Frojdi – tributë e gjeniut

„Acheronta movebo“ – “Edhe ferrin do ta trazoj”

Në dorëshkrimin e veprës së tij madhore „Interpretimi i ëndrave”, Frojdi kishte shkruar anash termat latine: „Acheronta movebo“ – që do të thotë „Edhe  ferrin do ta trazoj“. Dhe jo më kot. Frojdi (Freud) e dinte se po shkelte në terene të pashkelura më parë, në zona të errta të shpirtit njerëzor ku askush nuk kishte shkelur më parë: madje në botën e ëndrave. Cili ishte ky ferr? Vallë ishte vërtet një ferr apo diçka e lindur bashkë me „’homo sapiens“? Sigurisht, diçka që vinte nga mugëtira e kohrave, nga shekujt e largët të gjenezës së shoqërisë njerëzore, nga qytetërimet e vjetra e më pas ato greko-romake. Dhe ferri u trazua. Frojdi filloi të depërtojë në errësirat e thella, në atë që atëhere konsiderohej „anomalitë njerëzore“. Frojdi ishte i bindur në misionin e tij dhe se po zbulonte diçka të madhe shkencore edhe pse e pranonte, siç do të shkruante ai më pas në një letër dërguar mikeshës dhe pacientes së tij Marie Bonaparte, stërmbesës së Napoleonit, se „Gjenitë janë njerëz të padëshirueshëm. Familja ime mund t’ju thotë se sa i kollajshëm jam në jetën e përditëshme. Pra nuk jam një gjeni“. Megjithatë Frojdi e la gjurmën e tij historike si një gjeni. Që nga vdekja e tij më 1939, korrente të shumta filozofike përqafuan idetë e tij, duke përshkuar shtigje të tjera të psikoanalizës, një prej të cilëve ishte francezi i famshëm Lacan.

Në këtë 150 vjetor të lindjes së tij, përkujtimi i emrit të Frojdit vjen fill pas përkujtimit të 250 vjetorit të Amadeus Mozart, vienezit tjetër të madh, i cili e ngriti muzikën në piedestalet dhe në shkëlqimet më të mëdha. Qindra veprimtari i janë kushtuar themeluesit të psikoanalizës: ekspozita, konferenca, kolokiume, retrospektiva kinematografike e dokumentare, etj që lidhen me jetën dhe veprën e Frojdit. Mijra vizitorë vizituan shtëpinë e tij në Vienë, në 19 Bergasse, ku ai kishte dhe kabinetin e tij dhe ku kaloi 78 vjet të jetës së tij, apo shtëpinë e tij ku kaloi momentet e fundit të jetës, në Hampstead të Londrës (në 20 Maresfield Gardeus), kur u detyrua të largohet nga histeria naziste meqë ishte çifut, dhe ku është divani i famshëm (origjinali) i Frojdit ku për 40 vjet ai vendoste mbi të pacientët e tij për të bërë analizën e psikikës së tyre. Pikërisht atje në Londër, shtëpia ku më pas do qëndronte vajza e tij psikoanaliste, Ana Frojd, do të kthehej nga ajo në muze, ku gjënden gjithashtu dhe 6 mijë letra të Frojdit. Interesant është fakti që ai divan u kthye në një lloj simboli apo miti, i cili tërhoqi artistë të mëdhenj si Andy Warhold apo Marx Erns, të cilët i u referuan në veprat e tyre divanit të Frojdit.

Influenca e Frojdit gjatë shekullit XX ka qënë padyshim e jashtëzakonëshme, edhe pse të tjerë psikoanalistë shkuan në drejtime të tjera, apo filozofë të tjerë e kundërshtuan atë (filozofi francez Gilles Deleuze me veprën e tij “Anti-Edipi”), por baza e tij, studimi i inkoshiencës, ishte një revolucion i madh, të cilin disa historianë e kanë krahasuar me zbulimet e mëdha në fushën e shkencës, duke kujtuar Kopernikun, Galileun e të tjerë. Mendimi i Frojdit ishte padyshim një rrugë e rë dhe revolucionare për të kuptuar thelbin e shoqërisë njerëzore dhe të njeriut vetë. Shumë studjues, biografë e kanë përqasur gjithashtu teorinë frojdiane dhe me inferioritetin femëror, nisur nga jeta personale e intime e tij. Dhe në fakt vetë Frojdi e ka shprehur kërtë nël ibrin e tij „Seksualiteti femëror“, duke shkruar se „gruaja e njeh faktin e kastracionit (ndrydhjes së dhunëshme) dhe me këtë ajo njeh gjithashtu superioritetin e burrit me inferioritetin e saj“. Të kutojmë se bëhet fjalë për fundin e shekullit XIX-të, kohë kur gruaja ishte ende nën pushtetin e burrit.  Në fakt këto ide të Frojdit lidheshin dhe me jetën e tij bashkëshortore, pra me Martha Bernayes, e cila ishte totalisht e eklipsuar nga jeta shkencore dhe publike e Frojdit, duke ju përkushtuar familjes. Nga ana e tij, Frojdi kishte adhurueset e veta, të cilat ishin njëkohësisht dhe pacientet e tij si Marie Bonaparte, Lou-Andreas Salomé, një nga gratë më të bukura e të çuditëshme të asaj kohe, etj.

Psikoanaliza do të jetë thelbi i vetë jetës së Frojdit. Interesant është dhe fakti kur një ditë, për ti shpjeguar vajzës së tij 14 vjeçare, Ana, se çfarë ishte psikoanaliza, ai i kishte thënë: “A i shikon ato ndërtesa me façada të bukura ? Por gjërat nuk janë gjithnjë kaq të bukura sa ç’shihen në façadë. E njëjta gjë ndodh dhe me qëniet njerëzore”. Dhe kështu Frojdi vazhdonte të depërtonte dhe analizonte atë ç’ka fshihej pas fasadës njerëzore. Padyshim nje kërkim i vështirë, i lodhshëm, cfilitës dhe me njëmijë pyetje të cilave ështirë ti përgjigjeshe. Një nga kërkimet e tij interesante ishte “seksualiteti fëminor”. Tek Frojdi, “seksualiteti fëminor” nuk është aktiviteti seksual siç është tek të rriturit, por më tepër “kërkimi i kënaqësisë”. Cdo individ, pavarësisht nga mosha është në kërkim të kënaqëisë dhe kërkon ta plotësojë këtë nevoje duke përdorur një pjesë të trupit të tij apo tëm jedisit që e rrethon. “Seksualitetin fëminor” Frojdi e ndante në disa periudha të moshës fëminore si stadi oral (nga lindja deri nëm oshën 18 muajshe); stadi anal (deri në moshën 3-4 vjeç); stadi “phallique”, pra ai i penisit apo më pas “kompleksi i Edipit”, ku pikaset agresiviteti dhe xhelozia në marrëdhëniet at-bir e më gjërë. Profesori i letërsisë së krahasuar në universitetin e Uashingtonit, Mikkel Morch-Jacobson, duke i u referuar mitit të Edipit dhe transformimit në teori nga ana e Frojdit, shkruan : « Për Frojdin dhe dishepujt e tij, ishte « auto-analiza » e bërë në nëntor të vitit 1897 ajo që i lejoi atij të zbulonte kompleksin e Edipit. Në një letër dërguar Wilhem Fliess, Frojdi kujton një udhëtim me tren me nënën e tij, nga Lajpcingu drejt Vienës, kur ai ishte dy vjeç e gjysëm. Ai mendon se në këtë moment ai e ka parë të jëmën nudo dhe ka ndjerë « libido », pra kënaqësi ndaj saj ». Më pas, Frojdi i shkruan mikut të tij se «kam zbuluar ndjenjën e dashurisë ndaj nënës dhe të xhelozisë ndaj babait, dhe këtë e konsideroj si një ngjarje universale të fëmijërisë së njeriut në përgjithësi». Duke bërë këtë përgjithësim fantastik, ai na la pas teorinë e universalitetit të kompleksit të Edipit».

Eshtë e njohur studimi i tij rreth Hansit të vogël, djalit të një mikut të tij. Frojdi shkruan se si lindja e motrës së tij të vogël e vendos atë në një gjëndje xhelozie, pasi ai humb vendin e të qënit objekti i vetëm i dëshirës së nënës së tij. Po kështu thëniet e nënës së tij se “po bëre faj do ti themi doktorit që të ta presë bibilushin”, fëmijën e tmerron. Ai fillon të identifikohet me penisin… Nga imagjinarja, fëmija kthehet në realiteti, duke parë penisin si produkt të vetvetes. Por Frojdi kërkon të depërtojë dhe në jetën apo fëmijërinë e gjenive të artit, siç bëri ai me studimin që botoi për jetën dhe krijimtarinë e Leonardo Da Vinçit, nisur nga refleksionet rreth disa episodeve të relatuara nga jeta e Da Vinçit. Edhe pse faktet më pas nuk dolën se ishin reale, pavarësisht nga kjo, në planin e përpunimit të teorisë së tij, ato janë mjaft domethënëse. Pikërisht në tekstin Një kujtim fëmijërie e Leonardo Da Vinçit, shfaqen idetë e tij të para mbi narcisizmin. Por ky tekst është njëkohësisht dhe mjaft kuptimplotë rreth sublimitetit dhe krijimit të artit.

Frojdi hapi padyshim një shteg që të çonte në depërtimin e botës njerëzore gjer në skutat më të fshehta dhe më të errta të saj. Por njeriut të sotëm i mbetet ende shumë rrugë për të bërë në këtë fushë, për të dshifruar atë çka ndodh në të vërtetë në trurin dhe shpirtin tonë, në endrat, përfytyrimet dhe fantazmat tona, në pasionet, jetën seksuale, frikën ndaj vdekjes, ankthet, emocionet në gjithshka që përmbledh impulset e jetës sonë. Vallë gaboi Frojdi që vuri „libido“-n në bazë të teorisë së tij ? Libido ! Bota e çliruar me shfaqjen e feminizmit modern dhe bota e dikurshme apo dhe e sotme e kastruar (ku ndrydhen ndjesitë dhe dëshirat seksuale) në botën fetaro-muslimane apo atë të mirëfilltë totalitare, ku njdjenjat ndrydheshin me anë të forcës, burgut, internimit, me dënimin e homoseksualëv me burgje të rënda dhe përçmim “vrasës”, dhe ku nuk mund të flitej për fjalën „libido“, edhe pse një gjeneral i famshëm, besnik i partisë, masturbohej për të shfryrë dëshirat e tij përballë asaj që ishte e „pamundur“. A është vallë „libido“ në esencë të akteve tona ? Libido + koshience (ndërgjegje) + inkoshiencë.

Frojdi, ky pesimist i madh që influencoi mendimin e shekullit të XX-të duket se na ka treguar udhën për të deshifruar diçka nga ëndrat dhe dëshirat tona…

Kush ishte Sigmund Frojd?

Sigmund Frojd, një nga gjigandët e filozofisë dhe mjeksisë moderne, lindi më 6 maj të vitit 1856 në një qytezë të vogël në Freiberg të Moravisë, (sot Pribor i Republikës Çeke, 200 km larg Vienës), në një familje çifute gjermanofone. Babai i tij ishte një tregëtar i stofrave, por 3 vjet më vonë ai do të falimentonte dhe familja u detyrua të instalohej në Lajpcing. Një vit më vonë ata u larguan që andej dhe u vendosën në një lagje çifute të Vjenës. Në adoleshncë, për provimet e shkollës, Frojdi përktheu veprën e Sofokliut Edipi mbret dhe që atëhere Edipi do të bëhej një personazh qëndror në jetën e tij filozofike. 16 vjeçar, ai kaloi një aventurë me nënën e një prej shokëve të tij të shkollës. Në vitet universitare studjoi filozofinë dhe i përkushtohet fiziologjisë dhe mjeksisë. Në moshën 20 vjeçare ai hyri në rrethet shencore të Vjenës dhe studioi biologjinë në Trieste të Italisë. Më pas u lidh me shkencëtarin e njohur Josef Breuer. Pikërisht në këtë kohë ai e ndroi emrin e tij Sigismund në Sigmund. Më 1882 ra në dashuri me Martha Bernayes, e cila ishte pesë vjet më e madhe se ai. Një vit më vonë provoi kënaqësinë e kokainës. Botoi studimin Uber coca, rreth efekteve të dobishme të kokainës në terapi, çka solli sulmet e kolegëve të tij vienezë. Në këtë kohë filloi të shkruajë për ëndrat dhe interpretimin e tyre. Me filozofin Ernst Brucko ai studjoi efektet e kokainës mbi organizmin e njeriut. Më 1886, në Vjenë, ai hapi një klinikë private ku punoi si neurolog duke perdorur gjithashtu dhe elektro-terapinë. Me Martën do të kenë 6 fëmijë, 3 djem dhe 3 vajza. Në vitin 1887 ai filloi të praktikojë hipnozën dhe u zgjodh anëtar i Shoqatës Mjeksore të Vjenës. Botoi disa studime dhe përmes një burse filloi të punojë në Francë, së pari pranë një prej profesorëve më të shquar të kohës në fushën e neurologjisë dhe histerisë, profesori Jean Charcot. Ai do ta adhuronte profesorin francez dhe do ti shkruante të dashurës së tij se „Charcot po i shkatërron idetë e mia. Vallë fara e tij a do të prodhojë tek unë frutet e veta ? Nuk e di, por dije se askush gjer më sot nuk ka patur një influencë kaq të madhe tek unë se sa ai“.

Në këtë kohë Frojdi studjon fenomenet e histerisë, të hipnozës dhe të sugjestionit. Ai do të thellohej në idenë e profesorit Charcot se për të shëruar histerinë duhej shkuar drejt “gjësë gjenitale”. Më pas ai praktikoi metodën „catharsis“ të përpunuar nga Breuer, ku i kërkohet pacientit të hipnotizuar që të kërkojë në kujtesën e tij rrethanat e shfaqjes së simptomave të sëmundjes. Duke shkruar rreth histerisë ai do të nënvizonte : “Njeriu sëmuret nga histeria në sajë të një kujtimi. Eshtë ringjallja haluçinante e një skene që ka luajtur një rol të veçantë dhe të rëndësishëm në sëmundjen“. Më 1895, bashkë me Breuer, botoi Studime mbi histerinë, ku ai shkruan për Ana O. një nga pacientet e tij dhe që është hapi i parë i teorisë frojdiane dhe frut i një pune dhjetë vjeçare me pacientët që vinin në kabinetin e tij. Pas kësaj ai do të përdorte termin  „psiko-analizë“. Më 1887 ai i shkruan mikut të tij Wilhelm Fliess se „i sëmuri që më preokupon më shumë është vetja ime“. Gjëndja e tij ishte mjaft e rëndë, por sidoqoftë studimet e tij njohin suksese të veçanta. Më së fundi ai e braktisi teorinë e histerisë dhe i u kushtua psikoanalizës, duke pohuar se ka zbuluar „kompleksin e Edipit“. Eshtë koha kur ai vazhdon të përdorë kokainën dhe të pijë shumë duhan. Më 1898 botoi veprën e tij Seksualiteti dhe etiologjia e neurozave. „Shkaqet më domethënëse të çdo semundje neorotike, – shkruante ai, – duhen kërkuar tek faktorët që lidhen me jetën seksuale“.

Një vit më vonë botoi Interpretimi i ëndrave dhe më pas emërohet professor në universitetin e Vjenës me titullin „Dozent“. Në këtë periudhë ai u njoh me psikiatrin e famshëm zviceran Carl Jung me të cilin do të ketë një miqësi të gjatë dhe një admirim të veçantë. Më 1905 botoi „Tri ese mbi teorinë seksuale“, ku flet gjërësisht mbi seksualitetin në moshën fëminore. Më 1914, Frojdi nuk u deklarua kundër luftës që shpërtheu në Europë dhe dy djemtë e tij u mobilizuan për të shkuar në front. Çuditërisht, emrat e fëmijëve të tij ishin të lidhura gjithnjë me njerëz të shkencës dhe politikës që ai kishte amdiruar: Olivieri ishte quajtur kështu në kujtim të Oliver Cramwell, politikanit që kishte ndihumuar çifutët për tu vendosur në Angli ; Ernst, në kujtim të mikut të tij, fiziologjistit Ernst von Brücke ; Sofia, në kujtim të emrit të mbesës së mikut të tij profesorit Hammerschlag apo Anna në kujtim të bijës së këtij profesori, etj.

Botimet e tij shkencore u bënë gjithnjë e më të njohura në rrethet shkencore të të gjithë botës. Por shoqëria e tij e gjatë me Jung, më së fund mori fund. Më 1915 botoi librin Inkoshienca dhe një vit më vonë Mësime paraprake në psiko-analizë, Zija dhe Melankolia (ku fut nocionin e ndjenjës së fajit), etj. Në vitin 1918 filloi analizën me vajzën e tij Anna (Ana) Frojd, me të cilën kishte lidhje shumë të afërta, fakt që u bë i njohur vetëm në vitin 1960. Madje Ana dinte dhe historitë e fshehta dashurore të Frojdit, në një kohë që nëna e saj, apo gruaja e Frojdit, ishte në shtëpi. Analiza me të bijën u zhvillua nga viti 1918 gjer në vitin 1921, për tu përsëritur përsëri në vitet 1924-1925. Megjithatë shënimet rreth kësaj analize psikike nuk janë bërë ende të njohura dhe mbahen në arkivat e “Muzeut Frojd”. Një pjesë e këtyre arkivave do të happen vetëm në vitin 2013.

Në vitin 1920, Frojdit i vdes vajza e tij Sofia. Ndërkohë, Ana Frojd futet në Komitetin e fshehtë të Psikoanalizës që ishte krijuar nga Frojdi dhe miqtë e tij. Më 1925 Frojdit i shfaqet një kancer në gojë. Djali i vajzës së tij i vdes ne moshën 4 vjeçare nga turbekulozi dhe kjo ngjarje e trondit rëndë. “Nuk mund ta duroj këtë dhimbje të madhe, – shkruan ai. – Më duket se kurrë në jetën time nuk kam provuar një dëshpërim të tillë”. Por vetë Frojdi është një i sëmurë rëndë. Atij i duhet të verë një protezë në gojë, në nofullën e sipërme, në mënyrë që të flasë, të hajë apo të pijë duhan. Më 1925 ai takoi në Berlin gjeniun tjetër të shekullit, Anjshtajnin dhe më pas u njoh me shkrimtarin e madh francez Romain Rolland. Ai tashmë ishte një personalitet mjaft i njohur dhe Hollivudi i propozoi 100 mijë dollarë për një film për dashuritë e tij të famëshme, por ai nuk i pranoi. Ndërkohë u njoh dhe me shkrimtarin e shquar gjerman Thomas Mann. Më 1933, librat e tij janë në turrën e librave që digjen nga nazistët në sheshet publike. Madje në vitin 1938, një grup nazistësh kontrollojnë në shtëpinë e tij dhe arrestojnë të bijën, Anën, të cilën më pas e lëshojnë. Pas botimit Le Moi et le Ça (1923), të Pengesa, simptoma dhe ankthi (1926), të Aveniri i iluzionit (1927), Gjëndja e vështirë e kulturës (1930), në vitin e fundit të jetës së tij ai arriti të botonte dhe Moisiu dhe Monoteizmi, lidhur me refleksionet e tij mbi qytetërimin judeo-kristian. Gjendja e tij në këtë kohë ishte tepër e vështirë pasi ai në fund të fundit ishte një hebre. Ja pse me ndërhyrjen e presidentit amerikan Ruzvelt, ai mundi të shkonte në Londër ku turmat entusiazte londoneze e pritën si një hero të vërtetë. “Për herë të parë dhe në moshë të thyer, – shkruan ai, – kuptova se çdo të thotë të jesh i famshëm”. Por dhimbjet e kancerit i u bënë të padurueshme. Atëherë, i vendosur, ai i kërkoi mjekut të tij personal që ti bëjë një inxheksion me një dozë të fortë morfine që të mund ti jepte fund jetës së tij. Kështu, njeriu i madh, darvinisti që filloi të interesohej për monoteizmin në fundin e jetës së tij, tashmë e kishte trazuar ferrin njerëzor: „Acheronta movebo“…Ky ferr ka mbetur i trazuar ende dhe sot.