tyre. Trump dhe Jonson në Angli e kuptuan tepër vonë gabimin e bërë lidhur me kufizimin dhe ndalimin e lëvizjeve njerëzore duke e lënë popullin në mëshirën e fatit të vazhdonte jetën si më parë. Autokraci botërore është një fjalë e madhe. Nganjëherë para tragjedish të mëdha humbasin parametrat e një jete normale dhe të një qeverisje normale, sado demokratike apo diktatoriale të jenë ato pushtete. Dihet që Bota e Lirë nuk e duron autokracinë. Të gjithë autokratët janë të destinuar të dënohen nga historia Por në këtë rast, politikat kufizuese të lirive janë veç në shërbim të popullit, të shëndetit të njerëzve. E drejta e lëvizjes së lirë? E drejta e grumbullimit, e drejta e manifestimeve?… Në një kohë pandemie kjo është çmenduri ! Dhe atëherë, janë po këta njerëz që i japin të drejtë vetes të kritikojnë qeveritë se përse nuk arriti të shërojë apo shpëtojë jetën e njerëzve.

– A po shkruani, a po lexoni, a po shihni filma? Si e kalon këtë periudhë një njëri i kulturës?

– Kjo periudhë për mua sikur e zgjati kohën e punës së përditshme krijuese, pasi pjesmarrja në veprimtari të ndryshme, udhëtime për konferenca, etj., e kufizonte disi kohën. Krijuesi shpesh do donte që dita të kishte jo 24 por 48 orë, dhe kjo është e kuptueshme pasi në punën krijuese interferojnë familja, takime me miqtë, bibliotekat, kinematë, koncertet, etj. Do të thoja se kjo gjendje, sado kaotike, konfuze dhe kjo atmosferë ankthi të përgjithshëm për shoqërinë, krijuesin nuk e pengon, pasi në vetmi ai e vazhdon aktivitetin e tij letrar apo artistik. Studjuesit vazhdojnë studimet, historianët hulumtojnë, etnologët shkruajnë. Pra kultura ka dinamikën e saj edhe pse e rrethuar nga një lloj “bllokazhi” Gjatë kësaj periudhe kam vënë re se kam lexuar më shumë libra dhe kam parë shumë filma, madje kam dëgjuar dhe shumë muzikë, veçanërisht klasikët, çka nuk do ta bëja në një kohë tjetër. Gjatë kësaj periudhe botova librin me shkrime historike ”Shtigjeve të hershme të historisë” prej 400f. Po përgatis një vëllim të ri poetik ku janë shtuar dhe poezitë e frymëzuara nga situata pendemike që po kalojmë. Po kështu kam në përfundim një vëllim të ri me tregime, gjë të cilën më parë nuk e kisha planifikuar. Përveç shkrimeve të herëpashershme në shtyp, kam përgatitur botimet në “Amazone” tre nga botimet e mëparshme: “Zaratha’s Epistolary”, “En Grece avec les Arvanites”, “Leon Rey à la découverte de l’Apollonie” si dhe të disa librave në shqip, në “EBOOK”. Sa për filmat, ata janë të përditshëm. Shikoj tre-katër filma në ditë, nganjëherë më shumë në rrjete si Netflix apo OSC, “National Géographique”, “Histoire”,etj., kanale ku jam abonuar. Tri filmat e fundit të regjisorit Lars von Tier si «Breking the Waves», «Malencolia» dhe «Antikrishti» më kanë lënë mbresa të veçanta. Po kështu, Cinemathèque Française ka vënë online shumë filma ku preferoj të shoh kryeveprat e vjetra të ekspresionizmit gjerman dhe romantizmit poetik francez, filma të Fritz Lang apo Pabst, Renoir, Clair, filma që i kisha shikuar më parë në arkivin e Kinostudios me Abaz Hoxhën për efekt studimi, pasi ato filma atëherë ishin të ndaluar. Një film si «Engjëlli blu» me Marlen Dietrich është një kryevepër e të gjitha kohrave. Së fundi, dy filma të Spilbergut, apo disa filma nga Jean Luc Godart dhe François Truffaut. Lista është e gjatë dhe kemi shansin e përzgjedhjes. Ndër librat shumë biografi, çka më pëlqejne në veçanti: një biografi e Zhaklin Kenedi, një e Curçill, një e Fitzgerald e po kështu biografi të vjetra si, Kaligula, Neroni dhe Ciceroni, pa folur për romanet apo librat poetikë.

– – Disa prej nesh, me preteksin e një armiku të jashtëm, ka jetuar një izolim tjetër, atë të komunizmit. A keni bërë krahasime mes dy kohëve?

– Preferoj të them më mirë totalitarizmin, që është një term më i saktë. Në totalitarizëm është shkelja totale e të gjitha të drejtave: e fjalës së lirë, e shtypit të lirë, e mungesës së zgjedhjeve të lira, ndryshe nga një vend demokratik. Krahasimet me atë kohë dhe liritë e kufizuara me epokën totalitaritare nuk mund të bëhen. Ndoshta është fjala për udhëheqës autoritar. Kjo është tjetër gjë. Pas pandemisë, autoritarizmi duhet luftuar në mënyrë që Shqipëria, si çdo vend demokratik në Europë të gëzojë të gjitha liritë por njëkohësisht duhet tu përgjigjet dhe të gjitha detyrimeve që kërkon një shtet ligjor. Disa shohin në këto masa të marra në Shqipëri si tendencë për të goditur opozitën, për të mbytur lirinë e grumbullimit, të fjalës lirë, shtypit të lirë, etj. Një europian nuk do ta shikonte me këtë prizëm “cungmin” e të drejtave të njeriut», «kontrollit” dhe «identifikimit» të tij. Kur ato janë në dobi të personit, pse jo? Pasaportat biometrike a nuk janë për këtë qëllim, kamerat e sigurisë, etj? Pas pandemisë, njerëzit, shoqëria civile, opozita, shoqatat e partitë politike do të lëvizin e bëjnë veprimtarinë e tyre ashtu si para pandemisë. Le të vazhdojmë pastaj të organizohemi, të kritikojmë e të bëjmë bllok kundër autoritarizmit, vendimeve abuzive që cënojnë demokracinë e vërtetë.

– -Në mars 1997 Shqipëria ka kaluar një krizë lufte ndryshe prej kësaj. Si e kujtoni atë kohë krahasuar me sot? Cilat qenë liritë e rrezikuara e të mohuara? – A jemi shndërruar si individë? Si e shihni të ardhmen?

– Ajo kohë e viteve 1997-1998 ishte një kohë e keqe. Do doja të mos e kujtonim atë periudhë të errët pasi na ngacmon emocionalisht, por në të njëjtën kohë duhet kujtuar për të kuptuar se ku e çoi paranoja e një lideri politik, siç ishte Berisha, vendin tonë drejt një lufte civile për hir të mbajtjes së pushtetit. As që mund ta përafroj atë kohë me mungesën e lirisë sot edhe pse më mbyllin dhe më caktojnë një orar vetëm për të dalë, dhe kjo për një nevojë urgjente. Do ta pranoja madje dhe më keq. E kuptoj, ju e keni fjalën tek veprimat autoritare, kur liderit politik në fuqi i duket vetja si shpëtimtar i popullit dhe i jepet e drejta për gjithçka. Por duhet të ndalemi te kjo periduhë e pandemisë. Ndalimet dhe masat e mara janë në ndihmë të popullsisë dhe për të parandaluar një infektim masiv që do të çonte në vdekje të mëdha. Ja pse dhe është përshëndetur nga europianët. Eshtë e habitshme: nëse i lë të lirë njerëzit të bëjnë ç’të duan në kohë pandemie, atëherë të ngrihen dhe të kërkojnë llogari, madje të vënë dhe përpara përgjegjësisë duke e akuzuar se përse e la popullin të vdiste. Duhet të shohim edhe se ç’ndodh jashtë Shqipërisë. Ata që i lanë njerëzit të lirë, u quajtën të papërgjegjshëm. Shumë nga vendet kanë marrë masa të jashtëzakonshme dhe kjo ka sjellë rezultate pozitive Jemi në padendemi dhe më duket se jo pak njerëz arrijnë të kuptojnë thelbin e rrezikshmërisë së madhe të “corona virus”. A janë kufizuar liritë? Sigurisht që po! Por kjo është e përkoshme dhe e dobishme.

– A jemi shndrruar si individë? Si e shihni të ardhmen?

– Jo, nuk mund të them se kemi ndryshuar si individë, por nëse më parë ishim të shqetësuar veçanërisht për çështjet ekologjike, mbrojtjen e ambientit, rreziqet e armëve bërthamore apo dhe të krizave në energjinë nukleare siç ka qenë Cernobil, etj, na ka bërë të ndërgjegjshëm që të mendojmë për të ardhmen. Por ky sensibilizim deri më sot kishte gjetur rezistencë në politikat ekonomike të shteteve dhe prirjet e tyre hegjemoniste apo të rivaliteteve në sferat politike, gjeostrategjike, gjeopolitike, etj. Pra një pandemi e tillë na bëri të mendojmë edhe më shumë për të ardhmen tonë, jo thjesht personale, por të njerëzimit, pasi është dukshëm që ka filluar një proces regresiv që synon shkatërrimin e planetit Tokë: ndotjet e mëdha të deteve, oqeaneve, djegjet masive të pyjeve, shkatërrimi i ekosistemeve, ndotja e tmerrshme e artmosferës, shkrirja e akujve, tendencave per të zgjeruar rrethin e atyre që mund të përdorin bombat bërthamore, etj., të gjitha këto, duke i shtuar dhe pandemitë shfarosëse, të bëjnë të kuptosh se njerëzit duhet të detyrojnë qeveritë në ndryshimin e politikave të tyre dhe të mendojnë për ardhmërinë e botës. Vetëm kur njerëzit ndërgjegjësohen të dalin në rrugë dhe të arrijnë të detyrojnë pushtetet autoritare e diktatoriale, vetëm atëherë bota do të marrë frymë siç duhet. Filozofi francez njëqind vjeçar Edgar Moren, në një intervistë të këtyre ditëve shfaqte shqetësimin për rrezikun e madh të shkatërrimin e planetit.

– -Duket se mes më të dëmtuarve nga pandemia do jetë kultura. Çfarë do sugjeronit si politika kulturore të domosdoshme pas kësaj?

– Sigurisht, kultura do e ndjejë në atë që për një kohë të gjatë si në fushën e spektaklit, në muzeumet, teatrot, televizionet, jeta artistike në tërësi, festivalet, botimet, kinematë etj. Kur i rendit sëbashku sigurisht bëhen shumë, pasi të duket se proçesi kulturor ka ndalur, por kjo gjë shumë shpejt do të kalojë (dhe shpresoj se nuk do të harrohet), pasi jeta kulturore do të rinisë përsëri dhe ndoshta edhe më fuqishëm. Kulturat e popujve nuk dëmtohen me pesë muaj apo një vit ndalesë apo ngadalësim të jetës sociale, kulturore e ekonomike. Jeta kulturore, arti e proçesi i krijimit letrar vazhdojnë, piktorët pikturojnë skulptorët gjithashtu, kompozitorët kompozojnë, instrumentistët ushtrohen, pra gjithçka vazhdon por nuk është e dukshme, nuk është në skenën e publikut. Pra dëmtohet në këto raste suporti material por jo arti, kultura.
Politikat kulturore tashmë janë të stabilizuara edhe pse ato duhet të rinovohen hera-herës për të ruajtur raportet e kulturës elitare dhe të kulturës masive. Masa popullore ka nevojë për kulturën elitare, atë krijuese, frymëzuese, e ndërkohë është i nevojshëm edhe zhvillimi i asaj kulture masive, veçanërisht tek të rinjtë, të cilët përbëjnë të ardhmen e shoqërisë. Si diçka e re që duhet të zërë vend në politikat kulturore është zhvillimi i kulturës përmes internetit, formave dhe suporteve gjithnjë e më shumë novatore të tyre ku letërsia dhe arti të gjejnë suporte të reja elektronike dhe më të afërta me publikun, zhvillimi i librit elektronik, pra me një fjalë zhvillimi i një kulture dhe në botën virtuale, ashtu siç po ndodh në shkencë ku konferencat shkencore zhvillohen virtualisht, ku madje praktikohet dhe një mjeksi virtuale. Pra kulturën virtuale ne e kemi parë të zhvillohet vrullshëm këto dy muaj. Artistët e letrarët kanë gjetur suporte të tjera për ta transmetuar artin e kulturën që nga shtëpitë e tyre; muzeumet kanë vënë online ekspozitat dhe thesaret e tyre. P.sh. College de France që është institucioni më prestigjioz i dijes, kurset e saj po i zhvillon virtualisht përmes internetit. «Miss France» që po zhvillohet ndërkohë, kualifikimet bëhen përmes ekraneve…

– – Si mundet individi ta tejkalojë këtë periudhë duke ruajtur shëndetin mendor, në kushtet e një distopie që nuk i dihet fundi?

– Ky padyshim është një problem pasi krijuesit nuk janë të gjithë njëlloj. Ka nga ata pesimistë, ka optimistë, depresivë, ka nga ata me një sensibilitet të brishtë… Bota humane si dhe ajo krijuese përfshin sensibilitete të shumta, për më tepër tek njerëzit e kulturës. Pra atmosfera e ngujimit në një pjesë të tyre është mjaft shqetësuese dhe paralizuese. Por nuk mendoj se do të jetojmë kështu në një lloj distopie, pasi në vendet demokratike ka gjithnjë një zgjidhje. Demokracia nënkupton solidaritetin. Distopia e romanit të Orwell «Viti 1984», në sensin figurativ nuk do të jetë e mundur. Nuk duhet rënë në pesimizëm, pasi shoqëritë tona nuk janë para një katastrofe madhore siç do të ishin para përthimit të vullkaneve, cunameve, goditjeve të tokës nga asteroidet etj, ngritja e nivelit të oqeaneve dhe përmbytja e qyteteve të mëdha bregdetare, çka do të vinin në pikëpyetje ekzistencën e species njerëzore.

– – Teatro, muze, monumente kanë vënë çelësin, duke rrezikuar seriozisht të ardhmen kulturore, atë të mendimit intelektual, produktin artistik dhe mbijetesën e artistëve. Çfarë duhet bërë?

– Sigurisht ashtu si dhe në Shqipëri, kudo u është vënë çelësi institucioneve të kulturës dhe kjo ka qenë dhe është një masë e domosdoshme për të ruajtur popullsinë, shëndetin e njerëzve. Mjafton për të kujtuar një takim fetar në lindje të Francës, në zonën e Muluzës, me pjesmarrjen e rreth tre mijë besimtarëve, që kjo pastaj brenda dy ditëve të shpërndahej në mënyrë të jashtëzakonshme në gjithë zonën e Muluzës. Pra kjo mbyllje e aktiviteteve kulturore, debateven, konferencave, festivaleve, teatrove, kinemave, etj., ishte e domosdoshme, por kjo nuk e prek mendimin e intelektualëve, mendimi nuk cënohet Ajo që cënohen janë suportet e kulturës dhe vazhdimi i tregut kulturor, i cili sigurisht paralizohet. Por kjo duhet të mirëkuptohet. Sigurisht që cënohet dhe mbijetesa e artistëve, pasi kur nuk ka një treg, nuk ka të ardhura. E megjithatë këtu duhet të spikasë roli i shtetit që duhet të përkujdeset për ta dhe ti mbështesë. Në vendet europiane qeveritë kanë marrë masa për të eliminuar taksat ndaj tyre, qiratë e vendeve ku krijohet arti e letërsia apo të institucioneve të kulturës. Në qindra e qindra miliarda euro për të përballuar ekonominë në këtë situatë pandemie dhe së pari shëndetin e njerëzve, janë dhe fondet për të mbështetur njerëzit e kulturës, letrarët e artistët, mjediset kulturore, etj.