Ciceroni – një azilant politik në brigjet shqiptare

Eshtë e habitshme të mendosh sot që në brigjet e Adriatikut, Durrësi dhe Apollonia kanë qenë në kohën e Antikitetit vende ku strehoheshin të përndjekurit e Romës së kohës së Republikës, por dhe të kohës së imperatorisë. Këta ishin ushtarakë, politikanë por ndonjëherë dhe fetarë, njerëz të Kishës, si në kohën e fillimeve të Kristianizmit dhe luftës që i bënte Republika romake kristianëve të parë në Romës, çka njihet në historinë ilirike dhe me vrasjen e disa kristianëve romakë në Durrës, (Dyrrachium), bashkë me Shenjt Astin, peshkopin e parë të Dyrrachium, të cilët u vranë sepse ishin ithtarë të Jezu Krishtit. Por pa dyshim një nga azilantët më të njohur të kësaj apoke antike ishte Ciceroni, (Marcus Tullius Cicero, (106-43 p.e.s) p.e.s.), një prej personaliteteve më në zë të kohës së vet, senator dhe orator i madh, ku ndër katër figurat më të shquara të Romës republikane, krahas Cezarit, Pompeut dhe Cassius, ishte dhe Ciceroni. Por përse Ciceroni kërkoi strehë në brigjet shqiptare dhe çfarë ndodhi me të?

Ciceroni ishte një figurë e madhe humaniste dhe ndër të parët autorë antikë që ka përdorur fjalën «humanitas». Eshtë ai që fliste me aq forcë në tribunat publike apo në librat e tij për vlerat e një shoqërie të ndërtuar mbi «demos»-in grek, pra modelin grek të demokracisë, për vlerat më themelore të njeriut si «drejtësi» (Institia), «moderim» apo tolerancë (Temperantia) «kurajo» qytetare (Fortitudo), etj. Në vitin 63 p.e.s. kur Brutus me trupat e tij ishte në Dyrrachium dhe mori vesh se në Romë Ciceroni ishte shpallur konsull, i gëzuar, më 15 maj i dërgon një letër ku i shkruan: «E kisha mbaruar letrën kur mora vesh se ti do të zgjidheshe konsull. Atëherë, më duhet të mendoj idenë e një Republike legjitime, një «rem publicam instam» të mbështetur në forcat e veta». Edhe pse ky lajm nuk ishte i vërtetë por një fjalë që qarkullonte në rrethet politike, kjo tregonte se Ciceroni kishte një famë të madhe dhe shumë komandantë të legjioneve romake ishin gati ta mbështesnin atë. Fjalimet e tij kundër korrupsionit të politikanëve dhe demagogjisë së populistit Cantilia, e bënë atë një nga figurat më popullore, aq sa dhe konsujt më të fuqishëm si Cezar kishin patur frikë nga fjalimet e tij. Jo më kot atë e kishin quajtur «Pater patriae» (Baba i atdheut). Madje konsulli i gjithpushtetshëm filloi ta shohë me dyshim dhe si një kundërshtar të fortë, meqë me kurajon që e karakterizonte, ai dinte t’i bënte për vete fisnikët dhe shefat ushtarakë. Disa herë në Senat, Ciceroni kishte dalë hapur kundër politikës së Cezarit, i cili, për ta bërë për vete, i kishte propozuar më parë ta dërgonte «legat», pra ambasador, përfaqësues të Republikës por Ciceroni nuk e kishte pranuar. Ai nuk mund të bënte kompromis meqë nuk kishte një etje të madhe për pushtet. Kjo ishte dhe arësyeja që gjendja e tij në vitin 58 p.e.s. u rëndua dhe qëndrimi i mëtejshëm në Romë u bë i rrezikshëm. Cezari kishte filluar ta izolonte tashmë. Kur Ciceroni la Romën për të shkuar në shtëpinë e tij në periferi të kryeqytetit romak, ai e gjeti shtëpinë të bastisur dhe pa njerëz. Koha e përndjekjes kishte filluar. Atëherë ai jetonte atje me gruan e tij Terentia.

Duke parandjerë se njerëzit e Cezarit mund ta kapnin dhe ta vrisnin në ndonjë pusi, ai vendosi të largohej menjëherë. Kështu, i vetëm, duke u ndarë me gruan e tij të dashur, fshehurazi ai mori rrugën e njohur drejt jugut “Via Apia” dhe u nis në drejtim të Brindizit, ku u strehua në shtëpinë e një mikut të tij Laenius Flaccus, në pritje të një anije që ta çonte në Siqeli, por rrugës, duke marrë vesh se atje nuk ishte i mirëpritur nga guvernatori romak, ndaloi dhe u kthye drejt brigjeve të Ilirisë, drejt Dyrrachium-it. Ishte data 29 prill e vitit 58 p.e.s. dhe nëpër det atij iu desh të bënte një udhëtim të rrezikshëm. Dyrrachium atëherë ishte një nga portet që mbahej nga ushtria romake. Rrugës në det i shkroi një letër gruas, duke i treguar për dhimbjen e madhe që po e linte, duke ikur në udhë të panjohura. Rrugës, kur po afrohej drejt Epirit, mori vesh se Claudius ia kishte ndaluar qëndrimin në Buthrote (Butrint). Atëherë e vetmja zgjidhje ishte të shkonte së pari në Dyrrachium që në atë kohë konsiderohej si një nga portet më të njohura tregëtare apo si «Taverna e Adriatikut», siç e konsideronte Catulle. Madje Dyrrachium ishte qyteti që kishte më shumë prostituta se në gjithë portet e tjera të Mesdheut. Sigurisht, çështja ishte të qëndronte në Dyrrachium apo të shkonte në thellësi drejt Selanikut, ku kishte njerëz të besuar, mes të cilëve Cyzique dhe guvernatorin romak Plaucius. Ndërkohë në Romë, luftrat midis klaneve të ndryshme politike e ushtarake po ashpërsoheshin gjithnjë e më shumë. Disa kërkonin që Ciceroni të kthehej, të tjerë që të kapej dhe të ndëshkohej. Më 9 korrik të atij viti, Pompeu organizoi një mbledhje të Senatit në Tempullin e Jupiterit, në Capitol, duke i dhënë hapur Ciceronit titullin «shpëtimtar i Atdheut», çka tregonte qartë përçarjen dhe antagonizmin midis Cezarit dhe Pompeut që jo larg do të çonte drejt luftës midis tyre. Mbi udhëtimin e Ciceronit drejt Durrësit dhe qëndrimin e tij në këtë qytet, shkruan ndër të tjera dhe Plutarku: «Era ishte e favorshme për Ciceronin që të arrinte në Dyrrachium. Kur arriti para qytetit, siç thuhej, mësoi se një tërmet kishte rënë i shoqëruar me dallgë të mëdha, çka do të thoshte se mërgimi i tij nuk do të ishte i gjatë. Shumë njerëz shkonin ta takonin dhe ti shprehnin simpatinë. Madje dhe nga qytete të tjera dërgonin drejt tij «ambasadorë» që të njiheshin me të por ai vetë ishte i mbytur në dhimbje dhe dëshpërim, duke parë gjithnjë nga brigjet e Italisë si një i dashuruar që e kishin përzënë. Ndihej i poshtëruar në atë fatkeqësi që e kishte pushuar. Shpesh u thoshte miqve të tij që të mos e thërrisnin «orator», por filozof, pasi, siç thoshte ai, e kishte zgjedhur filozofinë si një sfidë të së vërtetës dhe se elokuenca ishte vetëm një instrument që ai e vinte në shërbim të politikës…»[1]

Ciceroni vendosi të largohej nga Selaniku ku ndjehej i pasigurtë për jetën e tij dhe të rikthehej përsëri në Dyrrachium, në këtë qytet të ngrohtë me amfiteatrin e tij të madh, banjot, mozaikët e bukur dhe plot gjallëri, me legjionarë, tregëtarë nga shumë anë të Mesdheut, qytetarë e skllevër. Ardhja e Ciceronit ishte padyshim një ngjarje e madhe në qytet. Të gjithë kishin dëshirë ta dëgjonin lidhur mbi ligjet, shtetin, detyrat qytetare, etj., edhe pse ai tashmë tregohej i rezervuar. Më 25 nëntor, ai i shkruan një letër mikut të tij Atticus në Romë, ku i shpreh se është tepër i trishtuar dhe se «banorët e Dyrrachium-it janë shumë të devotshëm ndaj meje». Po atë ditë, një letër tjetër i dërgon gruas së tij Terentia dhe vajzës Tullia, duke u shkruar se i vjen keq që ato po vuajnë për shkak të tij, «por nuk duhet rënë në dëshpërim»… «Erdha në Dyrrachium, – u shkruan ai, – sepse është një qytet i lirë, pasi këtu janë të përkushtuar ndaj meje. Por nëse do të ndihem keq, në një vend kaq të rrahur, do të iki gjetiu». Një ditë më vonë, ai merr tri letra që i ka dërguar javë më parë gruaja e tij. «Aristocrite më solli tri letra që pothuaj i lava me lotët që derdha», përgjigjet ai. «Natë e ditë kam para sysh pamjen tuaj në zi… Nëse ndodhem në Dyrrachium, kjo për arësye se këtu mund të informohem më shpejt se çfarë ndodh atje. Këtu jam i sigurt, pasi ky qytet, më parë më ka patur mbrojtës të tij.» Ciceroni vazhdon tu shkruajë letra dhe në 10 dhjetor e më pas në gjysmën e dhjetorit apo në mesin e janarit të vitit 57 p.e.s. «Kam letrën e vëllait tim Quintus, – i shkruante ai gruas së tij, – i cili më njofton për vendimin e Senatit që të kthehem në Romë por unë do pres që ligjet t’i propozohen popullit. Nëse do të ketë kundërshtim, më mirë të mohoj jetën time sesa të kthehem në atdhé. Ndërsa ti nxitohu të vish». Në mesin e janarit ai i shkruan gjithashtu konsullit Matellus duke i kërkuar mbështetje për kthimin e tij dhe duke e falenderuar për fjalët e tij në Senat, ku e kishte mbështetur fuqimisht.

Në fillim të shkurtit të atij viti, në kujtimet e tij shkruan se është duke u përgatitur për kthimin. Eshtë kthimi nga një ekzil i pasigurt për jetën e tij. Edhe pse Senati ishte shprehur se ishte dakort për kthimin e tij përsëri u desh disa muaj derisa kjo të vendosej ligjërisht. Dhe ligji u shpall në ditët e para të gushtit. Ndërkohë Senati kishte filluar të mbështeste Pompeun. Më 4 gusht të atij viti më së fundi ai mori anijen. Në portin e Dyrrachium-it u përcoll gjithë fanfara, brohorima dhe nderime të mëdha nga guvernatori i qytetit si dhe ushtarakët e lartë. Të gjithë brohorisnin mbojtësin e ligjit dhe të lirisë. Një ditë më vonë mbërriti në Brindizi. Në të gjitha qytetet që kalonte, rrugës së kthimit për në Romë, u prit me një triumf dhe entusiazëm të madh. Më 4 shtator hyri triumfalisht në Romë… E megjithatë, vila e tij në Palatin ishte shkatërruar nga kundërshtarët politikë, po kështu dhe vilat në Tusculum dhe Formia ishin braktisur plotësisht.

Ciceroni do të kthehej sërrish në Dyrrachium ku do të qëndronte për pak kohë, meqë ai përgatitej të udhëtonte larg Romës, duke marrë drejtimin për në Butrint, Prevezë e më pas drejt Thalës dhe Lindjes së Afërme. Në këtë kohë janë shkruar dhe përshtypjet e tij mbi Apolloninë e Ilirisë, të cilën ai e konsideron si një «Magna urbs et gravis», (Qytet i madh dhe i rëndësishëm).

Pas kthimit të tij nga Azia e vogël, ku ishte caktuar prokonsull në Cilici në vitin 51 p.e.s. dhe disa betejave që komandoi, i ndihmuar dhe nga vëllai i tij Quintes, gjatë disa viteve, përveç jetës politike si senator dhe orator i famshëm, ai iu kushtua shkrimit të librave të tij, De Republica, (Republika), De Oratore, (Mbi oratorinë), De Lois, (Ligjet), De officis, (Detyrat), çka ishte trashëgimi më i madh që ai i la pas njerëzimit. Në këtë kohë, i tërhequr disi, ai shkruante dhe këshillonte të tjerët: «Ju këshilloj të bëni siç bëj unë. Mos u dukni tepër edhe pse mund të flitet shumë rreth jush. Meqë zërat tanë nuk dëgjohen në Senat dhe në Forum, ne e dimë mësimin e të urtëve të kohës së vjetër. Pra ne duhet t’i shërbejmë atdheut me shkrimet tona, duke u përqëndruar në çështjet e etikës dhe të ligjit kushtetues».

Por tashmë kriza midis Cezarit dhe Pompeut po bëhej gjithnjë e më e madhe dhe midis të dyve, Ciceroni zgjodhi Pompeun. Madje ai shkoi dhe u bashkua me Pompeun në Epir, kohë kur ka parë përsëri Butrintin, Orikumin, Apolloninë dhe Dyrrachiumin, ku do të bëhej dhe beteja e gjatë  dhe vendimtare midis legjioneve të Cezarit dhe Pompeut, luftë e cila do të mbaronte me fitoren e Cezarit në Maqedoni (Farsale). Këtë periudhë n’a e përshkruan dhe Plutarku në librat e tij me kujtime duke shkruar për Ciceronin i cili në atë kohë ishte në Durrës dhe kishte parë nga afër plaçkitjen e qytetit në kaosin e madh që zotëronte në ushtrinë e Pompeut. Siç shkruan Plutarku, një marinar i kishte treguar Ciceronit për ëndrrën e tij të tmerrshme dhe fundin e ushtrisë pompeiane çka dhe realisht do të ndodhte.”Pas thyerjes në Farsale, në Durrës u kthye me shpejtësi Labiens, lietnanti i vjetër i Cezarit, i cili i ishte bashkuar Pompeut kundër Cezarit. Ai e njoftoi Ciceronin për tërheqjen e Pompeut dhe sesi ai kishte gjetur një anije dhe i vetëm ia kishte mbathur dhe tani nuk kishin asnjë lajm nga ai. Kur u përhap ky lajm, në Durrës filluan plaçkitjet: ushtarët hapnin depot e rrëmbenin grurin, ndërkohë që kapitenët e Catonit u ngjiteshin anijeve të luftës. Të tjerë që rezistonin të vazhdonin luftën kundër Cezarit digjnin anijet. Ciceroni dhe miqtë e tij Caton dhe Varon panë flakët që kishin pushtuar qytetin. Catoni, me trupën e tij të zgjedhur kishte menduar Korfuzin si vend ku donte të ndalonte, por aty duhej zgjedhur një kryetar Këshilli. Atëherë Caton i propozon Ciceronit që të bëhej ai kryetar, por Ciceroni e refuzoi, çka e zemëroi birin e Pompeut, Gaeus Pompé aq sa ai nxorri shpatën dhe iu sul ta qëllonte por Caton e mbrojti Ciceronin dhe e nisi menjëherë për në Patra bashkë me vëllain e tij, Quintus.

Pas betejës së Farsales Ciceroni mori lajme nga Tullia dhe Tarentea të cilat e njoftonin se Cezar-i, që ishte ende në Aleksandri, më në fund e autorizonte të kthehej në familje. Dhe kështu Ciceroni u rikthye në Romë. Pak kohë më vonë, kur luftrat mbaruan dhe në Romë u vu qetësia, ai e filloi përsëri luftën e tij qytetare në fushën politike. Në vitin 44 p.e.s. shumë gjëra kishin ndryshuar aty në jetën politike. Edhe pse ai luftoi gjer në fund të jetës së tij për të mbrojtur ekuilibrin e brendshëm politik të Republikës nga grindjet e mëdha që zhvilloheshin midis Brutus, Cassius, Marc Antonio dhe konsujve të tjerë, nuk arriti ta shmangte zemërimin e kundërshtarëve të tij politikë. Siç shkruan dhe në veprën e tij Filipikët, «Mark Antonio është një i çmendur, një i korruptuar dhe akoma më i keq se Cezari. Antonio kërkon të fillojë një gjakderdhje të re». Vrasja e Cezarit në 15 mars të atij viti ishte kulmi i kaosit në Romë. Oktavi, nipi dhe trashëgimtari i tij, i cili studjonte në Apolloni, në një akademi ushtarake, u kthye me nxitim në Romë. Ciceroni i kërkoi që të bashkohej me të në luftën kundër Mark Antoni, por Oktavi nuk guxoi. Pikërisht atë vit, duke e parë si një kundërshtar të rrezikshëm, Marc Antonio dhe besniku i tij Lepide, dërguan ushtarët që ta kapnin. Tashmë emri i Ciceronit ishte në listat e njerëzve që duhej të ekzekutoheshin. Kur ushtarët shkuan ta arrestonin, tregojnë se atë e kishin gjetur duke u larguar me shpejtësi nëpër një pyll për t’iu afruar detit dhe për të gjetur atje ndonjë anije ndoshta për ta çuar drejt brigjeve ilirike, Dyrrachium, ku ende kishte miqtë e tij. Në fakt, para se të largohej, Ciceroni kishte shkuar fillimisht në shtëpinë e tij në Gaeta që ishte bosh. Kronistët thonë se atë natë mbi vilë fluturonin korbat. Madje një korb kishte hyrë dhe kishte shkuar në krevatin e tij duke e goditur me sqep por plaku i lodhur flinte. Me sa duket korbat ishin të dërguarat e Apollonit, që kërkonin t’i vinin në ndihmë e ta zgjonin që ai të ikte sa më shpejt. Të nesërmen, miqtë e tij e morën dhe po iknin por ndërkohë ushtarët kishin mbërritur në vilën bosh dhe kishin pyetur për të. Njëri nga banorët, dhe pikërisht Filologes, që Ciceroni i kishte dhënë vite më parë mësime, u kishte treguar rrugën nga kishte ikur Ciceroni. Dhe ja, duke nxitur drejt brigjeve ata panë Ciceronin që po priste anijen. Më së fundi e kapën dhe menjëherë i prenë kokën, të cilën ia dërguan në Romë të fuqishmit Marc Antonio. Ishte Herennius, ai që i preu kokën dhe duart. Ishte 7 dhjetor i vitit 43 p.e.s. Brutus, i cili kishte lënë Dyrrachiumin, ishte ngjitur drejt Italisë së veriut, pastaj kishte marshuar në tokat e galëve e më pas kishte zbritur drejt Romës. Ai ishte shpallur imperator por Ciceroni tashmë kishte vdekur. Koka dhe duart e tij ishin ekspozuar nga njerëzit e Mark Antonio në «rostrum», në tribunën popullore të Romës. Ata kapën dhe birin e tij si dhe vëllain Quintes, të cilët i vranë gjithashtu.

Më pas, Plutarku shkroi librin “Jeta e Ciceronit” ku do të bënte të njohur jetën dhe veprimtarinë politike e humaniste të një prej gjigandëve që nxorri Roma antike, atë të Ciceronit, autorit të veprave të mirënjohura të antikitetit romak. Sigurisht, në veprën e tij “De Fato” (“Mbi Fatin”), ai nuk e kishte parashikuar fatin e tij, as atë që do t’i prisnin kokën dhe duart e tij per t’i ekspozuar pastaj në Forum para qytetarëve të Romës. Gjenitë kishin shpesh një fat tragjik…


[1] Plutarque, Vies paralleles, Edition Gallimard, Paris.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *