Heminguei dhe shija e hidhur e urisë

Rue Cardinal Lemoine, numri 74. Një portë e zakonshme dhe një pllakë përbri ku shkruhet: “Këtu ka jetuar shkrimtari amerikan Ernest Heminguej”. Miku im Spartak Papadhimitri, që kishte dëshirë të gjente shtëpinë ku kishte jetuar autori i tij i preferuar, Heminguej, fotografon duke drejtuar objektivin e tij nga dritaret. Porta hapet, dikush del. Ndërtesa ka mbetur po ajo, banorët kanë ndryshuar, Heminguej ka vite që ka vrarë veten, një mëngjes kur bota iu duk më e trishtë se kurrë. Në Rue Cardinal Lemoine jeta ka rrjedhur, duke lënë pas gjurmët e banorëve të saj.

Kur kishte ardhur fillimthi në Francë, Ernest Heminguej kishte banuar në Rue Descartes, në një dhomë të ftohtë sipër apartamentit ku kishte vdekur poeti Paul Verlaine, ku siç kujtonte ai në librin e tij me kujtimet e Parisit, Parisi, një festë e pambarimtë, “në katin e fundit bënte shumë ftohtë dhe unë e dija sa shtrenjtë bënin një paketë shkrepësesh (margotins), tri tufa me cingla druri të lidhura me një tel jo më të gjata se gjysma e një lapsi që përdoreshin për të ndezur zjarrin që dhoma të ngrohej …”. Por më pas, ai kërkoi të sillte gruan e tij Hadley Richardson. Ata erdhën me anije drejt Normandisë dhe më pas me tren drejt Parisit, në një ditë lagështie të akullt, siç e kujtonte ai, kur ata morën rrugën drejt zemrës së Francës dhe zbritën në fillim në hotel Jacob, të cilën ia kishte rekomanduar miku i tij, shkrimtari Sherwood Anderson. Në fakt, ishte një miku i tyre amerikan, Galantière, që do t’i vendoste në këtë apartament të Rue Cardinal-Lemoine, pranë sheshit Place Contrescarpe, ku dikur kishin jetuar letrarët e mëdhenj, poeti François Villon, autori i famshëm i Baladës së të varurve apo Rabelais. “Apartamenti ynë, – kujtonte ai, – ishte i ngrohtë dhe i këndshëm. Në oxhak digjnim topa dheu përzier me qymyr, në formë veze dhe tutje në rrugë, drita dimërore dukej e mrekullueshme … Tashmë punoja me kënaqësi. U sillja mandarina e gështenja të pjekura në qese letre. Kur kisha uri, portokajtë i qëroja dhe lëkurat ihidhja në zjarr, ashtu si dhe bërthamat. Kisha gjithnjë uri për shkak të udhës që bëja, të ftohtit dhe punës gjatë ditës. Lart në dhomë kisha një shishe kirsch që e kisha sjellë kur isha në mal dhe pija një gllënjkë kur mbaroja një tregim apo ndonjë poezi në fund të punës. Kur mbaroja së shkruari, letrat dhe fletoren i vija në sirtar dhe portokajtë që kishin mbetur i fusja në xhep, sepse po t’i lija në dhomë gjatë natës do t’i gjeja të ngrira. Ishte diçka e mrekullueshme të zbrisja atë shkallare të pafund, duke menduar se kisha fat që e kisha mbaruar punën e nisur. Punoja kështu gjersa mbaroja plotësisht një pasazh dhe ndaloja së shkruari kur e gjeja vazhdimin e tregimit. Por nganjëherë, kur nisja ndonjë tregim të ri dhe nuk arrija të vazhdoja, ulesha pranë zjarrit dhe shtypja mbi flakë lëkurën e portokajve duke vështruar dritën blu që lëshonte, ose në të kundërtën vështroja çatitë e Parisit duke menduar: ‘Mos u mërzit. Deri tani ti gjithnjë ke shkruar dhe do të vazhdosh të shkruash. Ajo që duhet është të shkruash veç një frazë të vërtetë. Shkruaj frazën më të vërtetë që di …’.”

Pas Luftës së Parë Botërore, ku dhe ishte plagosur në frontin italian, Heminguej erdhi në Paris si korrespondent i gazetës amerikane Toronto Star Wekley. Ishte koha kur filloi të shkruante gjithashtu tregimet e para, për të fituar bukën e gojës, sepse jeta në Paris, edhe pse më e lirë se në Amerikë, përsëri kishte probleme të ekzistencës. E megjithatë Parisi e magjepste, pasi kishte filluar periudha e Belle Epoque dhe francezët, pas tragjedisë dhe kasaphanës së madhe të asaj lufte me miliona të vrarë, tashmë donin të gëzonin. Shumë amerikanë kishin zbarkuar në Paris dhe vazhdonin të vinin, veçanërisht intelektualë, të cilët e gjenin Francën jo puritane siç ishte Amerika dhe plotësisht të lirë. Në Rue Fleurus jetonte e famshmja Gertrud Stein me të dashurën e saj Toklas, në rrugën Notre-Dame-des Champs ishte Ezra Paund. Më pas, Fitzgerald me gruan e tij tekanjoze do të vendosej në një rrugë pranë Harkut të Triumfit, të tjerë vazhdonin me ngazëllimin për të jetuar aventurën parisiane dhe shijuar kafenetë e Montparnasse, veçanërisht La Coupole, Le Dome, Closerie des Lilas, La Rotonde … Në fillim Heminguej punonte në dhomën e tij në ato kushte të vështira, në një ambient të ftohtë gjatë dimrit, që siç do t’i shkruante një ditë mikut të tij Dos Pasos, “çdo ditë, nga ora shtatë e mëngjesit, me stomakun që më dhembte dhe duke pirë gjithë natën kam punuar si një bir kurve”. Më pas filloi të shkonte nëpër kafenetë, ku ishte më ngrohtë. Kur miqtë e tij e panë për herë të parë të punonte gjatë ditës në kafene, ata iu drejtuan: “Hem! Ç’bën këtu? Tani ke filluar të shkruash nëpër kafene!? …”.

Hemi- Spartak

Operatori S. Papadhimitri para ndërtesës

ku ka banuar Heminguej në vitet ‘20

Ulur në një kafene në Place Saint-Michel, ku shpesh merrte një café au lait, një ditë Hemi, siç e thërrisnin shkurt miqtë e tij, po shkruante, kur ja, një vajzë simpatike ulet krah tij, në tavolinën në cep të dritares “me një fyty të njomë që i shëmbëllente mondedhave tê reja të sapo hedhura në qarkullim dhe flokë të zeza si krahët e një korbi…” . “E shikoja atë dhe menjëherë më kapi një gjendje tjetër, – do të kujtonte ai më vonë. – Doja ta vendosja atë vajzë në tregimin që po shkruaja, por ajo ishte ulur në atë mënyrë që të mbikëqyrte rrugën dhe hyrjen e kafenesë, pra unë e kuptova se ajo priste dikë. Kështu vazhdova të shkruaja. Dhe tregimi sikur shkruhej vetë, aq sa e kisha vështirë ta ndiqja ritmin e të shkruarit.Kërkova një rum tjetër Saint-James dhe sa herë ngrija sytë vështroja atë vajzë, veçanërisht kur mprehja lapsin dhe ashklat e tij binin në pjatën e gotës që kisha përpara …Të pashë ty vajzë simpatike thashë me vete, pavarësisht se cili është ai që ti pret, madje dhe nëse nuk do të të shohë më. Ti tashmë më përket mua ashtu siç më përket gjithë Parisi, ndërsa unë, unë i përkas kësaj fletoreje dhe këtij lapsi … Më pas ngrita sytê dhe pikasa se ajo vajzê ishte larguar. Urova të kishte ikur me ndonjë djalosh të hajrit. Megjithatë u trishtova…”.

Fillimet e jetës parisiane për Heminguejin padyshim ishin të vështira. Gazetarit të ri i duhej të përballonte jetën e tij dhe të gruas së tij të bukur, të paguante qiranë, të rrisnin fëmijën e tyre Bumby dhe të shijonte jetën parisiane, me të dashurat e tij, si zonja Pffifer etj. Dhe ndodhte që hera-herës ai të linte pa ngrënë ndonjë vakt që të mund të pinte një rum të Martinique-s apo një Saint-James, e në veçanti verërat e mira franceze dhe sigurisht ato me çmim të lirë. Shijen e urisë ai e kujtonte në librin e tij mbi kujtimet parisiane, kur i pangrënë, një pasdite, shkoi në librarinë e mikeshës së tij të re Sylvia Beach në Shakespare & Company. “Je tepër i dobët, – më thoshte Sylvia. – A ushqeheni mirë? – Sigurisht! – Çfarë hëngrët për drekë? … Por ndërkohë dhembjet e kishin pushtuar stomakun tim dhe unë i thashë: – Sapo hëngra në shtëpi para se të vija këtu. – Në orën tre? – Ah, nuk e dija që ishte kaq vonë …”

Sapo ishte larguar nga kjo amerikane e ëmbël që gjithashtu jetonte me të dashurën e saj parisiane dhe merrej me botimin e Uliksit të James Joyce, ai kishte kaluar nga bistro Lipp dhe ishte futur menjëherë duke e mallkuar atë jetë spartane që po bënte. Menjëherë kishte porositur një pjatë me patate të skuqura dhe një krikëll birre një litërshe. Hemi, siç e thërrisnin miqtë, kujtonte gjithnjë dhe kohën kur i uritur shkonte në muzeun e Palais de Luxembourg, buzë kopshteve të mrekullueshme, që aq shumë i adhuronte Verlaine, i cili kishte banuar një kohë buzë atij gjelbërimi të mrekullueshëm, të përshkruara aq bukur nga Victor Hugo te Të mjerët. Hemi e pëlqente shumë pikturën dhe jo më kot kishte lidhur miqësi në fillim me Picasso-n e pastaj me Miro e miqtë e tyre. Paul Cezanne-in e pëlqente shumë. Dhe kështu, i uritur, ai vështronte tablotë e mjeshtrit të madh në ekspozitën e hapur në Palais de Luxembourg, ku siç shkruan ai “po ta kishe barkun bosh, të gjitha tablotë dukeshin më të qarta dhe më të bukura se zakonisht. Kështu e kuptova më mirë Cezanne-in sesi ai arrinte të pikturonte peizazhet. Pyesja veten nëse dhe ai kishte pasur uri apo jo kur pikturonte. Por pastaj mendoja se ndoshta ai harronte të hante … ”.

Por Hemi ishte gjithnjë i uritur edhe pse ndonjëherë, kur i vinin paratë nga gazetat amerikane, ai zbriste me gruan e tij Hadley dhe shkonte në ndonjë restorant, siç kujtonte dhe një natë të veçantë: “Ne hëngrëm një darkë të mrekullueshme te restorant Michaud, por kur mbaruam dhe kur u gjetëm mbi urë, ndjenjën e urisë e kishim ende. Kjo ndjesi vazhdoi edhe kur hymë në dhomë, madje edhe kur ramë të flinim dhe kur në errësirë bëmë dashuri. Por edhe kur u zgjova dhe para dritares së hapur pashë dritën e qartë të hënës mbi çatitë e shtëpive të larta, ajo ndjesi ekzistonte ende. Qëndrova në hije të asaj drite hëne, por s’mund të flija, i zgjuar me shpirtin e pushtuar nga ajo ndjesi. Gjatë natës ne u zgjuam dy herë dhe ramë sërish. Gruaja ime flinte me fytyrën e ndriçuar nga drita e hënës, ndërsa unë tentoja ta mposhtja këtë obsesion … Por Parisi ishte qyteti më i vjetër dhe ne ishim të rinj e asgjë nuk ishte e thjeshtë, madje as varfëria, as pasuria e papritur, as e keqja, as fryma e një qenieje të përgjumur në krahun tuaj, nën dritën e hënës …”.

Në vitin 1925, kur sapo ishte kthyer në Paris nga Amerika, ai shkonte në një nga lokalet e preferuara të tij Dingo bar, në Rue Delambre. Një ditë një djalosh amerikan i afrohet. Ishte një shkrimtar i panjohur: Scott Fitzgerald, një djalosh që iu duk mjaft simpatik. Disa ditë më vonë ata u takuan sërish në lokalin e famshëm të poetëve dhe artistëve në Closerie de Lilas, në fund të bulevardit Montparnasse, ku Scott i kërkoi Hemi-t t’i lexonte dorëshkrimin e një romani që sapo kishte shkruar dhe që donte ta botonte: Gatsby i mrekullueshëm. Dhe romani i mikut të ri, Hemin e entuziazmoi. Miqësia e tyre do të vazhdonte me vite në Paris. Madje dhe kur Hemi bënte boks me mikun e tij gazetar Malroy Callaghan, në sallën e gjimnazit American Club, ishte Fitzgerald që arbitronte ndeshjet e tyre. Hemi ishte një boksier i shkëlqyer. Ndërkohë, në revistën amerikane Scriber’s botoheshin me radhë kapitujt e romanit të ri Lamtumirë armë, çka po i jepnin famë shkrimtarit të ri. Në fakt, pas crash boursier dhe krizës ekonomike që pllakosi Amerikën dhe pastaj gjithë botën, shumë amerikanë vërtiteshin në lagjen e Montparnasse. Ajo që i grishte më shumë ishte liria e individit, aventura, klubet dhe prostitucioni i lirë parisian, por dhe një jetë mjaft e pasur artistike, pasi që nga fillimi i shekullit, në Paris kishin zbarkuar artistë nga e gjithë bota. Pikërisht në Paris, ai kishte njohur Gertrud Stein, një nga intelektualet më në zë amerikane që jetonte atëherë në Paris rreth së cilës mblidheshin artistët më në zë si, Picasso, Miro, Braque, Juan Gris etj., dhe veçanërisht shkrimtarët amerikanë të ardhur në kryeqytetin francez. Ai shkonte shpesh në shtëpinë e saj. Ajo përpiqej ta largonte Hemin nga gazetaria dhe ta drejtonte drejt letërsisë. “Ajo ishte një grua shumë e fortë, por jo shtatlartë, – kujtonte Hemi. – Kishte trupin e një fshatareje, por sytë i kishte të bukur në atë fytyrë të ashpër të një hebreje gjermane”. Nganjëherë, nga mënyra e veshjes dhe flokët e saj të gjatë e të bukur, kjo grua, që “peshonte 100 kg, e shëmtuar, e pasur dhe dominuese, por mjaft e mençur dhe poetike”, i dukej si “një fshatare e Italisë së Veriut”. Madje ishte ajo që i dha dhe emrin e “Brezit të humbur” letërsisë amerikane të asaj kohe. Duke kujtuar këtë episod, Hemi shkruante, sesi një ditë ajo ishte nervozuar me garazhistin dhe gomën e prishur të makinës dhe kishte shfryrë drejt tij: “Ju të gjithë jeni një ‘brez i humbur’. Ju dini veçse të pini dhe asgjë tjetër. – Vallë a më ke parë të pirë? – i thashë. – Jo, por miqtë e tu pinë!” … Dhe më pas ajo kishte shtuar: “Oh, mos vazhdo të flasësh për këtë Heminguej. Ju jeni një ‘brez i humbur’ …”.

Këto ishin vitet e para të Heminguejit në Paris, çka lidhen me atë apartament të Rue de Cardinal Lemoine dhe me “shijen” e urisë që e ndiqte gjithnjë. Më pas, jeta e shkrimtarit të madh amerikan do të ndryshonte, e megjithatë, këto vite, ai apartament, Parisi i asaj kohe, dashuritë, miqtë, aventurat në arenat e toreadorëve, gjithçka do të mbetej magjike për të, siç e ka shkruar dhe në librin e dashur të tij Parisi, një festë e pambarimtë: “Parisi nuk është gjithnjë i njëjti. E megjithatë është Parisi. Dhe nëse ai ndryshonte, edhe ju ndryshonit po ashtu … Parisi s’ka të mbaruar dhe kujtimi që ruajnë njerëzit ndryshon nga njëri-tjetri. Ia vlente gjithnjë të shkoje në Paris, pasi nga dashuria që i jepje, merrje dhe ti diçka në kthim. I tillë ishte Parisi i rinisë sonë, në kohën kur ishim shumë të varfër dhe shumë të lumtur …”.