Në rininë tonë të viteve ’70-’80 të shekullit XX, John Dos Passos ishte i panjohur, siç ishin gjithashtu Scott Fitzgerald, William Faulkner, Tennesse Williams, Sherwood Anderson e të tjerë. Nga anglosaksonët ne njihnim vetëm amerikanët Ernest Hemingway, Walt Whitman, Theodore Draiser apo John Gollsuorth e padyshim Longfellow për poemën e tij kushtuar Skendërbeut, heroit tonë kombëtar. Ndërsa nga britanikët sigurisht Shakespeare dhe disa autorë të tjerë, por jo modernët e shekullit XX. Për Dos Passos më kishte folur fillimthi miku im i universitetit Bashkim Hoxha, i cili kishte arritur të gjente fshehurazi disa kopje të revistës letrare sovjetike Inostranaja Literatura (Letërsia e Huaj) që botohej në Moskë dhe që botonte krijime nga shkrimtarët e mëdhenj të botës. Në një nga numrat ishte një tregim i Dos Passos dhe Bashkimi e mbante këtë autor për shkrimtar shumë të madh.
Secili nga shkrimtarët e artistët anglosakson të kryeqytetit francez kishte Parisin e tij. Dhe unë pyesja veten: cili është Parisi i Dos Passos? Ku ishin gjurmët e tij? Më pas padyshim do ti njihja këto veçanti dhe së pari Parisin human, atë të anglosaksonëve dhe të francezëve me të cilët ai rrinte, së pari miqtë e Kryqit të Kuq Amerikan ku shërbeu në qendrën – Passy-Mouette, mqësia me Hemin dhe Fitzgerald, me poetin e shquar Edward Cummings,[1] kafenetë në Closerie des Lilas, Dingo Bar, La Rotonde, vendet ku jetoi në 42, quai de la Tournelle në vitet 1919 – 1921; rruga drejt Notre-Dame des Champs, Kopshtet e Luxembourg-ut, miqtë e tij të tjerë si Henry Miller, Ezra Pound, Blaise Cendras; Montparnasse-in ku takohej me Hem, Sinclair Lewis, Sherwood Anderson… Parisi i tij ishte gjithashtu në 252, Rue du Faubourg de Saint-Honore me sallën Pleyel ku u mbaj Kongresi Antifashist Botëror ; ishte 2, Rue de Greuze ku banonin Sara dhe Gerald Murphy; ishte 33 quai d’Anjou në ishullin Saint Louis të Parisit mbrapa katedrales së Notre Dame. Gjurmë të shumta, kujtime, frymëzime letrare, shkrime dhe ëndrra për të ardhmen e botës njerëzore.
Romanet e Dos Passos i lexova vetëm kur erdha në Paris në vitet ’90, kohë kur doja të zbuloja dhe letrarët e mëdhenj të përtej oqeanit. Në The best times (Belle vie) Dos Passos përshkruante një lloj kronike të jetës së tij që nga fëmijëria e më pas duke përshkruar kohën kur si ushtar ishte mobilizuar në ambulancat e Kryqit të Kuq Amerikan në Francë, në frontin e Verdun-it, jetën e tij në Paris, udhëtimet në Madrid e Lisbonë, kthimin në New York e më pas fillimin e aventurës së tij letrare. Por faqet më interesante ishin padyshim ato që i përkisnin Parisit, Francës dhe miqësisë së tij me Hemingway-in.

Në muajt e fundit të vitit 1918 ai zbarkoi në Francë me kompaninë e tij të ambulancave ushtarake. Parisi, edhe pse në grinë dhe trishtin e luftës e magjepsi menjëherë. «Rrugës në Paris, – kujtonte ai, – bleva një nga botimet e para të Uliksit dhe pata rastin ti shtrëngoj dorën Joyce-it, atij njeriu të zbehtë dhe indiferent që mbante syze të errta dhe që mblidhej kruspull pranë sobës në pjesën prapa librarisë së Shakespeare and Company.
Dos ishte një lloj kronisti dhe ishte i etur për të parë pjesën më të bukur të Europës e cila ende ishte në luftë. Ishte fundi i luftës, megjithatë betejat vazhdonin në veri-lindje të Francës. Ai mbërriti në Paris në një natë të ftohtë në stacionin e trenit në Quai d’Orsay dhe ato pak ditë që qëndroi me kompaninë e tij nisi të vizitonte Parisin, të bridhte poshtë Senës, të shkonte drejt katedrales Notre Dame për të parë shapelën e shenjtë dhe më vonë u nis drejt Chalons-sur-Marne. Ishte koha kur filloi ofensiva e madhe franceze në Verdun ku kishte dhe njësi të shumta të ushtrisë amerikane. Ushtarët amerikanë priteshin ngado me entusiazëm nga populli, çka Dos Passos-it i bëri shumë përshtypje. Pikërisht në frontin e Avoncourt ai pa vërtet se ç’ishte lufta ku binin të vrarët e të plagosurit rënkonin ngado. «Shkonim drejt një lumi të përbaltur dhe rrugës shikonim pamjet e tmerrshme të kuajve të gazuar me sytë e tyre të dale e të çakërdisur që mezi merrnin frymë. Çdo pesë-gjashtë kilometra ne zbrisnim nga makina për të nxjerrë ç’kishte barku. Në fund të gushtit morrëm vesh se ofensiva kishte qenë e suksesshme…»
E megjithatë lufta vazhdonte në fronte të tjera. Natën ata gjendeshin nën breshërin e bombave të topave prusiane. Batalione të ushtrisë amerikane luftonin në front. Meqë atë e caktuan në Kryqin e Kuq të sektorit Italian, ai u kthye në Paris për tu nisur pastaj drejt Italisë. Amerikanët i prisnin ngado gjithë gëzim. «Sapo kisha mbaruar pesë librat e Rabelais si dhe Satiricon, – kujtonte ai. Duke u përgatitur për Italinë alternoja leximet e Petrones me Nuova Vita të Dantes. Pikërisht atëherë zbuluam Place des Vosges. Shkonim nëpër koncerte dhe shikonim tablotë e pikturave në Rue de la Boetie. Pastaj zbrisnim Senës dhe ktheheshim hipur në «bateau-mouche». Atëherë gjetëm lokalin Rendez-vous des Marinières të zonjës Lecomte. Kisha një dhomë në katin sipër dhe aty isha bërë si i shtëpisë.»
Më pas, karvanet e makinave të Kryqit të Kuq Amerikan nga Fontainebleu u nisën drejt Loires, Nevers dhe zbritën poshtë drejt Ventimilie në drejtim të veriut italian. Pastaj ai do të merrte rrugën drejt Milanos, Romës dhe gjer në Pompei të Napolit. Por pas disa muajve ai do të kthehej përsëri në Paris meqë donte të regjistrohej për studime në Sorbonne. Parisi ishte si i dehur dhe kabaretë gjëmonin nga kënga. «Të pimë se nesër mund të vdesim!- ishte parulla e atyre ditëve.Të gjithë pinin nëpër kabaretë e Montparnasse, Modigliani, Max Jacob, Soutine e Picasso pinin ne bristronë e Rosalisë së dashur e të bëshme me atë çorbën e saj të mrekullueshme. Rugës Dos pikëtakoi shumë amerikanë, anglezë e kanadezë. Më së fundi zbarkoi përsëri tek zonja Lecomte në quai d’Anjou. Në mbrëmje, mikut të tij, amerikanit Jack Lawson, i lexonte pasazhe nga dorëshkrimi i tij i titulluar Tre ushtarë. Edhe Lawson shkruante bukur. Ishin ditë të lumtura, shëtitje buzë Senës, bredhje në bulevardet e Parisit, Place de Concorde. «Le të përfitojmë nga jeta», mendonte ai duke kujtuar të vrarët e të plagosurit e shumtë që kishte mbartur në duar në frontin francez. Natën shkonin në kabaretë e Quartier Latin të dëgjonin muzikë dhe këngë franceze. Opera Louise e Charpentier në Comedie-Française i kishte ngazëllyer të gjithë. «Në sektorin e Verdun-it, – kujtonte Dos, – isha njohur me doktorin Lucas-Championère, i cili kur erdha në Paris më ftoi në shtëpinë e tij. Ishin aristokratë nga Vendée e monarkistë. Ai mendonte se po vinte fundi i Revolucionit Francez. Motra e tij Germaine ishte një vajzë e qetë, me sy dhe flokë të bukura. Kishim pothuaj të njëjtat shije dhe shpejt tentova ta merrja në sallat e koncerteve. Eric Satie ishte në modë. Ngado dëgjohej Debussy apo Ravel. Kur arrija që të më ftonin për çaj, Germaine luante në piano muzikën e Milhaud. Që të dy e donim tmerrësisht Pélleas e Mélisande. Ajo këndonte dhe unë mërmërisja vargjet duke u ngjitur rrugën Rue de Clichy, në numrin 52…» Një miqësi e madhe lindi në sallën Gaveau të Parisit. Askush nuk e di nëse kjo miqësi mes tyre u kthye në dashuri apo jo pasi ndryshe nga Hemingway që i tregonte gjërat dhe dashuronte shpejt me atë zemrën e madhe që kishte, Dos ishte një i ri i përmbajtur dhe intim. Në atë kohë Dos nisi të shkruajë dhe një artikull për kompozitorin Milhaud që i pëlqente shumë.
Restoranti i zonjës Lecomte ato kohë ishte kthyer në një vend pikëtakimi për amerikanët që ndodheshin atje në vitin 1918-1919. “Atë kohë isha në katin e shtatë të qiellit” kujtonte Dos, siç e thërrisnin shkurt shokët e tij. Ndërkohë ai priste të ç‘mobilizohej që të mund të ndiqte studimet por shpejt kompania e tij u nis përsëri dhe atij iu desh të marrë rrugën drejt Spanjës dhe Portugalisë deri sa më së fundi morën vaporrin për tu kthyer në New York ku do të qëndronte pak kohë. Lufta kishte mbaruar. Europa numuronte të vdekurit e saj, një katakombë e vërtetë. Miliona të vrarë e të gazuar, miliona të tjerë të gjymtuar. Pas ç’mobilizimit ai u nis drejt Stambollit, Teheranit, Bagdadit, Damaskut të Sirisë për të zbuluar botën e Orientit, për të cilën do të shkruajë më pas.
Korrespondenca me Germaine do të vazhdonte gjithnjë pasionante. Dos udhëtonte dhe i shkruante letra që para pak vitesh janë botuar në Paris në një libër më vete, ku botuesit dhe kritikët i kanë lënë tekstet ashtu siç janë shkruar pasi ai i shkruante direkt në frëngjisht por me gabime ortografike çka i jepnin atyre letrave sharmin e vet dhe një stil origjinal. Dy vjet më vonë Dos do të njihej në Paris me Hemingway-in. Ishte viti 1921. Të dy ishin nga Chicago dhe Dos ishte disa vjet më i madh. Atëherë Dos donte të shkruante një libër për proletariatin amerikan roman që do të botohej më vonë, në vitin 1925 me titullin Manhattan Transfer, mbi jetën e puntorëve të New York-ut në dekadat e para të shekullit XX. Të dy shkrimtarët u simpatizuan menjëherë pasi ata i lidhte jo vetëm pasioni për letërsinë por dhe idetë e tyre të majta. Në fakt Dos ishte më i majtë se Hemi çka e tregoi me mbrojtjen e jashtëzakonshme që u bëri të dy sindikalistëve të pafajshëm emigrantë Sacco dhe Vancetti. Ai e simpatizonte Revolucionin e Tetorit dhe në Paris mori pjesë në Kongresin Antifashit Botëror në sallën Pleyel, ku ishin dhe Maxim Gorki, Barbusse, Roland, Enstein, Henrich Mann etj.
Dos dhe Hemingway e vendosën shtabin e tyre të punës në l’Ile Saint Louis, pas katedrales Notre Dame, në 33, Quai d’Anjou, në Hotel-restorantin Des Mariniers kohë kur Hemingway shkruante romanin Dielli lind gjithashtu dhe i lexonte episodet e dorëshkrimit. Shoqëria e tyre ishte shumë e fortë dhe madje familjare aq e ngushtë sa dhe Dos merrte pjesë në larjen e foshnjës së Hemit dhe Hadley-it në apartamentin e tyre në Rue de Notre-Dames des Champs ku ngjitur ishte një punishte sharre ku priteshin dërrasat për karpentierët. Dos tregonte histori mjaft të këndshme për vitet që kishte kaluar me Hemin në Paris. Ai kishte spikatur dhe shijen apo pasionin e tij për pikturën, çka e kishte vënë re dhe Gertrude Stein. Dhe ja çfarë tregonte ai: “Më kujtohet dita kur Hemi bleu një tablo të Juan Miro që titullohej Ferma. Atëherë mu desh të kërkoja para andej – këndej. Në atë kohë të gjithë jepnin apo merrnin para borxh. Hem mendoi se mund ta blinte për dy-tre mijë franga dhe ishte i shqetësuar se mos dikush ia hiqte nga dora me një shumë më të madhe. Dhe ai arriti ta sjellë triumfalisht në shtëpi. Edhe sot ajo tablo është vepra më e mirë e Miro-s dhe vetëm tani e kuptoj vlerën e saj”.
Dos kujtonte dhe një histori tjetër kur tregonte për Hemin, i cili ishte i pasionuar dhe mjaft sportiv. “Unë nuk dija ti jepja biçikletës ndërsa Hemi ishte i çmendur pas garave çiklistike. Vishte një bluzë me vija si ato të çiklistëve të Tour de France dhe ngiste biçikletën në bulevardet anësore të Parisit, me gjunjët që i ngriheshin deri tek veshët dhe hundën tek timoni. Në atë kohë kujtoja se kjo gjë ishte një budallallëk por atëherë Hemi e kuptonte mirë shakanë…” Një herë tjetër Hemingway e kishte marrë me vete të arbitronte një ndeshje boksi që do të bënte.
Historitë e dy miqve janë të shumta pasi ata ishin shumë të lidhur, madje dhe për të parë demat e “koridave” në Pomplemune të Spanjës ata shkonin bashkë. “Kohë më kohë e takoja Hemin në Closerie des Lilas, – vazhdonte kujtimet Dos. – Pinim nga një vermut dhe flisnim për vështirësinë që ai kishte për atë çka po shkruante. Që të dy lexonim Testamentin e Vjetër dhe më shumë pëlqenim Kantikën e Deborah, Kronikat dhe Mbretërit. Libri i tij Në kohën tonë (In Our Times) sapo ishte botuar dhe unë i bëja publiçitet. Thoja se Hemi do të jetë stilisti i parë i madh amerikan pasi ai e shkrinte stilin e tij të një gjuhe telegrafike me atë të Biblës dhe King James. Duhej të ishte në pranverë sepse ishim ulur në kopështin e vogël që krijohej në formë trekëndëshi mes dy bulevardeve. Më kujtohet se një zambak i vërtetë kishte çelur para Closerie des Lilas. Pasi bridhnim, ktheheshim nga sharrat (shtëpia e Hemit) nga ora pesë pasdite…”
Duke kujtuar fillimin e viteve ’20 në Paris, Dos kujtonte dhe një histori tjetër që kishte pasur në shoqërinë e Hemit. «Entusiazmi i Hemit ishte ngjitës. Edhe pse unë nuk i doja fare bastet në garat e kuajve ai arriti të më çonte atje. Pretendonte se do të fitonte një shumë të madhe dhe një pranverë e ndoqa në Longchamp dhe Auteuil ku bëheshin garat. Mua më shumë më pëlqente spektakli se sa bastet dhe paratë. Nga Degas kisha mësuar ti doja kuajt dhe «jockey»-it. Në një nga hipodromet kishte gara me pengesa dhe miku ynë Harold na mbushi mendjen të vinim bast për një kalë të vogël që s’kishte ndonjë emër. Na u betua se do të fitonim shumë para. Që të dy mblodhëm disa qindra franga dhe u nisëm në hipodrom. Harold kishte biseduar me kalorësin që të shkonim ta shihnim kalin. Ishte një kalë me ngjyrë të errët dhe shumë nervoz, të cilin e përkëdhelëm. Vetë jockey na tha se dhe ai kishte vënë bast gjithë kursimet e tij dhe se do fitonte. Padyshim ishte një kalë që kërcente lart por kur vuri këmbët në ujë papritur ai doli nga korsia, e hodhi poshtë jockey-in e tij dhe iku si shigjetë në një drejtim tjetër. Kërceu shumë pengesa që mos ta kapnin. Ne humbëm gjithçka por vdiqëm së qeshuri. Kur u ktheva në Paris më së fundi u binda se as unë dhe as Hemi nuk i kishim mundësitë të vinim në lojë aq para por ne gjithçka e morëm me të qeshur…”
Në Paris, që kur kishte zbarkuar me kompaninë e ambulancave, ai ishte takuar dhe me mikun e tij të universitetit të Harward-it, Edward Cummings, një poet i ri i cili pas pak ishte kapur nga policia franceze sepse me një shokun e tij flisnin gjëra të dyshimta dhe kundër luftës. Ata i arrestuan por pas disa javësh Cummings me ndërhyrjen e të atit u lirua. Ditët në Paris lanë një gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e tij, atmosferë e ngjarje të cilat do të hynin dhe në poezitë e tij, siç është dhe një botim poetik i Seghers pas luftës, vepër ku gjen imazhet dhe shpirtin parisian. Sidoqoftë, në kohën kur Dos erdhi përsëri në Paris ai u lidh shumë me Cummings. Madje në The best times tregohet dhe një histori për të qeshur që i kishte ndodhur atij me Cummings kur ata kishin kaluar një mbrëmje në Café de la Paix në krah të Opera Garnier dhe pastaj kishin zbritur për nga Rue Rivoli. Meqë Cummings donte të bënte shurrën para se të hynin në një lokal tjetër, ai u fut në një rrugicë të errët pa krye por menjëherë ishin shfaqur dy agjentë policie që kishin bërtitur: «Shuronjësi!… Kapeni shurronjësin» Rreth asaj mbrëmje gazmore Dos shkruante: «Ata e kapën dhe e çuan menjëherë në postën e policisë ndërsa unë i ndiqja pas duke u thënë se ai ishte një poet i madh i Amerikës dhe se ne, unë dhe ai, i kishim shërbyer “Francës së Bukur” për ta shpëtuar nga “Gjermani i poshtër” duke shtuar pastaj Vive la France dhe Vive America! Por policat e futën brenda dhe kur duke protestuar tentova të hyja nga pas ata më flakën dhe më larguan manu militari. Pata fat që nuk më arrestuan dhe mua. Të nesërmen Cummings kishte letrën në dorë që të paraqitej në gjykatë. Para gjykimit, miku ynë Gilbert e njoftoi menjëherë Paul Morand-in autorin e librit E hapur gjatë natës i cili na pëlqente dhe na dukej interesant. Atëherë Morand ishte një funksionar në Quai d’Orsay dhe nuk e pati vështirë aspak të anullonte padinë. Me këtë rast Cummings bëri një seri vizatimesh duke më paraqitur të kapur nga policët që po më flaknin jashtë me kapelen që më fluturonte tutje postës së policisë…»
Lufta e Spanjës do ti ndante dy miqtë e vjetër, Dos dhe Hemi. Dos u shkëput nga ata intelektualë që mbështesnin gjithnjë Bashkimin Sovjetik dhe vazhdoi jetën e tij letrare, duke anuar tashmë nga e djathta. Megjithatë miqësia e tyre kishte qenë diçka e bukur, e pastër dhe e mbushur plot jetë. Dhe ai do ta kujtonte të tillë. Pas luftës, ky kronist i jetës dhe botës, ky shkrimtar militant, u kthye në Amerikë për t’iu kushtuar letërsisë dhe veprave të ardhshme të tij si me trologjinë tij të njohur U.S.A që përmban romanet Paraleli 42, Viti 1919 dhe Galeta e madhe. Megjithatë ashtu si për Cummings edhe për të vitet parisiane mbetën sa nostalgjike aq dhe frymëzuese në krijimtarinë e tyre.
[1] Edward Cummings 1894 – 1962, poet, shkrimtar, eseist dhe piktor, autor i 2900 poezive ku përgjithësisht i thyen rregullat e drejtshkrimit duke krijuar një tip të veçantë poetik. Njohës i letërsisë antike siç ishin dhe Gertrude Stein apo Ezra Pound.