Një vit më parë…
«Les voies de la main». Udhët e dorës… Linjat e dorës. Mund t’i quajmë si të duam pasi për piktorin duket se është e njëjta gjë, meqë udhët bashkohen me linjat, është lëvizja e duarve mbi telajo me penel në kërkim të artit, emocionit, habisë. A nuk thoshte Picasso se «unë gjej»? Je trouve!… Gjej duke kërkuar. Gjej të bukurën, origjinalen… Dora e Bujarit niset nga një pikë dhe kështu udhëton herë me vetëdije dhe herë e lëshuar dhe e pavullnetshme, gjesti i varur në boshllëk, atje ku e çon instinkti, ajo gjendje surreale brenda disa sekondash për të përmbledhur brenda telajos atë çka vibruar në thellësi të shpirtit, atë gjë mistike të pa përcaktuar qartë, me një vel misteri. Kjo është gjuha e artistit. Më së fundi ai largon penelin dhe shikon mbi telajo krijesën e vet e cila tashmë qëndron para tij e pavarur, më vete, aq sa dhe vetë artisti mendon për nje çast nëse ajo çka është pikturuar është krijuar prej tij apo jo. Eshtë shkrimi, por i ndryshëm nga shkrimi i murgjëve skribë të kodikëve purpureus… Eshtë një tjetër shkrim kohësh moderne!

Ndalem përpara tablosë që kryeson ekspozitën, ku ka një përzjerje të figuratives me abstrakten dhe nuk di pse ajo më jep ndjesinë e një personazhi ardhur nga kohë kaotike, luftrash, shkaterrimesh, ku gjatë udhës për të dalë nga errësirat në dritë, gjithçka e trupit i ka rënë, duke i mbetur veç eshtrat e tij… një personazh sa simbolik aq dhe makabër në dukje, si një personazh që i ka mbijetuar hekatombit të madh njerëzor e pse jo, atomik, kur shikon në këmbët e tij atë tokë të zhuritur në shkrumb dhe gjak…
Në galerinë e quajtur «Le Purgatoire», «Purgatori», kjo ecje të kujton një personazh të pa menduar nga Dante, por që del nga ferri për të shkuar në Purgator!
E dyta ekspozitë e Bujar Lucës në këtë galeri, një ndër galeritë me sqimë të Parisit, metropol i artit dhe i kulturës.



