Camera obscura – Origjina e botës

Historia rokamboleske e tablosë emblematike e Gustave Courbet si porosi e ambasadorit turk në Paris, Khalil Bey, me origjinë nga garda shqiptare e Mehmet Ali Pashës, themeluesit të Egjiptit modern. Në sallonin e tij në ambasadë ishte një ceremonial i tërë kur të ftuarve u shfaqej pas darke kjo tablo e mbulur me një velur jeshil.

(Fragment)

“… Peneli i Kurbesë filloi të rrëshqiste me shpejtësi, si i mbërthyer nga një dridhje e brendshme për të kapur atë mahnitje që gati e linte pa frymë. Ishte hera e parë që ndeshej drejtpërdrejt, kaq afër, me seksin e një femre edhe pse modelet e dikurshme të tij i kishte pikturuar shpesh nudo. Ai nxitonte. Donte të kapte atë gjendje misterioze që nuk mund t’a fiksonin as fotografitë nudo të Nadar, Belok, apo Drië; atë gjendje që nuk mund ta përshkruante as pena e një Aleksandër Dyma, Flober apo Stendal. Xhoana mbylli sytë dhe pas pak lëshoi një psherëtimë të lehtë. Pastaj diçka pëshpëriti në gjysmë zë.

– Çfarë? – i tha me një zë të mbytur Kurbe.

– Më ngjan sikur dëgjoj valë deti… Më duket sikur jemi ende në Honfleur. Unë, ti, Uistlër.

– Ende mendon për të?

– Po… më vjen keq që iku. Përse iku?… Uistlër ishte vërtet një “xhentëllmen”, një zotëri i madh.

– Po të donte vërtet ai nuk duhej të ikte dhe të linte vetëm. Gjithnjë më ka habitur ai njeri. Madje tani më duket si një adoleshent. Nuk e kupton që është i krisur?… Për çka mund t’iu duhet ai revolucionarëve të Kilit. Ç’mund t’u japë ai me penelat e tij?

Ajo ndaloi një çast, vështroi tavanin e atelierit dhe vazhdoi:

– Kam frikë se Uistlër nuk do të kthehet më, – tha prerë dhe në mënyrë të trishtë Xhoana.

Një heshtje e madhe pllakosi në atelier. Ajo mbylli sytë. Kujtonte kohën në Honfleur dhe atë ditë kur Uistlër kishte shkuar dhe pikturonte valët e detit, ndërkohë që Kurbeja punonte një portret të saj, diku në qytet. Pas pak ajo deshi të çohej.

– Qëndro, prit dhe pak… nuk e shikon? Nuk kam mbaruar ende.

– Jo, u lodha… Do të vij nesër. Nuk di se ç’kam… ndoshta koha.

Ajo filloi të vishej ngadalë, duke parë nga Kurbeja që qëndronte në një mënyrë shpartalluese. Nuk fliste. Sytë e saj rrëshqitën mbi tablonë, duke vështruar linjat e para të seksit të saj të pikturuar dhe gjinjtë e ngritur që po merrnin formë dhe priteshin papritur, sapo mbaronin.

– Më premto se nuk do t’i thuash askujt se kush ka pozuar për këtë tablo.

– Je te jure! – Të betohem! – qeshi Kurbe dhe futi kokën e tij të madhe në flokët e saj të shumtë, të kuqërremtë që mbulonin zverkun.

Xhoana ishte stepur një çast nga ai imazh aq realist. Por njëkohësisht i erdhi keq që këmbët priteshin mbi gjunjtë. Po kështu priteshin dhe gjinjtë, aty ku sapo fillonte qafa. Gustavi e ndjeu kënaqësinë që ajo po provonte përballë pikturës dhe me buzët e tij të trasha i preku përsëri supet e zhveshur. Ajo u drithërua dhe pështeti një çast kokën në gjoksin e tij. Ai e pushtoi fort dhe në heshtjen e atelierit u dëgjua kërcitja e lehtë e kockave të saj.

– Do të më thyhesh brinjët një ditë! – tha ajo, duke u përpjekur të çlirohej.

Kurbeja shpërtheu në të qeshura. Ajo bëri nga dera duke e përqeshur.

– Nesër të pres… Duhet ta mbaroj. Dëgjove? Ajo i tundi kokën në shenjë pohimi dhe dera pas saj u mbyll.

origjina-botes-2couv-1