Brughel – një mësim pikture

Jo rrallë entusiazmohemi nga filmat që shohim. Eshtë jeta në lëvizje ku aktorët, njerëzit e të gjitha kohrave, na flasin për dramat dhe ngazëllimet e tyre, për tragjeditë. Jeta humane në ekran në të gjitha dimensionet: peizazhe, portrete, fytyra në plan të parë ku ndryshe nga teatri, ekrani, kamera na bën të shohim dhe shndritjen e një pike loti. Shto këtu drithërimën e trupit, aktrimin, plastikën e lëvizjes, koreografinë e turmës njerëzore.

Mbrëmë pashë një film që më entusiazmoi në mënyrë të veçantë, ndryshe nga herët e tjera. Një film i nisur nga një tablo. Menjëherë të lind pyetja: a mund të bëhet filmi sipas një tabloje? Duket e vështirë në fillim por është e vërtetë. Një film rreth një tabloje, shikuar nga kënde të ndryshme, duke u endur mbi të dhe duke depërtuar Brenda saj për të zbuluar njerëz dhe botë njerëzore. Këtë na e afron Brueghel… Vite më parë më kishte ndodhur që të frymezohesha nga një tablo siç ishte “Origjina e botës”, (l’Origine du Monde” e Courbet që të shkruaja një roman (“Camera obscura – Origjina e botës”). Por filmi i regjisorit polak Lech Majewski, nisur nga tabloja e Pieter Brueghel (l’Acien – I Vjetri) me titullin “Mbajtja e Kryqit” (1564) ishte një mrekulli e veçantë, një mësim kinematografie, ku mjeshtri i imazhit ka ditur ti afrojë shumë kinemanë me pikturën, madje gati ti bëjë të padallueshme, pasi në momente kyçe ai e stopon kameran dhe përpara kemi një tablo, por kësaj rradhe me aktorë që interpretojnë në film.

Ajo që të bie në sy është pikërisht referenca direkte e regjisorit ndaj tablove të piktorit, i cili është brenda kuadrit filmik, pikturon, endet mes personazheve, vëzhgon peizazhet dhe krahas tij, regjisori që «nxjerr» nga këto tablo atë masë fshatare që gjallon me një lëvizje dinamike, me fshatarët, karrot, kalorësit, murgeshat dhe gjithë atë jetë rustike. Një Brueghel (1525-1565) i jashtëzakonshëm, aq i afërt me temën fshatare, ritualet, danset, lypësit, lojrat adoleshente, përqafimet e të dashuruarve, mitet e legjendat dhe fytyrat që janë vetë gjurma më e dukshme e kohës, i të gjitha epokave. Siç tregonte një bashkëkohës i tij, Van Mander, «Në shoqëri ai ishte një njeri që bënte shumë shaka dhe luante me maskat e fantazmat… I pëlqente ti vizitonte fshatarët në banesat e tyre, apo nëpër panaire, pëlqente vallet dhe vëzhgonte qëndrimin e fshatarëve apo qytetarëve në tavolinat e bujtinave. Në këtë film këto imazhe nuk janë, për vetë temën që trajton, por në tablo të tjera ato spikasin me një forcë dhe origjinalitet të jashtëzakonshëm duke na shfaqur në jetën fshatare në dëborë, gjuetinë, fytyrën e njeriut flamand me tradicionet e tij dhe vetë portretin e tyre që mbajnë vulën e kohës, siç i shohim në tablotë Proverba flamande, Gjuetarët në dëborë, etj.

Ky film, me titullin “Mulliri dhe Kryqi”, frymëzuar nga Bibla dhe kryqëzimi i Jezusë, duket se ka bashkuar tradicionin flamand me temën biblike, ku rreth mullirit dhe kishës ndërtohej dikur jeta. Herë-herë harron se je në film dhe vetja të duket sikur je në një galeri gjigande dhe ti shëtit duke parë nga një tablo e Brueghel në tjetrën, të këtij piktori të famshëm të Rilindjes flamande që bashkë me Jerome Bosch mbeten dy nga mjeshtrit më të mëdhenj të të gjitha kohrave të botës flamande.

Ky film referencë është një mësim i duhur për regjisorët e rinj nëse një ditë do të ndërmerrnin të realizonin një film nisur nga një tablo apo jeta e piktorëve si Onufri, Shpataraku, Zografët, të një piktori anonim të shekujve XV- XVII, etj, por kjo padyshim do kërkojë një formë të përkryer në tërësi me kostume e dekore të kohës, me imazhet e një jete reale ku të spikasë fytyra njerëzore. A është e mundur që kuadri të jetë një tablo, një pikturë më vete? Një talent i ri duhet ta tentojë ndoshta këtë…