Dorëshkrimet e detit të Vdekur

Kur shkon në Izrael, një nga mrekullitë e mëdha veç tempujve të vjetër si Muri i Lotëve, Kopështi i Ullinjve, Via Dolorosa, Varri i Krishtit apo Portat e Jeruzalemit, është dhe Deti i Vdekur, një det dikur i lundrueshëm, por që prej dymijë vjetësh quhet «Deti i Kripur». Ky det, që izraelitët e sotëm e quajnë «Yam ha Melakh», është një det i mbyllur dhe i mbytur nga kripa, duke u shterur nga viti në vit. Kur futesh të lahesh në «Detin e Vdekur» të duket sikur futesh në një det vaji dhe sapo del, rrezet e para të diellit e përthajnë kripën dhe ti shpejt mbulohesh nga një cipë kripe e bardhë. Ky është Deti i Vdekur, të cilin e përshkruan në kronikat e tij Flavius Jozef. Në një nga përshkrimet e tij, ai tregon dhe se si romakët, që nuk e njihnin Detin e Vdekur, hodhën nga anija një turmë robërish hebrenj të lidhur, me idenë që t’i mbysnin por ata kishin shpëtuar meqë uji i kripur i kishte mbajtur gjithnjë lart.

Dorëshkrimet e Detit të Vdekur nuk janë thjesht një kuriozitet shkencor. As historia e shkrimit të Biblës, apo e përkthimit dhe e botimit të saj në shekujt e mëvonshëm nuk është thjesht një dëshmi historike, e largët për botën tonë. Të interesohesh sot për ato do të thotë të interesohesh për rrënjët dhe burimet e një kulture të vjetër ku është mbrujtur ndërgjegja e popujve tanë; popujt e një zone të gjërë gjeografike që kapërcen Mesdheun dhe Europën, ku në më shumë se dy mijë vjet, konstitucioni shpirtëror, letërsia dhe bota shpirtërore me ritet e saj, artet e historia e mendimit, janë ngjizur me profecitë e vjetra të Detit të Vdekur dhe në tregimet e mëpasme biblike. Mjafton të përmendësh faktin se nga shkolla pikturale italiane e «Quatrocentos» e më vonë, nga Rembrandt-i e deri tek Marc Chagall në shekullin e XX, tema biblike ka qenë nga më të fuqishmet dhe mbresëlënëset.

Pikërisht buzë Detit të Vdekur, pasi kalon kështjellën e famshme dhe një nga kështjellat më heroike të rezistencës hebraike ndaj romakëve, Masada, tutje ku fillojnë shkëmbenjtë e thepisur dhe shkretëtirat, në Kumran, janë gjetur dorëshkrimet më të vjetra hebraike që ekzistojnë deri më sot. Zbulimi i tyre përbën padyshim një nga aventurat më të mëdha të paleografëve në fushën e dorëshkrimeve të vjetra gjatë shekullit XX. Çfarë ishin ato dhe kush i kishte shkruar? Si u zbuluan dhe u deshifruan duke u bërë të njohura për gjithë njerëzimin? Vallë ishin ato një pjesë e bibliotekës hebraike të Antikitetit?

Beduinët dhe aventura e pergamenëve

Në dimrin e viteve 1946-1947, tre barinj të tribusë Ta’amre, ruanin dhitë në afërsi të vendit të quajtur Khirbet Qumran (Kumran), jo larg nga gjurmët e një qytetërimi të vjetër hebraik. Pikërisht në ato rrëpira marramendëse, një çast dhitë u zhdukën dhe duke i kërkuar e kacavjerrë, barinjtë gjetën dy vrima jo të mëdha. Ata hodhën gurë në to dhe menjëherë e kuptuan se ishin shpella të vjetra. Hodhën litarët dhe zbritën. Habia e tyre ishte e madhe kur në atë mjedis të thatë, u shfaqën para tyre qypa të panumurt si dhe dorëshkrime që ishin lënë rrëzë shkëmbinjve që prej njëmijë vjetësh. Që atëherë askush nuk kishte mundur t’i prekte ato. Sigurisht gjuha e këtyre kodikëve të vjetër ishte e panjohur për ta, por idea se mund t’i shisnin tek ndonjë antikuar, i bëri t’i merrnin disa prej tyre por ata nuk e dinin se në duart e tyre kishin marrë me vete dorëshkrimet më të vjetra të shkruara nga hebrenjtë: Rrodhanin e Isakut, Manualin e Dishepullit dhe Komentuesin Habacue.

Disa javë më vonë ata u kthyen dhe veç asaj shpelle filluan të kontrollojnë dhe në shpellat e tjera pranë. Më së fundi, rrodhanët e mbledhur, të futur nëpër thasë, i çuan në Bethlehem, në dyqanin e një tregëtari antikuarësh i quajtur Ibrahim Ijha. Atëherë Bethlehemi ishte në zonën palestineze. Tregëtari dyshoi se ata i kishin vjedhur diku dhe nuk deshi të ngatërrohej me këtë histori, duke u thënë se ato nuk i interesonin por se mund të shkonin tek një arab kristian, i quajtur Kando. Dhe ashtu ndodhi. Arabi Kando ua bleu për 5 livra palestineze dhe menjëherë mendoi të fitonte dhjetëfishin e tyre. Duke menduar fillimthi se ato ishin shkruar në gjuhën siriake, ai iu drejtuar metropolitit Athanas Josué Samuel në manastirin e Shën Markut. Për habinë e metropolitit, dokumentet e ardhur nga Kumrani ishin shumë të vjetër dhe të shkruar në parshëmen, mbi lëkurë dhie apo delesh dhe të mbledhur në rrodhan. Ai e kuptoi se kishte në duar një thesar të rrallë. Kështu filloi dhe aventura e dorëshkrimeve të Detit të Vdekur që për një kohë të gjatë mbetën në duart e metropolitit dhe antikuarëve, të shpërndarë në disa vende gjersa më së fundi ranë në duart e paleografëve dhe ekipeve të specializuara. Meqë atëherë bëhej luftë, nga frika se mos digjeshin bashkë me manastirin, metropoliti Samuel i dërgoi në Liban dhe që andej, me njerëzit e tij i nisi në Amerikë. Meqë studjuesit amerikanë treguan interes të veçantë, ai e rriti çmimin e 7 rrodhanëve, edhe pse një epigrafist hebre, Eleazar Sukenik, kërkonte me ngulm t’ia blinte. Vite më vonë, kur Jordania kërkoi t’i fuste në dorë këta rrodhanë, duke e akuzuar metropolitin si hajdut të pasurisë kulturore, përmes një lajmërimi të botuar në Wall Street Journal, metropoliti i shiti ato për 250 mijë dollarë. Por ai që i bleu, nuk ishte tjetër veçse i biri i epigrafistit izraelit Sukenik, që kishte kohë që ishte vënë në gjurmë të tyre.

Shpejt, në rrënojat e qytetërimit të vjetër Khirbet-Qumran filluan punën ekspeditat e arkeologëve. Rrodhanët e parë ngjallën interesimin e veçantë, veçanërisht të izraelitëve. Deri në fund të vitit 1947 ishin zbuluar 7 rrodhanë, por gjatë viteve 1952-1956, u zbuluan dhe 10 shpella të tjera të Wadi-së, po në Kumran, ku u gjetën shumë materiale e mbishkrime me një vlerë të jashtëzakonshme. Beduinët që e mësuan se dorëshkrimet e shpellave mund të shiteshin shtrenjtë, filluan të gjurmojnë në shpella të tjera në zonën përreth dhe nuk vonoi që gjetje të tjera u shfaqën në pazaret e Palestinës. Ndërkohë historianë të shumtë në qëndrat më të mëdha historike të botës filluan të hedhin hipotezat e tyre: vallë këto dorëshkrime ishin pjesa që kishte mbetur nga biblioteka e pasur e Jeruzalemit apo kishin të bënin me bibliotekën e «esenianëve» të tërhequr nga Jeruzalemi, meqë atëherë ata ishin në kundërshtim me judaizmin zyrtar të Jeruzalemit? Kur ishin shkruar ato? Nga kush? Vallë ishin shkruar vërtet në periudhën e viteve 250 p.e.s. deri në vitin 60 të erës sonë, që është dhe data e largimit të banorëve «esenianë», pasi Kumrani u shkatërrua plotësisht nga romakët? Shumë pyetje lidheshin me dorëshkrimet për të cilat filloi një konkurrencë e madhe se kush t’i vinte në dorë, jo vetëm midis institucioneve, dhe në rradhë të parë studjuesve izraelitë dhe studjuesve katolikë të mesazhit biblik, por edhe midis shteteve, pasi më parë Kumrani ishte nën juridiksionin e Jordanisë, por pas «Luftës së Gjashtë Ditëve» më 1967, zona kaloi nën kontrollin Izraelit dhe si përfundim edhe dorëshkrimet e gjetura në Kumran. Sigurisht, Vatikanit i interesonin së tepërmi këto dorëshkrime, meqë lidheshin me Testamentin e Vjetër, para Krishtit.

Zbulimi i Kumranit për paleografët, arkeologët dhe historianët ishte një parajsë e vërtetë shkencore. Tashmë, përmes «karbonit 14» mund të saktësohej me ekzaktësi vjetërsia e tyre. Dorëshkrimet e Kumranit ishin të dy llojeve: të natyrës biblike dhe jo biblike, pra të llojit të tregimeve historike. Në këta rrodhanë kishte dhe pjesë nga Libri i Jakobit, nga Pentateque apo Eksodi, nga Deuteronome, etj. Disa kodikë ishin dhe në gjuhën e vjetër aramene, (para hebraishte), si Apokrifi i Gjenezës, Testamenti i Levit, fragmente nga Henoch Targun, etj. Autori anonim apokrif i Gjenezës kishte një gjuhë të bukur. Ai i këndonte veç të tjerash dhe bukurisë së Sarës, gruas së patriarkut Abraham, atit të hebrenjve:

«Sa e bukur është fytyra e saj, sa të admirueshme e të buta i ka flokët. Të ëmbla janë sytë e saj, të hijshme janë gjinjtë me bardhësinë e tyre. Po krahët, sa të bukur janë! Dhe këmbët po ashtu, të përsosura. Asnjë virgjëreshë apo nuse që hyn në dhomën e saj natën e parë të martesës, nuk është aq e bukur sa ajo…»

Ndërkohë, një ekip i kryesuar nga prifti domenikan, biblisti i njohur dhe studjuesi i Shkollës Biblike dhe Arkeologjike të Jeruzalemit Roland de Vaux, nisi hulumtimet dhe bëri studimin shkencor të teksteve të Kumranit. Në 200 dorëshkrimet e botuara në Shkrime hebraike, gjenden pothuaj gjithë librat e Biblës hebraike, përveç Librit të Esther-it dhe Libri i Nehemie-s. Në «bibliotekën» e Kumranit, ku u gjetën dhe plot psallme liturgjike (himnet pseudo-davidike), apo tekste të vjetra me një gjuhë paleo-hebraike me 22 shkronja, (që siç duket është huazuar nga fenikasit), janë dhe librat e parë si Libri i Tobit apo Ben Sira, si dhe Letra e Jeremisë, të cilat nuk janë përfshirë në Testamentin e Vjetër të integruar në Bibël, siç ekziston ajo dhe sot. Përveç rrodhanit të Himneve apo Këngës për Holokaustin e Sabbat në shpellat e Kumranit u gjet dhe një dorëshkrim i shkruar në fleta të mëdha bakri me gdhendje dhe në gjuhën hebraishte, ku studjuesit deshifruan se në të shkruhej për vendet e fshehta nëpër Jude, ku ishte fshehur thesari i Tempullit të shkatërruar gjatë revoltave të hebrenjve në vitin 66 dhe 70 të erës sonë.

Që në fillim rezultoi se dorëshkrimet e shpellës numër 4 ishin dorëshkrimet më të pasura, pasi ato përmblidhnin 500 dorëshkrime. Meqë ishte zbuluar nga beduinët, vite me rradhë qëndroi enigma nëse dhe dorëshkrime të tjera ishin shitur andej-këndej nga beduinët dhe që i përkisnin pikërisht shpellave të Kumranit. Pas bashkimit të fragmenteve të shumta të gjetura në Kumran, filloi puna e deshifrimit dhe e përgatitjes së tyre për botim. Eleazar Sukenik deshifroi rrodhanin e shpellës numur 1; rrodhanet e Samuelit u deshifruan dhe u përgatitën për botim nga J. Trever, M. Burrow dhe W. Browie të «Shkollës Amerikane të Kërkimeve Orientale». Një sensacion më vete bëri në atë kohë deklarata e profesorit të njohur të Sorbonës, në Paris, André-Dupont Sommer, i cili pohoi se në tekstet e vjetra të Kumranit dhe në ato të krishterëve të parë të Krishterimit, kishte gjetur përngjasime të mëdha. Deri në atë kohë, ishte një lloj herezie të konsideroje një lidhje midis kristianizmit dhe judaizmit, por profesori Sommer, përmes teksteve vërtetoi se atë që kërkonte prijësi shpirtëror i esenienëve, të njëjtën gjë kërkonte dhe Zoti i Galileut, Jezu Krishti, pra predikimi i pendesës, përuljes, varfërisë, ndihmës dhe dashurisë për tjetrin, besnikërisë bashkëshortore.

Koleksioni Schechter

Në vitin 1897, studjuesi i universitetit të Kembrixhit, rabini Solomon Schechter (1947-1880), nga dy mikesha të tij që vinin nga Kajro dhe që i dhanë dhe disa fletë të vjetra të çuditshme, ishte informuar për ekzistencën e disa librave të vjetër në sinagogën afro mijëvjeçare të Kajros të quajtur Ben-Ezra. Pasi dalloi në to disa gjurmë tepër të vjetra të librave hebraikë, Schechter u nis t’i kërkonte vetë ato. Ai u fut në depon plot pluhur që hebrenjtë e quanin «gueniza» apo arkivi sekret i sinagogës dhe duke rrëmuar në atë grumbull të parregullt e të paprekur prej shekujsh nga dora e njeriut, kishte shtënë në duar Shkrimet e Damasit. Ky ishte rrodhani i parë i dokumenteve të Kumranit, i quajtur Ekleziastik. Ai quhej kështu sepse «esenianët» që kishin banuar në Kumran, kur kishin ikur, i kishin marrë me vete shumë nga librat e shenjtë dhe, që t’i shpëtonin persekutimeve nga romakët ishin vendosur në Damaskun e Sirisë. Schechter e çoi këtë rrodhan në universitetin e Kembrixhit dhe filloi të punonte për deshifrimin e tij. Ai kishte blerë tashmë një pjesë të mirë të dorëshkrimeve dhe e dinte se prej njëmijë vjetësh ky tekst në versionin hebraik kishte humbur, por katolikët e kishin integruar të marrë nga Bibla e shkruar në greqisht, e quajtur ndryshe «Septante». Zbulimi ishte i madh, pasi dokumentet më të vjetra hebraike deri atëherë ishin ato të shekullit II të erës sonë, (Mishna, ishte dokumenti më i vjetër i judaizmit rabinik, i vitit 200 të erës sonë). Kështu, «Koleksioni i Schechter», i përbërë prej mijra fletësh, u quajt me termin shkencor “Cario-Damasus”, apo «Kodiku Damasus», dhe studjuesit e mëvonshëm të shekullit XX, gjetën në atë tekst judeo-kristian një ungjill më të hershëm se ungjillet e katër ungjillorëve të parë. Dorëshkrimi më i rëndësishëm ishte «Rrodhani i Madh i Isaie», apo «Libri Isaie» i cili ishte më i ploti, me 17 fletë shkruara në lëkurë, të qepura bashkë dhe shkruar në hebraisht në 54 kollona në një gjatësi 7,34 m. Një tekst i kopjuar siç duket në shekullin e II pas erës sonë.

Dorëshkrimet e Detit të Vdekur, (në total 900 dorëshkrime, ku ndër më kryesorët janë 11 libra), janë padyshim me një vlerë të paçmuar jo vetëm për historikun e teksteve biblike, por edhe për plotësimin e disa pasazheve që sot janë në Bibël. Disa studjues thonë se komuniteti hebre i «esenianëve» të Kumranit, ishte ai i Shën Gjon Pagëzorit, (Jean Baptiste), i cili ishte nga më të afërtit e Jezusë. Ishte pikërisht ai që shkoi në shkretëtirë në zonën e Kumranit, duke u thënë pasuesve të tij: «Përgatisni udhën e Zotit dhe bëjini të drejta shtigjet e tij.»

Rrodhani më i gjatë i dorëshkrimeve të Detit të Vdekur që ishte ruajtur më mirë dhe që ishte më i gjati mes të tjerëve, 8,75 m, është «Rrodhani i Tempullit» që ishte Torah e hebrenjve, i cili, siç pohojnë disa studjues, është shkruar në periudhën e viteve 150-125 p.e.s. Ai na ndihmon të kuptojmë më mirë tekstet e kristianizmit të hershëm primitiv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *