Dy Poezi

Pasqyrë e thyer

Ai e theu pasqyrën dhe shkoi

një pasqyrë dashurie.

Ti e more ashtu të krisur

dhe në të shikoje fytyrën çdo ditë

netë dashurie, pëshpërima, fjalë

kujtime të thyera

ngjizur në atë pasqyrë

që s’mund të fshiheshin,

dhe pastaj zemërimi i pakuptimtë,

ikja e tij si një erë e marrë

me gjethet dhe degët që binin.

Ti e mbajte atë pasqyrë

për tu parë çdo ditë

trishtin dhe shpresën

për tu krehur në diell

mërmëritur një këngë të vjetër dashurie

duke riparë gjithçka tuajën, ndër vite,

buzë të rreshkura

sy të gëzuar

të vrarë

dhe mall…

Ti përgjumesh…

Ti po përgjumesh, tutje

në cepin tjetër të botës

nën dritën e zbehtë që luhatet

si në një tablo të George de la Tour

dhe letra të bie nga duart

pa mundur ta kapësh sërish

pasi ti e ke lëshuar veten,

këmbët, gjinjtë, llërët e paputhur

mbi lumin e munguar të dëshirës

që të çonin në brigje të tjerë,

të ngrohtë, të nxehtë,

në ujra që mund të të mbajnë lart pa u ndjerë

nga mijra puthje,

e frymë mistike

pasi ne i jemi dorëzuar shpirtit,

pezull mbi humbëtirë

pa ditur asnjëherë se çdo të ndodhë nesër

se ku do të ndodhen trupat tanë …

Ti po përgjumesh nën dritën okër

diçka belbëzon në gjuhë shenjtësh,

kur hije kalimtarësh shkojnë të zgjojnë ditën

por dy sy të ëmbël të përgjojnë

pa mundur ta kuptojnë Fjalën

të parën Fjalë

të fundin Fjalë,

pasi ajo ka mbetur brenda buzëve të tua

dhe duhet ti puthësh ato që Fjala të shfaqet hirëplotë…