Dashuria Ime per Qiejt

Të endesh nga Honfleur në Trouville-Sur-Mer e pastaj në Deauville, është një përhumbje e shpirtit, një ngazëllim i vërtetë. Retë më të bukura që kam parë në këtë botë, janë ato në Trouville dhe Deauville, dy qytete si-motra, ndarë nga një urë e madhe ku batica vjen dhe e mbush atë kanal në fillimin e pasdites për tu tërhequr pastaj në agim, në zbaticë, duke lënë mbi tokën e lagësht ato anije të vogla peshkimi dhe motoskafë si robina të detit, rrethuar nga pulëbardhat që klithin. Por padyshim, imazhet më të bukura janë retë dhe pasioni im për retë, një pasion dehës, pa mundur ta shpjegoj se përse, pasi mund të qëndroj me orë të tëra dhe t’i vëzhgoj gjatë, të humbas mes tyre, në të papriturat e tyre apo të rend pas tyre si fëmijë. Por kjo s’më ndodh vetëm mua. Vite më parë kisha njohur historinë e një pasionanti të çmendur pas reve, të një piktori impresionist, që hyri në historinë e artit vetëm nga kjo dashuri: dashuria për retë. Ky artist ishte piktori normand, Eugène Boudin. Peneli i tij ngjizte gjithnjë retë e rrallë gjen tablo në krijimtarinë e tij ku retë mungojnë. “Vëzhgues qiellor” e kanë quajtur, dhe jo më kot. Por ajo që hyri në histori ishte cilësimi mbi të: “Roi des cieux”, “mbret i qiejve”… dhe ai ishte i tillë.